Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (1)
E shtune, 01.11.2025, 07:00 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
LËVIZJA ILEGALE
PATRIOTIKE SHQIPTARE NË KOSOVË 1945-1990 (1)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Lëvizja
ilegale patriotike shqiptare, si një nga faqet më të ndritura të historisë
sonë, u zhvillua në rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe të rënda, ku çdo
veprim, çdo fjalë, e deri edhe çdo mendim kundërshtues ndaj pushtetit, mund të
shndërrohej në akt të dënueshëm. Ky realitet tragjik e mori trajtën më të
thellë dhe më të ashpër pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur populli
shqiptar i Kosovës, pa vullnetin dhe pëlqimin e tij, u rikthye edhe një herë
nën zgjedhën e një pushteti të huaj, atë të Jugosllavisë dhe konkretisht të
Serbisë.
Në
vend që përfundimi i luftës të sillte shpresën e lirisë dhe të drejtës për
vetëvendosje, për shqiptarët që ngelën nën ish-Jugosllavi, ai shënoi fillimin e
një tjetër kapitulli dhimbjeje e nënshtrimi. Në vend të çlirimit, solli
rikolonizim; në vend të pavarësisë, një tjetër shtypje; në vend të
sovranitetit, një realitet të ri ku represioni u institucionalizua dhe ku
ndëshkimi për çdo përpjekje për liri u bë mjet sundimi. Ishte ky ambient i
ashpër politik dhe shoqëror që e detyroi veprimtarinë kombëtare shqiptare të
kalonte në ilegalitet – në ato struktura të fshehta, të pathyeshme, që mbajtën
gjallë idenë e lirisë në errësirën e diktaturës jugosllave.
Përndjekjet,
torturat, burgosjet, vrasjet dhe likuidimet e organizuara nga aparati shtetëror
serbo-jugosllav nuk arritën ta shuanin zjarrin e rezistencës, i cili, edhe pse
i fshehur, vazhdonte të ndriçonte vetëdijen kombëtare. Ishte pikërisht ky
ilegalitet që mbeti bastioni i fundit i lirisë së mohuar dhe dëshmisë se
Kosova, ndonëse e nëpërkëmbur, nuk kishte hequr dorë nga e drejta e saj
legjitime për të qenë e lirë dhe e bashkuar me trungun e saj kombëtar.
Edhe
pse Jugosllavia, në rrethanat e pasluftës së Dytë Botërore, fitoi pranimin
ndërkombëtar si një shtet sovran dhe federativ, kjo njohje formale nuk mundi
kurrsesi të shuante zërin e heshtur por të thellë të dhembjes shqiptare. Nën
petkun e unitetit të rremë federativ, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të
tjera të mbetura jashtë trungut amë, ndjenin peshën e një robërie të re – të
heshtur, por të thellë; të organizuar, por gjithmonë të dhimbshme.
Në
çdo cep të kësaj federate, atdhetarët shqiptarë nuk reshtën së ëndërruari. Ata
nuk u pajtuan me këtë rend të imponuar, me këtë harresë të dhunshme që i kishte
fshirë nga harta e shtetësisë. Ata qëndronin, herë si jehonë në male, e herë si
hije në qytete, duke e mbajtur të gjallë kujtimin dhe kërkesën për bashkim
kombëtar.
Herë
me zë, herë në fshehtësi, ata formonin organizata të reja ilegale– ku idealet e
tyre merrnin trajtë politike, morale dhe shpirtërore. Në programet e këtyre
lëvizjeve, rrinte shkruar me gjak dhe besë një aspiratë që nuk u venit kurrë:
bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, si një e drejtë historike, shpirtërore dhe e
pamohueshme.
Në
errësirën e një shteti që i mohonte, ata ndërtuan dritën e shpresës me mund,
përkushtim dhe vetëflijim. Dhe ndërsa bota e shihte Jugosllavinë si një entitet
të përbashkët të kombeve, shqiptarët e panë si një kurth të ri për ta, një
federatë që fliste për barazi, por sillte vetëm mospërfillje, vetëm përjashtim.
Kështu,
nën hijen e një sovraniteti të panjohur për ta, shqiptarët i mbetën besnikë
idealit të tyre më të lartë – bashkimit kombëtar – një ideal që nuk vdes me
dekret, nuk shuhet me pranim ndërkombëtar, dhe nuk fshihet me hartat e krijuara
nga të tjerët. Ai ideal, si një yll i përjetshëm, vazhdoi të ndriçojë në
shpirtin e atyre që jetonin me ëndrrën e bashkimit dhe në emër të tij ngritën
rezistencën, i dhanë zë së drejtës, dhe e mbajtën të gjallë shpresën për ditët
që do të vijnë.
Gjatë periudhës historike 1945–1990, në Kosovë u
zhvillua një rezistencë e vazhdueshme kundër regjimit jugosllav përmes një game
të gjerë organizatash ilegale me karakter të theksuar kombëtar. Këto struktura,
që ishin pjesë e pandashme e Lëvizjes Shqiptare për çlirim dhe bashkim
kombëtar, u ngritën si nevojë e natyrshme e reagimit ndaj robërisë politike, shtypjes
kulturore dhe mohimit të të drejtave themelore kombëtare të shqiptarëve në
Kosovë dhe në viset tjera të mbetura jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.
Shpërndarja e rezistencës në shumë organizata të
ndryshme nuk ishte produkt i fragmentarizimit ideologjik, por një strategji e
diktuar nga rrethanat e kohës dhe nga natyra represive e sistemit. Përballë
rrezikut të përhershëm të zbulimit nga organet shtetërore jugosllave,
shqiptarët që vepronin në ilegalitet u detyruan të adoptonin forma të decentralizuara
të organizimit. Vendosja e emrave të ndryshëm për këto organizata e grupe dhe
ndarja e tyre sipas qyteteve apo zonave gjeografike të veprimit shërbente si
një mekanizëm mbrojtës dhe një mënyrë për të garantuar vazhdimësinë e
veprimtarisë ilegale në rast infiltrimi apo komprometimi të njërit grup.
Kjo shumësi organizatash u bë jehonë e një fryme të
përbashkët: aspiratës për liri, barazi dhe bashkim kombëtar. Pavarësisht
ndryshimeve të mundshme në format organizative apo në nuancat e diskursit
politik, të gjitha kishin një bosht ideologjik të përbashkët: kundërshtimin
ndaj shtypjes jugosllave dhe aspiratën për vetëvendosje të shqiptarëve në
trojet e tyre etnike. Në këtë kontekst, organizimi në njësi të vogla e të
pavarura njëra nga tjetra nuk e dobësonte, por përkundrazi e forconte lëvizjen
në tërësinë e saj, duke e bërë atë më të pakapshme, më të shpërndarë dhe më të
qëndrueshme përballë aparatit shtypës të shtetit.
Kësisoj, periudha 1945–1990 në Kosovë u shënua nga një
aktivitet i gjallë dhe i strukturuar i organizatave ilegale, të cilat, ndonëse
të ndryshme në emër dhe në forma të jashtme, përfaqësonin një frymë të vetme
rezistence dhe ndërtuan themelet ideologjike, politike dhe morale të qëndresës
kombëtare që do të kulmonte në vitet '90 me Lëvizjen gjithëpopullore për çlirim
dhe pavarësi.
Historia e Lëvizjes ilegale shqiptare në Kosovë
dëshmon për një realitet të ndërlikuar, por jashtëzakonisht domethënës në
aspektin e përkushtimit dhe idealizmit politik të pjesëmarrësve të saj. Një nga
tiparet karakteristike të kësaj lëvizjeje është fakti se shpesh individë të
caktuar ishin njëkohësisht anëtarë të dy apo edhe më shumë organizatave
ilegale, duke vepruar paralelisht në struktura të ndryshme që ndonëse mund të
kishin emra të veçantë dhe forma të ndryshme organizimi, përbashkoheshin në
qëllimet themelore kombëtare.
Kjo shumësi përfshirjeje nuk ishte rezultat i
pasigurisë ideologjike apo i mungesës së kohezionit politik, por një reflektim
i qartë i realitetit represiv në të cilin vepronte kjo lëvizje. Në kushtet e
një regjimi shtypës, ku veprimtaria kombëtare shqiptare ishte kriminalizuar dhe
çdo përpjekje për vetëdijesim kombëtar ndëshkohej me ashpërsi, aderimi i një
individi në disa organizata shërbente si një strategji mbijetese, por
njëkohësisht edhe si një mekanizëm për shtimin e ndikimit të veprimit të tij.
Në tërësi, rrjeti i organizatave ilegale kishte për
qëllim parësor të mobilizonte shqiptarët rreth kauzës së lirisë, të promovonte
ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe të kultivonte vetëdijen për domosdoshmërinë
historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit të saj me shtetin
amë, Shqipërinë. Veprimtaria e këtyre organizatave fokusohej në ndriçimin e
ndërgjegjes kombëtare, në sensibilizimin e masave popullore, në shpërndarjen e
literaturës patriotike, dhe në ndërtimin e një alternative politike që sfidonte
kornizat e padrejta të vendosura nga pushteti jugosllav.
Kësisoj, përfshirja e një individi në disa organizata
nuk ishte vetëm një akt trimërie, por edhe një shprehje e thellë e përkushtimit
ndaj një ideali të lartë: lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Në një kohë kur
përhapja e fjalës së lirë dhe e mendimit politik përbënte rrezik të përhershëm
për jetën, këta njerëz përfaqësonin shpirtin e pashuar të një kombi që nuk
pranoi të nënshtrohej. Prandaj, historia e kësaj lëvizjeje duhet lexuar si një
testament i gjallë i idealit kombëtar dhe si një kapitull i ndritshëm i
rezistencës shqiptare në shekullin XX.
Pas
vitit 1945, realiteti politik dhe shoqëror në Kosovë mori trajta të errëta dhe shtypëse,
duke u karakterizuar nga një atmosferë e rënduar frike dhe kontrolli të
gjithanshëm. Me vendosjen e pushtetit komunist jugosllav, Kosova u shndërrua në
një hapësirë ku çdo shfaqje e pakënaqësisë, çdo ankim apo qoftë edhe një
vërejtje e vogël ndaj autoriteteve, mund të interpretohej si akt armiqësor ndaj
shtetit dhe të sillte pasoja të rënda për individin.
Instrumentet
e këtij regjimi represiv ishin të strukturuara dhe të organizuara për të ndalur
çdo tentativë për mendim të lirë apo rezistencë politike. Organet e OZN-së
(Organizata për Mbrojtjen e Popullit), e më vonë ato të UDB-së (Shërbimi i
Sigurimit të Shtetit), ushtronin një kontroll të gjithanshëm mbi jetën publike
dhe private të shqiptarëve në Kosovë. Agjentët e tyre ishin të pranishëm kudo –
në administratë, në shkolla, në institucione fetare, në vendet e punës dhe
madje edhe në jetën familjare. Kjo prani e fuqishme dhe depërtuese krijoi një
klimë të padurueshme frike, duke bërë që shqiptarët të jetonin nën presionin e
përhershëm të ndëshkimit dhe të pasigurisë.
Në
një kontekst të tillë, edhe një shprehje e thjeshtë e pakënaqësisë ndaj
regjimit – që në çdo shoqëri demokratike do të ishte pjesë e natyrshme e
diskursit publik – cilësohej si kundërvajtje politike dhe ndëshkohej me masa të
ashpra, kryesisht me dënime të rënda burgimi. Individë të panumërt përfunduan
në burgjet famëkeqe të regjimit, ku u nënshtroheshin torturave fizike e
psikologjike, vetëm pse kishin guxuar të artikulonin mendime që nuk
përputheshin me dogmat e sistemit.
Kësisoj,
pas vitit 1945, Kosova nuk ishte thjesht një provincë e izoluar, por një
laborator i kontrollit politik, ku organet e sigurimit ushtronin dhunën e
strukturuar mbi një popull që aspironte lirinë. Kjo periudhë mbetet një nga më
të errëtat në historinë moderne të Kosovës, dhe dëshmon për intensitetin e
represionit që u ushtrua mbi shqiptarët vetëm pse kërkonin të jetonin me
dinjitet, të flisnin gjuhën e tyre dhe të ushqenin aspiratat e tyre kombëtare.
Pikërisht
në dritën e represionit të gjithanshëm dhe dhunës sistematike të ushtruar nga
pushteti jugosllav pas vitit 1945, duhet vlerësuar dhe theksuar me ndjeshmëri
historike fakti se lëvizja ilegale shqiptare nuk ishte një formacion i izoluar
apo i shkëputur nga trupi shoqëror i popullit shqiptar në Kosovë. Përkundrazi,
ajo gjeti terren të begatë dhe mbështetje të gjerë në gjirin e popullit, i cili
jo vetëm që ndante idealet e saj për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar, por
edhe kontribuonte konkretisht në mbijetesën dhe funksionimin e saj.
Populli,
i përballur me padrejtësi të përditshme, me mohim të të drejtave kombëtare dhe
me një regjim që tentonte të zhdukte çdo ndjesi të identitetit shqiptar, pa tek
ilegalja shqiptare jo vetëm një alternativë shprese, por një formë të qëndresës
aktive kundrejt një pushteti shtypës. Kështu, lidhja ndërmjet lëvizjes ilegale
dhe popullsisë nuk ishte thjesht simbolike, por thellësisht praktike dhe e
organizuar. Familje të tëra, me vetëdije të plotë për rrezikun që u kanosej,
strehojnë veprimtarë të ilegalës, ndajnë me ta çatinë dhe kafshatën, u
sigurojnë veshmbathje dhe furnizime ushqimore, shpeshherë edhe duke sakrifikuar
mirëqenien e vet dhe duke rrezikuar jetën.
Në
këtë bashkëpunim të pashkruar por të qëndrueshëm, populli shqiptar në Kosovë
dëshmoi jo vetëm besnikëri ndaj kauzës kombëtare, por edhe një nivel të lartë
vetëdijeje politike dhe qytetarie aktive. Ishte një solidaritet që buronte nga
vetë rrënjët e ekzistencës së tyre si popull i nënshtruar, por aspak i
dorëzuar.
Andaj,
historia e ilegales shqiptare nuk mund të kuptohet pa rolin jetik të popullit
që e ushqeu, e strehoi dhe e ruajti si një vlerë të çmuar, e cila përfaqësonte
aspiratat më të larta të një kombi të shtypur, por kurrë të nënshtruar. Kjo
marrëdhënie simbiotike ndërmjet ilegales dhe popullit është një nga shtyllat
kryesore që mundësoi qëndresën afatgjatë dhe ruajtjen e vazhdueshme të idealit
të lirisë.
Vijon









