| E marte, 03.02.2026, 06:59 PM |
SHQIPTARËT NË HOLOKAUST
PARA HEBRENJVE
Nga
Isuf B. Bajrami
Golgotha Shqiptare
Leo
Freundlich, hebreu që protestoi kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga
serbët në vitet 1912–1913, ishte një nga të parët që denoncoi publikisht atë që
ai e quante “Golgotha Shqiptare”. Sipas tij, holokausti mbi shqiptarët u krye
nga serbët, të cilët vranë 500,000 njerëz. Libri i tij “Akuza që ulërijnë”
përbën dëshminë e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian para
atij hebre.¹ Në këtë libër, Freundlich dokumenton masakrat e kryera nga serbët
në trojet shqiptare, duke theksuar se mbi 250,000 shqiptarë u masakruan vetëm
në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtës së vitit 1912.²
Kopja
e vetme e librit të Freundlich “Akuza që ulërijnë”, që përmban protestën ndaj
Evropës, e cila nuk reagoi për të mbrojtur shqiptarët gjatë zhdukjes masive, u
gjet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit në SHBA në vitin 1982 nga
studiuesja Safete Juka, e cila jetonte në Amerikë.³
Freundlich,
me banim në Vjenë, ishte ndër intelektualët e pakët që mbajtën koleksionin e të
gjitha gazetave të mëdha të kohës, të cilat raportonin për shfarosjen e së paku
një gjysmë milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912–1913. I revoltuar, ai
ngriti zërin kundër asaj që e quante “Golgotha Shqiptare”, e shoqëruar nga
masakra që nuk kishin njohur botën më parë. Ai shkruante: “Unë e dënoj dhunën
që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk e bën këtë sot, të mos
çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgothe tjetër.”?
Vetëm
pas 10 vjetësh, në vitin 1992, ky libër u botua në tri gjuhë, falë ndihmës së
jashtëzakonshme të gjermanit Hans Peter Rullmann, me banim në Hamburg. Botimi
në anglisht u bë i mundur falë Steve Tomkin, kroat i lindur në Kosovë. Në
kroatisht libri u përkthye dhe u botua nga mjeku Dr. S. Leban, i lindur në
Bosnje. Ndërkohë që përkthimin në shqip e realizoi Riza Lahi, nën sponsorizimin
e Xhaferr Kastratit nga Kosova dhe përkujdesjen e shtypshkronjës “Eurorilindja”
në Tiranë.?
Konteksti historik:
Serbia, “macja që kërkon të bëhet luan”
Pas
traktatit të Shën Stefanit mes Perandorisë Osmane (Turqisë) dhe Rusisë, kombi
shqiptar u vu në rrezik të jashtëzakonshëm, pasi aleatja ballkanike e Carëve,
Serbia, kërkoi të zgjeronte zotërimet e veta për t’u kthyer në një fuqi
ballkanike dhe evropiane, megjithëse kishte një popullsi vetëm 900 mijë banorë.
Nëse deri në vitin 1911 synimet ruse dhe serbe në Ballkan dështuan, kjo nuk
erdhi për meritë të Perandorisë Osmane, por nga fakti se shqiptarët, përmes
Lidhjes së Prizrenit më 1878, nuk e lejuan këtë dhe e kundërshtuan me armë.?
Që
nga viti 1906 deri në 1912, një sërë kryengritjesh për pavarësi të shqiptarëve,
kryesisht në veri të trojeve etnike shqiptare, u shtypën me dhunë dhe
barbarizëm nga ushtritë turke. Me fillimin e luftës ballkanike, Shqipëria ishte
gjysmë e shkretuar dhe trupat serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë
Osmane, ndërmorën pushtime të shoqëruara me masakra masive kundër një popullsie
të paarmatosur. Sipas shtypit evropian, humbën jetën 250 mijë shqiptarë, ndërsa
ka të dhëna që shifra mund të jetë edhe një gjysmë milioni.?
Nga
180 mijë km² me një popullsi rreth 2 milionë banorë brenda territoreve
shqiptare në fund të shekullit XIX, në vitet ’30-të mbetën vetëm 80 mijë km²,
shumica jashtë shtetit shqiptar.?
Sipas
historianëve modernë, ekspansioni sllav, i shoqëruar me shpërngulje masive dhe
ndryshime demografike, mori territore nga popuj të ndryshëm (germanë,
hungarezë, shqiptarë, rumunë, armenë etj.), në një sipërfaqe rreth një milion
km², prej të cilave një të dhjetën i takonte territoreve shqiptare. Etnia
shqiptare, në prag të shkatërrimit të perandorisë osmane, humbi më shumë se
gjysmën e territoreve të veta.?
Zona
e Tivarit, Hotit, Grudës, Pazarit të Ri, Sanxhakut, Nishit, rrethinat e
Manastrit, si dhe humbja e krahinave të Janinës dhe Çamërisë, të shpopulluara
ose të asimilura me forcë nga Greqia, përbëjnë fushatën më të egër të
ekspansionit sllav kundër popullit më të vjetër në Ballkan. Njëri ndër librat
që hedh dritë mbi shpërnguljet masive të shqiptarëve është libri historik i Leo
Freundlich “Golgotha shqiptare”.¹?
Dëshmitare
e krimeve të serbëve në vitin 1912–1913 ka qenë edhe Nënë Tereza, atëherë
fëmijë. Ajo pa me sytë e saj sesi serbët i helmuan të atin, ndërkohë që
anëtarët e tjerë të familjes shpëtuan duke u arratisur drejt Tiranës.¹¹
Shqiptarët në holokaust
para hebrenjve (Shënime të gazetarit gjerman Hans Peter Rullmann)
Më
1913, të dielën e Pashkëve, pak para shpërthimit të Luftës Ballkanike,
shkrimtari vjenez, izraeliti Leo Freundlich botoi librin “Akuza që ulërijnë”
(Accusation Records). Në të përfshihen dokumenta akuzuese që rrëfejnë
barbarizmat masive të bëra nga serbët në krahinat shqiptare të veriut, rreth 80
vite më parë ose rreth 30 vite para Luftës së Dytë Botërore.¹²
Rullmann
argumenton se holokausti i parë evropian u planifikua dhe zbatuar nga Serbia
kundër popullit shqiptar. Freundlich përshkruan ngjarjet nga mesi i tetorit
1912 deri në mars 1913. Ai shkruan se brenda pak më pak se pesë muajsh, ushtria
serbe dhe bandat çetnike “egërsisht dhe në mënyrën më antihumane që ka shfaqur
ndonjëherë çizmja e pushtuesit, bënë barbarizma që nuk kanë të përshkruar. Me
qindra e mijëra burra të paarmatosur u therën, gra u përdhunuan, pleq u mbytën,
qindra gra u dogjën dhe u rrafshuan për tokë.”¹³
Sipas
Rullmannit, gjatë luftërave evropiane të shekullit XVIII dhe XIX, nuk ka pasur
synime për shfarosjen kolektive të ndonjë kombi. Në rastin më të keq, një vend
përpiqej të pushtonte një tjetër. Para luftës serbe kundër shqiptarëve më 1912,
askush nuk tentoi të zhdukte një popull të tërë. Në vitin 1912, kur po ndodhte
katastrofa, Freundlich kishte një parandjenjë se sundimi serb kundër
ekzistencës së një kombi kishte përmasa historike. Ai ishte i vetëdijshëm se ky
kthim i papritur kundër qytetërimit dhe shpirtit human nuk do të venitej nëse
bota nuk do ta ndëshkonte menjëherë.¹?
Freundlich përshkruan
masakrat
Mënyra
se si ushtria serbe veproi në vitet 1912–1913 ndaj shqiptarëve gjatë luftës
ballkanike përbën rastin e parë të një zhdukje masive të një populli nga një
tjetër. Megjithëse Mbretëria Serbe u njoftua se Komisioni Ndërkombëtar i
Kufijve do të punonte për përcaktimin e kufijve sapo situata të qetësohej,
ushtria serbe nuk i njohu paralajmërimet e fuqive të mëdha dhe vazhdoi
pushtimin e territoreve jo-serbe. Më 22 tetor 1912, këmbësoria serbe pushtoi
qytetin e Prishtinës në Kosovë. Më pas vazhdoi sulmin në dy drejtime: nga
Shkupi dhe nga Prizreni për të hyrë në luginën e Drinit të Zi. Pas një muaji,
më 20 nëntor 1912, serbët pushtuan gati gjithë Shqipërinë e veriut dhe më 29
nëntor 1912, pararoja e ushtrisë u vendos në Durrës.¹?
Lufta
e serbëve kundër shqiptarëve nuk kishte karakter pushtues, por karakter të
spastrimit etnik, duke synuar që brenda një kohe të shkurtër të tregonte botës
se shqiptarët ishin zhdukur nga Ballkani. Pikërisht për këtë arsye, ata i
quanin shqiptarët turq dhe me këtë justifikim ose i shpërngulnin ose i
masakronin.¹?
Freundlich
përshkruan masakrat serbe në vjeshtën e vitit 1912–pranverën e 1913 në trojet
shqiptare (Kosovë, Maqedoni) kështu:
“Me
qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që
mundën t’i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe
gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej
nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas
kontrolleve të imta për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin
si derrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat
përdhunoheshin, lidhnin, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin
të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe pasu u
nxirrte fëmija nga barku, vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas
masakrimit, serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që
gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të.”¹?
Pas krimeve: Edith
Durham nis e urren serbët
Gjatë
kohës që shqiptarët masakroheshin në shtëpitë e tyre, anglezja Mary Edith
Durham punonte për “Macedonia Relief Organization”. Kur shkeli për herë të parë
në Ballkan, historiania dhe antropologia angleze ishte admiratore e popullit
serb, si shumë njerëz të tjerë në Perëndim. Por, siç vëren anëtari i
Parlamentit anglez, Aubrey Herbert, “ishte vetëm mizoria e serbëve që e ktheu
dashurinë e saj në përbuzje.”¹?
Pas
masakrave të njëpasnjëshme, ajo vendosi të dalë hapur kundër serbo-malazezëve:
“E mbështolla medaljen e floririt që ma kishte dhënë Krajl Nikolla, duke e bërë
të qartë se nuk mund të pranoja një medalje nga ata që kishin miqësi me Abdul
Hamidin dhe merrnin dekoratat dhe paratë e tij.”¹?
Ajo
i shkroi krajlit malazez se pasuesit e tij “janë shumë më mizorë sesa turqit”
dhe se nuk mund të mbante më dekoratat e “përlyera me gjak të pafajshmish”.
Vendimin e saj ajo e komunikoi në shtypin anglez dhe austriak, duke njoftuar se
do t’i kthente urdhrin e “Shën Savës” në takimin e parë me Mbretin serb Petër.²?
Të dhëna mbi
shqiptarët, para masakrave serbe (Ami Bue)
Ami
Bue, botanist, gjeograf dhe gjeolog francez, i lindur në Hamburg të Gjermanisë
në fillim të shekullit XIX, ndërmori një udhëtim në Ballkan në vitet 1836–1837,
atëherë pjesë e Perandorisë Osmane. Pas kthimit në Gjermani më 1840, Bue
përmbledhi në katër volume, secili me rreth 400 faqe, përshtypjet e udhëtimit
në Evropën Juglindore. Saktësia shkencore e tij u vlerësua edhe nga serbët.
Akademiku Aleksandër Beliç shkroi se “librat e Buesë janë një enciklopedi e
vërtetë, të cilat nuk mund të krahasohen nga saktësia me asnjë botim tjetër të
këtij lloji.”²¹
Sipas
Buesë, Serbia në gjysmën e parë të shekullit XIX kishte më pak se 900 mijë
banorë, ndërsa Shqipëria mbi 1.6 milionë. Në analizat e tij gjeografike,
Shqipëria etnikisht e pastër ishte një hapësirë rreth 180 mijë km². Ai vëren se
në gadishull kishte shumë më tepër shqiptarë sesa grekë dhe të paktën dy herë më
shumë shqiptarë sesa serbë.²²
Kronologjia e krimeve
serbe ndaj shqiptarëve
-
Pranverë 1912: Rreth 6 mijë familje shqiptare shpërgulen me forcë nga zona e
Nishit drejt Turqisë. Në të njëjtën kohë, fillojnë masakrat e malazezëve në Hot
dhe Grudë.²³
-
12 nëntor 1912: Daily Chronicle shkruan se 2 mijë shqiptarë në krahinën e
Shkupit dhe 5 mijë në afërsi të Prizrenit u therën masivisht.²?
-
Dhjetor 1912: Gazeta parisiene Humanité raporton se në Drenicë dhe Palikurë u
mbytën të gjithë banorët, dhe u zbuluan varre masive me koka njerëzish si gurë
varri.²?
-
1913: Masakrohen 300 shqiptarë në krahinën e Lumës. Frankfurter Zeitung shkruan
se fëmijët u dogjën në kashtë para prindërve, dhe më pas prindërit u masakruan
me batare pushkësh dhe bajoneta.²?
-
Pranverë 1945: Vriten 40 mijë shqiptarë në Kosovë me pretekstin se ishin
antikomunistë.²?
-
1930: Përfundon asimilimi i shqiptarëve të Sanxhakut.²?
-
1949–50: Largohen me forcë rreth 300 mijë shqiptarë nga zonat kufitare të
Kosovës Lindore pas marrëveshjes turko-jugosllave.²?
-
1989: Helmohen në shkolla fillore mbi 6,000 fëmijë shqiptarë nga ushtria
serbe.³?
-
Mars 1998: Masakrohen 32 banorë të fshatit Raçak.³¹
-
Mars–Qershor 1999: Gjatë luftës në Kosovë, përzihen nga shtëpitë rreth 1 milion
shqiptarë dhe vriten mbi 12 mijë gra, burra, fëmijë dhe pleq.³²
-
2000: Kosova Lindore (Preshevë, Medvegjë – Bujanoc) mbetet e pushtuar nga
Serbia; mbi 300 shqiptarë vriten nga vera e vitit 1999 deri në verën e 2000.³³
Debati historiografik
serb dhe perëndimor
Debati serb
Historiografia
zyrtare serbe dhe shumë studime serbe e paraqesin Luftën Ballkanike si një
luftë të drejtë për çlirimin nga Perandoria Osmane dhe minimizojnë dhunën
kundër shqiptarëve. Në këtë narrativë, raportet e Freundlich dhe Durham shpesh
konsiderohen të njëanshme, të motivuara politikisht ose të ekzagjeruara. Dhuna
paraqitet si pasojë e luftës, jo si spastrim etnik i planifikuar.³?
Debati perëndimor
Historiografia
perëndimore, veçanërisht pas vitit 1990, pranon se dhuna ishte masive, por
mbetet e kujdesshme për numrat dhe terminologjinë. Ajo kërkon përdorimin e
burimeve të shumta dhe triangulim, por përballet me kufizime për shkak të
mungesës së dokumenteve. Autorë si Noel Malcolm, Mark Mazower, Norman Naimark
dhe Donald Bloxham theksojnë analizën e dhunës si fenomen rajonal dhe
metodologjinë e historisë së dhunës.³?
Krahasimi i burimeve
osmane dhe diplomatike
Burimet
osmane përfshijnë dokumente administrative, raporte prefekturale, statistika
dhe raportime konsullore. Ato ofrojnë perspektivën e administratës së
brendshme, por janë të kufizuara nga mungesa e dokumentacionit, ndikimi politik
dhe sfidat e përkthimit. Burimet diplomatike (raporte konsullore dhe
ambasadoriale) ofrojnë perspektiva të jashtme dhe shpesh më të paanshme, por
janë të kufizuara nga interesat politike të shteteve raportuese, informacioni i
dytë dhe mungesa e aksesit në disa zona.³?
Metodologjia e
historisë së dhunës
Historia
e dhunës kërkon një metodologji specifike, pasi burimet janë shpesh të
fragmentuara, të politizuara dhe të ndikuara nga trauma. Metodologjia përfshin:
Kritikë e burimeve
-
Kush e prodhoi burimin?
-
Për çfarë qëllimi?
-
Cilat janë interesat e autorit?
-
A ka elemente propagande?
Triangulim i burimeve
-
Krahasimi i burimeve osmane, diplomatike dhe dëshmive bashkëkohore (raporte
mjekësore, misione humanitare, gazetarë).
Analizë demografike
-
Përdorimi i statistikave të popullsisë, kur janë të disponueshme, për të
vlerësuar humbjet.
-
Kujdes, sepse regjistrat shpesh janë të paplotë ose të manipuluar.
Analiza e dhunës si proces
-
Identifikimi i mekanizmave të dhunës (masakra, përdhunime, djegie,
shpërngulje).
-
Analiza e organizimit të dhunës (ushtria, çetat, administrata).
Etika dhe trauma
-
Njohja e traumës kolektive dhe ruajtja e dinjitetit të viktimave.
-
Shmangia e senzacionalizmit dhe politizimit të dhunës.
Kjo
metodologji është thelbësore për të kuptuar se si prodhohet dhe dokumentohet
dhuna, veçanërisht kur diskutohen gjenocidi dhe spastrimet etnike.³?
Terminologjia:
Gjenocid vs. spastrim etnik
Gjenocidi (Konventa e OKB-së 1948)
Konventa
e OKB-së për Gjenocidin (1948) e definon gjenocidin si aktet e kryera me qëllim
shfarosjen, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose
fetar.³? Gjenocidi kërkon
dëshmi të qarta për qëllimin e shfarosjes dhe prova të aktit dhunues të synuar
për shkatërrimin e grupit. Në kontekstin e 1912–1913, ka dëshmi për dhunë
masive dhe spastrim etnik, por provimi i qëllimit për shfarosje të plotë është
i vështirë juridikisht. Megjithatë, disa autorë, përfshirë Shaban Brahan,
argumentojnë se dhuna serbe përbën një proces gjenocidal, duke e interpretuar
atë si një përpjekje sistematike për të shkatërruar shqiptarët.³?
Spastrimi etnik
Spastrimi
etnik i referohet përdorimit të dhunës për të ndryshuar përbërjen etnike të një
territori. Në këtë kontekst, shpërnguljet me forcë dhe masakrat civile në
Kosovë, Maqedoni dhe veri të Shqipërisë janë pjesë e një procesi të qëllimshëm
për të ndryshuar demografinë. Ky term është më i përshtatshëm për periudhën,
sepse nuk kërkon provë të qëllimit të shkatërrimit të plotë si gjenocidi.
Spastrimi etnik lejon analizë më të qartë të proceseve, mekanizmave,
shpërnguljeve dhe asimilimit.??
Holokausti si term
historik dhe metaforik
Termi
“Holokaust” historikisht i referohet shfarosjes së hebrenjve nga regjimi
nazist. Përdorimi i tij për ngjarjet e 1912–1913 është diskutueshëm, sepse i
jep një kuptim juridik dhe historik specifik që nuk i përket asaj periudhe. Në
diskursin shqiptar, termi përdoret metaforikisht për të theksuar intensitetin e
dhunës dhe traumën kolektive. Për qëllime akademike, është thelbësore të
dallohen përdorimi metaforik dhe ai juridik.?¹
Shaban Braha dhe
vlerësimi i gjenocidit
Shaban
Braha, autor i njohur për librin e tij mbi gjenocidin, interpreton dhunën serbe
si një proces të qëllimshëm dhe sistematik ndaj shqiptarëve që plotëson
elementët e gjenocidit sipas Konventës së OKB-së. Braha argumenton se
shpërnguljet masive, masakrat dhe asimilimi i detyruar synonin shkatërrimin e
një grupi kombëtar, jo si viktima të rastësishme, por si pjesë e një plani për
të fshirë identitetin dhe popullsinë shqiptare në disa zona. Kjo interpretim
është pjesë e debatit historiografik më të gjerë, ku disa autorë e shohin
procesin si gjenocid, ndërsa të tjerë e shohin si spastrim etnik.?²
Fusnota
1.
Leo Freundlich, Die Albanische Golgatha (Vienna: 1913).
2.
Freundlich, Die Albanische Golgatha.
3.
Safete Juka, Harvard University Library, 1982 (raporti i gjetjes së kopjes së
vetme).
4.
Freundlich, Die Albanische Golgatha.
5.
Hans Peter Rullmann (botimi gjerman), Steve Tomkin (botimi anglisht), Dr. S.
Leban (botimi kroat), Riza Lahi (botimi shqip), 1992.
6.
Konteksti historik: Lidhja e Prizrenit (1878) dhe kryengritjet shqiptare;
shtypja osmane (1906–1912).
7.
Humbjet demografike dhe territoriale të shqiptarëve deri në vitet ’30.
8.
Historianët modernë për ekspansionin sllav dhe humbjen territoriale.
9.
Freundlich, Die Albanische Golgatha.
10.
Freundlich, Die Albanische Golgatha.
11.
Dëshmia e Nënë Terezës (raportuar në biografi të ndryshme).
12.
Hans Peter Rullmann, shënime mbi botimin e Freundlich në 1913.
13.
Rullmann, shënime mbi barbaritë serbe.
14.
Rullmann, shënime mbi rëndësinë historike.
15.
Freundlich, Die Albanische Golgatha, përshkrimi i avancimit serb.
16.
Freundlich, Die Albanische Golgatha, karakterizimi i spastrimit etnik.
17.
Freundlich, Die Albanische Golgatha, përshkrimi i masakrave dhe torturave.
18.
Aubrey Herbert, citim për Edith Durham.
19.
Edith Durham, High Albania (London, 1909).
20.
Deklarata e Durham në shtypin anglez dhe austriak.
21.
Ami Bue, Reise in den Südslavischen Ländern (Hamburg, 1840).
22.
Bue, analizë gjeografike dhe demografike.
23.
Shpërngulja e familjeve shqiptare nga Nish (pranverë 1912).
24.
Daily Chronicle, 12 nëntor 1912.
25.
Humanité, dhjetor 1912.
26.
Frankfurter Zeitung, 1913.
27.
Vrasjet në Kosovë, pranverë 1945.
28.
Asimilimi i shqiptarëve të Sanxhakut, 1930.
29.
Shpërnguljet e vitit 1949–50 pas marrëveshjes turko-jugosllave.
30.
Helmimi i fëmijëve shqiptarë në 1989.
31.
Masakra e Raçakut, mars 1998.
32.
Lufta e Kosovës, mars–qershor 1999.
33.
Situata e Kosovës Lindore, 2000.
34.
Historiografia serbe që minimizon dhunën.
35.
Historiografia perëndimore: Noel Malcolm, Mark Mazower, Norman Naimark, Donald
Bloxham.
36.
Krahasimi i burimeve osmane dhe diplomatike.
37.
Metodologjia e historisë së dhunës.
38.
Konventa e OKB-së për Gjenocidin (1948); interpretimi i Shaban Braha.
39.
Terminologjia e spastrimet etnike.
40.
Përdorimi metaforik i termit “Holokaust” në diskursin shqiptar.
41.
Shaban Braha, Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve (Prishtinë).
Vendi i Lekës; 02.02.2026