Speciale
Mark Palnikaj: Pal Engjëlli dhe Dorëshkrimi i 1462 - Historia e ‘Formulës së Pagëzimit'
E diele, 08.02.2026, 06:58 PM

Mark Palnikaj:
PARATHËNIE
Dokumenti të cilin po e botojmë është shkruar rreth gjashtëqind vjet më parë
dhe pjesa që konsiderohet më e rëndësishme e tij është shkruar me datë 8 nëntor
1462.
Për afër dyzet vjet ky dokument është ruajtur në Kryedioqezën e Durrësit nga e
cila vareshin një numër i madh dioqezash. Nga dokumentet që kemi studiuar del
se në periudha të ndryshme kohore, kjo Kryedioqezë ka pasur tetëmbëdhjetë
dioqeza sufragane, të cilat po i radhitim më poshtë:
1.
Albano
(ose Arbano ose Albanopoli), sufragane e Dioclesë dhe më pas sufragane e
Durrësit në shek. XII.
2. Alesio (Lezha),
sufragane e Durrësit shek. VI.
3. Amantia, në Epirin e Ri,
sufragane e Durrësit në shek. IV.
4. Apollonia, në Epirin e
Ri, sufragane e Durrësit shek. V.
5. Aulona (Avelona, Valona,
Vlora), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. V.
6. Benda, në Epirin e Ri, sufragane
e Durrësit shek. XIV.
7. Bullido (Bylis,
Gradishta), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit shek. V.
8. Kanovia (Hunavi), në
Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. X.
9. Kruja (Croia), në Epirin
e Ri, sufragane e Durrësit në shek. XIII.
10.Graditzio (Gradishta),
sufragane e Durrësit shek. X.
11. Durrazzo (Durrës,
Durrësi) Kryedioqezë Metropolitane e Epirit të Ri, e dokumentuar nga shek. IV.
12. Lestrona, në Epirin e
Ri, sufragane e Durrësit në shek. V.
13. Scampa (Elbasan), në
Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. V.
14. Scutari (Skodra, Scodra,
Shkodër), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. IV.
15. Stefanico (Stefanika) në
Epirin e Ri, sufragane e Durrësit, shek. IX.
16. Tzernico (Cernica), në
Epirin e Ri, sufragane e Ohrit dhe më vonë e Durrësit, shek. IX.
17. Wregen (Fregen ?), në
Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. XIV.
18.Prizren, Dardania,
sufragane e Durrësit.1)
Ky fakt tregon se kjo Kryedioqezë dhe kryeipeshkvi që e
drejtonte atë, ishin mjaft të rëndësishme për Selinë e Shenjtë në Vatikan nga e
cila vareshin.
Sipas kronikave dhe dokumenteve të shekullit XVI, Durrësi apo siç e cilësojnë
ato “Konstandinopoja e Dytë”, u pushtua nga turqit më 13 gusht 1501.
Pushtuesit turq grabisnin çdo gjë që u hynte në punë dhe ato që nuk u duheshin
ose i digjnin ose i shkatërronin. Kjo praktikë e këtyre pushtuesve njihej nga
popullsia vendase më shumë se njëqind vjet para pushtimit të Durrësit prandaj
mbas pushtimit, një pjesë e madhe e popullsisë dhe pothuajse të gjithë klerikët
katolikë u larguan kryesisht në drejtim të Gadishullit Apenin.
Fakti që kopja e dokumentit që po botojmë me fotografi, është ruajtur në
Bibliotekën Laurenziana të qytetit të Firences, na bënë 1)Burimi, Lorenzo
Tacchella, Il Catolicesimo in Albania nei secoli XVII e XVIII (Dalle Visite ad
Limina Apostolorum e dal Processi Concistoriali), Verona 1984, faqe 92, 93, 94.
të mendojmë se mbas largimit nga Durrësi, disa nga të larguarit u strehuan në
këtë qytet dhe në rrethinat e tij.
Mendohet dhe është pranuar nga shumica e studiuesve se ky dokument u kopjua me
kujdes mbas vitit 1502 dhe u ruajt në këtë bibliotekë. Dokumenti origjinal deri
më sot nuk ka qenë e mundur të gjëndet.
MBI DOKUMENTIN
Ky dokument përbëhet prej 37 fletësh të shkruara nga të dyja anët (recto e
verso) në pergamenë. Ka gjithsej 74 faqe të shkruara me dorë dhe ruhet në
Bibliotekën Laurenziane të Firences në Itali, (Biblioteca Medicea Laurentiana)
në Kodin Ashburnham, Reg. II, 1167, dhe mban titullin: Constitutiones,
Ordinationes et Statuta (Vendime, Urdhëresa, dhe Statute) lëshuar nga: Paulus
Angelus, Miseratione Divina Archiepiscopus Durrachiensis et Illiricae Regionis
(…) in Eclesia Sancte Trinitatis de Emathia Anno Dei MCCCCLXII, Indictione
Decima Dievero Lune octava mensis Novembris.
Ky dorëshkrim në të cilën ndodhet dokumenti i parë i
shkrimit shqip që nga studiuesit mbas vitit 1915 është quajtur Formula e
Pagëzimit, u zbulua dhe u botua nga historiani rumun Nicola Jorga, i cili e
botoi në gjuhën frënge duke ia bërë të njohur këtë fakt botës akademike në
vitin 1915.2)
Në këtë kodeks janë riprodhuar me shkrim dore 13 dokumente
historike të bashkëlidhura – krisobula perandorake, bula papale, dekrete
venedikase, akte kancelareske, qarkore kishtare – nga të cilat dy kanë për
autor Pal Engjëllin, dy të tjerat kanë lidhje me Durrësin dhe Drishtin, – i
pari selia e kryeipeshkvisë së tij, i dyti qytet i lindjes së tij. Të gjitha
aktet, përfshirë edhe krisobulat perandorake bizantine, janë në latinisht, në
atë kohë gjuha zyrtare e kishës.
2) (Shih: N. Jorga, Notes et extraites pour servir à l’histoire des Croisades
au XV-e siècle, vol. IV, (1453-1476), Bucurest, 1915, faqe 194-197).
Përmbajtja e tyre është e renditur si vijon:
1. Vendimet, urdhëresat dhe
statutet e shpallura nga Pal Engjëlli më 8 nëntor 1462 (faqe 2r deri 9r), i
cili përmban edhe nëntë fjalët e qenësishme të njohura si “Formulën e
Pagëzimit”;
2. Çështje të liturgjisë
kishtare nga Pal Engjëlli (faqe 9vderi 11r);
3. Nga libri i arkivit të
qytetit të Durrësit (faqe 11r deri 13v);
4. Bula papale e Piut II,
Romë, 4 nëntor 1463 drejtuar kardinalit të Durrësit, Pal Engjëllit (faqe. 14r
deri 20r);
5. Krisobula e perandorit
bizantin Mihal për venomet3) e qytetit të Drishtit, lëshuar më 25 prill 1292
(faqe 20v deri 22r);
6. Marrëveshja e Venedikut
me bashkësinë e Drishtit më 9 maj 1443 (faqe 22v deri 25r);
7. Marrëveshja e Anton
Venierit, duka i Venedikut, me Gjergj Thopinë, për çështjen e qytetit të
Durrësit, më 18 gusht 1392 (faqe 25r deri 27v);
8. Gjenealogjia e Engjëll
Komnenëve të Drishtit, datuar më 21 nëntor 1460 (faqe 27r deri 32r);
9. Dekreti i guvernatorit të
Durrësit për Pal Engjëllin, më 3 qershor 1461 (faqe 32r deri 33r);
10.Letër e Pasquale
Maripetro-s, dukë i Venedikut, drejtuar Pal Engjëllit, më 9 qershor 1461 (faqe
33r deri 33v);
11. Letër e Gabriel
Trevizanit, proveditor4) i Venedikut, drejtuar Pal Engjëllit më 25 korrik 1465
(faqe 33v deri 34v);
12. Provizioni i Këshillit
të të Dhjetëve të Venedikut për Lekë Spanin, zot i Dukagjinit, më datë 27
qershor 1484 (faqe 34v deri 35v);
13. Krisobula e perandorit
bizantin, Isak Engjëlli, drejtuar Papa Çelestit, më 14 mars 1194 (faqe 36r deri
37r).
3. Venome quheshin të
ardhurat e qytetit nga taksat që merreshin qytetarëve nga tregëtia, bujqësia,
qeratë, dogana të cilat ndaheshin midis kishës dhe shtetit.
4. Trevizano ishte
provizor-prokuror i cili shkruante në emër të dukës së Venedikut.
Dokumenti është kopjuar nga e njëjta dorë, me shkrim të
bukur, me ngjyrë të fortë e të purpurtë. Fakti se grafia e tekstit veçohet për
anën e tij estetike, të bën të mendosh se ai duhet të jetë kopjuar nga
“scriber”(shkrues) të njohur në këtë disiplinë në fillim të shek. XVI, mbasi në
fund të aktit të parafundit (akti nr. 12) është shënuar data 14 qershor 1503,
çfarë lë të nënkuptohet qartë se tekstet e codexi-t nuk janë kopjuar mbas kësaj
date.
Përveç mungesës së materialeve origjinale, nuk kemi asnjë të
dhënë lidhur emrin e kopjuesit si dhe kohën në të cilën ky dorëshkrim ka hyrë
në bibliotekën e Firences. Kodeksi i Pal Engjëllit nuk është botuar deri më sot
plotësisht në mënyrë integrale. Fillimisht, u botua vetëm fleta 4, në të cilën
ndodhet dokumenti i parë i shkrimit shqip, Formula e Pagëzimit, e cila më pas u
shoqërua me një botim të dytë bashkë me një riprodhim fotografik që u bëri
këtyre akteve në vitin 1926, e më pas në vitin 1932, njohësi i shquar i
teksteve të vjetra të shqipes, filologu frëng, Mario Roques.
Duhet theksuar se faksimilja e këtij dokumenti në botimet
shqiptare fillimisht u botua nga Lumo Skëndo (Mithat Frashëri) në revistën
“Dituria”, në vitin 1926, në numrin 6 të saj të muajit prill, por botuesi për
lehtësi paraqitjeje, në mënyrë që ta paraqiste sa më të plotë kontekstin e
dokumentit, i bashkëngjiti në një faqe të vetme faqet 3v dhe 4r, si faksimile
që u rimor në këtë publikim për t’u ribotuar më pas në të gjitha studimet dhe
tekstet shkollore deri në vitin 2005.
Në vitin 2005, një pjesë e kodeksit ku ndodhet “Formula e
Pagëzimit”, e titulluar “Constitutiones, Ordinationes et Statuta”, e cila zë
fletët 2r deri 9r, pra gjithsej 15 faqe nga 74 të tilla që ka i gjithë kodeksi,
është botuar për herë të parë në vëllimin “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke
në shek. XV. 5)
5) Burime dokumentare shqiptare”, përgatitur nga Kristo Frashëri, botim i
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Toena, Tiranë 2005, në origjinal faqe
122-137, dhe në përkthimin shqip faqe 138-143, ndërkohë që një tjetër shqyrtim
i këtij autori gjendet edhe në monografinë kushtuar Skënderbeut: (Shih: Kristo
Frashëri “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, botim i Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, Tiranë 2002, faqe 397-401).
Në vitin 2007, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë u mbajt
një tubim shkencor ku studiues nga Shqipëria paraqitën tetë tema studimore mbi
këtë dokument.
Në vitin 2008, nga Muzeu Historik Kombëtar këto tema u
botuan në një libër me titull “Formula e Pagëzimit” duke i shtuar si pjesë të
dytë edhe gjashtë artikuj studimor të shkruar vite më parë. Artikulli i parë
nuk ka autor kurse pesë artikujt e tjerë janë shkruar përkatësisht nga Mario
Roques, Eqerem Çabej, Kristo Frashëri, Injac Zamputi dhe Kol Ashta.
Komente dhe artikuj mbi këtë dokument kanë bërë edhe shumë
studiues të tjerë në revista, gazeta, në faqe të ndryshme në internet dhe në
forma të tjera.
Po përmendim disa nga studiuesit që kanë bërë shkrime si,
Mario Roques, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Aleksandër Meksi, Giuseppe Valentini,
Injac Zamputi, Kolë Ashta, Justin Rrota, Lumo Skëndo, Norbert Jokli, Namik
Ressuli, Shaban Demiraj, Kolec Topalli, Seit Mansaku, Engjëll Sedaj, Dhimitër
Shuteriqi, Zeqirja Neziri, Ledi Shamku, Kristo Frashëri, Shaban Sinani, Mahmud
Hysa, Anila Omari, Behar Gjoka, Dilaver Kurti dhe shumë studiues të tjerë.
Në të gjitha shkrimet e publikuara, bie në sy fakti se të
gjithë autorët janë marrë kryesisht me nëntë fjalë të shkruara në dy rreshta të
faqes katër të këtij dorëshkrimi që studiuesit e kanë pagëzuar me emrin
“Formula e Pagëzimit” dhe ky togfjalësh është shkruar aq shumë sa dokumenti në
tërësi nuk njihet me emrin e tij të vërtetë siç e shkroi autori i tij por me
këtë emër të ri që nuk është emri i vërtetë i dokumentit.
Një dokument me shtatëdhjetë e katër faqe dorëshkrim, i cili
përmban të shkruar një porosi të shkruesit të dokumentit në gjuhën shqipe me
germa latine me gjithsej nëntë fjalë dhe vetëm dy rreshta, me të padrejtë
emërtohet me këtë emër. Në asnjërën nga faqet e këtij dokumenti nuk shkruhet
fjala “Formula e Pagëzimit” nga autori i shkrimit.
PUBLIKIMI I DOKUMENTIT
Ne nuk jemi në gjendje të themi se sa studiues e kanë kaluar nëpër duar nga
viti 1503 deri në vitin 1914 kur studiuesi rumun Nicola Jorga e gjeti dhe e
publikoi.
Është i pa mohueshëm fakti që deri në vitin 1915 kur Jorga e publikoi
ekzistencën dhe një pjesë të këtij dokumenti në gjuhën frënge, askush para tij
nuk e kishte publikuar këtë dokument.
Për disa nga publikimet mbas vitit 1915 folëm pak më sipër por një publikim i
plotë i tij në gjuhën latine dhe i përkthyer në gjuhën shqipe nuk u bë
asnjëherë.
Për këtë arsye, ne
vendosëm të bëjmë një botim fototipik të dokumentit të rishkruar në gjuhën
latine dhe të përkthyer në gjuhët shqipe dhe angleze.
Botimi i dorëshkrimit dhe përkthimi në gjuhën angleze besoj se do ju shërbejë
studiuesve të huaj dhe dokumenti do të ketë edhe njohje ndërkombëtare. Kjo gjë
ka rëndësi për historinë e vendit tonë.
RËNDËSIA
E DOKUMENTIT PËR HISTORINË E KOMBIT SHQIPTAR
Do ti shënojmë me pika të veçanta dhe me komente ato aspekte që paraqesin më
shumë rëndësi nga ky dokument.
1. Në
aspektin e historikut të gjuhës tonë të shkruar.
Pa asnjë diskutim, dy rreshtat e faqes katër të dokumentit që tashmë botërisht
janë bërë të njohura si “Formula e Pagëzimit” konsiderohen si fjalët e para të
shkruar në gjuhën tonë të njohura deri më sot. Besoj që është e tepërt të
ndalem mbi këtë pikë mbasi, absolutisht të gjithë ata që kanë shkruar deri sot
mbi këtë dokument, kanë folur gjatë për formulën e pagëzimit dhe unë nuk do ti
shtoja me komentet e mija ndonjë gjë me rëndësi.
2. Në
aspektin kombëtar.
Nga sa kemi mësuar deri më sot nga shkrimet e ruajtura, Pal Engjëlli është i
pari në listën e gjatë të prijësve fetarë me kombësi shqiptare, të cilët
përveçse propogandimit të fesë së krishterë si barinj shpirtërorë të
besimtarëve, pa e ndarë idenë e fesë nga atdheu, në të gjitha kohërat e
pushtimit të atdheut nga pushtuesit e ndryshëm, kanë udhëhequr popullin në
luftë për liri dhe të drejta kombëtare.
Në dorëshkrim, në faqen 13v (nga ana e pasme sipas numrit të
shënuar nga biblioteka që e ka ruajtur dokumentin në fund të faqes nga ana e
djathtë) shkruhet pa asnjë mëdyshje se Pal Engjëlli ishte djali i motrës së
nënës së Gjergj Kastriotit.6)
Siç del nga sa thamë më sipër, familja Engjëlli ishte pjesë e qëndresës së
udhëhequr nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti kundra pushtuesve turq. Edhe
funksioni si Kryeipeshkv i Dioqezës së Durrësit i Pal Engjëllit ishte një post
mjaft i rëndësishëm në atë kohë. Kjo Kryedioqezë kishte në varësi të sajë shumë
dioqeza të tjera. Afër dhjetë vite mbas ardhjes së Gjergj Kastriotit si
udhëheqës i principatës së trashëguar nga i ati i tij Gjon Kastrioti,
6) Në gjuhën shqipe, për djalin ose vajzën e xhaxhait, të hallës, të dajës dhe
të tezes, në përdorim të njëjtin emër duke i konsideruar kushërinjë të parë.
Në gjuhën latine fjala consobrini e përdorur për Pal
Engjëllin, sipas fjalorit latinisht - italisht të Cesare Bione “Vocabolario
della Lingua Latina”, botues “Carlo Signorelli – Milano, viti 1940, faqe 131
përkthehet kushëri (nga ana e nënës) (cugino per parte di madre) kurse në
fjalorin e Ferruccio Calonghi “Dizionario Della Lingua Latina” Vol. I, Torino
1957, faqe 623, po kjo fjalë në gjuhën latine përkthehet në gjuhën italiane “figlio
o figlia della sorella della madre” (djali ose vajza e motrës së nënës) duke
hequr çdo hije dyshimi rreth këtij fakti.
Në Shqipëri, disa studiues kanë hedhur hije dyshimi për
lidhjen e gjakut midis Gjergj Kastriotit dhe Pal Engjëllit duke thënë se në
mesjetë, shumë herë persona të ndryshëm shkruanin sikur kishin lidhje me figura
të famshme të asaj kohe edhe kur këto lidhje nuk ekzistonin. Për këtë problem,
ne u konsultuam me profesorët e gjuhës latine pranë Shkollës së Paleografisë në
Arkivin Apostolik të Vatikanit dhe ata na konfirmuan pa asnjë mëdyshje se sipas
këtij dokumenti ata i kishin nënat motra. Këtë pohim e forcon edhe një e dhënë
tjetër ku thuhet se vëllai i madh i Pal Engjëllit, Pjetër Engjëlli, ka shërbyer
si kapiten në ushtrinë e Gjergj Kastriotit. Pal Engjëlli, përveç karrierës si
Kryeipeshkv i Kryeipeshkvisë së Durrësit, ka kryer edhe funksione shtetërore
dhe diplomatike në qeverinë e kohës të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti.
Pal Engjëllit i krijohet mundësia të vizitojë dioqezat
sufragane që vareshin prej tij. Ai ka vërejtur se ishin shtuar shumë zakonet e
këqia si rezultat i pushtimit turk dhe vështirësive të tjera ndër besimtarët e
tij.
Prandaj ai ja del të organizojë në kishën e Shën Trinisë në
Lis të Matit ku ishte njëra nga dioqezat e tij sufragane, një sinod kishtar me
udhëheqësit fetarë, por edhe me pjesëmarrjen e parisë dhe të një numri të madh
të banorëve. Kjo dioqezë njihej si Dioqeza Eumathia por Lisi historikisht
kishte qenë qytet afër Matit dhe sipas pohimeve të vjetra, aty kishin qenë 40
kisha dhe kapela.7)
Nga ky sqarim kuptojmë që në Lis ishte infrastruktura e
përshtatshme për tu mbajtur ky sinod për arsye të komoditetit dhe të sigurisë
që ofronte, sepse ishte shumë pranë me Kalanë e Stelushit ku heroi ynë
kombëtar, Gjergj Kastrioti kishte njërën nga qendrat kryesore të veprimtarisë
së tij.
Nga sa kemi informacione deri më sot dhe sipas këtij dokumenti, një sinod kishtar ishte mbajtur në trojet arbërore nga paraardhësi i Pal Engjëllit. Ky sinod është udhëhequr nga Antoni nga Aleksandria mbas vitit 1349, i cili e ka drejtuar Kryeipeshkvinë e Durrësit nga viti 1349 deri në vitin 1363 kur këtë detyrë e ka marrë Dimitri, një tjetër prelat.
Duhet shënuar se sinodi vitit 1462, u mbajt me mbështetjen
dhe ndihmën e dy shqiptarëve, Gjergj Kastriotit dhe Pal Engjëllit. Vetëm pak
kilometra larg dioqezës së Lisit, në kishën e Shën Aleksandrit të fshatit
Dukagjin të Matit, në vitin 1602, plot njëqind e dyzet vjet më vonë është
mbajtur Kuvendi i Dukagjinit me pjesëmarrjen e 2656 burrave nga të gjitha
principatat arbërore për të lidhur besë për luftë kundra pushtuesit dhe për
çlirimin e vendit. Ky kuvend është drejtuar nga një tjetër prelat i kishës
katolike, Nikoll Mekajshi, çka përforcon idenë e klerikëve për të mos e ndarë
fenë nga qëndresa për atdhe.
Do të kalonin plot dyqind e dyzet e një vjet deri në vitin
1703, kur Papa Klementi XI dhe Vinçens Zmajeviqi, edhe këta të dy me origjinë
shqiptare, do të organizonin në fshatin Mërqinjë të Lezhës sinodin tjetër të
njohur si Kuvendi i Arbërit. Të dy këto sinode kishtare kishin si objektiv
kryesor ndalimin e valës së islamizimit të popullsisë arbërore dhe çlirimin e
vendit nga pushtuesi. Këtu qëndron rëndësia kombëtare e këtij sinodi.
3.
Në aspektin fetar.
Në këtë këndvështrim ky sinod ka rëndësi sepse bëhet një analizë e gjendjes së
kishës katolike dhe e ruajtjes së besimit nga besimtarët. Vihen në dukje
gabimet dhe shkeljet e doktrinës së krishterë që viheshin re në atë kohë dhe
merren vendime me rëndësi për përmirësimin e gjendjes. Në këtë sinod u morën
vendime dhe u miratuan “Kushtetuta, Urdhëra dhe Statute” (Constitutiones,
Ordinationes et Statuta). Nga ana fetare kjo ishte një mënyrë për ti bërë ballë
ekspansionit të islamizimit të popullsisë dhe tregoheshin edhe format se si do
të arrihej ky qëllim. Gjithashtu, në këtë sinod u vendos se si do të veprohej
për pregatitjen dhe ngritjen e nivelit të meshtarëve dhe të personelit tjetër
të kishave.
4. Në
aspektin ndërkombëtar.
Ky sinod ishte një mesazh i qartë për Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe për të
gjitha shtetet dhe principatat e krishtera europiane se qëndresa kundra
islamizimit dhe pushtimit në Arbëri nuk ishte shuar dhe kjo qëndresë po
vazhdonte me vendosmëri. Ishte edhe një lloj thirrjeje për mbështetje dhe luftë
kundër armikut të përbashkët.
5. Në
aspektin historik.
Në këtë këndvështrim, ky sinod është një dokument mjaft i rëndësishëm nga ku
studiuesit dhe historianët nxjerrin të dhëna me rëndësi për të kuptuar gjendjen
e vendit tonë në atë periudhë. Në atë kohë nuk kanë ekzistuar asnjë lloj mediash
të ngjashme me ato që janë sot si gazeta, revista, radio, televizione etj. Nuk
ishte shpikur as shkrimi me makina dhe shkrimet e dorës ishin shumë të rralla
dhe ruheshin në pak kopje. Rreziku i zhdukjes së këtyre shkrimeve ishte i madh.
Prandaj ky dokument ka një rëndësi shumë të madhe për historikun e kombit tonë.
Nga ky dokument marrim vesh edhe lidhjen familjare të Gjergj Kastriotit dhe të
familjes së tij me Engjëllorët e Drishtit dhe është një goditje tjetër që i
jepet idesë së trumbetuar me të madhe nga kundërshtarët se nëna e Gjergj
Kastriotit ishte serbe. Dokumenti ndriçon faktin se nëna e Gjergj Kastriotit,
Vojsava, ishte bijë e një princi të një principate arbërore dhe jo sllave.
Botimi i dokumentit.
Botimi i këtij dokumenti do të mbyllë një zbrazëti që ka shoqëruar studiuesit e
gjuhës dhe të historisë së Shqipërisë për më shumë se njëqind e dhjetë vite nga
zbulimi i tij. Bëmë më të mirën që patëm mundësi, pa pretenduar se e kemi
botuar në mënyrë të përsosur. Botimi në tre variante, dokumenti origjinal në
dorëshkrim, rishkrimi në gjuhën latine dhe përkthimi në gjuhën shqipe do ju
krijojë studiuesve të fushës mundësinë për ta studiuar më në thellësi këtë
dokument. Më vonë, ndoshta studiues të tjerë do të merren përsëri me dokumentin
për të korrigjuar ndonjë pasaktësi që mund të na ketë shpëtuar në këtë botim.
Për botimin në gjuhën shqipe, nga ana jonë i kemi dhënë
përparësi që të përputhet sa më afër tekstit origjinal në gjuhën latine dhe
kemi përdorur termat sipas doktrinës së krishterë të kohës kur u shkrua
dokumenti origjinal.
Falenderoj Profesorin Marco Maiorino, Fra Lovro Gavran dhe
Don Frrok Zefin për të gjithë kontributin shkencor që dhanë për të bërë të
mundur këtë botim.
Botimi nga ana jonë edhe në gjuhën angleze do të ndikojë që
ky dokument të jetë i njohur edhe më shumë nga studiuesit e huaj që merren me
historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.
Mark Palnikaj, Tiranë më 15 janar 2026.









