Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (9)
E marte, 11.11.2025, 07:00 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
DORA E DJATHTË E
HASANIT- MËSUESI MUSTAFË KOKA (9)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Mustafë
Rushiti – i njohur me nofkën Koka – lindi në vitin 1926, në fshatin Inatoc të
rrethit të Gjilanit. Ai vinte nga një familje me tradita të forta atdhetarie,
ku babai i tij, një fshatar i pasur dhe i respektuar, nuk kishte pranuar kurrë
copëtimin e tokave shqiptare pas vendimeve të padrejta ndërkombëtare. Ky qëndrim
i patundur e kishte bërë figurë të njohur në Anamoravë, jo vetëm si pronar i
pasurive, por mbi të gjitha si njeri që nuk pajtohej me dhunën dhe pushtimin.
Urrejtja
e thellë që ai ushqente ndaj pushtuesit nuk mbeti vetëm në fjalë. Menjëherë pas
mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur sistemi komunist jugosllav nisi të
shtrinte rrënjët e tij, ai formoi një grup të armatosur me bashkëfshatarë e të
njohur të besuar, me qëllim që të luftonin kundër regjimit të sapo instaluar.
Ky veprim tregonte se rezistenca shqiptare nuk kishte pushuar me përfundimin e
Luftës dytë Botërore, por kishte marrë një formë të re – të heshtur, të
organizuar, dhe të drejtuar kundër pushtetit që nuk i garantonte të drejta
kombëtare shqiptarëve.
Në
vitin 1947, ky qëndrim i tij i patundur do të kishte pasoja të rënda. Ai u
arrestua nga organet e sigurimit dhe u dënua me 20 vjet burg të rëndë, si
“armik i popullit dhe i shtetit”. Në të njëjtën goditje represive u përfshinë
edhe bijtë e tij: vëllezërit e Mustafës, të cilët gjithashtu u dënuan dhe u
futën në burg. Kështu, e tërë familja u vulos si armike, duke përjetuar mbi
shpinë tërë ashpërsinë e aparatit represiv jugosllav.
Kjo
histori nuk është thjesht një episod i dhimbshëm familjar, por një dëshmi se si
regjimi i kohës kërkonte të shuante çdo vatër rezistence, duke e parë si rrezik
edhe një familje të vetme që nuk pajtohej me copëtimin e tokave shqiptare. Në
këtë mënyrë, familja Rushiti u bë shembull i sakrificës kolektive, ku qëndresa
nuk ishte më çështje e një individi, por barrë që e mbante e gjithë familja,
duke paguar çmimin e lartë të besnikërisë ndaj atdheut.
Mustafa
Koka, në rininë e tij të hershme, nuk shquhej për ndonjë interesim të veçantë
politik. Ai ishte si shumë të rinj të tjerë të kohës, të zënë më tepër me jetën
e përditshme sesa me zhvillimet e mëdha historike. Megjithatë, fundi i Luftës
së Dytë Botërore përbënte një periudhë të kthesave të mëdha, ku çdo individ,
dashur apo pa dashur, gjendej përballë zgjedhjeve që do t’i përcaktonin të
ardhmen. Pikërisht në këtë kohë, Mustafai vendosi t’i bashkëngjitej brigadës
partizane të Shqipërisë, duke u rreshtuar në anën e atyre që po e shihnin
çlirimin si fillim të një etape të re.
Me
brigadën partizane ai shkoi në Shqipëri, ku qëndroi deri në vitin 1947. Ky
udhëtim dhe ky qëndrim nuk ishin thjesht një zhvendosje gjeografike, por një
proces formimi të gjithanshëm. Në Shqipëri, Mustafa pati rastin të njihej më
nga afër me lëvizjet politike, me idetë e kohës dhe me organizimin e jetës në
një vend që, ndonëse i sapo dalë nga lufta, po kërkonte të ndërtonte një rend
të ri shoqëror.
Gjatë
kësaj periudhe, ai ndoqi mësimet në Shkollën Normale, duke fituar përgatitje
arsimore, por në të njëjtën kohë ndoqi edhe kursin ushtarak-informativ. Ky
kombinim i edukimit civil dhe i formimit ushtarak e pajisi me dije dhe aftësi
të dyfishta: nga njëra anë, ai u përgatit si mësues, i aftë të punonte me
njerëzit dhe të përhapte dije dhe nga ana tjetër, si ushtarak dhe informator i
stërvitur, ai u përgatit për sfidat e ashpra të rezistencës dhe të jetës ilegale
që do ta priste më vonë.
Ky
formim i plotë e shndërroi Mustafën nga një djalë i zakonshëm fshati në një
personalitet të formuar, i cili do të luante rol të rëndësishëm në veprimtarinë
ilegale shqiptare. Përvoja e tij në Shqipëri, njohuritë që fitoi dhe kontaktet
që krijoi, do të bëheshin më vonë kapital i çmuar në përballjen me pushtetin
jugosllav dhe në përpjekjet për mbrojtjen e çështjes kombëtare.
Pas
kthimit në atdhe, Mustafë Koka, tashmë i pajisur me dije dhe përvojë nga
qëndrimi në Shqipëri, u vu menjëherë në vëmendjen e autoriteteve komunale. Ai u
propozua nga komuna që të vazhdonte shkollimin në kursin pedagogjik në Prizren,
duke u përgatitur kështu për profesionin e mësuesit – një rol që përveç
rëndësisë arsimore kishte edhe peshë shoqërore në atë kohë. Megjithatë,
përderisa ai ndiqte mësimet, organet e sigurimit filluan ta përcillnin hap pas
hapi, duke e mbajtur nën një mbikëqyrje të vazhdueshme. Për to, një i ri me
formim nga Shqipëria dhe me lidhje të mundshme me patriotët lokalë përbënte gjithmonë
një rrezik të latuar.
Ndërkohë,
emri i Hasan Remnikut, i njohur nëpër Anamoravë si simbol i rezistencës dhe
veprimtarisë ilegale, kishte depërtuar edhe në veshët e Mustafës gjatë
qëndrimit të tij në Shqipëri. Ai kishte dëgjuar shumë për të: për trimërinë,
guximin dhe për përkushtimin e tij të palëkundur ndaj çështjes kombëtare. Në
shpirtin e tij kishte lindur një dëshirë e kahershme për ta takuar, për të
ndarë mendime dhe për të bashkuar forcat në një ideal të përbashkët.
Takimi
mes tyre u bë i mundur përmes ndërmjetësimit të Sylë Arifit, një figure po aq
të përfshirë në lëvizjen ilegale, i cili asokohe mbante detyrën e sekretarit të
Këshillit të Vendit. Në sajë të funksionit të tij, ai kishte hapësirë dhe
mundësi të ndërhynte në emërimet dhe sistemimet e punonjësve të rinj, përfshirë
edhe mësuesit. Duke e parë rëndësinë e bashkëpunimit mes Mustafës dhe Hasan
Remnikut, Sylë Arifi u përpoq që ta vendoste Mustafën në një vend pune sa më
afër Hasanit, me qëllim që lidhja të bëhej më e shpejtë dhe kontakti më i
lehtë.
Ky
afrim nuk ishte vetëm një lëvizje e zakonshme burokratike, por një hap i
rëndësishëm strategjik, përmes tij do të krijohej ura lidhëse mes rezistencës
lokale dhe Komitetit Qendror të NDSH-së në Shkup. Në këtë mënyrë, një mësues i
ri, me përvojë arsimore dhe formim ushtarak, po shndërrohej në një hallkë të
domosdoshme për forcimin e organizatës ilegale dhe për vazhdimin e rrjetit të
saj në gjithë Kosovën Lindore.
Pas
një periudhe të shkurtër, Mustafë Rushiti – i njohur si Koka – u transferua me
detyrë në shkollën e fshatit Remnik. Ky emërim nuk ishte vetëm një lëvizje
administrative, por u shndërrua në një pikë kthese për jetën dhe veprimtarinë e
tij. Vendosja në Remnik i dha atij mundësinë që të hynte në kontakt më të
drejtpërdrejtë me Hasan Remnikun, takimet me të cilin filluan të bëheshin
gjithnjë e më të shpeshta. Këto takime nuk ishin thjesht miqësore, ato ishin
mbledhje të mirëfillta ku ndërthureshin ide, plane dhe përgatitje konkrete për
organizimin e rezistencës.
Përmes
këtyre kontakteve, Mustafa filloi të bëhej pjesë e rrethit të ngushtë të
njerëzve që mbështesnin Hasan Remnikun, duke u përfshirë në mënyrë aktive në
jetën ilegale të kohës. Fakti që ai ishte mësues i vendosur në një fshat të
tillë, e bënte rolin e tij edhe më të rëndësishëm, pasi gëzonte respektin e
popullatës dhe kishte qasje të natyrshme tek të rinjtë e tek familjet, gjë që i
mundësonte të përhapte fshehtas idetë patriotike.
Në
këtë fazë, Mustafa kërkoi të rifreskonte edhe një lidhje të hershme me një
tjetër atdhetar: Agush Hetemin nga Bresalci, me të cilin kishte pasur njohje që
më parë. Ky kontakt i ri i forconte edhe më shumë lidhjet mes figurave të
ndryshme të lëvizjes ilegale në Anamoravë, duke krijuar një rrjet të organizuar
e të koordinuar më mirë. Në këtë mënyrë, vendosja e Mustafës në Remnik nuk
ishte vetëm një hap profesional, por një mundësi historike që e afroi edhe më
shumë me njerëzit dhe idealet për të cilat ai do të jetonte dhe do të vepronte.
Agush
Hetemi, i njohur si një ndër figurat e hershme të rezistencës në Anamoravë,
para Luftës së Dytë Botërore kishte qenë bujk i zakonshëm, i lidhur ngushtë me
tokën dhe jetën fshatare. Mirëpo, me shpërthimin e trazirave politike dhe
ushtarake, ai nuk mbeti jashtë zhvillimeve të kohës. Gjatë luftës, ai u rreshtua
krah forcave nacionaliste, duke e dëshmuar qartë se idealet e tij lidheshin me
mbrojtjen e atdheut dhe jo me imponimet ideologjike të pushteteve të huaja. Në
vitin 1943, mori pjesë në betejat e zhvilluara në Ponesh dhe në Livoq të
Poshtëm, ku përballja u bë kundër forcave partizane jugosllave, të cilat
synonin ta shtrinin kontrollin e tyre mbi Kosovë.
Pas
mbarimit të luftës dhe instalimit të regjimit komunist, Agush Hetemi nuk e
pranoi realitetin e ri politik. Në vitin 1949, në bashkëpunim me Ramadan Ramadanin
nga Gjilani, themeloi një organizatë ilegale që në popull njihej me emrin
“Zogisti”. Emri i saj kishte ngarkesë simbolike, duke i bërë jehonë
trashëgimisë së Mbretit Zog dhe duke shprehur hapur kundërshtimin ndaj sistemit
komunist. Qëllimi i organizatës ishte i qartë: përmbysja e rendit shoqëror të
kohës dhe krijimi i kushteve për bashkimin kombëtar.
Megjithatë,
të dhënat e mbledhura më vonë tregojnë se “Zogisti” nuk ishte një formacion
krejt i veçantë, por në thelb pjesë e të njëjtit trup organizativ që njihnim si
ONDSH – Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare. Ajo vepronte në kushte të
jashtëzakonshme represioni dhe nën një nivel konspiracioni shumë më të thellë,
çka bënte që shpesh të përdorte emërtime të ndryshme për t’iu shmangur hetimeve
të sigurimit jugosllav.
Në
këtë mënyrë, Agush Hetemi nuk ishte vetëm një bujk i thjeshtë që iu përgjigj
kushtrimit të kohës, por një figurë që mishëronte rezistencën e pandërprerë
shqiptare, nga përballja e hapur me armë në fushën e betejës, deri te
organizimi i fshehtë dhe i rrezikshëm politik, që kërkonte durim, vendosmëri
dhe besë të pathyeshme. Veprimtaria e tij është dëshmi e gjallë se rezistenca
shqiptare nuk u shua me fundin e luftës, por mori forma të reja për të vazhduar
betejën për liri.
Me
ndërmjetësimin dhe ndihmën e Sylë Arifit, u realizua një nga takimet më të
rëndësishme të ilegalës shqiptare në Anamoravë: ai mes Mustafë Kokës, Hasan
Remnikut dhe Agush Hetemit. Takimi u mbajt në një vend të fshehtë, të njohur si
“Gumnisht”, ku konspiracioni dhe kujdesi ishin kusht themelor për të shmangur
çdo ndjekje nga organet e sigurimit. Edhe pse biseda ndërmjet tyre nuk zgjati
shumë, ajo u tregua vendimtare, sepse aty u kristalizua plani konkret për
vazhdimin e veprimtarisë ilegale.
Në
këtë takim u ra dakord se duhej vepruar menjëherë dhe me vendosmëri. U theksua
se koha e pritjes kishte kaluar dhe se organizata nuk mund të mbetej vetëm në
fazën e përgatitjes ideologjike apo propagandistike. Tashmë ishte e nevojshme
të kalohej në aksione konkrete kundër strukturave të pushtetit. Vendimi kryesor
që u mor ishte që të fillohej urgjentisht me eliminimin e aktivistëve më të
njohur të pushtetit në këtë anë, të cilët konsideroheshin përgjegjës për
represionin e egër ndaj popullatës shqiptare. Në këtë listë, mbi të gjithë,
ishin oficerët e UDB-së, të cilët përbënin instrumentin kryesor të dhunës dhe
terrorit shtetëror.
Në
radhë të parë, u vendos që objektivi kryesor për likuidim të ishte sekretari i
Këshillit Popullor në Malishevë, i njohur për zellin e tij në zbatimin e politikave
represive kundër shqiptarëve. Ky vendim nuk ishte i rastësishëm, ai shënonte
një akt të menduar, që synonte të godiste jo vetëm një individ, por edhe vetë
strukturën politike që mbështeste pushtetin.
Po
ashtu, si pjesë e planit, u propozua fillimi i menjëhershëm i aksioneve
sabotuese, duke prerë telat e telefonit dhe shtyllat përgjatë rrugës
strategjike që lidhte Gjilanin me Bujanocin dhe Kamenicën. Ky akt kishte dy
qëllime: nga njëra anë, të pengonte komunikimin dhe koordinimin e forcave të
ndjekjes, dhe nga ana tjetër, të tregonte se lëvizja ilegale ishte e aftë të
godiste strukturat e pushtetit në pikat më të ndjeshme të tij.
Ky
takim në “Gumnisht” përbën një moment të rëndësishëm në historinë e rezistencës
ilegale, sepse shënon kalimin nga organizimi në fshehtësi në aksionin e
drejtpërdrejtë. Vendimet e marra aty nuk ishin thjesht plane të një grupi të
vogël, por shfaqnin qartësisht një strategji të qëndrueshme të lëvizjes për të
goditur aparatin represiv dhe për të dëshmuar se rezistenca shqiptare ishte e
gjallë dhe e vendosur.
Menjëherë
pas takimit të mbajtur në “Gumnisht”, grupi i Hasan Remnikut, Mustafë Kokës dhe
Agush Hetemit nisi të vërë në praktikë planin e tyre të veprimit. Fjala nuk
mbeti vetëm si ide, por u kthye shpejt në aksion konkret. Veprimi i parë ishte
sabotimi i rrjetit të komunikimit, në rrugën Gjilan–Bujanoc u prenë telat e
telefonit, duke e paralizuar përkohësisht lidhjen mes qendrave të pushtetit dhe
duke krijuar një pasiguri të dukshme në aparatin administrativ e ushtarak. Ky
akt i thjeshtë në dukje kishte një simbolikë të fuqishme – se lëvizja ilegale
ishte e pranishme dhe kishte fuqinë të ndërhynte në strukturat jetike të
pushtetit.
Vetëm
13 ditë më vonë, u krye edhe një nga aksionet më të rëndësishme të grupit:
likuidimi i sekretarit të Këshillit Popullor të Vendit në Malishevë, Petar
Markoviqit. Ky atentat nuk ishte një akt i izoluar, por një mesazh i qartë
politik, që tregonte se aparati represiv jugosllav nuk ishte i paprekshëm dhe
se veprimtarët shqiptarë ishin të gatshëm të godisnin figurat që shquheshin për
dhunë e përndjekje ndaj popullit.
Pas
këtij aksioni të bujshëm, Agush Hetemi tentoi të arratisej dhe t’i bashkohej
Hasan Remnikut në male, duke kërkuar të vazhdonte jetën ilegale në terrenet e
lirisë. Megjithatë, rrjeti i ngjeshur i UDB-së ishte tashmë në lëvizje dhe nuk
vonoi ta kapte. Arrestimi i tij përbënte një goditje të rëndë për grupin, por edhe
një dëshmi se sa i madh ishte presioni që pushteti ushtronte mbi ilegalen
shqiptare.
Ky
episod shënon një moment të dyfishtë, nga njëra anë, afirmimin e fuqisë së
aksionit të organizuar ilegal, që guxoi të godiste në zemër të strukturave të
pushtetit dhe nga ana tjetër, ekspozimin e rrezikut të madh që mbartnin këto
veprime, ku çdo hap i gabuar ose çdo tentativë për arrati mund të përfundonte
me arrestim dhe shuarje të individëve të përfshirë.
Jeta
e kaçakut ishte e mbushur me sakrifica dhe privime, dhe për Hasan Remnikun ajo
përditshmëri e ashpër kishte një plagë të veçantë, mungesën e fëmijëve të tij.
Edhe pse i qëndronte besnik idealit dhe rrugës së nisur, largësia nga familja
dhe sidomos nga i biri i vetëm e rëndonte shpirtërisht. Malli i prindit për
fëmijën shpeshherë i bëhej barrë e padurueshme, ndaj disa herë i kishte kërkuar
korrierit të tij besnik, Arif Sylës, që të gjente një mënyrë për t’ia sjellë
djalin, qoftë edhe për një çast të shkurtër.
Arifi,
i cili përveçse ishte lidhja më e fortë mes Hasanit dhe botës jashtë maleve,
ishte edhe njeriu që i besonte jetën dhe sekretet më të fshehta. Pa hezitim, ai
i plotësoi dëshirën e Hasanit. Herën e parë, ai ia solli djalin – Aliun
12-vjeçar – në një vend të fshehtë të quajtur “Qeremide”. Takimi ishte prekës:
një baba i lodhur nga jeta ilegale dhe një djalë i vogël që, mes frikës dhe
krenarisë, shihte të atin si figurë të gjallë të legjendës. Dy vjet më vonë, u
realizua një tjetër takim i tyre, këtë herë në “Bostanishte”, pikërisht në
periudhën kur Hasan Remniku po bënte përgatitjet për t’u arratisur në Shqipëri,
në vitin 1952.
Besimi
që Hasani kishte tek Arif Syla ishte i pakushtëzuar dhe i plotë. Ai e
konsideronte jo vetëm bashkëpunëtor, por edhe vëlla të idealit. Ky besim u
dëshmua edhe më vonë, kur Arifi u arrestua nga organet e sigurimit. Edhe pse iu
nënshtrua torturave të rënda, që për një djalosh të ri ishin gati të
papërballueshme, ai nuk pranoi të tregonte asgjë. Heshtja e tij e qëndrueshme
ishte mburoja më e fortë që ruajti jetën e Hasanit dhe vazhdimësinë e lëvizjes
ilegale.
Ky
episod tregon dy dimensione të thella të jetës së ilegalit, nga njëra anë,
mallin e pangushëllueshëm të një babai për fëmijën e tij, dhe nga ana tjetër,
fuqinë e besës dhe besnikërisë që lidhte shokët e idealit. Në to shfaqet e
plotë drama njerëzore e rezistencës, dhimbja personale e ndërthurur me
sakrificën e përbashkët, ku edhe fëmijët, edhe të rinjtë, edhe të rriturit
bartnin mbi supe barrën e një ideali të madh.
Në
procesin gjyqësor të njohur si ai i grupit të jatakëve, sipas aktgjykimit nr.
K-23/51, dëshmitë e dhëna hedhin dritë mbi disa episode vendimtare të lëvizjes
ilegale shqiptare në fillim të viteve ’50. Në dokument theksohej se Arif Syla
“kishte pranuar se diku rreth Shëngjergjit të vitit 1951 ishte takuar me Hasan
Remnikun”. Në atë takim, Hasani e kishte ngarkuar me një porosi të veçantë, ta
ftonte mësuesin e fshatit, Mustafë Rashitin, për t’u takuar në një vend të
fshehtë, të njohur si “Zheden”, mbi fshat.
Arifi
e kishte kryer me përpikëri detyrën e besuar dhe bashkë me Mustafën u paraqitën
në vendin e caktuar. Takimi me Hasan Remnikun, që zgjati mbi dy orë, nuk ishte
një bisedë e zakonshme, por një moment themeltar. Aty u bë kontakti i parë mes
mësuesit dhe të arratisurve. Ky takim shënoi edhe hyrjen e Mustafë Rashitit në
botën e ilegales, një vendim që më vonë do ta vuloste me veprime të guximshme.
Ngjarjet
që pasuan e dëshmojnë këtë. Pas likuidimit të dy oficerëve të UDB-së, aksion që
sipas dëshmive e kishte kryer vetë mësuesi, ai nuk mund të qëndronte më në jetën
civile. Rruga e tij u lidh përfundimisht me atë të Hasan Remnikut dhe shokëve
të tij në male. Kjo nuk ishte vetëm një zgjedhje e imponuar nga rrethanat, por
edhe një dëshmi e përkushtimit të tij ndaj kauzës kombëtare.
Në
aktgjykim dhe në dëshmitë e dhëna në UDB, përfshi edhe një deklaratë të
regjistruar më 31 tetor 1951, përmenden takime të shumta mes Hasan Remnikut dhe
të akuzuarve në vende të ndryshme të Anamoravës. Midis tyre përmenden edhe
lokalitetet e njohura si “Qeremide” dhe “Tërshevina”, të cilat shërbenin si
strehë dhe pika të sigurta për biseda e koordinim.
Këto
dëshmi nxjerrin në pah jo vetëm natyrën e veprimtarisë ilegale, por edhe peshën
që kishte besimi, besa dhe solidariteti mes shokëve të idealit. Në to shfaqet
qartë se rruga drejt rezistencës nuk ishte një hap i vetëm, por një proces i
ngadalshëm afrimi, i shënuar nga takime, porosi dhe aksione, që përfundimisht i
lidhte individët me njëri-tjetrin dhe me kauzën e madhe të lirisë.
Sipas
aktgjykimit K-23/51, Gjykata e Qarkut në Gjilan shpalli vendimin për dënimin me
katër vite burg të rëndë ndaj të akuzuarve, duke synuar të shuante edhe zërat
më të vegjël të rezistencës. Megjithatë, ky vendim gjyqësor, ashtu si shumë të
tjerë të asaj kohe, nuk arriti ta shlyente besimin dhe mbështetjen që populli i
Karadakut kishte për Hasan Remnikun dhe idealet e tij. Përkundrazi, njerëzit,
të vetëdijshëm për qëllimet e larta të tij atdhetare, nisën në mënyrë të
fshehtë t’i afrohen, ta përkrahin dhe ta ndihmojnë në rrugën e tij të vështirë.
Pas
“mbarimit” të Luftës së Dytë Botërore, realiteti për shqiptarët nuk solli liri,
por shtypje dhe represion. Një numër i madh burrash dhe të rinjsh u burgosën
dhe u dërguan në kazamatet famëkeqe serbe, ku kalbeshin për vite të tëra. Në
mesin e tyre gjendeshin edhe familjarë të mësuesit Mustafë Koka, një figurë e
respektuar e Anamoravës. Biografia e tij familjare, e lidhur me ndjenjat
kombëtare dhe me të kaluarën e ngarkuar me qëndresë, mjaftoi që organet e
UDB-së ta shënjestronin, duke vendosur ta survejonin dhe t’i ngrinin gracka për
ta arrestuar.
Por
Mustafa, i mprehtë dhe i vëmendshëm, kishte kuptuar me kohë se po përgjohej.
Për këtë arsye, përmes korrierit të Hasan Remnikut, ai kërkoi një takim të
drejtpërdrejtë me të. Takimi u realizua në varrezat e kolonëve të Remnikut, në
një vend të fshehtë e simbolik, të njohur si Zheden. Aty, mes heshtjes së
varreve dhe rrezikut të përhershëm, mësuesi hallëmadh i shpalosi Hasanit arsyet
që e shtynin të hynte në grupin e tij ilegal.
Hasan
Remniku, i cili njihte dhimbjen, përkushtimin dhe guximin e këtij mësuesi, e
priti me gjithë zemër. Ai i dha mirëseardhjen e nxehtë në radhët e çetës së
tij, duke e konsideruar tashmë jo vetëm bashkëluftëtar, por vëlla të idealit.
Nga ai çast, të dy u bënë shokë të pandashëm. Luftuan krah për krah, ndanë të
njëjtat rreziqe, të njëjtat shpresa dhe të njëjtin mall për lirinë. Dhe kur
erdhi ora e fundit, edhe vdekja nuk arriti t’i ndante – duke i lënë në histori
si shembull të besës, shoqërisë dhe sakrificës së përbashkët.
Në
një nga dosjet e UDB-së hasim një të dhënë që dëshmon një kthesë të madhe në
jetën e Mustafë Kokës. Më 6 qershor 1951, në banesën e tij, ai kreu një akt të
guximshëm e të rrezikshëm njëkohësisht: vrau dy policët e pushtetit, Vojon dhe
Xhaferin. Ky veprim, i cili tronditi organet e rendit, shënoi fundin e jetës së
tij civile dhe përshpejtoi daljen e tij në mal, duke iu bashkuar çetës së Hasan
Remnikut. Që nga ai moment, ai nuk ishte më vetëm mësuesi i nderuar i fshatit,
por luftëtari që i dha besën një ideali të madh, duke u rreshtuar në krah të
njërit prej figurave më emblematike të rezistencës ilegale shqiptare.
Kur
organet e ndjekjes morën vesh se edhe mësuesi Mustafë Koka kishte hyrë në mal
dhe ishte bashkuar me Hasan Remnikun, reagimi i pushtetit ishte i menjëhershëm.
Forcat e rendit dhe ushtria jugosllave e shtuan intensitetin e ndjekjeve, duke
organizuar aksione të përditshme, duke kontrolluar fshatrat, dhe duke ngritur
prita nëpër male e shtigje. Për ta, ky bashkim forcash mes një mësuesi të
respektuar dhe një ilegalisti të njohur përbënte një kërcënim të dyfishtë.
Ishte një përzierje e fuqisë së penës dhe të pushkës, e arsimimit dhe e
rezistencës popullore.
Ndërkohë,
vetë UDB-ja, e njohur për metodat e saj tinëzare, ndërmori një strategji
tjetër. Ajo filloi të lironte nga burgjet një numër të konsiderueshëm
shqiptarësh, por jo si akt mëshire. Lirimi i tyre ishte i kushtëzuar, duhej të
bashkëpunonin me organet e sigurimit dhe të ndihmonin në zbulimin dhe kapjen e
“ballistit të fundit të Anamoravës”. Ky manipulim tregon se pushteti ishte i
vendosur të përdorte çdo mjet, qoftë edhe më të pandershmin, për ta shuar
rezistencën që përfaqësonin Hasan Remniku dhe Mustafë Koka.
Ky
episod shpalos dy dimensione të qarta: nga njëra anë, heroizmin dhe guximin e
një mësuesi që zgjodhi rrugën e maleve për t’u bashkuar me idealin e lirisë dhe
nga ana tjetër, panikun e pushtetit, i cili e kuptoi se një rezistencë e
mbështetur jo vetëm te pushka, por edhe te vetëdija dhe autoriteti moral i
njerëzve të ditur, ishte edhe më e rrezikshme.
Grupit
të Hasan Alisë, në rrugëtimin e tij të rrezikshëm e të mbushur me sakrifica, iu
bashkua edhe një figurë tjetër e njohur e rezistencës, anëtari i LNDSH-së,
Agush Hetem Muharremi. Ai njihej si një atdhetar i përkushtuar, që kishte dhënë
prova të qarta të vendosmërisë së tij në mbrojtjen e idealeve kombëtare.
Angazhimi i tij në radhët e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare e kishte
vënë në shënjestër të pushtetit jugosllav, dhe pas arrestimit të tij, Gjykata e
Qarkut në Gjilan i shqiptoi dënimin kapital – pushkatimin.
Megjithatë,
mbi çështjen e tij rëndonte edhe një tjetër interes. Nga instancat e larta të
sigurimit ishte dhënë urdhër i prerë që Hasan Alia të kapej “i gjallë ose i
vdekur”. Në këtë kuadër, UDB-ja mendoi të keqpërdorte miqësinë dhe besimin e
hershëm që ekzistonte mes Agushit dhe Hasan Remnikut. Me qëllim ta shfrytëzonin
si mjet për të depërtuar në rrethin e ilegalës, gjykata, sipas kërkesës së
UDB-së, ia fali dënimin me vdekje, duke ia zëvendësuar me një dënim prej 20
vjetësh burg. Pas këtij akti, pushteti besonte se do të mund ta thyenin
shpirtin e tij dhe ta shndërronin në bashkëpunëtor.
Por
historia mori një tjetër rrjedhë. Sipas disa të dhënave, Agush Hetemi arriti të
arratisej nga burgu dhe, duke sfiduar çdo rrezik, iu bashkua përsëri grupit të
Hasan Alisë në male. Ky akt jo vetëm që i dha një forcë të re grupit të
rezistencës, por edhe shkatërroi planet e UDB-së, e cila kishte shpresuar ta
përdorte atë si vegël kundër shokut të tij të idealit.
Pas
arratisjes së tij, aparati i sigurimit reagoi me ashpërsi. U shpall një
shpërblim i madh në të holla për këdo që do të jepte informata apo do të
ndihmonte në kapjen e tij. Ky fakt tregon sa shumë frikë ngjallnin individët si
Agushi, të cilët, edhe pse kishin kaluar nëpër kalvarin e burgjeve dhe torturave,
nuk u thyen, por zgjodhën sërish rrugën e maleve, duke e forcuar edhe më shumë
mitin e pathyeshmërisë së rezistencës shqiptare.
Sipas
dosjeve të shumta gjyqësore kundër jatakëve, të cilët u nxorën para drejtësisë
dhe u dënuan me vite të gjata burgimi, shihet qartë se rrjeti i strehimit të
Hasan Remnikut ishte i gjerë dhe i thellë në gjithë territorin e Anamoravës.
Numri i atyre që hapnin dyert e shtëpive për të ishte i madh, duke e bërë atë
një figurë që lëvizte pa frikë në shumë fshatra: në Remnik, Lubishtë, Smirë,
Livoq të Epër e të Ultë, Ponesh dhe në shumë vendbanime të tjera përreth. Kjo
mbështetje e gjerë tregonte jo vetëm respektin që ai gëzonte, por edhe
solidaritetin e popullsisë shqiptare, e cila e shihte tek ai simbolin e
rezistencës dhe të shpresës.
Megjithatë,
ndër të gjitha vendet, Hasan Remniku me më shumë ëndje dhe qetësi vizitonte
fshatin Livoç. Arsyeja ishte e qartë, aty banonte miku i tij i ngushtë dhe i
idealit, Daut Kepa. Miqësia e tyre nuk ishte thjesht lidhje personale, por një
vëllazëri e ngjizur në besë dhe në sakrificë, ku fjala e dhënë kishte vlerën e
jetës. Pikërisht tek Dauti, Hasani ndiente siguri të plotë, duke e ditur se
besnikëria e tij ishte e palëkundur.
Kur
Daut Kepa mësoi se Hasani kishte vendosur të arratisej nga Kosova për në
Shqipëri, ai nuk ngurroi t’i dalë në ndihmë. E kuptonte se kjo arratisje ishte
një hap vendimtar për shpëtimin e jetës së mikut të tij dhe për vazhdimin e
kauzës së përbashkët. Për këtë arsye, Dauti i siguroi një njeri të besuar që do
ta shoqëronte në udhëtimin e rrezikshëm jashtë vendit. Ky ishte Sylë Vraniqi,
nga fshati Vraniq i Therandës (Suharekë), i cili pranoi ta merrte përsipër
rrugëtimin e vështirë nga Vraniqi deri në kufi.
Ky
episod tregon se rezistenca ilegale nuk ishte vetëm çështje pushkësh dhe
betejash, por edhe çështje marrëdhëniesh njerëzore, ku besa dhe miqësia
bëheshin po aq të rëndësishme sa trimëria. Hasan Remniku mbijetoi aq gjatë jo
vetëm falë guximit të tij, por edhe falë një rrjeti të gjerë jatakësh që e
ndihmonin me shpirt e me rrezik, duke dëshmuar se ideali i lirisë kishte gjetur
strehë në zemrat e popullit.
Hasan
Alia, me kthjelltësinë e një njeriu që e dinte mirë peshën e kohës dhe rreziqet
që e rrethonin, vuri re se rrethi i lëvizjes ilegale dita-ditës po ngushtohej.
Forcat e pushtetit, përmes ndjekjeve të pareshtura dhe torturave të shumta, po
arrinin të depërtonin gjithnjë e më thellë në rrjetin e tij, duke e bërë
gjithnjë e më të vështirë veprimtarinë ilegale. Për më tepër, çdo hap i tij po
rëndonte mbi shpatullat e miqve dhe dashamirëve që e strehonin dhe e ndihmonin.
Çdo natë e kaluar në një shtëpi shqiptare rrezikonte të kthehej në një tragjedi
për familjet, të cilat pushteti nuk ngurronte t’i ndëshkonte me burgime,
internime apo shkatërrim ekonomik.
I
vetëdijshëm për këtë situatë të rëndë dhe për faktin se jeta e tij nuk ishte më
vetëm e tij, por e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e shumë të tjerëve, Hasan
Alia mori një vendim të madh. Së bashku me grupin e tij të ngushtë, vendosi që
të ndërmerrte hapin e arratisjes drejt Shqipërisë. Ky vendim nuk ishte i lehtë,
sepse nënkuptonte ndarjen nga vendlindja dhe njerëzit që donte, por ishte rruga
e vetme për të siguruar vazhdimësinë e luftës dhe për të shpëtuar nga rreziku i
shuarjes së plotë të lëvizjes.
Arratisja
për në Shqipëri shihej si një mundësi për të gjetur një strehë më të sigurt,
për t’u riorganizuar dhe për të pritur momentin e duhur për t’u kthyer sërish
në Kosovë. Ajo ishte një strategji e imponuar nga rrethanat, por njëherësh edhe
një akt i dhimbshëm, sepse për një patriot si Hasan Alia, çdo hap larg tokës së
tij ishte plagë në zemër. Megjithatë, zgjedhja e bërë dëshmonte pjekurinë e tij
politike dhe vendosmërinë për ta mbajtur të gjallë idealin, edhe kur kushtet
vendore ishin bërë pothuaj të pamundura.
Vijon









