Kulturë
Dorian Koçi: Rrugëtim drejt Evropës përmes librit
E enjte, 20.03.2025, 08:00 PM
Rrugëtim drejt Evropës përmes librit
Nga
Dorian Koçi
Ndër
qytetërimet e lashta shquan qytetërimi antik greko-romak, trashëgimia e të
cilit është një nga faktorët bashkues të Evropës së sotme. Pikërisht në këtë
adhurim të vetive dhe cilësive të qytetërimit greko-romak, i ka rrënjët dhe mendimi evropian i Rilindjes
dhe Iluminizmit gjatë së cilit u konceptua dhe artikulua ideja e Evropës së
Bashkuar.
Në
këtë mënyrë ideja evropiane e Ballkanit, brenda së cilës gjallon dhe Ideja
evropiane e shqiptarëve, qëndron në thelb të artikulimit të gjithë ideve të
mëvonshme të ndërtuar gjithandej nëpër kontinent. Gadishulli Ballkanik është në
fakt djepi i idesë së qytetërimit evropian. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve
Lindje-Perëndim ai u bë shumë shpejt një nga kryeqendrat kryesore të shkëmbimit
të këtyre kulturave duke reflektuar në këtë mënyrë jo vetëm diversitetin e
tyre por dhe rrafshin gjeografik dhe
politik ku ato u ngjizën për tu bërë një. Është interesant fakti se sëbashku me
fillimin e këtij qytetërimi të shkëlqyeshëm, të cilit vazhdimisht do ti
referohen dhe në shekujt e mëvonshme
mendjet më të ndritura të njerëzimit, lind dhe ideja e qytetërimit
evropian dhe së bashku me të merr rrugë dhe ideja e një qytetërimi mbarë
evropian.
Në
gjithë këtë rrugëtim që ideja e Evropës dhe qytetërimi evropian kanë evoluar
duhet theksuar fakti se lindja e kësaj ideje i korrespondon dhe të gjitha
fakteve dhe etapave historike që kaloi ai që ne të gjithë e quajmë qytetërim
evropian dhe historia e këtyre territoreve. Kështu në ravijëzimin e tij mund të
dallohen të qartë etapa proto-helenike dhe helenike, romake, krishterimi dhe
mesjeta, iluminizmi, revolucioni francez dhe nacionalizmi. Në varësi të këtyre
etapave historike dhe fakteve është sendërtuar dhe ideja e qytetërimit evropian
të Ballkanit duke reflektuar jo vetëm shkëlqimin e qytetërimit të tij në
periudhën helenike por dhe degradimin e qytetërimit të vet në epokën e fundit
të qytetërimit bizantin apo kur Ballkani shndërrohet në një territor
përleshjesh midis Krishterimit dhe Islamit në kacafytjen e tyre tragjike në
shekullin XV kur shfaqet për herë të parë në Ballkan, Perandoria Otomane si
formacion politik por dhe entitet kulturor i veçantë nga ai evropian.
Për
herë të parë sidomos në brigjet e Adriatikut lindor do të kemi dhe krijimin e
qyteteve republika të cilat do të kenë një tregti të zhvilluar por dhe statuset
e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve por dhe për të rregulluar
marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë
të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i
lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli
të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar. Po kështu familjet fisnike
shqiptare fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë si ato
të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre
do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të
frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon.
Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i
identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në
afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu
idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që
ushqehet rrugës dhe me mite të rinj.
Kështu
p.sh heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu(1405-1468) në
letrën që i dërgon princit të Tarantit i përmend origjinën e vet, atë epirote
dhe përmend një personalitet të botës antike si Pirron e Epirit. Po kështu Gjon
Muzaka në veprën e vet “Gjeonalogjia e Muzakajve”(1510) përveç burimeve të
shkruara që ati zotëron dhe citon në vepër, përmend së familja e tij vjen nga
Molosia, krahinë e vjetër e Epirit e lidhur shumë ngushtë me emrin e Pirros së
Epirit .Natyrisht që kontakti kulturor që pati Adriatiku lindor me botën
perëndimore qoftë nëpërmjet shkëmbimeve kulturore në të dyja anët e Adriatikut
por dhe nëpërmjet administrimit të drejtë për së drejtë të territorit si është
rasti i Mbretërisë së Arbrit(1272) nën familjen e njohur fisnike franceze
Anzhuinët, por dhe administrimi qyteteve nga Venediku krijuan një perceptim
tjetër për idenë e Evropës dhe shtrirjen e saj, në dallim nga provincat e tjera
të Perandorisë bizantine ku nuk shikojmë fenomene pasi janë më thellë në
gadishull dhe nuk kanë mundësinë që të marrin pjesë në perceptime të tilla të
drejtë për së drejta. Ndaj në këtë kohë , fillimet e shekullit të XIV dhe shekullin
e XV në brigjet e Adriatikut Lindor do të kemi përjetimin e një lëvizje
humaniste që do të jetë shumë afër Rilindjes Evropiane. Kjo lëvizje do të ketë
një konceptim të qartë të idesë së Evropës, unitetin gjeografik dhe atë moral
dhe kulturor ku për herë të parë do të ketë kontakte dhe me prurjet e reja si
Polonia, Transilvania dhe deri Anglia.
Kjo
gjë do të vërehet më shumë sidomos gjatë konfliktit traumatik me osmanët , konflikt që largon territoret e
Ballkanit për mëse tre shekuj nga ideja e Evropës dhe projektet rreth saj.
Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut , përveçse ndikimeve gjeopolitike
që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit , nëpërmjet
thirrjeve për ndihmë krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe
fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të
asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet
rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë,
gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të
mbrojtur Evropën dhe krishterimin. Edhe pse numri i tyre nuk është i
përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që
përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e Evropës
të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së
Romës për të udhëhequr kundër osmanëve . Vetë, udhëheqësi shqiptar, Gjergj
Kastrioti, është i ndërgjegjshëm se
vepron në mbrojte të Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat
evropianë por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë
përpjekje fatale. Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari
special i Papës , kalorësi anglez John of Newport do ti shkruajë atij se e vetmja
rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo
fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali. Librat, “Rrethimi i
Shkodrës” dhe “Historia e Skënderbeut”
nga Marin Barleti janë pasqyrë më e mirë sesi ideja evropiane e arbërëve
shtegton përmes librave. Barleti është
humanist, por ai ishte dhe patriot;ai ishte patriot humanist. Nën nxitjen e
patriotizmit dhe në emër të tij ai predikonte dhe ngrinte lart trimërinë, si
virtut i parë që i duhej shqiptarit në atë kohë. Argumentet në të mirë të tij
Barleti, si humanist i merr nga e kaluara e lashtë greko-romake, por si patriot
i merr dhe nga realiteti historik i popullit të vet.
Shqipëria
edhe pse ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane duke
pasur një histori shumë më komplekse se fqinjët e saj, pati një zgjim disi më
të ngadaltë por dhe një komplisitet lidhjesh me Evropën dhe idenë rreth saj. Së
pari , komiteti katolik shqiptar edhe pse më i persekutuari në vend si rezultat
i luftërave të vazhdueshme Veneto-Turke apo dhe Austro-Turke kish sendërtuar
një paradigmë krejtësisht evropiane përsa i përket botimeve të vet qenë
shumicën ishin në latinisht por që nga shekulli XV i gjejmë dhe në shqip duke
kontribuar kështu në ruajtjen e gjuhës dhe kulturë kombëtare. Në të gjitha këto
vepra të Buzukut, Bardhit, Bogdanit, Kazazit ka një rikujtim të Motit të Madh
të Skënderbeut dhe të shpresë për një aleancë evropiane për të larguar otomanët
nga Ballkani.Libri i parë shqip, Meshari i Gjon Buzukut, një prifti katolik nga
rrethinat e Ulqinit, ka në thelb të tij
, jo vetëm mesazhin universalist të Krishterimit, por edhe mesazhin e lirisë së
etnosit arbër, përmes shkrimit të gjuhës vernikulare.Karekteristikë e figurave
të larta klerikale viseve të pushtuara nga osmanët, është pikërisht kjo lloj
simbioze midis fesë dhe humanizmit, çka i bën krejt të veçantë këta
personalitete fetare në jetën kulturore të kombit të vet. Kjo gjë ndihet
sidomos në veprën e vet “Pasqyrat e të Rëfyemit”, të Pjetër Budit, ku ai sjell
një moral të tërë humanist, bëhet një nga njerëzit e kulturës sonë, që ka
hedhur themelet e shkencës etike në Shqipëri.
Islamizimi
i popullsisë, nxorri në pah një gjuhë tjetër komunikimi mes elitave të
urbanizuara islamike shqiptare, pasi dhe një pjesë e madhe e popullsisë filloi
të hynte dhe të merrte pjesë në qarkun kulturor lindor, ku në mes të tjerave
shquan rryma e bejtexhinjve dhe literatura e sekteve të ndryshëm islamë. Në
këtë kohë në këtë pjesë të popullsisë nuk kemi një ligjërim të idesë së Evropës
pasi shpesh herë dhe nëpërmjet luftërave që bënin osmanët, trupat shqiptare
merrnin pjesë në këto beteja dhe nuk ktheheshin me emocione pozitive për
Evropën. Në poezinë e Hasan Zyko Kamberit, “Seferi humajun”-“Lufta Mbretërore”,
fushata osmane, ku merr pjesë dhe vetë autori përshkruhet si një fushatë
plaçkitëse, ku njerëzit e thjeshtë që shkojnë to, mund të pasurohen, pavarësisht faktit që në poezi mbizotëron
fryma e pasqyrimit të njërëzve që kthehen të zhgënjyer. Kjo poezi i kushtohet
luftës turko-austriake në 1789, ku autori në moshë të thyer mori pjesë në
fushatë me trupat shqiptare të Ali Pashë Tepelenës . Motivet që mbizotërojnë në
këtë letërsi janë motive transnacionale që përfshijnë dhe rrëfejnë
solidaritetin e një kulture orientale që zinte vend që nga Persia e duke
përfshirë gjithë hapësirat e pamata të Perandorisë Otomane. Edhe pse në këtë letërsi gjejmë vargje si të Nezim Beratit,
Divan,
kush pat folurë shqip
Ajan
e bëri Nezimi,
Bejan,
kush pat folurë shqip,
Insan
e bëri Nezimi.
ku
ai shprehet krenar se ka hapur një traditë të re në kulturën shqiptare duke
hartuar një divan në gjuhën shqipe, sërish poezia mbetet vetëm në formën e një
konstatimi dhe nuk gjejmë ndonjë afirmim të përpjekjeve pë ndriçim të
popullsisë dhe të idesë së Evropës.
Ndërkohë
në veprat e humanistëve shqiptarë nuk ka një paradigmë mohuese ndaj pjesës së
islamizuar të popullsisë shqiptare. Kështu në ë letrën e Budit dërguar
Kardinalit Godacino, nënkuptohet qartë afërsia e etnike e tij me popullsinë
lokale kur shkruan për kryengritësit “më të shumtit janë të gjakut tim dhe miq
të ngushtë të mij” . Për më tepër , pavarësisht se në letër ka një mobilizim
dhe thirrje të identitetit fetar, një kundërvënie e natyrshme në shekullin e
XVI, sërish gjejmë një frazë të rëndësishme që është pararendëse e ideve të
mëvonshme të zgjimit kombëtar të shqiptarëve. Islamizimi i një pjese të
popullsisë ka sjellë në eksistencë një faktor të ri, të të arbërve të
konvertuar, të cilët mund të mendohet se janë bërë palë me pushtuesit, por që sipas Budit, në planet e tij të
kryengritje, janë gati të vdesin me armë në dorë jo vetëm të krishterët por
edhe të “parët turq” -emër me të cilët nënkupton parësinë e islamizuar arbëre.
Është meritë e padiskutueshme e Budit që dëshirën dhe kryengritjen e ardhshme
të arbërëve nuk e ka parë vetëm si një dëshirë të një pjese të popullsisë por
mesazhin e lirisë që shpërndan shërben si enë komunikuese midis gjithë
popullatës arbëre, pavarësisht ndasive fetare. Pjetër Budi, si me të drejtë ka
vënë në dukje Profesor Selman Riza, është pararendësi i letërsisë së lëvruar
shqipe si në prozë ashtu dhe në poezi. Si për nga risia e temave dhe gjinisë,
ashtu për nga aftësia kompozicionale, gjithashtu për nga fuqishmëria e
shprehjes Pjetër Budit kurrsesi nuk mund t’i mohohet cilësia jo vetëm e të
parit lëvrues, frymëgjatë të poezisë letrare shqiptare, por njëherazi edhe e të
parit poet shqiptar, të pajisur me një ndjeshmëri fetare-kombëtare të
pasionuar.
Rrethin
vicioz të mospërdorimit të gjuhës shqipe vetëm si përkthime por në një
krijimtari të mirrëfilltë letrare e kapërcen Pjetër Bogdani me veprën e vet
“Rrethi Profetëve”. Në parathënien që shoqëron veprën e tij Bogdani shkruan se
“lutesha që të më shtampohej libri, ashtu si kur të kthenja prej dheut si në në
të kësha nji qirij ndezun ndorë për të ndritur atë të vobek dhe të Arbënit”.
Ideja e ndriçmit të popullsisë, aq e njohur në Evropë me Iluminizmin përftohet
nga Bogdani si pjesë e vetëdijes intelektuale, tipar i mëvonshëm që e hasim dhe
në Rilindjen Kombëtare.
Pjesa
tjetër ortodokse e popullsisë ashtu si dhe në rastin rumun dhe bullgar u
influencua nga elitat greke por dhe kontribuoi në Iluminizmin grek nëpërmjet
Voskopojës, akademisë së saj dhe prelatëve ortodoksë. Emrat e Kavaliotit,
Daniel Moskopolit shënjuan jo vetëm kulturën regjionale të Voskopojës por dhe
atë greke pasi u shkruan në atë gjuhë. Gjithsesi duhet theksuar se përdorimi i
gjuhës greke shprehte dhe mentalitetin ekumenist të epokës, ku ajo shikohej si
një transmetuese e vlerave bizantine dhe në planet e iluministëve ballkanikë
zinte një vend të veçantë si gjuha që do të bashkonte të gjitha popullsitë e
Ballkanit .Pikërisht në këtë kohë kemi një përpjekje për një zhvillim kulturor
të shqiptarëve ku si paradigmë zhvillimi u morën veprat dhe autorët e Iluminizmit grek, pasi dhe një pjesë e këtij zgjimi kulturor
erdhi nga figura që ishin formuar në
shkolla kulturore greke dhe ishin personalitete të kulturës ekumenike ortodokse.
Gjatë kësaj epoke, sidomos pas forcimit të pushtetit të Ali Pashë Tepelenës, në
fillimet e shekullit të XIX dhe rritjes së pranisë diplomatike në Janinë, ku dy
përfaqësues të shquar, njëri i Francës republikane Fransua Pukëvil dhe tjetri i
Mbretërisë Angleze, William Martin Leake ishin dy personalitete shumë të
kulturuar që kontribuuan shumë në nxitjen dhe lëvrimin e kulturave vendase. Të
frymëzuar të dy nga Filohelenizmi dhe ringjallja e interesit për trashëgiminë
greko-romake, ata nuk do të qëndronin indiferent edhe ndaj kulturës shqiptare
pasi një pjesë e madhe e botës antike që ata adhuronin shtriheshin në
territoret shqiptare. Kështu Pukëvili do të ishte nxitësi kryesor i Marko
Boçarit të shkruante në 1809 një fjalës greqisht-shqip nga bisedat me familjen
e shquar të Boçarëve, të shpërngulur në Korfuz.
Kjo
situatë do të ndryshonte disa vite më
vonë ku ashtu si dhe në Evropë etnitë ballkanike do përqafojnë nacionalizmin si
platformë ideologjike në rrugën e krijimit të shteteve të tyre por trashëgimia
dhe influenca e kësaj kulture ekumeniste të rajonit do jetë e dukshme jo vetëm
në zgjimet kombëtare por dhe në dëshmitë e udhëtimit që na kanë lënë udhëtarët
e huaj në shekullin e XIX. Pikërisht nga kjo elitë dhe përfaqësuesi i saj Naum
Veqilharxhi do të vijë dhe artikulimi i idesë së tij në “Letrës Enciklike Për
Të Gjithë Të Pasurit E Të Mësuarit Ortodoksë Shqiptarë”, ku ai do tu kërkojë
shqiptarëve që të hyjnë në “në radhën e kombeve të qytetëruara” duke nënkuptuar
Evropën. Por suksesi më i madh i idesë evropiane mes shqiptarëve do të jetë
përqafimi i saj nga komunitetit mysliman shqiptar çka përbën një rast unikal në
dallim nga komunitetit e tjera myslimane në Ballkan. Edhe pse kjo ide mund të
gjendet e vagullt në projektin konstitucional të federatës Panilirike që
Karamahmud Pashë Bushatlliu kishte ndërmend të formonte si një shtet të
përbashkët mes shqiptarëve myslimanë, atyre katolikë dhe malazezve
ortodoksë të përmendur nga shënimet e
udhëtimit të konsullit francez Francois Pouqeuville, apo dhe në dëshirën e në
fund të zotërimit të Ali Pashë Tepelenës që i kërkoi Meternikut, kancelarit të
Austrisë një kushtetutë të shkruar, gjithsesi duhet pranuar fakti se pas
reformave të Tanzimatit dhe lindjes së idesë kombëtare për shqiptarët kjo ide
fillon të dallohet më tepër. Ideologë të saj janë vëllezërit Frashëri, Hasan
Tahsini, Isamil Qemali etj të cilët ndikojnë jo vetëm në atdheun e tyre por dhe
në vetë Perandorinë Otomane për të artikuluar këtë ide.
Ideja
për Evropën ashtu si dhe në vendet e tjera ballkanike do të eci paralelisht me
zgjimin kombëtar ku arsimimi në gjuhën kombëtare dhe evokimi i figurës së
Skënderbeut do të përbëjnë dy nga shtyllat e këtij zgjimi. Tekstet shqip të
abetareve dhe copëzave të këndimit të hartuara nga rilindasit shqiptar e pozicionojnë
Shqipërinë në Evropë duke shprehur dhe konsideratat e larta për qytetërimin
evropian. Pranimi i Skënderbeut si hero kombëtar të tyre do të ishte një nga
hapat e para të shqiptarëve për afirmimin e kësaj ideje pasi princi tyre
mesjetar kish qenë në ballë të koalicioneve anti-osmane për të shpëtuar
Evropën. “Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të shkruante Naim
Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin por dhe
influencën e kulturës evropiane, sidomos asaj franceze që kish influencuar aq
shumë në botëkuptimin e tyre. Poema e gjatë në vargje “Istoria e Skënderbeut” e
Naim Frashërit është testamenti politik i Rilindjes Kombëtare, ku kundërvënia
me otomanët pasqyrohet me tone epike dhe lidhjet e Shqipërisë me Evropën përforcohen dhe rikujtohen përmes
betejave të arbërve.
Kjo
qasje drejt Europës përmes librit shqip, si një nga mjetet që ndikon dhe në
modernizmin dhe lindjen e nacionalizmit mes një popullsie, do të përcillej
gradualisht edhe te shtresat e tjera të popullsië derisa me konsilidimin e
shtetit shqiptar do të bëhej ligjërim dominant i ligjërimit publik shqiptar.
Bibliografi:
1- Historia e Letërsisë
shqiptare. Akademia e R.P.S.SH:1983.
Tiranë.
2- Kronika e Gjon
Muzakës në P.Xhufi. Nga Paelologët te Muzakajt. Shtëpia Botuese 55, Tiranë,
2009
3- O.J.Schmitt,
Skënderbeu, Tiranë, 2008
4- P.Petta, Despoti d’
Epiro e principi di Macedonia, Lecce, 2000.
5- S.Riza.”Pesë autorët
më të vjetër në gjuhën shqipe”
6- Zija Xholi. “Pesë
mendimtarët më të vjetër të kulturës sonë kombëtare”.Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë:2003.