Kulturë
Albert Habazaj: Emi Krosi – palombarja e flotës poetike të Ali Asllanit
E merkure, 04.02.2026, 06:54 PM
EMI KROSI - PALOMBARJA E FLOTËS POETIKE TË ALI ASLLANIT
Dy
fjalë të vogla për një vepër të madhe
NGA
ALBERT HABAZAJ
Rilevim
Së pari, ndihem shumë i lumtur e krenar
për besimin që studiuesja Emi Krosi tregoi ndaj meje për të shkruar disa
mendime kushtuar librit të saj kaq të bukur kushtuar veprës së plotë të poetit
Ali Asllani.
Emi Krosi është një autore e njohur
tashmë në disa rrafshe të letërsisë, mësimdhënies dhe kulturës, e cila, falë
fuqisë artistike të fjalës së shkruar, guximit për ta shikuar në sy botën
letrare me sytë e saj, jashtë çdo kompleksiteti dhe çështjesh joletrare, spikat
sot si një zë origjinal, me identitet dinjitoz në kritikën letrare, duke i dhënë,
me emrin e përveçëm të saj, gjallërinë e munguar tash sa dekada, frymën e re,
pamjen e shikimit të plotë të tematikave studimore, jashtë klisheve të lodhura,
jashtë çdo vështrimi shabllon, kufizuar bezdisshëm kornizash të ngurta.
Ndërkaq, ajo shquhet si poete moderne
dhe shkrimtare shqiptare me vlerë.
Ajo është mësuese letërsie në
profesion, që ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi.
Emri i Emi Krosit profilizohet
denjësisht si një studiuese e plotësuar me dije nga fusha e letërsisë, po aq
edhe nga fusha të tjera, që kanë lidhje të gjithmonshme me letërsinë e vërtetë,
siç janë antropologjia kulturore, sociale e juridike, etnokultura, etnografia,
folklori, filozofia, psikologjia, sociologjia me variantet e saj disiplinore të
fushës apo nëndisiplinat përkatëse në ndërthurje në funksion të objektit
shkrimor. Vështrimet origjinale, shkrimet kritike, opinionet, refleksionet,
esetë, hulumtimet, analizat dhe vlerësimet letrare, përfshi analizat
krahasuese, analizat teorike mbi poetikën femërore, letërsinë minore, reflektimet
mbi kritikën letrare dhe qasjet e reja në historiografinë letrare,
postmodernizmin dhe analizat poetike janë një ndihmesë e çmuar që e bëjnë
Krosin personalitet të përfshirë thellë në artin e fjalës dhe letërsinë bashkëkohore
shqipe.
Ajo nuk e trumbeton diturinë e saj, por
me thjeshtësi të bardhë, falë mirësisë fisnike të trashëguar, nga thesari i saj
leksikor, përzgjedh ato fjalë që lexuesit të sotëm i venë në shpirt, sikur të
ishin një krikëll birre me valë deti nga Vlora.
Kam bindjen se përfshirja aktive në çështje
të rëndësishme dhe delikate si qasjet kritike, vështrimet e thelluara, roli i
kritikës në letërsi (i cili, tronditshëm, ka vite e vite që është fishkur e
vyshkur ndër ne) apo edhe tema si interpretimi letrar, struktura e veprës dhe
qasjet analitike ndaj veprave letrare, sidomos të disa autorëve të mëdhenj por
me dritëhije siç është ky rast fatlum me Ali Asllanin që kemi në dorë, e bëjnë
Emi Krosin një figurë të dukshme, serioze dhe të besueshme të kritikës letrare.
Shpreh jo vetëm dëshirën, por patjetër besimin, se me emra të rinj dhe pa
komplekse ideo-politike si kjo penë e rëndësishme, kritika letrare do të
zgjohet nga amullia, do të dalë nga kriza dhe do të vijojë udhëtimin dinjitoz
në përditësim.
Në kujtesën e përditësuar, më vjen një
vajzë gege me imazhin e një shqiponje të paepur shkrimore, sikur fluturon me
krahë profetikë drejt viseve jugore, për të qëndruar mbi një bredh të bardhë si
bora në Vajzë të Labërisë, duke shqyer kafazet e mbyllur kraninore, duke shpërfillur
pozita të ngushta krahinoriste për të dëftuar kulturë qytetare.
Nuk mban syze të errëta shqiponja, në
fakt ajo nuk përdor fare syze. Emi Krosi, kjo shqiponjë e vetëdijshme nuk na
paraqitet vetëm si një studiuese e klasit, por si një misionare shembullore e
studimit të mirëfilltë të letërsisë, që e shikon me sy objektiv veprën e
poetit. Emi Krosi nuk po na shet akademizëm, edhe pse vepra e saj është e
nivelit akademik; ajo na dhuron dije, na fal njohuri letrare, sepse është një
intelektuale fisnike me begati shkrimtarie.
Me këtë vepër, ajo bëhet natyrshëm
MËSUESE për të tjerët: e qartë, e ditur, e thjeshtë, e plotë, e realizuar në
lëndën që trajton, në standardet dhe kriteret që kërkohet të plotësojnë punime
të tilla, si ky studim për Ali Asllanin, vepra që lënë gjurmë në kohë. Ajo vjen,
si përherë, por këtë rast gati unikale - për të shpërndarë vërtetësi letrare të
bukur të një arti aristokrat, për të shijuar mjaltin e gurrës popullore, për të
ndjerë kënaqësinë e poezisë elegante, ndërkohë po aq gjithëpërfshirëse në jetën
e përditshme të shqiptarëve dhe, po aq fshikullues për politikës, që polli ky
vend, për të rrezatuar mirësi njerëzore…
Duke lexuar dhe studiuar këtë punim të
mirëfilltë dhe të plotë shkencor të Emi Krosit për lirikun e madh shqiptar Ali
Asllani nga Vajza e Vlorës, mund të them se studiuesja është futur në lëkurën e
autorit si askush tjetër deri më sot, ndoshta dhe më mirë se çdokush tjetër i
mundshëm.
Gjatë leximit, më saktë gjatë studimit
të veprës që kemi në dorë, do të vërejmë se sa bukur e natyrshëm kjo gocë
matjane është vlonjatizuar!...
Harta e relievit
Ndërtesa shkrimore përbëhet nga lënda
ndërtuar me dy kre. Ky studim monografik, herë - herë, më vjen si imazh i një vile,
apo më mirë i një vilete dy katëshe, i një shtëpie të bukur, si kartolinë
mbushur me motive dashurie atdhetare e sociale, ku feksin relievet sa romantike
aq realiste. Po aq punimi i studiueses shembullore Emi Krosi më ngjan me një
kopsht magjik, ku shquajnë që përtej dy pemë me trup të shëndetshëm, me rrënjë
të thella dhe degë gjithmonshmërisht të gjelbra.
Kreu i parë është një
panoramë substanciale e autorit, të cilin studiuesja ka marrë në shqyrtim, si
dhe dukurive letrare që ai shfaq, natyrisht ndërthurur me dukuritë sociale, politike
e atdhetare, që mbart e pa të cilat nuk mund të kuptohet Ali Asllani. Ky kre përbëhet
nga tri pjesë, ku pjesa I Përtejhyrje, mbushet me 4 sytha shpërthyes që rriten
e rriten: 1. Mbi/përtej censurës, 2. Koha dhe leximi, 3. Tejkalimi i realizimit
përmes receptimit të hapur, 4. Letërsia politike si angazhim apo mision? Pjesa
II: Poezia politike, 1. Poezia atdhetare, 2. Simbolika e Vlorës në poezinë e
lirisë asllaniane, 3. Metafora e qytetit si liri dhe qëndresë, 4. Simbolika... dhe 5. Funksioni i figuracioneve
poetike në poezinë atdhetare; Pjesa III: Poezia socio - shoqërore, 1.
Poezia satirike, 2. Pamfleti politiko/ socio - shoqëror “Hakërrimi” dhe 3.
Ironia dhe sarkazma, elemente postmoderne në poemën “Hakërrimi”.
Kreu i dytë, si një
ndërtesë elegante e studimit serioz të autores Krosi, po ashtu, ka një strukturë
të konsoliduar me 3 kate, ku pjesa I - Lirika
familjare vjen si një mëmëzonjë letrare tradicionale me huqet e nazet e saj, që,
me ngjyrat e kontrastit i japin një hije të rëndë, por nuk të shkakton
bezdisje, veçse të fut në një situatë çlodhëse, dëfryese, të gëzueshme, të ëmbël, si melodramë aristokratike.
Sikurse autorit për ta thurur lirikën, edhe studiueses për të realizuar një vështrim
të thukët mbi tekstin poetik me analiza gjuhe e stili, u është dashur kohë për
të qenë secili ballëhapët përpara shoqërisë letrare dhe kulturore. Këtë kre
mund ta quaj një ndërtesë madhështore me shumë zbukurime,
sepse lirika familjare e Ali Asllanit është vërtetë një saraj i këndshëm për
t’u pasur zili (dhe jam i bindur që e kanë pasur zili apo janë motivuar e
frymëzuar boll poetë nga ky lloj vjershërimi i poetit, jo vetëm në formë). E ky
saraj ka 8 oda lirike të studimit që ka ndërtuar (në kuptimin e vërtetë të
fjalës) ustallesha Emi Krosi, kjo mjeshtre e kritikës letrare të veprës së
plotë të Ali Asllanit. Secila odë ka emërtimin e saj: 1. Poema satiriko-familjare “Hanko- Halla”, 2. “Lufta” mes vjehrrave dhe nuseve dhe
anasjelltas, 3. Konflikti “gruaja e re”/ “gruaja e
vjetër”/ “gruaja moderne”, 4. Marrëdhënia mes brezave,
gjyshe/nënë/vajzë/mbesë përmes linjës së tamblit,
5. Elemente etnokulturore/etnofolklorike/ etnografike, 6. Hanko - Halla si interteks dhe
palimpsest, 7. Imazhe dhe simbolika përmes lirikës së vendlindjes, 8. Marrëdhënia e lirikës me poezinë popullore. “Hanko Halla” është
shkruar në një kohë të caktuar dhe hapësirë konkrete dhe, veç vlerave të
klasifikueshme letrare, ka vlera njohëse të domosdoshme. Studiuesja ka
përveshur llërët, jo thjesht në kuptim figurativ të fjalës, por e kalon në
skaner Ali Asllanin, për artin e të shkruarit, mesazhet që përcjell
“Hankoja...”, aftësinë depërtuese të autorit në filozofinë popullore dhe
psikologjinë e njerëzve që angazhon në poemë dhe ndoshta jo vetëm aq, është e
gjithëkohshme, mbarëhapësinore, universale. Pjesa II - Lirika
erotike, aq delikate dhe e mahnitshme sa është në vjershërimin e aristokratit të
fjalës poetike, po aq me kompetencë dhe mendje të hapur shqurtohet nga
studiuesja jonë e njohur. Ali Asllani këndon aq lirshëm e ndihet i
gjithpushtetshëm si pakkush në lirikën erotike, po ashtu Emi Krosi është
zotëruese e tekstit të shkruar dhe shpërfaq vlera të shqueshme si kërkuese e
thellë dhe e guximshme e “heroit” të saj. Në pjesën Lirika erotike autorja trajton këto
pika: 1. Erosi dhe letërsia shqipe, 2. Dekodimi i simbolit të vajzës/çupës/gruas, 3. Koncepti
i erosit si dashuri dhe dashuria përmes erosit. Ndërsa pjesa III vjen si një antropologji letrare për lirikun e madh shqiptar,
ku vështrimi kritik i Krosit rrok këto katër fusha: 1. Përmasa e relievit stilistikor asllanian, 2. Etnopsikologjia/sociolekti dhe
etnografia e Labërisë si pjesë e lirikës asllaniane, 3. Receptimi dhe kritika moderne/postmoderne e lirikës së
Asllanit, 4. Frazeologjia e gjuhës poetike asllaniane.
Është një tekst që
prek qasjen analitike mbi perceptimin, dëgjimin dhe këndimin e veprës poetike të
Ali Asllanit dhe vendin e saj sipërsor ende të mohuar apo të dhënë si copa të
shqyera nga e tëra në letërsinë shqipe.
Kaq e quajta të
nevojshme për lexuesin, që të bëj një paraqitje të vogël, pa u futur në imtësi
argumentuese, po ashtu, nuk është në natyrën time që të zbërthej librin, se
ç’kuptim ka pastaj leximi e këndimi nga ata që do ta marrin në dorë këtë libër
me vlera të shumta qytetarie dhe letërsie autentike. Do të mundohem të kap
ndonjë element shprehës a simbolik të veprës së autores.
Dhe dy fjalë për palombaren dhe lirikun
Do të më falni, ta flak tej modestinë
për pak çaste, por duke qenë një njohës i Ali Asllanit dhe krenar me lirikun
tonë të madh e unikal, ndihem i lumturuar që një studiuese e re, zonjushe e
fjalës së shkruar, vrojtuese e hollë, këmbëngulëse dhe e vullnetshme në
misionin e saj, serioze, me synime të larta, me këtë punim na tregoi se si mund
të arrish të korrësh frytet e punës në fushën që mbjell vetë me punë e mund, pa
u lodhur, pa u tërhequr, me ndershmëri profesionale të shkallës së lartë.
Ali Asllani, ose xha Aliu, siç i flasim
ne, shoqëria poetike në Vlorë, është një poet i pakrahasueshëm me të tjerët,
por të tjetët më pas kanë marrë nga ai. Ai është emblemë kulturore atdhetare.
Nuk ka nevojë ta zbërthej këtë shprehje. Njihet që
veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë, dhe në shumë
fusha të jetës politike, diplomatike e shoqërore, kulturore - artistike dhe
letrare.
Ali Asllani dha një
ndihmesë të shquar dhe të pazëvendësueshme, si intelektual dhe patriot, si
pushtetar dhe diplomat, e në të gjitha këto fusha ku punoi la gjurmët dhe
shembullin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.
Lidhja e madhe e
krijimtarisë se Ali Asllanit me këngën popullore të Labërisë, gjithmonë do të
përbëjë një nga karakteristikat themelore të poezisë së tij. Ai ka pirë ujë të
kulluar në gurrën e pashtershme popullore të folklorit të Labërisë, por vlera e
tij merr përmasa më të larta, se veç krijimtarisë së tij brilante, shumë poetë
popullorë të mëpasëm, me emër të dëgjuar në këngën labe, kanë pirë ujë letrar
në gurrën e kthjellët e të pasur me vitamina shpirtërore të xha Aliut.
Ndërkohë, janë shumë poezi të tij që janë këngëzuar sipas stileve muzikore të
grupeve të ndryshme të Labërisë, jo vetëm në Lumin e Vlorës, por edhe më gjerë,
duke e zgjeruar atlasin poetik të Lirikut të madh lab hapësirave të larta të
këngës popullore shqiptare, përditësuar edhe në muzikën tonë të lehtë.
Emi Krosi me këtë libër
na thotë: Nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. E mënjanuat, e fshehët, e
harruat, e sakatuat, e… Boll më!
Sakaq, Emi Krosi na ka
dhënë Ali Asllanin e vërtetë me poezinë e tij të shndritshme lirike, me të
gjitha llojet e luleve poetike që mund të ketë një kopsht lirik, na ka dhënë
poezinë e vërtetë të xha Aliut, e cila nuk është poezi akariumi, por është
poezi e frymëmarrjes së lirë, e thurur me sqimë, me dëshirë e dashuri, me
dëlirësi dhe elegancë, me atdhetari të gjithëkohshme dhe inteligjencë
emocionale. Ç’i bukur art!
Ai Ali Asllan i madh, aq i njohur e i
ditur, aq fisnik e i shndritshëm, sa lirik i shquar, aq diplomat i zoti (në të gjitha
pikëshikimet e mundshme) qyshkur i kishte
tejkaluar përmasat e Atdheut. Sa shumë i dha historisë së Shqipërisë, kulturës
dhe poezisë shqiptare dhe sa pak e vlerësuan! Ç’vlerësim?! E lanë në hije, e
harruan, qëllimisht e harruan, se i eklipsonte drita e tij. Dhe harresa është
vdekje me frymë. Disa libërtha edhe ia botuan.
Unë, ndër vite, aq sa kam mundur, kam bërë
disa përpjekje shkrimore apo disa sprova për të dhënë Ali Asllanin - dashnor të poezisë së vesuar, spektrin historiko-letrar të një kohe të
trazuar, të çuditshme dhe të pakthyeshme, si dhe dritëhijet dhe veprën e
rrallë “Mbreti ynë”, 1935, që mori në qafë lirikun e madh. Asnjë autor tjetër
nuk është marrë me këtë vepër. Emi Krosit i ra në sy kjo përpjekje e thjeshtë,
por e vërtetë imja, e tërhoqi për synimin e saj të madh dhe i kushtoi vëmendjen
e nevojshme.
Mbas ardhjes së demokracisë, Ali
Asllanit iu botuan disa libra me nëntitullin poezi të zgjedhura, botime e
ribotime, madje përgatitur nga firma me peshë në letërsinë shqipe, por
çuditërisht apo... Ky poemth nuk u botua që nuk u botua... Përse? Klasifikohet letërsi politike? Edhe... Poeti
nuk jetoka këtu?! Është jashtëtokësor?! Jo, mor jo! Është njeri si gjithë të
tjerët, me të mirat e të këqijat e tij, me virtytet dhe veset, veçse është
njeri me shpirt të ndjeshëm, që priret nga e bukura, që frymëzohet dhe frymëzon
të tjerët me magjinë mrekullore të fjalës së bukurshkruar në vargje.
Dhe ja sot, vjen dita të shprehemi të kënaqur
se autorja Emi Krosi është meritëplotë për këtë dhuratë të madhe kulturore (jo
vetëm kritikë letrare) që na fal kaq bujarisht, pas një pune të mundimshme shumë
vjeçare, duke u përballur edhe me pengesa nga më absurdet, që na zënë ende rrugën
ca mendjepakët.
Dhe një fjalëz për Ali Asllanin
Për lirikun e madh të Vlorës,
të Labërisë, Ali Asllani (28.11.1984-20.12.1966), i cili është një lartësi
kombëtare jo vetëm e poezisë shqipe, por mbarë kulturës kombëtare, shumë është
folur, por pak është thënë. I lindur në Vajzë të Lumit të Vlorës, i rritur në
dajorit e tij në Meminaj të Trevllazrit - Vlorë, i arsimuar në Janinë e
Stamboll, ai, sa qe një lirik i shquar, ishte një diplomat i zoti. Si duket, qe
dërguar në Tokë për t’u bërë një Tempull i Marrëdhënieve Vertikale me ato
Horizontale të Shqipërisë së kohës kur jetoi e bëri emër të lartë. U tregua një
mjeshtër i madh i komunikimit njerëzor, sa me botën e brendshme, po aq në
marrëdhëniet me botën e jashtme. Sa e kemi shijuar ëmbëlsinë mjaltore të
lirikave të tij me “Gugu- gugu, guguftu”, “Vidi-vidi pëllumbeshë”,
me zonjën Lu, apo fshikujt ironikë të satirave me Hanko
Hallën, po aq e kemi ndjerë zemërimin e tij të rëndë, dhimbjen e thellë të
revoltës shpirtërore dhe protestës hidhërake ndaj padrejtësive sociale që
pillnin ata, që “të pabrekë i gjeti dreka/ milionerë i gjeti darka”,
nëpërmjet vargjeve pelin të “Hakërrimit”. Xha Aliu sivjet (2026) mbush
60 vjet që ka ikur tek yjet të na bëjë dritë andej, por ai më duket sikur është
sipër nesh e na shikon, na fshikullon e na ndëshkon me hidhërimin e shpirtit të
tij që është Akuza e Drejtësisë shqiptare në Vargje ndaj botës së maskarenjve
në kohën e çakejve me aksione, monopole ... “Hakërrimi” i xha Aliut
është Droni i shpirtit sa poetik, aq njerëzor i Mirësisë ndaj Ligësisë, i
Virtytit ndaj Vesit, i cili kontrollon dhe qëllon nëpërmjet vargjeve
bërthamore, do të thoja, jo vetëm në Shqipëri, por gjithandej realitetit
ballkanik nga Greqia në Bullgari, nga Maqedonia e Veriut në Mal të Zi, nga
Kroacia në Serbi, nga Bosnjë -Hercegovina e Kosova jonë, edhe ato “hisetë”
europiane të Turqisë dhe Rumanisë, ndonjëherë dhe Sllovenisë, Hungarisë a
Moldavisë, pa harruar vende të tjera, që nga Italia deri në Francën e Volterit
(autorit të tij më të dashur). Po në Nepal vallë është lexuar Ali Asllani?! Po
në Shqipëri kur do të lexohet me këmbë në tokë e pa syze?!...
Ali Asllani më kujton autorët e
Antikitetit, që ishin të plotësuar me dije nga shumë fusha, si letërsia, artet,
matematika, fizika, astronomia, drejtësia, diplomacia, lufta etj.
Gjykoj se, fakti që në vitet
1930, ai përfaqësoi Shqipërinë në misionet diplomatike jashtë, si konsull në
Trieste, apo si ambasador në Sofje e Athinë, e ka ndihmuar poetin atdhetar e
diplomat, që, pasi e ka vëzhguar e njohur mirë botën e atjeshme, ndoshta deri
në imtësitë e jetës së përditshme, po aq sa vendin e tij dhe pasi ka hequr
paralele midis mikrobotëve të shteteve ku shërbente me shtetin e tij, i ka
krahasuar këto marrëdhënie në laboratorin autorial deri sa na dha Veprën Humane
Universale “Hakërrimi” shpatë e mprehtë sa të ketë padrejtësi mbi këtë dhë. Se
ai ishte poliglot, erudit, që zotëronte frëngjishten, italishten, greqishten
dhe turqishten, po aq sa shqipen, se qe lartësi intelektuale, qytetare dhe
atdhetare, se qe mik i të gjithë lartësorëve, që nga Gjergj Fishta e Lasgushi,
që e donte aq shumë, deri tek novelisti indian Rabindanat Tagora apo klasiku i
poezisë greke Kostis Pallamas i Himnit olimpik. Na duket mbushmendës se
pikërisht vizioni i tij tutje, si një diplomat klasi i kthjellët, është një
pikë kyçe që “Hakërrimi” ka sa vlera kombëtare, aq ndërkombëtare në
luftën e përjetshme dhe të përbotshme të Drejtësisë me Padrejtësinë, të vesit
me virtytin, të së mirës me të keqen.
Jo vetëm për faktin se qe i
ditur e poet, shtetar e pushtetar, atdhetar, sa romantik e iluminist, aq
realist, luftëtar e diplomat, (arkitekt e quajnë në Vlorë, se ideoi Kullën e
Sahatit përballë Postës Qendrore dhe Kullën e Flamurit te Sheshi i Flamurit), në
kujtesën sociale ai do të jetë imazh i Dishepullit të Aristokracisë së
Lirikës shqiptare dhe diplomacisë sonë të çdokohëshme. Ky është për ne Ali
Asllani, poet aristokrat dhe diplomat klasi.
Për mendimin tim, si tek askush poet
tjetër shqiptar, Ali Asllani me poemthin “Hakërrim”,
që i ka vënë nëntitullin “Hani, pini e
rrëmbeni!”, shkruar në vitin 1942, ka realizuar detyrën ndaj “Atdheut të shqiptarëve” dhe misionin
historik ndaj kombit me një fuqi artistike të pashoqe dhe me një ndjenjë
atdhetare të zjarrtë si prej rilindësi të shndritshëm.
Operacioni letrar i kirurges kritike
Emi Krosi doli me sukses dhe, falë profesionalizmit të saj human, ne tashmë
kemi të plotë këtë Ali Asllan, i cili qëllon fort e pa mëshirë mbi veset e
ulëta dhe mbi fenomenet negative, prandaj shprehemi që “Hakërrimi” nuk është vetëm një pamflet satirik që rrok një temë të
mprehtë, e cila dhemb keq e thellë, fatkeqësisht ende aktuale në hapësirën dhe
kohën që jetojmë. “Hakërrimi” nuk është
vetëm një qëndrim poetik qytetar në vargje që godet ashpër shfaqjet e shëmtuara
të jetës socio-politike. “Hakërrimi” është shpata e Demokleut “përmbi krye të zuzarëve”.
Krosi ka nxjerrë në pah dhe ka
zbërthyer jo thjesht jetën hedoniste aq të shfrenuar të atyre që “të pa brekë i gjeti dreka e milionerë i
gjeti darka” edhe më tej rrafshit të konceptit letrar - filozofik, por na
ka gdhendur, si një skulpturë shkrimore mjedisin njerëzor, që vetëm fasadën
kishin perëndimore, stigmatizuar e damkosur si ai nga poeti i “Hakërrimit”. Qasjet kritike, vështrimet
krahasimtare që bën bën autorja na vijnë si shëmbëlltyra të habitatit kafkian
me absurditetin, ankthin, frikën, pafuqinë dehumanizimin, mjedisin ku njeriu
shtypet nga sistemi absurd, i ftohtë dhe i pakuptueshëm, që e bën të ndihet i
pafuqishëm dhe i huaj.
Me këtë monografi shkencore, Emi Krosi,
shpërfaq njohuri të gjera dhe përgatitje të shumanshme, domosdo shije të lartë
estetike dhe mjeshtëri në paraqitjen e tezave letrare dhe ideve të përpikta, kështu
që, ajo, jo vetëm na ndihmon si lexues të kuptojmë drejt dhe të vlerësojmë veprën
e Ali Asllanit, por na e sjell në kohë veprën e tij, duke e analizuar më thellë
dhe në mënyrë të gjithanshme si fenomen letrar që e bën shoqërinë më të mirë, më
të bukur, më të dobishme. Ajo gjykon se në këtë sistem moral të deformuar, të
krijuar nga pusht-etarët për të kontrolluar njeriun dhe gjithçka që përbën
situatën e realitetit shqiptar mjerisht të derisotëm, që si koncept letrar-etik
quhet morali orwellian, “Hakërrimi”
është, si të thuash, SPAKU poetik i shpirtit qytetar të shqiptarëve të ndershëm.
të zot, të denjë për të përparuar duke u përmirësuar, jo duke vjedhur
barbarisht, duke u majmur si derra të neverishtëshm lluce.
Është e vërtetë që “Hakërrimi” është vlerësuar si një poezi
kritike kundër korrupsionit dhe asaj që ai e quante “koha e çakenjve” në
shoqëri. Emi Krosi, me arsyetimin logjik dhe kulturën e teorisë së letërsisë që
zotëron, e tejkalon këtë konstatim të drejtë, por ende jo qartësisht dhënë
pamja e poemës nga kritika e derisotme, si një pamlet politik socio/shoqëror,
ardhur në vargje të fuqishme, tronditëse, maskëçjerrëse
Emi Krosi është e vetëdijshme se ndonjëherë
ndodh që për njerëz të artit të shkruhet postmortun. Por ajo është e shqetësuar
se pse ende ndodh që e vërteta të "të mbulohet". Dhe ndan të vërtetën
me ne se kjo ka ndodhur me veprën e lirikut vlonjat Ali Asllani. Vërtetë
diktaturat kanë censurur çdo vepër që bien në kundër ne ideologjinë e tyre,
përmes ndalimit të botimit dhe censurës. Por censura, akoma po ndodh dhe në
post/modernitet. Dhe vë pikën mbi i.
A është censuruar, vepra e Ali Asllanit? Po! Bëhet fjalë për mosbotimin kurrë
të poemës “Mbreti i ynë” (Asllani: 1936) përse vallë? I censuruar në demokraci
dhe postmortun? Akoma etiketohet si "zogist". Po ata/ato sot që shkruajmë
nën të ashquaturat epoka "enveriste /socialiste /komuniste /neokomuniste
/populiste /progresiste etj., si duhen të quhen? Por shtrohet pyetja: a është
Ali Asllani një disident? Pse censura kundër tij? Por çfarë kuptojmë me fjalën
censurë: [censúr/ë,-a emër i gjinisë femërore; kontrolli i veprave para se të
botohen a të shfaqen; kontrolli i letrave, i telegrameve etj. para se t’u
dorëzohen marrësve; organ që merret me këtë detyrë: censurë ushtarake
(shtetërore); kaloi pa censurë (edhe fig.) kaloi pa kontroll, lirisht].
Dhe natyrshëm vështrimi krahimtar i
kritikes rrok përmasa ndëkombëtare, jo thjesht për të hequr paralele ndër poetët
e botës, por të vënë në funksion forcën e logjikës. Pa e parë të nevojshme të bëjë
një retrospektivë tek gjeniu Gëte i kohës së stuhisë dhe vrullit (tek poetët
para kohës së tij apo më pas), asaj i mjafton shekulli XX për të shprehur se ka
shumë poetë botërorë që kanë shkrura për mbretër dhe udhëheqës të kohës së
tyre. Por, nuk janë censuruar as “hakërryer” kundër shkrimeve të tyre, sidomos
letrare. Poeti amerikan i shek. XX Allen Ginsberg, ka shkruar poemën “America” në vitin 1956, ndërsa ai ishte
në Berkeley, Kaliforni. Ajo është pjesë e përmbledhjes së tij [“Ulërima”], dhe poezi të tjera të botuara
në nëntor 1956 (Ginsberg: 1956), ku vepra e tij u dënua dhe poeti u burgos, për
“diskretim” të Amerikës, sepse ai e shihte atë si si "model" krimi/
dhune/kontrabande/ racizmi etj. Por ngjashmëria apo analogji me realitetin e
kohës “donkishoteske” të polikës së dallavere/të plaçkitësve/të hajdutëve/ të
korruptuarve, përngjasmon me ulërimën klithmuese të poetit rebel demokrat,
vlonjat të një shekulli më parë (shekullit XX). Kohët ndrydhojnë. Vitet.
Shekujt. Popujt dhe kombet. Demokracitë kanë forma të ndryshme, që nga
demokraci sociale moderne, deri tek ato liberalet dhe “demokracitë hibride”,
por mendësitë e popujve nuk ndryshokan. Lirika është kategori themelore
poetiko-letare, si një sistem që kalon nga e përgjithshmja drejt personales, nga
retorikja drejt emocionale (Selimi: 2022:51). Receptimi i lirikës asllaniane të
post/modernizmit në çdo gjë, art, letërsi, kulturë, politikë, mendësi është
akoma një rebelim, ashtu si poeti anglez Roger McGoug është ndër poetët e
njohur bashkëkohës anglezë. Ndryshe nga përfytyrimi që kanë shumë shqiptarë për
letërsinë dhe poezinë moderne, McGoug nuk e ka për gjë të shkruajë poezi
politike dhe tepër sociale. Drejton në «Radio 4», në njërën ndër mediumet më
elitare të massmedias britanike, një emision të orëve të vona, të quajtur “Pak poezi, ju lutem”. Vargjet: “Politikanët/ Të cilët po blejnë vetura të
mëdha/ Me rrota sa karuselet/ Kanë sajuar një plan të ri,/ Duan të na vënë
gurë/ kalldrëmesh,/ Në gropat e syve,/ Pastaj zhavorr/ Nëpër kërthiza;/ Mbi ne/
Duan të shtrojnë asfalt/ Dhe të na shtrijnë/ Bri njëri - tjetrit;/ Kështu që
ne/ Të mund të marrim pjesë më aktive/ Në rrugën e shkatërrimit” [marrë nga
poezia “Politikanët”. Por censurimi i
botimeve, para ’90-ës, me heqje dhe vënie shënimesh nga redaktorët dhe pas
viteve ’90-të, përsëri nuk u botuar kurrë poema, por vetëm si libërth i vogël
më vete, që nga vitet 1935-`36. Unë në një shkrim të gjatë, botur tek gazeta
“Nacional” (Habazaj: 2022), kam dhënë disa argumente, sesi u censurua vazhdimisht
poezia e Asllanit, vetëm e vetëm se ai ka shkruar poemën për ish-Mbretin në 10
faqe. Më vjen mirë që studiuesja Emi Krosi, ato arsyetime që kam përdorur, i
quan argumente shteruese.
Hakërrimi sipas Emi Krosit
Kam bindjen se ky punim shkencor i
autores do të lerë gjurmë në ndërgjegjen morale dhe estetike të shoqërisë sonë
në rrafshin e emancipimit shpirtëror dhe zgjimit qytetar dhe politik. Këtë vlerësim
të plotë të poezisë lirike të poetit, i cili, për mendimin tim, është monumenti
shkrimor më i ndritshëm, pati mundësinë dhe mirësinë ta realizojë Emi Krosi.
Sidomos poema “Hakërrimi” e Ali Asllanit dhe analiza e thukët për të arritur
tek sinteza e re që i bën veprës Emi Krosi janë në lartësi, në majë, dhe, se
cila në fushën e vetë, me fizionominë morale dhe artistike të pasqyrimit kohor,
qëndrojnë në një nivel, si paralele të larta.
Është i dukshëm ndimimi i fjalës së
shkruar të Krosit në edukimin letrar dhe qytetar ende keq të shkalafitur. Nëpërmjet
këtij punimi, e shikoj autoren si një penë të ditur, të kthjellët e të qartë, që
vjen si një firmë gjurmëlënëse në kritikën letrare dhe nismëtare e frymës së re
që futet çlirimtarisht në këtë nënfushë shkencore të vështirë, por aq të
domosdoshme të teorisë së letërsisë dhe kritikës letrare.
Me këtë trajtesë, edhe si vështrim krahasimtar
tej rrafshit lokal, ndërkombëtarisht, siç e kemi shprehur, Krosi e shikon “Hakërrimin”
si një poemë pamfletiste, (po citoj) “ku ndodh fenomeni simulakrun, duke e vënë
lexuesin në dilemë si bashkautor, duke kuptuar se çfarë fsheh “realiteti” dhe
si mund ta njohim atë dhe përtej fiksionit të historiografisë, dallimi mes
realiteteve të shkruara dhe fakteve reale (kuptimësia përmes alegorisë së
shoqërisë shqiptare dhe korrupsioni shtetëror prej mëse 30 - vitesh), na afron
njohjen e ironisë në dy forma: si ironi e fjalës dhe si ironi e situatës
(Apolloni: 2016:137), sepse ironia është dhe proces ligjërimi, ku gjuha
ligjëruese dallohet qartë:
a) përmes ironisë: ironia dhe
superrealja janë parime post/moderniste, ku stimulimet zëvendësojnë të vërtetën,
ku kuptimi mbi të vërtetën ndërmjetësohet nga stimulimet e së vërtetës (Dado:
2020:129), pra realiteti shqiptar i sotëm stimolohet përmes ironisë;
b) përmes satirës dhe sarkazmës:
situatat e romanit të bëjnë të qeshin dhe ironia e
sarkazma e bëjnë akoma më groteske,
teksa mpleksen aty fantazia, rrëfimi, përshkrimi, humori, ironia, metafora dhe
alegoria, satira dhe sarkazma, duke sendërtuar një realitet të djeshëm dhe të
sotëm të Shqipërisë, deri dhe në nota burlesku.
c) përmes parodisë: parodia postmoderniste
e lejon shkrimtarin të vendosë një marrëdhënie
dialogjike, në formë të fjalorit të
dyfishtë, që mbart dhe gjuhë post/moderniste të receptimit, kemi një përmbysje
të realitet dhe shtrembërimim të tekstit (Gross: 2011:146). Teksti i Asllanit,
ka plot situata parodike, me plot humor por sidomos me doza të mëdha sarkazme;
d) përmes paradoksit; si elemente dhe
të menduarit, në raportet e romanit me realitetin,
sidomos në ndërtimin e personazheve dhe
marrëdhëniet e tyre me shoqërinë që i referohet, ku dhe perceptimi haspinor dhe
kohor në romanin post/modern, ndryshon konceptin e kohës dhe hapsirës, duke e
shkatërruar këtë dallim të dimensioneve kohore dhe hapsinore të çuditshme,
përmes trasformimeve artistike, që të krijon ndjesinë e një koncepti tjetër hapsinor:
e) përmes alegorisë me “Fermën e
kafshëve” (Orwell:
2006), ku shkelet dhe “kushtetuta e kafshëve”. Një kombinim perfekt për të
kuptuar forcën, kumtin përçues tek lexuesit e këtij romani, jo vetëm si
stukturë individuale por dhe si stukturë psikologjike (Holton: 1973), sepse artistët
postmodernë e përçmojnë ose janë thjesht indiferentë ndaj teorizmit në art.
Pra, satira politike shpesh synon të
bëjë më shumë dëme, të shkatërrojë; kjo ndoshta shpjegon egërsinë e saj. Por,
satira e ka një mënyrë për t’i vënë përdoruesit e saj në skajin e politikës,
shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën
(Laux: 2023). Loja e autorit në poemë, pasqyron gjithë arenalin e politikës
shqiptare, që nuk ndryshon nga koha asllaniane, dhe pse jemi në vitin 2026, në messhekullin 21.
Dhe pse ironia dhe sarkazma, janë
elemente të post/modernizmit: si pjesë e elementeve të postmodernizmit, në
shumë teksteve poetiko-romanore, është dhe ironia dhe sarkazma, ku njeriu bëhet
sa qesharak aq dhe groteks, në një botë të madhe globale, ku shoqëria dhe
njeriu, po bëhet më shumë antisocialë.
Duke qenë se elementet posmoderniste, kanë karaktere si: dehumanizmi,
ironia, sarkazma, që herë-herë, radikalizohet deri në humor të zi, grotesk
etj., në të gjitha format e saj, kjo lloj gjinia (proza/poezia) duke stimuluar:
absurdin, humorin, farsën etj., fragmenton në forma të përmbysura, realitetin e
jetës njerëzore. Pranimi i kaosit në prozë, në formën e double code (kodi i
dyfishtë) i alegorisë, në të gjitha shtresat kuptimore, e bën satirën/alegorinë
një mjet shprehës, për të dhënë një kuptim më të gjerë për çështjet dhe
ngjarjet e jetës reale:
- zhgënjimeve të thella për dukuritë
shoqërore dhe sociale,
- fasadë kozmopolite me maska
hipokritësh qeveritarë dhe partiakësh në shoqërinë
shqiptare. Forca dhe fuqia transmentuese
e vargjeve të tilla si: “Dallavera nëpër zyra, dallavera në
pazar,/dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’/Vetëm, vetëm dallavera, dhe
në dëm të këtij vendi/që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!/
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,/dylli bëhet si të duash,
kukuvajk’ dhe dallëndyshe…/kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar, /nënë
dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!/ Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla
dallavera/kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…/Ja, ja grushti do të
bjeri përmbi krye të zuzarve,/koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve”.
Ato duket se vijnë si pjesë të ndara të
mendimit të poetit. Një poet i dyzuar mes rebelimit dhe vetmisë këlthitëse. Kjo
ngjeshje figurash stilistikore, na sugjeron:
- kuptimi
i poezisë në formën klasike,
- leximi
i disahershëm përme vetëdijes së përmbysur,
- si
kuptimësi krahsimeve vargore dhe strofore,
- kodi
i përdorimit të fjalës në konteksti poetik,
- kodi
i përdoromit të fjalës nga gjuha e përditësisë,
- ngjyresa
shtresore kuptimore.
Poezia (poemthi) lidhet me emocionin
dhe me idenë që përçon, sepse ngjyresat dhe asociasionet e fjalëve nuk janë vetëm
në funksion të edukimit artistik, por jo më pak japin mesazhe të qarta në shërbim
të vetëdijes qytetare për të ngritur zërin, për të protestuar, për t’u bërë
bashkë e në këmbë si një lumë i mbytshëm të neveritshmit që kanë bërë zullume e
duan të bëhen mbretër në republikë.
Ali Asllani me dy monumente
Pa drojë mund të themi se “Hakërrimi” është
arketipi i poezisë së kushtrimit socio-politik, ndërsa tër vepra letrare e Ali
Asllanit është ndër më të bukurat në poezinë lirike shqiptare, duke e vendosur
Ali Asllanin në krahë të Lasgush Poradecit, por me profilin e tij. Shqiptaria e
di që Artisti i Popullit Muntaz Dhrami i ka
gdhendur bustin në bronz Ali Asllanit, vendosur atje ku peshon më shumë burri,
në vendlindjen e tij - në Labëri, në Vajzë të Vlorës. Nga historia dimë se,
sikurse edhe trevat e tjera shqiptare, Labëria ka nxjerrë burra të mendjes, penës dhe
pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe
oratorë. Por rrallë ndodh që në një njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e vyrtyte.
Ali Asllani është njeri prej tyre. Kjo do të thotë se Ali Asllani i kalon vlerat e
Vajzës dhe Vlorës. Është i gjithë Shqipërisë. Ai është dekoruar edhe “Nder i
Kombit”.
Nëse Mumtaz Dhrami i gdhendi Ali
Asllanit një përmendore bronzi me daltën e skulptorit, Emi Krosi i shkroi një statujë
shkonjore me penën e artë
Ajo, si vrojtuese deri në imtësi e
letërsisë artistike, që prodhohet e jeton sot me ritmin e pranuar nga shijet
estetike të një lexuesi më të shpejtinformuar dhe në forma të reja, që nuk ta
gufosin frymëmarrjen në lexim, aq më pak në studim, shprehet: “Për mua
moderniteti dhe post/moderniteti janë transformuar në një performatizëm që
përmbledh çdo gjë. Për një studiues, dhe një fije bari e thatë, një letër, një
gjethe, një model shkrimi apo dhe një komunikim/marrëdhënie/dashuri etj.,
lidhen dhe stilin e autorit apo me çfarë syri e sheh studiuesi/kritiku etj.”
Emi
Krosi, Aristokratja e shkrimit kritik na dha këtë dhuratë të çmuar - Ali
Asllanin Aristokratin e Lirikës shqiptare.
Vlorë, e mërkurë, 04 Shkurt
2026, ora 02:05`









