Mendime
Ndue Dedaj: Kompleki i asaj çka (s')ke qenë dje
E diele, 07.09.2025, 06:58 PM
KOMPLEKSI I ASAJ ÇKA (S’)KE QENË DJE
(Në
vend të një eseje)
NGA
NDUE DEDAJ
Ka
35 vjet që një kategori njerëzish përpiqen dita-ditës të “shpikin” një vete
tjetër, nga ajo ç’kanë qenë realisht. Nuk ndihen rehat para shoqërisë së sotme
me veten e tyre dje, prandaj gjejnë detaje, episode, qendrime që kinse i
tregojnë demokratë, paçka se nuk kishte demokraci. Për ndonjë shkrimtar me jetë
të patrazuar në të shkuarën, thuhet se ai në monizëm ishte rebel. Rebel për
çfarë? Kur?... Si?.. Doemos që kishte artistë rebelë, por ata ishin në Spaç.
Nuk i bën nder një artisti ky “marketing” në opinionin publik, përpos atij që
ishte sak i tillë. Fundja rebel është njeriu si qenie sociale dhe jo artisti në
vetevete. Ai shkruan, këndon, pikturon pa qenë rebel. Arti ka të tjerë
përcaktime, i talentuar ose jo etj. Është një dukuri e përgjithshme. Na ka
kapluar sindroma e të qenit “disident”, ndaj çfarë nuk tregojmë se si ia kishim
me “hile” Partisë, se ia punonim asaj pas shpine, se si ia fusnim ujët në
rrogoz pa e kuptuar, kur ajo kontrollonte dhe ëndërrat që ne shihnim! Broçkulla
të tilla thuhen pa iu skuqur fytyra atij që rrëfen për veten në ekran, apo
shkruan në letër për “Belulin”, a thua se kujtesa e të tjerëve ka vdekur...
Dita-
ditës lexon kujtime të shpëlara nga e kaluara e afërt dhe të vjen të qeshësh.
Disa ish - nëpunës me tesër partie në xhep, me përgjegjësi të ndryshme në
administratën shtetërore, në sektorë si industria, arsimi, kultura, shëndetësia
etj., kur rrefejnë nga e kaluara moniste, nuk e kanë për gjë të na “mbushin
mendjen” se ata, për sektorët ku ishin përgjegjës, nuk i pyesnin sekretarët e
parë, nuk i pranonin ndërhyrjet e tyre, pasi këta, domethënë përgjegjësat na
ishin më parimorë e kompetentë se të “zotët”, që i kishin emëruar në ato
poste?! Jo vetëm që sekretarët e parë i urdhëronin, por dhe sekretarët e dytë e
sekretarët e tretë i thërrisnin në zyre sa herë t’ua donte qejfi! Gjithçka
ishte e centralizuar. Piramida dihet si funksiononte, nga lart poshtë. Byroja e
Partisë së rrethit merrte vendim që të tejkakohej plani i prodhimit të kromit
apo bakrit dhe ti si specialist nëntoke, përgjegjës apo drejtor në sektorët e
industrisë do ta bëjë natën ditë për ta përmbushur atë detyrë dhe kur ishte e pamundur.
Bujqësia ishte çështje e të gjithë popullit, ndaj ec e mos dil në aksion
vullnetarisht për korrjen dhe zhveshjen e misrit, nga nxënësit e shkollave deri
te punëtorët e gjeologjisë, ndërtimit, rruga-urës, komunales, postës etj.
Seksioni i arsimit do të shkonte se s’bën në komitetin e Partisë me listën e
maturantëve në dorë dhe do t’iu vinin ata vizë atyre që u ndalohej shkollimi i
lartë për shkak të biografisë. Gjithë repertorin e festivaleve do ta miratonte
Partia, varg për varg e strofë për strofë, pavarësisht specialistëve të artit
dhe shefave të kulturës. Atëherë si mund të thuash, ai ishte themeluesi i
gjimnazit të qytetit, ai tjetri i spitalit të rrethit, i postë-telegrafës,
artizanatit etj; jo, asokohe kishte vetëm një themelues të ndërmarrjeve dhe
enteve të tjera, që ishte Partia. Nuk ishte themelues as ministri, që
nënshkruante hapjen e këtyre institucioneve, pasi ato bëheshin me vendim të
Këshillit të Ministrave etj. Nuk kishte një individ që kishte krijuar
Universitetin e Tiranës, që të kishte një të tillë të gjimnazit “Sami
Frashëri”, “Qemal Stafa”, “28 Nëntori” etj. Ishte tjetër shkolla e dikurshme
“Harry Fultz”, apo shkollat e sotme private, ato dhe mund të kenë individë
themelues.
Nuk
është si të luash “cic - mic” me shokët e lagjes, kur është fjala për meritat
tua apo të dikujt tjetër. Nuk mbetesh “themelues”, se ta shkruajnë miqtë në
biografi, në rrjetet sociale, pasi arkivi është plot me dokumente, që e thonë
qartë se kur u mor vendimi për të krijuar këtë apo atë institucion. Drejtori i parë
nuk është themeluesi, por zyrtari i parë i emëruar nga pushteti për atë post,
kryekrejet për besueshmërinë politike, pastaj për aftësitë drejtuese, si dhe
sot në vitin 2025. Me këtë logjikën e “sipërmarrjes private”, sa u përket
institucioneve të djeshme shtetërore, i bie që ndokush të jetë dhe themeluesi i
burgut të Burrelit, Bulqizës, Spaçit, Bençës etj., por nuk kemi parë asnjë
person që t’iu dalë përzot si “themelues” atyre, për më tepër të krenohen me
to. Në rrafshin e kuturës ka pasur “themelues”, në një kuptim tjetër, artistë
të shquar vërtetë nuk i kanë krijuar formacionet artistike, por ata iu kanë
dhënë atyre emrin e tyre. Tefta Tashko e krijoi këngën qytetare pa pasur
institucion zyrtar të saj. Festivalin e këngës në Radio - Televizion nuk e ka
krijuar zyrtarisht Vaçe Zela, por ai nuk mund të kuptohet pa këngën e saj.
Ansambli folklorik i Pukës nuk mund të mendohet pa çiftelinë e Ndue Shytit, por
as Ansambli i Shtetit, që ky isntrumentist i rrallë e bëri fitues në Dizhon
etj. Teatri Kombëtar nuk mund të imagjinohet pa fytyrën e Kadri Roshit, ashtu
si kinemaja shqiptare pa Sandër Prosin etj. Lasgush Poradeci nuk ishte më pak
kur e mënjanuan nga Lidhja e Shkrimtarëve e as Sejfulla Malëshova kur e hoqën
nga ministër. Por tjetër janë këto profile të larta dhe tjetër përgjegjësit që
iu kanë firmosur atyre rrogat. Nëpunësia është shërbim dhe jo mision, ndaj prej
saj nuk pritën “shenjtorë” të vetëshpallur.
Doemos
që në gjithë atë ngrehinë të socializmit real ka pasur njerëz të pushtetit që
kanë bërë ndera në emërime, shkollime, punësime, transferime, por gjithnjë me
lejen e Partisë, rast pas rasti. Pse të mos thuhen gjërat me emrin që kanë!?
Edhe autori i këtyre radhëve është ndihmuar jo nga një, por nga disa individë
me pushtet, të cilëve u është dhe sot mirënjohës, por asnjëri nga ata nuk e ka
treguar vetë “bamirësinë” e bërë në atë kohë. Shoqëria nga natyra është humane,
njerëzit e kanë prirjen e lehtësimit të barrës së tjetrit, kur ai gjendet në
vështirësi, bërjen e nderave, por dhe krijimin e favoreve për miqtë e të
afërmit përmes afërsisë me pushtetin. Në thelb, kjo e fundit tregon se kemi të
bëjmë me një shoqëri të pabarabartësh para ligjit, por kjo do të kërkonte
shtjellim.
Zyrtarët
që kanë qenë pjesë e aparatit shtetëror në atë kohë kanë sigurisht shumë gjera
për të treguar, veçanërisht ata që kanë drejtuar në miniera, ndërtim,
kombinate, ekonomi, transport etj., pasi kanë bërë sakrifica plot për të
realizuar planin e shtetit. Ka pilotë, mjekë, infermierë që kanë dhënë jetën e
vet mes suferinës së Llogarasë, apo rënë mbi Adriatik, për të shpëtuar jetën e
të tjerëve. Ka pasur mjekë që kanë shërbyer me vite në fshatra të thellë.
Mësues të shumtë nga qyteti që janë plakur në malësi. Specialistë të ndryshëm
që kanë punuar në veprat hidroenergjetike larg familjes etj. Ka pasur
inxhinierë dhe drejtues minierash që e kaluan jetën nëntokë, duke u sëmurë dhe
ata nga silikoza si minatorët. Këto po, kanë kuptim dhe interes publik të
thuhen, pasi t’i shërbesh atdheut nuk është e tepër sot as kurrë, por jo të sajohen
“heroizma” rreth sjelljes dhe qendrimit vetjak.
Se
është dhe ana tjetër e medaljes. A je ti komunisti fanatik, aspak liberal që i
ke vënë kusht familjes që bënte dasëm në fshat “o dal unë, o të dalin të
prekurit politikisht”, ku sigurisht janë përzënë këta të fundit? A je ti
mësuesi militant që e ke nxjerrë para klasës fëmijën që kishte shkuar tinëz te
dajat për Pashkë, kur ato nuk kremtoheshin më? Bile, në emër të Partisë, i ke
dhënë dhe një shpullë atij fëmijës? Po demaskimet në mbledhjet e Frontit? E sa
e sa të tjera qendrime “parimore” si këto, pa shkuar te dëshmitarët në gjyqet
politike, që sigurisht nuk kishin rënë nga qielli, por ishin mes nesh. Pse të
mos themi se kishte të zellshëm, që për t’i hyrë në qejf Partisë, sajonin gjëra
të paqenë kundër atyre që i kishin inat. Kishte individë që hakmarrjet e tyre
personale arrinin t’i realizonin përmes shtetit. Siç kishte njerëz të lindur
për të bërë mirë. Apo të tjerë indiferentë. Mirësia është virtyt, e ke ose nuk
e ke. Lëreni të tjerët të flasin për ju, prindërit apo familjet tuaja, ata që
nuk jua përkëdhelin sedrën e mbajnë me hatër. Ata nuk ua hanë hakun, si kur ju
lavdërojnë, ashtu dhe kur mund të kenë ndonjë qortim. “Babai yt polic nuk
kishte mundësi tjetër, ama sapo iu krijua rasti, m’i liroi paksa prangat në
duar”, i thoshte dikush dikujt. A nuk mjafton kaq për të birin? Këto janë më
shumë se dekoratat e medaljet e kthyera në rutinë.
Nuk
duhet me pas qenë patjetër kryetar kooperative i tipit të lartë apo tipit të
ulët, ushtarak i lartë divizioni apo oficer i thjeshtë batalioni, drejtues
shkolle fshati apo funksionar publik qyteti etj. me pas se çfarë me shkrue,
askush nuk është i privuar nga kujtimet, por nga mburrjet dhe tepritë po. Ka
pasur një armatë njerëzish pa grada, minatorë, sondistë, muratorë, metalurgë,
montatorë, peshkatarë, agronomë, veterinerë, bujq, barinj, blegtorë,
kooperativistë, pylltarë, druvarë, shoferë, njerëz të pabujshëm, që kanë punuar
shumë e janë paguar pak dhe kanë se ç’thonë për sakrificat e punës në një
sistem shoqëror të “vullnetarizmit” të detyruar. Këta sot janë harruar, a thua
se nuk kanë ekzistuar, për ta nuk ka shkrime dhe kujtime, pasi këta nuk ishin
në supërstrukturë!? Këta nuk dalin në dokumentarët e parapaguar, kopertina
librash të porositur, pasi mendësinë e sotmme, këta nuk kanë qenë “dikushi” si
disa biçim shefash gjysmanalfabetë, që kanë bërë “emër” dhe në këtë kohë, duke
u kacavarur pas politikës etj.
Kompleksi
për të qenë ai që nuk ishe, si duket është historik, përderisa kur njeriu
ndahet nga jeta, vajtimoret kërkojnë veprat, si “gjyqtar i venue” etj., që i
ndjeri nuk i kishte në të gjallë. Përndryshe është kompleks i “njeriut të ri”,
i cili është i mbrujtur me psikozën e lavdisë. Ai vetiu ndihet ngapak “hero”.
Ky kompleks shihet dhe në këngët që sot këndohen, për persona të familjes,
kinse ishin ndera e fisit, katundit dhe bajrakut. Në shoqëritë moderne njerëzit
nuk shtirën, por pranojnë veten ashtu siç janë, bile shpesh e projektojnë atë
në prizmin e autoironisë. Kjo nuk ua ul figurën, por i bën më njerëzorë dhe
aspak hipokritë. I bën të vërtetë në radhë të parë ndaj pasardhësve të tyre, që
përgjithësisht nuk e durojnë llakun mbi flokët e zbardhur të etërve të tyre, të
etur për lavdi. E keqja s’mbetet me kaq, por kjo kategori egoistësh kërkon
ndihmës (shkrues) për ta leçitur “famën” e vet dhe në kohën e sotme të tillë
gjen me lehtësi, që nuk e kanë për gjë të të mbulojnë me lëvdata, që askush nuk
i merr seriozisht.
Në
psikologji komplekset janë gjithfarë llojesh, që nga fillesa e shoqërisë
njerëzore, por ky kompleksi shqiptar i të “ngrënit” të sapunit për djathë është
vërtet komik dhe i “pashërueshëm”, që nesër do të zhgënjejë dhe vetë egoistët e
pandreqshëm, pasi do ta kuptojnë se nuk mjafton fotografia në “tabelën” e
emulacionit demokratik për të mbetur në histori...