Speciale » Alia
Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore ( 8 )
E premte, 20.03.2026, 07:00 PM
MARIA, VAJZA E ANGJELINA ARIANITIT DHE E STEFANIT III BRANKOVIÇ (8)
Nga Dr.
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Nga martesa e Angjelina Arianitit me Stefanin III
Brankoviç lindën pesë fëmijë. Në vitin 1461, në Durrës u lind Gjergji, të cilin
e pagëzuan me emrin e gjyshit Gjergj Arianiti, ndërsa kur u shugurua murg, mori
emrin Maksim. Në vitin 1462 në Durrës u lindi vajza Irena, e cila vdiq tre muaj
pas lindjes, ndërsa tre fëmijët e tjerë lindën kur u transferuan në Friuli –
Itali. [Perego Stefano, Smilgevicius Kestutis. 2024, A proposito del Diarium primum di
Angelo Massarelli, pp. 4-10].
Në vitin 1462 vdiq princi Gjergj Arianiti. Bashkëshortjë
e tij baronesha Petrina Frankone Arianiti e mbetur e vè, bashkë me tre djemtë
dhe vajzën, në verën e vitit 1463 u kthye në Pulja, në trojet e prindërve në
feudin e Taurisano në Salento e më pas shkuan në Venecia. Angjelina me Stafanin
III dhe djalin Gjergji, mbetën vetëm në Durrës. Në rrethanat e vështira që po
kalonte Arbëria, Gjergj Kastrioti dhe Andronika i këshilluan Stefanin dhe
Angjelinën të shkonin në Milano, madje iu dhanë letër rekomandimi për Dukën
Sforca të Milanos.
Fillimisht Angjelina me Stefanin dhe djalin Gjergji
shkuan në Venecia, madje lundruan në të njejtën anije me motrën Andronika
Kastriotit, me djalin 9 vjeçar Gjoni II Kastrioti dhe Ipeshkëvin Pal Engjëlli,
të cilët do të prezantoheshin para Senatit të Venedikut, për t’i njohur Gjonit
II Kastrioti, të drejtat e fisnikërisë Veneciane, si ua kishte kërkuar Gjergj
Kastrioti me letrën e 20 gushtit 1463. Më 25 shtator 1463,
Angjelina asistoi në ceremoninë e shpalljes të Gjoni II Kastrioti, anëtar i
Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas, me diplomën e dhënë nga Dozha
Kristoforo Moro. [Dorit Raines. Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione
e presenza al Maggior Consiglio: le case
del patriziato veneziano, 1297 - 1797. In Storia di Venezia, I, 2003, pp. 3 –
8]. [Marin Sanudo il Giovane. Vitae dei Dogi 1423 - 1473.
Venezia 1999, Tom. 1. pp.183]
Angjelina dhe Stefani III me djalin Gjergji, qëndruan në
Venecia, me shpresë se do të ndihmoheshin nga Serenissima, sepse Stefani III,
nga viti 1441 ishte patric venecian, ashtu si dhe Angjelina, sipas marrëveshjes
të vitit 1456, të Gjergj Arianitit me Dozhën eVenedikut Françesko Foskari, ajo
dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima. Stefani III dhe Angjelina nuk e gjetën
përkrahjen financiare nga Serenissima. [Aleksandar Fotic (2008) Famiglia
Brankovi?. Enciclopedia dell'Impero Ottomano. New York: Pubblicat.
Infobase. pp. 93 - 94]. [Giuseppe Bettinelli: Dizionario storico –
portatile di tutte le venette patrizie
famiglie. Venezia, 1780, f. 48]
Në këto rrethana, u transferuan në Friuli, ku u vendosën
në kështjellën e Belgradit pranë lumit Taliamento, në Varmo (Udine), kështjellë
të cilën Stefani III dhe e motra Katarina (e martuar me kontin Ulriku II i
Celje të Kroacisë), ia kishin blerë kontit Leonardo i Gorizia. [Altan
Mario Giovanni Batista. Stefano Brankovi? despota di Serbia ed il castello
di Belgrado nel Friuli, secolo XV: Revista Friulane. Atti dell’Accademia di
scienze lettere e arti di Udine, 1981, pp. 15 - 29].
Në vitet që jetuan në kështjellën e Belgradit në Varmo,
lindën dhe tre fëmijë: vajzën Milica (1464) djalin Gjoni (Johann) (1465) dhe
vajzën Maria (1466), të cilën e pagëzuan me emrin e gjyshes Maria Muzaka.
Më 9 tetor 1476, vdiq Stefani III Brankovi?. E varrosën
në Friuli. E detyruar nga vështirësitë ekonomike, Angjelina vendosi të largohej
nga Venecia. Në vitin 1478, i kërkoi ndihmë Perandorit Frederikut III Habsburg
i Austrisë, i cili e ftoi dhe i dhuroi kështjellën Weitensfeld, në Dukatin e
Stiria, në juglindje të Austrisë, fqinje me Karincia dhe Slloveninë. Angjelina
me fëmijët jetoi 10 vite në Stiria, natyrisht me mbështetje financiare nga
Perandori Frederiku III, si dhe me ndihmat që i dërgonte e motra Andronika
Kastrioti.
Në
vitin 1485, Perandori Frederiku III ndërmjetësoi te Angjelina, për martesën e
vajzës Maria me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i dinastisë
Paleologu i Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur, markezi i shtetit të
Monferrato në Padania, i cili ishte vasal i Frederikut III të Austrisë. Pas
divorcit më gruan e parë Orvietana di Campofregoso, në vitin 1484 i vdiq dhe
gruaja e dytë kontesha Elena di Bresse. Ashtu si i vëllai Gulielm VIII dhe
Bonifaci III kishin mbetur pa trashëgimtarë, andaj për të garantuar
vazhdimësinë e dinastisë, Bonifaci III vendosi të martohet për të tretën herë.
Në vitin 1485 me ndërmjetësinë e perandorit Frederiku III, markezi Bonifaci III
61 vjeçar, u martua me të bukurën Maria Brankoviç, që ishte 19 vjeçe. Martesa u
celebrua me prokurë në Innsbruck më 17 tetor 1485, në mungesë të Bonifacit III,
por në prani të nënës Angjelina Arianiti Brankoviç, të dy vëllezërve dhe të
motrës Milica dhe të fisnikëve të oborrit Habsburgëve. Pas ceremonisë së
martesës, Maria u kthyen në Monferrato e shoqëruar nga Angjelina Arianiti dhe
nga një grup diplomatësh Habsburgë. Nga lidhja martesore e Bonifacit III me
Marie Arianiti Brankoviç lindën dy djem: Guglielmo IX (10 gusht 1486) dhe Gian
Giorgio (21 janar 1488). Lindja e djemëve u përshëndet nga kronistët e kohës
dhe të oborrit të Habsburgëve, të cilët e cilësuan Marien shpëtimtaria e
markezatit të Monferrato. [Luisa Clotilde Gentile. Dai Balcani al Monferrato: memorie araldiche di Maria di
Serbia. Riletture e nuove attribuzioni. Palazzo Madamme 2024 – 2025, pp. 30 -
45]
Markezia
e re Maria ushtroi rol me rëndesi në drejtimin shtetit të vogël dhe të pasur të
Monferrato. Markezi Bonifaci III ishte i moshuar dhe nuk mund të ndiqte të
gjitha aktivitetet e shtetit të tij, andaj adminsitrimin e pronave dhe
regjencën e djemëve të mitur ia besoi bashkëshortes. Disa muaj më pas, me
propozimin e Maries, i kërkuan Kostantin Arianitit, të bashkëpunonte si
administrator i markezatit. Kostantin Arianiti, daja i Maries, e pranoi
menjëherë ftesën, kësisoj në vitin 1486 e la detyrën e Protonotarit Apostolik
në Vatikan dhe kaloi në shërbim të mbesës Maria. Kostantin Arianiti u bë
personi i besueshem i Markezit Bonifaci III, si vërtetohet në testamentin e 11
majit 1491 të Bonifacit III, i cili e emëroi bashkëregjent i djemëve, që ishin ende
të mitur. Bonifaci III, i vlerësoi aftësitë e Kostantinit dhe krahas detyrës të
bashkadministratorit të shtetit të Monferrato në Padania, në vitin 1489 e
martoi me vajzën e tij Franceska Paleologa, e cila ishte e bija e tij
jolegjitime, por e njohur zyrtarisht nga markezi. [Lutfi Alia, Kostantin
Arianiti Komneni, botim në Issue. com, Mars 2014].
Pas
vdekjes të Bonifacit III më 1494 (u varros në kishën Shen Francesko në Casale),
Maria mori drejtimin e markezatit dhe regjencën e fëmijëve, së bashku me dajën
e vet, Kostantin Arianitin. Maria ishte autoriteti suprem i markezatit që në
fund të vitit 1485, si ishte shprehur dhe Bonifaci III në testamentin e fundit
të vitit 1491, duke e cilësuar Marien pronare e markezatit dhe regjente e
djemëve pas vdekjes së tij. [Haberstumpf W, Il
marchesato di Monferrato tra crociate e ricordi delle trascorse glorie
oltremarine (secoli XV-XVI), in “Bollettino storico-bibliografico subalpino”,
CXXI (2023/1), pp. 167-188].
Kur
Maria arrijti në Monferrato në vitin 1485, pruri dhe stemën heraldike të
familjes, e prezantuar me mburojën e ndarë në dy pjesë, në të djathtë fasha e
kuqe dhe e bardhë, që ishte stema e Habsburgëve, ndërsa në gjysmën e majtë në
pozicion diagonal, në sfond të kuq dy shqiponja dykrenëshe ngjyrë të artë, të
dinastisë Arianiti dhe dy luanë të kuq në pozicion të ngritur mbi këmbët e
pasme, të stemës heraldike të Brankoviçëve. Maria, markezia e Monferrato,
kishte dhe vulë me këtë stemë heraldike, por kjo vulë ka humbur.

Stema
heraldike e Maria Brankoviç dhe stema heraldike e Gjergj Arianiti.
(Benvenuto Biandrate di San Giorgio, Ragionamento
familiare..., ms., Archivio di Stato di Torino, Paesi, Monferrato, Storia e
genealogie, m. 1, f. 473r).
Në
lidhje me shqiponjën e artë dykrenëshe, një grup studiuesish italianë bëjnë
interpretime të gabuara, duke ia dedikuar dinastive serbe, por si me të drejtë
spjegojnë një grup historianësh dhe ekspertësh të heraldikës, Brankoviçët në
stemën heraldike kishin mburojën me luanin e kuq ngritur mbi dy këmbët e pasme
në sfond floreal blu, madje kjo stemë ishte dhe në vulat e dhespotëve. Kështu
p.sh xhaxhai i Maries, dhespoti Lazar Brankoviçi, në vitin 1457, në një
kuitancë blerje malli në Raguza, kishte vulosur me dyll në letër, me vulën e
tij, e cila në brendësi të mburojës ka luanin ngritur mbi dy këmbët e pasme dhe
helmetën me brinjët e demit. Të njëjtën vulë kishte dhe Stefani III Brankoviç,
babai i Maries, por vlen të theksohet se në kohën kur Stefani III ishte
dhespoti i Serbisë, kishte vënë në qarkullim një monedhë me shqiponjën me një
kokë dhe me helmetën me brinjët e demit. Edhe Katarina, motra e Stefanit III,
kishte stemën me mburojën me në qendër luanin e ngritur mbi dy këmbët e pasme.
Shqiponjën dykrenëshe e përdori në vitin 1492 i vëllai i Maries, Gjergji kur
ishte dhespot, e më pas u shuguruar murg me emrin Maksim.
Natyrisht
shqiponja e artë dy krenëshe e integruar në stemën heraldike të Markezatit të
Monferrato, ishte ndikim i Angjelina Arianitit, e cila me të drejtë kishte
sugjeruar, që Maria të përfaqësohet me stemën heraldike të dinastisë Arianiti.
[Luisa Clotilde Gentile. Dai Balcani al Monferrato:
memorie araldiche di Maria di Serbia. Riletture e nuove attribuzioni. Palazzo
Madamme 2024 – 2025, pp. 30 - 45]
Pas
martesës më Bonifacin III, stema heraldike e Markezatit të Monferrato u
modifikua. Në këtë stemë të re, në kuadratin e sipërm djathtas të mburojës, në
sfond të kuq u vendos shqiponja e artë dy krenëshe e Arianitëve, në qendër
kryqi tetragramat i dinastisë Paleologo, që shprehte një moto kristologjike
bizantine të origjinës së hershme të dinastisë Bonifaci, kryq që ishte dhe në
stemën Gulielmit VIII Bonofaci. Në kuadratin e sipërm majtas, në pozicion
vertikal shiritat të kuq e të verdhë të Paleologëve; poshtë në gjysmën e
djathtë të mburojës dy peshq në pozicion vertikal në sfond blu, elemente të
stemës të Bonifacit III; në kuadratin poshtë majtas, në këndet e kryqit katër
brirët e demit të stemës Brankoviçëve dhe në qendër një mburojë e vogel më
sfond të kuq e të bardhë, e stemës heraldike te Habsburgëve të Austrisë. [Haberstumpf, Walter (2009). Regesti
dei Marchesi di Monferrato (sec IX-XVI). Alessandria: San Giorgio
Editrice.]
Kjo
stemë dhe objekte të tjera të Maries dhe të Bonifacit III, ruhen në Monferrato
dhe janë përfshirë në historinë e arteve dekorative dhe punimet artistike e
letrare të Noemi Gabrielli, të prezantuara në ekspozitën e Gotikut torinez dhe
të Rilindjes piemonteze të organizuar nën kujdesin e Vittorio Viale. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al
XVIII se colo, Miglietta, Torino 1935 (ed. anastatica: Il Portico, Casale 1981].

Stema
e markezëve të Monferrato: Bonifaci III Paleologu dhe Maria Arianiti Brankoviç.
(Stemmario trivulziano, Milano, Arkivi
Historik Qytetar dhe Biblioteka Trivulziana, Cod. Triv. 1390, p. 322)
Si
thekson historiania Luisa Clotilde Gentile në studimin e saj (faqe 32), nuk
dihet kush ishin autorët e kësaj steme të re, ndofta ishte kompozuar nga
specialistë të oborrit të Habsburgëve, ose ndofta ishte një ripunim nga
mjeshtrat e Monferrato, të cilët krahas pjesëve nga stema e Bonifacio III dhe
të Brankoviçëve, kishin marrë në konsideratë dhe sugjerimet e Nënë Angjelinës,
lidhur më praninë e shqiponjës dy krenëshe me ngjyrë të artë, që ishte stema
heraldike e të atit, princit Gjergj Arianiti. Kjo stemë e markezëve Maria dhe
Bonifaci III ka një strukture kulturore, sociale, fetare, historike dhe
politike ndryshe nga stemat tradicionale të fisnikërisë të vendeve perëndimore,
sepse ka bashkim elementesh të stemave të tre familjeve, madje dhe të
Habsburgëve. [Luisa Clotilde Gentile. Dai
Balcani al Monferrato: memorie araldiche di Maria di Serbia. Riletture e nuove
attribuzioni. Palazzo Madamme 2024 – 2025, pp. 30 - 45].
Maria
Arianiti Brankoviç dispononte një repertor të gjërë shenjash identifikuese dhe
relike fetare familjare, që e prezantonin publikisht si bashkëshortja e
markezit të Monferrato – Bonifacio III Paleologu.
Më 27 gusht 1495, ende pa mbushur 30 vjeç, Maria Arianiti Brankoviç, vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe e varrosën krah bashkëshortit në kishën e Shen Françeskut në Casale di Monferrato. Për fat të keq, varri i Maria u shkatërrua në vitin 1750, por ruhet një bazoriliev me portretin e saj, vepër e Matteo Sammicheli, bazoriliev që aktualisht ndodhet i ekspozuar në Museun Civik të Monferrato. [Guerrini A., Matteo Sanmicheli in Duomo e di Casale Monferrato. Storia, arte e vita liturgica, atti del convegno (Casale Monferrato, 16-18 aprile 1999), Interlinea, Novara 2000, pp. 145-159.]
Markezia Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, gëzonte
nderimin dhe respekte nga banorët e Monferrato, të cilët e kujtojnë me afekte
dhe në ditët e sotme, ndryshe nga daja i saj Kostantin Arianiti, ndaj të cilit
banorët e Monferrato nuk shprehnin simpati. Gjatë atyre pak viteve që jetoi në
markezat u realizuan disa vepra nga humanistët e Monferrato, duke filluar nga
kronikat e Galeotto Del Carretto dhe nga Benvenuto di San Giorgio, ashtu si dhe
nga noteri dhe sekretari i tyre Guglielmo Cattaneo, të cilët kanë evokuar rolin
e markezes Maria dhe mbështetjen e bashkëshortit Bonifaci III. [Galeotto Del Carretto, Cronica
di Monferrato, ed. G. Avogadro, in H.P.M. SS., III, Augustae Taurinorum,
ripubblicato 1848]
Në kishën e Shen Domeniko ku u varros Maria, ndodhej
bazorilievi me portretin e saj, i realizuar nga Matteo Sanmicheli, akualisht ky
bazoriliev lehtësisht i dëmtuar, ruhet në muzeun Civik të Monferrato.
Gjithashtu ishte dhe një medaljon në porcelan me portretin e Maries, i përmendur
në burimet historike dhe në kronikat e priftërinjëve domenikanë të kësaj kishe,
por rezulton se ka humbur, më saktë është pervehtësuar nga dikush. [Gabrielli N., L’arte a
Casale Monferrato dal XI al XVIII secolo, Miglietta, Torino 1935 (ed.
anastatica: Il Portico, Casale 1981].

Kisha
e Shen Domeniko në Monferrato (Provinca e Alessandria)
Në harkun
(lunetta) mbi portën e kishës, janë tre grupe skulpturash në mermer të bardhë,
në qendër Shen Maria me Jezusin foshnje, në anën e djathtë skukpturat e
Gulielmit VIII dhe të vëllait Bonifaci III, ndërsa majtas Maria Paleologa me
djalin Gulielmi IX.
Një ndër veprat artistike, kulturore dhe fetare në nderim
të Maries dhe Bonifacit III është kompleksi i skul-pturave në mermer të bardhë,
me stil gotik të vonshëm dhe me elemente të rilindjes italiane, i ruajtur në
harkun mbi portën e kishës Shen Domeniko në Monferrato, i realizuar në vitin
1506 nga Giovanni Battista de Paris. Në këtë kompleks skulptural prezantohen në
qendër Shen Maria me Jezusin foshnje, në anën e djathtë Gulielmi VIII dhe i
vëllai Bonifaci III; ndërsa majtas Maria me djalin Gulielmi IX. [Benvenuto
Sangiorgio, Cronaca del Monferrato, ediz. G. Vernazza, Torino 1780] [Sancio G., Cenno storico intorno ai
marchesi del Monferrato di stirpe Paleologa, Casale Monferrato 1835]
Gjatë
dhjetë viteve që jetoi në Markezatin e Monferrato, Maria Arianiti Brankoviç
Paleologa, ka lënë shumë kujtime e shquar si bashkëshorte, si regjente
dinjitoze dhe si administratore e aftë. Gjthashtu ajo ka lënë trashëgim rreth
30 vepra arti, ndër ato stema heraldike, që nuk ndryshonin cilësisht nga stemat
e fisnikëve te tjerë padanë, të cilat dëshmojnë për kulturën, shijet artistike
dhe njëkohësisht devocionin për të prezantuar politikisht të dy dinastitë e
familjes Bonifaci/Maria, ashtu si ka lënë dhe vepra fetare, të realizuara më
nivel të lartë artistik dhe me prani të stemës heraldike të familjes, për të
cilat do rrëfej në shkrimin e ardhshëm.
Vijon ….









