Kerko: a
Gani Mehmetaj: Dardaninë e çliruan ushtarët e NATO-s
E enjte, 12.06.2025, 06:55 PM
Dardaninë e çliruan ushtarët e NATO-s
Shkruan:
Gani Mehmetaj
Dardaninë
e çliruan ushtarët e NATO-s: anglezët, amerikanët, gjermanët, francezët,
italianët, norvegjezët, suedezët. Ishim dëshmitarë të kësaj ngjarje më të madhe
në njëqind vjeteshin e fundit. Qindra filmime, raporte televizive të mediave më të mëdha botërore, e dëshmojnë
këtë ngjarje epokale, që nuk do të harrohet kurrë. Nuk do t’ua harrojmë aleatëve
që na shpëtuan nga shfarosja.
Filmimet
e hyrjes-çlirimit të Dardanisë nga ushtarët e NATO-s shpesh dalin edhe sot në
rrjetet sociale me gjerësinë e spektaklit, a me detajet e dorëzimit të ndonjë
njësiti serb (kujtoni pamjet në Prishtinë, Prizren, Pejë). Janë pamje të
papërsëritshme.
Ndërhyrja
e ushtarëve të NATO-s që të na shpëtojnë nga shfarosja, ishte përgjigje
përgjërimit të ish- presidentit Ibrahim Rugova, të përsëritur dhjetë vjet çdo
ditë, ishte përgjigje e masakrave serbe e mizorive të ushtrisë jugosllave ndaj
popullatës civile shqiptare.
Forcat
guerile shqiptare me siglën e UÇK-së, ku kishte grupime me përcaktime nga më të
ndryshme (FARK-u i Ibrahim Rugovës, guerilet e LPK-së, grupimet e pavarura të
djathta e të majta), luftuan, sakrifikuan, u vranë dhe u plagosën, por në
finale nuk arritën ta çlironin asnjë katund a qytet. Pati luftime heroike të
këtyre grupeve guerilje. Lavdi heroizmit të tyre, brezat nuk do t’i harrojmë.
Por me fuqinë e tyre ushtarake nuk mund ta çlironin Dardaninë.
Përkulemi
para burrave e grave që dhanë jetën për liri, që luftuan e sakrifikuan, ashtu
sikurse përkulemi para mijëra viktimave të luftës, burrave të masakruar e grave
të përdhunuara. Por kjo prapë nuk mjaftonte që ne ta çlironim vendin me forcat
tona. E kujtojmë sakrificën e Adem Jasharit dhe të familjes së tij, kujtojmë
edhe mijëra familje të tjera që u sakrifikuan, por grupimet e UÇK-së nuk patën
forcë t’i ndalnin përdhunimet, të mbronin popullatë e pambrojtur. Shpesh grupet
e tilla ia mbathnin nga katundi dhe e lenin popullatën në mëshirën e
kriminelëve serbë.
Nuk
duam të kujtojmë përçarjet brenda këtyre grupeve të UÇK, që rrezikonin të
shpërthenin në luftë civile, ashtu si shpërtheu lufta civile në mes të
partizanëve shqiptarë dhe nacionalistëve në Shqipërinë etnike me 1944-45, sipas
të njëjtit model veprimi e grupimi të Enver-Miladinit.
Treshja
Nano, Majko, Milo i nxiste në vëllavrasje grupet që i dirigjonte, por ishte
mençuria e Rugovës që nuk lejoi vëllavrasje.
Zhurmën
për kinse çlirimin e vendit nga UÇK-ja, shërbimi i tyre i propagandës e bëri për të arsyetuar plaçkitjet, zhvatjen e
pronave dhe të pasurisë kombëtare, në emër të meritave të luftës, sikur ata ta
kishin çliruar Gadishullin Ilirik a kontinentin tonë, ndërsa nuk arritën ta
çlironin as katundin e tyre. Është e dhimbshme të kujtohen pastaj vrasjet e
pasluftës, zhvatjet, kërcënimet e zhdukjet e kundërshtarëve politikë që të
hapnin rrugë për pushtet e zhvatje njëzetvjeçare.
Guerilja
shqiptare me siglën e UÇK-së nuk arriti të formonte ushtri, armatë. Organizimi
i UÇK-së ishte më i dobët se sa i forcave nacionaliste shqiptare që iu
kundërvunë partizanëve serbo-malazezë dhe ushtrisë jugosllave që e pushtoi
Dardaninë me 1945.
Forcat
nacionaliste shqiptare e humben luftën sepse nuk patën aleatë. SHBA, Britania e
Madhe, Franca nuk ishin në anën tonë, na lanë nën okupimin e Jugosllavisë.
Patëm tribunë ushtarak të tipit të Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Muharrem Bajraktarit, Gjon
Serreçit, Ymër Berishës, vëllezërve Kryeziu, Marie Shllakut e qindra të
tjerëve. Por nuk e kishim prapa SHBA-n, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë,
Gjermaninë, sikurse i patën tash.