Kerko: a
Bedri Tahiri: Komandant Ilaz Kodra – Ikonë e Trimërisë
E marte, 29.04.2025, 07:00 PM
Kalendari historik: 26-vjetori i rënies së Heroit Ilaz Kodra
KOMANDANT
ILAZ KODRA- IKONË E TRIMËRISË
Nga
Bedri TAHIRI
Mëngjes i bukur pranveror
Po agonte 30 prilli 1999. Rrezet e
diellit herak shigjetonin Majën e Zezë të Qyqavicës mitike. Një puhizë e hollë
freskuese rrëshqiste fare lehtas korijeve e monopateve të thata. Zogjtë ia
thoshin këngës ngeshëm duke krijuar një melodi magjepse e mjaft tërheqëse. Edhe
fluturat krahëlehta shëtisnin shkujdesshëm nëpër lulet vesëplote dhe hidhnin
valle lozonjare.
Por, ç’e do, ore lumë vëllai?!
Gjithë kjo bukuri e natyrës binte ndesh
me zemrat e thyera të njerëzve, që, fare të pashpresa, lëngonin e vuanin në
tokën e djegur shkrumb.
Në një bregore bleroshe, gjysmë të
zhveshur, mbi ca shkurre të prera moti, qëndronin ulur dy të rinj me uniforma
laroshe. Sa bukur u rrinin shqipet e lirisë në ballë e në krahë. Mitralozi e
automatikët me qyta hekuri u vezullonin në mes. Për çudi, nuk po flisnin fare.
Njëri, ai me sy zhbirues, të futur thellë në rrashtë e me një qëndrim mjaft të
matur, mbante një brisk në dorë dhe gdhendte lehtë- lehtë një bilbil lajthie.
Siç dukej mendjen s’e kishte atypari, por diku gjetkë. Tjetri, me një palë
dylbi të mëdha e të tejzgjatura, u kishte dhënë fre syve larg e larg, diku mbi
bjeshkën e Kosmaçit.
-Ç‘je fundosur aq thellë në mendime, o
Komandant?- foli ai duke i ulur dylbitë e duke i fshirë sytë e stërlodhur.
-Po si të mos thellohem, ore Ilir?!- ia
priti tjetri, pa e ndërruar pozicionin e pa e ndalur briskun e mprehtë anzë. Pasi
u mendua pakëz, drodhi kokën habitshëm dhe shtoi: Gjithë kjo popullatë e
paarmatosur dhe e pambrojtur gjendet para një tragjedie shfarosëse. Fati i tyre
mbështetet në duart tona. E vështirë qenka kjo. Ata shpresojnë te ne e
mundësitë tona janë të paketa për t’u dalë krahë. Të mjerët, po ma brejnë
shpirtin si sëmundja kanceroze. U bënë dy javë që po përpëlitemi me vdekjen e
sigurt. Jeta nën plumba qenka e rëndë dhe e tmerrshme. Edhe ata që arrijnë të
mbijetojnë do të ngelin me pasoja të përjetshme. Kjo e ligë do të lërë vragë të
pashlyera në mendjet e tyre për jetë të jetëve. Këto të zeza mendime po ma
çukisin kokën si korbat e zinj dërdëllisësh e nuk po më lënë të qetë,-
përfundoi ai, duke pështyrë me nervozizëm, gjë që ishte e pazakontë për të.
Rrethimi kobtar
Poshtë, Fushë-Molla, zu të gumëzhinte
si zgjua bletësh. Heshtja mbytëse u gris si daulle letre. Vaji i fëmijëve,
mallkimet e plakave flokëthinjura dhe rënkimet e të plagosurve përziheshin me
gurgullimën e lumthit, që mezi ia dilte mbanë gjithë asaj mizërie. Ah, e
bekuara Fushë- Mollë, që kur plasi lufta në Drenicë, nuk mbeti pa mysafirë.
Dhe, përherë të tillë: pleq, gra e fëmijë, të përndjekur e të uritur. Ishte
bërë strehë e të pastrehëve. Ngjante në një lëndinë lotësh a në sofër boshe
skamnorësh. Lindje e vdekje tok, të pandara, si vëllezërit siamezë. Edhe varret
e djepet përplot. Zanat flokëgjata nanurisnin e mëkonin kujdesshëm të
porsalindurit, ndërkaq krismat i burrëronin para kohe...
-Ai mali përballë, quhet Shkoza e
Vërbocit,- rrëfente qetas një plakë jetike e asaj ane, që goja i kishte mbetur
vetëm me një dhëmballë të nxirosur e që i lëkundej si kallami në ujë. Aty pat
qëndruar një kohë edhe Azem Bejtë Galica i plagosur për vdekje. Dhe, kur u nis
për në Shqipëri, këtu e la Zojën shtatzënë, e cila pas një jave e lindi
Azeminen...
-Zoti Komandant, edhe nga ana e xhamisë
po arrijnë përforcime të reja serbe,- raportoi rrëmbyeshëm ushtari zeshkan, i
cili erdhi me vrap dhe mezi ngopej frymë.
-Ju qëndroni nëpër istikamet tuaja dhe
mos u shqetësoni fare se s’kanë ç’të bëjnë të mallkuarit, jo,- foli ai
gjakftohtë, pa e prishur fillin e mendimeve torturuese.
-Vërtet, punën e kemi pisk,- bëri me
vete, pasi ushtari qe larguar tutje. Doemos duhej hapur shteg për të
pambrojturit. Nuk u besohet vrasësve të pashpirt. Keq, shumë keq, na kanë futur
në grackë. Edhe jeta mizerabele, pa bukë e pa strehë, na ka sfilitur fare. Të
plagosurit e të sëmurët nuk po përballojnë dot. Po të mos ishin kalamajtë e
padjallëzuar, që me çapkënllëqet e tyre po i japin pakëz gjallëri kësaj
skëterre të llahtarshme, shumica do të çmendeshin...
-Ngrihemi se u bë vonë, Komandant,- ia
priti tjetri,- se do të bëhet mirë, do të bëhet mirë, patjetër.
Dhe, kur dielli kishte arritur zenitin,
luftëtarët e lirisë kishin zënë vend nën hijen e lisit qindvjeçar. Me pushkët
në gjunjë e gjoksoret përplot, dëgjonin vëmendshëm Komandantin që nuk po ulej
dot:
-Djema, o sot, o kurrë!- zuri t’u flasë
ai mjaft bindshëm. Popullit i ka arritur laku në fyt. Është momenti i duhur ta
tregojmë veten se e meritojmë emrin e Komandantit legjendar Fehmi Lladrovci.
Ashtu veproi edhe ai, besnikërisht nderoi emrin e kryetrimit Azem Galica. Edhe
Xheva ripërtëriu amanetin e dadës Shotë. As ne nuk do të koritemi. Jo, jo. Të
luftojmë e të qëndrojmë si burrat, për jetë a vdekje. T’i shpëtojmë familjet
tona nga kthetrat e gjakosura të bishave karpatiane. Fitorja qoftë me ne!
Edhe të tjerët ishin të një mendjeje.
Të gjithë ishin trima e trimëresha që të merrnin gjak në vetull dhe i thoshin
vdekjes plaç!
Jetë e vdekje ballëpërballë
Pas pak, sakaq, lufta u ndez ashpër.
Armiku sulmonte furishëm nga të gjitha anët e me të gjitha mjetet. Mortajat,
minahedhësit, topat, pragat e mitralozat villnin mnershëm zjarr e helm
nepërkash. Dhe, ashtu, i hapnin rrugë këmbësorisë të tërbuar, e cila e
çakërdisur nga droga dozëfortë ulërinte drejt turmës së shastisur. Trimat ua
prenë rrugën, duke i kamxhikuar ashpër si dragonjtë kuçedrën shumëkrerëshe.
Beteja sa vete e ashpërsohej. Luftohej edhe nga afër, fyt më fyt e dhëmbë për
dhëmbë. Dheu i tokës mëmë zu të skuqej e bari i njomë pllakoste nga gjaku
rrëke.
-Ah, qyqet ne, qyqet, po ç’na duhet
jeta e zezë, kur lulet e rinisë po i lëmë në flakë!- mërmëriti me zë të çjerrë
një plakë gungaçe tek kapërcente shtegun e hapur e që kokën nuk e shqiste dot
që andej ku kërciste dyfeku.
-Më shpejt loke, më shpejt, nëse
mundesh e për ne mos u merakos hiç-, ia prit ushtari që e ndihmoi të kalonte
matanë gardhit.
Luftimet veçse shkallëzoheshin. Rrathët
dantesk vinin duke u ngushtuar, por edhe popullata depërtonte më të madhe
jashtë tyre. As viktimat nuk qenë të pakta, ama, jo aq sa ishin menduar në atë
kataklizëm.
-Kur të kalojë edhe familja e fundit,
vetëm atëherë do të qetësohem. As vdekjen nuk do ta honepsi dot e nuk do t’ia
kam drojën fare,- bënte trimi me vete, duke ia ndërruar karikatorët
mitralozit...
Retrospektivë
...Dhe, mendja i kishte kredhur në të
shkuarën... Jeta e tij ishte histori në vete. Rrënjë të thella kishte
sypatremburi, diku nën shkëmbinjtë e thepisur strallorë. E quanin Ilaz Kodra.
Në këtë botë erdhi më 1 maj 1966, në Prekaz të Poshtëm. Vinte nga një familje
jo e kamur ekonomikisht, por me tradita burrërie e atdhetarie. Në ato troje, në
janarin e egër të vitit 1945, qe likuiduar shtabi serbo çetnik i Batalionit të
Rinisë, i cili, kamufluar me lëkurë qengji, shqyente me dhëmbë ujku. Kështu,
qysh herët, djaloshi u mishërua me fatin e hidhur pelin të popullit të vet
liridashës.
Mësimet fillestare i bëri në
vendlindje, të mesmet në Skënderaj, ndërsa të lartat i nisi në Pejë, por u
detyrua t’i lërë përgjysmë. Atdheu mbi të gjitha!- tha një ditë, duke parë
rrjedhat e kohës zezonë, dhe, me mish e me shpirt iu dha ilegales. Tok me Adem
Jasharin, Jakup Nurën, Hashim Thaçin, Sahit Jasharin, Sami Lushtakun, Fadil
Kodrën etj., nuk pushuan për asnjë çast së vepruari në rrugën e nderit e të
lavdisë.
Tetori i vitit 1991 qe më i gëzuari për
ta, sepse vajtën në Tiranë për ta ushtruar artin luftarak. Oficerët shqiptarë u
ndanë mjaft të kënaqur me djemtë sypatrembur dhe vlerësuan lart punën e tyre.
Kështu sulmi i 30 dhjetorit 1991 nuk i zuri bëftë. Përkundrazi. Aty dhanë
provimin e pjekurisë me sukses të shkëlqyeshëm. Çeta e Adem Jasharit bëri emër
në Drenicë e më gjerë. Më kurrë nuk pushoi as kënga e grykëhollës së Ilaz
Kodrës. Plumbat e tij ua qëndisën ballin edhe policëve serbë në Drenas, më 22
maj 1993.
Ilaz Kodra, si shumë luftëtarë të
tjerë, për pak kohë u detyrua të kalojë në mërgatë e të veprojë në ilegalitet.
Më 6 maj 1997, bashkë me Fehmi
Lladrovcin, Xhevë e Selim Krasniqin, Abedin Rexhën, Ramush e Luan Haradinajn,
Sami e Rafet Ramën ia mësyjnë Kosovës. Por, në kufirin kobtar vëllandarës, te
Qafë-Mullari, afër Kushninit të Hasit, bien në pritën e forcave serbe. Aty
vritet trimi Luan Haradinaj e plagosën Fehmi Lladrovci e Rafet Rama. Kjo i
preku thellë në zemër të gjithë luftëtarët e lirisë. Zëri i bukur i Mujë
Krasniqit e i Beqir Gashit atë ngjarje e përjetësuan:
Te ai guri i mallkuar,
Që na vuri hasmi n’mes
Pushoi trupi i Luanit
Porse vepra nuk i vdes...
...Dielli ende kishte për të bërë rrugë
derisa të rrokullisej tej bjeshkëve kësulëbardha. Vaji i fëmijëve nuk po
dëgjohej gjëkundi. Trimat po frymonin më lirshëm. Edhe zëri i grykëhollave
ishte më i kthjelltë.
-Po na shpëtuan këta dreqen, u pret
plumbi në kokë!- kërcënonte me zë hakërrues oficeri serb, duke bërë me dorë nga
trimat që nuk po luanin vendit. Të gjallë dua t’i zëmë, të gjallë,- lëpihej ai
si dhelpra para kotecit, duke ua marrë krahët tinëzisht. Dhe, ca flokëgjatë e
mjekërzinj, ma shami të zeza rreth kokës, zhgërryheshin barkas nëpër baltë.
-Komandant, kujdes nga ana e majtë!-
bërtiti fort një luftëtar i ri, por kot.
Përjetësimi
Një plumb e kapi keq, mu nën zemër.
Gjaku i rrodhi rrëke. As ofshame, as britmë, as rënkime. Një lulëkuqe hapi petalet
dhe thithi gjakun pa rënë fare në tokë. Aty do të mbinte liria. Mbi një gem të
hollë pehatej një shpendkeqe ndjellakeqe.
-Ik tutje, ore zog i lig, se këtu s’ka
vend për ty!- bëri bilbili i lajthisë nga xhepi i tij i përparmë. Nuk kemi
nevojë për kuje e vaje. Vetëm kënga ua shëron shpirtplagamën e tyre
liridashëse. Dhe, zu të këndojë ëmbël-ëmbël. Trimi hapi sytë me vështirësi,
duke u dhënë zor qepallave të rënduara. Bjeshka lëvizi nga vendi. Edhe Kalaja e
Vërbocit, bashkë me patkoin e kalit të Skënderbeut poshtë saj, kishin ethe
zjarrmie. Përreth, bashkëluftëtarët bënin heroizma të pashoqe. Ca e kishin
mbuluar dhe po e ndihmonin.
-Ikni tutje, ju lutem, ikni, që të
gjithë, se unë dua të qëndroj deri në fund...Sakaq, shumë afër, pa një grup
kriminelësh tek zvarriteshin drejt tij. Ejani, ejani,- bëri me vete dhe me
bisht të syrit vështroi bombat gjatoshe para vetes. Vetëm dora e djathtë i
punonte. Me dhëmbë ua hoqi siguresat dhe i flaku me sa fuqi që pati. Plasja e
tyre e fuqishme që trandi edhe Shtuticën, u shoqërua me “olelejka” të shumta
dhe me copëra gjymtyrësh, që fluturuan në ajër...
Gjaku nuk po i ndalej dot. Edhe fuqia
po i shteronte gradualisht. Krismat zunë të rralloheshin. Edhe një herë mezi
arriti t’i hapte sytë me zor. Një shqipe sillej në qiellin e përflakur. Hija e
saj ia mbuloi fytyrën e zbehur e me një buzëqeshje të ngrirë...
Dhe, fare paqetueshëm, shpirti i tij i
ndritur vajti në amshueshmëri. Atje e prisnin komandantët legjendarë: Adem
Jashari e Fehmi Lladrovci. Fare pranë tij kishin bulbëruar edhe lulëkuqe të
tjera lirie: Haki Prokshi, Antigonë Fazliu, Bajram Aliu, Nysret Halili, Ajet
Rukiqi...Nuk donin ta linin vetëm komandantin e dashur e të paepur, të
pavdekshmin Ilaz Kodra.
Lavdi!