Kerko: a
Frank Shkreli: Shkoi në amshim ''Papa i Shqiptarëve''
E marte, 22.04.2025, 07:00 PM
SHKOI NË AMSHIM “PAPA I SHQIPTARËVE”
PAPA FRANÇESKU NDËRROI JETË TË HËNEN E PASHKËVE
“Shqiponjat
fluturojnë lartë, por kthehen në folenë e tyre”
(Papa Françesku)
Nga
Frank Shkreli
Papa Françesku ndërroi jetë mengjesin e
ditës së Hënë të Pashkëve – shkoi nga kjo botë, “Papa i popullit”, (The
people’s Pope), siç njihej anë e mbanë botës. Por ishte veçanërisht edhe Papa i
Kombit shqiptar – i shqiptarëve kudo. Si një simbol tepër domethënës për të
treguar këtë dashuri të posaçme për Kombin shqiptar, Papa Françesku, pak mbasi
ishte zgjedhur udhëheqës i Kishës Universale Katolike, kishte vendosur të
vizitonte Shqipërinë –vendin e parë evropian – pasi ishte zgjedhur zevëndës i
Shën Pjetrit. “Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të
Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë
martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju
falënderoj që më ftuat ta vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe
për pritjen tuaj kremtore”.
Para se të shkelte në tokën shqiptare, Papa
Françesku kishte njoftuaar botën se kishte pranuar ftesën e Kishës Katolike
Shqiptare dhe të udhëheqësve politikë të vendit, se me 21 shtator, 2014 do
bënte vizitën e tij të parë në Shqipëri dhe të parën vizitë si udhëheqës i
Kishës Katolike në kontinentin evropian.
Para mijëra pelegrinëve në Vatikan, Papa qe shprehur se po shkonte
në Shqipëri me qëllim “për të inkurajuar pakicën katolike në atë vend, si
edhe popullin shqiptar në përgjithësi, i cili ka vuajtur shumë dhe për një kohë
të gjatë, si pasojë e ideologjive të kaluara, nën një diktaturë komuniste, e
cila e shtypi dhe e izoloi popullin shqiptar nga bota, për pothuaj një
gjysmë shekulli”. Ndërkohë që një
zëdhënës i Vatikanit ka theksuar për gazetarët se vizita e parë e Papës
në Europë, po bëhej në një vend me një histori persekutimesh shoqërore dhe
fetare, si dhe në një vend të prekur nga varfëria e vazhdueshme. Por siç vunë
në dukje lajmet e kohës, vizita e Papa Françeskut në Shqipëri ka pasur për
qëllim, gjithashtu, që ndër të tjera, me vizitën e tij në trojet shqiptare,
udhëheqësi i Kishës Katolike, të tregonte nderimin dhe të deklaronte respektin
e tij për bashkëjetesën dhe tolerancën fetare që, historikisht, ekziston midis
shqiptarëve të feve të ndryshme. Një traditë kjo dhe një thesar kombëtar, i
cili është pasqyruar, botërisht, si shembull bashkëjetese ndërfetare dhe
ndërkombëtare, jo vetëm në Balkan dhe në Europë, por edhe më gjerë.
“Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të
Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën
paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e
respektit dhe e besimit të ndërsjelltë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e
myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në
kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë
fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të
ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në
mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth
domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij”.
Vizita e Papës Françesku në Shqipëri në
shtator 2014, ashtu siç ishte edhe vizita e Papës Gjon Palit të Dytë më 1993 në
tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj
kundërshtarëve të tij, qofshin ato për arsye fetare ose politike, tregon se
gjithçka ngjallet e përtërihet, se e mira më në fund, triumfon mbi të keqën, se
e Vërteta ngallënjon mbi gënjeshtren. “Me këtë vizitë të shkurtër dua të vërtetoj mbështetjen time për
Kishën Shqiptare dhe njëkohsisht të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë
time për një vend i cili ka vuajtur, aq shumë dhe gjatë, nga pasojat e
ideologjive të kaluara.” (Papa Françesku)
Me 21
shtator të vitit 2014, në Tiranë, Ati i Shenjtë Françesku iu drejtua mbarë
popullit shqiptar, ndërsa e përshëndeti përzemërsisht pore dhe duke i lënë
shqiptarëve, disa porosi, që sidomos, në ditën e kalimit të tij në amshim, mund
të jenë më aktuale se kurrë për realitetin politik e shoqëror të vendit, pa
harruar kurrë se "shqiponja nuk e harron folenë…prandaj, fluturoni
lart!” U ka thenë Papa Franaçesku shqiptarëve. Pastaj, "uroj që
Shqiponja, të cilën e shikojmë në Flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë
shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por
është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira".
Fjalët e përzemërta gjatë vizitës së
Papa Fraçeskut gjatë vizitës së tij në Shqipëris dhe përshëndetjet e mëvonshme
për Kombin shqiptar dhe vuajtjet e tija gjatë historisë kanë kumbuar gjatë
viteve dhe vazhdojnë të tingëllojnë edhe sot -- ditën e kalimit të tij në
amshim -- në veshët e shqiptarëve dhe të udhëheqsve të tyre.
Me të marrë lajmin e
kalimit në amshim sot të Papa Françeskut, liderët shqiptarë – në Shqipëri dhe
në Kosovë – kujtuan fjalët e tij dhe përkujdesjen e veçant të tij të
vazhdueshme dhe të sinqert të Papa Françeskut për Shqipërinë, për Kosovën dhe
mbarë Kombin shqiptar.
Ja disa prej reagimeve sot
të udhëheqsve shqiptarë në portalet e tyre zyrtare, me rastin e kalimit në
amshim të Papa Françeskut, mikut të shqiptarëve:
Në një mesazh ngushëllimi pas ndarjes
nga jeta të Papa Françeskut, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka
vlerësuar figurën e tij si simbol të dashurisë universale, dhembshurisë dhe
përkushtimit pa dallim feje apo kombësie. “Shenjtëria e tij, Papa Françesku,
sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në
tokë – dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari
e çdo feje,” – u shpreh Presidenti Begaj, i cili është pritur dy herë në
audiencë nga Ati i Shenjtë.
Ndërsa Kryeminsitri i Shqipërisë, Z.
Edi Rama është shprehur me rastin e kalimit në amshim të Papa Françeskut me këtë
foto më sipër dhe me këto fjalë: “Lamtumirë, Ati i Shenjtë, mik i madh e i
paharrueshëm i Shqipërisë.”
"Do të vij në Kosovë", ishte
premtimi i Papa Françeskut gjatë audiencës që kisha me të në Selinë e Shenjtë,
shkruan Presidentja e e republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani, “duke treguar
sa shumë dashuri kishte për vendet më të vogla, sidomos për popullin e
përvuajtur të Kosovës. Këtë vizitë, fatkeqësisht nuk arriti ta realizojë, sepse
Shenjtëria e Tij, Papa Françesku kaloi në amshim, por do të kujtohet si një
udhëheqës shpirtëror që me përulësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij të
pakufishme i dha botës një shembull të rrallë njerëzie dhe shërbimi…Populli i
Kosovës do t’i jetë gjithmonë mirënjohës për fjalët e ngrohta dhe kujdesin e
vazhdueshëm që Papa Françesku tregoi ndaj nesh. Ai ishte një zë që i dha
rëndësi vuajtjes së të pafajshmëve dhe shpresës për një të ardhme më të ndritur…Në
emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta
për këtë humbje të madhe për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Mendimet
dhe lutjet tona janë me besimtarët katolikë në mbarë botën. U prehtë në paqe
shpirti i Shenjtërisë së Tij!” (Presidentja Vjosa Osmani)
Në reagimin e tij, Kryeministri i
Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti shprehu tronditjen e tij për
ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut dhe ekujtoi takimin e
tij në Vatikan me Ppap Françeskun:
“Takimi im me Papën më 22 qershor 2023 —
gjatë të cilit riafirmuam përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e
bashkëpunimit ndërmjet Vatikanit dhe Republikës së Kosovës — mbetet një nga
momentet më domethënëse gjatë kohës sime si Kryeministër deri tash. Ai bënte
pyetje për Kosovën, për rininë e fëmijët dhe fliste për paqën me dashuri e për
popujt me dhembshuri. Është një takim që do ta kujtoj gjithmonë me kujdes dhe
mirënjohje. Pushoftë në paqe Papa Françesku. Trashëgimia e tij e mirësisë,
përulësisë dhe guximit moral le të vazhdojë të frymëzojë dhe ndriçojë botën për
brezat që vijnë”, ka shkruar Kryeministri Kurti në portalin e tij.
Ndërsa lideri i Partisë Demokratike në
opozitë, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Dr Sali Berisha kujtoi
gjithashtu takimin e tij me Papa Françeskun. Në ditën e parë të papnisë së tij, shkruan Z.
Berisha se e kishte ftuar Papa Françeskun të vizitonte Shqipërinë, vizitë që u
realizua me rastin e lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare. “Pata
fatin ta takoj ditën e ngjitjes së tij në Fronin e Atit të Shenjtë dhe shprehu
ndjenjat më miqësore për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe në të vërtetë Shqipëria
do ishte ndër vendet e para që Shenjtëria e tij do vizitonte. Ai erdhi në
Shqipëri për një ngjarje të madhe për Kombin Shqiptar dhe mbarë krishtërimin,
lumturimin në një ditë të 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, të
ekzekutuar nga diktatura staliniste e Enver Hoxhës. Ikja
e tij në jetën e pasosur është sot një kujtesë se burri, njeriu, mbetet në këtë
jetë me veprat e veta, me mësimet, me trashëgiminë”, tha sot në reagimin e tij
Dr Sali Berisha.
Ndërsa, ish-Presidenti i Shqipërisë, Z.
Ilir Meta u shpreh “thellësisht i pikëlluar” për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë
së Tij, Papa Françeskut, theksoi se është, “Përherë falenderues për vëmendjen e
veçantë, ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer, që Shenjtëria e Tij i dha kombit
shqiptar në momentet të vështira, si dhe në kapërcimin e sfidave shpirtërore,
sociale e ekonomike. I paharruar do të
mbeten për mua takimi dhe bashkëbisedimi me Shenjtërinë e Tij. Të paharruara do të mbeten mesazhet e vyera
dhe frymëzuese të Papa Françeskut për popullin dhe në veçanti për rininë e
mrekullueshme gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri: "Shqiponjat nuk
e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Ju lutem mbajini ata në Atdheun e tyre
dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik. Duhet bërë gjithçka për të
shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ku ka rini, ka shpresë”, thuhet në
reagimin e Z. Ilir Meta.
Për të interesuarit -- Disa nga
shkrimet e autorit të lidhjeve midis Vatikanit, Papa Françeskut dhe shqiptarëve,
gjatë viteve:
Në një nga takimet e Papa Françeskut me shqiptarët në Vatikan
Frank
Shkreli: Vizita e ardhëshme e Papa Françeskut në Kosovë | Gazeta Telegraf
Frank
Shkreli: Bektashinjtë shqiptaro-amerikanë në vizitë tek Papa Françesku | Gazeta
Telegraf
Frank
Shkreli: Një fotografi vlen më shumë se 1000-fjalë | Gazeta Telegraf
Frank
Shkreli: Qëndro, Shqipëri! | Gazeta Telegraf
Frank
Shkreli: Gjergj Kastriot Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar |
Gazeta Telegraf
Frank
Shkreli: Shenjtëresha e shqiptarëve, Nënë Tereza | Gazeta Telegraf --