| E hene, 27.10.2025, 05:55 PM |

NE DITELINDJEN E AKTORES
Roza Anagnosti,
rrezatuesja e një Epoke të Artë
Nga
Albert Vataj
Sot,
Roza Anagnosti mbush 82 vjeç, një moshë që në rastin e saj nuk matet me vite,
por me dritë. Me dritën që ajo solli në ekran, në skenë, në kujtesën dhe
ndjesinë kolektive të artit shqiptar, të atij arti, i cili pavarësisht trysnisë
ideologjike dhe diktatit të mbikqyrjes, mbeti i madh, sepse u mëkua nga
shpirtra të mëdhenj dhe pasione të fuqishme.
Roza
është një nga ato figura të rralla që nuk luajnë role, por i bëri ato të jenë
jeta e saj. Ajo hyri në çdo personazh me praninë e saj të plotë shpirtërore,
duke e shkrirë veten në karakteret që solli në kinemanë shqiptare. Rolet e saj
nuk ishin thjesht krijime artistike, por gjendje njerëzore që ajo i jetoi me
përkushtim, me përvujtëri dhe me atë finesë të pashoqe që e bën aktoren e madhe
të mos interpretojë, por të rrëfejë vetë njeriun.
Ajo
nuk e përfaqësoi vetëm gruan shqiptare në periudha të ndryshme të historisë
sonë, por e sublimoi atë, në forcë, ndjenjë dhe dinjitet, në qëndresë dhe
integritet, në dashuri dhe përulësi, në heshtje që flasin dhe në buzëqeshje që
dhimbjen e kthejnë në dritë. Nëpërmjet saj, gruaja shqiptare mori zë, formë dhe
frymë.
Nga
mësuesja në “Detyrë e posaçme” (1963), te Filja në “Toka jonë” (1964), Rudina
në “Komisari i dritës” (1966), Vera në “Plagë të vjetra” (1968), Arta në
“Ndërgjegja” (1972), apo edukatorja në “Qyteti më i ri në botë” (1974), ajo
vizatoi me mjeshtëri të rrallë një mozaik ndjenjash e karakteresh. Me një
thjeshtësi mbretërore, Roza i dhuroi secilit rol frymë, shpirt dhe aromë
njerëzore, duke përputhur brenda tyre thelbin e vetes së saj, gruan e urtë, të
vendosur, të dashur dhe të ndershme.
Sa
më shumë që ajo u bë pjesë e filmit shqiptar, aq më shumë u pasurua vetë
historia e tij. Në çdo paraqitje, ajo solli një cilësi të re ndjenje e
komunikimi, një thellësi që i jepte jetës kuptim përmes artit. Në “Në shtëpinë
tonë” (1979), si mësuesja e përkushtuar, ajo mishëronte moralin dhe kujdesin e
kohës. Në “Mësonjtorja” (1979), si Dafina, ajo u shndërrua në simbol të
fisnikërisë së heshtur, një shkëlqim që mbetet vezullim edhe sot. Bardha në
“Dita e parë e emrimit” (1981), personazhet e “Rrugës së lirisë” (1982), Mrika
në “Besa e kuqe” (1982), Luli në “Taulanti kërkon një motër” (1984), janë faqe
të një albumi të artë ku secili rol bart dritën e shpirtit të saj.
Rrugëtimi
i saj artistik vijoi me përkushtim e dinjitet, duke skalitur në kujtesën e
filmit shqiptar figura të paharruara: në “Vrasje në gjueti” (1987), në “Familja
ime” (1987), si doktoreshë Besmira Haxhiraj në “Botë e padukshme” (1987), si
Adelina, gruaja e Emilit, në “Rikonstruksioni” (1987), apo si nëna që ka humbur
vajzën në “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989), sipas romanit të Ismail
Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në
këto role, ajo e shndërroi dhimbjen në poezi, dramën në dëshmi, ndjenjën në
kujtesë. Çdo personazh i saj kishte një thellësi që buronte nga përjetimi, nga
përkushtimi i një artisteje që dinte të rrinte në dritë pa e kërkuar atë.
Drita
në “Vetmi” (1990), “Valsit të Titanikut” (1990), dhe më vonë në rolin e nënës
së Abazit te një nga veprat monumentale të kinematografisë sonë, “Gjoleka,
djali i Abazit” (2006), përbëjnë kulme të një jete të shenjtëruar artit.
Në
çdo etapë, Roza Anagnosti nuk ndryshoi, ajo u rrit në thellësi. E bukura e saj
u bë përmbajtje, drita e saj u bë kujtesë. Me një përulësi të rrallë, ajo i dha
kinemasë shqiptare jo vetëm artin e interpretimit, por edhe artin e qëndresës
dhe të fisnikërisë njerëzore.
Në
film pas filmi, ajo u bë fytyra e ndjenjës shqiptare, zëri i një kohe që tashmë
ka hyrë në legjendë.
Në
zërin e saj kishte butësi dhe peshë, në sytë e saj, një dritë që mbante brenda
tërë universin e një kohe. Ajo nuk interpretonte, por jetonte rolet. Dhe
ndoshta për këtë arsye, pas dekadash, Roza Anagnosti mbetet ende gjallë në
kujtesën tonë, jo si një emër, por si një ndjenjë.
Sot,
në këtë përvjetor të bukur, ne përulemi me respekt përpara një zonje të artit,
një artistjeje që e bëri kinemanë shqiptare më të thellë, më të vërtetë dhe më
fisnike.
Foto
e rinisë, dëshmimi në celuloid i një kohe pa kthim, aradha e vajzës që sfidoi
me talent dhe kumtin interpretues që spikat, janë tërësorja e një kujtese dhe
urimi, sot në ditëlindjen e Roza Anagnostit. Vajza që nuk u mjaftua vetëm me
privilegjin e natyrës, por kërkoi që këtë lëndë të nyjshme ta shndërronte në
formatin e një identiteti artistik, që në kohëpaskohje erdhi duke u
kristalizuar për t’u bërë një nga emblemat më fisnike të artit tonë skenik e
kinematografik.
Roza
ishte dhe mbeti e bukur, jo vetëm në fotografi, por në skenë dhe në jetën e
përditshme. Vajzë e dlirë dhe grua e përkorë, aktore e talentuar dhe
bashkëshorte e denjë e një regjisori të madh, ajo luftoi, u përpoq, sfidoi dhe
arriti. I’u dorëzua artit me shpirt e me mish, duke i dhënë jetës një kuptim të
vetëm: të shërbejë përmes interpretimit, përmes përjetësimit të ndjenjave dhe
karaktereve që mbetën në kujtesën e një kombi.
Ajo
është një hir që koha nuk e zbriti dot nga piedestali, edhe pse vitet kanë
rishkruar në dritat e skalitura të frymës portretin e Rozës artiste. Bukuria e
saj nuk qëndron vetëm në pamje, por në qëndrimin ndaj jetës, në fisnikërinë e
heshtur me të cilën përballoi sfidat, në përulësinë me të cilën e lartësoi
artin.
Sot,
në 82-vjetorin e lindjes së saj, ne përulemi me respekt përpara një figure që
mbetet një monument gjallërie, përkushtimi dhe dashurie për artin. Roza
Anagnosti është një nga ato emra që nuk i përkasin vetëm kujtesës, por edhe
ndjenjës kombëtare. Ajo është shenjë e asaj kohe kur arti ishte akt
përkushtimi, jo lavdie.