E marte, 03.02.2026, 09:52 PM (GMT)

Speciale

Isuf B. Bajrami: Shqiptarët në Holokaust para hebrenjve

E marte, 03.02.2026, 06:59 PM


SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE

Nga Isuf B. Bajrami

Golgotha Shqiptare

Leo Freundlich, hebreu që protestoi kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912–1913, ishte një nga të parët që denoncoi publikisht atë që ai e quante “Golgotha Shqiptare”. Sipas tij, holokausti mbi shqiptarët u krye nga serbët, të cilët vranë 500,000 njerëz. Libri i tij “Akuza që ulërijnë” përbën dëshminë e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian para atij hebre.¹ Në këtë libër, Freundlich dokumenton masakrat e kryera nga serbët në trojet shqiptare, duke theksuar se mbi 250,000 shqiptarë u masakruan vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtës së vitit 1912.²

Kopja e vetme e librit të Freundlich “Akuza që ulërijnë”, që përmban protestën ndaj Evropës, e cila nuk reagoi për të mbrojtur shqiptarët gjatë zhdukjes masive, u gjet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit në SHBA në vitin 1982 nga studiuesja Safete Juka, e cila jetonte në Amerikë.³

Freundlich, me banim në Vjenë, ishte ndër intelektualët e pakët që mbajtën koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës, të cilat raportonin për shfarosjen e së paku një gjysmë milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912–1913. I revoltuar, ai ngriti zërin kundër asaj që e quante “Golgotha Shqiptare”, e shoqëruar nga masakra që nuk kishin njohur botën më parë. Ai shkruante: “Unë e dënoj dhunën që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk e bën këtë sot, të mos çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgothe tjetër.”?

Vetëm pas 10 vjetësh, në vitin 1992, ky libër u botua në tri gjuhë, falë ndihmës së jashtëzakonshme të gjermanit Hans Peter Rullmann, me banim në Hamburg. Botimi në anglisht u bë i mundur falë Steve Tomkin, kroat i lindur në Kosovë. Në kroatisht libri u përkthye dhe u botua nga mjeku Dr. S. Leban, i lindur në Bosnje. Ndërkohë që përkthimin në shqip e realizoi Riza Lahi, nën sponsorizimin e Xhaferr Kastratit nga Kosova dhe përkujdesjen e shtypshkronjës “Eurorilindja” në Tiranë.?

Konteksti historik: Serbia, “macja që kërkon të bëhet luan”

Pas traktatit të Shën Stefanit mes Perandorisë Osmane (Turqisë) dhe Rusisë, kombi shqiptar u vu në rrezik të jashtëzakonshëm, pasi aleatja ballkanike e Carëve, Serbia, kërkoi të zgjeronte zotërimet e veta për t’u kthyer në një fuqi ballkanike dhe evropiane, megjithëse kishte një popullsi vetëm 900 mijë banorë. Nëse deri në vitin 1911 synimet ruse dhe serbe në Ballkan dështuan, kjo nuk erdhi për meritë të Perandorisë Osmane, por nga fakti se shqiptarët, përmes Lidhjes së Prizrenit më 1878, nuk e lejuan këtë dhe e kundërshtuan me armë.?

Që nga viti 1906 deri në 1912, një sërë kryengritjesh për pavarësi të shqiptarëve, kryesisht në veri të trojeve etnike shqiptare, u shtypën me dhunë dhe barbarizëm nga ushtritë turke. Me fillimin e luftës ballkanike, Shqipëria ishte gjysmë e shkretuar dhe trupat serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, ndërmorën pushtime të shoqëruara me masakra masive kundër një popullsie të paarmatosur. Sipas shtypit evropian, humbën jetën 250 mijë shqiptarë, ndërsa ka të dhëna që shifra mund të jetë edhe një gjysmë milioni.?

Nga 180 mijë km² me një popullsi rreth 2 milionë banorë brenda territoreve shqiptare në fund të shekullit XIX, në vitet ’30-të mbetën vetëm 80 mijë km², shumica jashtë shtetit shqiptar.?

Sipas historianëve modernë, ekspansioni sllav, i shoqëruar me shpërngulje masive dhe ndryshime demografike, mori territore nga popuj të ndryshëm (germanë, hungarezë, shqiptarë, rumunë, armenë etj.), në një sipërfaqe rreth një milion km², prej të cilave një të dhjetën i takonte territoreve shqiptare. Etnia shqiptare, në prag të shkatërrimit të perandorisë osmane, humbi më shumë se gjysmën e territoreve të veta.?

Zona e Tivarit, Hotit, Grudës, Pazarit të Ri, Sanxhakut, Nishit, rrethinat e Manastrit, si dhe humbja e krahinave të Janinës dhe Çamërisë, të shpopulluara ose të asimilura me forcë nga Greqia, përbëjnë fushatën më të egër të ekspansionit sllav kundër popullit më të vjetër në Ballkan. Njëri ndër librat që hedh dritë mbi shpërnguljet masive të shqiptarëve është libri historik i Leo Freundlich “Golgotha shqiptare”.¹?

Dëshmitare e krimeve të serbëve në vitin 1912–1913 ka qenë edhe Nënë Tereza, atëherë fëmijë. Ajo pa me sytë e saj sesi serbët i helmuan të atin, ndërkohë që anëtarët e tjerë të familjes shpëtuan duke u arratisur drejt Tiranës.¹¹

Shqiptarët në holokaust para hebrenjve (Shënime të gazetarit gjerman Hans Peter Rullmann)

Më 1913, të dielën e Pashkëve, pak para shpërthimit të Luftës Ballkanike, shkrimtari vjenez, izraeliti Leo Freundlich botoi librin “Akuza që ulërijnë” (Accusation Records). Në të përfshihen dokumenta akuzuese që rrëfejnë barbarizmat masive të bëra nga serbët në krahinat shqiptare të veriut, rreth 80 vite më parë ose rreth 30 vite para Luftës së Dytë Botërore.¹²

Rullmann argumenton se holokausti i parë evropian u planifikua dhe zbatuar nga Serbia kundër popullit shqiptar. Freundlich përshkruan ngjarjet nga mesi i tetorit 1912 deri në mars 1913. Ai shkruan se brenda pak më pak se pesë muajsh, ushtria serbe dhe bandat çetnike “egërsisht dhe në mënyrën më antihumane që ka shfaqur ndonjëherë çizmja e pushtuesit, bënë barbarizma që nuk kanë të përshkruar. Me qindra e mijëra burra të paarmatosur u therën, gra u përdhunuan, pleq u mbytën, qindra gra u dogjën dhe u rrafshuan për tokë.”¹³

Sipas Rullmannit, gjatë luftërave evropiane të shekullit XVIII dhe XIX, nuk ka pasur synime për shfarosjen kolektive të ndonjë kombi. Në rastin më të keq, një vend përpiqej të pushtonte një tjetër. Para luftës serbe kundër shqiptarëve më 1912, askush nuk tentoi të zhdukte një popull të tërë. Në vitin 1912, kur po ndodhte katastrofa, Freundlich kishte një parandjenjë se sundimi serb kundër ekzistencës së një kombi kishte përmasa historike. Ai ishte i vetëdijshëm se ky kthim i papritur kundër qytetërimit dhe shpirtit human nuk do të venitej nëse bota nuk do ta ndëshkonte menjëherë.¹?

Freundlich përshkruan masakrat

Mënyra se si ushtria serbe veproi në vitet 1912–1913 ndaj shqiptarëve gjatë luftës ballkanike përbën rastin e parë të një zhdukje masive të një populli nga një tjetër. Megjithëse Mbretëria Serbe u njoftua se Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve do të punonte për përcaktimin e kufijve sapo situata të qetësohej, ushtria serbe nuk i njohu paralajmërimet e fuqive të mëdha dhe vazhdoi pushtimin e territoreve jo-serbe. Më 22 tetor 1912, këmbësoria serbe pushtoi qytetin e Prishtinës në Kosovë. Më pas vazhdoi sulmin në dy drejtime: nga Shkupi dhe nga Prizreni për të hyrë në luginën e Drinit të Zi. Pas një muaji, më 20 nëntor 1912, serbët pushtuan gati gjithë Shqipërinë e veriut dhe më 29 nëntor 1912, pararoja e ushtrisë u vendos në Durrës.¹?

Lufta e serbëve kundër shqiptarëve nuk kishte karakter pushtues, por karakter të spastrimit etnik, duke synuar që brenda një kohe të shkurtër të tregonte botës se shqiptarët ishin zhdukur nga Ballkani. Pikërisht për këtë arsye, ata i quanin shqiptarët turq dhe me këtë justifikim ose i shpërngulnin ose i masakronin.¹?

Freundlich përshkruan masakrat serbe në vjeshtën e vitit 1912–pranverën e 1913 në trojet shqiptare (Kosovë, Maqedoni) kështu:

“Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundën t’i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si derrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidhnin, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe pasu u nxirrte fëmija nga barku, vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit, serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të.”¹?

Pas krimeve: Edith Durham nis e urren serbët

Gjatë kohës që shqiptarët masakroheshin në shtëpitë e tyre, anglezja Mary Edith Durham punonte për “Macedonia Relief Organization”. Kur shkeli për herë të parë në Ballkan, historiania dhe antropologia angleze ishte admiratore e popullit serb, si shumë njerëz të tjerë në Perëndim. Por, siç vëren anëtari i Parlamentit anglez, Aubrey Herbert, “ishte vetëm mizoria e serbëve që e ktheu dashurinë e saj në përbuzje.”¹?

Pas masakrave të njëpasnjëshme, ajo vendosi të dalë hapur kundër serbo-malazezëve: “E mbështolla medaljen e floririt që ma kishte dhënë Krajl Nikolla, duke e bërë të qartë se nuk mund të pranoja një medalje nga ata që kishin miqësi me Abdul Hamidin dhe merrnin dekoratat dhe paratë e tij.”¹?

Ajo i shkroi krajlit malazez se pasuesit e tij “janë shumë më mizorë sesa turqit” dhe se nuk mund të mbante më dekoratat e “përlyera me gjak të pafajshmish”. Vendimin e saj ajo e komunikoi në shtypin anglez dhe austriak, duke njoftuar se do t’i kthente urdhrin e “Shën Savës” në takimin e parë me Mbretin serb Petër.²?

Të dhëna mbi shqiptarët, para masakrave serbe (Ami Bue)

Ami Bue, botanist, gjeograf dhe gjeolog francez, i lindur në Hamburg të Gjermanisë në fillim të shekullit XIX, ndërmori një udhëtim në Ballkan në vitet 1836–1837, atëherë pjesë e Perandorisë Osmane. Pas kthimit në Gjermani më 1840, Bue përmbledhi në katër volume, secili me rreth 400 faqe, përshtypjet e udhëtimit në Evropën Juglindore. Saktësia shkencore e tij u vlerësua edhe nga serbët. Akademiku Aleksandër Beliç shkroi se “librat e Buesë janë një enciklopedi e vërtetë, të cilat nuk mund të krahasohen nga saktësia me asnjë botim tjetër të këtij lloji.”²¹

Sipas Buesë, Serbia në gjysmën e parë të shekullit XIX kishte më pak se 900 mijë banorë, ndërsa Shqipëria mbi 1.6 milionë. Në analizat e tij gjeografike, Shqipëria etnikisht e pastër ishte një hapësirë rreth 180 mijë km². Ai vëren se në gadishull kishte shumë më tepër shqiptarë sesa grekë dhe të paktën dy herë më shumë shqiptarë sesa serbë.²²

Kronologjia e krimeve serbe ndaj shqiptarëve

- Pranverë 1912: Rreth 6 mijë familje shqiptare shpërgulen me forcë nga zona e Nishit drejt Turqisë. Në të njëjtën kohë, fillojnë masakrat e malazezëve në Hot dhe Grudë.²³

- 12 nëntor 1912: Daily Chronicle shkruan se 2 mijë shqiptarë në krahinën e Shkupit dhe 5 mijë në afërsi të Prizrenit u therën masivisht.²?

- Dhjetor 1912: Gazeta parisiene Humanité raporton se në Drenicë dhe Palikurë u mbytën të gjithë banorët, dhe u zbuluan varre masive me koka njerëzish si gurë varri.²?

- 1913: Masakrohen 300 shqiptarë në krahinën e Lumës. Frankfurter Zeitung shkruan se fëmijët u dogjën në kashtë para prindërve, dhe më pas prindërit u masakruan me batare pushkësh dhe bajoneta.²?

- Pranverë 1945: Vriten 40 mijë shqiptarë në Kosovë me pretekstin se ishin antikomunistë.²?

- 1930: Përfundon asimilimi i shqiptarëve të Sanxhakut.²?

- 1949–50: Largohen me forcë rreth 300 mijë shqiptarë nga zonat kufitare të Kosovës Lindore pas marrëveshjes turko-jugosllave.²?

- 1989: Helmohen në shkolla fillore mbi 6,000 fëmijë shqiptarë nga ushtria serbe.³?

- Mars 1998: Masakrohen 32 banorë të fshatit Raçak.³¹

- Mars–Qershor 1999: Gjatë luftës në Kosovë, përzihen nga shtëpitë rreth 1 milion shqiptarë dhe vriten mbi 12 mijë gra, burra, fëmijë dhe pleq.³²

- 2000: Kosova Lindore (Preshevë, Medvegjë – Bujanoc) mbetet e pushtuar nga Serbia; mbi 300 shqiptarë vriten nga vera e vitit 1999 deri në verën e 2000.³³

Debati historiografik serb dhe perëndimor

Debati serb

Historiografia zyrtare serbe dhe shumë studime serbe e paraqesin Luftën Ballkanike si një luftë të drejtë për çlirimin nga Perandoria Osmane dhe minimizojnë dhunën kundër shqiptarëve. Në këtë narrativë, raportet e Freundlich dhe Durham shpesh konsiderohen të njëanshme, të motivuara politikisht ose të ekzagjeruara. Dhuna paraqitet si pasojë e luftës, jo si spastrim etnik i planifikuar.³?

Debati perëndimor

Historiografia perëndimore, veçanërisht pas vitit 1990, pranon se dhuna ishte masive, por mbetet e kujdesshme për numrat dhe terminologjinë. Ajo kërkon përdorimin e burimeve të shumta dhe triangulim, por përballet me kufizime për shkak të mungesës së dokumenteve. Autorë si Noel Malcolm, Mark Mazower, Norman Naimark dhe Donald Bloxham theksojnë analizën e dhunës si fenomen rajonal dhe metodologjinë e historisë së dhunës.³?

Krahasimi i burimeve osmane dhe diplomatike

Burimet osmane përfshijnë dokumente administrative, raporte prefekturale, statistika dhe raportime konsullore. Ato ofrojnë perspektivën e administratës së brendshme, por janë të kufizuara nga mungesa e dokumentacionit, ndikimi politik dhe sfidat e përkthimit. Burimet diplomatike (raporte konsullore dhe ambasadoriale) ofrojnë perspektiva të jashtme dhe shpesh më të paanshme, por janë të kufizuara nga interesat politike të shteteve raportuese, informacioni i dytë dhe mungesa e aksesit në disa zona.³?

Metodologjia e historisë së dhunës

Historia e dhunës kërkon një metodologji specifike, pasi burimet janë shpesh të fragmentuara, të politizuara dhe të ndikuara nga trauma. Metodologjia përfshin:

Kritikë e burimeve

- Kush e prodhoi burimin?

- Për çfarë qëllimi?

- Cilat janë interesat e autorit?

- A ka elemente propagande?

Triangulim i burimeve

- Krahasimi i burimeve osmane, diplomatike dhe dëshmive bashkëkohore (raporte mjekësore, misione humanitare, gazetarë).

Analizë demografike

- Përdorimi i statistikave të popullsisë, kur janë të disponueshme, për të vlerësuar humbjet.

- Kujdes, sepse regjistrat shpesh janë të paplotë ose të manipuluar.

Analiza e dhunës si proces

- Identifikimi i mekanizmave të dhunës (masakra, përdhunime, djegie, shpërngulje).

- Analiza e organizimit të dhunës (ushtria, çetat, administrata).

Etika dhe trauma

- Njohja e traumës kolektive dhe ruajtja e dinjitetit të viktimave.

- Shmangia e senzacionalizmit dhe politizimit të dhunës.

Kjo metodologji është thelbësore për të kuptuar se si prodhohet dhe dokumentohet dhuna, veçanërisht kur diskutohen gjenocidi dhe spastrimet etnike.³?

Terminologjia: Gjenocid vs. spastrim etnik

Gjenocidi (Konventa e OKB-së 1948)

Konventa e OKB-së për Gjenocidin (1948) e definon gjenocidin si aktet e kryera me qëllim shfarosjen, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar.³? Gjenocidi kërkon dëshmi të qarta për qëllimin e shfarosjes dhe prova të aktit dhunues të synuar për shkatërrimin e grupit. Në kontekstin e 1912–1913, ka dëshmi për dhunë masive dhe spastrim etnik, por provimi i qëllimit për shfarosje të plotë është i vështirë juridikisht. Megjithatë, disa autorë, përfshirë Shaban Brahan, argumentojnë se dhuna serbe përbën një proces gjenocidal, duke e interpretuar atë si një përpjekje sistematike për të shkatërruar shqiptarët.³?

Spastrimi etnik

Spastrimi etnik i referohet përdorimit të dhunës për të ndryshuar përbërjen etnike të një territori. Në këtë kontekst, shpërnguljet me forcë dhe masakrat civile në Kosovë, Maqedoni dhe veri të Shqipërisë janë pjesë e një procesi të qëllimshëm për të ndryshuar demografinë. Ky term është më i përshtatshëm për periudhën, sepse nuk kërkon provë të qëllimit të shkatërrimit të plotë si gjenocidi. Spastrimi etnik lejon analizë më të qartë të proceseve, mekanizmave, shpërnguljeve dhe asimilimit.??

Holokausti si term historik dhe metaforik

Termi “Holokaust” historikisht i referohet shfarosjes së hebrenjve nga regjimi nazist. Përdorimi i tij për ngjarjet e 1912–1913 është diskutueshëm, sepse i jep një kuptim juridik dhe historik specifik që nuk i përket asaj periudhe. Në diskursin shqiptar, termi përdoret metaforikisht për të theksuar intensitetin e dhunës dhe traumën kolektive. Për qëllime akademike, është thelbësore të dallohen përdorimi metaforik dhe ai juridik.?¹

Shaban Braha dhe vlerësimi i gjenocidit

Shaban Braha, autor i njohur për librin e tij mbi gjenocidin, interpreton dhunën serbe si një proces të qëllimshëm dhe sistematik ndaj shqiptarëve që plotëson elementët e gjenocidit sipas Konventës së OKB-së. Braha argumenton se shpërnguljet masive, masakrat dhe asimilimi i detyruar synonin shkatërrimin e një grupi kombëtar, jo si viktima të rastësishme, por si pjesë e një plani për të fshirë identitetin dhe popullsinë shqiptare në disa zona. Kjo interpretim është pjesë e debatit historiografik më të gjerë, ku disa autorë e shohin procesin si gjenocid, ndërsa të tjerë e shohin si spastrim etnik.?²

Fusnota

1. Leo Freundlich, Die Albanische Golgatha (Vienna: 1913).

2. Freundlich, Die Albanische Golgatha.

3. Safete Juka, Harvard University Library, 1982 (raporti i gjetjes së kopjes së vetme).

4. Freundlich, Die Albanische Golgatha.

5. Hans Peter Rullmann (botimi gjerman), Steve Tomkin (botimi anglisht), Dr. S. Leban (botimi kroat), Riza Lahi (botimi shqip), 1992.

6. Konteksti historik: Lidhja e Prizrenit (1878) dhe kryengritjet shqiptare; shtypja osmane (1906–1912).

7. Humbjet demografike dhe territoriale të shqiptarëve deri në vitet ’30.

8. Historianët modernë për ekspansionin sllav dhe humbjen territoriale.

9. Freundlich, Die Albanische Golgatha.

10. Freundlich, Die Albanische Golgatha.

11. Dëshmia e Nënë Terezës (raportuar në biografi të ndryshme).

12. Hans Peter Rullmann, shënime mbi botimin e Freundlich në 1913.

13. Rullmann, shënime mbi barbaritë serbe.

14. Rullmann, shënime mbi rëndësinë historike.

15. Freundlich, Die Albanische Golgatha, përshkrimi i avancimit serb.

16. Freundlich, Die Albanische Golgatha, karakterizimi i spastrimit etnik.

17. Freundlich, Die Albanische Golgatha, përshkrimi i masakrave dhe torturave.

18. Aubrey Herbert, citim për Edith Durham.

19. Edith Durham, High Albania (London, 1909).

20. Deklarata e Durham në shtypin anglez dhe austriak.

21. Ami Bue, Reise in den Südslavischen Ländern (Hamburg, 1840).

22. Bue, analizë gjeografike dhe demografike.

23. Shpërngulja e familjeve shqiptare nga Nish (pranverë 1912).

24. Daily Chronicle, 12 nëntor 1912.

25. Humanité, dhjetor 1912.

26. Frankfurter Zeitung, 1913.

27. Vrasjet në Kosovë, pranverë 1945.

28. Asimilimi i shqiptarëve të Sanxhakut, 1930.

29. Shpërnguljet e vitit 1949–50 pas marrëveshjes turko-jugosllave.

30. Helmimi i fëmijëve shqiptarë në 1989.

31. Masakra e Raçakut, mars 1998.

32. Lufta e Kosovës, mars–qershor 1999.

33. Situata e Kosovës Lindore, 2000.

34. Historiografia serbe që minimizon dhunën.

35. Historiografia perëndimore: Noel Malcolm, Mark Mazower, Norman Naimark, Donald Bloxham.

36. Krahasimi i burimeve osmane dhe diplomatike.

37. Metodologjia e historisë së dhunës.

38. Konventa e OKB-së për Gjenocidin (1948); interpretimi i Shaban Braha.

39. Terminologjia e spastrimet etnike.

40. Përdorimi metaforik i termit “Holokaust” në diskursin shqiptar.

41. Shaban Braha, Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve (Prishtinë).

Vendi i Lekës; 02.02.2026



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (6) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (2) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (60) Sabile Basha: Një klithmë për të mos harruar Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (1) Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike nga parahistoria e deri te qytetet urbane në territorin e Kosovës së sotme Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (59) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (58) Lazim Miftari: Historia e Vranjës deri më 1878 Qazim Namani: Tërë lagjja e quanim Bajram Kërrsta Themi J. Tushe: Tasi Mitro Tushe (Kristiani) – luftëtari i Çetës myzeqare të Kolkondasit Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (57) Qazim Namani: Instituti për Studime Gjeopolitike i themeluar në vitin 1997 në Beograd dhe Pakoja e Ahtisarit Xhemaledin Salihu: Kolonizimi në Preshevë ndodhi edhe në vitin 1945, në Jugosllavinë Socialiste Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (56) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (55) Xhemaledin Salihu: Objektet sakrale të krishtera në rajonin e Bujanocit/Kisha, manastire, nekropole Qazim Namani: Gjendja në trashëgimin kulturore 1999-2012 dhe lista e monumenteve në mbrojtje të përhershme Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (54) Qazim Namani: Qazim Namani: Buxheti i Kulturës dhe ndarja për institucionet (2002–2008)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx