Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (12)
E hene, 17.11.2025, 07:00 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
DËNIMET DRAKONIKE PËR
JATAKËT E HASAN REMNIKUT (12)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ngjarja
e pritës në Bistricë, e cila mori jetët e Hasan Ali Remnikut dhe shokëve të
tij, u përjetua nga popullsia shqiptare e Anamoravës e më gjerë si një tragjedi
e përmasave kolektive. Pas saj, mbi këtë trevë u shtri një atmosferë e rëndë, e
mbarsur me frikë dhe ankth, ku çdo ditë kalonte nën hijen e pasigurisë dhe të
kërcënimit të vazhdueshëm. Çdo trokitje dere, çdo lëvizje e dyshimtë, ngjallte
drojën se pas saj mund të fshihej një bastisje, një marrje në pyetje ose një
arrestim i papritur.
Pushteti
jugosllav, i vendosur të shuante çdo rrënjë të rezistencës, veproi pa asnjë
paralajmërim dhe pa asnjë dallim. Arrestimet kryheshin në çdo orë të ditës e të
natës, shpesh me dhunë dhe terror, duke përfshirë jo vetëm burra të aftë për
luftë, por edhe gra, të rinj e të moshuar. Nuk kishte rëndësi mosha, gjinia apo
statusi shoqëror – kushdo që dyshohej për simpati ndaj të rënëve, ose edhe
vetëm për një fjalë të thënë në mbështetje të tyre, përfundonte nën dhunën e
hetuesisë.
Në
këtë klimë të terrorit të organizuar, synimi i pushtetit ishte i qartë: të
shuhej çdo zë opozitar, të thyhej çdo formë solidariteti dhe të mbillej frika
në rrënjët më të thella të jetës shoqërore. Frika duhej të bëhej pjesë e
përditshme e jetës së shqiptarëve, një mjet i padukshëm kontrolli për t’i
mbajtur të nënshtruar. Në këtë mënyrë, represioni nuk kufizohej vetëm në
dënimin e individëve, por synonte të paralizonte tërë popullatën shqiptare,
duke e lënë pa guxim dhe pa zë përballë padrejtësisë.
Në
këtë mënyrë, tragjedia e rënies së Hasan Remnikut dhe shokëve të tij nuk u
mbyll me plumbat e pritës në Bistricë, por vazhdoi si një kapitull i gjatë
represioni që shtrihej përtej kufijve të individëve. Ajo u kthye në një mjet të
pushtetit për të ushtruar dhunë sistematike, duke synuar jo vetëm ndëshkimin e
atyre që kishin bashkëpunuar me ta, por edhe nënshtrimin dhe kontrollin e një
popullsie të tërë.
Të
dhënat e nxjerra nga fondet e Arkivit të Kosovës e dëshmojnë qartë këtë. Brenda
një periudhe tepër të shkurtër kohore, organet e pushtetit organizuan një
fushatë arrestimesh masive, ku mbi dyzet e një individë u vunë në pranga.
Akuzat ndaj tyre ishin pothuajse identike: kishin ofruar strehim, kishin dhënë
ndihmë logjistike, ushqime ose mbrojtje për Hasan Remnikun dhe grupin e tij. Në
realitet, këto akuza nuk ishin gjë tjetër veçse përpjekje për të kriminalizuar
ndjenjën e solidaritetit dhe mikpritjes, që për shqiptarët ishte pjesë organike
e identitetit të tyre shoqëror.
Pas
arrestimeve, të gjithë të dyshuarit u vunë përballë trupave gjykuese në procese
të gjata dhe tërësisht të montuara. Në këto gjyqe nuk kërkohej e vërteta, nuk
gjykohej drejtësia, por shfaqej një spektakël frikësimi. Qëllimi ishte i qartë
të thyhej morali i njerëzve, të mbillej terrori dhe të dërgohej mesazhi se
kushdo që guxonte të ndihmonte një luftëtar të lirisë do të përfundonte i
shkatërruar bashkë me familjen e tij.
Në
këtë kuptim, gjyqet nuk ishin vetëm instrumente represioni, por edhe pjesë e
një strategjie të mirëmenduar për të de-legjitimuar dhe kriminalizuar çdo
përpjekje të organizuar shqiptare. Duke e paraqitur ndihmën ndaj veprimtarëve
të çështjes kombëtare si “krim kundër shtetit”, pushteti synonte të
shkatërronte rrjetet e mbështetjes dhe të shuhej çdo formë qëndrese.
Megjithatë, në vetëdijen e popullit shqiptar, këto dënime nuk prodhuan bindje,
por përforcuan bindjen se liria kishte një çmim dhe se martirizimi i
atdhetarëve ishte dëshmi e një sakrifice që nuk shuhet.
Në
përpjekjen e tyre për të thyer shpirtin e rezistencës dhe për të shuar çdo zë
kundërshtimi, gjykatësit e formuar në frymën e ideologjisë serbomadhe shpallnin
dënime të ashpra e çnjerëzore, të cilat për nga përmasat e tyre ishin të
krahasueshme vetëm me praktikat më represive të historisë. Vendimet e tyre
varionin nga një vit i vetëm heqje lirie deri në shifra të pabesueshme, si 101
vjet burg, çka në vetvete dëshmonte jo thjesht për një masë ndëshkuese
juridike, por për një akt politik të motivuar nga hakmarrja dhe urrejtja
etnike. Për ata të paktë, por të guximshëm, që shprehën haptazi revoltën dhe
pakënaqësinë e tyre ndaj sistemit represiv dhe ri-okupimit jugosllav, ndëshkimi
shkonte edhe më tej – drejt aktit ekstrem e të pakthyeshëm të pushkatimit.
Sipas
të dhënave statistikore dhe burimeve dokumentare që disponojmë, shuma e
dënimeve të shqiptuara ndaj këtij grupi njerëzish kapte një total marramendës
prej mbi 492 vjet e ,6 muaj burg. Ky ishte një numër që fliste vetë për
përmasën e represionit, duke treguar se qëllimi kryesor nuk ishte vetëm izolimi
fizik i individëve, por edhe paralizimi i plotë i shpresës kolektive. Në këtë
kuadër të errët, tre figura u ndëshkuan me vdekje dhe u pushkatuan: Qazim
Ismaili, Veli Ibrahim Ymeri dhe Ajdin Ali Shabani – emra që sot mbeten si
simbol i sakrificës dhe qëndresës, të gdhendur në kujtesën historike të
popullit shqiptar.
Nga
aktet gjyqësore dhe listat zyrtare të dënimeve të marra nga burimet arkivore,
del një panoramë e dhimbshme e një procesi represiv të mirëorganizuar, ku
drejtësia ishte shndërruar në një instrument të pastër politik, me qëllim
shuarjen e çdo forme të rezistencës shqiptare. Në këtë kontekst, para gjykatave
u sollën dhjetëra burra, kryesisht bujq, punëtorë dhe qytetarë të thjeshtë, të
cilët kishin guxuar të shprehnin ose hapur bindjet e tyre, ose të shfaqnin
solidaritet me Hasan Remnikun dhe bashkëveprimtarët e tij.
Në
listën e të dënuarve përfshihen emra që sot përfaqësojnë një pjesë të
rëndësishme të kujtesës historike kolektive:
Arif
Sherif Selmani, bujk nga Bresalci (1932), me 4 vjet burg;
Arif
Sylejman Çollaku nga Remniku, me 101 vjet;
Azem
Kadria, po ashtu me 101 vjet;
Baki
Ali Aliu (1901), 7 vjet burg
Baki
Maloku nga Remniku, me 7 vjet;
Daut
Jakupi-Kepa (1891) nga Livoqi i Epërm, me 7 vjet;
Destan
Muharremi (1920) nga Lybishti, me 4 vjet;
Elez
Elezi me 8 vjet;
Fetah
Xhelë Haradinaj me 13 vjet;
Hajdar
Hajdini (1911) nga Gumnishti, me 3 vjet;
Hajdin
Ali Godeni me 101 vjet;
Hamdi
Hajrush Hajdari nga Remniku, me 1,6 vjet;
Haqif
Uka me 8 vjet;
Ibush
Hetem Bresalci me 7 vjet;
Isak
Hazir Smaka me 1 vit;
Ismail
Deli Muja (1911) nga Bresalci, me 7 vjet;
Ismail
Qorrolli (1906) nga Bresalci, me 3 vjet;
Jahja
Selim Halimi (1906) nga Remniku, me 1 vit;
Kadri
Uruqi me 20 vjet;
Latif
Hetem Haziri (1923) nga Bresalci, me 7,6 vjet;
Mehmet
Imer Çollaku me 4 vjet;
Murat
Abazi me 8 vjet;
Mustafë
Rahimi (1918) nga Lybishti, me 4 vjet;
Namon
Beqir Qorrolli (1911) nga Bresalci, me 3 vjet;
Ramadan
Hoxha nga Cërnica, me 20 vjet;
Ramiz
Fazli Misini (1917) nga Remniku, me 9 vjet;
Sabedin
Uka me 8 vjet;
Sadik
Vranoci (1921) nga Cërnica, me 3 vjet;
Sahit
Abaz Rexha (1914) nga Bresalci, me 3 vjet;
Sejdi
Selim Halimi (1908) nga Remniku, me 1,6 vjet;
Selim
Ali Godeni me 101 vjet;
Selman
Sherif Selimi me 2,6 vjet;
Sylë
Fazlia me 15 vjet;
Shaip
Hajdari nga Livoqi, me 8 vjet;
Shefket
Mustafë Bunjaku (1919) nga Gjilani, rrobaqepës, me 4 vjet;
Shukri
Hajriz Hajrizi (1920) nga Godeni, me 5 vjet;
Xhavit
Qerim (1914) nga Remniku, me 4,6 vjet;
Xhymshit
Bilinica me 4 vjet.
Në
këtë listë kishte edhe raste ku dënimet u falën, si ai i Sali Ferizit, apo ku
të pandehurit, pas hetimeve të ashpra e torturave, u liruan “pa faj”, siç
ndodhi me Selman Ramë Selimin nga Bresalci dhe shumë të tjerë. Por, edhe pse të
liruar, damka e armiqësisë ndaj pushtetit mbetej mbi ta, duke i ndjekur gjatë
gjithë jetës. Kjo seri e gjatë dënimesh, e shoqëruar me vuajtje fizike e
shkatërrim moral, nuk ishte thjesht një akt ligjor – ishte pjesë e një
strategjie të gjerë politike për të thyer strukturën e solidaritetit shqiptar,
për të mbjellë frikë dhe për të ndëshkuar çdo formë të guximit qytetar.
Edhe
me vdekje- pushkatim dënoheshin shqiptaret
Nëse
e shohim me syrin e analizës historike, një nga ngjarjet më tronditëse që
përjetoi Anamorava në fillim të viteve ’50 ishte padyshim procesi gjyqësor i
mbajtur më 24–28 dhjetor 1951 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Ky proces nuk
ishte thjesht një ngjarje juridike, por një skenar i përgatitur me pompozitet
të tejskajshëm, që kishte për synim të përhapte frikë dhe pasiguri në çdo fshat
të Karadakut. Burgosja e shtatë personave u shoqërua me një fushatë të gjerë
presionesh, ku dhjetëra të tjerë u thirrën për marrje në pyetje dhe biseda
“informative”, me qëllim që të dëshmonin lidhjet e tyre, reale apo të
supozuara, me Hasan Remnikun dhe grupin e tij.
Ky
proces shënoi një moment kthesë në jetën e popullatës lokale. Për herë të parë,
frika nuk kufizohej vetëm tek të përfshirët drejtpërdrejt, por u shtri mbi tërë
shqiptaret e asaj ane. Bandat policore që bridhnin fshatrave, duke kërkuar
gjurmë të lidhjeve me ilegalen shqiptare, shndërruan Karadakun në një hapësirë
terrori të vazhdueshëm. Një pjesë e atyre që kishin pasur kontakte me Hasan
Remnikun – qofshin këto të qëllimshme apo rastësore – e panë të vetmen
rrugëdalje në largimin nga vendlindja, duke gjetur shpëtim përtej kufijve të
ish-Jugosllavisë. Ata që nuk patën mundësi të arratiseshin, përfunduan në duart
e organeve të ndjekjes. U arrestuan, u nxorën në gjyqe farsë dhe u dënuan me
shumë vite burg, ndërsa disa prej tyre u pushkatuan pa pasur asnjë faj real.
Ky
ishte një realitet tragjik që nuk i linte shqiptarët vetëm të izoluar e të
nënshtruar, por edhe të damkosur si “armiq të shtetit”, vetëm sepse kishin
guxuar të ëndërronin një të ardhme tjetër. “Mëkati” i tyre më i madh ishte
përpjekja për t’u organizuar ilegalisht, për të kërkuar pavarësinë e Kosovës
dhe për të mbajtur gjallë idealin e bashkimit me shtetin amë. Kjo u mjaftoi
organeve shtetërore për t’i shpallur fajtorë dhe për t’i dënuar me burg ose me
plumb, duke treguar se drejtësia e kohës nuk ishte asgjë tjetër veçse një
instrument i pushtetit për të thyer shpirtin e rezistencës shqiptare.
Në
këndvështrim shkencor, ky proces gjyqësor nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë
e strategjisë së gjerë të Jugosllavisë për ta shuar çdo formë të lëvizjes
ilegale shqiptare. Duke përdorur metoda represive – nga terrori policor deri te
gjyqet farsë – pushteti synonte jo vetëm eliminimin fizik të bartësve të
rezistencës, por edhe krijimin e një atmosfere frike kolektive, ku vetë
kontakti me një figurë ilegale të kthehej në arsye për ndëshkim.
Pas
likuidimit të Hasan Remnikut në pritën e Bistricës, organet e pushtetit e
vijuan ofensivën e tyre represive përmes mjeteve juridike, duke organizuar një
proces gjyqësor të bujshëm në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Para trupit gjykues,
të përbërë nga kryetari i gjykatës, Ratomir Paternogiq, gjykatësit porotnikë
Ibrahim Qerimi e Jusuf Shabija, si dhe procesmbajtësi Sllobodan Zhivkoviq, u
zhvillua një gjyq që mbajti të gozhduar jo vetëm të pandehurit, por edhe tërë
popullsinë e Anamoravës.
Ky
proces, i cili zgjati katër ditë, ishte më shumë se një ngjarje gjyqësore –
ishte një demonstrim i hapur i fuqisë shtetërore dhe një përpjekje për të shuar
çdo shpresë rezistence. Më 29 dhjetor 1951, duke u mbështetur në dispozitat e
Kodit Penal të Jugosllavisë, konkretisht në nenet 244, 248, 249 dhe 250, u
shpall aktgjykimi që do të shënonte një nga momentet më të errëta në historinë
e Anamoravës.
Rezultati
ishte drakonik: tre prej të akuzuarve u dënuan me vdekje – pushkatim, ndërsa
katër të tjerët u dënuan me shumë vite burg të rëndë. Këto dënime, më të
ashprat që ishin shqiptuar deri atëherë në këtë gjykat, kishin një funksion të
dyfishtë. Nga njëra anë, synonin të eliminojnë fizikisht individë të
konsideruar rrezik për rendin e ri politik, nga ana tjetër, shërbenin si një
mesazh frikësues për të gjithë popullsinë, për t’i bërë të qartë se çdo
përpjekje për organizim ilegal do të ndëshkohej me ashpërsinë më të madhe të
mundshme.
Në
një analizë më të gjerë shkencore, ky proces gjyqësor nuk mund të shihet
thjesht si një akt drejtësie, por si pjesë e aparatit represiv të shtetit
jugosllav, i cili përdorte gjykatat si instrument politik për të konsoliduar
pushtetin e vet. Duke i shndërruar gjyqet në skena të ndëshkimit publik,
pushteti përpiqej të fuste panik, të thyente moralin e shoqërisë dhe të
asgjësonte çdo embrion të rezistencës kombëtare. Në këtë kuptim, aktgjykimi i
dhjetorit 1951 mbetet një dëshmi historike e mënyrës se si drejtësia u përdor
si mjet politik, duke e zhveshur atë nga parimi themelor i saj – mbrojtja e së
drejtës dhe e lirisë.
Të
dhënat historike dëshmojnë se shtatë personat e arrestuar u kapën dhe u futën
në burg brenda një intervali tepër të shkurtër kohor, nga 15 deri më 17 tetor
1951. Ajo që bie në sy është fakti se, pa kaluar as disa javë të plota në
hetuesi, ata tashmë ishin nxjerrë para gjyqit. Një shpejtësi e tillë
procedurale, e pazakontë për një proces normal ligjor, ngre dyshime serioze mbi
natyrën e hetimeve dhe mbi respektimin e të drejtave elementare të të
akuzuarve.
Dëshmitarët
e kohës rrëfejnë se të pandehurit, në momentin kur u sollën në sallën e gjyqit,
ishin të dërmuar fizikisht dhe shpirtërisht. Shfaqeshin të lodhur deri në kufijtë
e alivanosjes, të dobësuar e të thyer nga qëndrimi në hetuesi. Kjo gjendje, e
vërejtur haptazi, ishte tregues i qartë i trajtimit çnjerëzor, i presioneve të
vazhdueshme dhe, sipas shumë gjasash, i përdorimit të metodave të dhunës për të
marrë rrëfime të detyruara.
Atmosfera
e gjyqit ishte po aq represive sa edhe hetuesia. Përveç anëtarëve të ngushtë të
familjes, askush nuk u lejua të hynte në sallë. Ky izolim i qëllimshëm kishte
për qëllim të shmangte praninë e publikut dhe të fshihte nga opinioni gjendjen
reale të të akuzuarve. Ndërkohë, forcat e sigurisë ishin të dukshme në çdo cep
të qytetit, kordonet policore rrethonin gjykatën, dhe çdo kalimtar i rastit
bastisej deri në detaje, madje deri në kontrollin e rrobave të trupit.
Pamja
më tronditëse, që dëshmitarët e kujtojnë me dhimbje, ishte ardhja e të
burgosurve në sallë. Ata ecnin ngadalë, të rraskapitur, duke zvarritur këmbët e
lidhura me pranga të rënda. Ky imazh i gjallë përmbledh jo vetëm gjendjen e
tyre individuale, por edhe simbolikën e një procesi që nuk kishte në thelb
drejtësinë, por nënshtrimin dhe frikësimin e gjithë komunitetit.
Në
këtë këndvështrim shkencor, ky episod është shembull i qartë i funksionimit të
një drejtësie represive, ku procedurat juridike nuk ishin të orientuara nga
ligji, por nga interesat politike të regjimit. Shpejtësia e hetimeve, izolimi i
të akuzuarve, rrethimi policor dhe gjendja e tyre fizike e psikike, dëshmojnë
se procesi nuk ishte një gjykim në kuptimin juridik të fjalës, por një ritual i
ndëshkimit publik, i projektuar për të dhënë një mesazh të qartë frike dhe
disipline politike.
Pamja
që shpaloset nga përshkrimet e procesit gjyqësor është e ngarkuar me dramë dhe
me një simbolikë të hidhur pushteti. Fytyra e gjykatësit Ratomir Paternogiq,
sipas dëshmitarëve, rrezatonte një lloj triumfi të ftohtë dhe arrogant në
çastin kur ai lexonte emrat e të burgosurve. Tonaliteti i tij, i mbushur me
mburrje prej “fitimtari”, e bënte aktin e shqiptimit të dënimeve jo thjesht një
procedurë gjyqësore, por një skenë të regjistruar ku pushteti shfaqte forcën e
vet përmes nënshtrimit të palës së akuzuar.
Shqiptimi
i dënimeve kapitale – vrasje me pushkatim – ra si rrufe mbi familjarët e të
pandehurve. Sallën e ngushtë, tashmë të mbushur me tension, e përshkuan
ofkëllima të rënda, të cilat jo vetëm që shprehën tronditjen dhe dhimbjen e
menjëhershme, por krijuan edhe një atmosferë mbytëse ku frika, dëshpërimi dhe
pafuqia u përzien në një të vetme. Kjo gjendje e jashtëzakonshme emocionale e
bënte sallën edhe më të vogël, edhe më të ngushtë, duke e kthyer në një
hapësirë simbolike ku përplaseshin forca të pabarabarta, aparati i pushtetit
nga njëra anë, dhe dhimbja njerëzore e familjeve shqiptare nga ana tjetër.
Nga
një perspektivë shkencore, ky moment përfaqëson thelbin e një drejtësie
spektakulare – ku gjykata nuk funksiononte si një institucion neutral i ligjit,
por si një skenë politike ku pushteti shfaqej në formën më të zhveshur të tij,
si triumf i dhunës mbi jetën njerëzore. Vetë sjellja e gjykatësit, e ngarkuar
me mburrje, dëshmon se dënimet nuk ishin rezultat i një procesi të drejtë, por
një akt i paramenduar ndëshkimi dhe frikësimi kolektiv.
Aktakuza
e ngritur nga Prokuroria Publike e Qarkut në Gjilan ndaj të akuzuarve ishte e
rëndë dhe e ndërtuar mbi një narrativë të gjerë kriminalizimi të veprimtarisë
së tyre. Të gjithë të burgosurit akuzoheshin se, gjatë një periudhe disa
vjeçare – përkatësisht në vitet 1948, 1949, 1950 dhe deri më 1951 – kishin
mbajtur lidhje të vazhdueshme me figura kyçe të rezistencës ilegale shqiptare.
Emrat që përmendeshin në aktakuzë ishin Hasan Aliu nga Remniku, Agush Hetem Mehmeti
nga Bresalci dhe Mustafa Rashiti, i njohur me nofkën “Koka”, mësues po ashtu
nga Remniku. Sipas prokurorisë, këto lidhje kishin zgjatur deri më 10 tetor
1951, deri në ditën e likuidimit të grupit në Prizren.
Ajo
që theksohej veçanërisht ishte fakti se të akuzuarit kishin zhvilluar takime të
rregullta dhe të fshehta me këta udhëheqës ilegalë, shpeshherë në malet përreth
Gjilanit dhe Kamenicës, duke përdorur terrene të vështira e të paarritshme për
t’u fshehur nga organet e pushtetit. Përveç kësaj, sipas aktakuzës, një pjesë e
madhe e këtyre takimeve organizohej edhe në shtëpitë e të pandehurve, të cilat
ishin shndërruar në strehë të sigurta për ilegalët.
Në
këtë mënyrë, sipas pretendimeve të pushtetit, të akuzuarit kishin ndërtuar një
rrjet të gjerë dhe të konsoliduar jatakësh, të cilët garantonin jo vetëm
mbijetesën e ilegalëve, por edhe vazhdimësinë e lëvizjes në kushte
jashtëzakonisht të vështira. Ky rrjet i strehimit dhe i mbështetjes, i shtrirë
në shumë zona të Kosovës, ishte paraqitur si prova më e fortë e bashkëpunimit
të tyre me të arratisurit dhe, si rrjedhojë, justifikim për akuzat e rënda që
rëndonin mbi ta.
Kjo
aktakuzë shfaqet jo thjesht si një dokument ligjor, por si një pjesë e
mekanizmit represiv të kohës, ku çdo lidhje njerëzore, mikpritje tradicionale
apo akt solidariteti, interpretohej nga pushteti si krim kundër shtetit. Në
këtë kuptim, prokuroria nuk po gjykonte vetëm individë, por një kulturë të tërë
rezistence e solidariteti që kishte rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare.
Sipas
dëshmive historike, roli i jatakëve del si një hallkë vendimtare në mbijetesën
dhe funksionimin e lëvizjeve ilegale. Ata ishin ata që krijonin kushtet
elementare të sigurisë për të arratisurit, streha e tyre bëhej një fortesë e
fshehur, ku ilegalët gjenin jo vetëm mbrojtje, por edhe ushqim të bollshëm e
veshmbathje të domosdoshme. Në raste të caktuara, jatakët shkonin edhe më tej
duke u siguruar armë, duke e bërë këtë bashkëpunim jo thjesht një akt
mikpritjeje tradicionale, por një mbështetje të drejtpërdrejtë për vazhdimësinë
e rezistencës.
Ajo
që ka një rëndësi edhe më të madhe është se, përtej nevojave materiale, jatakët
kishin edhe funksion strategjik. Ata shpeshherë dezinformonin organet e
ndjekjes, duke i çuar në gjurmë të rreme dhe duke i bërë të besonin se Hasan
Remniku dhe shokët e tij nuk ndodheshin në ato anë. Kjo mbrojtje aktive, që
vinte nga një besnikëri e pathyeshme, i siguronte grupit hapësirë për të
vepruar dhe për të mbajtur gjallë organizimin e tyre në një kohë kur aparati
shtetëror kishte shtrirë kudo rrjetin e kontrollit.
Në
këtë mënyrë, falë ndihmës së jatakëve të përkushtuar që gjendeshin në çdo vend
e në çdo kohë, grupi i Hasan Remnikut arriti të zgjasë jetën e tij ilegale
përtej pritshmërisë të pushtetit. Ata u bënë jo vetëm streha e trupit, por edhe
mburoja e idealit, duke dëshmuar se solidariteti dhe besa shqiptare ishin po aq
të forta sa edhe armët që mbanin në dorë luftëtarët.
Në
një këndvështrim të këtillë, mund të thuhet se jatakët ishin shtylla e
padukshme mbi të cilën qëndronte rezistenca, të heshtur, të panjohur, shpesh të
harruar nga historiografia, por vendimtarë për jetëgjatësinë e një lëvizjeje që
përndryshe do të ishte shuar shumë më shpejt.
Në
listën e gjatë të të dënuarve, i pari që figuron është Veli Ibrahim Ymeri. Ai
kishte lindur më 1899 në fshatin Ponesh, nga babai Ibrahim dhe nëna Fahrije, e
lindur Velekinca. Jeta e tij nuk dallonte nga ajo e shumicës së fshatarëve
shqiptarë të asaj kohe. Ishte burrë i martuar, baba i katër fëmijëve, i
përkushtuar ndaj familjes dhe punës së tokës. I varfër dhe analfabet, Velia
jetonte thjesht, me djersën e ballit, duke mbajtur me mund ekzistencën e
familjes së tij.
E
megjithatë, ky njeri i zakonshëm, pa pushtet e pa shkollë, u shënjestrua nga
organet e sigurimit shtetëror dhe u arrestua më 16 tetor 1951 – vetëm pesë ditë
pas likuidimit të Hasan Remnikut dhe grupit të tij. Ky fakt dëshmon se aparati
shtetëror nuk ndalej vetëm tek figurat kryesore të rezistencës, por zgjaste
dorën ndëshkuese edhe ndaj njerëzve të thjeshtë, shpesh vetëm për shkak të
njohjeve, afërsive apo dyshimeve të krijuara artificialisht.
Vijon









