Kerko: a
Albert Vataj: Cangue, dëshmi e një bote ku drejtësia ishte spektakël, poshtërim, edhe dhimbje
E premte, 27.06.2025, 06:54 PM
Cangue, dëshmi e një bote ku drejtësia ishte spektakël, poshtërim, edhe dhimbje
Nga
Albert Vataj
Nën
diellin e pashpirt dhe vështrimin e pandjeshëm të turmës, gjashtë figura
njerëzore, të braktisura nga mëshira dhe nga hija, mbajnë mbi supe jo vetëm
peshën e një jake prej druri, por edhe barrën më të rëndë që njeh shoqëria
njerëzore, poshtërimin publik. Kjo ishte Cangue, një mjet ndëshkimi në Kinën
tradicionale, ku shtrëngimi nuk ushtrohej vetëm mbi trupin, por mbi
ndërgjegjen, mbi nderin, mbi dinjitetin e një qenieje të rënë në mëkat.
E
krahasueshme në funksion me prangat evropiane që vendoseshin në sheshet e
qyteteve, Cangue nuk kufizonte vetëm lirinë fizike ajo ishte një dritare e gjerë për shikimin e
të tjerëve, për përçmimin e tyre, për heshtjen gjykuese që lëndon më shumë se
britma. Në këtë lloj ndëshkimi, burgu nuk kishte mure, por turpi kishte
horizont. Turpi bëhej vendi ku jetonte dënimi, dhe dënimi bëhej spektakël për
shoqërinë.
Ky
ritual i ligjit tradicional, i mbështetur mbi moralin konfucian, kishte për
qëllim jo vetëm të ndëshkonte fajtorin, por edhe të riedukonte masën, duke i
kujtuar me shembull të gjallë çmimin e mosbindjes.
Aty
ku në Perëndim faji shlyhej në errësirën e qelisë, në Lindje ai ekspozohej nën
dritën e syrit kolektiv.
Pas
Revolucionit të vitit 1911, kur Kina nisi rrugën e gjatë drejt modernizimit dhe
sekularizimit të ligjit, nacionalistët e shpallën këtë dënim si një relike të
errët të së kaluarës. Cangue u shfuqizua, por kujtimi i saj mbeti – si një
dëshmi e një bote ku drejtësia ishte edhe spektakël, edhe dhimbje, edhe
moralizim.
Sot,
ajo mbijeton vetëm në piktura, fotografi të zverdhura dhe në shënime
antropologjike. Por kujtesa e saj na fton të mendojmë: A është më njerëzore
drejtësia e heshtur në errësirë, apo ajo që ndodh përballë syve të të gjithëve?
Dhe a ka ndonjë formë moderne të Cangue-s që ne e pranojmë pa e kuptuar, në
rrjetet sociale, në opinionin publik, në linçimin dixhital?