Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ju vidhni
E diele, 28.12.2025, 06:58 PM
Ju vidhni
Nga
Edison Ypi
Ju
duruat pushtimet, vuajtjet, nënshtrimet, turpërimet, etjen, urinë, shijuat
pavarësinë, mirëpritët Mbretërinë, i thatë peqe-lepe Diktaturës, kalitët me
duart tuaja prangat, duartrokitët demokracinë, pluralizmin, provuat kurbetin,
arratinë, trafiqet, piramidat, zbrazët tunelet e armëve, mbushët shtëpitë me
kalashnikova, bomba, granata, mortaja, eksploziva, tritola, dinamita. S'latë të
bardhë pa nxirë, s'latë të zezë pa bërë. Por kurrë, kurrkund, për asnjë çast,
për asnjë arësye apo rrethanë, nuk hoqët dorë nga qefi i kahershëm, orgazma e
preferuar, zanati shekullor, vjedhja, grabitja, xhvatja, hajnia.
Jo
flisni e bërtisni për Besën që nuk e mbani, për Moralin që nuk e keni, për
Traditën që nuk e respektoni, për Kulturën dhe Artin që s'ja keni haberin. Por
e vetmja gjë që dini të bëni, është vjedhja.
Juve
perfeksionistat e hajdutllëkut që vjedhjen e keni si ajrin që thithni, si ujin
që pini, si bukën që hani, si mishi që kafshoni, të gjithëve ju një nga një;
Kolera ju hëngërt, zgjebja ju përpiftë, sytë ju dalçin, veshët ju shurdhofshin,
gjuha ju thaftë, dheri ju mbuloftë, zjarri i Xhehenemit ju djegtë.
Sharjet
dhe mallkimet si; Jeta ju sterroftë, nata ju shkretoftë, mëngjezi mos ju
gjet'ë, dielli ju djegtë, acari ju ngriftë, janë komplimenta për ju që vidhni.
Juve
që vidhni, sytë ju nxjerrshin me gozhdë, gishtat ju prefshin me gërshërë,
krahët ju thefshin me sqepar, këmbët u mpifshin me gjilpërë, sepse ju hajdutëve
që vidhni këto nuk ju duhen për asgjë tjetër, veçse për të vjedhur.
Juve
që vidhni, e mira është, shtigjet ua zënshin ferrat dhe gurët, rrugët jua
shembtë shiu, Benzi ju përplastë ju bëftë copa pas shkëmbit, rënshi bashkë me
furgon në humnerë, ju martë lumi me gjithë autobuz ju çoftë në det, kali,
mushka, gomari ju ngordhtë, trenat ju dalçin nga shinat, biçikletat ju
çpofshin, aeroplanat u rrëxofshin, tragetat u mbytshin, se ju kudo ku shkoni,
shkoni për të vjedhur.
Ju
që vidhni, se keni problem të vidhni, jo vetëm sendet, paret, punën, djersën,
pronat. Ju që vidhni, vidhni edhe jetët,
fatin, fatkeqësinë, vuajtjet, peripecitë, dhe gjithçka që s'është e juaja, por
e tjetrit.
Ju
hajdutat që vidhni, s'ndaleni së vjedhuri as para turpit të turpeve, turpit më
të madh që ekziston; të paguheni me pare të vjedhura.
Ju
që vidhni, vidhni edhe të vjedhurën e vjedhur shumë herë më parë se ta vidhni
ju që vidhni.
Ju
vidhni edhe shokun, mikun, kolegun, eprorin, inferiorin. Edhe nonën dhe babën,
motrën, vëllain, çunin, gocën, nipin, mbesën. Morpo edhe veten e vidhni ju që
vidhni. Askend nuk e lini pa e vjedh ju qelbësirët që hiqeni të pastër, ju
gropat e haleve që mbaheni të ndershëm.
Ju
mor legena, ju mor burracakë, ju mor rrugaçë të pa Dine e pa Iman, ju që vidhni
gjithçka që ju sheh syri, ua nuhat hunda, ua prek dora, ua ka ënda, u vete
mendja, ju vidhni edhe atë që villni, ju edhe vjedhjen e vidhni.
Turpi,
turpërimi, dënimi, pushkatimi, varja, burgu, rrahja, internimi, vuajtja,
tortura, asgjë e tillë s'ju ndal me vjedh ju o faqezinj që vjedhjen s'e keni
aspak problem, por veçse zbavitje, veçse dëfrim.
Ju
hajduta, ju hajna, ju plehra, me j'u shajt me libër shpie, me ju pështy në
surrat, me ju hedh në gropë zifti të nxehtë, në furrë të gëlqeres së pashuar,
në kazan të valuar, me j'u kavërdis pa vaj në tigan, kokën te trungu i kasapit
me ua vu, mbi turrë drush me j'u shkrumu, me ju myt në det, me ju braktis në
një ishull të shkretë, i keni pak.
Çfarë
meritoni ju o legena me ju largu, me ju bo përgjithmonë sikter që të mos
ktheheni kurrë, është me ju hedh jashtë orbitës së sistemit diellor. Por ju që
vidhni jeni aq të pasionuar me vjedh dhe aq të vendosur me xhvat, sa edhe nga
Kozmosi vini, ktheheni për me ushtru zanatin e pamoralshëm, të turpshëm dhe të
dënueshëm, të hajdutit.
O
burra të kalitim durimin mos na shterri, të forcojmë nervat mos na këputen, të
kursejmë lotët mos na thahen. S'ka mënyrë tjetër me mbetë gjallë në këtë vend
të çmendur hajdutash të pakurueshëm.









