E enjte, 29.01.2026, 10:49 PM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike nga parahistoria e deri te qytetet urbane në territorin e Kosovës së sotme

E enjte, 29.01.2026, 06:59 PM


Gjurmët arkeologjike nga parahistoria e deri te qytetet urbane në territorin e Kosovës së sotme

Nga Qazim Namani: Dr. Arkeologji & Trashëgimi Kulturore

Territori i Kosovës së sotme përfshin një sipërfaqe mjaft të vogël të territorit të Dardanisë antike. Ky territor përfshin një thesar të vlefshëm mozaiku kulturor të Evropës juglindore dhe të atij botëror.

Shfrytëzimi i begatisë natyrore nga popullata vendore u krijuan shtresa kulturore që nga periudhat e hershme parahistorike për të vazhduar prej epokës së hekurit, me kulturën e pasur dardane - Ilire. Ndonëse hulumtimet arkeologjike në territorin e Kosovës kanë filluar shumë vonë në krahasim me vendet tjera përreth, nga rezultatet e gërmimeve dhe gjetjeve të rastit, është vërtetuar se nëntoka e Kosovës së sotme fsheh një thesar arkeologjik me vlera të jashtëzakonshme dhe me interes botëror.

Materialet arkeologjike të zbuluara deri më sot në truallin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Perëndimore dhe pjesës jugore të Malit të Zi e përjashtojnë praninë në këto vise gjatë Mesjetës së hershme të banorëve sllavë[1].

Nga historiku i hulumtimeve të mëhershme kemi informacione të pakta lidhur me vizitat e studiuesve të huaj në territorin e Kosovës. Nga gjysma e dyte e shekullit XIX e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore kemi të dhëna për udhëpërshkrues që lanë shënime për gjurmët e trashëgimisë arkeologjike, siç janë: Evans, Boue, Hahn, Kanitz, Tomasck, Domaschevski, Vuliq, Jiriçek, Patch etj.[2]

Nga periudha e hershme e paleolitit edhe në territorin e Kosovës së sotme kemi gjurmë të paleolitit. Në rajonin e Drenasit, arkeologë nga Universiteti i Tübingen-it dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës kanë gjetur dëshmitë e para të jetës njerëzore të datuara 50 000 deri në 60 000 vjet më pare, periudhë kjo e paleolitit të mesëm.[3]

Gjer më tani nga periudha e neolitit të hershëm dhe të mesëm që në literaturë prezantohen përmes së ashtuquajturës “Kultura e Starqevës”. Ky material arkeologjik përbëhej nga enët prej qeramike të pikturuara, brirë kafshësh, kockave të ndryshme, amuleteve me domethënie magjike, altarë ritualë, figurave antropomorfe (në formë njeriu) dhe zomorfe (në formë kafshësh). Nga të gjitha zbulimet arkeologjike të kësaj kulture veçohet okarina e zbuluar në Runikë të Skenderajt[4]. Materiale arkeologjike të kësaj kulture janë zbuluar në këto lokalitete: Runikë, Zhitkovc, Sarosh, Rakosh, Glladnicë, Çupevë të Poshtme, Kramovik, Vlashnje, Gjonaj, Sibofc të Epërm etj.[5] Edi Shukriu në librin “Kosova Parahistorine”, si vendbanime të para të neolitit të hershëm, përmend këto lokalitete: Ilirion (Runikë), Zhitkoc, Glladnicë, Vlashnjë, Tupec dhe Reshtan[6].

Si kulturë e neolitit  të mesëm prezantohet dhe kultura e ashtuquajtur “Kultura e Vinçës” që është zbuluar në këto lokalitete:  Vlashnje, Tjerrtore në Prishtinë, Rreshtan, Fafos, Zhitkovc, dhe në gjetje sipërfaqësore në Pogragjë[7].

Vendbanimet kryesore të neolitit të vonë në Kosovë janë: Vlashnje, Reshtan, Hisar, Nishor, Tjerrtorja në Prishtinë, Vallaç, Fafos, Bardhosh  etj.[8]

Si lokalitete të njohura ku është zbuluar “Kultura e Vinçës”, përmend  këto lokalitete: Tjerrtore në Prishtinë, Barilevë, Graçanicë, Prishtinw, Varosh, Vllashgnjw, Dardhishtw, Lupcë, Surkish, Fafos, Zhitkovc, Vallaç, Runikë dhe Reshan[9].

Në këtë kulturë përfshihen enët bikonike prej qeramike, amorfat bikonike prej qeramike, kupat e formave të ndryshme, altarët ritualë, figurat e shumta antropomorfe, zoomorfe, por dhe figura prosopomorfe (figura në formë maskash me pamje të figurave të ndryshme). Nga tërë ky material, vend të posaçëm zënë figurat zoomorfe të quajtura “Kentaur” të zbuluara në Fafos, Vallaç, pastaj disa kokave të figurave antropomorfe, dhe figura antropomorfe si hyjnesha në fron e zbuluar te tjerrtorja e Prishtinës, figura të ngjashme janë zbuluar në Vallaç, Barilevë, Bardhosh, Varosh etj.[10]

Sipas të dhënave në Katalogun Arkeologjik të Kosovës, gjatë hulumtimeve arkeologjike deri më tani janë hulumtuar këto vendbanime të epokës së Enolitit: Gadimja e Epërme, Hisari, Veletini, Damaroci, Stanishori, Raskova, Glladnica, Vlashnja, Karagaçi dhe Fafosi[11].

Lokalitete tw periudhës së Eneolitit (Bakrit), i takojnë këto lokalitete: Domoroc, Kopernice, Stanishor, Gadime e Epërme, Hisar, Raskov, Glladnicë etj. Kjo kulturë prezantohet nga enët e qeramikës, siç janë: vazot, kontrarasat, amorfat, vazot ornitomorfe (në formë shpendi), figurat antropomorfe me gjoks të theksuar, armët dhe gjësendet prej brirëve të kafshëve etj.[12]

Vendbanimet që kanë qenë të banuara edhe gjatë epokës së eneolitit në Kosovë, janë: Gradina e Gadimës së Epërme, Hisari i Therandës, Veletini i Janjevës, ndërsa disa edhe në epokën e bronzit, si:Vlashnje, Kulinë e Tenezhdoll[13].

Në epokën e enelitit vendbanimet kodrinore janë rrethuar me ledhe të larta prej dheut, mbi të cilat thurej gardhi. Në epokën e hekurit filluan të ngritën ledhe prej dheut të përziera me gurë (Kuline/Tenezhdoll), apo vetëm prej gurësh në Veletin. Sot këto vendbanime njihen me emërtimet e përbashkëta gradina e g(r)adishta, (indeu.: gard, shqip: gardh). Vendbanimet më jetëgjate deri në antiken e vonë apo në Mesjetë ruajtën toponimet gjytet (qytete) dhe kala[14].

Arkitektura e vendbanimeve të këtyre vendbanimeve nuk është e njohur plotësisht. Në Gradinën e Gadimës së Epërme janë zbuluar objekte me themele prej gurëve dhe formë katërkëndëshe me shtylla prej druri, ndërsa në Veletin janë hasur themelet e shtëpive prej gurësh dhe tullave në trajtë elipsoide. Gadimja ka ofruar edhe një model miniaturë prej balte të pjekur të shtëpive[15].

Vendbanimet e  periudhës së bronzit janë të vendosura në tarraca buzë lumit me mbrojtje natyrore. Si lokalitete të rëndësishme të kësaj periudhe  në Kosovë janë zbuluar këto lokalitete: Vlashnja, Boka e Përçevës, Rogovë, Korishë, Bërnicë e Poshtme, Ponoshec, Karagaç, Lushtë, Glladnicë, Varosh, Grashticë, Ulpianë, Teneshdoll, Rixhevë-Gllarevë, Visar, Ticë, Volljak, Gadime e Epërme, Romajë etj.[16]

Sipas Naser Ferrit, materiali arkeologjik që i përket epokës së bronzit, është zbuluar në këto lokalitete: Karagaq, Lushtë, Glladnicë, Tenezhdoll, Brnjicë e Poshtme, Grashticë, Keqekollë, Ulpian, Gllarev, Përçevë, dhe Rogovë[17].

Eksponatet arkeologjike të zbuluara nëpër lokalitetet e cekura përfshijnë kryesisht materialin e gjetur nëpër varreza me varrime me skelet (inhumim) dhe kryesisht kemi të bëjmë me gjësende të përdorimit të përditshëm, siç janë: kopsat, gjilpërat e formave të ndryshme, qaforet me perla, byzylykët, thikat, shpatat, majat e heshtave, por edhe një sasi enësh nga qeramika si dhe shumë urna të formave të ndryshme nga varrezat me varrime me incenerim (djegie të kufomave)[18].

Vendbanime karakteristike të periudhës së hekurit janë lokalitetet dardane të tipit gradinë.

Si Lokalitete më të rëndësishme të zbuluara deri më tani në Kosovë janë: Boka e Përçevës, Rogova, Bërnica e Poshtme, Ponosheci, Gjinoci, Bardhi i Madh, Fshej, Llashticë, Shirokë, Lubozhdë, Banja e Pejës, Gadime e Epërme, Hisar, Romajë, Kulinë, Teneshdol, Biti e Poshtme, Samadrexhë, Siçanicë, Glladnicë, Fafos, Vlashnje, Porodimje etj.[19]

Në Kosovë deri më tani janë zbuluar shumë vendbanime kodrinore, si: në Gadimë të Epërme, Hisar dhe Kosterc të Therandës/ Suharekës, Në Veletin, Bardh të Madh, Cernicë, Dubovc, Vlashnjë, Cermjan, Pidiq, Kulinë (Tenezhdoll), Artanë, Gralishtë të Korishës, ndërsa janë evidentuar mbi njëqind të tjera[20].

Edi Shukriu përmend disa vendbanime kodrinore më të mëdha, si: Lapushnik, Vuçak, Shpat (Godanc), Kosterc, Bardh (Lladroviq), Zatruq, Batushë, Gurbardh (Strezoc), në Lumëkuq të Vushtrrisë (Samadregjë), Syriganë, Marec (gradina dhe gjyteti), Goricë e Madhe dhe Goricë e Vogël në Vlashnjë, Dodaj te Gjonajt, Hereq, Gadisha e Gexhës, dhe shumë të tjera[21].

Dardanët ishin banorët më të hershem të Kosovës së sotme.[22] Sipas arkeologes Edi Shukriu: krijimin e fiseve dardane duhet parë në procesin integrues që u zhvillua gjatë epokës së bronzit (2100-1100).  Sipas saj të dhënat që u ruajtën gjatë historisë për fiset më të njohura dardane janë: fisi i madh i dardanëve, Galabërve, Thunatëve dhe Daunëve.[23]

Pozitën gjeografike dhe strategjike që e zotëronin dardanët ishte me rëndësi të madhe politike dhe ekonomike për Mesdheun. Nëpër territorin e dardanëve kalonin shumë rrugë të rëndësishme antike, pastaj interesim për tregtarët e kohës zgjonin pasuritë minerare dhe punimi i metaleve fisnike të arit , argjendit si dhe të  hekurit, zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë etj. Duke u bazuar në këta faktor të rëndësishëm ekonomik dardanët luajtën rol të rëndësishëm në ngjarjet politike dhe shoqërore që zhvilloheshin në atë kohë në Gadishullin Ilirik.

Në fillim të shekullit të III para erës së re Dardania del në skenë si mbretëri me një organizim politik dhe ushtarak të rëndësishëm. Sipas njoftimeve të Justinit në vitin 279 para erës sonë Mbretëria Dardane i kishte ofruar mbretit të Maqedonisë ndihmën prej 20000 lloftarëve për tu mbrojtur nga sulmet e keltëve, por mbreti i Maqedonisë e refuzoi ndihmën e ofruar nga dardanët. Duke e vëzhguar situatën në Maqedoni dardanët morën masa mbrojtëse kundër keltëve. Keltët pas disfatës që pësuan në Greqi provuan të kalojnë nëpër territoret e Dardanisë por u asgjësuan.[24] Pas këtyre ngjarjeve për një kohë prej katër dekadash nuk ka lajme nga autorët antik, por mendohet se Mbretëria Dardane gjatë kësaj kohe u fuqizua edhe më shumë duke i zgjeruar kufijtë e saj në veri dhe në jug.[25]

Nga burimet historike mësojmë se Longari është sundimtari i parë dardan që ne e njohim nga shkrime e autorëve antik e i cili në vitin 231 para erës sonë e çliroi Paioninë. Duke e parë si rrezik forcimin e mbretërisë së Longarit, maqedonasit mobilizuan shumë forca ushtarake kundër dardanëve gjë që ndikoi në dobësimin e vet shtetit të Maqedonisë.[26]

Sipas shumë studiuesve qyteti ma i rëndësishëm në këtë kohë në Dardani ishte Damastioni. Ky qytet dardan i ndërtuar pranë minierave të argjendit në tokat e Dyestëve ishte qendër zejtarësh dhe e organizimit politik dhe ushtarak të dardanëve.[27] Luan Perzhita për këtë qytet shkruan se ishte kryeqendra e Mbretërisë së Dardanisë.[28] Ky qytet përmendet edhe nga autori antik Straboni i cili jep të dhëna se në këtë qytet u prenë edhe monedhat me emrin Damastion. Si simbole në monedha paraqitet çekani i minatorit. Historiani antik Plini shkruan se rrathët dhe byzylykët e arit që vinin nga Dardania quheshin me emrin Dardan.[29]

Edi Shukriu, për ekzistimin e qyteteve në Dardani shkruan: Sipas burimeve antike në Dardani kishte qytete, kështu në shekullin I, para e.re, autori antik Tit Livi bënë dallim midis vendbanimeve, duke i quajtur disa prej tyre me nocionin urbus, përderisa Straboni përmend një qytet të vjetër tek Galabrët dardan, pra një qytet që në shekullin e I p.e.re ishte i vjetër.[30]

Gjurmë të lashtësisë së qytetërimit në GALAB (Gallap) rrjedhin që nga koha e neolitit dhe në bazë të hulumtimeve të gjerë tanishme në periudhat e metaleve, janë evidentuar një numër lokalitetesh me rëndësi, që dëshmojnë për aktivitete minerare dhe qytetërim të zhvilluar.

Për minierat e kësaj treve kemi të dhëna edhe nga autorët antik. Shkrimtari romak Straboni, i cili jetoi ne shekullin e parë para erës sonë, në librin e tij VII, ka shkruar se, dardan janë dhe Galabrët tek të cilët …..(mungesë në test), është një qytet i vjetër …. këta pra banojnë në thellësi të vendit.[31]

Është një fakt se Straboni e dinte për atë qytet, dhe e gjeti të udhës ta citonte me epitetin Arhaia e kjo tregon se nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë fortesë të zakonshme.[32]

Dardanët kanë qenë të organizuar në jetën politike, ekonomike dhe sociale prandaj si duket ky polis Arhaia ka qenë qendër e rëndësishme e fisit dardan Galabroi.[33]

Sipas William Hazlitt, Galabrët janë një fis dardan, që jetojnë pranë lumit Morava, në hapësirën poshtë qytetit të Nishit. Sipas tij qytetet Vicianum, Vendenea dhe Tranupara, ndodhen brenda hapësirës gjeografike të Galabit.[34]

Eksponatet e kësaj periudhe janë zbuluar nëpër vendbanime të tipit të “Gjyteteve”, por edhe nëpër nekropoli (varreza) të tipave të ndryshme. Llojet e objekteve të zbuluara kryesisht janë: gjilpërat e ndryshme, llojet e ndryshme të fibulave, qaforeve (me rruza ose torkvesë), byzylykëve, kopsave të brezit, shpatat, majat e heshtave, hallkat, varëset e llojllojshme, kupat e shumta prej qeramike me forma të ndryshme dhe enë të ndryshme prej argjile[35].

Lokalitetet më të rëndësishme të periudhës romake të zbuluara në Kosovë, janë: Ulpiana, Municipium DD (Soçanica), Vendenis (Gllamnik), Pestovë, Poslishtë, Staradran, Cërcë, Vërban, Poldenicë, Statio Viciano (Uglar), Nerodime e Poshtme, Çifllak, Nikadin, Sopotninë, Zllakuçan, Pejë, Dërsnik, Velekincë, Gushtericë e Poshtme, Zaskok, Bajincë, Çollopek, Dobratin, Sopi, Kotlinë, Rastavicë, Tushilë, Ticë, Jahoc etj.[36] Viteve të fundit janë zbuluar edhe shumë fortifikime të cilat mendohet se i përkasin kësaj periudhe.

Vendbanimi i Ulpianës u zhvillua rrëzë kodrinave të pasura me minerale të Malësisë së Gallapit dhe tokës pjellore të fushës së Kosovës.

Kodrinat me pasuri të mineraleve pranë Ulpianës, u formuan si rezultat i erupsioneve vullkanike në kohë shumë të hershme. Si rezultat i ftohjes së masës së vullkaneve  në këtë rajon u formuan muret masive të shkëmbinjve të llojit të Serpentinës dhe Andezitit.[37]

Sasia e madhe e xeheve është masë e derdhur e llavës së Vullkanëve. Muret masive nëntokësore të shkëmbinjve në këtë rajon janë të llojit Serpentin dhe Andezit. Janjeva shtrihet në afërsi të këtyre mureve vullkanike. Masa vullkanike vazhdon shtrirjen në veri ku në disa vende janë hasur xehe të Andezitit dhe Serpentinës.[38]

Gjurmët e para të veprimtarisë të mihjeve xehetarie në rajonin e Ulpianës, Prishtinës dhe të Janjevës  na çojnë në mileniumin e tretë para erës sonë në brigjet e lumit të Graçanicës me rrethinë.

Formacionet e shkëmbinjve silicor (të quajtur gurëgacë) që kanë veti të copëtohen për ti përdorur si vegla të punës dhe për gjueti ishin mjaftë të kërkuar në periudha të hershme historike.

Kur këto formacione të shkëmbinjve njeriu i epokës së gurit nuk i gjente në sipërfaqe filloi ti kërkoi nën tokë. Pikërisht këto depërtime në thellësi të tokës përfaqësojnë zanafillën e punimeve minerare. Shfrytëzimet e para të xeheve të Gurëgacës, Bakërit dhe Hekurit janë të epokës parahistorike.[39]

Pranë këtyre kodrinave me shkëmbinj të Serpentinit dhe tokës pjellore bazuar në gjetjet arkeologjike mund të pohojmë se jeta filloi që në shekullin V para erës së re në periudhën e epokës së re të gurit ku u gjetën dhe gjurmë të vendbanimeve.

Në gërmadhat e themeleve të shtëpive të vjetra në Badoc dhe rrjedhën e lumit të Graçanicës janë gjetur sopata dhe vegla tjera prej Serpentinit të lëmuar dhe prej Ahatit. Po ashtu në këtë vendbanim janë gjetur edhe copa amorfe të Galenitit të cilat dëshmojnë gjurmë të zanafillës së eksploatimit të mineraleve dhe xeheve në këtë rajon.[40]

Edhe pse këto janë dëshmitë e para primitive të eksploatimit të xehetarisë, gërmimet e para të eksploatimit të hovshëm të kësaj veprimtarie duhet kërkuar në lokalitetet e para të vendbanimeve në shekullin e V para erës së re në rrjedhën e lumit të Graçanicës dhe në rrethinën e Janjevës.[41]

Koha e zhvillimit intensiv të jetës në kështjella dardane në këto anë dhe ndërtimeve të hershme të fortifikimeve sigurisht se duhet kërkuar kah fundi i shekullit të V dhe shekullit të IV para erës sonë, pra në kohën e lulëzimit të mbretërisë Dardane. Në këtë periudhë metalet fisnike si ari dhe argjendi përdoreshin për përpunimin e stolive të ndryshme. Këto stoli shërbenin edhe si mjet shkëmbimi me qytetet e zhvilluara në Greqi dhe qytetet tjera të Gadishullit Ilirik.[42]

Nga të dhënat që dihen deri më tani për dardanët mund të pohojmë se edhe dardanët i kanë farkuar monedhat e veta. Madje duket se në Dardani janë farkuar tipat më të hershme të monedhave të emetuara e të ashtuquajtura monedha “barbare”.[43]

Shkrimtari antik Plini shkruan se meshkujt mbanin mbi llërë (rrathë ari) që vinin nga Dardania, andaj edhe quheshin  dardane.[44]

Gërmimet arkeologjike mundësuan që të njihemi me veglat e punës si: dalta, kazma, qyskia, enë, kopça, varëse, stoli etj., si dhe me varreza që u zbuluan në lokalitete dhe vendbanime xehetare që dëshmojnë rolin e xehetarisë në zhvillimin ekonomikë të këtyre vendbanimeve.

Nga shekulli IV para erës së re qyteti Damastion farkoi monedhat  e veta që zgjati deri më 320 para erës së re, që dëshmojnë për përdorimin e hershëm të monedhave si shkëmbim në këto troje.[45]

Në Dardani shfrytëzimi dhe përpunimi i metaleve ka pasur një zhvillim të madh në kohën e lulëzimit ekonomik dhe kulturor të Ilirëve. Për këtë dëshmojnë monedhat e shumta të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike të qytetit xehetar Damastion, për të cilin thuhet se ka pasur si simbolikë të mineraleve dhe qytetit xehetar Çekiçin dhe Qyskinë.[46]

Damastioni ishte njëri ndër qytetet e hershme i cili u ngritë në shekullin V para erës së re afër minierave të argjendit, por ende nuk është e sigurt vendndodhja e tij në Kosovë.[47]

Në rrethinën e Janjevës, Prishtinës, Artanës, Dardanes dhe Gjilanit janë gjetur monedha të qytetit xehetar Damastionit.[48]

Zbulimi i këtyre monedhave në pellgun xehetar të Kishnicës, Badovcit, Shashkocit, Janjevës, por edhe të Artanës, Dardanë, Koprënicë, Busavat, Topanicë, dhe në rrethinën e Prishtinës mund të na shtyjnë të mendojmë se qytetin ilir Damastion duhet kërkuar në këtë rajon.

Pasi që dardanët e pranuan sovranitetin dhe e ndanë pushtetin me romakët u shtua intensiteti i punëve në minierat e Dardanisë.

Rezervat e mëdha të xeheroreve në rrethinën e Ulpianës dhe rajoneve tjera të mbretërisë së Dardanisë ishin një nga shkaqet kryesore të lakmisë nga romakët për  këto anë.

Bazuar në zbulimin e skorjeve në shumë lokalitete në rrethinën e Ulpianës, mund të pohojmë se banorët e këtyre rajoneve që nga parahistoria janë marr me veprimtari xehetarie.

Ulpiana është themeluar në qendër të trevës   më të pasur me minerale. Kur është fjala për Ulpianën mundë të supozohet edhe fakti se ka mundur të trashëgohet bërthama e një vendbanim i të vjetër i themeluar nga vendasit, themelimi i të cilit mundë të ketë lidhje me fillimet e veprimtarisë xehetarie të këtyre anëve.[49]

Ulpiana ishte qyteti më i rëndësishëm i kohës antike. Si qendër administrative dhe e menaxhimit xehetar, Ulpiana u ngrit nga një qendër para romake dardane.[50]

Me ardhjen e Perandorisë Romake së bashku me ta erdhën edhe disa familje te pasura senatoriale të cilat kishin për synim përfitimin nga minierat e Dardanisë, këtu mund t’i përmendim familjet Pontie dhe Furie. Këto dy familje, pra Pontie dhe Furie, i gjejmë edhe në Mezinë e Epërme, të pasur e të rrethuar me skllevër aktivë të liruar në Maqedoni dhe Dardani (posaçërisht në Thesalonik, Stob, Skupit, Ulpianës etj). Ulpiana ishte  zemra e latifondeve të Pontijve dhe Furijve. Duke u bazuar në të dhënat gjeografike, epigrafie, historike, arkeologjike farefisi i Furive dhe Pontëve ka  qenë i angazhuar në miniera, dhe çështja kryesore e Pontijeve ishte në eksploatimin e minierave te hekurit. [51]

Xehetaria dardane  në tërë pjesën lindore të territorit të  saj ishte degë dominuese e ekonomisë, krahas me përtëritjen e xeheroreve na shfaqen zejtarët e mjeshtërive të ndryshme. Zhvillimin ekonomik nga kjo fushë e dëshmojnë edhe vendbanimet e qendrave më të mëdha, ato u ndërtuan më afër burimeve të lëndëve të para minerare. Ky proces  potencohet edhe në aktet juridike, të cilat i lidhnin për qendrat e xeheroreve. Bazuar në gjetjet arkeologjike është  vështirë të flasim se cilat degë të zejtarisë kanë qenë të përfaqësuara nëpër vendbanimet romake në territorin dardan, arsyeja është se një numër i vogël eksponatesh të importuara është vështirë të dallohen prej atyre vendëse.[52]

Midis materialit të Ulpianës, gjejmë eksponate të plastikës metalike dekorative, stoli, kopça dhe prodhime tjera nga metalet, të cilat ndoshta mund të jenë punuar nëpër ato vise ku bëhej eksploatimi i xeheve.[53]

Gjatë kohës së sundimit të perandorit Trajan ishte periudha e zhvillimit të madh të xehetarisë në mbarë Gadishullin Ilirik. Këtë e pohon edhe Emil Çershkov, kur shkruan se Gjurmë të sigurta të eksploatimit të xeheve në periudhën romake janë që nga fillimi i shekullit të II të erës së re, në kohën e perandorit Trajan.[54]

Perandori romak Trajani (98-117) kishte parë rëndësinë e këtyre viseve të pasura me metale fisnike, dhe për këtë arsye mori masa të reja për zgjerimin e veprimtarisë xehetarie të cilën e kishin filluar më parë vendasit.[55]

Minir Dushi shkruan se në miniera punimet profesionale i kanë udhëhequr procuratores metallorum kurse “Comes metallorum per Illyrium”, ka qenë njëfarë byroje mbikëqyrëse që ka udhëhequr me të gjitha minierat, selia e së cilës si duket ka qenë Ulpiana.[56]

Romakët në xeheroret e rajonit të Ulpianës nxirrnin kryesisht ar, argjend, hekur dhe plumb. Gjatë gërmimeve arkeologjike në lokalitetin e Ulpianës janë gjetur sarkofogë të plumbit dhe sende të imëta të punuara prej argjendi e plumbi çka dëshmojnë se njëri nga faktorët kryesor për zhvillimin ekonomik të këtij qyteti ishte pa dyshim xehetaria.[57]

Supozohet se edhe në këtë qytet është farkuar edhe një monedhë e moçme “Metallum Ulpianum”, kushtuar punëtorëve të këtyre minierave. Gjatë gërmimeve në këtë lokalitet deri më tani janë gjetë disa ekzemplarë të kësaj monedhe.[58]

Romakët e vjetër pas depërtimit në tokat ilire u mahnitën me teknikën që e përdorte popullata ilire në shfrytëzimin e mineraleve të bakrit, hekurit, argjendit dhe arit.[59]

Dihet se hekuri për herë të parë u prodhua në Azi të Vogël, dhe sigurisht që Ilirët ishin të parët në Evropë që e prodhuan hekurin sepse nga fjala në gjuhën ilirishte „Isarnon“, ka prejardhen edhe fjala „Iron“ në gjuhën angleze, dhe „Eisen“ në gjuhën gjermane për hekurin.[60]

Në Ulpianë gjatë gërmimeve arkeologjike në vitin 1959 janë zbuluar fragmente të një furre të montuar në tokë.[61] Furra e zbuluar, Sarkofogët e plumbit, pllakat katërkëndëshe të plumbit të zbukuruara me ornamente figurative të cilat ju ngjiteshin orendive të drurit, gjetja e një gjysmë shablloni prej Steatitit për përpunimin e këtyre pllakave, kopça të argjendta të cilat tash gjenden në Muzeun popullor të Beogradit. Të gjitha këto gjetje tregojnë për rolin e xehetarisë në jetën dhe zhvillimin e qytetërimit të Ulpianës.[62]

Duke i pasur për bazë faktet e cekura më lartë Zef Mirëdita shkruan se Ulpiana dhe Soçanica janë vendbanime urbane të karakterit xehetar, me të gjitha karakteristikat e arkitekturës antike, por me organizim municipial.[63]

Këto të dhëna në këtë rajon dëshmojnë për zhvillimin e xehetarisë në këto anë si dhe rëndësinë që e kishte kjo fushë në zhvillimin ekonomik të qytetit dardano-romak të Ulpianës.

Në miniera punonin kryesisht xehetarët nga popullata autoktone ilire dhe skllavë. Zhvillimi i xehetarisë ndikoi edhe në zhvillimin e zejtarisë. Në bazë të rezultateve nga zbulimet arkeologjike mund të supozojmë se në vendin e Ulpianës do të ketë ekzistuar më parë ndonjë lokalitet i mëhershëm ilirë apo edhe më i lashtë nga kohën e gurit.[64]

Pra siç shihet nga burimet e shkruara dhe gërmimet arkeologjike të bëra deri me sot, fillimet e jetës në territorin e Kosovës së sotme, datojnë që nga paleoliti i mesëm 50.000- 60.000 vjet më parë.

Ndërsa sa i përket zhvillimit të qyteteve urbane, edhe pse nga burimet e autorëve antik kemi të dhëna për qytete në Mbretërinë e Dardanisë , ku përmendet qyteti Aria te fisi Galabrët, ende nuk është zbuluar dhe caktuar lokalitetin se ku shtrihej ky qytet. Po ashtu edhe për qytetin e Damastionit, janë shprehur mendime të shumta, por nuk dihet saktë se ku ndodhej. Bazuar në zbulimin e monedhave në terren dhe gjurmëve të xehetarisë i ka shtyrë shumë arkeolog të mendojnë se ketë qytet minerar duhet kërkuar në territorin e Dardanisë qendrore, përkatësisht në Kosovën e sotme.

Si përfundim mund të cekim se deri me tani, nga gërmimet arkeologjike në territorin e Kosovës së sotme, është vërtetuar për zhvillimin e qyteteve urbane në periudhën romake si: Ulpiana, Municipiumi D. D. Socanica afër Mitrovicës, Vendenisin, dhe Dresnikun.



[1] Aleks Buda, A.SH.SH, “In memoriam”, Tiranë, 2010, fq.15

[2] ASHAK, MKRS, Instituti Arkeologjik i Kosovës, “Harta Arkeologjike e Kosovës vëll. II”, Prishtinë, 2012, fq. 12

[4] Naser Ferri, E përditshmja” Koha ditore”, 05. Korrik 2003.

[5] MKRS, “Katalog arkeologjik i Kosovës”, Prishtinë, 2013, fq.13

[6] Edi Shukriu, “Kosova parahistorike”, Prishtinë, 2004, fq.36

[7] Po aty, fq.13

[8] Po aty, fq.13

[9] Naser Ferri, E përditshmja “Koha ditore”, 5 korrik 2003.

[10] Po aty

[11] MKRS, “Katalog Arkeologjik i Kosovës”, Prishtinë, 2013, fq.76

[12] Qazim Namani: Trashëgimia kulturore historike në Kosovë gjatë shekujve XIX, XX, XXI, Punim i doktoratës, Tiranë 2015, fq.316.

[13] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq. 49

[14] Edi Shukriu, po aty, fq. 49

[15] Po aty, fq.49

[16] MKRS, “Katalog Arkeologjik i Kosovës”, Prishtinë, 2013, fq.102

[17] Naser Ferri, E përditshmja ”Koha ditore” 5 korrik 2003.

[18] Po aty

[19] MKRS, “Katalog Arkeologjik i Kosovës”, Prishtinë, 2013, fq.132

[20] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.49

[21] Po aty

[22] Edi Shukriu, Kosova Antike, Prishtinë, 2004, fq.42

[23] Edi Shukriu, Kosova Antike, Prishtinë, fq.42

[24] Historia e Popullit Shqiptar I, Tiranë, 2002, fq 145

[25] Po aty, fq, 145

[26] Luan Përzhita, Mbretëria Dardane, Tiranë, 2009, fq.29

[27] Po aty fq.28

[28] Luan Përzhita, Mbretëria Dardane, Tiranë, 2009, fq. 27

[29] Po aty fq.28

[30] Edi Shukriu: “Arkivi i Kosovës”,  “Vjetari XXVII-XXVIII”, “Gradina e Gushicës dhe municipiumi

  Labutza”, Prishtinë 2002, faqe 23.

[31] Ilirët dhe Iliria te autorët antik”,  Prishtinë 1979 faqe155.

[32] Fanula Papazoglu: “Srjednoballkanska Plemena u predrimsko doba”, Sarajevë 1969 faqe.367.

[33] Zef Mirdita: “Studime Dardane” Prishtinë 1979 faqe 97,

[34] Wilian Hazlitt: The classical gazetter A. Dictionary of Ancient Geography, Sucrel and Profane, 1853, fq. 153   

[35] Po aty

[36] MKRS, “Katalog Arkeologjik i Kosovës”, Prishtinë, 2013,  fq.176

[37] Qazim Namani, Resista “Dardania”, IKMM, 2018, fq.158

[38] Nikola ?olak, Ive Mazuran, “Janjevo”, Zagreb, 2000, fq. 13

[39] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sakra 1, Prishtinë, 1999, fq.84

[40] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq. 75

[41] Po aty fq.75

[42] Qazim Namani, Revista “Dardania”, IKMM, 2018, fq.160

[43] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.82.

[44] Edi Shukriu, Dardania Para urbane, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë 1997, fq..106

[45] Po aty fq.82.

[46] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sakra 1, Prishtinë, 1999,

   fq.92

[47] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.82

[48] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.76

[49] Emil ?ershkov, “Romakët në Kosovë dhe Municipiumi DD Soçanica”, Prishtinë, 1973, fq.

   32-33

[50] Edi Shukriu, “Kosova antike”, Prishtinë, 2004, fq.108

[51] S.Dušani?, “Starinar”,Nr. 56, Beograd, 2006, fq.92.

[52] Emil ?ershkov, “Romakët në Kosovë dhe Municipiumi D.D te Soçanica”, Muzeu i

   Kosovës, 1973,

   Prishtinë, 54

[53] Po aty, 54

[54] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.76

[55] Jahja Drançolli: “Raguzanët në Kosovë”, Prishtinë 1986, fq 205

[56] Minir Dushi, “Dardania Sakra 1”, Prishtinë, 1999, fq.88

[57] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq. 77

[58] Po aty, fq. 77,78

[59] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sakra 1, Prishtinë, 1999,

   fq.85

[60] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sakra 1, Prishtinë, 1999,

   fq.85

[61] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sakra 1, Prishtinë, 1999,

   fq.78

[62] Po aty, fq. 78

[63] Zef Mirëdita, Studime Dardane, Rilindja, Prishtinë, 1979, fq. 115

[64] Emil ?ershkov, “Revista kulturore Përparimi””, nr.1-2, Prishtinë 1964 fq.76,77



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Tërë lagjja e quanim Bajram Kërrsta Qazim Namani: Instituti për Studime Gjeopolitike i themeluar në vitin 1997 në Beograd dhe Pakoja e Ahtisarit Qazim Namani: Gjendja në trashëgimin kulturore 1999-2012 dhe lista e monumenteve në mbrojtje të përhershme Qazim Namani: Qazim Namani: Buxheti i Kulturës dhe ndarja për institucionet (2002–2008) Qazim Namani: Qendra Koordinuese e Republikës së Serbisë dhe Malit të Zi për Kosovë e “Metohi”, në Graçanicë 2003 Qazim Namani: Manastiri i Sokolicës në Boletin dhe marrëveshjet me Ministrinë e Kulturës në vitin 2006 Qazim Namani: Konferenca për ruajtjen dhe konservimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë Qazim Namani: Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore Qazim Namani: Zhvillimi i arsimit në tokat shqiptare pas pushtimit nga P. Osmane Qazim Namani & Emin Sallahu: Konfliktet ndër kufitare në mes të Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1921 Qazim Namani: Kozmologjia e artit popullor dardan e aplikuar në punimin e gurëve të oxhaqeve Qazim Namani: Kolonizimi i Malësisë së Galabit gjatë viteve 1876 - 1912 me shqiptarë ortodoksë nga Mali i Zi Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Malësinë e Galabit Qazim Namani: Miniera e Leçes në komunën e Medvegjës, miniera më e madhe e arit në Evropë Qazim Namani: Trashëgimia Kulturore dhe Plotësimi i Standardeve për Pavarësinë e Kosovës 1999 - 2006 Qazim Namani: Rrugët më të rëndësishme që kalonin nëpër Malësinë e Galabit Qazim Namani: Galabrët e Dardanisë fisi më aristokrat në antikitetin e vonë Qazim Namani: Lojërat Olimpike në artin popullorë të zbuluar në Dardani Qazim Namani: Biznesi dhe mikpritja në Mbretërinë e Dardanisë Namani, Gjata, Sallahu: Festa pagane te 'Guri i Shënjimit' në fshatin Zatriq komuna e Rahavecit

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx