Speciale » Basha
Sabile & Tefik Basha: Praga – Udhëtim në zemrën e Evropës (3)
E premte, 24.10.2025, 06:58 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
PRAGA- UDHËTIM NË ZEMRËN
E EVROPËS
Praga dhe Karlovy Vary – Dy Fytyrat e Bukurisë
Çeke
(Pjesa e tretë)

Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Ura e Karlit (Karl?v most), është jo vetëm një nga simbolet më të famshme të Pragës,
por edhe një nga urat më të bukura dhe më të njohura në botë – një kryevepër që
bashkon artin, historinë dhe poezinë e qytetit në një shtrirje guri mbi lumin
Vltava.
E ndërtuar në shekullin
XIV, me urdhër të mbretit Charles IV, ura ka qenë për shekuj me radhë jo vetëm
një lidhje praktike mes Qytetit të Vjetër dhe Qytetit të Vogël, por edhe një
arterie jetike e jetës së Pragës. Ajo është dëshmitare e tregtarëve që kalonin
me karrocat e tyre, e pelegrinëve që kërkonin shenjtëri, e ushtarëve që
marshonin nëpër të dhe e miliona hapave të udhëtarëve që kërkonin ta përjetonin
magjinë e saj.
E ndërtuar me gur ranor
të fortë, ajo qëndron ende e pathyeshme përballë shekujve, si një testament i
mjeshtërisë mesjetare. Por ajo që e bën të veçantë nuk është vetëm
qëndrueshmëria e saj, por edhe bukuria e papërsëritshme, mbi të shtrihen 30
statuja baroke, të vendosura në intervale të rregullta, të shenjtorëve dhe
figurave historike, që i japin urës pamjen e një muzeu në ajër të hapur, ku
arti dhe spiritualiteti shoqërojnë çdo hap të vizitorit.
Të ecësh mbi Urën e
Karlit është si të udhëtosh në kohë. Dritat e mëngjesit e shndërrojnë në një
skenë të qetë, ku vetëm hapa të lehtë dëgjohen mbi kalldrëm, ndërsa në mbrëmje ajo
shndërrohet në një shesh të gjallë, ku artistët, muzikantët dhe vizitorët e
shumtë e mbushin me jetë. Ura nuk është vetëm gurë dhe statuja; ajo është një
arterie shpirtërore e qytetit, një vend ku Praga tregon vetveten në mënyrën më
të bukur.

Arta Basha-Jakupi,
Sabile e Tefik Basha, Ura e Karlit, Pragë, shtator 2025
Kështu, Ura e Karlit
mbetet jo vetëm një mrekulli inxhinierike e kohës së saj, por edhe një metaforë
e përjetshme e lidhjes: mes brigjeve të Vltavës, mes të kaluarës dhe të
tashmes, mes njerëzve dhe historisë që i bashkon. Ura e Karlit nuk është vetëm
një ndërtim prej guri që lidh dy brigje të lumit Vltava; ajo është një dëshmi e
gjallë e historisë dhe kulturës së Pragës. Në të kaluarën, kjo urë shërbente si
një pikë kryesore për tregti, për qarkullimin e njerëzve e mallrave, por edhe
si një skenë madhështore për ceremoni të rëndësishme mbretërore. Ishte vendi ku
shpalosej jo vetëm funksioni praktik i qytetit, por edhe hijeshia e tij
solemne. Sot, ajo është shndërruar në një nga simbolet më të dashura të Pragës,
një ikonë që përfaqëson shpirtin e saj.
Mendoi se për çdo kënd
që viziton këtë qytet, ura është një prej ndalesave të pashmangshme – një vend
që nuk mund të lihet pa u parë. Bukuria e saj unike i tërheq vizitorët si një
magnet: nga këtu shtrihet një panoramë e mrekullueshme ku shohim kështjellat e
Pragës që ngrihen krenare mbi kodra, lumin Vltava që rrjedh me qetësi nën
këmbë, dhe kullat e hijshme që e rrethojnë urën në të dyja anët, si rojtarë të
heshtur të historisë.
Ura e Karlit nuk është
vetëm një vend për të bërë foto apo për të kaluar lumin. Është një përvojë e
plotë estetike dhe shpirtërore, një ecje mbi gurë të lashtë që kanë ruajtur
mijëra hapa përpara nesh. Jo rastësisht, ajo bëhet një nga atraksionet më të
veçanta gjatë festimeve të Vitit të Ri, kur dritat, fishekzjarrët dhe atmosfera
festive i japin urës një magji të papërsëritshme.
Në çdo kohë të vitit,
Ura e Karlit mbetet një simbol i lidhjes – mes qytetit dhe historisë së tij,
mes vizitorit dhe përjetimeve të paharrueshme që ky vend dhuron.
Na ndodhi të kalonim mbi
Urën e Karlit dy herë – një herë në pasdite dhe një tjetër në orët e paradites.
Në pasdite, turma e vizitorëve ishte aq e dendur, sa që dukej e pamundur të
bëje qoftë edhe një hap pa u prekur nga gjunjët apo shpatullat e të tjerëve. E
gjithë ura dukej si një lumë njerëzor, i ngadaltë, i mbushur me zhurmën e
hapave, me fjalë të përziera gjuhësh të ndryshme, me gjallërinë e turistëve që
sikur kërkonin ta përvetësonin këtë hapësirë të famshme. Paradite, shpresa se
do ta gjenim më të qetë u shua shpejt, sepse edhe aty vizitorët ishin të
shumtë, duke e mbushur hapësirën me energji dhe lëvizje.
Megjithatë, ky
mbipopullim nuk e zbehu përvojën tonë. Përkundrazi, e bëri më të gjallë e më
autentike. Ura ishte një skenë e hapur ku artistë rruge pikturonin portrete,
muzikantë luanin me pasion meloditë e tyre, dhe shitës suveniresh shtronin
kujtime të vogla për këdo që donte të merrte me vete një copëz të Pragës.
Atmosfera e gjallë që krijohej aty ishte një përzierje unike mes historisë së
heshtur të urës dhe jetës së vrullshme të qytetit modern.
Na thanë se shëtitja mbi
këtë urë merr një dimension krejt tjetër në çastet e agimit ose të perëndimit
të diellit. Atëherë, kur drita e artë luan mbi statujat baroke dhe reflektohet
në ujin e Vltavës, krijohet një ndjenjë magjie që përshkon jo vetëm urën, por
tërë qytetin. Është si një çast i shenjtë ku koha ndalet, dhe vizitori përjeton
jo vetëm bukurinë e Pragës, por edhe misterin e saj të përjetshëm. Por ne nuk
mundem ta bënim një shëtitje të hershme në mëngjes, se lodhja ishte ajo që na
caktonte edhe kohën e gjumit.
Ora Astronomike e Pragës
(Orloj), është një nga
mrekullitë më të veçanta të trashëgimisë evropiane, një kryevepër që sfidon
shekujt dhe qëndron krenare në murin jugor të Bashkisë së Vjetër. E ndërtuar në
vitin 1410, ajo është një nga orët më të vjetra astronomike në botë që ende
funksionon, një dëshmi e gjallë e shpirtit krijues mesjetar, ku shkenca, arti
dhe mistika u ndërthurën në një trup të vetëm mekanik.
Ky xhevahir i rrallë nuk
tregon vetëm kalimin e orëve, por është një libër i hapur i kozmosit: aty mund
të lexosh kohën dhe datën, pozicionin e diellit dhe të hënës, shenjat
astrologjike që kanë magjepsur njerëzimin për shekuj me radhë, si dhe lëvizjen
e qiellit që i flet tokës. Është një mekanizëm i ndërlikuar që duket sikur mban
në lëvizje jo vetëm akrepat, por edhe vetë frymën e qytetit.
Çdo ditë, vizitorët
mblidhen për të parë spektaklin e saj të famshëm – paradën e figurave mekanike
që shfaqen në ritmin e orës, një shfaqje e vogël që bashkon argëtimin me
simbolikën, duke i lënë njerëzit të mahnitur ashtu siç ka bërë për më shumë se
gjashtëqind vjet.

Sabile e Tefik Basha,
Ora Astronomike, Pragë, shtator 2025
Të shkosh në Pragë dhe
të mos ndalosh para kësaj ore është si të vizitosh një tempull pa hyrë në
altarin e tij. Ora nuk është thjesht një instrument matës i kohës, por një udhëzues
i përjetshëm që i lidh njerëzit me qiellin dhe me kalimin e përhershëm të
jetës. Është një kujtesë e bukur se koha nuk është vetëm numërim i sekondave,
por një poezi e madhe universale, të cilën kjo orë e famshme e reciton pa
pushim mbi qytetin e Pragës.
Ora Astronomike e Pragës
i ka mbijetuar shekujve jo vetëm si një mekanizëm matës i kohës, por si një
mrekulli inxhinierike dhe një thesar i pashoq historik. Vlera e saj qëndron jo
vetëm tek mosha e lashtë, por edhe tek mekanizmi i ndërlikuar që prej shekujsh
ka mahnitur vizitorë nga e gjithë bota, duke u bërë një urë mes artit, shkencës
dhe besimit.
Në çdo orë të plotë,
para saj krijohet një skenë që të ngjan si një ritual i përjetshëm. Turistët
mblidhen në shesh, duke pritur me padurim spektaklin e famshëm të quajtur
“Marshimi i Apostujve”. Dritaret e orës hapen dhe prej tyre shfaqen, një nga
një, figurat e vogla të 12 apostujve, që lëvizin në një procesion solemn, sikur
të ishin gjallëruar nga fryma e kohës. Ky udhëtim i qetë i figurave është një
kujtesë e heshtur e qëndrueshmërisë së besimit dhe shenjtorëve përballë
rrjedhës së pafund të kohës.Por shfaqja nuk mbaron këtu. Përkrah apostujve,
marrin jetë edhe figura alegorike, ku më e fuqishmja është vetë Vdekja, e
paraqitur si një skelet që tund kambanën e saj. Ajo shoqërohet nga personazhe
të tjera simbolike që përfaqësojnë kotësinë, lakminë dhe epshin – mesazhe të
skalitura në dru dhe metal, që i flasin njeriut për fragjilitetin e ekzistencës
dhe përkohshmërinë e çdo gjëje tokësore.
Ky spektakël, i përsëritur
për shekuj me radhë, nuk është thjesht një argëtim për turistët, por një poezi
mekanike që i flet shpirtit të njeriut. Është një kujtesë e bukur dhe e thellë
se koha nuk është vetëm një matje e orëve, por një rrëfim i pandërprerë i jetës
dhe i fatit njerëzor.Duhet përmendur se në mbrëmje, kur zunë vend për të parë
rrahjen e orës në ora gjashtë, sheshi para Bashkisë së Vjetër ishte i mbushur
plot e përplot me turistë, aq sa dukej sikur vetë gurët e sheshit mezi i mbanin
mbi vete. Vërehej qartë se në duart e çdo vizitori ndizeshin ekrane telefonash
dhe aparatesh fotografike, të gatshme për të kapur çdo çast të këtij spektakli
shekullor. Ishte një det i ndritshëm lente-sh, një gjuhë e re e botës moderne
që përpiqej të burgoste në kujtesë një çast magjik.
Kur ora trokiti mbi
numrin gjashtë, një heshtje solemne përshkoi turmën përpara se të shpërthente
spektakli i vogël i figurave mekanike. Në atë moment, dritat e telefonave
ndezën sheshin sikur të ishin yje të rënë mbi tokë. Dhe kur shfaqja përfundoi,
duartrokitjet shpërthyen të fuqishme, duke jehuar mes mureve të lashta të
ndërtesave përreth, si një kor i gjallë që i dhuronte nderim këtij mekanizmi të
përjetshëm.
Teksa shihja këtë skenë,
mendova se turistët e dashurojnë këtë orë jo vetëm për bukurinë e saj
artistike, por edhe për historinë e saj magjepsëse dhe simbolikën misterioze që
ajo mbart. Ora nuk është thjesht një orë; është një udhëtim në kohë, një
dritare e hapur drejt Pragës mesjetare, që të lejon të ndjesh frymën e shekujve
që kanë kaluar, por ende jetojnë në këtë shesh.
Një vizitë tek Orën
Astronomike është më shumë sesa një ndalesë turistike – është një përjetim që
të lidh me qytetin dhe me historinë e tij. Për më shumë se 600 vjet, ajo ka
qenë pjesë e pandashme e jetës së përditshme të Pragës, një simbol i
qëndrueshmërisë dhe i mjeshtërisë njerëzore. Kjo është arsyeja pse Orloj mbetet
një pjesë thelbësore e çdo vizite në Pragë: ajo të ofron jo vetëm një shfaqje
unike, por edhe një vështrim të paharrueshëm në të kaluarën, aty ku koha
thjesht nuk matet, por rrëfehet.
Sheshi i Qytetit të
Vjetër (Starom?stské nám?stí)
është zemra që rreh me forcë në gjoksin e Pragës, një hapësirë ku historia,
arti dhe jeta publike ndërthuren në një simfoni të përjetshme. Është e pamundur
të vizitosh Pragën pa u ndalur në këtë shesh, i cili prej shekujsh ka qenë jo
vetëm qendra gjeografike e qytetit, por edhe shpirti i tij i gjallë.

Sabile e Tefik Basha,
Sheshi i vjetër i Pragës, shtator 2025
I krijuar në shekullin
XII, ai ishte fillimisht një vend tregtar, ku karvanët ndalonin për të
shkëmbyer mallra dhe kulturë, ndërsa banorët e qytetit e kthenin atë në një
skenë të hapur të jetës së tyre të përditshme. Për shekuj me radhë, ky shesh ka
parë parada solemne, tregje të mbushura me zhurmë, shpallje mbretërore, por
edhe momente dramatike të historisë politike e shoqërore të Pragës.
Ajo që e bën edhe më
mbresëlënës është rrethimi i tij arkitektonik: ndërtesa madhështore që
përfaqësojnë stile të ndryshme, nga gotiku i hijshëm te baroku i stolisur dhe renesanca
me linjat e saj harmonike. Çdo fasadë qëndron si një kapitull i shkruar mbi
gur, duke i treguar vizitorit historinë e gjatë dhe të ndërlikuar të qytetit.
Të qëndrosh në Sheshin e
Qytetit të Vjetër është si të qëndrosh në një muze të hapur, ku çdo hap, çdo
dritare dhe çdo kupolë flet me gjuhën e shekujve. Këtu e ndien se Praga nuk
është thjesht një qytet, por një organizëm i gjallë, që e mban kujtesën e vet
në hapësirat publike dhe e dhuron bujarisht për këdo që e viziton. Sheshi i
Qytetit të Vjetër është një skenë e madhe ku historia dhe jeta e gjallë e
Pragës takohen në një harmoni të përkryer. Brenda kësaj hapësire rrethore, që
mbart shekuj historie, gjenden disa nga monumentet më të çmuara të qytetit: Ora
Astronomike (Orloj), që sfidon kohën me mekanizmin e saj mesjetar; Kisha e
Virgjëreshës Mari e Týnit, me kullat e saj gotike që ngrihen madhështore mbi
horizont; dhe Bashkia e Vjetër, një simbol i fuqisë qytetare dhe qendër e jetës
publike për shekuj me radhë. Çdo ndërtesë këtu është një dëshmi e gjallë e
trashëgimisë, një kapitull i shkruar mbi gur që flet me gjuhën e së kaluarës.
Por sheshi nuk është
vetëm një vend i heshtur kujtese. Ai është i mbushur me jetë dhe ngjyra, një
mozaik i gjallë kulturor që e bën tërheqës për mijëra vizitorë çdo ditë. Artistët
e rrugës e kthejnë atë në një teatër të hapur, ku tingujt e muzikës dhe
penelatat e piktorëve përzihen me zhurmën e hapave dhe të bisedave. Festivalet
lokale shtojnë gjallëri, duke e shndërruar sheshin në një vend ku traditat dhe
moderniteti përqafohen në një ritëm të përbashkët.
Ndërtesat historike, të
lyera me ngjyra të ngrohta dhe të ruajtura me kujdes, krijojnë një atmosferë që
të çon pas në kohë, sikur të ishe një dëshmitar i heshtur i shekujve të kaluar.
Të qëndrosh në Sheshin e
Qytetit të Vjetër do të thotë të ndiesh frymën e Pragës – një frymë që është
njëkohësisht e lashtë dhe e gjallë, solemne dhe festive, e heshtur dhe e
mbushur me jehonën e mijëra zërave që kanë kaluar aty ndër shekuj.
Një shëtitje në Sheshin
e Qytetit të Vjetër është më shumë sesa një ndalesë turistike – është një
udhëtim në zemrën e Pragës, aty ku historia, arkitektura dhe kultura përzihen
në një skenë të vetme të gjallë e plot ngjyra. Çdo hap mbi kalldrëmet e tij të
lashta është një dialog me shekujt, një thirrje e së shkuarës që i flet të
tashmes me një gjuhë të heshtur, por të fuqishme.
Ky shesh nuk është vetëm
një hapësirë e bukur, ai është një pikënisje simbolike për të eksploruar pjesët
e tjera të qytetit. Nga këtu nisen rrugë të ngushta që të çojnë drejt urave
madhështore, katedraleve të larta dhe rrugicave të fshehta që mbajnë brenda
tyre sekretet e qytetit. Është si një portë e hapur që të fton të zhytesh më
thellë në misteret dhe bukurinë e Pragës.
Por sheshi është edhe
një vend i përsosur për të ndalur e për të shijuar jetën. Në restorantet e
kafiterit që rrethojnë hapësirën, mund të provosh kuzhinën tradicionale çeke,
të pish një filxhan kafe apo birrë të freskët, ndërsa je i rrethuar nga
arkitektura që të merr frymën. Dhe ndoshta gjëja më e bukur është të ulesh thjesht
dhe të sodisësh botën që kalon: turistë të mahnitur, artistë të rrugës që
sjellin gjallëri, banorë të qytetit që ndalen për një çast në këtë qendër
pulsante.
E gjithë kjo krijon një
atmosferë magjike, ku e shkuara dhe e tashmja shtrëngojnë duart, dhe vizitori
mbetet i pushtuar nga ndjenja se ndodhet në një hapësirë të përjetshme. Një
shëtitje në Sheshin e Qytetit të Vjetër nuk është vetëm një udhëtim në zemër të
Pragës, por edhe një udhëtim në vetë thelbin e qyteteve evropiane, aty ku
historia dhe jeta bashkëjetojnë në një vallëzim të pandërprerë.
Rruga më e ngushtë në
Çeki- Teksa hulumtonim për
vendet që duhej patjetër të vizitonim në Pragë, syri më ra rastësisht mbi një
detaj të vogël, pothuaj të fshehur nga listat e zakonshme turistike: rruga më e
ngushtë në Çeki. Nuk ishte një atraksion i njohur si katedralet apo urat, por
kishte diçka intriguese në këtë ide – dhe mendova se nuk mund të largoheshim pa
e parë.
Gjatë shëtitjeve tona,
mes kërkimeve për vendet më madhështore të qytetit, unë këmbëngula që ta gjurmonim
këtë rrugicë të vogël. Nuk ishte e lehtë për ta gjetur; humbëm disa herë mes
rrugicave të ngushta dhe ndërtesave të larta, por pikërisht ky kërkim e bëri
përvojën edhe më të veçantë. Dhe kur më në fund e gjetëm, befasia ishte e
madhe.

Sabile e Tefik Basha,
rrugica më e ngushtë në Çeki, Pragë, shtator 2025
Rrugica ishte vetëm 50 centimetra e gjerë – aq sa mezi mund të kalonte një njeri. Në fakt, ajo nuk ishte një rrugë në kuptimin klasik, por një kalim i ngushtë midis dy ndërtesave të vjetra, një hapësirë që dukej më shumë si një çarje e rastësishme sesa si një shteg i planifikuar. Megjithatë, pikërisht kjo e bënte aq të veçantë, thjeshtësia e saj, intimiteti i saj, ndjesia se po hyje në një botë të fshehur nga sytë e shumicës.
Kalimi na çoi drejt
brigjeve të lumit Vltava, ku na priti një pamje krejt tjetër: disa restorante
të bukura, të vendosura buzë ujit, që e kthenin gjithë atë përvojë të vogël në
një zbulim të paharrueshëm. Nga një rrugicë e ngushtë e errët, papritmas hapej
një horizont i gjallë, plot jetë e dritë, ku aroma e ushqimeve dhe freskia e
lumit e bënin udhëtimin të dukej si një metaforë e bukur e Pragës – një qytet
ku surprizat më të mëdha fshihen shpesh në qoshet më të vogla.
Ajo që e bënte këtë
rrugicë edhe më interesante ishte fakti se aty nuk mund të kalonin dy persona
njëherësh. Aq e ngushtë ishte, saqë kalimi duhej rregulluar me një semafor të
vogël, i cili, në mënyrë thuajse ironike, sillte rregull edhe aty ku hapësira
mezi arrinte të pranojë një njeri të vetëm. Ky detaj i vogël e kthente
qarkullimin në rrugë në një përvojë të veçantë, një lojë të pazakontë mes
turizmit dhe përditshmërisë urbane.
Pritëm një kohë në
radhë, duke ndjekur me kureshtje ata që hynin përpara nesh, sikur të ishim
pjesë e një rituali të fshehtë. Dhe më në fund, erdhi radha jonë. Ecja nëpër
këtë kalim ishte një përvojë e çuditshme dhe njëkohësisht argëtuese: shkallët e
ngushta të çonin poshtë drejt një oborri të mbushur me lule shumëngjyrëshe, ku
jeta merrte një tjetër ritëm. Befasia që na priti aty ishte e këndshme. Në
oborr shtrihej një hapësirë e gjallë, ku restorantet ishin plot me njerëz, të
zhytur në biseda e shije ushqimesh, ndërsa për ne më e rëndësishmja ishte çfarë
hapej përtej: një pamje e mrekullueshme e lumit Vltava, që shndriste nën dritën
e diellit dhe na ftoi ta sodisnim gjatë. Ishte një çast magjik, ku e gjithë
pritja dhe kurioziteti shpërbleheshin me një panoramë që dukej sikur e
përmblidhte thelbin e Pragës – thjeshtësinë, bukurinë dhe aftësinë për të
surprizuar aty ku nuk e pret.
Ashtu si hyrja, edhe
dalja nga ajo rrugicë e ngushtë kishte ritmin e vet të veçantë. Edhe aty duhej
të prisnim me durim, derisa të ndizte drita e gjelbër e semaforit të vogël, i
cili komandonte qarkullimin sikur të bëhej fjalë për një bulevard të madh. Në atë
pritje të shkurtër, kishte diçka simbolike: një lojë mes hapësirës së ngushtë
dhe rregullit urban, mes rastësisë dhe rregullit të imponuar.
Qëndruam në radhë, duke
ndjerë se gjithçka ishte kthyer në një ritual të vogël qyteti, ku edhe gjëra të
thjeshta – si pritja për një dritë jeshile – merrnin një shije të veçantë. Dhe
kur semafori më në fund u ndez, dalja nga rrugica u bë si një çlirim i vogël,
një kalim nga ngushtësia drejt hapësirës së gjerë, nga errësira e mureve të
ngjeshura drejt panoramës së hapur të lumit dhe qytetit.
Ishte një përjetim i
vogël, por që mbartte një poetikë të padukshme: se edhe në rrugicat më të
ngushta, gjithmonë ekziston një dritë që të udhëheq drejt hapësirës së lirë.
Lundrimi mbi lumin
Vltava- ishte një nga ato
përvojat që e kthenin udhëtimin në Pragë në një kujtim të paharrueshëm. Pasi
përfunduan turin e parë, linjën e kuqe që na kishte shëtitur nëpër rrugët dhe
monumentet më të njohura të qytetit, vendosëm të pushonim pak dhe të shijonim
një drekë të qetë mbi ujë. Zgjodhëm anijen turistike që bënte shëtitje nëpër
lumin e famshëm të Pragës.
Anija ishte vetë një
mrekulli: e bukur, elegante dhe e pajisur me luks, sikur të ishte menduar jo
vetëm për të na bartur mbi ujë, por edhe për të na dhuruar një ndjesi të
veçantë të udhëtimit. Çmimi nuk ishte i lirë, dhe për një çast na u duk sikur
ishte një shpenzim i tepërt. Por, për habinë tonë, brenda pak minutash anija u
mbush deri në vendin e fundit – një dëshmi e qartë se bukuria e këtij udhëtimi
ia vlente çdo monedhë.
Lumi Vltava na priti me
qetësinë e saj solemne. Sipërfaqja e ujit ishte e lëmuar, sikur pasqyronte
qiejt dhe kështjellat e qytetit, ndërsa anija rrëshqiste mbi të me një ritëm të
butë, që të jepte ndjesinë e një vallëzimi të ngadaltë. Çdo moment mbi atë
anije ishte një pushim për shpirtin, një ndërthurje mes heshtjes së ujit dhe
zhurmës së lehtë të turistëve që shijonin pamjen. Ishte një udhëtim i këndshëm,
jo vetëm për peizazhin e bukur, por edhe për magjinë e vetë lundrimit –
përjetimi i një qyteti nga lumi është gjithmonë më ndryshe: i qetë, i thellë
dhe, mbi të gjitha, i paharrueshëm.

Arta Basha- Jakupi e
Sabile Basha, Me kroçere në lumin Vltava, Pragë, shtator 2025
Nga kuverta e anijes,
patëm mundësinë ti shihnim brigjet e Vltavës nga afër, të sodisnim fasadat e
ndërtesave që pasqyroheshin në ujë dhe, mbi të gjitha, të shihnim Urën e Karlit
nga një kënd krejt tjetër, ndryshe nga përvoja e mëparshme kur e kishim shkelur
me këmbë. Nga poshtë, ajo dukej edhe më madhështore, një hark i gurëzuar që
qëndronte mbi kohën dhe mbi lumin, si një monument i përjetshëm i historisë së
qytetit.Në fillim, lundrimi në Vltava mund të tingëllojë si një përvojë e
zakonshme, ngase shumë qytete të mëdha të botës që kanë lumenj ofrojnë shëtitje
të ngjashme mbi ujë. Por Praga ka një aftësi të veçantë për ta kthyer këtë
përvojë të thjeshtë në një ngjarje poetike. Qyteti i parë nga lumi zbulon një
fytyrë tjetër: më të qetë, më të gjerë, më të thellë. Është sikur përmes ujit
Praga të tregojë intimitetin e saj, një anë që nuk shihet nga sheshet dhe
rrugët e mbushura me njerëz.
Atmosfera bëhet edhe më
e veçantë kur mendja ta sjell ndërmend melodinë e famshme “Vltava” të Bed?ich
Smetana-s. Tingujt e saj, që përshkruajnë rrjedhën e këtij lumi nga burimi deri
në bashkimin me Elbën, duket sikur përkojnë me çdo valë të ujit dhe me çdo
kthesë të brigjeve. Është si një simfoni që shoqëron udhëtimin dhe që e lidh
udhëtarin jo vetëm me qytetin, por edhe me shpirtin muzikor e historik të tij.
E gjitha përmbyllet me
mundësinë për të parë edhe muzeun e Smetanës, të vendosur pikërisht buzë lumit
– një kujtesë e gjallë se arti dhe natyra janë bashkuar këtu për të krijuar një
përvojë që nuk është thjesht turistike, por thellësisht kulturore dhe
shpirtërore.
Kroçerat mbi lumin
Vltava janë një përvojë që nuk njeh stinë, sepse ofroheshin gjatë gjithë vitit.
Megjithatë, ato marrin një bukuri të veçantë gjatë muajve më të ngrohtë, kur
freskia e ujit dhe ajri i pastër e bëjnë udhëtimin edhe më të këndshëm, dhe kur
drita e diellit luan mbi sipërfaqen e qetë të lumit si një pasqyrë e gjallë.
Shumica e anijeve nisen
nga stacioni që ishte poshtë Urës Çeke, një pikë që vetë të fton me
thjeshtësinë e saj, për t’ju futur më pas në një udhëtim që shpalos panoramën
më të bukur të Pragës. Ato lundrojnë përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit,
duke kaluar nën Urën e Karlit, që nga ky kënd duket edhe më imponuese dhe
solemne, dhe më pas vazhdojnë drejt Vyšehradit, fortesës legjendare që ngrihet
mbi kodër, përpara se të kthehen përsëri aty ku nisën.
Kjo shëtitje, që zgjat
rreth një orë, nuk është thjesht një shëtitje mbi ujë; është një shpalosje e
ngadalshme e Pragës, një mënyrë për ta parë qytetin jo nga rrugët e zhurmshme,
por nga rrjedha e qetë e lumit, sikur vetë Vltava të të tregonte historinë e
saj. Në çdo kthesë, shfaqet një pamje e re: kulla që reflektohen mbi ujë, ura
që krijojnë harqe madhështore, dhe brigje ku ndërthuren e shkuara dhe e
tashmja.
Kroçerat mbi Vltava nuk
janë vetëm transport apo argëtim; ato janë poezi e lëvizshme, një mënyrë për ta
ndjerë Pragën me ritmin e ujit, me qetësinë e valëve dhe me madhështinë e
peizazheve që të shoqërojnë gjatë gjithë udhëtimit.
Pas dy ditësh të
mbushura me ecje të pafundme nëpër rrugët e Pragës dhe vizita në monumentet e
saj madhështore, ndjenim brenda vetes një lloj kënaqësie të thellë, sikur
qyteti na kishte dhënë gjithçka që kishte për të ofruar. Atë mbrëmje, ndërsa
ishim ulur në një restorant të mrekullueshëm pranë Orës Astronomike, të
rrethuar nga tingujt e rrugës dhe dritat që ngjyrosnin sheshin, bisedat tona
morën një kthesë të papritur.
Karlovey Vary-Në mes të gotave të verës dhe shijes së darkës, lindi
propozimi që udhëtimin tonë ta pasurojmë edhe me një tjetër destinacion:
qytetin e Karlovy Vary-t. Emri i tij u shqiptua me një lloj magjie, sikur të
sillte me vete imazhe të një bote tjetër. Një vend i njohur në mbarë botën për
ujërat e tij minerale shëruese dhe për banjat termale, që prej shekujsh janë
konsideruar si ndër më të mirat e globit.

Qendra termale në
Karlovy Vary, shtator 2025
Ideja për të vizituar
Karlovy Vary-n nuk ishte vetëm një zgjerim i itinerarit tonë, por një ftesë për
të hyrë në një përvojë tjetër – nga madhështia e monumenteve historike të
Pragës, drejt qetësisë e shërimit që ofron natyra përmes burimeve të saj të
mrekullueshme. Ishte si një premtim i vogël që udhëtimi ynë do të kishte jo
vetëm dritën e artit dhe historisë, por edhe freskinë e ujit që rigjeneron
trupin e shpirtin.
Në mesin e bisedave tona
të ngrohta, Tefiku propozoi një ide që u duk menjëherë si më e mira ndër të
gjitha: të merrnim një veturë me qira dhe të niseshim herët në mëngjes drejt
Karlovy Vary-t. Kështu do ta kishim lirinë e lëvizjes, pa u varur nga oraret e
trenave apo autobusëve, dhe do të shijonim udhëtimin sipas ritmit tonë, duke u
ndalur aty ku zemra do të na thoshte.
Po ashtu, ai mendoi me
urtësi që e njëjta veturë të na shërbente edhe për kthimin: pas vizitës në
qytetin e banjave termale, do të mund të vazhdonim drejt aeroportit, ku do të
na priste fluturimi për në Tiranë. Ishte një plan praktik, por edhe poetik në
mënyrën e vet – një lidhje e natyrshme mes shijes së udhëtimit dhe kthimit, mes
pushimit që ofron natyra dhe nisjes drejt shtëpisë.
Në atë çast, ideja e Tefikut
u duk si një urë e bukur që bashkonte dy botë: botën e qetë e shëruese të
Karlovy Vary-t dhe botën e udhëtimit që po na çonte drejt rikthimit në
realitet. Dhe ne e pranuam me gëzim, duke e ndjerë se ky itinerar i vogël do ta
rrumbullakoste në mënyrën më të bukur gjithë përvojën tonë në Çeki. Dhe ashtu
ndodhi, siç ishte menduar. Arta, me kujdesin dhe përpikërinë e saj të
zakonshme, i kishte bërë të gjitha përgatitjet paraprakisht: kishte rezervuar
makinën, kishte bërë që ajo të na priste gati para hotelit, sikur vetë udhëtimi
të ishte në shërbimin tonë. Neve na mbetej vetëm të shijonim mëngjesin dhe më
pas të niseshim drejt Karlovy Vary-t, qytetit të burimeve të famshme dhe
banjave të lashta.
Gjithçka rridhte me një
harmoni të padukshme, sikur koha të ishte bërë aleate e planit tonë. Mëngjesi,
i shtruar në qetësinë e hotelit, dukej si një hyrje e ngrohtë në një ditë të re
plot premtime. Ndjenja e pritjes për udhëtimin na mbushte me gëzim të
brendshëm: një kombinim i thjeshtësisë së përgatitjeve praktike dhe poetikës së
pritjes për atë që do të zbulonim më tej.
Në atë çast, makina e
rezervuar nuk ishte vetëm një mjet transporti; ishte si një ftesë e heshtur për
të hyrë në një tjetër kapitull të udhëtimit tonë, një kapitull ku Praga do të
mbetej pas dhe peizazhet e reja të Karlovy Vary-t do të hapeshin para syve
tanë.
Karlovy Vary, i njohur
ndër shekuj edhe si Carlsbad, shtrihet rreth 130 kilometra në perëndim të
Pragës dhe përbën një nga perlat më të çmuara jo vetëm të Republikës Çeke, por
edhe të botës mbarë. Ky qytet i vogël, i fshehur mes kodrave të gjelbra dhe
peizazheve idilike, ka fituar famë botërore falë ujërave të tij minerale
shëruese dhe traditës së gjatë si një qendër spa.
E themeluar në shekullin
e XIV nga perandori Karl IV, qyteti u ngrit me një shpejtësi të jashtëzakonshme
në hartën e kurorës perandorake dhe të Evropës, duke u bërë vend i
pelegrinazhit për të gjithë ata që kërkonin shërim e rigjenerim. Trembëdhjetë
burime kryesore dhe mbi treqind të tjera më të vogla rrjedhin ende sot në këtë
vend magjepsës, duke e bërë atë një laborator natyror të shëndetit.
Uji i nxehtë, i pasur me
minerale të shumta, nuk është vetëm një dhuratë e natyrës, por edhe një eliksir
i gjallë, i cili për shekuj është përdorur për të trajtuar sëmundje të
ndryshme, veçanërisht ato që lidhen me sistemin tretës. Ky ujë, që buron nga
thellësitë e tokës, është konsideruar gjithnjë si një bekim i padiskutueshëm –
një shkrirje mes fuqisë së natyrës dhe dijes njerëzore që mësoi ta shfrytëzojë
atë.
Vizita në Karlovy Vary nuk është thjesht një udhëtim turistik; është një përvojë shëruese, një udhëtim në një qytet që ka ditur të ndërthurë historinë e lashtë, arkitekturën elegante dhe forcat e natyrës në një harmoni të përsosur. Me kalimin e shekujve, Karlovy Vary u shndërrua në një strehë aristokracie dhe arti, një vend ku fuqia shëruese e ujërave termale ndërthurej me madhështinë kulturore të Evropës. Nuk është rastësi që këtu kanë shkelur gjurmët e Goethe-s, i cili në shëtitjet e tij gjeti frymëzim poetik; të Beethoven-it, i cili ndoshta dëgjoi ritmet e ujërave si prelud të simfonive të tij; dhe të vetë Pjetrit të Madh, që kërkoi te ky qytet një prehje trupore e shpirtërore. Të gjithë këta gjigandë e panë Karlovy Vary-n si më shumë sesa një destinacion kurues – e panë si një tempull të jetës dhe artit.
Edhe sot, vizitorët që
vijnë nga mbarë bota e përjetojnë të njëjtën magji. Kolonadat elegante, me
arkitekturën e tyre që duket si një simfoni guri dhe dritë, shtrihen mbi
burimet termale duke u dhënë një dimension solemniteti dhe bukurie. Ndërtesat
historike, të ngjyrosura si tablo, mbajnë në gjirin e tyre kujtimet e epokave
të kaluara, ndërsa peizazhet piktoreske përreth – kodrat, pyjet dhe brigjet e
lumit Teplá – e kompletojnë panoramën e këtij qyteti të veçantë.

Tefik e Sabile Basha,
Karlovy Vary, shtator 2025
Por Karlovy Vary nuk
është thjesht retrospektivë e së kaluarës. Ai jeton fuqishëm edhe në të tashmen
me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, një nga më prestigjiozët në Evropë, ku
arti kinematografik takohet me elegancën e qytetit, duke e bërë atë jo vetëm
një qendër të shëndetit, por edhe të kulturës universale.
Karlovy Vary është një
qytet që e shpalos bukurinë e tij ngadalë, si një libër që lexohet faqe pas
faqeje. Shëtitjet përgjatë brigjeve të lumit Teplá, ku uji rrjedh i qetë mes
gjelbërimit dhe ndërtesave elegante, ofrojnë një përvojë që është njëkohësisht
relaksuese dhe poetike. Çdo hap nëpër ato rrugë të mbushura me hijeshi
arkitekturore të bën të ndihesh sikur je pjesë e një tabloje romantike.
Në zemër të qytetit,
kolonadat – si Kolonada e Mullirit dhe Kolonada e Tregut – të presin me
madhështinë e tyre arkitekturore. Ato nuk janë vetëm struktura monumentale që
mbrojnë burimet termale; janë tempull i shëndetit dhe kulturës, ku udhëtarët
prej shekujsh kanë kërkuar rigjenerim dhe prehje. Zhurma e lehtë e burimeve që
rrjedhin nën harqet e tyre tingëllon si një muzikë e lashtë, që bashkon kohët
dhe njerëzit.
Dhe sigurisht, për të
përmbyllur këtë udhëtim të ndjesive, qyteti ofron shijen e veçantë të
Becherovka-s, liker tradicional çek, i cili konsiderohet si “eliksiri i jetës”
dhe është pjesë e pandarë e identitetit kulturor të Karlovy Vary-t. Çdo
gllënjkë e tij është një thirrje për të përjetuar aromat dhe shijet e vendit,
për të ndjerë lidhjen intime mes historisë dhe natyrës.
Një vizitë këtu është më
shumë sesa një udhëtim turistik: është një përjetim i plotë, një bashkim i
shëndetit, historisë dhe bukurisë natyrore, që e bën Karlovy Vary-n një nga
destinacionet më të veçantë dhe më të paharrueshme në Evropë.
Pasi kishim parë dhe
shijuar mrekullitë e Karlovy Vary-t, koha na rrëshqiti aq shpejt mes duarve,
saqë me një ndjenjë të lehtë dhembjeje kuptuam se duhej t’i jepnim fund kësaj
përvoje. Çdo çast i kaluar aty dukej i mbushur me hijeshi, dhe largimi ishte
sikur të ndahej nga një ëndërr e ëmbël që nuk doje të zgjoheshe kurrë.
Megjithatë, udhëtimi na thërriste dhe ne morëm rrugën drejt aeroportit, me
zemrat ende të mbushura me freskinë e burimeve dhe pamjet piktoreske të
qytetit.
Mbërritëm me kohë në
pikën e caktuar për të dorëzuar veturën që na kishte shërbyer si shoqëruese
besnike gjatë këtyre ditëve. Gjithçka u krye me qetësi e rregull, sikur edhe
vetë makina të kishte marrë pjesë në udhëtimin tonë dhe tani, në heshtje, na
përcillte.
Në orën 22:00, avioni u
ngrit drejt Tiranës, duke lënë pas dritat e Pragës dhe hijet e Karlovy Vary-t.
Por ndërsa trupat tanë ktheheshin, mendjet tona ishin ende aty. Gjatë gjithë
rrugës, nuk biseduam për asgjë tjetër veçse evokonim kujtimet: pamjet
madhështore që na kishin lënë pa frymë, çastet e vogla që kishin sjellë gëzim,
dhe ato vende që nuk patëm kohë t’i vizitonim, por që tashmë i kishim vendosur
si premtim për një të ardhme.
Ishin biseda të mbushura
me mall, një kujtesë se çdo udhëtim i vërtetë nuk përfundon me kthimin në
shtëpi – ai vazhdon të jetojë brenda nesh, në kujtime, në pengje të ëmbla dhe
në dëshirat për t’u rikthyer përsëri.
Fluturimi ynë kaloi i
qetë, pa pengesa, sikur edhe qielli të kishte vendosur të na dhuronte një kthim
të lehtë. Në orarin e paraparë, pas disa ditësh të mbushura me udhëtime dhe
përshtypje të reja, shkelëm më në fund tokën e Shqipërisë, të cilën e prisnim
me një mall të pashpjegueshëm. Ishte një ndjenjë gëzimi dhe lehtësimi, sikur
shpirti ynë të gjente strehë në një vend që gjithmonë mbetet i dashur, i afërt,
i ngrohtë. Shqipëria dhe Tirana, me gjithë ritmin dhe energjinë e tyre, çdo
herë na duken të bukura, të njohura dhe të dashura, si një mikpritje që nuk të
zhgënjen kurrë.
Arta, si gjithnjë e
kujdesshme, kishte bërë rezervimin e hotelit paraprakisht. Dhe kështu, diku
rreth orës një pas mesnate, mbërritëm në dhomën tonë të ngrohtë, ku na priste
një pushim i merituar pas ditëve të ngjeshura me ecje, vizita dhe udhëtime.
Aty, heshtja e natës dhe lodhja e ëmbël na përkundën në një gjumë të qetë.
Të nesërmen, pas një
mëngjesi të shkurtër, morëm rrugën e kthimit drejt Prishtinës sonë të dashur,
me veturën që na kishte pritur besnikërisht në parkingun e aeroportit, sikur
edhe ajo të kishte marrë pjesë në udhëtimin tonë. Çdo kilometër i rrugës dukej
si një rikthim në identitetin tonë, në përditshmërinë që na formëson, në ritmin
e qytetit që është shtëpi dhe strehë.
Dhe kur më në fund
horizonti i Prishtinës u shfaq para nesh, nuk mund të mos thoshim me zë të
lartë: “Ah, Prishtinë, e dashura jonë Prishtinë.” Një thirrje që nuk ishte
vetëm gëzim kthimi, por edhe një përqafim shpirtëror me qytetin që gjithmonë na
pret, pavarësisht sa larg shkojmë.
25 shtator, 2025
Prishtinë









