Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (14)
E enjte, 20.11.2025, 07:00 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
JATAKËT E HASAN ALISË
DËNOHESHIN EDHE ME VDEKJE- PUSHKATIM (14)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në
këtë kuptim, rasti i Veli Ymerit shpalos kontrastin tragjik mes profilit të një
fshatari të varfër, që jetonte i tëri në punë e mund, dhe peshës së rëndë të
akuzave që iu ngarkuan. Ai nuk ishte udhëheqës politik, as ideolog, por
përfshirja e tij në listën e të dënuarve e bën të qartë se regjimi synonte të
përçante, të frikësonte dhe të kontrollonte çdo shtresë të shoqërisë, duke mos
kursyer askënd.
Në
një shtrirje historike, mund të thuhet se historia e Veli Ymerit është
shembulli më i qartë se si shteti e shihte çdo individ si potencialisht të
rrezikshëm, edhe kur ai nuk kishte asnjë armë tjetër përveç pllugut. Arrestimi
i tij nuk ishte vetëm një akt i drejtësisë së shtrembëruar, por edhe një mesazh
i ashpër i pushtetit, se askush, as i dituri e as i padituri, nuk mund të
mbetej i paprekur nga rrjeta e frikës dhe represionit.
Në
procesin gjyqësor ku u përfshi, Veli Imeri u vendos nën akuzën e rëndë se gjoja
kishte marrë pjesë bashkë me Hasan Remnikun dhe grupin e tij në disa vepra
penale. Por mënyra se si këto akuza u formuluan, e bën të qartë qëllimin e
vërtetë të organeve të ndjekjes, jo të dëshmonin një bashkëpunim real politik
apo ushtarak me lëvizjen ilegale, por ta denigronin figurën e tij dhe ta
paraqisnin para opinionit publik si një kriminel ordiner.
Në
vend që të përmendej ndonjë akt i lidhur me aktivitetin patriotik të grupit,
aktakuza u përqendrua në akuza të dorës së dytë, duke e etiketuar Veli Imerin
si të përfshirë në hajni të vogla nëpër shitoret e fshatrave përreth. Një
strategji e tillë nuk ishte e rastësishme: ajo kishte për qëllim të zbehte
dimensionin politik dhe kombëtar të veprimtarisë së Hasan Remnikut dhe
bashkëpunëtorëve të tij, duke e zhveshur çështjen nga çdo idealizëm dhe duke e
reduktuar atë në kriminalitet të zakonshëm.
Ky
është një shembull i qartë i manipulimit të drejtësisë si instrument
propagandistik. Në vend që gjykata të trajtonte faktet reale – lidhjet e
mundshme të të akuzuarit me grupin ilegal – aktakuza u përqendrua në shpifje
dhe akuza banale, të cilat nuk përbënin prova për bashkëpunim me Remnikun, por
vetëm përpjekje për ta njollosur personalisht.
Në
këtë dritë, rasti i Veli Imerit ilustron mekanizmin e zakonshëm të regjimit, ta
zhveshë veprimtarinë ilegale nga aura e saj atdhetare dhe ta shndërrojë në një
“krim ordiner”, në mënyrë që popullata të mos shihte më heronj të lirisë, por
individë të kriminalizuar. Ky ishte një mjet i qartë për të thyer moralin
shoqëror dhe për të larguar çdo lloj simpatie ndaj të akuzuarve.
Aktgjykimi
i shpallur më 29 dhjetor 1951 përbën një kthesë domethënëse në tërë narrativën
e ngritur më parë nga organet e ndjekjes. Për muaj me radhë, propaganda zyrtare
ishte përpjekur ta paraqiste grupin e Hasan Remnikut dhe bashkëpunëtorët e tij
si njerëz të zakonshëm, të lidhur me hajni të vogla, me synim që t’i hiqte çdo
ngjyrë politike dhe çdo idealizëm kauzës së tyre. Por, në çastin kur kryetari i
gjykatës i shqiptoi dënimin me vdekje – pushkatim – retorika ndryshoi.
Arsyetimi i këtij vendimi u mbështet mbi të dhëna që, paradoksalisht, i
rrëzonin pretendimet e mëparshme të pushtetit.
Në
fakt, duke justifikuar dënimin kapital, vetë gjykata pranoi se grupi nuk ishte
përfshirë në hajni ordinerë, por se kishte vepruar me motivime politike, duke
luftuar për lirinë e Kosovës dhe duke synuar çlirimin kombëtar. Kështu, përpjekja
për ta kriminalizuar në mënyrë banale u demaskua nga vetë aktgjykimi, i cili,
ndonëse synonte t’i zhdukte fizikisht, në të vërtetë u dha atyre një
legjitimitet të ri, e vulosi se ishin dënuar si atdhetarë dhe jo si keqbërës të
zakonshëm.
Ky
kontrast e nxjerr në pah dyfytyrësinë e sistemit represiv. Nga njëra anë,
propaganda përpiqej ta diskreditonte lëvizjen, për ta shkëputur nga simpatia
popullore; nga ana tjetër, gjyqi – duke kërkuar arsyetime të rënda për dënime
kapitale – u detyrua të pranojë se veprimtaria e tyre ishte e natyrës politike
dhe atdhetare. Në këtë mënyrë, gjykata, ndoshta pa dashur, e vulosi statusin e
tyre si martirë të kauzës kombëtare.
Në
një shtrirje më të zgjeruar, mund të thuhet se aktgjykimi i dhjetorit 1951, në
vend që t’i zhdukte nga kujtesa, e përforcoi figurën e tyre historike. Ai
dëshmoi se ata nuk ranë si kriminelë, por si luftëtarë për lirinë e Kosovës –
dhe kjo ishte trashëgimia që populli e mbajti gjallë në kujtesën kolektive,
pavarësisht synimeve të pushtetit.
Në
arsyetimin e aktgjykimit të shpallur nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, theksi
vihej mbi gjoja analizën e gjithanshme të provave të paraqitura kundër të
akuzuarve. Në dokument thuhej se, që nga viti 1948 e deri në shtator të vitit
1951, të pandehurit kishin qenë të lidhur ngushtë me “armiqtë e përbetuar të
shtetit dhe të popullit”: Hasan Aliun nga Remniku, Agush Hetem Mehmetin nga
Bresalci dhe Mustafë Rashitin, të njohur si “Koka”, mësues nga Remniku. Sipas
gjykatës, këta persona ishin arratisur nga “pushteti popullor” me qëllimin e
vetëm për të “rrënuar sistemin ekzistues në Jugosllavi”.
Në
këtë arsyetim, gjykata nuk kufizohej vetëm në konstatime të përgjithshme, por
përshkruante edhe mënyrën se si të akuzuarit kishin bashkëpunuar me këta të
arratisur, duke i strehuar në shtëpitë e tyre, duke u ofruar vendqëndrim të
sigurt, duke u siguruar ushqimin e nevojshëm, duke organizuar mbledhje të
rregullta me ta në vende të caktuara dhe duke mbajtur kontakte të përhershme me
rrjete të tjera jatakësh, si në zonën e Gjilanit, ashtu edhe në fshatrat e
Anamoravës Lindore.
Ky
arsyetim, i ndërtuar mbi logjikën e gjykatave politike të kohës, e shndërronte
mikpritjen, solidaritetin dhe mbrojtjen tradicionale në krime kundër shtetit.
Ai e përkufizonte qëllimin e këtyre veprimeve jo si gjeste njerëzore, por si
akte të vetëdijshme për rrëzimin e sistemit politik. Në këtë mënyrë, aktgjykimi
nuk ishte thjesht një vendim penal, por një akt ideologjik, që synonte të
kriminalizonte çdo lidhje me figurat e rezistencës ilegale dhe ta shndërronte
atë në provë të “armiqësisë” ndaj pushtetit.
Në
këtë aspekt, ky arsyetim zbulon qartë mekanizmin e një drejtësie që nuk
kërkonte të gjente të vërtetën, por të legjitimonte represionin. Çdo element i
solidaritetit shoqëror, që për shqiptarët ishte pjesë e kodit të nderit e të
besës, u interpretua si akt subversiv, duke i dhënë kështu regjimit
justifikimin e nevojshëm për dënime kapitale e shumëvjeçare. Në vend që të
mbronte ligjin dhe drejtësinë, gjykata u bë zëdhënëse e frikës dhe e ndëshkimit
politik.
Në
aktakuzë, të gjithë të pandehurit ngarkoheshin me pretendimin se në data të
ndryshme ishin takuar dhjetëra herë me Hasan Remnikun dhe grupin e tij, duke i
ndihmuar në çdo aspekt të veprimtarisë së tyre ilegale. Ky formulim i
përgjithshëm, pa kufij të qartë kohorë apo provash të detajuara, shërbente si
bazë për t’i përfshirë të gjithë në një rrjet të supozuar bashkëpunimi, duke e
bërë të pamundur që ndonjëri prej tyre të mbetej jashtë përgjegjësisë së
konstatuar nga organet e ndjekjes.
I
dyti në listën e të akuzuarve ishte Qazim Ismaili, i lindur më 1923 në fshatin
Remnik, nga babai Ismail dhe nëna Hajrije, e lindur Fazliu. Profesioni i tij
ishte bujqësia, një jetë e thjeshtë që nuk dallonte nga pjesa më e madhe e
fshatarëve të Anamoravës. Qazimi nuk dinte shkrim-lexim, gjë që tregon nivelin
e varfërisë arsimore të kohës, dhe ishte i martuar, megjithëse ende pa fëmijë.
Gjendjen ekonomike e kishte të mesme, çka e vendoste në radhën e fshatarëve të
zakonshëm, që jetonin me mund e djersë, pa ndonjë ndikim apo pasuri të veçantë.
Ajo
që bie në sy është se Qazim Ismaili nuk kishte pasur më parë asnjë histori
penale, nuk ishte arrestuar ndonjëherë, dhe jetonte një jetë të zakonshme.
Megjithatë, më 17 tetor 1951, vetëm pak ditë pas likuidimit të grupit të Hasan
Remnikut, ai u arrestua nga organet e sigurimit shtetëror. Ky fakt tregon se
arrestimi i tij, ashtu si i shumë të tjerëve, ishte pjesë e një skenari të
përgatitur, që synonte të godiste jo vetëm figurat kryesore të rezistencës, por
edhe rrethin më të gjerë shoqëror që dyshohej për lidhje me ta.
Rasti
i Qazim Ismailit pasqyron mënyrën se si pushteti i kohës e zgjeroi fushën e
represionit, edhe një fshatar i zakonshëm, pa shkollë e pa të kaluar penale, u
shënjestrua dhe u vendos para gjykatës, vetëm pse i përkiste një mjedisi ku
fryma e rezistencës nuk ishte shuar. Arrestimi i tij nuk ishte thjesht një akt
juridik, por një mesazh i qartë politik – se askush nuk ishte i paprekshëm
përballë dhunës së shtetit.
Në
aktakuzë, të gjithë të pandehurit ngarkoheshin me pretendimin se në data të
ndryshme ishin takuar dhjetëra herë me Hasan Remnikun dhe grupin e tij, duke i
ndihmuar në çdo aspekt të veprimtarisë së tyre ilegale. Ky formulim i
përgjithshëm, pa kufij të qartë kohorë apo provash të detajuara, shërbente si
bazë për t’i përfshirë të gjithë në një rrjet të supozuar bashkëpunimi, duke e
bërë të pamundur që ndonjëri prej tyre të mbetej jashtë përgjegjësisë së
konstatuar nga organet e ndjekjes.
Në
procesin gjyqësor të mbajtur në Gjilan më 29 dhjetor 1951, Gjykata e Qarkut e
shpalli fajtor dhe e dënoi me vdekje – pushkatim – një nga të akuzuarit, vetëm
sepse kishte qenë jatak i Hasan Ali Remnikut, duke e strehuar dhe mbrojtur atë
nga pushteti jugosllav për të mos rënë në duart e tij. Ky akt, që në thelb
ishte një gjest besnikërie, mikpritjeje dhe rezistence, u kriminalizua nga
pushteti dhe u shpërblye me ndëshkimin më të rëndë të mundshëm.
Gjatë
seancës përfundimtare, gjykatësi, teksa jepte arsyetimin e dënimit, u shfaq në
mënyrë groteske. Argumentet e tij ishin qesharake, sepse mundohej me çdo kusht
të largonte vëmendjen nga shkaku i vërtetë i dënimit, mbrojtja e një patrioti
shqiptar dhe kundërshtimi i okupimit serbo-jugosllav. Në vend të kësaj,
arsyetimi u zhvendos në akuza banale, sikur dënimi me vdekje ishte pasojë e
marrjes së disa artikujve të veshmbathjes për t’i shpërndarë te të varfrit.
Kështu, gjykata mundohej të mbulonte një çështje të madhe politike e kombëtare
me një pretekst të sajuar dhe të pavlerë.
Në
thelb, ajo që ndodhi nuk ishte ndëshkim për vepra të dorës së dytë, por
eliminim i drejtpërdrejtë i një individi që kishte treguar guximin të qëndronte
në anën e rezistencës. Dënimi me vdekje nuk ishte “i natyrshëm”, siç
pretendonin gjykatësit, por një akt represiv, i drejtuar kundër vetë shpirtit
të qëndresës shqiptare. E vërteta e këtij procesi nuk qëndron tek “artikujt e
veshmbathjes”, por tek fakti madhor se këta njerëz po sakrifikoheshin sepse
kishin zgjedhur të ishin krah për krah me atdhetarët që luftonin për lirinë e
Kosovës.
Dhe
ky moment shfaqet si një shembull i qartë i përplasjes mes dy botëve: botës së
pushtetit, që përpiqej të maskonte krimin politik nën petkun e një drejtësie të
rreme, dhe botës së popullit, që e kuptonte se pas këtyre farsave gjyqësore
fshihej një e vërtetë e madhe – përpjekja për të shuar çdo zë që kërkonte liri
e bashkim kombëtar.
I
akuzuari i tretë në procesin gjyqësor të Gjilanit ishte Ajdin Ali Shabani, i
cili njësoj si dy të parët, u dënua me vdekje – pushkatim. Ai ishte i lindur në
fshatin Remnik më 1920, nga babai Ali dhe nëna Rabije, e lindur Sahiti. Jeta e
tij nuk dallonte nga ajo e shumicës së fshatarëve të kohës. Merrej me bujqësi
dhe, me mund e vullnet personal, kishte arritur të mësonte shkrim-leximin në
mënyrë autodidakte, duke treguar përkushtim e këmbëngulje që tejkalonte kufijtë
e mundësive të tij të thjeshta ekonomike e shoqërore.
Ajdini
u arrestua dhe u dërgua në burgun hetues të Gjilanit më 18 tetor 1951, vetëm
pak ditë pas likuidimit të Hasan Remnikut. Për disa javë qëndroi aty, nën
kushte të rënda hetuesie, derisa gjykata vendosi ta përfshijë në listën e
“bashkëpunëtorëve të ngushtë” të Hasan Remnikut. Në aktgjykim, Gjykata e Qarkut
e cilësoi atë si jatak besnik dhe si një mbështetës të vazhdueshëm të grupit
ilegal, duke përdorur këtë përcaktim si justifikim për shqiptimin e dënimit
kapital.
Në
këtë mënyrë, Ajdin Shabani nuk u dënua për ndonjë krim konkret të dokumentuar,
por për faktin se kishte ofruar strehë dhe mbështetje morale e materiale për
një grup që pushteti e konsideronte si “armiqësor”. Kjo e bën edhe më të qartë
se procesi i Gjilanit nuk ishte një akt drejtësie, por një demonstrim i dhunës
së pushtetit, të ndëshkonte çdo individ që shfaqte solidaritet ose qëndresë
ndaj okupimit.
Historia
e Ajdin Shabanit shfaqet si dëshmi e tragjedisë së shumë shqiptarëve të
thjeshtë, që nuk ishin prijës politikë apo luftëtarë të armatosur, por njerëz
të zakonshëm, fshatarë që e kuptonin si detyrë morale strehimin dhe ndihmën për
bijtë e kombit. Ai, me gjithë thjeshtësinë e jetës së tij, u përball me
ndëshkimin më të rëndë, duke dëshmuar se pushteti i kohës nuk kishte më synim
të dallonte mes të pafajshmit e të fajshmit – mjaftonte të kishe qenë pranë
atdhetarëve që të shpalleshe “armik i popullit” dhe të përfundoje para togës së
pushkatimit.
I
akuzuari i katërt në procesin e Gjilanit ishte Sylë Fazli Zeka, i lindur më
1921 në fshatin Livoq i Epër, nga babai Fazli dhe nëna Rabije, e lindur Ahmeti.
Jeta e tij ishte e shënjuar nga varfëria dhe puna e rëndë fshatare. Ai merrej
me bujqësi, ndërsa gjendja ekonomike ishte aq e vështirë saqë mezi siguronte
jetesën e përditshme. Nuk kishte pasur mundësinë të shkonte as edhe një ditë në
shkollë, prandaj nuk dinte shkrim e as lexim. Ishte një njeri i thjeshtë, i
lidhur me tokën dhe punën, larg çdo dimensioni politik apo ideologjik.
Megjithatë,
më 16 tetor 1951 ai u arrestua nga organet e sigurimit shtetëror, dhe në
aktgjykimin e shpallur më vonë thuhej se ishte bashkëpunëtor i Hasan Alisë –
duke e ndihmuar e strehuar shpesh herë në shtëpinë e tij. Ky pretendim mjaftoi
për ta përfshirë në listën e të dënuarve, pavarësisht se roli i tij ishte më
shumë shprehje e mikpritjes dhe e besës shqiptare, sesa ndonjë veprim i
organizuar politik.
Gjykata,
duke analizuar të ashtuquajturat “vepra të kryera”, e arsyetoi dënimin në një
mënyrë të çuditshme dhe kontradiktore. Në këtë proces gjyqësor ai u dënua dhe
iu shqiptua dënimi me 15 vite burg të rëndë. Kjo përbën një paradoks, nga njëra
anë gjykata e shpalli fajtor si bashkëpunëtor të ngushtë të një grupi të
shpallur “armik i shtetit”, por nga ana tjetër u tërhoq nga shqiptimi i dënimit
me vdekje.
Rasti
i Sylë Fazli Zekës është dëshmi e absurditetit të drejtësisë së kohës. Ai ishte
një fshatar i thjeshtë, pa arsim, pa pasuri dhe pa ndikim, por mikpritja e tij
u interpretua si krim politik. Në të vërtetë, nuk ishte ai që gjykohej, por
kodi i besës shqiptare, i cili e bënte të pamundur për një njeri të thjeshtë të
mos i hapte derën e shtëpisë një bashkëkombësi që kërkonte strehë. Dënimi prej
15 vjetësh, i arsyetuar “pakëz në mënyrë të çuditshme”, ishte një kompromis i
dhunshëm mes dëshirës për ndëshkim dhe paaftësisë për të justifikuar
pushkatimin e një fshatari të varfër që s’kishte kryer asgjë tjetër veçse
kishte ofruar bukë dhe strehë.
I
pesti në radhën e të akuzuarve të procesit të Gjilanit ishte Selim Alia, i
lindur më 1922 në fshatin Remnik. Ai vinte nga një familje e njohur për
fisnikëri dhe bujari, vlera të trashëguara nga babai Ali dhe nëna Rabije, e
lindur Ahmeti. Bashkë me këto vlera familjare, Selimi kishte trashëguar edhe
dashurinë për atdheun, një ndjenjë që e përshkonte si pjesë e identitetit të
tij.
Në
përditshmërinë e tij, Selimi merrej me bujqësi, duke jetuar me mundin e krahëve
të vet, ndërsa në mënyrë autodidakte kishte mësuar shkrim-leximin – një dëshmi
e qartë e vullnetit dhe përpjekjes për të tejkaluar kufijtë që i impononte
varfëria. Ai ishte i pamartuar dhe i përkiste një familjeje fshatare të varfër,
por me një pasuri shpirtërore të jashtëzakonshme, ku dashuria për tokën, ndershmëria
dhe besnikëria ndaj kombit zinin vend qendror.
Selim
Alia u arrestua dhe u soll në burgun hetues të Gjilanit më 17 tetor 1951, vetëm
disa ditë pas ngjarjes së pritës së Bistricës dhe likuidimit të Hasan Remnikut
me grupin e tij. Prania e tij aty nuk ishte thjesht rastësi, por pjesë e një
zinxhiri ndëshkimesh që synonin të asgjësonin jo vetëm individët kryesorë të
rezistencës, por edhe rrethin e tyre shoqëror e familjar, ata që përfaqësonin
mbështetje morale e praktike për lëvizjen.
Figura
e Selim Alis përfaqëson tipin e fshatarit të thjeshtë e të varfër, që
megjithatë mbante brenda vetes dinjitetin dhe dashurinë për kombin. Ai nuk
ishte as udhëheqës, as ideolog, por pjesë e atij brezi të heshtur që, përmes
mikpritjes dhe solidaritetit, mbajti gjallë frymën e rezistencës. Arrestimi i
tij tregon se pushteti i kohës nuk ndëshkonte vetëm armët dhe fjalët, por edhe
gjestin më të vogël të besës dhe përkrahjes.
Ashtu
si për të akuzuarit e mëparshëm, edhe ndaj Selim Alis, aktakuza e ngritur nga
Prokuroria Publike e Qarkut formuloi pretendime të rënda, duke e ngarkuar se
kishte kryer “vepra penale kundër popullit dhe shtetit”. Në thelb, akuza
bazohej në faktin se për më shumë se katër vite ai kishte ndihmuar dhe strehuar
Hasan Ali Remnikun me shokë, qoftë në shtëpinë e vet, qoftë tek të afërmit e
tij. Ky akt, i cili në realitet ishte një shprehje e besës dhe solidaritetit
njerëzor, u kriminalizua nga sistemi dhe u shndërrua në “provë” për dënim.
Në
bazë të kësaj aktakuze, Selim Alisë iu shqiptua një dënim marramendës prej 101
viti burg, dënimi ishte aq i rëndë sa që e dënonte tërë jetën ta kalonte në
burg. Kjo sjell natyrshëm pyetjen: a mund të ishte e drejtë, a mund të ishte e
arsyeshme që një njeri të dënohej me një masë kaq ekstreme vetëm pse kishte
strehuar dikë, apo pse e kishte furnizuar me ushqime? Nëse e gjykojmë me arsyen
më të thjeshtë, ky është një absurditet i plotë, një dhunim i çdo parimi të
drejtësisë dhe humanitetit.
E
vërteta është se nuk ishte vetë streha apo buka që dënohej, por ajo çka ato simbolizonin,
një akt qëndrese, një shenjë besnikërie ndaj kauzës kombëtare. Prandaj pushteti
e ktheu mikpritjen në krim dhe ndihmën në akt armiqësor. Është për të ardhur
keq, por edhe për të reflektuar, se një sistem që duhej të mishëronte
drejtësinë, forcën e tij ndaj popullatës shqiptare e manifestoi përmes frikës
dhe shqiptimit të dënimeve të rënda, duke shuar jetë e duke thyer familje të
tëra.
Dënimi
i Selim Alis është pasqyrë e ashpërsisë së një kohe ku dënimi nuk synonte
fajin, por shembjen morale të shoqërisë. Ai dëshmon se pushteti nuk trembej nga
individët e varfër, por nga mesazhi që ata mbartnin se edhe në errësirën më të
rëndë, populli shqiptar ruante besën, solidaritetin dhe dashurinë për lirinë.
I
gjashti në radhën e të akuzuarve që u përfshi në procesin e Gjilanit ishte Azem
Kadria nga fshati Bresalc. Ai kishte lindur më 1900, nga babai Azem dhe nëna
Salë, e lindur Abazi. Jeta e tij kishte kaluar në punë të pandërprerë në
bujqësi, siç ndodhte me shumicën e fshatarëve të asaj kohe, të lidhur me tokën
dhe jetesën e thjeshtë. Ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve, duke mbajtur
mbi supe barrën e familjes në kushte modeste. Nuk dinte shkrim-lexim, një fakt
që dëshmonte varfërinë arsimore të kohës dhe mungesën e mundësive për të
ndërtuar një jetë më të zhvilluar.
Pas
ngjarjes së pritës në Bistricë dhe likuidimit të Hasan Remnikut me shokë, Azem
Kadria ishte ndër të parët që u arrestua nga organet e sigurimit më 10 tetor
1951. Fati i tij u vulos shumë shpejt, gjykata e dënoi me një dënim të rëndë,
duke ia përcaktuar tërë jetën pas hekurave. Rasti i Azem Kadriut është pasqyrë
e qartë e logjikës së represionit të kohës. Ai nuk ishte udhëheqës i ndonjë
grupi, as ideolog, as figurë publike me ndikim. Ishte një fshatar i thjeshtë,
që nuk dinte as të shkruante e as të lexonte, por që megjithatë u përfshi në
vorbullën e akuzave si “bashkëpunëtor” i lëvizjes ilegale. Kjo tregon se
pushteti nuk godiste vetëm figurat kryesore, por përpiqej të krijonte një rrjet
të gjerë frike, duke dënuar edhe njerëzit më të zakonshëm, me qëllim që askush
të mos ndihej i sigurt.
Vijon









