E merkure, 04.02.2026, 09:37 PM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Reagimet ndaj dobësive në menaxhimin e trashëgimisë kulturore gjatë viteve 2008-2010 dhe përvojë e hidhur në jetën time

E merkure, 04.02.2026, 06:59 PM


Reagimet ndaj dobësive në menaxhimin e trashëgimisë kulturore gjatë viteve 2008-2010 dhe përvojë e hidhur në jetën time

Nga Qazim Namani: Dr. Arkeologji & Trashëgimi Kulturore

Në fushën e trashëgimisë kulturore, edhe pas shpalljes së pavarësisë, nuk ndryshoi gjendja. Edhe pse pritej që të fillohet, me reforma për rregullimin institucional, dhe marrjen e shumë kompetencave, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Mungesa e politikave të mirëfillta kulturore, çrregullimet administrative, mungesa e publikimeve dhe organizimi i stafit administrativ mbi baza partiake, ndikuan dukshëm në keqësimin e gjendjes. Investimet e gabuara, dhënia e kompetencave pushtetit lokal dhe OJQ-ve vendore e ndërkombëtare, formimi i këshillave në vend të forcimit të instituteve, ndikuan që shumë monumente të kulturës të humbin  autenticitetin e vlerave kulturore, e disa prej tyre të cilësohen si trashëgimi me vlera kulturore serbe e turke.

Gabimet e shumta apo të qëllimshme që bëheshin në përshkrimin e historisë së Kosovës dhe popullit shqiptar, gjatë përshkrimit të historikut të monumenteve dhe zonave urbane, ishin me pasoja afatgjate, sepse për çdo përshkrim merreshin burimet e falsifikuar serbe

Në vitin 2007, janë bërë shumë takime për hartimin e një raporti për konservimin dhe restaurimin e zonës historike të Prizrenit. Kjo detyrë iu besua Universitetit të Stambollit. Raporti është përgatitur nga 5 planer-urbanistë të Universitetit të Stambollit, dhe një planeri vendor, po ashtu student në Stamboll. Raporti përmban 126 faqe, dhe në faqen 10 përshkruhet historiku i qytetit të Prizrenit.

Në përshkrim u hasën shumë gabime profesionale e shkencore, prandaj është kërkuar që ato gabime të korrigjohen nga profesorët e Departamentit të  Historisë në Universitetin e Prishtinës.

Kjo nuk e arsyetonte dhënien e mundësisë, një universitet të huaj, për të bërë lëshime të tilla shkencore, kur ne e kishim universitetin tonë, dhe kishim mjaftë kuadro me përvojë nga fusha e arkitekturës e urbanizmit.

Në MKRS-it, në fushën e trashëgimisë kulturore ishte centralizuar çdo aktivitet, çdo tender dhe investim kalonte për t’u zgjedhur te Sekretari i Përhershëm dhe në kabinetin e ministrit, andaj edhe jo rastësisht, lëshoheshin edhe gabime profesionale në kundërshtim, me çdo normë ndërkombëtare të konservimit dhe restaurimit.

Në vitin 2009, fillon punën Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK). Këshilli është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar sipas ligjit ( nr.02/L-88, neni 4.8). Këshilli filloi punën  që nga 1.07.2009, si autoritet ligjor i pa varur, për mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Mandati i Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK)

        Vlerësimi dhe përcaktimi i pronave të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës në mbrojtje të përhershme (në funksion të krijimit të listës së trashëgimisë kulturore).

        Propozimi i prioriteteve shtetërore  për financim në fushën e trashëgimisë kulturore

        Vlerësimi i projekteve të propozuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore

        Përfshirja e trashëgimisë kulturore në planin hapësinor dhe planet zhvillimore urbane dhe rurale.

        Çështje  të tjera të përcaktuara me ligj.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), funksionon si institucion i pavarur në mbështetje të Kushtetutës të Republikës së Kosovës (kreu XII, Neni 142), të ligjit për trashëgimi kulturore, dhe në bazë të akteve nënligjore të brendshme të tij, të kompletuara gjatë periudhës mars 2009-mars 2010 (Rregullorja e përgjithshme e punës dhe e sistematizimit të vendeve të punës). Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), përbëhet prej 7 anëtarëve të emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Njësia operative. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) e zhvillon veprimtarinë  në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Synimi i Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) është ruajtja dhe rehabilitimi i trashëgimisë kulturore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës, për brezat e sotëm dhe të atyre pasardhës.

Pas themelimit të këtij këshilli vetëm sa u thelluan kompetencat lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Këshilli që veproi si autoritet në vete, që nga themelimi me punën dhe rolin e tij mbeti si institucion paralel me Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në MKRS-it dhe pa asnjë aktivitet të dobishëm.

Shumë kompetenca i mori Këshilli i Trashëgimisë Kulturore, buxheti bartej kryesisht ne Prizren. Roli i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, u dobësua. Në fillim kur kërkuam te themelojmë institut, ndërkombëtarët e mirëpritën, vetëm se vërejtja e tyre ishte se, nuk keni doktor shkencash të mjaftueshëm për institut.

Duke e parë mungesën e doktorëve të shkencave, ndërkombëtaret e ulën kriterin për Kosovës, që instituti duhej te kishte më së paku tre doktor shkencash. Kjo kurrë nuk u plotësua instituti nuk kishte pavarësi ligjore por as profesionale, që nga themelimi e deri më sot, por udhëhiqej me staf teknik dhe të pa aftë për tu marr me monumente të trashëgimisë kulturore.

Në këtë kohë e kisha përfunduar temën e magjistraturës Trashëgimia kulturore dhe historike në Kosovë gjatë shekujve XIX-XX-XXI, ishte kjo tema e parë e punuar në Kosovë, dhe si i punësuar në këtë fushë, që nga themelimi i ministrisë, si Zyrtar i Trashëgimisë së Luajtshme, Arkeologji-muzeologji, kisha marrë pjesë në shumë procese, trajnime, punëtori, ligjërata me ndërkombëtar dhe punë në terren, e pash të arsyeshme që këto çështje ti diskutojmë më stafin politik, andaj edhe bërë kërkesë më shkrim për të biseduar, pasi që tërësisht isha i anashkaluar nga çdo aktivitet rreth organizimit institucional, që zhvillohej në fushën e trashëgimisë.

Duke e parë si, të pa arsyeshme që shumë punë dhe detyra që duhej ti kryente Departamenti i Kulturës në bashkëpunim me institucionet varëse të ministrisë, duke angazhuar edhe staf akademik. Nuk pajtohesha që këto detyra të ju besohen OJQ-ve të ndryshme. Si zyrtar që pas Luftës por edhe pas punësimit në MKRS, kisha kaluar nëpër shumë trajnime punëtori, madje edhe me përvojën e pjesëmarrjes së shtatë strategjive nacionale në nivel të vendit, vendosa që të kërkoj me shkrim që të bisedojmë.

Në vijim ofroj shkresën tim zyrtare, kur kërkoj të bisedoj me stafin politik, për dobësitë në fushën e trashëgimisë kulturore.

Pas dorëzimit të shkresës për bisedime, prita një muaj dhe askush nuk me ftoj, që ta shqyrtojmë kërkesën time, andaj për ketë arsye vendosa që të bisedoj me Sekretarin e Përhershëm z. Salih Morina. Kur e pyeta, pse nuk ftoni as ti bisedojmë këto dështime në këtë fushë, ai i ngriti duart lartë duke më thënë, unë nuk po ta bëjë, po ta bënë Zëvendësministrja Lirie Kajtazi.

Thënë drejt më erdhi shumë rëndë, sa që nuk munda ta kuptoj, dola  nga zyra e tij i shqetësuar. Më silleshin në kokë shumë sjellje të ulëta që vazhdimisht i bënin ndaj meje.

Më parë, dy herë isha kërcënuar në zyrën time të punës, për nota nga militant partiak të LDK, dhe tani kisha edhe anashkalime e presione edhe nga Sekretari, sepse e kishte provimin e masterit të shoqja ime. Ministria ishte mbushur me staf nga qendrat tjera rajonale, të cilët kishin marr diploma në kolegje partiake e private në vend dhe shtete fqinj.

Deri në vitin 2006, nuk kishte ndodh që pozitat e stafit politikë, ti marrin kompetencat për ti drejtuar institucionet, dhe për të ndërhyrë në fushat e ndeshmë si trashëgimia kulturore, si vepronte Sekretari, Këshilltarët, Zëvendësministrat, apo edhe Ministri.

Po ashtu aty ishim bërë bashkë  si militant partiak, madje edhe kolegu i zyrës Jusuf Musa, të cilit ja kisha ndarë vendin e punës, pasi që në Arkivin e Kosovës nuk e pranonin si zyrtar për arkiva, pas kalimit të Arkivi ishte lidhur drejt për se drejti me Qeverinë e Kosovës. Ky zotëri që shpesh hynte nëpër zyre duke i fërkuar duart, kishte filluar ta informoj edhe Zëvendësministren, e vëreja që e kishte ndërruar edhe qëndrimin ndaj meje, por në fillim e kuptoja,  si afrim të tyre për çështje dhe aktivitete partiake, kjo mua nuk më pengonte, pasi që nuk isha aktivist i partive tona politike.

Për mua ishte befasuese, me mbet fusha e trashëgimisë kulturore në duart e tyre, dhe data bazën e monumenteve të trashëgimisë me udhëheq Jusuf Musa pa e njohur punën me kompjuter, pa ndonjë studim shkencor në fushën e identitetit kombëtar, përveç ndonjë letër që mund ta kishin shkruar për Presidentin Rugova, sa për të ju shërbyer diku, që të pozicionohen në parti e institucione.

Në fillim kur erdhi zonja Liria Kajtazi si Zëvendësministre, me që e njihja edhe më parë, gjatë bisedës, e pata lajmëruar që të ketë kujdese, mos të merr përgjegjësi në fushën e trashëgimisë kulturore, sepse është fushë që deri më tani është punuar keq, dhe askush nuk do të ketë sukses, pa reforma të thella institucionale. Për çudi kjo kryesisht mori kompetenca nga kjo fushë, edhe pse nuk i takonin as me ligj, as që kishte njohuri elementare rreth  ngjarjeve dhe, gjendjes në terren e institucionet e trashëgimisë.

Personalisht ndihesha mirë, për aktivitetet e mia nga kjo fushë, kur vetëm gjatë viteve të nëntëdhjeta para luftës kisha arritur të identifikoj mjaftë gjurmë të vendbanimeve dhe rreth 60 kështjella në Malësinë e Gallapit. Po edhe në fushën e kontributeve si qytetar, mendoj se kisha mjaftë merita. Si edhe për lëvizjen e LDK, dhe militantët e kësaj partie që ishin mbledhur rreth sekretarit në ministri, por si edhe në ndonjë aktivitet tjetër, që shkonte në ndihmë dhe kontribut për popullin tonë, jashtë anëtarësimit partiak.

Duke e parë rëndësinë e fushës së trashëgimisë, gjithnjë mbaja qëndrim a partiak, duke këmbëngulë që të përqendrohemi në profesionalizëm, forcimin e institucioneve, dhe duke kundërshtuar ndaj çdo përshkrimi, që i jepej e drejta historike Serbisë, mbi hapësirën gjeografike të Kosovës dhe monumenteve kulturore e  historike. Ky qëndrim i imi, më mbante që të ndihem më i distancuar, në takime e vizita zyrtare.

Njëra ndër kështjellat që në vitin 2008, u bë lajm i rezultateve në terren ishte Kalaja e Keqekollës. Kalanë e Keqekollës e kisha zbuluar në vitin 1996, e kisha publikuar dhe përmendur në shkrimin tim Lashtësia Iliro-shqiptare në Malësinë e Galabit, që e botova në Vjetarin e Arkivit të Kosovës, në vitin 2003.

Këtë kala e kisha përmendur edhe në monografinë e fshatit Prapashticë që u botua në janarin e vitit 2008. Pas shkrimeve të mia në prillin e vitit 2008, doli Haxhi Mehmetaj si zbulues i kësaj kalaje.

Për përvetësimin dhe sjelljen e tij, jo profesionale e bëra një reagim në gazetë. Në muajin qershor të vitit 2008, stafi i ministrisë së bashku me zyrtarët dhe kryetarin e komunës së Prishtinës e kishin planifikuar një vizitë deri në kalanë e fshatit Keqekollë.

Unë kërkova që të jem i pranishëm, me arsyetimin se për këtë kala, kisha shkruar i pari, dhe e kisha zbuluar që moti, si arsye tjetër ju thash se jam zyrtar i fushës profesionale, dhe se jam nga ajo trevë, që konsideroj se po shko në kalanë time.

Në Divizionin e Trashëgimisë, tani ishin kundër çdo aktiviteti tim, pas reagimeve të mia për keq udhëheqje në fushën e trashëgimisë kulturore, dhe organizim institucional. Mua më shumë më shqetësonte përshkrimi i historikut të monumenteve, dhe kryesisht brenga ime ishte se po i jepet e drejta historike Serbisë.

Me ketë qasje ndaj etnokulturës dhe identitetit kombëtar, e kisha kuptuar se nuk mund të vazhdoj pozitën e zyrtari, por as të marr ndonjë pozitë tjetër në fushën e menaxhimit, përveç se të merrem me shkrime, dhe të vazhdoj me hulumtime në terren dhe studime më të avancuara në ketë fushë.

Që të jem i sinqertë nga gjendja në fushën e identitetit, mbaja qëndrim profesional, pa ndonjë anim partiak, por duke shkruar dhe paralajmëruar me kritika dhe vërejtje, për keq udhëheqje me qëllim të përmirësimit të gjendjes, pasi që tani i kisha burimet me të afërta për fushën, dhe kisha punuar dhe bërë mjaftë analiza, në temën e magjistraturës që ma propozoj profesor Masar Rizvanolli.

Me qenë se në Keqekolë ishte paraparë, që të vinte edhe Isa Mustafa si kryetar i komunës, që njëkohësisht, me të më lidhte brezi i gjashtë në një shtëpi, këtë çështje e bisedova me babin tim, që ta marrë edhe botimin me vete, e të ju them se kjo nuk ka kuptim, kur unë vite më parë e kisha përmendur në shkrimet e mia edhe këtë kala, e ju nuk e patë të arsyeshme, që të vij me ju, kur shumica nga ju, i vizitoni këto kodrina për herë të parë, ndërsa unë me vite të tëra i kam hulumtuar në fushën trashëgimisë kulturore, për çka edhe jam punësuar në ministri.

Baba më tha ti shko, vetëm ki kujdes asnjë fjalë fyese mos e fol, pasi aty është edhe Isa i jonë, Ashtu edhe veprova e morëm një veturë dhe së bashku me Jusuf Lushakun, zyrtar në ministri, shkuam por vërehej se nuk u prit mirë shkuarja e jonë.

Isa me një qëndrim autokrati të pakuptimtë, dhe të pa arsyeshme, nuk ma dha rastin as që të bisedoj me te, përveç se një përshëndetje. Me Isen, ishte edhe Agim Gashi, djali i tezes së babës, i cili po ashtu mbante një  qëndrim të pa arsyeshëm dhe autoritar, sa që nuk kisha rrugë tjetër vetëm se ta mbaj porosinë e babës, dhe të  shkoj pas tyre, si i pa ftuar dhe i pa dëshiruar.

Kalaj e Keqekollës e përshkruar në shkrimin tim ,Lashtësia Iliro-shqiptare në Malësinë e Gallapit, të botuar në Vjetarin e Arkivit të Kosovës, në vitin 2003

Kalaja e Keqekollës dhe reagimi im, pas përvetësimit rreth zbulimit të kësaj kështjellë

Pas pavarësisë shumë kompetenca iu besuan OJQ-së turke TIK-së, OJQ suedeze CHwB-së, komunave, dhe OJQ-ve tjera vendore e ndërkombëtare. Një memorandum të mirëkuptimit MKRS e nënshkruan me CHwB më 12.12 2008. Në pikën 2.5 shkruan: CHwB kurdo që është e mundur, do të shërbejë si pikë lidhje mes MKRS-së dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky memorandum i nënshkruar ia mundësoi CHwB-së  që të ndërhyjë edhe më shumë në punën e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Me donacione të siguruara kjo OJQ e shtoi stafin e punës dhe e bëri shtrirjen në disa qytete të Kosovës.

Disa nga projektet për konservim dhe restaurim të monumenteve të kulturës iu dhanë kësaj OJQ-je. Kjo organizatë që e kishte një përvojë të madhe në Kosovë që nga viti i parë pas luftës 1998/99, organizoi shumë trajnime me staf vendor, dhe botoi disa publikime. Shumë nga publikimet ishin të ndikuara nga politika ditore dhe historiografia serbe, për trashëgiminë tonë kulturore dhe historike. Për këto publikime kisha reaguar me shkrim në ministri, pasi që Prizreni në shekullin e XII, përshkruhet si qendër kulturore e administrative serbe në Kosovë, por edhe ky reagim kishte kaluar në heshtje.

Sipas këtij memorandum, MKRS-it, kishte lejuar që shoqata jo qeveritare Suedeze CHwB të marrë rolin kryesor në reforma institucionale, legjislacion, në rregullimin organizativ dhe ndarjen e shume përgjegjësive dhe kompetencave në fushën e trashëgimisë kulturore.

Kjo organizatë veproi në Kosovë, gjatë këtyre viteve duke bashkëpunuar me MKRS-në, konservoi disa monumente të kulturës dhe intervenoi në shumë objekte tjera me vlera kulturore. Në saje të këtij bashkëpunimi disa objekte që ishin planifikuar që të kryhen nga IKMM të kulturës,  kaluan në mbikëqyrje  të CHwB. Tani kjo OJQ i ka të punësuar rreth 20 punëtorë dhe vepron në tri qendra të Kosovës, përderisa IKMM gjithsejtë i ka të punësuar 16 punëtorë.

Për rregullimin e shumë çështjeve të pazgjedhura kjo organizatë në bashkëpunim dhe me pëlqimin e MKRS filloi të organizoi punëtori dhe takime duke e marrë rolin kryesor në rregullimin e aktiviteteve kulturore, publikimeve duke lënë anash kuadrin vendor, dhe kërkesat e mëhershme për nevojën e riorganizimit institucional.

Ofrojmë përshkrimin e historisë së Prizrenit në publikimin e CHwB. Ky publikim dhe publikime tjera të shkruara në ketë frymë, shpërndaheshin te ndërkombëtarët.

- Përshkrimi i historisë së qytetit të Prizrenit, sipas CHwB-së

Pas mos aprovimit të kërkesës time për të biseduar, unë e pash të arsyeshme të bisedojë me z. Sami Piraj, duke i thënë  se nga sot unë e liroj pozitën e zyrtarit për trashëgimi të luajtshme, dhe dëshiroj të shkoj si punëtor në institucione të trashëgimisë kulturore, pa kurrfarë pozite udhëheqëse. Samiu nuk e priti mirë kërkesën time dhe kërkoj që unë të tërhiqem, nga vendimi që e kisha marrë. Kërkesa ime ishte e pa thyeshme dhe në fund të muajit mars 2009, më në fund u plotësua kërkesa ime, dhe shkova si staf profesional në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës.

Unë fillova të shkruaj disa nga punimet që i kisha filluar më parë. Në zyrat e Institutit u lajmëruan minjtë, dhe nga pakujdesia në vend që ta kërkojnë deratizimin e zyrave në Institut, punëtorët hedhin helm për ngordhjen e minjve. Minjtë e ngordhur kishin mbetur në zyrën time diku nën dysheme apo vend tjetër. Zyra ime kundërmonte aq shumë sa që edhe në hapësirat tjera depërtonte. E bëra një shkresë zyrtare duke ju drejtuar Drejtorit të Administratës, drejtorit të Departamentit të Kulturës dhe udhëheqësja së Divizionit të Trashëgimisë Kulturore, që të bëhet dezinfektimi i zyrës. Edhe përkundër shkresës zyrtare, prita një javë dhe askush nuk ndërmori asnjë masë. Për këtë çështje bisedova me Sami Pirajn, dhe u njoftova se kërkesa ka shkuar në zyrën e Sekretarit të Përhershëm z. Salih Morina, por ai për motive të ulëta dhe sjelljeve ndaj meje nuk e kishte miratuar kërkesën. Kaluan plotë gjashtë muaj unë duke qëndruar nëpër zyre të kolegëve dhe në bibliotekën e institutit.

Kërkesa ime për dezinfektimin e zyrës pas ngordhjes se minjëve

Pas gjashte muajve, në muajin maj, fillova të hy në zyre, për ti shikuar shkrimet e mia që i kisha lënë në kompjuter. Hyja në zyre më dritare hapu, merrja ndonjë shkrim dhe dilja sepse ende kishte kundërmime. Po në pranverë e kishin aprovuar një projekt për renovime të objektit pa e parashikuar deratizimin e zyrave.

Projekti kishte një kosto të lartë sa që duke i përfshirë edhe një intervenim në kulmin e objektin arrinte shumen rreth 140.000 euro. Tani në ministri ishte centralizuar çdo aktivitet dhe duhej të kalonte përmes Sekretarit të Përhershëm, pritja që edhe në këtë projekt ti ketë marrë kompetencat. Disa punë për renovim kishin filluar, të gjithë punëtorët sekretari i kishte sjellë nga Malisheva dhe pa përvojë pune. Me datën 26 maj, deri sa ne punëtorët ishin duke qëndruar në oborrin e institutit, kur e vërejtëm se z, Salih Morina me vozitësin e tij hynë në oborr. Unë u ngrita që të shkoj nga zyra, sepse isha i revoltuar dhe nuk doja që ta takoja dhe bëjë ndonjë ofendim para punëtoreve. Punëtorët zakonisht si e kanë shprehi të ju shkojnë si pas qejfit zyrtarëve ju ofruan. Unë qëndrova pak në zyre dhe kisha nevojë të dilja pak në ajër të pastër, dola përsëri në oborr. Në oborr kishte qenë ulur i vetëm shoferi i sekretarit, u ula dhe po bisedojmë së bashku. Pa prit masë sekretari z. Salih Morina,  doli nga zyrat e arkitektëve se bashku me disa punëtor, që natyrisht e kishin interesin dhe fitimin e tyre në këtë projekt. Të gjithë erdhën në drejtimin tonë dhe u përshëndetem, edhe unë u ngrita në këmbë dhe me dorë u përshëndeta me sekretarin.

Ai mu drejtua mua si po interesohet për institut dhe trashëgimi kulturore, duke pohuar se dola me shikua si po shkojnë punët rreth konservimit të objektit. Unë tani i mbushur dhe shqetësuar që e kishte stopuar kërkesën time për deratizimin e zyrës, ja thash para [punëtorëve se këto punë nuk të përkasin ty, ti si kupton këto punë çka po i merr këto kompetenca kur nuk janë për ty. Ai nga pozita e sekretarit mu drejtua duke më thënë , ti bre shumë po dinë. Unë i lodhur, duke u ndier i përulur dhe i revoltuar, i them po ti a edhe në profesion timin po përzihesh dhe e shajë në afekt. Ai me vrap shkon hyn në veturë , shkon në ministri, pastaj duke shkuar nëpër zyre që të ju thotë punëtorëve se Qazim Namanin nuk dëshiroj ta shoh brenda zyrave të ministrisë. Natyrisht e shfrytëzon pozitën bënë një komision disiplinor dhe e lëshon një vendim si suspendim të përkohshëm nga vendi i punë.

Thënë drejt nuk e mora me shqetësim, u ula dhe e shkruaja një shkrim me të gjitha të zezat e sekretarit, që i kishte bërë gjatë kohës, kur unë isha zyrtar në ministri. Titullin e shkrimit ja vura: Djali nga Lubishta që e luajti bishtin me Trashëgiminë kulturore. Në shkrim i kisha cekur të gjitha ndërhyrjet në fushën e trashëgimisë nga zyrtar të Departamentit të Rinisë, kur ky e drejtonte atë departament, veturat zyrtare dhe keqpërdorimin e tyre. Faturat e benzinës duke shpenzuar mbi 800 litra bëzin në muaj duke udhëtuar çdo ditë Prishtinë- Lubishtë e Malishevës, mbi 70 vetura zyrtare e privat duke i furnizuar me derivate çdo muaj që ishin paralajmëruar nga auditori i brendshëm i ministrisë, llap topat, kompjuterët dhe privilegje për militant partiak dhe miqtë e tij. Bllokimin e katër veturave zyrtare duke udhëtuar çdo dite për Gjakovë. Në kohën kur sekretari shpenzonte mbi 800 litra benzinë brenda muajit, pa llogarit avaritë e veturave dhe ushqimin ne si zyrtar shteti i kishim pagat nga 230 euro, dhe nëse e merrnim çmimin e benzinës në veturën e tij zyrtare, ai i shpenzonte plotë pesë paga të një zyrtari. Duke i ditur këto të këqija që bëheshin në ministri nuk e respektoja, madje edhe i kundërshtoja sjelljet e tyre.

Marrjen e kompetencave në çdo fushë madje edhe në trashëgimi kulturorë, anashkalimin e stafit profesional, dhënien e projekteve militanteve dhe shokëve të tij, shkeljen e të drejtave të punëtorëve, madje duke mos i zbatuar edhe vendimet e ligjshme, futjen në sistem të klaneve për blerje të banesave përmes projekteve të ministrisë dhe vetëm pritja momentin të ja bëja publike. Kaluan tre javë kur sekretari përmes Ramadan Musliut, Sami Pirajt dhe Shkëmb Manajt kishte kërkuar që të bisedoj me mua. Ramadani që ishte këshilltar në kabinetin e ministrit kërkoj nga unë që të shkoj në zyrën e sekretarit, dhe një ditë për respekt të Ramadanit që kafen e pinim së bashku çdo ditë i premtova se do të shkoj dhe shkova. U ngrit në këmbë më përshëndeti dhe filloj të më pyet për familje për shoqen time që e kishte provimin e mastrit pa e kaluar te ajo.

Unë e dëgjoja me vëmendje dhe ju drejtova duke i thënë për atë që ka ndodhur mes nesh të kërkoj falje për sharje në afekt, por edhe ju keni bërë sjellje të ulëta ndaj meje, duke ndërhyrë në punë profesionale e deri te mos respektimi i shkresave dhe kërkesave të mia të ligjshme zyrtare.

Më tha po ti nuk me folje, nuk vije te unë më kërkua ndonjë mjet pune apo ndihmë, a ke kompjuter apo të nevojiten diçka vetëm trego! Unë duke qëndruar në parimet e mia, i thash jo faleminderit të gjitha i kam, nuk më nevojitet asgjë dhe dola, nga zyra ai doli me mua dhe më përcolli deri të shkallët. U tërhoq nga vendimi i tij, dhe unë mbeta pa ja bërë publike të zezat e tij në ministri.

Punët për renovimin e objektit të Institutit, gjatë verës së vitit 2010 vazhduan, zyrat e punës nuk u deratizuan përveç disa ndërhyrjeve kozmetike në mure, pa i pastruar zgavrat dhe dyshemenë.

Unë vazhdoja punën në atë zyre të pa deratizuar, tani nga era e rëndë që e kisha përjetuar më parë, nuk dëgjoja as aromë, gjatë stinës së verës punoja me dritare hapur, kur mbyllej dritarja, ndihej një erë e rëndë, sa që edhe ata që vinin në zyre e vërenin.

Do të doja me lexues të këtij shkrimi të ndaj një pyetje: Në cilin vend dhe administratë të shteteve në botë, po të bëhej një kërkesë e arsyeshme për deratizimin e zyrave në raste të tilla, dhe kërkesa anashkalohet për motive naiviteti, primitivizmi e smirëziu si në rastin që ndodhi me zyrën time. Në atë zyre qëndrova e punova plot 16 vite, e cila kurrë nuk u deratizua, vazhdova të punoj duke dhënë kontributin e shkruar rreth 150 punime shkencore, dhe në fund në moshën e pensionit nga kushtet e rënda për punë shkencore u pensionova duke u shtruar në spital, pasi jam diagnostikuar me sëmundjen e rrallë e shumë të rëndë Pemfigus Vulgaris.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike nga parahistoria e deri te qytetet urbane në territorin e Kosovës së sotme Qazim Namani: Tërë lagjja e quanim Bajram Kërrsta Qazim Namani: Instituti për Studime Gjeopolitike i themeluar në vitin 1997 në Beograd dhe Pakoja e Ahtisarit Qazim Namani: Gjendja në trashëgimin kulturore 1999-2012 dhe lista e monumenteve në mbrojtje të përhershme Qazim Namani: Qazim Namani: Buxheti i Kulturës dhe ndarja për institucionet (2002–2008) Qazim Namani: Qendra Koordinuese e Republikës së Serbisë dhe Malit të Zi për Kosovë e “Metohi”, në Graçanicë 2003 Qazim Namani: Manastiri i Sokolicës në Boletin dhe marrëveshjet me Ministrinë e Kulturës në vitin 2006 Qazim Namani: Konferenca për ruajtjen dhe konservimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë Qazim Namani: Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore Qazim Namani: Zhvillimi i arsimit në tokat shqiptare pas pushtimit nga P. Osmane Qazim Namani & Emin Sallahu: Konfliktet ndër kufitare në mes të Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1921 Qazim Namani: Kozmologjia e artit popullor dardan e aplikuar në punimin e gurëve të oxhaqeve Qazim Namani: Kolonizimi i Malësisë së Galabit gjatë viteve 1876 - 1912 me shqiptarë ortodoksë nga Mali i Zi Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Malësinë e Galabit Qazim Namani: Miniera e Leçes në komunën e Medvegjës, miniera më e madhe e arit në Evropë Qazim Namani: Trashëgimia Kulturore dhe Plotësimi i Standardeve për Pavarësinë e Kosovës 1999 - 2006 Qazim Namani: Rrugët më të rëndësishme që kalonin nëpër Malësinë e Galabit Qazim Namani: Galabrët e Dardanisë fisi më aristokrat në antikitetin e vonë Qazim Namani: Lojërat Olimpike në artin popullorë të zbuluar në Dardani Qazim Namani: Biznesi dhe mikpritja në Mbretërinë e Dardanisë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx