Kerko: a
Paulin Zefi: Toka jonë - filmi, arkiva, historia
E diele, 14.12.2025, 06:54 PM
TOKA JONË: FILMI, ARKIVA, HISTORIA
Klubi
i Filmit: “Mësojmë nga e kaluara.”
Nga
Paulin Z. Zefi
Një
bashkëpunim i shkëlqyer dhe shumë frytdhënës midis katër institucioneve:
Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Arkivit
Qendror Shtetëror të Filmit, Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Lezhë.
Falenderoj
të gjithë të pranishmit që iu përgjigjën ftesës sime për të marrë pjesë në këtë
aktivitet, i cili trajton një temë shumë sensibile. Në veçanti, falenderimet
shkojnë për përfaqësuesit e shumtë të familjeve të persekutuara gjatë regjimit
komunist, intelektualët, artistët, gazetarët, shoqërinë civile, por mbi të
gjitha për studentët dhe nxënësit.
Respekt
dhe mirënjohje për familjen fisnike, “Syku”, dhe nderim për sakrificën dhe
vuajtjet e tyre!
Tema
që kam trajtuar gjatë këtij eventi:
“Kulakët
në Shqipërinë Komuniste (1945-1990): Rasti i Familjes Syku dhe mekanizmat e
persekutimit shtetëror.”
Lexim
të kënshëm…
*Kategoria
e ashtuquajtur “Kulak” përbën një element themelor në analizën e historisë
politike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste
1945–1990. E huazuar nga sistemi sovjetik, (GULAG), i
idhullit të Enver Hoxhës, Josif Visarionoviç Stalin, dhe e aplikuar në
kontekstin shqiptar si pjesë e doktrinës së “luftës së klasave”, kjo kategori u
përdor jo vetëm për të përcaktuar fshatarët më të pasur, por më shumë si një
instrument i posaçëm politik për neutralizimin e shtresave të konsideruara
potencialisht kundërvënëse ndaj pushtetit të Partisë Komuniste ose Partisë së
Punës. Për këtë arsye, koncepti i kulakut në Shqipëri duhet parë jo si një
kategori reale sociale dhe ekonomike, por si një “prodhim politik” që u përdor
në mënyrë sistematike për të justifikuar transformimin radikal të strukturës
shoqërore rurale dhe për të konsoliduar kontrollin e pushtetit mbi fshatin. Në
nivel doktrinar, përkufizimi i kulakut u importua nga marksizëm-leninizmi
sovjetik, i cili i trajtonte fshatarët e pasur si mbështetës të ekonomisë së
tregut dhe, rrjedhimisht, si pengesë për kolektivizimin e bujqësisë.
Megjithatë, realiteti shqiptar ishte shumë ndryshe në raport me atë të B.R.S.S.
(Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Vendi jonë nuk kishte një
shtresë aq të pasur fshatare dhe të kristalizuar, të krahasueshme me atë ruse,
për shkak të fragmentimit të pronësisë, nivelit të ulët të mekanizimit dhe të
varfërisë së përgjithshme. Në këtë kuptim, shpallja e familjeve si kulake nuk
bazohej në tregues objektivë ekonomikë, por kryesisht në kritere që
përcaktoheshin sipas konjukturës politike, interesave meskine të strukturave të
partisë, raportimeve të Sigurimit të Shtetit dhe shpeshherë konflikteve apo
rivaliteteve kokale. Kjo u bë dukshëm e qartë në periudhën 1945–1956, kur procesi
i identifikimit të “elementit të pasur” lidhej drejtpërdrejt me zbatimin e
Reformës Agrare të vitit 1946 dhe me synimin e pushtetit për të shkatërruar çdo
autonomi ekonomike në fshat. Familjet që zotëronin pak më shumë tokë, tufa të
mëdha me bagëti, disa kafshë pune, një mulli, një dyqan, apo që kishin punësuar
punëtorë sezonalë, shpalleshin automatikisht kulake, ndërkohë që etiketimi
zgjerohej edhe për familje me traditë influence lokale, lidhje me diasporën, me
tregun, apo me ish-elitën parakomuniste. Për kulakët u vendosën taksa të
jashtëzakonshme, kuota të papërballueshme, dënime ekonomike dhe procedime
penale që synonin jo vetëm varfërimin e tyre, por edhe izolimin e plotë
politik. Në shumë raste, dënimi shoqërohej me internim ose burgim të menjëhershëm,
konfiskime të pasurisë dhe humbje totale të së drejtës së lëvizjes. Me fillimin
e kolektivizimit të bujqësisë në fundin e viteve 1950 dhe sidomos pas vitit
1960, kategoria e kulakut u zgjat, u politizua edhe më tepër dhe u integrua në
strukturën ideologjike të shtetit si kategori e pandryshueshme e “armikut të
klasës”. Pjesëtarët e kësaj kategorie fajësoheshin si shkaktarët kryesorë të
prapambetjes dhe varfërisë së vendit, duke u paraqitur nga propaganda zyrtare
si njerëz të ligj, shfrytëzues të popullit, frenues të zhvillimit ekonomik dhe
pengesë për ndërtimin e shoqërisë së re socialiste. Familjet e shpallura kulake
përjashtoheshin nga kooperativat bujqësore ose pranoheshin vetëm në rolin e
punëtorëve më të rëndomtë, me normativë të ulët dhe me trajtim diskriminues.
Fëmijët e këtyre familjeve ndëshkoheshin në mënyrë sistematike në aksesin në
arsim, në mundësinë e punësimit, në ushtri dhe në çdo formë ngjitjeje sociale,
ndërkohë që biografia e tyre shoqërore mbahej nën survejim të vazhdueshëm nga organet
e Sigurimit të Shtetit. Faza më e ashpër e luftës së klasave kundër kulakëve u
shënua pas vitit 1967, kur Shqipëria ndërmori një version të vetin të
Revolucionit Kulturor të kopjuar nga Kina, i cili e ngarkoi hapur fshatin me
detyrën ideologjike të “spastrimit nga elementët armiqësorë”. Në këtë periudhë
u ngritën në fshat komisione të posaçme, që rishikonin biografitë dhe e shtonin
listën e kulakëve çdo vit, ndërkohë që çdo shenjë pavarësie ekonomike,
kundërshtimi, apo thjesht mosbindjeje ndaj autoriteteve lokale mjaftonte për të
rivendosur etiketime. Në disa zona, kulakët u përdorën si objektiv i
demonstrimeve politike gjatë mbledhjeve publike, ku emrat e tyre shpalleshin si
shembuj “armiqësorë” dhe demonizoheshin, duke prodhuar jo vetëm frikë, por edhe
stigmatizim të thellë shoqëror. Edhe pas vitit 1978 (prishja me Kinën), kur
modeli autarkik socialist (vetë-mjaftueshmëria ekonomike) u shtrëngua edhe më
tepër dhe kur roli ekonomik i kulakëve ishte zhdukur thuajse plotësisht,
stigmatizimi politik mbeti ende shumë aktiv. Biografia kulake u ruajt si
kategori ndëshkuese dhe përcaktonte në mënyrë vendimtare fatin social të
individëve, duke u reflektuar në qindra raste të pamundësisë për të studiuar,
për të punuar në profesione të konsideruara “delikate”, për të marrë banesë,
apo edhe për të lidhur martesa me familje të konsideruara “me përbërje të mirë”
ose “me biografi të mirë.” Në disa raste, familjet e stigmatizuara mbetën në
internim deri në fund të viteve 1980. Rasti i Familjes Syku dhe mekanizmat e persekutimit
shtetëror ndaj saj përfaqësojnë një shembull shumë domethënës të mënyrës se si
aparati komunist i pas Luftës së Dytë Botërore ushtronte dhunë të strukturuar
mbi familjet me prona të mëdha, me autoritet lokal dhe me traditë të fortë
shoqërore. Persekutimi ndaj kësaj familjeje malësore të Bregut të Matës, nisi
që në fazat e para të zbatimit të Reformës Agrare të vitit 1946, e cila në
thelb synonte shpronësimin e shtresave të larta rurale dhe shkatërrimin e
strukturës së vjetër të pronësisë. Duke qenë ndër pronarët më të mëdhenj të
rajonit, anëtarët e familjes Syku u kategorizuan automatikisht si “kulakë”, një
etiketim me natyrë ideologjike, ekonomikisht shkatërruese dhe penalisht
ndëshkuese. Brenda një kohe shumë të shkurtër, Gjon Nik Sykut iu konfiskuan 550
ha tokë, ndërsa Dod Preç Sykut 500 ha, shifra që dëshmojnë përmasat e
shpronësimit të ndërmarrë nga regjimi komunist si instrument për t’i hequr
kësaj familjeje çdo bazë ekonomike, sociale dhe morale. Kundër Dod Preç Sykut u
ushtrua një presion edhe më i ashpër. Shtëpia e tij në Lezhë u sekuestrua dhe u
adaptua nga shteti si godinë për Degën Ushtarake, ndërsa ai vetë u arrestua dhe
u dënua pa të drejtë mbrojtjeje. Akti i shpronësimit u shoqërua me një formë të
pashembullt dhune psikologjike dhe fizike. Dod Preç Syku u dënua dhe u burgos
së bashku me familjen e tij, përfshirë edhe fëmijët. Ata u mbajtën të izoluar
për gjashtë muaj rresht brenda një ambienti të shtëpisë së tyre, të kthyer
tashmë në burg, duke iu mohuar atyre lirinë elementare dhe duke i ekspozuar
ndaj një traume më të thellë e afatgjatë. Emigrimi i Anton Sykut në vitin 1950,
i cili kaloi kufirin, duke u arratisur në Jugosllavi dhe më pas u vendos në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u interpretua nga autoritetet komuniste si akt
shumë i rëndë armiqësor, duke prodhuar një valë të dytë represioni kundër
familjes. Në vitin 1951 u arrestua Prelë Syku, i cili u dënua me një periudhë
të gjatë burgimi, duke u bërë anëtari që përjetoi më rëndë pasojat e politikës
ndëshkuese të regjimit. Nga një vlerësim i përgjithshëm del se nga rreth 70
anëtarë të familjes Syku, 20 prej tyre janë dënuar me burgime të ndryshme. 10
kanë vuajtur dënime nga 7 deri në 30 vjet, siç është rasti i Prelë Sykut, i
cili në fillim u dënua 10 vjet, u lirua dhe më pas u dënua sërish, por kësaj
rradhe me plot 20 vjet. Ndërsa në total familja Syku ka kaluar mbi 100 vite
dënime nëpër burgjet e tmerrshme të regjimit komunist. Përveç ndëshkimit fizik
dhe ekonomik, regjimi aplikoi edhe forma të persekutimit social e kulturor.
Asnjë prej anëtarëve të familjes nuk u lejua të vijonte shkollimin përtej
arsimit të detyrueshëm, duke u privuar kështu mundësinë për të aksesuar arsim
të mesëm e të lartë, dhe rrjedhimisht, duke i përjashtuar nga çdo mundësi
integrimi profesional dhe emancipimi intelektual. Ky trajtim i familjes Syku
ilustron funksionimin e një sistemi të tërë represiv, i cili ndërthuri
instrumente të ndryshme: shpronësim, ndëshkim penal, izolim shoqëror dhe
kufizim arsimor, me synimin për të shkatërruar shtresat tradicionale të shoqërisë
shqiptare dhe çdo strukturë alternative të autoritetit jashtë kontrollit të
Partisë së Punës. Në Shqipërinë komuniste, rreth 7.000-8.000 familje, që
përfaqësonin 20.000-25.000 individë, u kategorizuan si “kulakë” dhe u etiketuan
si “armiq të klasës”, sipas të dhënave të evidentuara në dokumentet zyrtare,
përfshirë kartotekat e sigurimit, regjistrimet e komiteteve të partisë dhe
zyrat e bujqësisë. Pasojat e politikave ndaj kulakëve lanë gjurmë të thella në
strukturën shoqërore dhe psikologjinë kolektive të fshatit shqiptar.
Shkatërrimi i pronës private dhe eliminimi i shtresës tradicionale të
fshatarëve të aftë dhe sipërmarrës dobësoi zhvillimin e bujqësisë dhe pengoi
krijimin e një ekonomie rurale të qëndrueshme. Nga ana tjetër, stigmatizimi
shumëvjeçar shkaktoi trauma të mëdha sociale, armiqësi ndërfamiljare, mbyllje
komunitare dhe një kulturë të frikës që e shoqëroi shoqërinë deri në rënien e
regjimit komunist. Në përfundim, figura e kulakut në Shqipërinë komuniste nuk
përfaqëson një shtresë reale ekonomike, por një kategori të prodhuar
politikisht, e cila u përdor si mekanizëm i kontrollit social dhe si mjet i
eliminimit të pluralizmit ekonomik dhe shoqëror në fshat. Studimi i saj mbetet
thelbësor për të kuptuar natyrën e vërtetë të totalitarizmit shqiptar,
dinamikat e luftës së klasave dhe mënyrën se si politika e bazuar në
ideologjinë marksiste-leniniste ndërhyri në mënyrë të dhunshme në strukturën
tradicionale të shoqërisë shqiptare, duke e shpërfytyruar thellësisht jetën e
saj kolektive.
Paulin Zefi.
Lezhë: 10.12.2025.









