E marte, 28.10.2025, 10:00 AM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Roza Anagnosti, rrezatuesja e një Epoke të Artë

E hene, 27.10.2025, 05:55 PM


NE DITELINDJEN E AKTORES

Roza Anagnosti, rrezatuesja e një Epoke të Artë

Nga Albert Vataj

Sot, Roza Anagnosti mbush 82 vjeç, një moshë që në rastin e saj nuk matet me vite, por me dritë. Me dritën që ajo solli në ekran, në skenë, në kujtesën dhe ndjesinë kolektive të artit shqiptar, të atij arti, i cili pavarësisht trysnisë ideologjike dhe diktatit të mbikqyrjes, mbeti i madh, sepse u mëkua nga shpirtra të mëdhenj dhe pasione të fuqishme.

Roza është një nga ato figura të rralla që nuk luajnë role, por i bëri ato të jenë jeta e saj. Ajo hyri në çdo personazh me praninë e saj të plotë shpirtërore, duke e shkrirë veten në karakteret që solli në kinemanë shqiptare. Rolet e saj nuk ishin thjesht krijime artistike, por gjendje njerëzore që ajo i jetoi me përkushtim, me përvujtëri dhe me atë finesë të pashoqe që e bën aktoren e madhe të mos interpretojë, por të rrëfejë vetë njeriun.

Ajo nuk e përfaqësoi vetëm gruan shqiptare në periudha të ndryshme të historisë sonë, por e sublimoi atë, në forcë, ndjenjë dhe dinjitet, në qëndresë dhe integritet, në dashuri dhe përulësi, në heshtje që flasin dhe në buzëqeshje që dhimbjen e kthejnë në dritë. Nëpërmjet saj, gruaja shqiptare mori zë, formë dhe frymë.

Nga mësuesja në “Detyrë e posaçme” (1963), te Filja në “Toka jonë” (1964), Rudina në “Komisari i dritës” (1966), Vera në “Plagë të vjetra” (1968), Arta në “Ndërgjegja” (1972), apo edukatorja në “Qyteti më i ri në botë” (1974), ajo vizatoi me mjeshtëri të rrallë një mozaik ndjenjash e karakteresh. Me një thjeshtësi mbretërore, Roza i dhuroi secilit rol frymë, shpirt dhe aromë njerëzore, duke përputhur brenda tyre thelbin e vetes së saj, gruan e urtë, të vendosur, të dashur dhe të ndershme.

Sa më shumë që ajo u bë pjesë e filmit shqiptar, aq më shumë u pasurua vetë historia e tij. Në çdo paraqitje, ajo solli një cilësi të re ndjenje e komunikimi, një thellësi që i jepte jetës kuptim përmes artit. Në “Në shtëpinë tonë” (1979), si mësuesja e përkushtuar, ajo mishëronte moralin dhe kujdesin e kohës. Në “Mësonjtorja” (1979), si Dafina, ajo u shndërrua në simbol të fisnikërisë së heshtur, një shkëlqim që mbetet vezullim edhe sot. Bardha në “Dita e parë e emrimit” (1981), personazhet e “Rrugës së lirisë” (1982), Mrika në “Besa e kuqe” (1982), Luli në “Taulanti kërkon një motër” (1984), janë faqe të një albumi të artë ku secili rol bart dritën e shpirtit të saj.

Rrugëtimi i saj artistik vijoi me përkushtim e dinjitet, duke skalitur në kujtesën e filmit shqiptar figura të paharruara: në “Vrasje në gjueti” (1987), në “Familja ime” (1987), si doktoreshë Besmira Haxhiraj në “Botë e padukshme” (1987), si Adelina, gruaja e Emilit, në “Rikonstruksioni” (1987), apo si nëna që ka humbur vajzën në “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989), sipas romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Në këto role, ajo e shndërroi dhimbjen në poezi, dramën në dëshmi, ndjenjën në kujtesë. Çdo personazh i saj kishte një thellësi që buronte nga përjetimi, nga përkushtimi i një artisteje që dinte të rrinte në dritë pa e kërkuar atë.

Drita në “Vetmi” (1990), “Valsit të Titanikut” (1990), dhe më vonë në rolin e nënës së Abazit te një nga veprat monumentale të kinematografisë sonë, “Gjoleka, djali i Abazit” (2006), përbëjnë kulme të një jete të shenjtëruar artit.

Në çdo etapë, Roza Anagnosti nuk ndryshoi, ajo u rrit në thellësi. E bukura e saj u bë përmbajtje, drita e saj u bë kujtesë. Me një përulësi të rrallë, ajo i dha kinemasë shqiptare jo vetëm artin e interpretimit, por edhe artin e qëndresës dhe të fisnikërisë njerëzore.

Në film pas filmi, ajo u bë fytyra e ndjenjës shqiptare, zëri i një kohe që tashmë ka hyrë në legjendë.

Në zërin e saj kishte butësi dhe peshë, në sytë e saj, një dritë që mbante brenda tërë universin e një kohe. Ajo nuk interpretonte, por jetonte rolet. Dhe ndoshta për këtë arsye, pas dekadash, Roza Anagnosti mbetet ende gjallë në kujtesën tonë, jo si një emër, por si një ndjenjë.

Sot, në këtë përvjetor të bukur, ne përulemi me respekt përpara një zonje të artit, një artistjeje që e bëri kinemanë shqiptare më të thellë, më të vërtetë dhe më fisnike.

Foto e rinisë, dëshmimi në celuloid i një kohe pa kthim, aradha e vajzës që sfidoi me talent dhe kumtin interpretues që spikat, janë tërësorja e një kujtese dhe urimi, sot në ditëlindjen e Roza Anagnostit. Vajza që nuk u mjaftua vetëm me privilegjin e natyrës, por kërkoi që këtë lëndë të nyjshme ta shndërronte në formatin e një identiteti artistik, që në kohëpaskohje erdhi duke u kristalizuar për t’u bërë një nga emblemat më fisnike të artit tonë skenik e kinematografik.

Roza ishte dhe mbeti e bukur, jo vetëm në fotografi, por në skenë dhe në jetën e përditshme. Vajzë e dlirë dhe grua e përkorë, aktore e talentuar dhe bashkëshorte e denjë e një regjisori të madh, ajo luftoi, u përpoq, sfidoi dhe arriti. I’u dorëzua artit me shpirt e me mish, duke i dhënë jetës një kuptim të vetëm: të shërbejë përmes interpretimit, përmes përjetësimit të ndjenjave dhe karaktereve që mbetën në kujtesën e një kombi.

Ajo është një hir që koha nuk e zbriti dot nga piedestali, edhe pse vitet kanë rishkruar në dritat e skalitura të frymës portretin e Rozës artiste. Bukuria e saj nuk qëndron vetëm në pamje, por në qëndrimin ndaj jetës, në fisnikërinë e heshtur me të cilën përballoi sfidat, në përulësinë me të cilën e lartësoi artin.

Sot, në 82-vjetorin e lindjes së saj, ne përulemi me respekt përpara një figure që mbetet një monument gjallërie, përkushtimi dhe dashurie për artin. Roza Anagnosti është një nga ato emra që nuk i përkasin vetëm kujtesës, por edhe ndjenjës kombëtare. Ajo është shenjë e asaj kohe kur arti ishte akt përkushtimi, jo lavdie.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Morea, një rrëfim për kujtesën e një toke arbërore Albert Vataj: Marie Tuci, shërbestarja që 'Jetën ia dhuroi Zotit' Albert Vataj: Kur ndahemi përgjithmonë me nënat, humbim shumë më shumë se shenjtërinë e tyre Albert Vataj: Gruaja, ajo që mëkon dhe mbron me shpirtin e saj hyjnor, dashurinë dhe jetën Albert Vataj: Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh Albert Vataj: Sot, Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë Albert Vataj: Fundi i një legjende Albert Vataj: Maria Corina Machado, një misionare e demokracisë në diktaturën e Maduros Albert Vataj: Fitorja që u shndërrua në një zgjim kombëtar Albert Vataj: Duhet të duhemi… Albert Vataj: Një copëz Shqipëri në kryeqytetin e botës, Parisi nderon Ismail Kadarenë Albert Vataj: Liqeni i Shkodrës, një arterie jetike e jetës, tregtisë dhe shpirtit njerëzor Albert Vataj: Jane Goodall, gruaja që shembi kufijtë e ngurtë mes njeriut dhe pjesës tjetër të krijesave Albert Vataj: A është në vullnetin tuaj të zgjidhni, nëse do të jeni dritë apo zjarr? Albert Vataj: "Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… që Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike” Albert Vataj: Nëse të mendoj, nuk mëkatoj, apo jo? Albert Vataj: Mirash Ivanaj, dishepulli i arsimit, sakrifica e një shpirti që u martirizua për dijen Albert Vataj: Hannah Arendt dhe rreziku i një bote pa të vërtetën Albert Vataj: Thirrja e Faik Konicës në Gazetën Albania, 1897, për shqiptarët krejt Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx