Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (19)
E merkure, 26.11.2025, 06:58 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
GRUPI I FUNDIT I
JATAKËVE TË DËNUAR PËR STREHIM TË HASAN REMNIKUT ME SHOKË (19)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në
kuadër të proceseve gjyqësore të zhvilluara nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, një
vend të veçantë zë edhe gjykimi i grupit të ashtuquajtur “jatakë”, i cili
përbëhej nga tre individë. Në dukje të parë, ky grup mund të dukej i parëndësishëm
për nga numri, por rëndësia e tij qëndronte në akuzën e ngritur, se për një
periudhë të gjatë kohore kishin strehuar dhe fshehur Hasan Remnikun me shokët e
tij. Pyetja që ngrihet natyrshëm është: vallë, kush nga banorët e Anamoravës
nuk do ta kishte pranuar në shtëpinë e vet këtë luftëtar, nëse ai do të kishte
trokitur në derën e tyre?
Kjo
dilemë nuk mbetet vetëm një supozim, por gjen konfirmim edhe në fjalët e njërit
prej të dënuarve, i cili para trupit gjykues kishte deklaruar me bindje se: “Nëse
do të dënohesha unë, pse kam qenë jatak i Hasan Remnikut, atëherë duhej dënuar
i tërë fshati, ngase Hasan Remniku kishte gjetur strehim në çdo shtëpi.” Ky
pohim e nxjerr në pah jo vetëm faktin e solidaritetit të popullit shqiptar, por
edhe ndërgjegjësimin e tij të lartë politik e kombëtar. Nëpërmjet këtij gjykimi
dëshmohet edhe njëherë se popullsia vendore kishte një vetëdije të qartë se ata
që luftonin kundër pushtetit ishin në shërbim të kauzës së lirisë dhe të së
mirës së përbashkët të vendit.
Në
këtë kuptim, akti i strehimit të Hasan Remnikut dhe shokëve të tij nuk mund të
shihet thjesht si një gjest human apo ndihmë individuale, por si një manifestim
i përbashkët i rezistencës dhe i besnikërisë ndaj idealeve të kombit. Ky
solidaritet i heshtur i fshatrave të Anamoravës shërben si dëshmi e fortë se
ndërgjegjja kombëtare ishte e gjallë dhe se populli shqiptar, pavarësisht
presioneve dhe ndëshkimeve të ashpra, kishte ruajtur instinktin e mbrojtjes së
atyre që konsideroheshin bij të sakrificës dhe të lirisë.
Pas
eliminimit fizik të Hasan Remnikut dhe shokëve të tij në pritën e organizuar në
Bistricë, në natën ndërmjet 9 dhe 10 tetorit të vitit 1951, aparati shtetëror i
ndjekjes nisi një fushatë të gjerë represive, të paparë deri atëherë, e cila
kishte në shënjestër të gjithë ata që në mënyra të ndryshme kishin ofruar
strehim apo ndihmë ndaj atdhetarit. Këto masa ndëshkimore nuk ishin të
çrregullta, por u zhvilluan me një organizim të mirëfilltë, duke u shndërruar
në një valë arrestimesh të njëpasnjëshme që përfshinë dhjetëra njerëz nga
fshatrat e Anamoravës dhe më gjerë.
Procesi
i arrestimeve kishte një skemë të qartë, njerëzit identifikoheshin si të
dyshuar për “jatakë” dhe, pa kaluar shumë kohë, dërgoheshin në burg. Atje, nën
trysninë e dhunës fizike dhe psikologjike, ata detyroheshin të pranonin faje që
në shumicën e rasteve nuk i kishin kryer. Ky imponim i rrëfimeve të rreme, i
shoqëruar me kërcënime dhe poshtërime, u shndërrua në bazën e ngritjes së
proceseve të gjata gjyqësore, të cilat ishin më tepër spektakle politike sesa
gjykime të drejtësisë.
Qëllimi
i pushtetit nuk ishte thjesht ndëshkimi i individëve që kishin ndihmuar Hasan
Remnikun, por krijimi i një atmosfere terrori kolektiv. Nëpërmjet këtyre
proceseve, shteti i atëhershëm përpiqej të përçonte mesazhin se askush nuk
ishte i sigurt, se secili mund të përfundonte para trupit gjykues vetëm pse
kishte treguar solidaritet njerëzor apo kombëtar. Paniku i mbjellë në popullatë
ishte pjesë e një strategjie më të gjerë: të shuhej çdo vullnet për rezistencë
dhe të frenohej çdo akt i mundshëm i mbështetjes për atdhetarët që ende
vepronin në terren.
Në
këtë mënyrë, proceset gjyqësore ndaj të ashtuquajturve “jatakë” nuk ishin vetëm
akte ligjore të një sistemi represiv, por edhe mjete ideologjike për të
shkatërruar solidaritetin e brendshëm të popullit shqiptar. Ato synonin të
përçanin besimin e ndërsjellë, të dobësonin kohezionin shoqëror dhe të krijonin
një realitet të mbushur me frikë, ku çdo gjest mikpritjeje ndaj një patrioti të
arratisur shihej si krim i rëndë kundër shtetit.
Një
ndër proceset gjyqësore më karakteristike të kësaj periudhe u zhvillua më 25
gusht 1952 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Ky gjykim, ashtu si edhe shumë të
tjerë që e kishin paraprirë, u shndërrua në një shfaqje të gatshme politike, ku
drejtësia nuk kishte vend, ndërsa skenari i paracaktuar synonte vetëm
shënjestrimin e shqiptarëve. Në krye të trupit gjykues qëndronte Ratomir
Paternogiqi, një figurë tashmë e njohur për qëndrimin e tij të ashpër dhe për
një lloj kënaqësie të sëmurë që shfaqte sa herë në bankën e të akuzuarve
uleshin shqiptarë të pafajshëm. Për të, proceset nuk përfaqësonin vetëm një
detyrë shtetërore, por edhe një mision personal për të shpallur vendime të
rënda e drakonike kundër tyre.
Në
atë seancë të gushtit, tre burra nga Anamorava – Elez Kadri Elezi, Murat Limon
Abazi dhe Shaip Ajdin Dauti – u gjendën para këtij trupi gjykues. Akuza që
rëndonte mbi ta ishte e njëjtë me shumë të tjera: kishin ofruar strehim dhe
ndihmë me ushqime Hasan Ali Remnikut, bashkëfshatarit dhe patriotit të tyre, i
cili në atë kohë kërkohej pa pushim nga organet e ndjekjes, jo vetëm në
Anamoravë, por në gjithë hapësirën shqiptare të Kosovës. Në realitet, ajo që
për popullin ishte një akt human, një shprehje solidariteti dhe një detyrë
morale ndaj bashkëluftëtarëve të lirisë, për gjykatën përkthehej në “krim të
rëndë kundër rendit shtetëror”.
Si
pasojë, edhe në këtë rast, vendimet ishin të paracaktuara: dënime të gjata
burgimi të rëndë, të cilat nuk synonin të ndëshkonin një akt konkret, por të
frikësonin dhe paralizonin gjithë shoqërinë shqiptare. Këto procese shërbenin
si një instrument represiv për të thyer shpirtin e rezistencës, për të shuar
çdo shpresë për qëndresë dhe për të përhapur mesazhin se çdo gjest mikpritjeje
apo ndihme ndaj një atdhetari do të paguhej me vite të tëra izolimi e
vuajtjesh.
Në
këtë mënyrë, gjykimi i Elez Elezit, Murat Abazit dhe Shaip Dautit nuk ishte
thjesht një akt juridik, por pjesë e një fushate më të gjerë politike, që
kishte për qëllim të shkatërronte lidhjet e solidaritetit të komunitetit
shqiptar dhe ta vinte popullsinë përballë një zgjedhjeje të pamundur, ose të
mohonin vlerat e tyre tradicionale të mikpritjes dhe ndihmës, ose të
përballeshin me represionin e pamëshirshëm të pushtetit.
Seanca
gjyqësore e mbajtur më 25 gusht 1952 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan përfaqëson
një tjetër shembull të qartë të mënyrës se si sistemi juridik i
ish-Jugosllavisë ishte vënë në shërbim të një politike represive dhe
diskriminuese ndaj shqiptarëve. Këshilli gjykues, i përbërë nga
gjykatësit-porotë Fazli Pira dhe Elez Haxhia, si dhe nga procesmbajtësja
Stanimira Vuqetiq, kishte në dorë fatin e tre të akuzuarve, të cilët Prokuroria
Publike i ngarkonte me përgjegjësi në bazë të nenit 120 të Kodit Penal të asaj
kohe. Ky nen, i përdorur shpesh në mënyrë të zgjatur dhe arbitrare, shërbente
si një mjet ligjor për të kriminalizuar çdo akt të solidaritetit, mikpritjes
apo ndihmës që iu ofrohej atdhetarëve shqiptarë.
Pyetjet
e shumta që iu drejtuan të akuzuarve nuk kishin synim zbardhjen e së vërtetës,
por krijimin e një narrative të fabrikuar, ku faji i tyre duhej të vërtetohej
me çdo kusht. Dëshmitë e paraqitura ishin të mangëta, shpeshherë të
paqëndrueshme dhe të mbështetura mbi dyshime e insinuata, më shumë sesa mbi
fakte konkrete. Megjithatë, për një sistem drejtësie që synonte frikësimin dhe
nënshtrimin e popullsisë, këto “prova” ishin të mjaftueshme.
Në
përfundim të seancës, aktgjykimi u shpall nga gjykatësi: të tre të akuzuarit
shpalleshin fajtorë. Ky verdikt nuk përfaqësonte vetëm një dënim individual
ndaj tre burrave, por ishte edhe një mesazh i qartë kolektiv, kushdo që guxonte
të ofronte ndihmë apo mbështetje për figurat e shpallura si “armiq të shtetit”
do të përballej me të njëjtin fat.
Ky
proces, ashtu si shumë të tjerë në atë periudhë, nuk shërbeu për të zbatuar
ligjin, por për të legjitimuar represionin dhe për të institucionalizuar
frikën. Ai tregoi qartë se gjykatat, në vend që të ishin mbrojtëse të
drejtësisë, ishin shndërruar në instrumente të pushtetit për të goditur çdo
formë të qëndresës kombëtare shqiptare.
Figura
e Elez Kadri Elezit, njërit ndër të akuzuarit në procesin gjyqësor të 25
gushtit 1952, pasqyron tiparet e një fshatari të zakonshëm të Anamoravës, i
cili përkundër jetës modeste u bë viktimë e represionit politik të kohës. I
lindur në fshatin Livoq i Poshtëm në vitin 1923, nga prindërit Kadri dhe Hatixhe
(e lindur Hyseni), Elezi kishte jetuar një jetë të qetë e të lidhur ngushtë me
tokën. Si shumica e bashkëfshatarëve të tij, kryente punë bujqësore dhe nga ajo
punë siguronte mirëqenien e familjes. Dokumentet e kohës tregojnë se gjendja e
tij ekonomike ishte relativisht e mirë, çka e vendoste atë në pozitën e një
bujku që kishte mundur të ruante njëfarë stabiliteti në një kohë plot trazira.
Në
aspektin familjar, ai ishte i martuar, por ende nuk kishte fëmijë. Një element
interesant që dallohet në biografinë e tij është fakti se aftësitë e
shkrim-leximit i kishte fituar në mënyrë autodidakte, duke dëshmuar kështu
përkushtimin e tij ndaj dijes, edhe pse nuk i ishte dhënë mundësia për arsimim
formal. Ky fakt flet për një njeri me etje për dije dhe me një përpjekje të
vetëdijshme për t’u ngritur mbi kushtet e kohës.
Sipas
dosjeve të përgatitura nga organet e ndjekjes, Elezi kishte një dënim të
mëparshëm prej gjashtë muajsh burgim, të shqiptuar për një çështje krejt të
parëndësishme, në një dimër të ashpër kishte prerë dru në malin e tij pa leje.
Ky episod, që në rrethana të tjera do të konsiderohej si një shkelje e vogël
administrative, në sistemin represiv të kohës u shfrytëzua si provë e “sjelljes
së dënueshme”, duke u kthyer në pjesë të dosjes së tij politike.
Në
kohën e procesit gjyqësor, Elez Kadri Elezi ndodhej në burgun hetues që prej 18
prillit 1952. Prania e tij aty nuk ishte thjesht rezultat i një akti të kryer
konkretisht, por pjesë e një mekanizmi të gjerë shtetëror që kishte për synim
të kriminalizonte individë të thjeshtë, vetëm pse kishin treguar mikpritje dhe
solidaritet ndaj atdhetarëve të përndjekur. Në këtë mënyrë, jeta e tij nga një
fshatar i zakonshëm dhe i përkushtuar ndaj punës së tokës, u shndërrua në
shembull të padrejtësive sistematike që binin mbi shqiptarët në atë periudhë.
Në
procesin gjyqësor të 25 gushtit 1952, aktakuza ndaj Elez Kadri Elezit ishte e
ndërtuar mbi një skemë të njohur, tipike për strategjinë represive të organeve
të pushtetit. Sipas saj, gjatë viteve 1950–1951 ai akuzohej se kishte mbajtur
lidhje të rregullta dhe të vazhdueshme me të arratisurin Hasan Ali Remnikun.
Pretendimi kryesor i Prokurorisë ishte se Elezi, bashkë me të tjerë, kishte
ofruar strehim dhe mbështetje për Hasan Remnikun dhe shokët e tij në shtëpitë e
veta, duke u shndërruar kështu në “jatak” të shpallur nga autoritetet
shtetërore.
Në
këtë linjë arsyetimi, akuzuesit e interpretonin mikpritjen tradicionale dhe
solidaritetin njerëzor si akt të vetëdijshëm kundër pushtetit. Në dokumentet
gjyqësore, kjo mikpritje paraqitej si pengesë e qëllimshme ndaj veprimtarisë së
organeve të ndjekjes, duke argumentuar se falë një strehimi të tillë, Hasan
Remniku kishte arritur të shmangte kapjen dhe të vazhdonte aktivitetin e tij
politik e kombëtar.
Pra,
aktakuza e ngritur kundër Elezit nuk ishte thjesht pasqyrim i një sjelljeje
individuale, por ishte e projektuar që të kriminalizonte një traditë të tërë
shoqërore, atë të mikpritjes dhe besës shqiptare. Ajo synonte të tregonte se
çdo gjest i mbrojtjes ndaj një të përndjekuri politik përbënte kërcënim të
drejtpërdrejtë për rendin shtetëror. Në këtë mënyrë, Elezi u shndërrua nga një
fshatar i thjeshtë e bujk punëtor, në “armik” të shpallur të shtetit, duke i
dhënë sistemit represiv një alibi juridike për të legjitimuar dënimin e tij.
Në
aktgjykimin e shpallur ndaj Elez Kadri Elezit, gjetjet e gjykatës synonin të
krijonin një narrativë të qartë mbi lidhjet e tij me Hasan Ali Remnikun dhe
grupin e tij. Sipas dokumentacionit gjyqësor, gjatë muajve të fundit të vitit
1950, konkretisht në dhjetor, Elezi pretendohej se ishte takuar disa herë me
Remnikun, fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas në banesën e Sabedin Ukës në
Livoq të Poshtëm. Një tjetër takim përmendej të kishte ndodhur gjatë pranverës
së vitit 1951, në shtëpinë e Hasan Sylës, po në të njëjtin fshat, ku Remniku
shfaqej i shoqëruar edhe nga një person i maskuar.
Në
atë takim, sipas aktgjykimit, Hasan Remniku kishte shprehur hapur synimin që,
sapo të krijoheshin kushtet e përshtatshme, të kalonte në Shqipëri. Po ashtu,
ai i kishte dhënë fjalën Elezit se do ta mbante të informuar për çdo hap që do
të ndërmerrte pas kalimit atje. Ky element për prokurorinë dhe gjykatën
interpretohej si provë e lidhjes së vazhdueshme dhe besnikërisë së Elezit ndaj
një “armiku të shpallur të shtetit”.
Po
atë pranverë, sipas dokumenteve, Elezi e kishte pranuar sërish Remnikun me
shokë në shtëpinë e vet. Në këtë rast, ai jo vetëm kishte ofruar strehim dhe
ushqim, por edhe kishte pranuar, pa kundërshtim, detyrat që Remniku i kishte
dhënë. Ky moment përshkruhej si akti kulmor i “përfshirjes” së tij, duke u
shndërruar në bazën kryesore të akuzës.
Në
fakt, ky interpretim i gjykatës i shndërronte takimet sporadike në “bashkëpunim
të qëllimshëm” dhe mikpritjen tradicionale shqiptare në një “veprim kundër pushtetit”.
Pra, një shprehje e solidaritetit dhe besës, që në kulturën shqiptare kishte
dimension të shenjtë, u përdor si armë për të kriminalizuar individë të
thjeshtë, duke i vënë ata në shënjestër të një sistemi represiv që kërkonte të
thërrmonte çdo formë të mbështetjes morale e materiale ndaj atdhetarëve.
Në
aktet gjyqësore kundër Elez Kadri Elezit, një vend të posaçëm zënë dëshmitë e
dëshmitarëve, të cilat u përdorën si bazë për të argumentuar akuzën e lidhjeve
të tij me Hasan Remnikun. Ndër më të rëndësishmet ishte dëshmia e J.A.-së, i
cili pohonte se në prill të vitit 1951 vetë Elezi, në një bisedë konfidenciale,
i kishte rrëfyer se Hasan Remniku, së bashku me shokët e tij, kishte qëndruar
në shtëpinë e tij për më shumë se dy orë. Sipas këtij dëshmitari, gjatë asaj
kohe Elezi kishte ofruar një darkë të begatë, duke treguar jo vetëm mikpritje,
por edhe respekt ndaj mysafirëve të tij.
Gjithashtu,
dëshmitari përmendte një tjetër rast, të ndodhur në dhjetor të vitit 1950, kur
Elezi ishte takuar me Remnikun në shtëpinë e Sabedin Ukës në Livoq të Poshtëm.
Ky takim, sipas rrëfimit, nuk kishte qenë rastësor, por rezultat i një ftese të
drejtpërdrejtë që Remniku i kishte bërë Elezit, gjë që interpretohej nga
gjykata si dëshmi e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet tyre.
Në
sallën e gjyqit, kundër të akuzuarit u paraqitën edhe dëshmitarë të tjerë, të
cilët, secili në mënyrën e vet, dëshmuan për kontaktet dhe takimet e Elezit me
Hasan Remnikun. Këto dëshmi, të cilat shpesh ishin të mbështetura më shumë në
perceptime, kujtime të mjegullta apo presionin e hetuesisë sesa në fakte të
qarta, u shndërruan në “prova” për të ndërtuar një aktakuzë të rëndë.
Në
realitet, lidhjet dhe raportet që përmendeshin në këto dëshmi mund të
interpretoheshin lehtësisht si shprehje e traditës shqiptare të mikpritjes dhe
e marrëdhënieve të zakonshme shoqërore. Mirëpo, për pushtetin e kohës, çdo
kontakt i tillë me një figurë të shpallur “armik të shtetit” mjaftonte që të
kriminalizohej, duke u përdorur si bazë për dënime të ashpra dhe shembull
frikësues për të tjerët.
Një
dëshmi tjetër e përdorur në procesin gjyqësor kundër Elez Kadri Elezit ishte
ajo e dëshmitarit H.Z., e cila, ashtu si edhe të tjerat, synonte të ndërtonte
narrativën e afërsisë së tij me Hasan Remnikun. Ky dëshmitar rrëfente se në
muajt e pranverës kishte udhëtuar së bashku me Elezin drejt Parteshit për të
marrë farë patatesh. Gjatë këtij udhëtimi, sipas pohimeve të tij, Elezi e
kishte ndarë një informacion “në besim”: se ishte takuar me Hasan Remnikun në
shtëpinë e Hasan Sylës në Livoq të Poshtëm.
Në
vijim të dëshmisë, H.Z. pohonte se Elezi i kishte treguar për një bisedë të
zhvilluar me Remnikun, ku ky i fundit kishte njoftuar se së shpejti do të
largohej nga Kosova për në Shqipëri. Sipas versionit të paraqitur, Remniku
kishte bërë të ditur se, pas vendosjes atje, do të lidhej me kontakte të reja
dhe do të njoftonte vazhdimisht për veprimtarinë që do të zhvillonte. Ky
informacion, i përcjellë nga Elezi, u interpretua nga organet e ndjekjes si
provë e drejtpërdrejtë e “lidhjes” së tij me figurën e shpallur armik të
shtetit.
Vijon









