Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (1)

| E shtune, 01.11.2025, 07:00 PM |


JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË

LËVIZJA ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE NË KOSOVË 1945-1990 (1)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Lëvizja ilegale patriotike shqiptare, si një nga faqet më të ndritura të historisë sonë, u zhvillua në rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe të rënda, ku çdo veprim, çdo fjalë, e deri edhe çdo mendim kundërshtues ndaj pushtetit, mund të shndërrohej në akt të dënueshëm. Ky realitet tragjik e mori trajtën më të thellë dhe më të ashpër pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur populli shqiptar i Kosovës, pa vullnetin dhe pëlqimin e tij, u rikthye edhe një herë nën zgjedhën e një pushteti të huaj, atë të Jugosllavisë dhe konkretisht të Serbisë.

Në vend që përfundimi i luftës të sillte shpresën e lirisë dhe të drejtës për vetëvendosje, për shqiptarët që ngelën nën ish-Jugosllavi, ai shënoi fillimin e një tjetër kapitulli dhimbjeje e nënshtrimi. Në vend të çlirimit, solli rikolonizim; në vend të pavarësisë, një tjetër shtypje; në vend të sovranitetit, një realitet të ri ku represioni u institucionalizua dhe ku ndëshkimi për çdo përpjekje për liri u bë mjet sundimi. Ishte ky ambient i ashpër politik dhe shoqëror që e detyroi veprimtarinë kombëtare shqiptare të kalonte në ilegalitet – në ato struktura të fshehta, të pathyeshme, që mbajtën gjallë idenë e lirisë në errësirën e diktaturës jugosllave.

Përndjekjet, torturat, burgosjet, vrasjet dhe likuidimet e organizuara nga aparati shtetëror serbo-jugosllav nuk arritën ta shuanin zjarrin e rezistencës, i cili, edhe pse i fshehur, vazhdonte të ndriçonte vetëdijen kombëtare. Ishte pikërisht ky ilegalitet që mbeti bastioni i fundit i lirisë së mohuar dhe dëshmisë se Kosova, ndonëse e nëpërkëmbur, nuk kishte hequr dorë nga e drejta e saj legjitime për të qenë e lirë dhe e bashkuar me trungun e saj kombëtar.

Edhe pse Jugosllavia, në rrethanat e pasluftës së Dytë Botërore, fitoi pranimin ndërkombëtar si një shtet sovran dhe federativ, kjo njohje formale nuk mundi kurrsesi të shuante zërin e heshtur por të thellë të dhembjes shqiptare. Nën petkun e unitetit të rremë federativ, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, ndjenin peshën e një robërie të re – të heshtur, por të thellë; të organizuar, por gjithmonë të dhimbshme.

Në çdo cep të kësaj federate, atdhetarët shqiptarë nuk reshtën së ëndërruari. Ata nuk u pajtuan me këtë rend të imponuar, me këtë harresë të dhunshme që i kishte fshirë nga harta e shtetësisë. Ata qëndronin, herë si jehonë në male, e herë si hije në qytete, duke e mbajtur të gjallë kujtimin dhe kërkesën për bashkim kombëtar.

Herë me zë, herë në fshehtësi, ata formonin organizata të reja ilegale– ku idealet e tyre merrnin trajtë politike, morale dhe shpirtërore. Në programet e këtyre lëvizjeve, rrinte shkruar me gjak dhe besë një aspiratë që nuk u venit kurrë: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, si një e drejtë historike, shpirtërore dhe e pamohueshme.

Në errësirën e një shteti që i mohonte, ata ndërtuan dritën e shpresës me mund, përkushtim dhe vetëflijim. Dhe ndërsa bota e shihte Jugosllavinë si një entitet të përbashkët të kombeve, shqiptarët e panë si një kurth të ri për ta, një federatë që fliste për barazi, por sillte vetëm mospërfillje, vetëm përjashtim.

Kështu, nën hijen e një sovraniteti të panjohur për ta, shqiptarët i mbetën besnikë idealit të tyre më të lartë – bashkimit kombëtar – një ideal që nuk vdes me dekret, nuk shuhet me pranim ndërkombëtar, dhe nuk fshihet me hartat e krijuara nga të tjerët. Ai ideal, si një yll i përjetshëm, vazhdoi të ndriçojë në shpirtin e atyre që jetonin me ëndrrën e bashkimit dhe në emër të tij ngritën rezistencën, i dhanë zë së drejtës, dhe e mbajtën të gjallë shpresën për ditët që do të vijnë.

Gjatë periudhës historike 1945–1990, në Kosovë u zhvillua një rezistencë e vazhdueshme kundër regjimit jugosllav përmes një game të gjerë organizatash ilegale me karakter të theksuar kombëtar. Këto struktura, që ishin pjesë e pandashme e Lëvizjes Shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar, u ngritën si nevojë e natyrshme e reagimit ndaj robërisë politike, shtypjes kulturore dhe mohimit të të drejtave themelore kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera të mbetura jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Shpërndarja e rezistencës në shumë organizata të ndryshme nuk ishte produkt i fragmentarizimit ideologjik, por një strategji e diktuar nga rrethanat e kohës dhe nga natyra represive e sistemit. Përballë rrezikut të përhershëm të zbulimit nga organet shtetërore jugosllave, shqiptarët që vepronin në ilegalitet u detyruan të adoptonin forma të decentralizuara të organizimit. Vendosja e emrave të ndryshëm për këto organizata e grupe dhe ndarja e tyre sipas qyteteve apo zonave gjeografike të veprimit shërbente si një mekanizëm mbrojtës dhe një mënyrë për të garantuar vazhdimësinë e veprimtarisë ilegale në rast infiltrimi apo komprometimi të njërit grup.

Kjo shumësi organizatash u bë jehonë e një fryme të përbashkët: aspiratës për liri, barazi dhe bashkim kombëtar. Pavarësisht ndryshimeve të mundshme në format organizative apo në nuancat e diskursit politik, të gjitha kishin një bosht ideologjik të përbashkët: kundërshtimin ndaj shtypjes jugosllave dhe aspiratën për vetëvendosje të shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Në këtë kontekst, organizimi në njësi të vogla e të pavarura njëra nga tjetra nuk e dobësonte, por përkundrazi e forconte lëvizjen në tërësinë e saj, duke e bërë atë më të pakapshme, më të shpërndarë dhe më të qëndrueshme përballë aparatit shtypës të shtetit.

Kësisoj, periudha 1945–1990 në Kosovë u shënua nga një aktivitet i gjallë dhe i strukturuar i organizatave ilegale, të cilat, ndonëse të ndryshme në emër dhe në forma të jashtme, përfaqësonin një frymë të vetme rezistence dhe ndërtuan themelet ideologjike, politike dhe morale të qëndresës kombëtare që do të kulmonte në vitet '90 me Lëvizjen gjithëpopullore për çlirim dhe pavarësi.

Historia e Lëvizjes ilegale shqiptare në Kosovë dëshmon për një realitet të ndërlikuar, por jashtëzakonisht domethënës në aspektin e përkushtimit dhe idealizmit politik të pjesëmarrësve të saj. Një nga tiparet karakteristike të kësaj lëvizjeje është fakti se shpesh individë të caktuar ishin njëkohësisht anëtarë të dy apo edhe më shumë organizatave ilegale, duke vepruar paralelisht në struktura të ndryshme që ndonëse mund të kishin emra të veçantë dhe forma të ndryshme organizimi, përbashkoheshin në qëllimet themelore kombëtare.

Kjo shumësi përfshirjeje nuk ishte rezultat i pasigurisë ideologjike apo i mungesës së kohezionit politik, por një reflektim i qartë i realitetit represiv në të cilin vepronte kjo lëvizje. Në kushtet e një regjimi shtypës, ku veprimtaria kombëtare shqiptare ishte kriminalizuar dhe çdo përpjekje për vetëdijesim kombëtar ndëshkohej me ashpërsi, aderimi i një individi në disa organizata shërbente si një strategji mbijetese, por njëkohësisht edhe si një mekanizëm për shtimin e ndikimit të veprimit të tij.

Në tërësi, rrjeti i organizatave ilegale kishte për qëllim parësor të mobilizonte shqiptarët rreth kauzës së lirisë, të promovonte ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe të kultivonte vetëdijen për domosdoshmërinë historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit të saj me shtetin amë, Shqipërinë. Veprimtaria e këtyre organizatave fokusohej në ndriçimin e ndërgjegjes kombëtare, në sensibilizimin e masave popullore, në shpërndarjen e literaturës patriotike, dhe në ndërtimin e një alternative politike që sfidonte kornizat e padrejta të vendosura nga pushteti jugosllav.

Kësisoj, përfshirja e një individi në disa organizata nuk ishte vetëm një akt trimërie, por edhe një shprehje e thellë e përkushtimit ndaj një ideali të lartë: lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Në një kohë kur përhapja e fjalës së lirë dhe e mendimit politik përbënte rrezik të përhershëm për jetën, këta njerëz përfaqësonin shpirtin e pashuar të një kombi që nuk pranoi të nënshtrohej. Prandaj, historia e kësaj lëvizjeje duhet lexuar si një testament i gjallë i idealit kombëtar dhe si një kapitull i ndritshëm i rezistencës shqiptare në shekullin XX.

Pas vitit 1945, realiteti politik dhe shoqëror në Kosovë mori trajta të errëta dhe shtypëse, duke u karakterizuar nga një atmosferë e rënduar frike dhe kontrolli të gjithanshëm. Me vendosjen e pushtetit komunist jugosllav, Kosova u shndërrua në një hapësirë ku çdo shfaqje e pakënaqësisë, çdo ankim apo qoftë edhe një vërejtje e vogël ndaj autoriteteve, mund të interpretohej si akt armiqësor ndaj shtetit dhe të sillte pasoja të rënda për individin.

Instrumentet e këtij regjimi represiv ishin të strukturuara dhe të organizuara për të ndalur çdo tentativë për mendim të lirë apo rezistencë politike. Organet e OZN-së (Organizata për Mbrojtjen e Popullit), e më vonë ato të UDB-së (Shërbimi i Sigurimit të Shtetit), ushtronin një kontroll të gjithanshëm mbi jetën publike dhe private të shqiptarëve në Kosovë. Agjentët e tyre ishin të pranishëm kudo – në administratë, në shkolla, në institucione fetare, në vendet e punës dhe madje edhe në jetën familjare. Kjo prani e fuqishme dhe depërtuese krijoi një klimë të padurueshme frike, duke bërë që shqiptarët të jetonin nën presionin e përhershëm të ndëshkimit dhe të pasigurisë.

Në një kontekst të tillë, edhe një shprehje e thjeshtë e pakënaqësisë ndaj regjimit – që në çdo shoqëri demokratike do të ishte pjesë e natyrshme e diskursit publik – cilësohej si kundërvajtje politike dhe ndëshkohej me masa të ashpra, kryesisht me dënime të rënda burgimi. Individë të panumërt përfunduan në burgjet famëkeqe të regjimit, ku u nënshtroheshin torturave fizike e psikologjike, vetëm pse kishin guxuar të artikulonin mendime që nuk përputheshin me dogmat e sistemit.

Kësisoj, pas vitit 1945, Kosova nuk ishte thjesht një provincë e izoluar, por një laborator i kontrollit politik, ku organet e sigurimit ushtronin dhunën e strukturuar mbi një popull që aspironte lirinë. Kjo periudhë mbetet një nga më të errëtat në historinë moderne të Kosovës, dhe dëshmon për intensitetin e represionit që u ushtrua mbi shqiptarët vetëm pse kërkonin të jetonin me dinjitet, të flisnin gjuhën e tyre dhe të ushqenin aspiratat e tyre kombëtare.

Pikërisht në dritën e represionit të gjithanshëm dhe dhunës sistematike të ushtruar nga pushteti jugosllav pas vitit 1945, duhet vlerësuar dhe theksuar me ndjeshmëri historike fakti se lëvizja ilegale shqiptare nuk ishte një formacion i izoluar apo i shkëputur nga trupi shoqëror i popullit shqiptar në Kosovë. Përkundrazi, ajo gjeti terren të begatë dhe mbështetje të gjerë në gjirin e popullit, i cili jo vetëm që ndante idealet e saj për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar, por edhe kontribuonte konkretisht në mbijetesën dhe funksionimin e saj.

Populli, i përballur me padrejtësi të përditshme, me mohim të të drejtave kombëtare dhe me një regjim që tentonte të zhdukte çdo ndjesi të identitetit shqiptar, pa tek ilegalja shqiptare jo vetëm një alternativë shprese, por një formë të qëndresës aktive kundrejt një pushteti shtypës. Kështu, lidhja ndërmjet lëvizjes ilegale dhe popullsisë nuk ishte thjesht simbolike, por thellësisht praktike dhe e organizuar. Familje të tëra, me vetëdije të plotë për rrezikun që u kanosej, strehojnë veprimtarë të ilegalës, ndajnë me ta çatinë dhe kafshatën, u sigurojnë veshmbathje dhe furnizime ushqimore, shpeshherë edhe duke sakrifikuar mirëqenien e vet dhe duke rrezikuar jetën.

Në këtë bashkëpunim të pashkruar por të qëndrueshëm, populli shqiptar në Kosovë dëshmoi jo vetëm besnikëri ndaj kauzës kombëtare, por edhe një nivel të lartë vetëdijeje politike dhe qytetarie aktive. Ishte një solidaritet që buronte nga vetë rrënjët e ekzistencës së tyre si popull i nënshtruar, por aspak i dorëzuar.

Andaj, historia e ilegales shqiptare nuk mund të kuptohet pa rolin jetik të popullit që e ushqeu, e strehoi dhe e ruajti si një vlerë të çmuar, e cila përfaqësonte aspiratat më të larta të një kombi të shtypur, por kurrë të nënshtruar. Kjo marrëdhënie simbiotike ndërmjet ilegales dhe popullit është një nga shtyllat kryesore që mundësoi qëndresën afatgjatë dhe ruajtjen e vazhdueshme të idealit të lirisë.

Vijon