Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (18)
E marte, 25.11.2025, 06:59 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
PROCESI GJYQËSOR I
GRUPIT TË TRETË TË JATAKËVE TË HASAN REMNIKUT (18)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ashtu
siç kishte ndodhur më herët, edhe në këtë periudhë organet e UDB-së ndiqnin një
strategji të qartë dhe të përsëritur: çdo organizatë atdhetare shqiptare dhe
çdo anëtar i saj shpallej pa hezitim si “organizatë terroriste” dhe “terrorist
i përbetuar”. Ky etiketim nuk ishte rastësor, por pjesë e një politike të
mirëmenduar për të manipuluar perceptimin publik dhe për të kriminalizuar çdo
formë të qëndresës politike apo kombëtare.
Qëllimi
i vërtetë nuk ishte vetëm ndëshkimi i atyre individëve që angazhoheshin në
veprimtari ilegale, por mbi të gjitha krijimi i një atmosfere frike në mesin e
popullit. Përmes gjuhës së rëndë, të mbushur me stigmatizime, pushteti përpiqej
të thyejë moralin shoqëror dhe të shkatërrojë çdo iniciativë patriotike. Fjala
“terrorist” nuk përdorej për të përshkruar realitetin, por për të frikësuar,
për të ngjallur dyshim dhe për të larguar masat e gjera nga çdo lëvizje që
synonte lirinë dhe barazinë.
Në
këtë mënyrë, organizatat që vepronin për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe
për aspiratën e bashkimit me Shqipërinë u vendosën në të njëjtin rang me grupet
kriminale. Çdo veprim patriotik, sado i thjeshtë, interpretohej si kërcënim për
rendin “popullor”. Ky ishte mekanizmi përmes të cilit pushteti jo vetëm që i
godiste individët, por njëkohësisht prodhonte një diskurs që i izolon dhe i
delegjitimon para shoqërisë.
Në
thelb, kjo strategji e UDB-së ishte një formë dhune psikologjike. Synonte të
fuste frikën në zemrat e shqiptarëve dhe t’u përcillte mesazhin se kushdo që
ngrinte zërin, kushdo që përfshihej në aktivitete atdhetare, nuk do të quhej
hero, por “terrorist”. Dhe kështu, drejtësia nuk ishte më gjykatë e së
vërtetës, por tribunë propagandistike e shtetit.
Pas
likuidimit me tradhti të patriotëve, aparati represiv i UDB-së nuk u ndal,
përkundrazi, ai u bë edhe më i pamëshirshëm. Në vend që të mbyllej një
kapitull, pushteti e ktheu atë në pikënisje të një fushate të re represioni.
Filluan hulumtime të papara, të shoqëruara me një valë të gjerë arrestimesh
ndaj popullatës së fshatrave ku Hasan Alia kishte qëndruar e ishte strehuar.
Të
akuzuarit kategorizoheshin sipas një logjike absurde dhe të paramenduar: disa
shpalleshin “bashkëpunëtorë të ngushtë”, disa të tjerë “jatakë”, për shkak se
kishin ofruar strehë herë pas here, kishin ndihmuar me ushqim, veshmbathje apo
edhe me armatim. Por absurditeti shkonte edhe më tej: kishte nga ata që
arrestoheshin vetëm sepse ndonjëherë, rastësisht, në kalim e sipër, e kishin
përshëndetur Hasanin apo e kishin njohur personalisht.
Pas
arrestimit, fillonte faza më e dhimbshme- torturat. Të burgosurit nëpër zyrat e
UDB-së i nënshtroheshin presioneve fizike dhe psikologjike, duke u detyruar të
pranonin “faje” që shpesh nuk ekzistonin. Pas kësaj, hidheshin para trupave
gjyqësore, ku proceset ishin vetëm një formalitet i zbrazët. Vendimet ishin të
paracaktuara, dënime të rënda me vite të shumta burg, me qëllim që të mbillnin
frikë e nënshtrim në mesin e popullit.
Kjo
strategji tregonte se për pushtetin nuk mjaftonte eliminimi fizik i figurave
kryesore të rezistencës, duhej të ndëshkoheshin edhe ata që kishin treguar
qoftë edhe një gjest të vogël solidariteti. Në këtë mënyrë, pushteti synonte jo
vetëm të zhdukte trupat e patriotëve, por edhe të shkatërronte moralin dhe vetë
strukturën e solidaritetit shoqëror.
Një
shembull domethënës i farsave gjyqësore të asaj kohe është procesi i zhvilluar
më 13 maj 1952 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, ku para trupit gjykues u nxorën
jo më pak se tetë të akuzuar shqiptarë. Ky proces dëshmon jo vetëm për mënyrën
e organizimit formal të gjyqeve, por edhe për thelbin e tyre politik e
represiv.
Trupi
gjykues kryesohej nga Ratomir Patërnogiq, ndërsa si gjyqtarë porotë ishin dy
shqiptarë: Qerim Ibrahimi dhe Shabi Jusufi, të cilët formalisht i jepnin
procesit një fasadë të “pjesëmarrjes shqiptare”. Rolin e procesmbajtësit e
kishte Sllobodan Zhivkoviq, i cili ishte caktuar si referent. Edhe në këtë
rast, struktura e gjykatës pasqyronte një model të përhershëm: përzierja e
emrave shqiptarë dhe serbë në mënyrë që procesi të dukej i balancuar, ndërkohë
që vendimi dihej paraprakisht.
Sa
i përket mbrojtjes, të akuzuarve iu caktuan me detyrim dy avokat serbë, Petar
Todoriviq dhe Velibor Borisavleviq, të cilët, siç ndodhte zakonisht, kishin rol
formal dhe nuk mund të ndikonin realisht në vendimin e gjykatës. Në anën
tjetër, aktakuzën e përfaqësonte Tahir Ibrani, i cili luante rolin e përforcuesit
të narrativës së pushtetit.
Ky
proces gjyqësor, si shumë të tjerë, nuk kishte në thelb kërkimin e së vërtetës
juridike. Struktura e tij tregonte qartë se gjithçka ishte e ndërtuar për të
legjitimuar një vendim të paracaktuar. Pjesëmarrja e porotëve shqiptarë
shërbente për të dhënë iluzionin e objektivitetit, ndërsa mbrojtja e detyruar
nga avokatë serbë siguronte që fjala e të akuzuarve të mbetej e papërfaqësuar.
Ky
është një shembull tipik i gjykimeve politike të pasluftës, ku drejtësia ishte
vetëm një fasadë, ndërsa gjykata ishte arenë e represionit dhe e propagandës. Procesi
gjyqësor kundër pjesëtarëve të grupit të Hasan Alisë u zhvillua vetëm pas një
periudhe të gjatë vuajtjesh dhe presioni. Pasi ishin arrestuar në tetor të
vitit 1951, ata mbetën në hetuesi deri në janar të vitit 1952 – katër muaj të
tërë të mbushur me pyetje pa fund, me kërcënime të vazhdueshme dhe me forma nga
më çnjerëzoret të dhunës. Hetuesia nuk ishte hapësirë drejtësie, por laborator
dhune, ku të burgosurit testoheshin me metodat më të rënda të presionit fizik
dhe psikologjik, vetëm që të “pranonin” faje të cilat nuk i kishin kryer kurrë.
Vetë
procesi gjyqësor u zhvillua në katër seanca të njëpasnjëshme, më 8, 9, 10 dhe
17 janar të vitit 1952. Këto seanca ishin vetëm një formalitet i zymtë, ku
aktgjykimi i paracaktuar duhej të vishej me petkun e “drejtësisë”. Në vendimin
e shpallur, gjykata i deklaroi anëtarët e grupit fajtorë, me formulimin e
përgjithshëm dhe të mjegullt se: “Në datë të pacaktuar të viteve 1948, 1949, 1950
dhe 1951 qenë të lidhur me bandën e armatosur të Hasan Alisë nga Remniku, Agush
Hetem Rashitit nga Bresalci dhe Mustafë Rashitit nga Remniku (i njohur edhe si
Kokaj, mësues në fshat dhe dhëndër i Remnikut.
Ky
formulim, që shmangte çdo datë konkrete dhe çdo provë reale, zbulon natyrën e
proceseve të tilla politike: nuk ishte fjala për një krim të kryer, por për një
“lidhje” të supozuar, për një kontakt, për një miqësi, të cilat
interpretoheshin si faje të rënda politike. Në të vërtetë, ajo që gjykata dënonte
nuk ishte ndonjë vepër e caktuar, por vetë fryma e solidaritetit dhe e
rezistencës shqiptare, e mishëruar në emrat e Hasan Alisë, Agush Hetemit dhe
Mustafë Rashitit.
Ky
proces, si shumë të tjerë të asaj kohe, dëshmon qartë se gjyqet nuk ishin vend
i së drejtës, por instrument i pushtetit për të kriminalizuar patriotizmin dhe
për të shuar çdo gjurmë të idealit për liri.
Sipas
aktgjykimit me numër 24/51, të datës 13 maj 1952, gjykata shpalli fajtorë të
gjithë të akuzuarit, duke i përfshirë në një narrativë të ndërtuar mbi akuza të
përgjithshme dhe të rënda. Në këtë dokument thuhej se në shtëpitë e tyre ata jo
vetëm që i strehuan Hasan Remnikun dhe shokët e tij, por edhe se i ngarkuan me
detyra të caktuara për të mbështetur veprimtarinë e tyre ilegale.
Aktgjykimi
i përshkruan të akuzuarit si persona që kishin detyrë t’i njoftonin të
arratisurit për lëvizjet e forcave jugosllave, për angazhimin e anëtarëve të
rinj, si dhe për zhvillimet e tjera të terrenit. Përveç kësaj, ata akuzoheshin
se i strehonin në shtëpitë e tyre, u siguronin veshmbathje, ushqim, duhan,
sheqer e kripë – elemente bazike për mbijetesën e tyre. Madje, sipas dosjes,
atyre u bliheshin edhe armët, duke krijuar kushte që të vazhdonin jetën
ilegale.
Akuza
më e rëndë e formuluar në këtë vendim ishte se të akuzuarit kishin “penguar
organet e shtetit” në përpjekjet e tyre për të zbuluar, arrestuar dhe likuiduar
të arratisurit. Pra, sipas logjikës së pushtetit, çdo vonesë, çdo dezinformim
dhe çdo mbrojtje e dhënë ndaj tyre konsiderohej krim kundër vetë shtetit
jugosllav.
Në
arsyetimin përfundimtar, gjykata theksonte: “Në këtë mënyrë, ata kanë ndihmuar
bandën e armatosur dhe luftën e saj kundër Jugosllavisë së re, duke vepruar të
shtyrë nga ndjenja armiqësore ndaj rendit kushtetues të RPFJ-së.” Me këtë
formulim, Gjykata Penale e Shkallës së Parë në Gjilan i damkoste të gjithë të
akuzuarit si armiq të pushtetit dhe si elementë që kishin rrezikuar
integritetin e “shtetit të ri popullor”.
Ky
aktgjykim është shembull i qartë i mënyrës sesi gjykatat jugosllave përdornin
gjuhën politike për të kriminalizuar aktet më të thjeshta të solidaritetit: një
kafshatë buke, një veshmbathje, një informacion i dhënë mikut, shndërroheshin
në “veprime armiqësore”. Vendimi nuk dënonte krime konkrete, por dënonte një
qëndrim moral – refuzimin e shqiptarëve për të tradhtuar mikun dhe besën e
dhënë. Në këtë mënyrë, ligji nuk ishte më instrument i drejtësisë, por armë e
pushtetit për të shtypur çdo shenjë të qëndresës.
Në
emër të “mbrojtjes së rendit kushtetues”, Gjykata e Qarkut në Gjilan, duke u
mbështetur në nenin 120 të Ligjit Penal të Jugosllavisë dhe nenin 38 të po atij
ligji, ngriti akuza të rënda kundër tetë shqiptarëve, të cilët në të vërtetë
ishin njerëz të thjeshtë e atdhetarë. Ata u shpallën fajtorë për “vepra penale
kundër popullit dhe shtetit”, duke u futur me dhunë në kategorinë e “armiqve”
vetëm pse kishin guxuar të ruanin besën e tyre ndaj bashkëfshatarëve të
arratisur.
I
pari ndër të akuzuarit ishte Shukri Hajrizi, një bujk nga Remniku, i
lindur më 1920 nga babai Hajrizi dhe nëna Nazlije. Ai jetonte në fshatin e
lindjes, pa u martuar dhe pa pasur pasuri të mëdha. Autodidakt, me një jetë të
thjeshtë bujqësore, ai nuk përfaqësonte kurrfarë rreziku real për shtetin
jugosllav. Megjithatë, që nga 29 tetori i vitit 1951, ndodhej në burg, i
arrestuar dhe i mbajtur në kushte të rënda hetuesie.
Në
përfundim të procesit, Gjykata e Qarkut në Gjilan e dënoi me 5 vjet burg të
rëndë, duke e shpallur fajtor për një krim të sajuar. Ky dënim nuk ishte pasojë
e ndonjë akti të dhunshëm apo veprimtarie konkrete kundër pushtetit, por një
ndëshkim për lidhjen e tij njerëzore e shoqërore me ata që kishin zgjedhur
rrugën e rezistencës.
Rasti
i Shukri Hajrizit është dëshmi e qartë se gjykata nuk gjykonte individë mbi
bazën e provave, por mbi bazën e përkatësisë, lidhjeve dhe dyshimeve të
fabrikuara. Ai, si shumë të tjerë, u shënjestrua për të dërguar mesazhin se çdo
shqiptar që do të mbante besën, që do të ushqente apo strehojë një të
arratisur, do ta paguante shtrenjtë me vite të gjata burgu.
I
dyti në listën e të akuzuarve ishte Hamdi Hajrush Hajdari, një burrë nga
Remniku, i lindur në vitin 1920, nga babai Hajrushi dhe nëna Baftija. Jeta e
tij, si e shumë bashkëfshatarëve të tjerë, kishte filluar me punën në bujqësi,
por më vonë ai kishte kaluar në shërbimin administrativ, duke punuar si zyrtar
dhe shitës në MZZ. Ishte i martuar dhe baba i katër fëmijëve, duke bartur mbi
supe përgjegjësitë e një familjeje të madhe.
Hamdiu
ishte autodidakt, një njeri i ditur përmes përpjekjes vetjake, dhe kishte kryer
shërbimin ushtarak në Ushtrinë Jugosllave gjatë viteve 1946–1947, duke e
përmbushur obligimin e tij shtetëror. Megjithatë, asgjë nga kjo nuk e shpëtoi
nga akuzat. Më 22 tetor 1951 ai u arrestua dhe u dërgua në burgun hetues, ku
për muaj me radhë iu nënshtrua pyetjeve dhe presioneve të rënda.
Në
përfundim të procesit, Gjykata e Qarkut në Gjilan e shpalli fajtor dhe e dënoi
me 18 muaj burg të rëndë. Dënimi i tij, ndonëse më i lehtë në krahasim me disa
të tjerë, mbetet dëshmi e qartë e logjikës së kohës, nuk dënohej vetëm ai që
kishte marrë pjesë në veprimtari ilegale, por edhe çdo individ që shfaqej si i
dyshuar ose që kishte lidhje të mundshme me figurat e shpallura “armiq të
shtetit”.
Rasti
i Hamdi Hajdari shpalos më së miri mënyrën se si sistemi gjyqësor jugosllav
godiste njerëz të thjeshtë, të lidhur me jetën e përditshme, me familjet e
tyre, me punën në arë apo në zyrë. Ai nuk u dënua për atë çfarë kishte bërë,
por për atë çfarë pushteti donte të dëshmonte: se askush nuk ishte i sigurt
nëse prekte, ndihmonte ose thjesht njihte dikë nga rrethi i të arratisurve.
I
treti në listën e të akuzuarve ishte Mustafë Rahimi, i lindur më 1918 në
fshatin Lubishtë. Me profesion bujk, ashtu si shumica e bashkëfshatarëve të
tij, ai kishte kaluar jetën duke u marrë me tokën dhe me punën bujqësore. Ishte
bir i Rahimit dhe i Nailes, një familje e thjeshtë, me gjendje ekonomike
mesatare, që përfaqësonte shtresën më të zakonshme të shoqërisë shqiptare të
kohës.
Edhe
pse nuk kishte pasur mundësi të ndiqte shkollim formal, Mustafë Rahimi ishte
autodidakt, një njeri që e kishte ushqyer veten me dije dhe përvojë jetësore.
Në dosjen e tij nuk gjendet asnjë provë e vërtetë që do ta lidhte me veprime
kriminale, megjithatë, kjo nuk e shpëtoi nga fati i shumë shqiptarëve të asaj
kohe. Ai u arrestua më 26 tetor 1951 dhe u mbajt për muaj të tërë në burgun
hetues, ku presioni, torturat dhe kërcënimet ishin pjesë e përditshme e
“hetimit”.
Në
fund të procesit gjyqësor, Gjykata e Qarkut në Gjilan shpalli vendimin: 4 vjet
burg i rëndë për Mustafë Rahimin. Një dënim i rëndë për një njeri që nuk kishte
bërë asgjë më shumë veçse kishte jetuar jetën e tij të thjeshtë bujqësore, por
që, për shkak të rrethit, njohjeve apo dyshimeve të fabrikuara, u shënjestrua
si “armik i shtetit”.
Ky
rast është dëshmi se si drejtësia e kohës nuk dënonte krime, por shënjestronte
individë të zakonshëm për t’i bërë shembuj frikësues. Mustafë Rahimi, një bujk
i thjeshtë, u shndërrua nga organet gjyqësore në “kriminel politik”, vetëm për
të ushqyer narrativën e pushtetit dhe për të përhapur terror në mesin e
popullit.
I
katërti në radhën e të akuzuarve ishte Sadik Vranovci, bujk nga fshati
Cërrnicë, ku edhe kishte lindur më 1921, bir i Ademit dhe i Havës. Jeta e tij
ishte e thjeshtë, e përqendruar në punën bujqësore dhe në përkujdesjen për
familjen. Ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve, të cilëve mezi arrinte t’u
siguronte jetesën e përditshme, pasi jetonte në kushte të varfra dhe, si shumë
të tjerë, nuk kishte pasur mundësi të arsimohej, mbetej analfabet.
Në
biografinë e tij shënohej një dënim i mëparshëm: gjashtë muaj burg, sipas nenit
3, pika 2 e ligjit për tregti, një shkelje e vogël që dëshmonte jo
kriminalitetin, por vështirësitë e jetës dhe rrethanat ekonomike të kohës.
Megjithatë, ky fakt u përdor më vonë si element shtesë për të rënduar pozitën e
tij.
Më
27 tetor 1951, Sadiku u arrestua dhe u fut në burgun hetues, ku për muaj me
radhë iu nënshtrua pyetjeve dhe dhunës së zakonshme të hetuesisë jugosllave.
Procesi gjyqësor nuk i dha asnjë mundësi mbrojtjeje reale- vendimi ishte i
parapërgatitur. Në përfundim, Gjykata e Qarkut në Gjilan e shpalli fajtor dhe i
shqiptoi dënimin me 3 vjet burg të rëndë.
Rasti
i Sadik Vranovcit pasqyron qartë mënyrën se si gjykatat e kohës nuk shihnin
individë, por shembuj për ndëshkim. Një bujk i varfër, analfabet, baba i dy
fëmijëve, nuk kishte as mjetet dhe as fuqinë për të sfiduar pushtetin,
megjithatë, ai u bë pjesë e listës së gjatë të të dënuarve, për të treguar se
askush nuk ishte i paprekshëm.
Ky
është një ilustrim i qartë i logjikës së shtetit represiv, edhe njerëzit më të
thjeshtë, me jetë të zakonshme, shndërroheshin në “armiq të popullit” vetëm për
të frikësuar e nënshtruar masën e gjerë.
I
pesti ndër të akuzuarit ishte Xhavit Qerimi, lindur në fshatin Remnik më
1914, nga babai Qerimi dhe nëna Minë. Ai ishte i martuar dhe baba i dy
fëmijëve, të cilëve përpiqej t’u siguronte jetesën në një gjendje të rënduar
ekonomike. Si shumë bashkëfshatarë të tij, jetonte mes varfërisë dhe mungesës
së mundësive, ku çdo ditë ishte përballje me mbijetesën.
Në
të kaluarën, Xhaviti kishte mbajtur një dënim të shkurtër prej gjashtë muajsh
burg, një fakt që në realitet nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet e mëvonshme,
por që u përdor si element për të rënduar imazhin e tij në sallën e gjyqit. Arrestimi
i tij ndodhi më 22 tetor 1951, dhe prej asaj dite ai u fut në qarkun e dhunës
hetuese, ku pyetjet, kërcënimet dhe keqtrajtimet ishin pjesë e përditshme e
rrugëtimit drejt një aktgjykimi të paracaktuar.
Në
fund, vendimi i Gjykatës së Qarkut në Gjilan ishte i pamëshirshëm: 4 vjet e 6
muaj burg të rëndë. Ky dënim nuk ishte rezultat i një krimi të kryer, por i një
politike që synonte të dënonte përmes shembullit, duke e kthyer jetën e një
bujku të varfër në dëshmi të terrorit shtetëror.
Rasti
i Xhavit Qerimit pasqyron qartë logjikën e drejtësisë së kohës, nuk dënoheshin
aktet konkrete, por vetë ekzistenca e lidhjeve, dyshimet, dhe më së shumti,
përkatësia në një popull që shihej si vatër rezistence. Një baba i dy fëmijëve,
me një ekonomi të brishtë dhe pa mbështetje, shndërrohej në “armik të shtetit”,
jo pse kishte rrezikuar rendin, por sepse duhej përforcuar frika se askush nuk
ishte i mbrojtur.
I
gjashti në listën e të akuzuarve ishte Destan Muherremi, bujk nga fshati
Lubishtë, i lindur më 1920 nga babai Muharremi dhe nëna Arifja. Ai ishte një
njeri i thjeshtë, i rrënjosur në punën e tokës dhe në jetën fshatare, pa arsim,
analfabet si shumë të tjerë të brezit të tij, por me një barrë të rëndë mbi
supe- përgjegjësinë për një familje të madhe. Ishte i martuar dhe baba i pesë
fëmijëve, të cilëve u siguronte jetesën me mund e djersë, duke e ndarë bukën e
gojës në kushte të vështira ekonomike.
Por
jeta e tij e zakonshme nuk e mbrojti nga rrota e dhunshme e represionit
shtetëror. Më 30 tetor 1951, Destani u arrestua dhe u fut në burgun hetues, ku
për muaj të tërë u mbajt nën kushte çnjerëzore. Hetuesia nuk kishte për qëllim
të zbulonte të vërtetën, por të gjente një “pranim fajësie”, të cilin e
siguronte përmes presionit, torturës dhe frikës.
Në
përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Qarkut në Gjilan i shqiptoi 4 vjet
burg të rëndë. Një dënim i rëndë, që jo vetëm ia shkatërronte jetën atij, por
linte pas edhe një familje të tërë pa përkujdesjen e kryefamiljarit. Pesë
fëmijë dhe një bashkëshorte mbeteshin të braktisur përballë varfërisë, ndërsa
ai vetë shndërrohej në viktimë të një drejtësie të fabrikuar.
Rasti
i Destan Muherremit pasqyron qartë natyrën e gjyqeve politike- nuk mjaftonte të
ndëshkohej individi i dyshuar, por përmes tij duhej goditur edhe familja, edhe
komuniteti. Burgosja e tij nuk ishte vetëm një dënim personal, por një mesazh i
frikshëm për të gjithë- se kushdo që shihej si i lidhur, qoftë edhe rastësisht,
me figurat e rezistencës, do ta paguante shtrenjtë, pavarësisht kush ishte apo
çfarë kishte bërë.
I
shtati ndër të akuzuarit ishte Hajdar Hajdini, një bujk nga fshati
Gumnishtë, i lindur më 1911 nga babai Hajdini dhe nëna Hajrija. Ai ishte një
njeri i thjeshtë, i lidhur ngushtë me jetën e fshatit dhe tokën, ku kalonte
ditët e tij me punë e mund. Ishte i martuar, por pa fëmijë, dhe si shumë të
tjerë të kohës mbeti analfabet, i privuar nga mundësia për shkollim, gjë që e
bënte edhe më të pambrojtur përballë aparatit shtetëror.
Hajdari
u arrestua më 18 tetor 1951 dhe që nga ajo ditë u fut në burgun hetues, ku iu
nënshtrua muajve të gjatë të presioneve, pyetjeve dhe torturave të zakonshme
për sistemin e asaj kohe. Hetuesia nuk kërkonte të gjente të vërtetën, por
vetëm të siguronte një dëshmi që do të mbështeste aktakuzën e përgatitur më
herët.
Në
fund të procesit gjyqësor, ky burrë i thjeshtë, i padëmshëm dhe i lidhur vetëm
me punën e tij bujqësore, u shpall fajtor. Gjykata e Qarkut në Gjilan i
shqiptoi një dënim prej 3 vitesh burg të rëndë, duke e futur në listën e gjatë
të shqiptarëve që u dënuan jo për veprime konkrete, por për shkak të klimës së
dyshimit dhe represionit që rëndonte mbi të gjithë komunitetin.
Rasti
i Hajdar Hajdinit ilustron mënyrën se si pushteti i kohës nuk i kursente as
njerëzit më të zakonshëm, as ata që nuk kishin zë apo ndikim. Edhe një bujk i
thjeshtë, analfabet dhe pa fëmijë, mund të shpallej “armik i shtetit” vetëm për
të treguar se ligji i asaj kohe nuk njihte drejtësi, por vetëm ndëshkim.
I
teti dhe i fundit ndër të akuzuarit ishte Sahit Abaz Rexha, bujk nga
fshati Bresalc, i lindur më 1914 nga babai Abazi dhe nëna Dile. Jeta e tij
ishte ajo e një fshatari të zakonshëm, i martuar dhe baba i një fëmije, që me
mund e djersë përpiqej të mbante familjen në kushte të gjendjes së mesme
ekonomike. Ai nuk kishte qenë asnjëherë figurë publike apo njeri me ndikim, por
vetëm një bujk që punonte tokën e tij dhe jetonte në qetësinë e fshatit.
Megjithatë,
edhe ai nuk shpëtoi nga vala e arrestimeve që përfshiu Anamoravën. U arrestua
më 17 tetor 1951 dhe u fut në burgun hetues, ku për muaj të tërë iu nënshtrua
procedurave të rënda hetimore, presioneve dhe pyetjeve të pafundme. Procesi
gjyqësor ndaj tij përfundoi më 13 maj 1952, kur Gjykata e Qarkut në Gjilan i
shqiptoi një dënim prej 3 vjetësh burg të rëndë.
Rasti
i Sahit Abaz Rexhës është shembull i qartë i mënyrës sesi pushteti i kohës nuk
bënte dallim mes njerëzve- edhe një bujk i zakonshëm, me një jetë modeste dhe
pa ndonjë të kaluar kriminale, mund të shpallej fajtor vetëm për të përmbushur
logjikën e ndëshkimit kolektiv. Dënimi i tij nuk ishte produkt i një krimi
konkret, por i një politike që kërkonte të krijonte shembuj frike e nënshtrimi.
Nëpërmjet
rasteve si ky, shihet se drejtësia e kohës nuk ndëshkonte vetëm veprime, por
kriminalizonte vetë jetën e përditshme shqiptare – miqësitë, solidaritetin dhe
thjeshtësinë e njerëzve që guxonin të mos kthenin shpinën. Sahiti, një baba i
vetëm me një fëmijë, u kthye në viktimë të një gjyqi që në thelb nuk kishte të
bënte me drejtësinë, por me propagandën dhe terrorin politik.
Për
ta bërë sa më të besueshme dhe të ashpër aktakuzën, gjyqtarët dhe hetuesit nuk
kursenin sjelljen e të dhënave të shumta, të cilat paraqiteshin si “prova të
pakundërshtueshme”. Në realitet, këto të dhëna ishin të ndërtuara mbi logjikën
politike të kohës, duke u përdorur për të krijuar një imazh të frikshëm të të
akuzuarve, sikur ata kishin kryer vepra të rënda penale të drejtuara kundër
popullit dhe shtetit jugosllav.
Në
bazë të Akuzës nr. B-26/51, datë 11 dhjetor 1951, thuhej se tetë të akuzuarit
kishin pasur lidhje me Hasan Alinë dhe grupin e tij, duke i ndihmuar për
mbijetesë në luftën kundër UDB-së, e cila ishte vënë në lëvizje për t’i kapur
“trimat e arratisur”. Kjo ndihmë – që shpesh nënkuptonte vetëm ofrimin e një
strehimi, një cope buke apo një veshmbathje – në aktgjykim paraqitej si veprim
i rëndë armiqësor.
Për
ta bërë edhe më të frikshme dhe për ta ngarkuar me peshë politike çështjen,
gjykata solli si “dëshmi shtesë” faktin se Hasan Remniku gjatë kohës së
okupimit kishte vrarë trembëdhjetë serbë, ndërsa pas të ashtuquajturit “çlirim”
ishte akuzuar se kishte vrarë shqiptarin e ndershëm S. R., si dhe aktivistin e
Frontit Popullor, njëkohësisht policin Gjorgje Saviqin nga Sllakoci. Në këtë
mënyrë, ndihma e dhënë prej tetë të akuzuarve shihej si e lidhur drejtpërdrejt
me krime të rënda kundër shtetit dhe popullit, duke i vendosur ata në të
njëjtën radhë me të arratisurit.
Ky
arsyetim, në thelb, ishte pjesë e një politike të qartë kriminalizimi: çdo
gjest solidariteti me të arratisurit barazohej me fajin e tyre, dhe çdo kontakt
i rastësishëm kthehej në “provë” për armiqësi. Në vend që të gjykoheshin
veprimet individuale, sistemi gjyqësor kërkonte të ndërtonte një narrativë
kolektive faji, ku ndihma njerëzore interpretohej si komplot kundër shtetit.
Ramadan
Agushi në aktakuzë paraqitej si një ndër figurat e rëndësishme të organizatës
së quajtur “Zogistët”. Sipas dokumenteve zyrtare, ai akuzohej se kishte vrarë
sekretarin e Bashkësisë Lokale të Malishevës, Petar Markoviqin, si dhe kishte
marrë pjesë në prerjen e shtyllave të telefonit në rrugën që lidhte Gjilanin me
Kamenicën dhe Bujanocin – një akt që interpretohej si sabotim kundër rendit
shtetëror. Gjithashtu, sipas gjykatës, ai kishte ikur nga burgu ku pritej të
ekzekutohej dënimi me vdekje, i shqiptuar më herët nga Gjykata e Qarkut në
Gjilan.
Megjithatë,
në vetë aktakuzën kishte elementë të shumtë të pavërtetë, të fabrikuar nga
hetuesit. Ato u montuan me qëllim të vetëm: të denigronin figurën e atdhetarëve
shqiptarë para popullit, duke i paraqitur jo si luftëtarë për liri, por si
“kriminelë”, “hajna” dhe “banda të paorganizuara”, të cilat, sipas narrativës
zyrtare, nuk dinin as çfarë kërkonin nga pushteti. Ky diskurs ishte një
strategji tipike e regjimit për të prishur imazhin e rezistencës dhe për të
dobësuar moralin e masave.
Por
realiteti ishte krejt tjetër. Populli, i cili i njihte mirë këta burra, nuk ra
asnjëherë në grackën e propagandës së okupatorit. Përkundrazi, ai e ruajti
kujtimin e tyre si njerëz të sakrificës dhe të qëndresës, duke i transmetuar
brez pas brezi rrëfimet e guximit dhe qëllimit të tyre të lartë. Kjo tregon se,
ndonëse shteti mund të manipulonte aktgjykimet dhe të përdorte propagandën për
të mbjellë frikë, e vërteta e popullit mbeti e paprekur: këta burra nuk ishin
kriminelë, por atdhetarë që luftuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Vijon









