E merkure, 11.02.2026, 03:09 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Po vihet në bankën e të akuzuarve vetë lufta çlirimtare e UÇK-së!

E marte, 10.02.2026, 06:57 PM


Prof. Blerim Latifi:

Prokurori akuzon Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin se kanë sjellë shtatë RPG për të sulmuar stacionet policore serbe.

Mjafton ta dëgjosh këtë akuzë për të kuptuar absurditetin e saj. Me një akuzë të tillë, praktikisht do të mund të ngarkohej penalisht secili pjesëtar i UÇK-së. Dhe, besoj fort se për të gjithë ne një akuzë e tillë nuk do të ishte arsye për turp, por për krenari.

Po, ne kemi qenë në Shqipëri për të marrë armë.

Po, kemi organizuar rezistencë të armatosur.

Po, kemi luftuar kundër një regjimi fashist dhe gjenocidal, si ai i Sllobodan Millosheviqit.

Këto nuk janë krime, por fakte historike të një lufte çlirimtare.

Pa armë nuk do të kishte rezistencë, dhe pa rezistencë nuk do të kishte liri.

Kjo akuzë do të kishte kuptim vetëm sikur të formulohej nga një prokuror i regjimit të Millosheviqit, i cili i quante terroristë të gjithë ata që i rezistonin dhunës shtetërore serbe.

Por është thellësisht antijuridike dhe antimorale që sot e njëjta logjikë po riprodhohet nga një gjykatë që, formalisht, vepron në emër të Kosovës dhe të drejtës ndërkombëtare.

Duke kriminalizuar sigurimin e armëve për rezistencë, nuk po gjykohen vetëm individë të caktuar, por po vihet në bankën e të akuzuarve vetë lufta çlirimtare e UÇK-së.

Kjo nuk është drejtësi, por rishkrim i historisë nën presion politik, ku agresori dhe viktima  barazohen, ndërsa rezistenca kundër shtypjes trajtohet si krim.

Nëse kjo akuzë pranohet si e drejtë, atëherë duhet pranuar edhe një e vërtetë tjetër: se liria e Kosovës paska qenë një vepër penale.

Dhe ky është një përfundim që as historia, as drejtësia, e as ndërgjegjja e një populli që ka përjetuar represion, nuk mund ta pranojnë.

Kurrën e kurrës.

Prof. Blerim Latifi me bashkëluftëtarin Nehat Shala, Koshare, maj 1999



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx