Kerko: a
Xhelal Zejneli: Zjarre apokaliptike në botën shqiptare
E marte, 19.08.2025, 06:59 PM
ZJARRE
APOKALIPTIKE NË BOTËN SHQIPTARE
Zjarrfikës,
ju heronj të luftës me flakët, e gëzoni
respektin e thellë të kombit!
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Krahas investimeve në mbrojtje nga
rreziku rus, Evropa duhet të përgatitet edhe për luftë kundër zjarreve. Këtë ia
imponojnë ndryshimet klimatike. Evropa Jugore në flakë. Zjarret përfshijnë
vende të rajonit mesdhetar, si Qiproja, Greqia, Turqia, Spanja, Portugalia,
Franca, Italia. Flakë dhe tym të zi kemi në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi,
në Maqedoni, në Bullgari etj. Zjarr dhe erëra të forta. Mesdheu përballet me
temperatura të larta që arrijnë deri në 45°C.
Shqipëria në luftë me zjarret. Atdheu
nën flakë. Mëmëdheu digjej. Situatë dramatike e shkaktuar nga zjarret, situatë
alarmante. Tokë e djegur, shtëpi të shkrumbuara. Gjendja përkeqësohej nga
erërat e forta dhe nga temperaturat e larta. Zjarri nuk kurseu natyrën, jetën,
kafshët. Zjarri la pas një peizazh të djegur. Zjarrfikësit në luftë me flakët.
Krahas tyre, në këtë luftë janë përfshirë edhe njësi të forcave të armatosura,
njësi të policisë, por edhe vullnetarë. Digjen pyje, kodra, zabele, gërxhe, bjeshkë,
kullota, stane, pisha, ullishte, pemë frutore, koshere bletësh, bletë, stalla,
shtëpi, një kishë, vreshta, rrjet ujësjellësi, bimësi, bimë foragjere, ushqime
rezerve për kafshët. Janë djegur rreth 4 mijë kafshë shtëpiake - bagëti e imët,
grigja (tufa dhensh, kope), derra, bagëti e trashë, lopë, viça, mëzetër, qe,
gomarë, kuaj. Është djegur flora, fauna, kafshë të egra, shpesë, thëllëza,
zogj, kunadhe (shqartha), kaproj, dhi të egra, lepuj, ketra, mace të egra,
këlyshë, derra të egër, arinj, dhelpra, ujqër, habitate, etj.; asfiksim nga
tymi, një viktimë. Të mos vijë puna të përflaken edhe kreshtat, vendbanime të shqiponjës,
simbolit të shqiptarisë. Shqiponja, kjo sundimtare e qiellit!
Për pësimin e bagëtisë, përkatësisht të
kafshëve të pyllit, duhet të reagojnë edhe shoqatat e mbrojtjes së kafshëve.
Duhet të ndalohet ruajtja e bagëtisë nëpër zona të cilat potencialisht
rrezikohen prej zjarreve. Shfrytëzoje kalin apo gomarin vite me radhë nëpër
terrene të vështira kreshtash dhe katundesh, që në fund të digjen të gjalla.
Mili lopët dhe delet vite me radhë që edhe ato më në fund të përzhiten të gjalla.
Klithmat e dhimbshme të tyre duhet të trazojnë ndërgjegjen e shoqërisë!
Për fat të keq, në këtë pjesë të
kontinentit të vjetër, zjarre do të ketë prore. Në një moment të caktuar ka
pasur 50 vatra zjarri. Më 11 gusht të vitit në vazhdim kanë qenë vepruese 40
vatra zjarri. Një ditë më vonë, 50 vatra prushi dhe flake.
Shqipëria u përball me një situatë të
rënduar zjarresh. Në disa qarqe të saj u evidencuan mbi 20 vatra. Për mbrojtjen
e zonave të banuara dhe për krijimin e perimetrave të sigurisë përreth vatrave
më problematike u angazhuan maksimalisht zjarrfikësit, Forcat e Armatosura,
forca të policisë së shtetit dhe vullnetarë. Operacionet u ndërmorën nga toka
dhe ajri. U vunë në veprim edhe helikopterë dhe avionë. Forcave shqiptare iu
bashkuan edhe dy helikopterë të Forcave Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe
dhe mjete fluturuese nga Greqia, Çekia,
Sllovakia, Italia, Kroacia, Bullgaria. Malet hijerënda të kombit nuk
duhet lejuar të shkrumbohen!
Heronj të këtyre ditëve zhuritëse dhe
përcëlluese janë zjarrfikësit. Para sakrificës së tyre përulet një komb i tërë.
Ka zjarre të shkaktuar prej zjarrvënësve
të qëllimshëm. Ka piromanë që ndezjen e zjarreve e
kanë sëmundje shpirtërore. Ndaj tyre duhet të merren masa ligjore. Kush janë
këta që djegin të ardhmen e një populli. Malet u përkasin brezave të sotëm dhe
atyre që vijnë. Mos vallë midis tyre ka edhe ndonjë mercenarë, në shërbim të
dikujt?! Kush ua vë flakën maleve të Shqipërisë, hijeshisë së të cilave, me aq
dashuri e mall u këndoi qysh para 145 viteve bilbili i gjuhës sonë. “O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e
gjatë”
* * *
Shqipëria dhe Kosova s’kanë mjete ajrore për shuarjen
e zjarreve – Për ndërhyrje
nga ajri u vunë në veprim avioni Canadair kroat; dy helikopterë të Forcës Ajrore
të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 canadair
nga Greqia, dy helikopterë të
mekanizmit evropian nga Çekia dhe Sllovakia etj. Kanaderi është
hidroavion i specializuar për shuarjen e zjarreve në male dhe në terrene të
padepërtueshme. Sipas të dhënave të vitit 2017, çmimi i kësaj fluturakeje ka
qenë rreth 30 milionë euro. Këtë lloj hidroavioni e kanë poseduar kryesisht
shtetet e mëdha detare në të cilat brenda vitit zjarret kanë qenë të shpeshta.
Kanaderit i nevojitet sipërfaqe ujore e madhe për t’u ulur, për ta mbushur
rezervuarin e vet me ujë dhe për t’u ngritur në ajër. Pengesa mund të jenë
urat, digat, niveli i ulët i ujit, etj. Për ta drejtuar kanaderin nevojiten
stërvitje të veçanta dhe licenca. Sipas të dhënave të vitit 2017, një orë
fluturimi të kanaderit ka kushtuar 7.000 euro. Gjatë fluturimit, kanaderi mund
të marrë nga sipërfaqja e ujit rreth 5,5 tonë ujë, për ta derdhur pastaj
përnjëherë mbi zjarr, si bombë uji.
Këta avionë të verdhë i ka prodhuar firma kanadeze “Canadair”, nga ku e kanë
marrë edhe emrin.
Avionët për shuarjen e
zjarreve kanader nuk prodhohen më. Fluturaket që i zëvendësojnë kushtojnë 50
milionë euro. Kanaderët e fundit (Canadair Bombardier CL 415) janë livruar në
vitin 2015. Prej atëherë ky aeroplan kundër zjarrit nuk prodhohet më, kurse për
ta blerë pasardhësin e tij DHC 515 të cilin momentalisht e ofron firma kanadeze
De Havillend Aircraft Ltd, blerësi duhet të paguajë rreth 50 milionë euro. Për
shkak të kërkesës së madhe blerësi nuk mund ta marrë avionin para viti 2030.
* * *
ZJARRET NË KOSOVË – Sipas Agjencisë
së Menaxhimit Emergjent, më 11 gusht të vitit në vazhdim në Kosovë janë
regjistruar 38 vatra zjarri. Prej tyre, vepruese kanë qenë 24 vatra. Kosova nuk
posedon helikopterë për shuarjen e zjarreve. Për t’i shuar zjarret gjithmonë
ndërhyn KFOR-i. Kosova nuk ka kompetencë dhe nuk është përgjegjëse për
hapësirën e saj ajrore. Për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës përgjegjës
është misioni i KFOR-it. Sidoqoftë, Kosova duhet të ketë helikopterë për
Ministrinë e Mbrojtjes, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për Ministrinë
e Shëndetësisë.
* * *
Fjala
“zjarr” të përkujton romanin “Zjarr në kadastër” ((Incendio al catasto, Vallecchi, Firence, 1956), të shkrimtarit
italian Karlo Montella (1922-2010).
Në vitin 1998 Montella përjetoi një tragjedi familjare. Për të mbrojtur
sigurinë e gruas së tij Anna, ai vrau djalin e tij Claudio i cili vuante nga
probleme mendore.
* * *
Helikopterët dhe avionët për shuarjen e
prushit nuk blihen duke harxhuar para për punë më pak të rëndësishme,
përkatësisht dytësore. Shtetarët shqiptarë duhet t’i reduktojnë udhëtimet nëpër
botë. Ka udhëtime të kota, të panevojshme, jo të domosdoshme dhe të
kushtueshme. Politikanët shqiptarë nuk duhet të merren me politikë botërore apo
me politikë të madhe. Bota shqiptare është e vogël për t’u marrë me politikë të
madhe dhe për të ndërtuar politikë botërore.
Udhëheqësit shqiptarë duhet të merren
me problemet konkrete të shtetit dhe të popullit. Qytetarët shqiptarë duhet të
ndihmojnë në pajisjen e mëmëdheut me fluturake anti-flakë dhe jo të bëjnë dasma të shtrenjta glamuroze, plot
salltanet, me numër të madh të ftuarish, të bëra me para të dyshimta që s’u
dihet burimi. Dasma me disa grupe muzikore dhe me këngëtarë të shtrenjtë. Ndodh
që gjatë dasmës këngëtarin apo këngëtaren ta mbulojnë me euro, me franga
zvicerane, me dollarë. A e kujtojnë të rinjtë dhe prindërit e tyre se dasma
soset kurse jeta vazhdon. Ç’do të hajë familja pas dasme po qe se energjitë e
veta i shter në ceremoninë martesore?!
Meshkuj të do fshatrave me dekada
punojnë në Kroaci si ëmbëltorë, byrektorë dhe bozaxhinj. Ka ndodhur që gjatë
dasmës vjehrra t’ia stolisë nuses me flori edhe gishtërinjtë e këmbëve?! Duket
e pabesueshme. Ka pasur raste kur dasmori e ka marrë nusen e të birit me
helikopter. S’kemi helikopter për shuarjen e zjarrit, por kemi të tillë për ta
marrë nusen. Në botën shqiptare ende ka raste kur dasma zgjat rreth dhjetë
ditë. “O tempora, o mores!”
Shqiptarët s’kanë asnjë hidroavion, kurse nuses i blejnë veshje
të shtrenjta, dimi të punuara me fije të praruara (sërma), dimi me bikme,
kaftane, mitanë të punuar me fije të praruara, stoli ari në një kohë kur ky
metal i çmueshëm ka arritur çmime astronomike. Disa nga fustanet e saj që kanë
kushtuar mijëra euro, nusja i veshën jo më shumë se dy-tri herë në jetë.
Ceremoni martesore të kushtueshme, përfshi edhe natën e beqarisë. Ka raste kur
për dasmën e madhe të të birit, dasmori merr kredi bankare me normë të lartë
interesi. Mendësi provinciale, primitivizëm, garë se kush do të jetë i pari i
lagjes, i mëhallës, i fisit, i katundit, i provincës. Këtu kemi të bëjmë edhe
me tjetërsimin e individit.
Kanaderë s’ka, por ka me të madhe
ceremoni fetare, pelegrinazh, pushime vjetore të kushtueshme nëpër vende
ezoterike, edhe pse natyra i ka dhuruar Shqipërisë dy dete. Po ta llogaritësh çmimin e
pelegrinazhit dhe numrin e pelegrinëve, do të rezultojë një shumë e konsiderueshme
mjetesh financiare. Kujt i duhen veturat
e shtrenjta në shtetet shqiptare ku s’ka numër të mjaftueshëm parkingjesh,
ku shumë rrugë nuk i plotësojnë kriteret për t’u quajtur të tilla?! Aty ku ka
provincializëm, ka edhe snobizëm. Aty marrin hov kiçi dhe
shundi.
S’blihen dot fluturake për mbrojtjen e
pyjeve me muzikë pornografike, as me programe televizive reality show, me festivale muzikore të kushtueshme, me skena
muzikore si të San Remos, me veshje të shtrenjta, me dieta dhe mëditje të
pamerituara të deputetëve dhe të pushtetarëve. S’blihen jo, me mungesë ndjenje
të modestisë, me gra pushtetarësh që porositin veshje dhe preparate grymi prej
Parisi dhe Rome. Ç’duan të tregojnë ato me veshjet dhe pamjet e tyre, me çantat
e shtrenjta lëkure krokodili? A e dinë ato se Shqipëria dhe Kosova janë dy
shtete me shkallë ekonomike më të ulët në Evropë?!
Mjetet ajrore kundër flakës nuk blihen
duke vjedhur atdheun. Kanë vjedhur: gjyqtarë, prokurorë, avokatë, hetues, doganierë,
policë, përgjegjës të sektorit të urbanizmit, shefa të auto-shkollave,
infermierë, mjekë, kirurgë, profesorë universiteti, kryetarë bashkish, kryetarë
komunash, gra kryetarësh bashkie, ministra, deputetë, gra ministrash, gra
deputetësh, pushtetarë nivelesh të ndryshme, djem, vajza, dhëndurë, reja
politikanësh. Abuzimet, korrupsioni, veprimet e paligjshme, të kundërligjshme
arrijnë majat e pushtetit - vendor dhe qendror. Për veprime të paligjshme
akuzohen politikanë, përkatësisht ish-politikanë të nivelit më të lartë të
shtetit. Mitë, ryshfet, ndërtime pa leje. Uzurpim hapësirash publike, plazhesh,
trotuaresh, pedonalesh, parqesh.
Vila të shtrenjta të ndërtuara me
paratë që i janë uzurpuar këtij populli të lodhur. Vila të shtrenjta në një
vend ku një pjesë e popullsisë jeton në kushte ekonomike të vështira, ku
pensionet janë sa ndihmat sociale, ku ende ka paga me 300 euro. Kur veprimet e
kundërligjshme rrokin majat e shtetit, mos prit që shteti të ketë mjete
zjarrfikëse ajrore.
Abuzimet e përmasave të këtilla t’i
përkujtojnë vendet e Amerikës Latine të viteve ’50 të qindvjeçarit XX. Flakët e
kreshtave s’luftohen dot me imoralitet.
Kujt i duhen lobimet në ShBA për t’u fotografuar me njerëz eminentë të politikës
amerikane, lobime që kushtojnë qindra mijë dollarë?! Ç’duan të tregojnë ata me
fotografi të tilla? Kë duan ta mashtrojnë? Kujt duan t’i hedhin hi syve? A e
dinë ata se dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova nuk prodhojnë gjë për
eksport, përpos ullinjve, domateve, patateve.
Shqipëria eksporton bimë mjekësore, perime të freskëta dhe
të përpunuara, vajra esenciale, shalqinj, pjesë të brendshme bagëtie, peshk të
konservuar dhe lëkurë të papërpunuar.
Mjetet ajrore kundër zjarrit nuk blihen
duke e vjedhur shtetin dhe duke i detyruar të rinjtë t’i braktisin trojet
amtare.
* * *
Në shoqërinë shqiptare mungon mendimi
kritik. Mungon gjykimi dhe veprimi racional,
i arsyeshëm.
Aty ku mungon mendimi kritik, shoqëria nuk përparon.