Speciale » Basha
Sabile Basha: Avni Rrustemi dhe jehona e protestës në Tiranë
E enjte, 16.10.2025, 07:00 PM
AVNI RRUSTEMI DHE JEHONA E PROTESTËS NË TIRANË
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Vite
më parë kisha shkruar një punim kushtuar figurës së Avni Rrustemit dhe lidhjes
së tij me idealin e pavarësisë së Kosovës. Ai studim, që në thelb ishte një
përpjekje për të ndërlidhur veprimin atdhetar të Rrustemit me frymën e lirisë
që do të përvijonte më vonë në historinë e popullit tonë, u prit me interes e
mirënjohje nga shumë njerëz të asaj kohe. Përgëzimet që mora atëherë nuk ishin
vetëm për përmbajtjen, por për guximin për të rikthyer në vëmendje një figurë
që mishëronte sakrificën dhe vendosmërinë e një brezi që besonte se liria nuk
dhurohet, por fitohet.
Sot,
ndërsa ndodhemi në prag të tubimit protestues që do të mbahet më 17 tetor 2025
në Tiranë, në përkrahje të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që
padrejtësisht po mbahen në Hagë, ndjej të njëjtën frymë që më kishte udhëhequr
atëherë — frymën e dinjitetit kombëtar dhe të qëndresës. Këto protesta, që
lindin nga një ndjenjë e thellë drejtësie dhe solidariteti, përfaqësojnë një zë
të përbashkët të shpirtit shqiptar në mbrojtje të vlerave të lirisë.
Ato
nuk kanë vetëm rëndësi simbolike në nivel kombëtar, ndikimi i tyre shtrihet
dukshëm edhe në arenën ndërkombëtare. Përmes tyre, shoqëria shqiptare përcjell
një mesazh të qartë dhe të qëndrueshëm — se historia e rezistencës sonë nuk
mund të rishkruhet padrejtësisht dhe se dinjiteti i atyre që luftuan për liri
nuk mund të cenohet nga keqinterpretime politike.
Kështu,
si dikur Avni Rrustemi që ngriti zërin e një populli përballë padrejtësisë, sot
zërat e protestave në Tiranë, Prishtinë e në diasporë janë dëshmi se ideali i
lirisë mbetet i gjallë. Ai ideal, që s’njeh kufij kohorë, vazhdon të frymëzojë
breza të tërë në kërkim të së vërtetës, të drejtës dhe të dinjitetit njerëzor.
Ndërsa
po e ndiqja programin e mëngjesit të RTK-së, më 15 tetor 2025, ndjeva një
ndjenjë të thellë admirimi e përulësie. Në ekran po shfaqej intervista e z.
Hysni Gucati, i cili fliste me qetësi, por me një forcë shpirtërore të
jashtëzakonshme, për tubimin madhështor e paqësor që po organizohej në Tiranë
në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj që po
përballen me padrejtësitë në Hagë.
Nuk
e di pse, por në atë çast, krejt papritur, mendja më shkoi te ai punimi që
kisha botua vite më parë, tek ai proces gjyqësor — ai ndaj patriotit të madh
shqiptar, Avni Rrustemit. M’u kujtua jo vetëm figura e tij si njeri që e deshi
kombin më shumë se veten, por edhe mënyra si drejtësia e kohës u përpoq ta
ndëshkonte për guximin e tij. Ashtu si sot, edhe atëherë, historia shqiptare
kishte dëshmuar se çdo përpjekje për ta heshtur zërin e lirisë, përfundon duke
e bërë atë edhe më të fuqishëm.
Në
thelb, paralelet midis së kaluarës historike dhe realitetit të sotëm janë
njëkohësisht të dhimbshme dhe thellësisht domethënëse. Ato na kujtojnë se
historia shpesh përsëritet në forma të ndryshme, por gjithmonë me të njëjtin
mesazh — se liria dhe dinjiteti kombëtar kanë një çmim, dhe se ky çmim paguhet
nga ata që guxojnë të qëndrojnë në anën e së vërtetës.
Ashtu
si dikur Avni Rrustemi, i cili u përball me një drejtësi të padrejtë për një
akt që në thelb mishëronte revoltën e një populli të shtypur, sot, përpara një
tjetër gjykate — asaj të Hagës — qëndrojnë figura të rëndësishme të historisë
sonë më të afërt. Midis tyre janë presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i
Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup
Krasniqi, Rexhep Selimi — ai që doli hapur dhe me guxim i tregoi botës se
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ekziston dhe vepron në vendin e vet — si dhe shumë
të tjerë, pjesëtarë të saj që mbrojtën me sakrificë lirinë e popullit shqiptar.
Ata
që sot po përballen me gjykimin ndërkombëtar nuk janë thjesht individë që
mbajnë përgjegjësi personale, ata përfaqësojnë një brez të tërë që mbarti mbi
supe barrën e historisë dhe të idealit kombëtar. UÇK-ja, përmes tyre, nuk
shihet vetëm si një formacion ushtarak, por si një simbol i qëndresës, i
dinjitetit dhe i vendosmërisë për të mos pranuar më robërinë.
Në
të dyja rastet — si atëherë me Avni Rrustemin, ashtu edhe sot me luftëtarët e
UÇK-së — kemi të bëjmë me njerëz që e kanë përjetuar padrejtësinë si çmimin e
lirisë. Ata që sot gjykohen në Hagë mbeten dëshmi e gjallë se idealet kombëtare
nuk maten me vendime gjykatash, por me qëllimin për të cilin janë ngritur.
Lufta e tyre nuk ishte për pushtet, por për ekzistencë, nuk ishte për përfitim,
por për të drejtë. Dhe pikërisht për këtë arsye, historia nuk do t’i gjykojë
ata si individë, por si simbol të një populli që zgjodhi të mos heshtë më.
Në
të dyja rastet, fjala “drejtësi” është vënë në provë përballë ndërgjegjes.
Ashtu si dikur Rrustemi, edhe sot këta burra përfaqësojnë një kapitull të
pandashëm të historisë shqiptare — një kapitull që nuk mund të fshihet, sepse
është shkruar me gjakun, sakrificën dhe dinjitetin e atyre që luftuan për të
drejtën më themelore të çdo populli-LIRINË.
Historia
e UÇK-së, njësoj si ajo e Rrustemit dhe e të gjithë atyre që e deshën atdheun
më shumë se jetën, mbetet dëshmi e gjallë se e vërteta mund të vonohet, por nuk
mund të mbytet. Sepse idealet që lindin nga dhembja e popullit janë më të forta
se çdo akt gjykate — ato mbijetojnë në kujtesën e brezave, si testament i
sakrificës dhe i krenarisë sonë kombëtare.
Duke
e dëgjuar z. Gucatin, e kuptova se historia përsëritet jo për të na lodhur, por
për të na kujtuar se liria nuk është një dhuratë e përhershme — ajo duhet
mbrojtur përherë, me zë, me kujtesë dhe me qëndresë morale. Dhe ndoshta
pikërisht aty qëndronte lidhja e beftë që më preku aq thellë, te vazhdimësia e
një ideali që nuk shuhet me gjykime, me burgje, apo me vite — por mbetet i
gjallë sa herë që dikush ngre zërin për të vërtetën.
M’u
kujtua, po ashtu, me një ndjenjë të thellë respekti e krenarie, mënyra se si
mbarë shqiptarët, kudo që jetonin e vepronin, ishin bashkuar dikur në
mbështetje të Avni Rrustemit. Në ato vite të trazuara, kur fjala e lirë ishte
rrezik dhe drejtësia shpesh ishte peng i pushteteve, ata nuk heshtën. Me një
vetëdije të lartë kombëtare, ata kishin shkruar dhe dërguar qindra letra
përkrahjeje në gjykatën që po e gjykonte Rrustemin, duke e ngritur zërin e
bashkimit përtej kufijve gjeografikë e politikë.
Qëllimi
i tyre ishte i qartë dhe i drejtë, të dëshmonin përkrahjen ndaj një atdhetari
që kishte vepruar jo për lavdi personale, por për dinjitetin e kombit. Ata
dëshironin t’i bënin të ditur botës se akti i Rrustemit nuk ishte krim, por
reagim i drejtë ndaj tradhtisë — se Esat Pashë Toptani, që kishte shitur
interesin kombëtar, e kishte merituar atë fund. Kjo përfshirje e gjerë e
shqiptarëve ishte më shumë sesa një solidaritet moral, ishte një akt historik i
ndërgjegjes kolektive.
Gjykata,
e përballur me këtë jehonë përkrahjeje që vinte nga çdo anë ku jetonte
shqiptaria, nuk mundi të injoronte zërin e një populli të tërë. Ky presion
moral dhe qytetar ndikoi që vendimi përfundimtar të jepej në favor të Avni
Rrustemit. Ai nuk u pa më si një atentator, por si simbol i rezistencës kundër
tradhtisë dhe padrejtësisë.
Ky
rast dëshmonte fuqinë e unitetit kombëtar — se kur shqiptarët bashkohen për një
qëllim të drejtë, zëri i tyre fiton peshë, madje edhe përballë institucioneve
që zakonisht i mbyllin veshët ndaj të vërtetës. Dhe në këtë kujtesë të
përbashkët, Avni Rrustemi mbetet një shembull i përjetshëm i asaj se si ideali,
kur gjen mbështetje në zemrat e njerëzve, mund të shndërrojë edhe drejtësinë në
një akt njerëzor e kombëtar.
Çfarë
analogjie e fuqishme më erdhi ndër mend — një kujtim nga viti 2002, kur një
delegacion i grave deputete nga Kosova (ku në mesin e tyre ndodhesha edhe unë),
ishim të ftuara për një vizitë zyrtare në Bundestagun gjerman. Aty, në atë
hapësirë ku politika evropiane merrte formë, patëm rastin të takonim një grua
të jashtëzakonshme, Rita Süssmuth, ish-kryetare e Bundestagut dhe një figurë me
peshë të veçantë në politikën gjermane e ndërkombëtare.
Në
bisedën që zhvilluam me të, ajo na la një porosi që, me kalimin e viteve, ka
fituar vlerën e një aksiome politike dhe morale. Me një ton të qetë, por plot
vendosmëri, ajo tha: “Kërkesat
tuaja, cilatdo qofshin ato, duhet t’i shprehni me zë. Vetëm atëherë dëgjohen
dhe kuptohen.”
Në
atë çast, ndoshta, fjalët e saj u dukën si një këshillë miqësore, por sot ato
marrin kuptim më të thellë — sidomos kur i shohim në dritën e zhvillimeve
aktuale. Ajo na kujtonte se heshtja është shpesh një formë e dorëzimit, ndërsa
fjala e artikuluar me dinjitet është mjeti më i fuqishëm i demokracisë dhe i
mbrojtjes së së vërtetës.
Ashtu
siç dikur letra e shqiptarëve për Avni Rrustemin tronditi opinionin publik e
ndikoi në drejtësi, po ashtu edhe sot zëri i artikuluar në mënyrë të qetë, por
të vendosur, në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK-së, ka fuqi morale dhe politike
për të ndryshuar perceptime e për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur.
Këshilla
e Rita Süssmuth mbetet një mësim për breza — se e drejta, për të qenë e tillë,
duhet të flitet, të dëgjohet dhe të mbrohet me guxim. Sepse vetëm kur kërkesa
merr formën e fjalës së qartë, ajo mund të kthehet në realitet dhe të lërë
gjurmë në ndërgjegjen e botës.
Tubimet
protestuese të shqiptarëve, që filluan në Prishtinë, u zgjeruan në diasporë —
madje edhe në Hagë — dhe së fundi po marrin formë në Tiranë, përbëjnë një
shenjë të pjekurisë politike dhe qytetare të kombit tonë. Unë do të propozoja
që këto tubime të mos ndalen deri në ditën kur të shqiptohet verdikti
përfundimtar i gjykatës. Prania e vazhdueshme, këmbëngulja e qetë dhe qëndrimi
dinjitoz i protestuesve nuk janë thjesht një akt solidariteti, por një mesazh i
qartë për botën — se drejtësia nuk mund të mbetet e heshtur përballë
padrejtësisë historike.
Këto
tubime bartin në thelbin e tyre atë frymë që dikur na kishte këshilluar me
mençuri zonja Rita Süssmuth, ish-kryeparlamentare e Bundestagut gjerman:
domosdoshmërinë për ta artikuluar me zë të qartë, të arsyetuar dhe qytetërues
çdo kërkesë legjitime. Në këtë frymë, protestat shqiptare nuk janë shfaqje e
revoltës, por dëshmi e ndërgjegjes kolektive dhe e respektit ndaj parimeve të
demokracisë moderne.
Pjesëmarrësit
e këtyre tubimeve, në Kosovë, në Shqipëri e në mërgatë, kanë treguar një nivel
të lartë maturie dhe dinjiteti. Fjalët që ata artikulojnë nuk janë thirrje
emocionale apo slogane kalimtare, por kërkesa të menduara, të argumentuara dhe
të paraqitura në mënyrë të qartë e transparente. Në to, nuk ka mllef, por
vendosmëri; nuk ka zemërim, por dinjitet.
Kjo
qasje e përmbajtur, por e fuqishme, është ajo që krijon ndikim të qëndrueshëm
në opinionin ndërkombëtar. Ajo dëshmon se shqiptarët dinë të mbrojnë të drejtën
e tyre jo me dhunë, por me forcën e argumentit dhe me kulturën e qytetarisë.
Dhe pikërisht kjo është mënyra më fisnike për ta bërë të dëgjohet zëri ynë —
zëri i një populli që nuk kërkon mëshirë, por drejtësi; që nuk kërkon
hakmarrje, por njohje të së vërtetës historike.
Në
çdo tubim të mbajtur deri më sot — në Prishtinë, në diasporë apo në Tiranë —
është vërejtur dhe vërehet një frymë e përbashkët e maturisë dhe e
përgjegjësisë qytetare. Pjesëmarrësit, përmes pranisë së tyre dhe përmes
thirrjeve të shkruara në pankarta, kanë manifestuar dhe manifestojnë respekt të
thellë për rendin demokratik dhe për parimet themelore mbi të cilat ndërtohet
një shoqëri e lirë dhe e drejtë. Në çdo fjalë, në çdo qëndrim, është lexuar një
vetëdije e qartë se liria e shprehjes nuk është vetëm e drejtë që të thuhet
diçka, por edhe përgjegjësi për ta bërë këtë me maturi, me etikë dhe me qëllim
të ndershëm.
Kjo
mënyrë qytetare e të vepruarit përbën një dëshmi të rëndësishme se shqiptarët,
kudo që jetojnë, kanë arritur një nivel të lartë vetëdijeje politike e
shoqërore. Nuk është më fjala për një reagim emocional, por për një qëndrim të
ndërtuar mbi argument, vizion dhe dinjitet. Kërkesat për lirimin e luftëtarëve
të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk shprehen me gjuhën e zemërimit, por me
fjalën e arsyes; jo me thirrje të çastit, por me apel të qëndrueshëm ndaj
drejtësisë dhe ligjit ndërkombëtar.
Ky
nivel i lartë ndërgjegjeje qytetare e ngre diskursin shqiptar në një plan të ri
— në planin e atyre shoqërive që dinë të mbrojnë të drejtën e tyre jo përmes
retorikës së konfrontimit, por përmes forcës morale dhe kulturës demokratike.
Kështu, çdo tubim bëhet jo vetëm një akt solidariteti, por edhe një mësim për
mënyrën se si ndërtohet dhe ruhet dinjiteti kombëtar në kohë sfidash.
Ndiej
një ndjenjë të thellë krenarie teksa shoh se jehona e tubimit në Tiranë po
përhapet me shpejtësi dhe me natyrshmëri, duke kapërcyer kufijtë e një
ngjarjeje të zakonshme politike për t’u shndërruar në një lëvizje të gjallë
qytetarie e vetëdijeje kombëtare. Ky tubim, në vetvete, po dëshmon se
shqiptarët, kudo që janë, kanë arritur pjekurinë e duhur demokratike për të
artikuluar kërkesat e tyre me dinjitet, paqe dhe argument.
Ai
po bëhet shembull i bashkimit në veprim, i asaj force të heshtur që lind nga
respekti për të drejtën dhe nga besimi se drejtësia nuk fitohet me zhurmë, por
me qartësi, këmbëngulje dhe kulturë demokratike. Pjesëmarrësit e tij nuk po
flasin vetëm në emër të një kauze politike, por në emër të një të vërtete
historike, në mbrojtje të dinjitetit të atyre që sakrifikuan për lirinë që sot
e gëzojmë.
Dhe
në fund, ndërsa e shikoja këtë organizim që po përhapej me aq natyrshmëri e
harmoni, nuk mund të mos reflektoja me mirënjohje e emocion: Sa mirë, sa bukur është kur
fjala bëhet urë që lidh njerëzit, kur zëri i arsyes dëgjohet përtej kufijve dhe
kur kërkesa për drejtësi shprehet me argumente, jo me zhurmë. Në këtë frymë, ky tubim
nuk është vetëm një ngjarje — është një dëshmi e gjallë se një popull i pjekur
di të mbrojë të drejtën e vet me forcën e fjalës dhe me dinjitetin e paqes.
Ushtria
Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe mbetet një ushtri e lindur nga gjiri i
popullit të vet. Ajo nuk ishte një strukturë e imponuar, as një organizatë e
motivuar nga ambicie individuale apo ideologji të huaja, ajo ishte vetë zëri i
një populli që për shekuj ishte nëpërkëmbur, i një populli që më në fund
vendosi të ngrihej për të mbrojtur dinjitetin dhe ekzistencën e tij. Në esencë,
UÇK-ja përfaqësonte ndërgjegjen e lirisë, mishërimin e vullnetit kolektiv për
t’i dhënë fund padrejtësisë historike.
Për
këtë arsye, duhet thënë hapur dhe me bindje se ajo nuk ishte e kriminalizuar,
as atëherë dhe as sot. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe është jo vetëm
keqlexim historik, por edhe mohim moral i sakrificës së mijëra burrave dhe
grave që dhanë jetën për liri. Mbrojtja e UÇK-së nuk është vetëm mbrojtje e një
periudhe të caktuar historike; ajo është mbrojtje e vetë të vërtetës, e
kujtesës kolektive, e dinjitetit të një populli që diti të qëndrojë edhe në
momentet më të errëta të historisë së vet.
Prandaj,
duhet thënë dhe rithënë, kërkuar dhe rikërkuar, dëshmuar dhe ridëshmuar, sa
herë që paraqitet nevoja — qoftë një herë, qoftë një milion herë. Sepse e
vërteta historike, ashtu si liria, nuk duhet mbrojtur vetëm një herë. Ajo
kërkon përkujdesje të vazhdueshme, kujtesë të gjallë dhe guxim moral për të
kundërshtuar çdo tentativë për ta shtrembëruar.
UÇK-ja
është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe dëshmi e faktit se liria nuk u
dhurua, por u fitua me sakrificë. Dhe për këtë, brezat që vijnë kanë për detyrë
jo vetëm ta kujtojnë, por ta mbrojnë atë të vërtetë — me argument, me dinjitet
dhe me besim në drejtësinë e historisë.
Duhet
thënë hapur, me qartësi dhe pa asnjë hezitim: të gjithë shqiptarët, kudo që
janë — në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Ulqin, në Preshevë,
por edhe në diasporën e gjerë — kanë përgjegjësinë morale dhe kombëtare për të
ruajtur dinjitetin e përbashkët dhe për të mbrojtur të vërtetën historike të
tyre duke dal në protesta.
Ka
shumë mënyra për ta bërë këtë, sepse mbrojtja e së drejtës nuk është vetëm akt
politik, por edhe detyrë qytetare dhe njerëzore. Secili mund të japë zërin e
vet, në mënyra të ndryshme — përmes fjalës, penës, artit, organizimit qytetar,
përmes përfshirjes në debatet publike apo pjesëmarrjes në nisma që kërkojnë
drejtësi. E drejta për të mbrojtur të vërtetën është një e drejtë themelore
demokratike, e cila bëhet më e fortë kur shprehet me qetësi, me argumente dhe
me qëndrueshmëri.
Ushtria
Çlirimtare e Kosovës, e cila ka emër dhe histori, nuk mund të trajtohet si një
subjekt i zakonshëm politik. Ajo është simbol i rezistencës kombëtare dhe i
sakrificës kolektive për liri. Mbrojtja e emrit dhe e vlerave të saj nuk është
nostalgji, por akt ndërgjegjeje — një kujtesë e gjallë se liria e sotme është
ndërtuar mbi gjakun e atyre që nuk pranuan nënshtrim.
Prandaj,
është koha të mendojmë për mënyra të reja, të qytetëruara dhe të efektshme për
ta përcjellë këtë mesazh në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Pse të mos
organizohen tubime të mëdha, me kërkesa të artikuluara qartë dhe me përfaqësim
dinjitoz, para institucioneve globale që kanë ndikim në fatin e drejtësisë
ndërkombëtare? Një zë i bashkuar, i ndërtuar mbi fakte, kulturë dhe argumente,
mund të depërtojë edhe në veshët e shurdhër dhe në sytë e atyre që deri tani
kanë zgjedhur të mos shohin.
Sepse
heshtja është dëm për të vërtetën, ndërsa fjala e drejtë, e thënë me dinjitet e
vendosmëri, është ura që lidh popujt me historinë e tyre të drejtë dhe me
dinjitetin që askush s’mund ta mohojë.
Aq
më tepër sot, në kohën në të cilën jetojmë, nuk është aspak e vështirë që, në
mënyrë të organizuar apo edhe individuale, të shprehim zërin tonë përmes
mjeteve moderne të komunikimit. Shkrimi dhe dërgimi i letrave, artikujve apo
kërkesave tona në mediat elektronike është një mundësi reale dhe e arritshme
për secilin prej nesh. Teknologjia e ka bërë të mundur që fjala të mos mbetet
brenda kufijve të një hapësire të vogël, por të përhapet gjerësisht, të
dëgjohet e të krijojë jehonë.
Dikush
mund të thotë se një akt i tillë është i vogël, i parëndësishëm në përmasat e
mëdha të çështjeve kombëtare. Por historia na ka mësuar se pikërisht nga këto
gjeste “të vogla” lindin lëvizjet e mëdha. Një fjalë e shkruar me bindje, një
mesazh i dërguar me qëllim të mirë, një ide e artikuluar me argument, mund të
bëhet fillesa e një orteku që ndryshon perceptime, që zgjon ndërgjegje, që nxit
veprim.
Në
thelb, nuk kërkohet heroizëm i jashtëzakonshëm, por përkushtim i qëndrueshëm.
Një shoqëri që di të flasë, që di të artikulojë me përgjegjësi mendimin dhe
kërkesat e saj, është një shoqëri që di të mbrohet. Prandaj, edhe një letër,
një postim, një reagim publik, kur vjen nga ndërgjegjja qytetare dhe kombëtare,
ka vlerën e një guri të vogël në ndërtimin e një ure të madhe drejt drejtësisë
dhe dinjitetit kombëtar.
Në
fund të fundit, ortekët e mëdhenj, siç do të thoshte dikush me urtësi, krijohen
nga copëzat më të vogla të borës — nga përpjekjet e përditshme, të sinqerta, të
atyre që nuk rrinë duarkryq përballë padrejtësisë, por e dinë fuqinë që mund të
ketë fjala kur buron nga e vërteta.
Prandaj
sot, më shumë se kurrë, nga çdo qytetar i Kosovës, i Shqipërisë, i Maqedonisë
së Veriut, i Malit të Zi dhe i Luginës së Preshevës, duhet të dëgjohet një zë i
vetëm, një thirrje e përbashkët që përshkon hapësirat tona kombëtare: të jemi një. Të jemi bashkë në
qëndrim, në dinjitet dhe në përkushtim për të mbrojtur ata që dikur mbrojtën
lirinë tonë.
Kjo
nuk është thjesht një thirrje emocionale, por një domosdoshmëri historike dhe
morale. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishin mercenarë, por
bij e bija të një populli që për shekuj kishte jetuar nën shtypje dhe që në
fund vendosi të ngrihej për dinjitetin e vet. Sot, kur ata po përballen me
procese që synojnë ta zbehin të vërtetën e luftës çlirimtare, është detyrë e
secilit shqiptar, kudo që ndodhet, të ngrejë zërin për drejtësi.
Le
të dëgjohet kjo thirrje nga çdo qytet dhe çdo fshat, nga Tiranë e Prishtina,
deri në Tetovë, Ulqin e Preshevë — sepse mbrojtja e vlerave të UÇK-së është
mbrojtje e vetë kujtesës sonë historike. Ajo është dëshmi se shqiptarët,
pavarësisht kufijve shtetërorë, mbeten të bashkuar kur bëhet fjalë për të
mbrojtur të vërtetën, lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Dhe
le t’i tregojmë botës, me qetësi dhe me vendosmëri, se Ushtria Çlirimtare e
Kosovës ka emër
— një emër që nuk fshihet pas propagandës e as deformohet nga padrejtësitë,
sepse është gdhendur në historinë e popullit tonë me gjakun e sakrificës dhe me
dritën e lirisë.
16 tetor, 2025
Prishtinë