Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (15)
E shtune, 22.11.2025, 06:58 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
NË PROCESET GJYQËSORE
NDAJ JATAKËVE TË HASAN REMNIKUT DËNOHEJ MIKPRITJA DHE BESA SHQIPTARE (15)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Dënimi
i tij i rëndë, që e dërgoi drejt një jete të tërë në burg, dëshmon se sistemi
nuk ndëshkonte për krime reale, por për lidhje shoqërore, për mikpritje, për
afërsi me atdhetarët. Në këtë kuptim, Azem Kadria nuk u bë viktimë e ndonjë
“vepre penale”, por e frikës dhe pasigurisë së një pushteti që donte të
shtrinte kontrollin e tij mbi çdo familje dhe çdo individ shqiptar.
Në
aktakuzën e ngritur ndaj tij thuhej se kishte ndihmuar grupin e Hasan Remnikut
dhe se me Agush Hetemin kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme. Për më tepër,
sipas organeve të sigurimit, ai u kishte dhënë atyre informata të gabuara për lëvizjet
e ilegalëve, duke u bërë kështu pengesë në ndjekjen e tyre. Në këtë mënyrë,
gjykata e përshkruante si bashkëpunëtor të drejtpërdrejtë dhe si njeri që me
vetëdije kishte zgjedhur të ishte në anën e rezistencës.
Por
ndëshkimi që iu shqiptua ishte i paprecedentë, saqë kalonte kufijtë e çdo
logjike juridike. Më 29 dhjetor 1951, Gjykata e Qarkut në Gjilan i shpalli
dënimin marramendës prej 101 vjetësh burg. Ky vendim, që në vetvete tingëllon
absurd, nuk kishte më karakter ligjor, por simbolik: pushteti donte të jepte
një mesazh të prerë se çdo lidhje me lëvizjen ilegale do të paguhej me çmimin
më të rëndë të mundshëm, deri edhe me një dënim që asnjë jetë njerëzore nuk
mund ta përmbushte.
Në
këtë rast, ky dënim nuk mund të shihet thjesht si një shifër, por si një
manifestim i dhunës së pushtetit. Një shembull i qartë se si gjykatat, në vend
që të ishin zëri i drejtësisë, shndërroheshin në skenë ku shpallej frika, ku
ligji bëhej mjet shtypjeje dhe ku absurdi merrte formë të ligjshme. Në këtë
rast, nuk ishte më individi që ndëshkohej, por vetë ideja e rezistencës,
solidaritetit dhe besës shqiptare.
Ky
dënim grotesk prej 101 vjetësh burg mbetet një dëshmi e hidhur e një kohe kur
drejtësia kishte humbur kuptimin e saj, ndërsa frika dhe dhuna ishin bërë
normë. Ai e shndërroi të akuzuarin nga një fshatar i thjeshtë në një simbol të
asaj se si pushteti ishte i gatshëm të sakrifikonte çdo logjikë për të imponuar
nënshtrim total.
Personi
i fundit që u përfshi në procesin gjyqësor të Gjilanit ishte Arif Syla, një i
afërt i Hasan Remnikut. Ai kishte lindur më 1924 në fshatin Remnik, nga babai
Qerim dhe nëna Bahtije, e lindur Halimi. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me
punën në bujqësi. Ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Edhe pse i rritur në
kushte të varfërisë, kishte arritur vetë të mësonte shkrim-leximin, një arritje
që dëshmonte vullnetin dhe përkushtimin e tij. Deri më 17 tetor 1951 nuk kishte
pasur kurrfarë historie penale, por pikërisht atë ditë organet e policisë e
arrestuan, duke e akuzuar se për shumë vite kishte qenë bashkëpunëtor i Hasan
Remnikut.
Akuza
më e rëndë ndaj tij lidhej me faktin se, sipas hetuesisë, ai kishte qepur disa
herë rroba për Hasan Remnikun në Gjilan. Madje, atij iu faturua edhe akti se
kishte qepur rrobat e fundit që Hasan Remniku dhe grupi i tij kishin veshur
para nisjes, të cilat Arifi i kishte porositur tek një rrobaqepës në qytet,
duke thënë se ishin për një “vëlla të demobilizuar nga ushtria jugosllave”. Ky
detaj, i paraqitur si “provë”, u kthye në bazën e një akuze të rëndë, që në
fakt mbulonte një akt krejtësisht të zakonshëm të jetës së përditshme.
Megjithatë,
vetë Arif Syla, gjatë hetuesisë, pranoi se kishte marrë pjesë rregullisht në
mbledhjet që organizonte Hasan Remniku dhe se i kishte furnizuar ata me
ushqime: bukë për rrugë, rrush, madje edhe një litar për nevoja praktike. Sipas
dëshmisë së tij, më 6 tetor ai u kishte sjellë nga Gjilani rrobat e qepura dhe
dy palë pantallona për dy gratë që do të niseshin me grupin e Hasan Remnikut.
Rasti
i Arif Sylës dëshmon se pushteti i kohës nuk ndëshkonte vetëm armët, fjalën apo
aktin e hapur politik, por edhe gjestin më të thjeshtë të mikpritjes, ndihmës
apo shërbimit njerëzor. Një rrobë e qepur, një bukë e blerë, një pjesëmarrje në
një mbledhje, shndërroheshin në “krime” që mjaftonin për të rrënuar jetën e një
njeriu.
Figura
e Arif Sylës mishëron tragjedinë e njerëzve të thjeshtë të kohës, që pa qenë
prijës, pa qenë ushtarë, u bënë viktima të represionit thjesht pse kishin
zgjedhur të mos e mbyllnin derën dhe të mos e kthenin shpinën. Në thelb, dënimi
i tij nuk ishte për rroba të qepura, por për atë që simbolizonte, një akt
besnikërie dhe solidariteti me ata që luftonin për liri.
Më
29 dhjetor, në sallën e Gjykatës së Qarkut në Gjilan, u mbajt seanca
përfundimtare e procesit famëkeq, ku gjykatësi shpalli vendimet përfundimtare
ndaj të akuzuarve. Për Arif Sylën, vendimi ishte i rëndë: 20 vite burg të
rëndë, një dënim që i preu në mes jetën dhe i ktheu vitet e tij më të vlefshme
në një vuajtje të pashpjegueshme.
Duke
u kthyer pas dhe duke lexuar aktgjykimin e para më shumë se gjysmë shekulli,
ndjenja e parë që lind është hutia. Shpesh e gjej veten duke menduar mos vallë
këto dosje janë produkt i një fantazie
të sëmurë, i një mendjeje që kishte shpikur akuza dhe fakte, vetëm për t’i
shërbyer një pushteti represiv. Por më pas realiteti kthehet me një peshë të
rëndë, këto nuk janë rrëfime imagjinare. Këtu kemi emra e mbiemra konkretë,
njerëz që kanë jetuar e vuajtur, dokumente të gjalla të një kohe të errët,
aktgjykime të shkruara me gjak e dhimbje, hetime të mbushura me dhunë e
tortura, dhe mbi të gjitha, vite të tëra burgimi që rrënojnë fatet njerëzore.
E
vërteta mbetet e vërtetë, sado që pushteti i kohës u mundua ta fshihte pas
gënjeshtrave dhe narrativave të tij. Ajo që mbetet sot është dëshmia e qartë se
sistemi i atëhershëm nuk kërkonte drejtësi, por nënshtrim, nuk kërkonte të
gjente fajin, por të krijonte frikë. Dhe pikërisht këto dokumente, këto gjurmë
të shkruara, janë ato që e tronditin kujtesën, duke na zgjuar nga amullia e
zakonshme e jetës dhe duke na bërë të reflektojmë për çmimin e lirisë.
Çudia
bëhet edhe më e madhe kur, duke shfletuar deri në fund dokumentin, has në
arsyetimin zyrtar mbi të cilin ishin mbështetur këto dënime të paimagjinueshme.
Aty shpjegohej pse ishin shqiptuar vite të gjata burgimi dhe pse ishin dhënë
dënimet me vdekje – pushkatim. Dhe krejt absurdi shfaqet aty, si arsye
përfundimtare përmendej fakti se të akuzuarit kishin qenë shokë, miq ose të
afërm të Hasan Remnikut. Pra, lidhja e gjakut, miqësia dhe solidariteti
njerëzor u shndërruan në prova për t’i dënuar me vdekje.
Në
thelb, ajo që në kulturën shqiptare ishte një detyrim moral dhe një përgjegjësi
familjare – kujdesi për mikun, strehimi i të afërmit, mbrojtja e një vëllai nga
arrestimi i mundshëm – u kriminalizua dhe u shpall si faj i rëndë politik.
Çfarë në realitet ishte shprehje e besës dhe e ndjenjës njerëzore, gjykata e
interpretoi si akt armiqësor kundër shtetit.
Në
këtë kontrast të dhimbshëm shihet qartë përmbysja e logjikës, aty ku populli
shihte besë, nder dhe përgjegjësi morale, pushteti shihte “krim” dhe arsye për
pushkatim. Dhe kjo është arsyeja pse dokumente të tilla tronditin edhe sot,
sepse dëshmojnë jo vetëm mizorinë e sistemit, por edhe përpjekjen e tij për të
thyer vetë strukturën morale të shoqërisë shqiptare, duke e kthyer dashurinë
për mikun dhe për të afërmin në krim të dënueshëm me vdekje.
Ja,
si e justifikonte vetë gjykata shqiptimin e dënimeve të rënda për këtë grup. Në
arsyetimin e aktgjykimit thuhej se, gjatë vlerësimit dhe shpalljes së vendimit,
ishte marrë parasysh “pesha e veprave penale, shkalla e përgjegjësisë,
rrezikshmëria shoqërore e proceseve dhe pasojat që ato sillnin për shtetin”.
Kjo gjuhë, e ftohtë dhe burokratike, synonte të krijonte përshtypjen se dënimet
ishin produkt i një analize të matur dhe të paanshme, kur në të vërtetë ishin
vetëm një fasadë që mbulonte represionin politik.
Gjykata
theksonte se këto “vepra penale” ishin kryer për një periudhë të gjatë kohore,
në kushte të caktuara dhe në bashkëpunim me “bandat”, duke i paraqitur kështu
të pandehurit si pjesë e një organizimi të rrezikshëm. Në këtë mënyrë, aktet e
thjeshta të mikpritjes dhe të ndihmës për të arratisurit u shndërruan në prova
për “krime kundër shtetit”. Në arsyetim thuhej madje se ndihma e tyre kishte
shërbyer për t’i mbajtur të arratisurit jashtë duarve të organeve shtetërore,
duke e paraqitur këtë si një shërbim të madh ndaj “armikut”.
Në
një lexim më të kujdesshëm duket qartë, se ky arsyetim është shembulli më i
qartë i përmbysjes së logjikës së drejtësisë. Gjykata nuk po gjykonte mbi fakte
konkrete, por po ndërtonte një narrativë politike, ku çdo gjest njerëzor – një
strehë, një kafshatë buke, një ndihmë për t’u shpëtuar arrestimeve –
interpretohej si akt armiqësor i rëndë. Kështu, ligji humbte funksionin e tij
thelbësor dhe kthehej në instrument të pushtetit, ndërsa ndihma njerëzore
shpallej krim, solidariteti bëhej tradhti, dhe besa shqiptare kriminalizohej si
“shërbim ndaj bandave”.
Ky
arsyetim, i shkruar me gjuhën e ashpër të kohës, dëshmon se dënimet e mëdha nuk
ishin rezultat i drejtësisë, por i frikës së një sistemi që donte ta shtrinte
pushtetin mbi çdo fshat, mbi çdo individ, dhe mbi vetë kulturën e rezistencës.
Në
arsyetimin e aktgjykimit, gjykata theksonte me një gjuhë të rëndë se “shkalla e
rrezikshmërisë së veprimeve të jatakëve ishte shumë e madhe” dhe se të gjitha
veprat e kryera prej tyre ishin të rënda dhe penale, aq sa “rrezikonin sistemin
shoqëror të vendit” dhe sillnin pasoja të mëdha “si në sigurinë e shtetit,
ashtu edhe të qytetarëve”. Në këtë mënyrë, ndihma e thjeshtë e një bujarie,
streha e ofruar me besë, apo buka e ndarë me të arratisurit, shndërroheshin në
akte të rrezikshme, të përshkruara nga pushteti si kërcënim për tërë rendin
shoqëror.
Më
tej, gjykata arrinte në përfundimin drastik se për hir të këtyre “veprave
penale” të akuzuarit Veli Ibrahim Imeri, Qazim Ismaili dhe Ajdin Ali Shabani
duheshin eliminuar njëherë e përgjithmonë nga shoqëria. Në arsyetim thuhej se
veprimet e tyre ishin të natyrës së tillë që dëshmonin “për rrezikshmëri të
vazhdueshme” ndaj sistemit, se ata ishin të papërmirësueshëm, dhe se për këtë
arsye duhej t’u shqiptohej dënimi më i lartë dhe më i rëndë: vdekja me pushkatim.
Kjo
logjikë, e mbështjellë me fjalorin juridik të kohës, nuk ishte tjetër veçse një
arsyetim i dhunës shtetërore, një përpjekje për të justifikuar shfarosjen e
individëve përmes gjuhës së “sigurisë publike”. Madje, gjykata e shtrinte edhe
më tej arsyetimin, duke theksuar se ky dënim kapital do të kishte ndikim
“pozitiv” tek të gjithë banorët e Gjilanit, të Anamoravës e më gjerë, pra se do
të shërbente si mësim frike e nënshtrimi për popullatën shqiptare.
Ky
arsyetim zbulon mekanizmin e gjykatave të kohës, ato nuk ishin institucione
drejtësie, por skena ku dhuna shtetërore legjitimohej me gjuhën e ligjit. Në
vend që të mbronin qytetarët, ato u shndërruan në mjete për të terrorizuar
shoqërinë. Pushteti e përdori gjykatën si arenë të frikës, duke kriminalizuar
aktin e solidaritetit dhe duke e paraqitur si rrezik për shtetin. Në këtë
mënyrë, pushkatimi nuk ishte vetëm ndëshkim i tre individëve, por një akt
shembullor, një paralajmërim i prerë për të gjithë popullsinë se çdo hap kundër
sistemit do të paguhej me jetën.
Ndryshe
nga tre të dënuarit me pushkatim, dy të tjerë – Selim Alia dhe Azem Kadria – u
përballën me një farsë tjetër të ashtuquajtur “drejtësi”. Gjykata, duke marrë
parasysh disa momente të quajtura “lehtësuese”, tregoi, siç e quante vetë, “zemërgjerësinë”
e okupuesit dhe iu shqiptoi atyre dënime marramendëse prej 101 vjetësh burg. Në
logjikën e asaj kohe, edhe një shekull burg nuk ishte ndëshkim, por një formë
“faljeje”, sepse, sipas gjykatësve, shqiptarët përbënin rrezik për rendin
shoqëror si brenda mureve të burgut, ashtu edhe jashtë tyre.
Ky
arsyetim absurd e shndërroi dënimin në një farsë tragjike, një jetë e tërë pas
hekurave për shkak të mikpritjes, solidaritetit dhe besës së treguar ndaj
atdhetarëve. Ndërkohë, për të tjerët që morën dënime prej 20 apo 15 vitesh
burg, gjykatësit pohonin me arrogancë se këto vite do të ndikonin “pozitivisht”
te të dënuarit dhe se do të arrinin “efekte përmirësuese” në jetën e tyre
shoqërore.
Ky
arsyetim nuk ishte gjë tjetër veçse maskë e dhunës. Në vend që të shfaqej
drejtësi, gjykata fliste me gjuhën e nënshtrimit, vite të pafundme burgimi
interpretoheshin si dhuratë, ndërsa dënimet e gjata shiheshin si “shkollë jete”
për të mësuar bindjen ndaj pushtetit. Në realitet, asgjë nuk ishte
përmirësuese, ishte një strategji për të thyer trupin dhe shpirtin e njeriut,
për të shuar rezistencën dhe për të mbjellë frikë në tërë shoqërinë shqiptare.
Kështu,
dënimet nuk ishin as gjykime ligjore e as ndëshkime të arsyeshme, por një
teatër represioni ku gjykatësit luanin rolin e “bamirësit” që falnin me shekuj
burg. Dhe ky absurditet, i shndërruar në normë, është dëshmi e hidhur e kohës
kur nën emrin e drejtësisë, ushtrohej forma më brutale e shtypjes.
Është
vërtet për t’u habitur fakti se, duke lexuar proceset gjyqësore të kohës apo
deklaratat zyrtare të njerëzve kompetentë, nuk haset askund ndonjë shënim për
pasojat e rënda që përjetonin të burgosurit gjatë hetuesisë. Heshtja mbi këtë
pjesë është e qëllimshme, sikur vuajtja e tyre fizike e shpirtërore të mos
kishte ekzistuar fare. Asnjëherë nuk u mor parasysh gjendja psikike e të
akuzuarve, të cilët kalonin javë e muaj në kazamatet serbe, në kushte
çnjerëzore, duke u shkatërruar jo vetëm trupi, por edhe mendja.
Dëshmitë
e të mbijetuarve tregojnë se maltretimet ishin të përditshme. Gardianët
ushtronin dhunë pa asnjë kufi, shpesh për arsye banale, e herë të tjera vetëm
për të shuar sadizmin personal. E megjithatë, të burgosurit ishin të detyruar
t’i duronin të gjitha këto pa të drejtë ankese, pa zë dhe pa shpresë. Asnjë procedurë
gjyqësore nuk e njihte dhimbjen e tyre si provë, asnjë akt zyrtar nuk e
regjistronte poshtërimin e përditshëm.
Kjo
heshtje institucionale është edhe më e rëndë se vetë dhuna. Ajo e zhvesh të
burgosurin nga çdo dimension njerëzor, duke e bërë atë thjesht një numër, një
fajtor të paracaktuar. Proceset gjyqësore, në vend që të kërkonin drejtësi, u
bënë skenë të një farse ku asgjë nuk merrej parasysh nga realiteti i vuajtjeve.
Kështu,
e gjithë dhuna e ushtruar në hetuesi, plagët trupore dhe ato shpirtërore,
mbetën jashtë çdo dokumenti zyrtar, por jo jashtë kujtesës së atyre që e
përjetuan. Ajo që mungon në aktgjykime dhe në dosje, gjendet e gdhendur thellë
në kujtesën e njerëzve dhe është pjesë e dhimbjes kolektive të një populli që e
përjetoi represionin jo vetëm në trup, por edhe në heshtjen e detyruar të
drejtësisë.
Me
një përkushtim të madh kam studiuar hollësisht këtë proces gjyqësor dhe, në
fund, kam ardhur në një përfundim të dhimbshëm: për shqiptarët nuk kishte
dallim në shkallën e ndëshkimit. Vriteshin dhe dënoheshin njësoj – qoftë për
një pushkë të blerë ilegalisht, për një organizim politik që shpallej
“antishtetëror”, apo edhe për një hajni të vogël ushqimesh, për të cilat në
botën e qytetëruar jepen dënime simbolike. Në sytë e pushtetit të kohës, çdo
arsye ishte e mjaftueshme për të legjitimuar një akt eliminimi.
E
keqja më e madhe e gjykatës penale nuk ishte vetëm ashpërsia e vendimeve, por
vetë mënyra se si ato ndërtoheshin. Në shumicën e proceseve gjyqësore, nuk
thuhej e vërteta për arrestimin e të pandehurve. Dosjet ngarkoheshin me
shantazhe, denigrime dhe ndërskamca, të cilat nuk kishin qëllim tjetër përveçse
të deformonin realitetin dhe ta paraqisnin të burgosurin si fajtor të
padiskutueshëm.
Në
të vërtetë, qëllimi i vërtetë i këtyre farsave gjyqësore ishte shumë më i
thellë: të krijonin huti në popullatë, të mbillnin dyshim dhe mosbesim ndaj
figurave që për vite të tëra kishin qenë të angazhuara në lëvizjen për lirinë e
vendit. Duke i kriminalizuar dhe denigruar këta njerëz, pushteti përpiqej të
shkatërronte jo vetëm rezistencën e organizuar, por edhe respektin dhe
mbështetjen që ata gëzonin në sytë e popullit.
Kjo
strategji e gjykatave ishte pjesë e një mekanizmi më të gjerë represiv, ta
bënte popullin të mos shihte më heronj në ata që sakrifikonin për liri, por
“kriminelë” të zakonshëm. Ishte një mënyrë për të thyer shpirtin e rezistencës
duke i dhënë asaj një fytyrë të rreme, të përbaltur. Dhe pikërisht këtu qëndron
ironia e madhe, ndërsa gjykatat përpiqeshin të zhduknin kujtimin e tyre,
populli i ruajti në këngë e kujtesë si martirë të lirisë.
Vijon









