Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (61)
E merkure, 04.02.2026, 06:58 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
BUNKERËT E HOXHË
LIPOVICËS (61)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Pas
përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe konsolidimit të pushtetit
sllavo-komunist në trevat shqiptare, një segment i rëndësishëm i elitës
ushtarake dhe politike nacionaliste të Kosovës zgjodhi të mos e braktiste
vendin. Në vend të mërgimit, këta individë vendosën t’i qëndronin besnikë
programit ideor dhe objektivave politike të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, duke
e përjetuar këtë qëndrim si një obligim moral, historik dhe politik ndaj
çështjes kombëtare.
Ky
orientim nuk ishte thjesht një zgjedhje politike, por një akt vetëdijeje dhe
përgjegjësie, që nënkuptonte refuzimin e legjitimitetit të rendit të ri
shtetëror dhe përballjen e drejtpërdrejtë me mekanizmat e represionit të
pushtetit sllavo-komunist. Pranimi i një jete në ilegalitet, i ndjekur nga
pasiguria e përhershme, survejimi sistematik dhe rreziku konstant i arrestimit
apo likuidimit, u bë pjesë e realitetit të tyre të përditshëm. Në këtë kuptim, qëndrimi
në atdhe përfaqësonte jo vetëm një akt rezistence politike, por edhe një formë
sakrifice personale, ku mbijetesa fizike dhe morale varej nga solidariteti
shoqëror, rrjetet e fshehta të mbështetjes dhe besimi i palëkundur në
drejtësinë e kauzës për të cilën vepronin.
Në
radhët e këtyre figurave të spikatura bënte pjesë edhe Hoxhë Lipovica, i cili,
së bashku me djemtë e tij, Selimin dhe Qazimin, si dhe me një rreth të ngushtë
bashkëluftëtarësh, u detyrua të tërhiqej në ilegalitet. Për një periudhë të
konsiderueshme, ata vepruan dhe u strehuan në zonat malore të Karadakut, dhe duke
shfrytëzuar strehimore dhe bunkerë të ndërtuar posaçërisht për rrethana të
tilla, si dhe një rrjet të gjerë mbështetës të përbërë nga miq, jatakë dhe
bashkëpunëtorë të besuar.
Megjithatë,
është me rëndësi të theksohet një aspekt thelbësor i qëndrimit moral dhe
njerëzor të Hoxhë Lipovicës gjatë periudhës së ilegalitetit dhe më pas në fazën
e hetuesisë. Edhe pse gjatë qëndrimit në arrati ishte strehuar në familje të
ndryshme shqiptare dhe kishte përfituar mbështetje të konsiderueshme nga
popullata e kësaj ane, e cila e ndihmoi me ushqim, strehim dhe informacione, ai
mori një vendim të vetëdijshëm dhe të qëndrueshëm për të mos i zbuluar emrat e
këtyre familjeve—jatakëve—para organeve hetimore.
Në
hetuesi, Hoxhë Lipovica u përpoq me çdo kusht t’i mbronte ata që e kishin
ndihmuar, duke e marrë mbi vete barrën e përgjegjësisë dhe duke refuzuar të
bëhej shkak për vuajtje të mëtejshme të bashkëpunëtorëve të tij. Ky qëndrim nuk
ishte thjesht një akt heshtjeje, por një zgjedhje etike e thellë, e rrënjosur
në ndjenjën e solidaritetit dhe përgjegjësisë kolektive. Përmes kësaj
sjelljeje, ai synonte t’i kursente familjet shqiptare nga represioni, torturat
dhe maltretimet që organet e pushtetit ushtronin ndaj çdo individi të dyshuar
për bashkëpunim me rezistencën.
Ky
veprim dëshmon se për Hoxhë Lipovicën rezistenca nuk kufizohej vetëm në luftën
e armatosur, por shtrihej edhe në sferën morale, ku mbrojtja e të pafajshmëve
dhe ruajtja e dinjitetit njerëzor përbënin pjesë përbërëse të qëndresës së tij.
Në këtë kuptim, qëndrimi i tij në hetuesi përforcon profilin e tij si figurë jo
vetëm atdhetare, por edhe me integritet të lartë etik, i gatshëm të sakrifikojë
veten për të mos rrezikuar të tjerët.
Megjithatë,
pavarësisht qëndrimit të vendosur të Hoxhë Lipovicës për të mos zbuluar jatakët
dhe për t’i mbrojtur ata nga represioni shtetëror, një pjesë e konsiderueshme e
këtyre rrjeteve të strehimit u identifikua nga pushteti. Kjo ndodhi jo për
shkak të dëshmive të dhëna prej tij, por si rezultat i mekanizmave të shumtë të
survejimit, hetimit dhe presionit që autoritetet përdornin në terren. Në
rrethana ku aparati shtetëror kishte shtrirë kontrollin e plotë policor dhe
informativ, zbulimi i jatakëve ishte pothuajse i pashmangshëm.
Në
të njëjtën kohë, u identifikuan dhe u zbuluan edhe bunkerë të shumtë që kishin
shërbyer si strehimore të rezistencës ilegale. Numri i tyre nuk ishte i vogël,
çka dëshmon për shkallën e organizimit dhe përhapjen e gjerë të veprimtarisë
ilegale në këtë anë. Zbulimi i këtyre bunkerëve ishte pjesë e një strategjie më
të gjerë të pushtetit për shkatërrimin e infrastrukturës së rezistencës dhe për
çrrënjosjen e çdo forme të kundërshtimit të organizuar.
Këto
zhvillime tregojnë se, pavarësisht përpjekjeve individuale për mbrojtje morale
dhe njerëzore, raporti i forcave dhe mjetet represive të shtetit e bënin të
vështirë ruajtjen e plotë të fshehtësisë. Njëkohësisht, ato dëshmojnë për
ekzistencën e një rrjeti të gjerë solidariteti dhe rezistence, i cili, edhe pse
i goditur rëndë, kishte arritur të funksiononte për një kohë të gjatë në kushte
jashtëzakonisht të rrezikshme.
Ky
qëndrim në arrati nuk duhet parë thjesht si një përpjekje për mbijetesë fizike
apo shmangie të ndjekjes shtetërore, por si një formë e artikuluar dhe e
qëndrueshme rezistence politike dhe morale. Nëpërmjet kësaj veprimtarie ilegale,
Hoxhë Lipovica dhe bashkëveprimtarët e tij synonin të ruanin vazhdimësinë e
idealit të lirisë, të mbanin gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe të refuzonin në
mënyrë të qartë legjitimitetin e rendit të ri represiv të vendosur pas luftës.
Bazuar
në të dhënat të procesit gjyqësor të Hoxhë Lipovicës, rezulton se rrjeti i
strehimoreve ilegale përbëhej nga pesë bunkerë të ndërtuar me një nivel të
lartë mjeshtërie teknike dhe me një kujdes të veçantë për fshehtësinë dhe
funksionalitetin e tyre. Këto struktura ishin të pozicionuara në zonën malore
midis fshatrave Lipovicë dhe Pogragjë, konkretisht në Grykën e Llapushnicës,
një hapësirë që, për shkak të konfigurimit natyror dhe terrenit të thyer,
ofronte kushte të favorshme për fshehje dhe mbrojtje. Vendosja e bunkerëve në
distanca relativisht të afërta, rreth dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta ecje
nga njëri-tjetri, nuk ishte rastësore, por dëshmonte për një konceptim të
menduar strategjikisht, i cili synonte të siguronte lëvizje të shpejtë,
koordinim efikas dhe fleksibilitet operacional në situata rreziku të
menjëhershëm.
Megjithatë,
dëshmitë memoriale dhe rrëfimet e mbledhura nga historiani Aliriza Selmani,
dëshmojnë se shtrirja reale e këtij rrjeti ishte dukshëm më e gjerë sesa ajo që
pasqyrohet në të dhënat zyrtare. Sipas këtyre burimeve, strehimoret nuk
kufizoheshin vetëm në zonën e përmendur, por përfshinin edhe hapësira të tjera
në fshatrat përreth, duke krijuar një rrjet të dendur dhe të ndërlidhur
strehimi. Ky fakt tregon për ekzistencën e një sistemi më kompleks dhe më të
organizuar, i cili sfidon narrativat zyrtare dhe kërkon një rishikim kritik të
mënyrës se si është konceptuar dhe dokumentuar infrastruktura e rezistencës
ilegale. Në këtë kuptim, rrjeti i bunkerëve nuk duhet parë thjesht si një seri
strukturash fizike të izoluara, por si pjesë e një organizimi hapësinor dhe
politik më të gjerë, që reflektonte nivelin e lartë të mobilizimit,
solidaritetit dhe vetëdijes strategjike të veprimtarisë ilegale në atë
periudhë.
Presioni
i udbashëve në hetuesi ndaj Hoxhë Lipovicës dhe djemve të tij
Pas
dorëzimit të tyre më 20 shkurt 1947, Hoxhë Lipovica dhe djemtë e tij u
përballën me një proces hetimor të ngarkuar me presion të vazhdueshëm
psikologjik dhe institucional, tipik për praktikat represive të jashtëkohës. Në
këtë kontekst, dhe me synimin e qartë për të mos ekspozuar apo rënduar
përgjegjësinë penale të personave që i kishin strehuar, furnizuar me ushqim ose
kishin shërbyer si burime informacioni mbi lëvizjet ushtarake dhe policore, ata
ndërtuan një narrativë mbrojtëse gjatë fazës së hetuesisë. Konkretisht, në
deklarimet e tyre, ata pohuan se gjatë gjithë periudhës së arratisë kishin
qëndruar ekskluzivisht në bunkerët e ndërtuar dhe përdorur prej tyre, duke
mohuar çdo formë mbështetjeje të jashtme jashtë rrethit familjar.
Në
të njëjtën linjë mbrojtëse, ata deklaruan se furnizimi me ushqim ishte siguruar
vetëm nga familja e tyre, kryesisht përmes mullirit, ku siguronin miellin dhe
përgatisnin bukën e përditshme, pa ndihmën e banorëve të tjerë apo të një
rrjeti më të gjerë bashkëpunëtorësh. Këto pohime, megjithëse formalisht e
reduktonin ndjeshëm shkallën e bashkëpunimit me popullatën, nuk duhet
interpretuar si pasqyrim i plotë i realitetit faktik, por si pjesë e një
strategjie të vetëdijshme mbrojtjeje. Ato duhet të analizohen në dritën e
presionit intensiv hetimor dhe të frikës së arsyeshme nga pasojat e rënda që do
të binin mbi jatakët, furnizuesit dhe informatorët shqiptar, të cilët kishin
luajtur një rol kyç në sigurimin e mbijetesës së tyre gjatë periudhës së ilegalitetit.
Në
këtë kuptim, deklarimet e Hoxhë Lipovicës dhe të djemve të tij përbëjnë jo
vetëm një akt individual të vetëmbrojtjes juridike, por edhe një shprehje të
solidaritetit moral dhe politik ndaj rrjetit të padukshëm të mbështetjes së
popullit. Ky rrjet, edhe pse i mohuar zyrtarisht në proceset hetimore,
përfaqësonte një shtyllë themelore të rezistencës së armatosur dhe të qëndresës
shoqërore, duke dëshmuar se mbijetesa në kushte represioni nuk ishte rezultat i
izolimit total, por i një bashkëveprimi të ndërlikuar midis akterëve ilegalë
dhe popullatës lokale që i mbështeste.
Në
thelb, roli funksional i bunkerëve nuk lidhej me një qëndrim të vazhdueshëm apo
afatgjatë brenda tyre, por me përdorimin si strehimore të përkohshme, të
destinuara për momente rreziku të shtuar, veçanërisht gjatë operacioneve
ushtarake dhe policore të ndërmarra kundër tyre nga strukturat e ushtrisë dhe
të milicisë popullore, si edhe pas episodeve të përplasjes së armatosur. Këto
hapësira nuk ishin konceptuar si vende jetese të përhershme, por si elemente të
një strategjie mbijetese, të ndërtuar mbi parimin e shmangies, fshehjes dhe
ruajtjes së forcave njerëzore.
Të
dhënat e evidentuara në dokumentacionin e OZN-ës tregojnë se operacionet e
zhvilluara kundër tyre nuk kishin prodhuar viktima njerëzore, fakt që sugjeron
se bunkerët nuk ishin të destinuar për përballje të drejtpërdrejtë luftarake.
Përkundrazi, mungesa e humbjeve njerëzore dëshmon se këto struktura shërbenin
kryesisht si mekanizma mbrojtës dhe preventivë, duke u mundësuar të ndjekurve
të shmangnin kontaktin e drejtpërdrejtë me forcat ndëshkuese dhe të reduktonin
rrezikun e konfrontimeve fatale. Në këtë kuptim, bunkerët përfaqësonin më tepër
një instrument të rezistencës pasive dhe të menaxhimit të rrezikut, sesa një
infrastrukturë të menduar për veprimtari luftarake aktive.
Kështu,
funksioni i tyre duhet kuptuar brenda një logjike strategjike që privilegjonte
ruajtjen e jetës dhe vazhdimësinë e veprimtarisë ilegale, përmes shmangies së
dhunës së drejtpërdrejtë, dhe jo përmes eskalimit të saj. Ky dimension mbrojtës
dhe parandalues i bunkerëve hedh dritë mbi karakterin e rezistencës së asaj
periudhe, e cila, në shumë raste, synonte më tepër mbijetesën dhe
qëndrueshmërinë morale e organizative, sesa fitimin e përballjeve të
armatosura.
Nga
deklaratat e dhëna gjatë hetuesisë del se dimri i ashpër i viteve 1944/45 i
gjeti Hoxhë Lipovicën dhe djalin e tij Selimin të strehuar në një hapësirë të
fshehtë, të njohur me emrin domethënës “Uji i Bardhë”. Ajo strehimore, e
mbuluar nga bora dhe heshtja e maleve, nuk ishte thjesht një vend mbijetese
fizike, por një hapësirë pritjeje, ku koha dukej se rridhte më ngadalë dhe ku
frika, shpresa dhe vendosmëria bashkëjetonin në një ekuilibër të brishtë.
Dimri, me ftohtësinë e tij të pamëshirshme, i mbylli ata në një vetmi të
detyruar, por njëkohësisht i përgatiti për një rrugë pa kthim drejt
ilegalitetit.
Me
kalimin e muajve, kjo strehë e heshtur nisi të mbushej me prani të reja. Pas
dezertimit nga Ushtria Popullore Jugosllave, rreth bërthamës fillestare të
rezistencës u bashkuan edhe figura të tjera, secila me historinë e vet të rezistencës
e guximit. Në muajin shkurt iu bashkua Qazimi, djali tjetër i Hoxhës, duke e
kthyer arratinë në një fat familjar të përbashkët. Në prill erdhi Saqip Mehmeti,
ndërsa në nëntor të vitit 1945 rrugës së ilegalitetit iu bashkua edhe Zymber
Ajvazi. Ky zgjerim i ngadaltë dhe i matur i grupit nuk ishte rastësi, por
pasqyrim i një procesi të heshtur, në të cilin individë të ndryshëm, të shtyrë
nga rreziku, pasiguria dhe frika nga represioni shtetëror, zgjidhnin të linin
jetën e njohur për t’u futur në errësirën e rezistencës.
Kështu,
strehimorja “Uji i Bardhë” u shndërrua gradualisht nga një vend i izoluar
dimëror në një nyje të vogël të rezistencës, ku rrugët individuale të
arratisjes u kryqëzuan në një fat kolektiv. Bashkimi i këtyre njerëzve nuk
përfaqësonte vetëm një zgjerim numerik të grupit, por edhe një thellim të
përvojës së përbashkët të ilegalitetit, ku secili sillte me vete jo vetëm
trupin e vet, por edhe frikën, shpresën dhe vendimin për të qëndruar përballë
një pushteti që i kishte shtyrë drejt jetës në hije.
Dokumentacioni
arkivor i UDB-së dëshmon qartë se grupi i udhëhequr nga Hoxhë Lipovica ishte i
përfshirë në një rrjet të qëndrueshëm dhe të rregullt bashkëpunimi me
formacione të tjera të rezistencës shqiptare, si në trevën e Karadakut ashtu
edhe në hapësira më të gjera të Kosovës. Këto lidhje pasqyrojnë përpjekjet për
koordinim dhe bashkëveprim ndërmjet grupeve ilegale, në funksion të ruajtjes së
vazhdimësisë së rezistencës së armatosur dhe politike ndaj pushtetit jugosllav
të pasluftës.
Në
këtë kuadër organizativ dhe bashkëpunues, Hoxhë Lipovica mori pjesë edhe në
Kongresin e Kopilaçës, të mbajtur më 15–16 gusht 1945, i organizuar nga
NDSH-ja, ku u diskutuan dhe u harmonizuan drejtimet strategjike të veprimtarisë
së rezistencës shqiptare anti-jugosllave. Ky kongres përbënte një moment të
rëndësishëm të përpjekjeve për unifikim politik dhe ushtarak të grupeve të
ndryshme të rezistencës. Megjithëse në fund të vitit 1945 u shtrua si
alternativë ideja e kalimit të forcave të rezistencës në Greqi, Hoxhë Lipovica
mbeti i palëkundur në qëndrimin e tij, duke iu përmbajtur thirrjes së Mulla
Idrizit për të mos e braktisur Kosovën dhe për të vazhduar qëndresën në vend,
si shprehje e përkushtimit ndaj mbrojtjes së trojeve shqiptare.
Në
fund të vitit 1946, pushteti jugosllav ndërmori një operacion të gjerë dhe të
mirëkoordinuar kundër forcave të rezistencës shqiptare në mbarë Kosovën, duke
mobilizuar mekanizmat ushtarakë, policorë dhe të sigurisë shtetërore për
asgjësimin e tyre. Ky aksion shënoi fazën më të ashpër të goditjes ndaj
strukturave ilegale shqiptare, të cilat deri atëherë vepronin të shpërndara në
dhjetëra grupe guerile në zona të ndryshme të vendit.
Metodat
e ndryshme të udbashëve për arrestimin e atdhetarëve
Përpjekjet
e autoriteteve për arrestimin e Mulla Hoxhë Lipovicës u shoqëruan me përdorimin
e një spektri të gjerë metodash, të cilat shkonin nga presioni i drejtpërdrejtë
deri te taktikat e tërthorta të manipulimit psikologjik. Megjithatë, në këtë
proces u dëshmua se forma më efikase e ndërhyrjes nuk ishte dhuna e hapur, por
mashtrimi i institucionalizuar, i ndërtuar mbi shfrytëzimin e besimit dhe të
normave morale tradicionale. Në këtë kuadër, shefi i OZN-ës, malazezi Vojo
Vojvodiç, iu drejtua Hoxhë Lipovicës me atë që u paraqit si një “besë”, një
term me ngarkesë të thellë kulturore dhe etike në shoqërinë shqiptare, duke e
shndërruar premtimin shtetëror në një instrument manipulimi.
Sipas
këtij premtimi, në rast dorëzimi vullnetar, Hoxhë Lipovica do të përballej
vetëm me një dënim me burg, në përputhje me Ligjin mbi amnistinë, dhe jo me
dënim kapital. Ky sigurim synonte të krijonte një iluzion sigurie juridike dhe
morale, duke dobësuar rezistencën psikologjike të të ndjekurit dhe duke e
orientuar atë drejt dorëzimit pa përdorimin e forcës. Në thelb, bëhej fjalë për
një strategji të qëllimshme deeskalimi të konfliktit përmes mjeteve jo të
dhunshme në dukje, por thellësisht represive në përmbajtje, e cila synonte të
neutralizonte figurën e rezistencës pa koston politike dhe njerëzore që do të
sillte eliminimi i drejtpërdrejtë.
Kjo
qasje tregon se autoritetet, të ballafaquara me dështimin e masave klasike
represive, u detyruan të kalojnë në forma më subtile të kontrollit dhe
nënshtrimit. Mashtrimi, i maskuar si garanci ligjore dhe morale, u shndërrua
kështu në mjetin kryesor për thyerjen e rezistencës, duke dëshmuar se pushteti
jo gjithmonë vepron përmes forcës së hapur, por shpesh përmes manipulimit të besimit
dhe shpresës. Në këtë kontekst, rasti i Hoxhë Lipovicës shërben si shembull
domethënës i mënyrës se si aparati shtetëror përdori diskursin e ligjit dhe
premtimin e amnistisë për të arritur qëllime politike, aty ku dhuna e
drejtpërdrejtë kishte dështuar.
Aparati
i sigurisë shtetërore, i njohur për praktikat e tij represive, aplikoi ndaj
Hoxhë Lipovicës të njëjtat mekanizma presioni që kishte përdorur më herët edhe
kundër familjarëve të atdhetarëve të tjerë. Këto metoda konsistonin në
arrestimin dhe keqtrajtimin sistematik të njerëzve më të afërt të të ndjekurve,
duke e zhvendosur barrën e dhunës nga individi në rrethin e tij familjar dhe
shoqëror. Torturat e ushtruara ndaj familjarëve dhe miqve, ndjekja e
pandërprerë dhe komprometimi i jatakëve, si dhe operacionet e vazhdueshme
policore dhe ushtarake, krijuan një klimë të rëndë frike, pasigurie dhe
presioni të vazhdueshëm psikologjik, e cila minonte jo vetëm kapacitetin e
rezistencës fizike, por edhe atë morale.
Në
këtë kontekst, rezistenca ilegale u përball me një kufi të pakapërcyeshëm.
Intensifikimi i represionit dhe zgjerimi i tij ndaj personave të pafajshëm e
shndërruan qëndrimin në ilegalitet në një barrë kolektive, me pasoja gjithnjë e
më të rënda për popullatën përreth. Hoxhë Lipovica, i vetëdijshëm se hapësirat
për vazhdimin e rezistencës së armatosur ishin mbyllur pothuajse tërësisht dhe
se çdo përpjekje e mëtejme do të prodhonte vuajtje shtesë për familjarët dhe
mbështetësit e tij, u gjend përballë një vendimi tragjik, por të pashmangshëm.
Pas
më shumë se dy vjetë jetë në arrati, të shënuar nga fshehja, përndjekja dhe
pasiguria e vazhdueshme, ai vendosi të dorëzohej, jo si akt dorëheqjeje morale,
por si përpjekje për të ndalur zinxhirin e dhunës që po rëndonte mbi të tjerët.
Kështu, më 20 shkurt 1947, në Uglar, Hoxhë Lipovica u dorëzua së bashku me dy
djemtë e tij, Selimin dhe Qazimin. Ky akt shënoi përfundimin e fazës së
rezistencës së tij ilegale dhe njëkohësisht hapjen e një kapitulli të ri dhe të
errët, atë të përballjes së drejtpërdrejtë me aparatin represiv shtetëror, ku
rezistenca do të merrte forma të tjera, tashmë brenda kornizës së dhunës
institucionale dhe ndëshkimit politik. Po në të njëjtën ditë u dorëzua edhe
anëtari i katërt i grupit, Saqip Mehmeti, ndërsa anëtari i pestë kishte rënë në
duart e autoriteteve që në dhjetor të vitit 1946.
Procesi
gjyqësor i Hoxhë Lipovicës
Pas dorëzimit më 20 shkurt 1947, Hoxhë Lipovica dhe
djemtë e tij, Selimi dhe Qazimi, u vunë menjëherë nën arrest dhe u transferuan
fillimisht në burgun e Ferizajt. Më pas, procedurat hetimore u vazhduan në
burgun e OZN-ës në Gjilan, ku ndaj tyre u zhvillua një proces i gjatë dhe i
ngarkuar politikisht. Ndjekja penale u iniciua mbi bazën e Ligjit për vepra
penale kundër popullit dhe shtetit, një instrument juridik i përdorur
gjerësisht nga pushteti i pasluftës për të ndëshkuar kundërshtarët politikë dhe
pjesëtarët e rezistencës shqiptare.
Akuzat kryesore kishin të bënin me pjesëmarrjen e
drejtpërdrejtë në luftime kundër forcave partizane dhe me organizimin e
përleshjeve të armatosura gjatë viteve të luftës dhe të pasluftës. Nga
shqyrtimi i materialit gjyqësor rezulton se aktakuza u mbështet kryesisht në
dëshmitë e familjeve serbe nga fshatrat përreth, të cilat paraqiteshin si palë
e dëmtuar gjatë ngjarjeve të caktuara. Në të kundërt, dëshmitë e banorëve
shqiptarë, të cilët në disa raste e përjashtonin Hoxhë Lipovicën nga
përgjegjësia për ngjarje të caktuara apo ofronin alibi konkrete për mungesën e
tij në vendngjarje, nuk u morën parasysh nga organet hetuese dhe gjyqësore. Kjo
qasje selektive në vlerësimin e provave dëshmon për karakterin e njëanshëm dhe
politik të procesit gjyqësor, i cili parapriu dënimin dhe, në fund, ekzekutimin
e Hoxhë Lipovicës.
Gjykimi
i parë ndaj Hoxhë Lipovicës dhe djemve të tij u zhvillua më 5 maj 1947 në
Gjykatën e Qarkut në Gjilan, në një atmosferë të rënduar politike dhe me një
procedurë të karakterizuar nga mungesa e standardeve elementare të
paanshmërisë. Me aktvendimin e datës 22 maj 1947, gjykata e shkallës së parë e
shpalli Hoxhë Lipovicën fajtor dhe e dënoi me dënimin kapital – pushkatim,
ndërsa djemtë e tij, Selimi dhe Qazimi, u dënuan përkatësisht me 15 dhe 12 vjet
heqje lirie.
Megjithatë,
pas shqyrtimit të ankesave, Gjykata Supreme e Serbisë konstatoi se vendimi i
shkallës së parë ishte mbështetur në dëshmi të paqëndrueshme dhe shpesh
kontradiktore, duke e vlerësuar procesin si juridikisht të cenueshëm. Si
rrjedhojë, ajo e anuloi aktgjykimin dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes. Në
procesin e rishqyrtuar gjyqësor, i zhvilluar në dhjetor të vitit 1947, u vu re
një zbutje relative e dënimeve: Hoxhë Lipovica u dënua me 20 vjet burg, ndërsa
Selimi dhe Qazimi u dënuan me nga 16 vjet heqje lirie. Këto ndryshime
pasqyrojnë jo vetëm paqëndrueshmërinë e bazës provuese, por edhe karakterin
tërësisht politik dhe të luhatshëm të drejtësisë së kohës.
Nën
ndikimin e drejtpërdrejtë të presionit të organizuar nga qarqet serbe lokale
dhe strukturat e pushtetit komunist, Gjykata Supreme e Serbisë ndërhyri sërish
në proces, duke e anuluar edhe vendimin e dytë dhe duke urdhëruar një rigjykim
të ri. Këtë herë, rigjykimi u shoqërua me kërkesa eksplicite për sigurimin e të
dhënave shtesë nga organet e UDB-së, me synimin e qartë për të penguar zbatimin
e dispozitave të amnistisë që parashikonin lehtësime për personat e dorëzuar
vullnetarisht.
Në
rigjykimin e tretë, të mbajtur më 23 prill 1948, procesi u zhvillua me një
përbërje të re të trupit gjykues dhe me një aktakuzë të zgjeruar, e cila
përfshinte akuza shtesë të ndërtuara mbi baza të dyshimta. Në përfundim të
këtij procesi, Hoxhë Lipovica u dënua përsëri me dënimin maksimal – vdekje me
pushkatim. Ndërkohë, djemtë e tij, Selimi dhe Qazimi, u dënuan përkatësisht me
17 dhe 14 vjet burg të rëndë, të shoqëruara edhe me humbjen e të drejtave
qytetare. Ky vendim i fundit e vulosi përfundimisht karakterin represiv dhe
politik të procesit gjyqësor, duke e shndërruar drejtësinë në instrument
ndëshkimi ndaj një figure simbolike të rezistencës shqiptare.
Pas
një procesi gjyqësor të zgjatur për rreth shtatëmbëdhjetë muaj, i shoqëruar me
anulime të njëpasnjëshme dhe rigjykime të përsëritura, dënimi kapital ndaj
Hoxhë Lipovicës u bë përfundimisht i formës së prerë. Më 11 qershor 1948,
Gjykata Supreme e Serbisë e konfirmoi vendimin për dënim me vdekje, duke
mbyllur kështu rrugët juridike për rishqyrtim. Në vijim, Presidiumi i Kuvendit
të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë refuzoi kërkesën për falje,
dhe më 17 korrik 1948 dha urdhrin për ekzekutimin e dënimit.
Sipas
dëshmive të mbledhura më vonë, Hoxhë Lipovica e përballoi ekzekutimin me qetësi
dhe qëndrim sfidues, duke mos pranuar t’i mbylleshin sytë dhe duke deklaruar se
kishte luftuar për atdheun dhe se ishte i gatshëm të flijohej për këtë ideal.
Ky akt i fundit u përjetësua në kujtesën kolektive si shprehje e qëndresës
morale dhe bindjes së palëkundur në drejtësinë e kauzës së tij. Vendi i
varrimit të tij nuk u bë kurrë publik zyrtarisht; megjithatë, sipas gojëdhënave
dhe kujtimeve të të moshuarve të Anamoravës, ai besohet se është varrosur në
zonën e Gllamës, ku zakonisht i ekzekutonin shqiptarët e kësaj ane, në afërsi
të qytetit të Gjilanit, duke mbetur kështu edhe në vdekje i rrethuar nga
heshtja e imponuar e pushtetit të kohës.
Pas
përfundimit të procesit gjyqësor dhe ekzekutimit të Hoxhë Lipovicës, djemtë e
tij u dërguan për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara në institucione të ndryshme
ndëshkuese të Jugosllavisë. Selimi u transferua në burgun e Mitrovicës së
Sremit, ndërsa Qazimi u dërgua në burgun e Nishit, ku të dy e vuajtën dënimin
në tërësi, pa përfituar asnjë ditë lehtësimi apo faljeje. Kjo rrethanë dëshmon
për qëndrimin e ashpër dhe të pamëshirshëm të pushtetit ndaj familjeve të
identifikuara si kundërshtare politike.
Pas
përfundimit të vuajtjes së dënimit, Selimi dhe Qazimi u kthyen në vendlindjen e
tyre, në fshatin Lipovicë. Megjithatë, rikthimi nuk shënoi as fillimin e një
jete normale dhe as rehabilitimin shoqëror. Përkundrazi, ata u përballën me një
realitet të rëndë social dhe ekonomik, pasi, në bazë të Ligjit mbi të
ashtuquajturat “krime lufte” dhe dispozitave për konfiskimin e pasurisë, pronat
e familjes së tyre ishin djegur dhe konfiskuar nga pushteti sllavo-komunist.
Kështu, djemtë e Hoxhë Lipovicës u detyruan të jetonin në kushte skajshmërisht
të vështira, duke mbartur jo vetëm pasojat e dënimit penal, por edhe barrën e
ndëshkimit kolektiv që iu imponua familjes së tyre në periudhën e pasluftës.
Në
përmbyllje të këtij rrugëtimi hulumtues dhe interpretues, nuk mbetet tjetër
veçse t’i qasemi figurës së Mulla Hoxhë Lipovicës me ndjenjë të thellë pietetit
dhe respekti të merituar. Jeta dhe veprimtaria e tij, të shënuara nga
përkushtimi ndaj idealit kombëtar, sakrifica personale dhe qëndresa përballë
represionit shtetëror, përbëjnë një dëshmi të fuqishme të rezistencës morale
dhe politike të shqiptarëve të Kosovës në një nga periudhat më të errëta të
historisë së tyre.
Kujtimi
i Mulla Hoxhë Lipovicës nuk duhet reduktuar në një akt formal përkujtimi, por
të shndërrohet në një reflektim të qëndrueshëm mbi vlerat që ai përfaqësoi dhe
mbi çmimin e lartë që u pagua për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Vendosja e figurës së tij në kujtesën kolektive është një detyrim moral dhe
shkencor njëkohësisht, sepse përmes tij rikujtohet jo vetëm fati i një
individi, por edhe drama e një brezi të tërë që u përball me dhunën
institucionale për shkak të bindjeve dhe idealeve të veta.
Prandaj,
nderimi i veprës dhe jetës së Mulla Hoxhë Lipovicës, me pietet dhe lavdi,
përfaqëson jo vetëm një akt respekti ndaj së kaluarës, por edhe një thirrje për
përgjegjësi ndaj së ardhmes. Ai mbetet një figurë emblematike e rezistencës dhe
e qëndresës shqiptare, simbol i sakrificës së heshtur, i guximit moral dhe i
besnikërisë ndaj lirisë, vlera këto që vazhdojnë të mbeten themelore për
ndërtimin e një kujtese historike të drejtë dhe të qëndrueshme.









