E merkure, 12.11.2025, 11:53 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (10)

E merkure, 12.11.2025, 06:59 PM


JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË

ZBULIMI I TËRTHORËT I HASAN REMNIKUT ME SHOKË (10)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Edhe pse konspiracioni ishte ngritur në çdo nivel dhe Hasan Remniku kujdesej me fanatizëm për të ruajtur fshehtësinë, organet e UDB-së arritën të depërtonin në disa gjurmë përmes një rasti që në dukje nuk kishte të bënte fare me veprimtarinë ilegale. Arif Syla, korrieri besnik i Hasanit, u arrestua për shkak të reagimit të tij publik ndaj fushatës së pushtetit për heqjen e çarçafit të grave – një aksion që kishte shkaktuar pakënaqësi të thella në mesin e popullatës shqiptare. Në hetuesi, nën presionin e pyetjeve dhe torturave, Arifi nuk pranoi kurrë të japë informacione të drejtpërdrejta, por disa prej fjalëve të tij të tërthorta mjaftuan për hetuesit.

Ai kishte lënë të kuptohej se e njihte Hasan Remnikun dhe se kishte kontakte me një organizatë ilegale. Për organet e UDB-së kjo ishte më shumë se e mjaftueshme, nuk kishin nevojë për një dëshmi të plotë, por vetëm për një fill që do t’i çonte drejt gjurmëve të reja. Duke e kuptuar rëndësinë e tij, ata vendosën ta përdornin Arifin si mjet kontrolli. Pas një kohe, e liruan nga burgu, por jo nga përndjekja – çdo lëvizje e tij u mbajt nën vëzhgim të rreptë, me shpresën se përmes tij do të depërtonin më thellë në radhët e ilegalës.

Ndërkohë, sipas të dhënave që na ofron Mazllum Nimani në kujtimet e tij dhe që i pasqyron edhe Jovan Bullaiqi në fejtonin e tij, UDB-ja përdori një tjetër strategji djallëzore. Në grupin e Hasan Remnikut u infiltruan tre ish-të burgosur politik, të cilët në të vërtetë kishin një mision të fshehtë, ta vrisnin ose ta likuidonin Hasanin. Ishte një plan i menduar për ta goditur nga brenda, duke përdorur maskën e shokut të idealit për të shuar njëherë e përgjithmonë simbolin e rezistencës së Anamoravës.

Megjithatë, ky aksion përfundoi pa sukses. Hasan Remniku, falë vigjilencës dhe intuitës së tij, nuk u bë pre e këtij kurthi. Dështimi i këtij plani tregon jo vetëm sa i pathyeshëm ishte ai përballë presioneve dhe tradhtive, por edhe sa e fuqishme ishte besa dhe solidariteti brenda rrethit të tij të ngushtë. UDB-ja mund të përdorte torturën, mashtrimin apo tradhtinë, por nuk arriti të thyejë atë qëndresë morale që mbështetej te besimi dhe te lidhjet e vërteta njerëzore.

Megjithatë, organet hetuese jugosllave nuk reshtën kurrë së ndjekuri Hasan Remnikun. Për ta, ai mbetej një figurë tepër e rrezikshme, simbol i qëndresës shqiptare, prandaj çdo mjet – qoftë edhe më i pandershëm – shihej si i justifikueshëm për ta neutralizuar. Pasi dështuan tentativat përmes jatakëve apo përmes të infiltruarve të thjeshtë, ata vendosën ta godisnin me një strategji edhe më të sofistikuar: në organizatën e tij u hodhën tre oficerë të lartë të sigurimit, të trajnuar posaçërisht për ta fituar besimin e tij dhe për ta eliminuar më pas.

Sipas të dhënave që i ofron Jovan Bullaiqi, këta ishin: Tahir Sokoli nga viset e Gjakovës, i cili mbante funksionin e komandantit të milicisë në Bresalc; Rexhep Xhiha, po ashtu nga Gjakova, sekretar i Punëve të Brendshme të Kosovës; dhe Ismail Ramë Zenuni nga Smolica e Gjakovës, që në atë kohë shërbente si Shef i Milicisë së Rrethit të Kamenicës. Tre emra me pozita të larta, të cilët, përmes rolit të tyre, duhej të shfaqeshin si bashkëpunëtorë të mundshëm e më pas të depërtonin në thelbin e lëvizjes.

Ata kërkonin të krijonin kontakte të shpeshta, duke shpresuar se me kalimin e kohës do të fitonin besimin e Hasan Remnikut. Por këtu qëndronte mjeshtëria dhe intuita e tij. Ai, me një kujdes të pashoq dhe me një maturi të rrallë, nuk u jepte asnjë shans. Nuk i lejonte të depërtonin përtej asaj që ai vetë mendonte të nevojshme. Asnjëherë nuk u tregoi dobësi, asnjëherë nuk ua dha besën, dhe mbi të gjitha, kurrë nuk u ofroi as edhe shenjën më të vogël të besnikërisë.

Ky episod flet shumë për dy botë paralele, botën e pushtetit që përdorte dinakërinë dhe tradhtinë për të shkatërruar, dhe botën e rezistencës që mbrohej me vigjilencë, besë dhe intuitë. Hasan Remniku, edhe pse i rrethuar nga rrjete të shumta spiunësh e kurthesh, arriti të ruante jo vetëm veten, por edhe nderin e lëvizjes. Ai dëshmoi se rezistenca nuk përbëhej vetëm nga pushka dhe beteja e hapur, por edhe nga mençuria e përditshme për të mos rënë pre e manipulimeve të armikut.

Likuidimi i Hasan Remnikut me shokë

Rrugëtimi i fundit i Hasan Remnikut drejt kufirit, një udhëtim i mbushur me shpresë, por edhe me ankth, nisi më 6 tetor 1951. Ai dhe shokët e tij u nisën me vendosmëri, për ta përmbyllur këtë etapë të jetës së tyre në mesnatën e 9/10 tetorit, në ngjarjen tragjike që historia e njeh si “Prita në Bistricë”. Grupi ishte i vogël, por i lidhur fort nga besa dhe ideali: Hasan Remniku, Mustafë Koka me bashkëshorten e tij Rabijen – e cila atëherë ishte shtatzënë – dhe Agush Mehmeti me gruan e tij, Qibrie Misin Alidemen.

Përgatitjet për këtë udhëtim nuk ishin bërë me nxitim, por me kujdes të madh dhe me vëmendje për çdo hollësi. Për burrat ishin qepur më herët uniforma policie, si një formë kamuflazhi për t’iu shmangur kontrollit dhe syrit të armikut. Ndërsa për gratë, të cilat duhej të përballonin po të njëjtin rrugëtim të vështirë, ishin siguruar pantallona, për t’ua lehtësuar ecjen në terrene të thyera e të pasigurta. Ushqimet, gjithashtu, ishin përgatitur me bollëk, në mënyrë që grupi të mos ndalej gjatë rrugës e të mos binte në sy. Çdo gjë ishte menduar deri në detaj, dhe atmosfera e nisjes i ngjante më shumë një ekspedite të menduar ushtarakisht sesa një arratisjeje të thjeshtë.

Por, pas kësaj përgatitjeje të kujdesshme, qëndronte edhe një dramë e thellë njerëzore. Sipas Jovan Bullaiqit, për Arif Sylën – korrierin e devotshëm dhe shokun e besës së Hasan Remnikut – kjo ishte dita më e dhembshme e jetës së tij. Kur kërkoi prej Hasanit që të përshëndeteshin, i ndodhur përballë mundësisë së ndarjes përfundimtare, Hasani reagoi me ashpërsi të jashtëzakonshme. Ai i tha prerazi se nuk kishte arsye për përshëndetje, sepse ai nuk po largohej përgjithmonë, por vetëm po i përcillte shokët e tij dhe se së shpejti do të kthehej përsëri në Kosovë.

Në të vërtetë, këto fjalë nuk pasqyronin realitetin. Ato ishin pjesë e një taktike të menduar, një mënyrë për të humbur gjurmët, për të krijuar pasiguri e hutim tek ata që kishin marrë përsipër përcjelljen dhe për të shmangur çdo mundësi dekonspirimi. Në këtë mënyrë, Hasani jo vetëm që kërkonte ta mbronte veten dhe shokët e tij, por edhe të linte pas një mjegullnajë që do ta bënte më të vështirë ndjekjen e armikut.

Kështu, nisja drejt kufirit nuk ishte thjesht një rrugëtim fizik, por një udhëkryq i vërtetë shpirtëror, mes shpresës për lirinë e premtuar dhe dhimbjes së ndarjes, mes strategjisë për mbijetesë dhe humbjes së sigurt që i kanosej grupit. Dhe ky udhëtim, i menduar me aq kujdes, do të përfundonte tragjikisht në pritën famëkeqe të Bistricës, duke hyrë përfundimisht në historinë e rezistencës shqiptare.

Rruga drejt kufirit ishte e gjatë, e mundimshme dhe e mbushur me rreziqe në çdo hap. Grupi i Hasan Remnikut ecte natën, duke shfrytëzuar errësirën si mburojë, ndërsa ditën strehohej në male, nëpër vende të fshehta, për të mos rënë në gjurmët e ndjekësve. Ky ritëm i lodhshëm, i përsëritur natë pas nate, ishte prova më e qartë e jetës së rëndë të kaçakut, ku çdo hap duhej menduar mirë, e çdo gabim i vogël mund të ishte fatal.

Edhe vetë organet e ndjekjes, sipas dosjeve të UDB-së, e përshkruanin Hasanin si një njeri “dinak dhe tepër të kujdesshëm”, një figurë që nuk linte asgjë në rastësi. Ai mbikëqyrte çdo detaj të udhëtimit, çdo vendstrehim, çdo lëvizje të grupit, duke pasur gjithnjë parasysh se armiku ishte pranë dhe se rreziku mund të fshihej edhe pas një hapi të vetëm.

Në të njëjtën kohë, paralelisht me lëvizjet e grupit, organet e sigurimit jugosllav po përgatiteshin me kujdes për hapin e fundit. Planet për eliminimin e tij ishin hartuar dhe prita ishte duke u ngushtuar gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, grupi shoqërohej nga një përcjellës, i cili kishte marrë përsipër detyrën e rrezikshme për t’i kaluar “përtej kufirit”. Dy ditë pas nisjes, ata arritën në malet e Kabashit, ku duhej të takoheshin me njeriun tjetër që do t’i çonte më tej.

Atij ia prezantuan një person të panjohur, me emrin Ragip, i cili, sipas fjalëve të përcjellësit, vinte nga Zhuri dhe njihte në hollësi terrenet e Kabashit. Mirëpo, Hasani, i formuar nga përvoja dhe nga kujdesi i skajshëm, nuk e pranonte lehtë asnjë të panjohur. Ai i vështronte gjithnjë me dyshim personat që i prezantoheshin në rrugë, duke e ditur se pas çdo fytyre të re mund të fshihej një kurth. Për ta provuar besueshmërinë e “udhërrëfyesit”, shpesh deklaronte me vendosmëri se edhe ai e njihte shumë mirë atë terren, duke i lënë të kuptonin se nuk mund ta mashtronin lehtë.

Ky episod e paraqet Hasan Remnikun jo vetëm si një luftëtar të guximshëm, por edhe si një strateg të kujdesshëm, i cili e dinte se rezistenca nuk mbijetonte vetëm me pushkë e trimëri, por mbi të gjitha me vigjilencë, dyshim të arsyeshëm dhe aftësi për të lexuar situata të fshehta. Ai e dinte se shpëtimi i tij varej nga aftësia për të dalluar mikun nga armiku, dhe këtë intuitë ai e kishte kthyer në armën më të fortë të mbijetesës së tij.

Për të mos rënë kurrë në grackë, Hasani vepronte gjithnjë me një kujdes të jashtëzakonshëm. Ai nuk i besonte askujt plotësisht dhe çdo përcjellës e vinte gjithmonë përpara vetes, nën kërcënimin e automatikut, duke e detyruar të ecte i pari në drejtim të kufirit. Ishte një mënyrë e tij e veçantë për të ruajtur kontrollin dhe për të shmangur tradhtinë. Por pa dijen e tij dhe të shokëve, rruga që po ndiqnin i çonte drejt një kurthi të madh, të përgatitur me kujdes nga forcat jugosllave.

Në brigjet e lumit, ushtarë e policë të shumtë ishin shpërndarë në formë harku, duke e mbyllur çdo shteg të mundshëm. Ishte “Prita e Bistricës”, e ngritur posaçërisht për ta shuar njëherë e përgjithmonë lëvizjen që përfaqësonte Hasan Remniku.

Teksa grupi i tij afrohej pranë kufirit, ndjenjat ishin të përziera. Për Hasanin dhe shokët e tij, afërsia me tokën shqiptare zgjonte gëzim dhe shpresë, një dritë që dukej se po i shpëtonte nga errësira e gjatë e ndjekjeve. Megjithatë, bashkë me këtë gëzim, nuk mungonte as shqetësimi, sepse përvoja u kishte mësuar se pushteti nuk linte asgjë rastësisht. Nga ana tjetër, për ushtarët që prisnin të fshehur, prania e Hasan Remnikut ishte ankth i vërtetë. Ata e dinin se përballë kishin një figurë të pathyeshme, të cilën nuk e kishin mundur dot me vite të tëra.

Në çastin kur grupi kaloi lumin e ftohtë, gjithçka ndryshoi. Në fushë, papritmas u ndezën dritat e forta të kamionëve ushtarakë, duke e zbuluar terrenin në mes të natës. Menjëherë pas kësaj, kërcitën rafalët e shumtë të armëve, duke e shndërruar qetësinë e natës në një skenë lufte. Përcjellësit e tyre, që deri atëherë i kishin udhëhequr, u zhdukën me shpejtësi, duke u futur në strehimoret e përgatitura më herët, dëshmi e qartë e tradhtisë së planifikuar.

Në atë fushë, të shtrirë pranë njëri-tjetrit, mbetën Hasan Remniku dhe shokët e tij. Nuk ishin thjesht trupat e një grupi ilegalesh, por simbolet e një rezistence të tërë, që përfundoi nën dritat e kamionëve dhe rafalët e armëve, duke hyrë përfundimisht në historinë e rezistencës shqiptare si një nga faqet më të dhimbshme e më madhështore të saj.

Pas kësaj ngjarjeje të kobshme, kur pushkët e pritës në Bistricë shuan jetën e Hasan Remnikut dhe shokëve të tij, pushteti u përpoq ta shndërronte tragjedinë në një mjet propagande dhe terrori psikologjik. Ushtarët dhe policët, në vend që të ndaleshin para madhështisë së sakrificës së kundërshtarëve të tyre, festuan gjatë e me mburrje. Për ta, ky nuk ishte vetëm një aksion ushtarak, por një fitore që duhej shfrytëzuar për të frikësuar gjithë popullatën shqiptare.

Në qytetet e Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit u organizuan ekspozita makabre të tmerrit. Trupat e të vrarëve, bijve më të dashur të kombit, u shtrinë pa mëshirë në llucën e rrugëve, duke i ekspozuar si trofe. Fshatarët dhe qytetarët shqiptarë u detyruan t’i vizitonin këto skena të dhimbshme, me qëllim që pushteti t’ua mbillte ndjenjën e frikës dhe t’i bindte se rezistenca ishte e kotë, se çdo përpjekje për liri do të përfundonte në gjak dhe poshtërim publik.

Por efekti nuk ishte ai që synohej. Shqiptarët, edhe pse të detyruar të marshonin para trupave të pajetë, nuk e panë aty humbjen e idealit, por madhështinë e sakrificës. Në heshtje, me kokë ulur dhe me lot të fshehur, fshatarët i përcollën ata me nderime të pathëna, duke i konsideruar jo si të mundur, por si dëshmorë. Çdo hap që bënin para trupave të shtrirë ishte një betim i heshtur se gjaku i derdhur nuk do të harrohej.

Kështu, ekspozita e tmerrit që pushteti e mendoi si instrument nënshtrimi, në vetëdijen kombëtare shqiptare u kthye në altarin e nderimit. Hasan Remniku dhe shokët e tij nuk u panë si të vrarë të zakonshëm, por si martirë që u flijuan për një ideal më të madh se jeta. Heshtja e popullit, më e fortë se çdo fjalë, ishte përgjigjja e vërtetë ndaj dhunës, një heshtje që ruante kujtimin dhe që përgatitej të lindte sërish rezistencë.

Pas shuarjes së grupit të atdhetarëve të udhëhequr nga Hasan Ali Remniku dhe shokët e tij në pritën e organizuar nga forcat policore e ushtarake jugosllave, dhuna e pushtetit nuk u ndal vetëm tek eliminimi fizik. Vrasja e tyre, që tronditi thellë popullin shqiptar dhe la plagë të pashërueshme në kujtesën kolektive, ishte vetëm fillimi i një fushate më të gjerë represive.

Organet e UDB-së, duke u udhëhequr nga logjika e hakmarrjes dhe frikësimit, nisën një valë ndëshkimesh masive. Çdo individ që kishte pasur ndonjë lidhje, qoftë edhe më të largët, me të rënët – qoftë si mik, si bashkëpunëtor, apo edhe si strehues i rastësishëm – u përball me ndjekje të pamëshirshme. Arrestime, tortura, gjyqe të montuara dhe dënime të gjata me burg ranë mbi dhjetëra familje shqiptare, të cilat tashmë bartnin edhe dhimbjen e humbjes së njerëzve më të dashur.

Ky veprim tregonte qartë se pushteti nuk kishte synuar vetëm shuarjen e një grupi të armatosur, por edhe shkatërrimin e frymës së rezistencës që ata mishëronin. Çdo bashkëfshatar, çdo mik dhe çdo i afërt i Hasan Remnikut e shokëve të tij u konsiderua si kërcënim, duke u përballur me represion të egër. Në këtë mënyrë, UDB-ja synonte ta mbillte frikën në çdo shtëpi shqiptare dhe ta shuante çdo shpresë për vazhdim të qëndresës.

Por, ndonëse dhuna ishte e pamëshirshme, kujtimi i Hasan Ali Remnikut dhe i shokëve të tij nuk u shua. Përkundrazi, fushata e ndëshkimeve e bëri edhe më të qartë se ata nuk ishin vetëm individë të zakonshëm të rënë në një betejë, por bartës të një ideali për të cilin pushteti kishte frikë edhe pas vdekjes së tyre.

Vijon



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (9) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (8) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (7) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (5) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (4) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (3) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (2) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (1) Sabile & Tefik Basha: Praga – Udhëtim në zemrën e Evropës (3) Sabile & Tefik Basha: Praga – Udhëtim në zemrën e Evropës (2) Sabile Basha: Avni Rrustemi dhe jehona e protestës në Tiranë Sabile & Tefik Basha: Praga – Udhëtim në zemrën e Evropës Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (48) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (47) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (46) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (45) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (44) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (43) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (42) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (41)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx