Kerko: a
Anton Nikë Berisha: Ndriçim i qenësishëm i jetës dhe i veprave të Skënderbeut
E shtune, 08.03.2025, 07:56 PM
NDRIÇIM I QENËSISHËM I JETËS DHE I VEPRAVE TË SKËNDERBEUT
Dhimitër Frangu, Veprat
e lavdishme të Skënderbeut.
Përkthimin, parathanien,
komentet dhe ilustrimet Lek Pervizi. Faik Konica, Prishtinë 2024.
Nga
Anton Nikë Berisha
“Një
popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekeson kujtimin e tyne, jo
vetëm ndêr faqet e historisë por edhe mbi rrasa e në monumenta, ai popull
tregon se ka ndêrgjegje, se ka ndiesi të holla, se njef miradijen e ka dishirë
me u sjell e me u drejtue mbâs shembullit të të Mëdhajvet të vet”.
Luigj
Gurakuqi
Ky
mendim, sa i veçantë aq dhe i rëndësishëm i Luigj Gurakuqit për burrat e shquar
të një populli, nëse përimtohet në thellësi dhe konkretizohet me vërtetësi në
botën tonë, të vë në tundime jo të vogla. Për këtë dëshmon (për të mos i
përmendur rastet e tjera) edhe libri “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” i
Dhimitër Frangut, këshilltarit dhe zyrtarit më të rëndësishëm dhe më besnik të
Gjergj Kastriotit Skënderbeut, vepra e të cilit u jepet në dorë lexuesve me
vonesë të stërmadhe, edhe pse është libri i parë i botuar dhe i njohur deri më
tani që dëshmon konkretisht dhe me argumente të mirëfillta për figurën më të
shquar dhe kryetrimit e botës arbërore – shqiptare Gjergj Kastriotin –
Skënderbeun. Kjo vonesë e njohjes së veprës së Dhimitër Frangut (botimi i parë
në shqip u bë më 2005) nuk e zvogëlon Skënderbeun, po tregon për pakujdesinë,
shkurtpamësinë, po dhe përmbysjen dhe mjerimin tonë.
Duhet
t’i jemi skajshmërisht mirënjohës Lek Pervizit, i cili e përktheu këtë vepër
nga latinishtja me shumë përkushtim e dije, e plotësoi me shënime dhe e
ilustroi me shumë fotografi të Skënderbeut të bërë në rrjedhë të kohëve, duke i
bërë një shërbim të jashtëzakonshëm kombit dhe botës sonë. Them kështu nga se
pa e njohur mirëfilli të kaluarën nuk mund ta njohim e as të vlerësojnë kohën
tonë.
Në
pjesën “Dy fjalë nga përkthyesi” dhe në “Parathanie” Lek Pervizi na i jep disa
të dhëna të rëndësishme për veprën dhe për autorin e saj, Dhimtër Frangun, për
përkthimet e veprës në italisht e në gjuhë të tjera, për disa vlerësime të
rralla që i kanë bërë disa autorë librit të Dhimitër Frangut dhe për
shfrytëzimin dhe plagjiaturat nga autorë të ndryshëm, italianë e shqiptarë.
Pervizi shkruan: “Në dy shekujt e parë pas vdekjes së Skënderbeut, gjithë autorët
e librave që u shkruen për të, kishin mbushë ujë të kulluet te burimi fillestar
i Dhimitër Frangut, sa që në një mënyrë pothuejse rituale, fjalët e frazat e
tij, u përcollën të pandryshueme nga një autor tek tjetri. Kjo bie në sy
menjëherë, për ata që i kanë lexue
gjithë librat që u botuen nga viti 1480, vit i dorëshkrimit të parë
latinisht të Dhimitër Frangut. Ndryshimet, në disa autorë, erdhën si pasojë i
kërkimit të « qimes në vezë ».
Me
këtë duem të themi, se tue pasë dëshminë ma se të bindshme të një Dhimitër
Frangu nuk ishte nevoja të kapërcehej në hamendje të pakontrollueme e në
fantazi të teprueme në përshkrimin e historisë së Skënderbeut. Vërtet se Marin
Barleti na dha një vepër latinisht, që u muer si bazë e historisë së
Skënderbeut, por ishte një vepër që dilte 30 vjet pas librit të Frangut. Kështu
që edhe vepra e Barletit e kishte zanafillën në tregimin besnik të Frangut, të
cilit ai duhet t`ia dinte për nder që
kishte dhanë një dëshmi aq të randësishme mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut.
Vetë Barleti, në shumë raste shkruen fjalë për fjalë thanjet e ngjarjet e
Frangut”.
Për
të dëshmuar vlerën e shumëfishtë të librit të Dhimitër Frangut, Lek Pervizi
sjell edhe mendimin e Giovanni (Xhovani) Maria Bonardo të vënë si moto:
“Eruditi Venecian, Giovanni Maria Bonardo, përkthyes, redaktor dhe botues i
këtij libri, e specifikon atë me këto fjalë: “[…] Libër që asht shkrue
latinisht me dorë prej Atë Dhimitër Frangut, i cili ka qenë i pranishëm
personalisht dhe i mirinformuem për të gjitha betejat dhe veprat e atij
Princi…”.
Duke
u mishëruar me veprën e Dhimitër Frangut dhe duke u bindur për rëndësinë e
shumëfishtë të saj, në Parathanien Lek Pervizi shkruan: “Askush tjetër nuk mund
t’ishte i aftë për ta ndjekë nga afër jetën e veprimtarinë e këtij Princi, ma
mirë se një bashkëkohës, këshilltar, fetar, arkëtar dhe ambasador i tij, besnik
dhe i kulturuem, siç ishte një Dhimitër Frangu. Në qoftë se nuk del njeri
tjetër i rrethit të ngushtë të tij, që të ketë arritë me shkrue një dëshmi
tjetër, s’ka dyshim se shqiptari që përmendëm mbetet i vetmi që ka arritë me
dhanë një biografi e histori të shkoqitun e sa më të vërtetë mbi Skënderbeun”.
Të
dhëna të qenësishme dhe të argumentuara mirëfilli
Janë
disa dukuri që e bëjnë këtë libër të Dhimitër Frangut shumëfish të rëndësishëm
dhe të pakapërcyeshëm, jo vetëm të kohës kur u botua, por edhe për kohën tonë.
Ndër
të parat dukuri që qartësohet fund e krye librit të Dhimitër Frangut është
dashuria e jashtëzakonshme e Gjergj Kastriotit Skënderbeut për atdheun,
gatishmëria për mbrojtjen e tij deri në flijimin e jetës; kujdesi i pazakonshëm
ndaj bashkëluftëtarëve dhe ndaj banorëve, pa marrë parasysh se cilit vend dhe
cilës shtresë i takonin, pastaj ndarja e plaçkave të luftës secilit luftëtarë,
po edhe banorëve ku bëheshin betejat, siç dëshmon Dhimitër Frangu: “Mbasi
Turqit u thyen, Shqiptarët shkuen dhe e rrënuen kampin anmik, ku gjetën shumë
plaçkë e pajisje të çmueshme, të cilat Skënderbeu, siç kishte veprue gjithmonë,
ia ndau ushtrisë së tij fitimtare e të lavdishme”.
Në
një shënim të përkthyesit rreth kësaj dukurive thuhet: “Kjo përsëritet
vazhdimisht e duket si e tepërt, por puna duhet vështrue nën një prizëm tjetër,
sepse autori (Dhimitër Frangu – v. ime) tregon çka me të vërtetë ka ndodhë. Siç
asht dokumentue, gjatë 25 vjetëve të luftës kundër Turqve, Skënderbeu zhvilloi
dhe fitoi 24 beteja të randësishme, tue triumfue në fushat e betejave e
sigurisht tue kapë plaçkë të madhe, e cila patjetër se do t’i shkonte ushtrisë,
si shpërblim, dhe për të përballue shpenzimet e mëdha ushtarake, kujt vendi nuk
mund t’u bante ballë, e ndihmat e hueja ishin të pakta. Kurse nga ana
kundërshtare, zbatoheshin kritere ma t’egra dhe ma çnjerëzore, sepse plaçka
përfshinte edhe njerëz, pleq, gra, djem e vajza e fëmijë, që katandiseshin në
skllavni të përjetshme, pa shpëtim”.
Pikërisht
dashurinë ndaj atdheut Kryetrimi ua mbjellë edhe luftëtarëve arbërorë te tij,
qoftë me fjalë, me fjalime e me porosi, që nuk i kurseu asnjëherë, qoftë me
veprime konkrete, kur hidhej në mes të betejës kundër armiqve pa u frikësuar se
do ta vrasin.
Pra,
çdo përpjekje, çdo veprim dhe çdo flijim i Skënderbeut dhe i princave arbërorë
dhe i luftëtarëve lidhet me atdheun dhe me njerëzit e tij për ruajtjen me çdo
kusht të trojeve arbërore nga pushtuesi otoman. Për atdheun Skënderbeu nuk
kursente asgjë; vepronte në atë mënyrë, siç do të thoshte më vonë atë Anton
Harapi: “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në varr, prandaj në hijshëm
duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipní”.
Rëndësia
e të gjitha luftërave të Skënderbeut lidhet me karakterin mbrojtës e jo për t’i
nënshtruar të tjerët dhe për t’ua pushtuar tokat. Kjo konkretizohet mirëfilli
nga veprimet e tij, nga sjellja me ushtarë, nga fjalimet para ndërmarrjeve
luftarake mbrojtëse kundër një ushtrie shumëfish më të madhe në numër dhe shumë
më të pajisur me armë.
Si
ushtarak me përvojë, të fituar gjatë kohës kur ishte i marrë peng nga Sulltani,
po dhe nga përvoja e ndërmarrjeve mbrojtëse dhe e princave të tjerë arbërorë
dhe nga njerëzit e urtë, me të cilët këshillohej përherë, Skënderbeu dëshmohet
trim i paepur, po i urtë e fisnik; gjithçka e mendonte dhe e peshonte
paraprakisht dhe dëshmonte aftësinë të marrë me mend se cilat veprime dhe kur
duhet t’i ndërmerrte dhe në çfarë kohe; në ç’mënyrë duhet të mbrohej për t’i
përballuar ndërmarrjet ushtarake të dërguara nga sulltanët otomanë; ishte i
sjellshëm, i afërt dhe fisnik me luftëtarët dhe me banorët nga të cilët
kërkonte mbështetje. Ishte i mëshirshëm përballë tradhtarëve dhe robërve të
zënë në luftë.
Të
tillë e cilëson Dhimitër Frangu Skënderbeun: “Nga ana shpirtnore, ishte edhe më
i pajisun dhe i përsosun, sepse ky Princ kishte shpirt kristiani, ishte
besimtar e i mëshirshëm, i drejtë dhe shpirtmadh me të gjithë, veçanërisht në
faljen e anmiqve. Ishte trim me shpirt të pamposhtun, saqë kurrë nuk ishte
dallue tek ai ndonjë shenjë frike apo ankthi. Ishte i mëshirshëm me të gjithë,
veçanërisht me ata që e fyenin, tue i falun fyemjet kur i kërkohej falje. Anmik
i përbetuem i veseve të këqija imorale dhe i mallkimeve”.
Cilësitë
e një atdhetari të madh e të një strategu të jashtëzakonshëm lufte Skënderbeu e
dëshmon, pos të tjerash, edhe me fjalimin drejtuar princave dhe luftëtarëve,
pasi i shkruan Sulltanit dhe ia prapëson propozimet që ai i bënte: “Shumë të
dashtun Zotnij e vllazën, nuk dyshoj, që, sapo të marrë përgjigjen time, dhe të
ketë dëgjue fjalët e ambasadorit, për sa unë i kam folë atij, menjëherë ai do
të provojë fatin për të hedhë gjithë forcat kundër meje, dhe për këtë punë do të
përdorë të gjithë pushtetin e tij, prandaj do të më dukej punë me vend që të
jemi shumë të gatshëm e të përgatitun kur ajo të ndodhë që kalorësit tanë trima
të mund të na mbrojnë nga sulmi i anmikut, i cili do të përdorë çdo mënyrë për
të na nënshtrue. Të grumbullojmë furnizime të bollshme e të jemi shumë
vigjilentë në ruejtjen e rregullit për sa do të veprojmë.
Gjithashtu
propozoj që të çojmë sa ma shumë spiunë brenda vendit të Sulltanit, që të jenë
besnikë, të cilët do të na njoftojnë e të na paralajmërojnë për qëllimet e
anmikut, tue vendosë njëkohësisht roje të mira në çdo vend e në çdo shteg. Ju
baj të ditun, Zotnij, që t’i mbani në gatishmëni dhe të përgatitun luftëtarët e
njësitë e jueja për çdo rast, sa që, me shenjën ma të vogël, të jenë në gjendje
që të luftojnë trimënisht e të përballojnë me guxim anmikun. Ndërkaq unë do të
shkoj drejt kufijve me një pjesë të mirë të ushtrisë për ta mbajtë anmikun në
ankth dhe në frikë.
Do
të lëviz herë këndej herë andej tue shkatërrue e damtue, që ta kuptojë se nuk
kemi frikë as prej tij as prej kërcënimeve të tija, dhe ju njoftoj të gjithëve
se gjatë luftimit, askush, as ushtar, as kapiten e kolonel, të mos guxojë të
marrë ndonjë plaçkë të anmikut sado e vogël që të jetë, (kështu them), në çdo
rast që të na ecë fati.
Këtë
vërejtje e baj, jo për ndonjë qëllim tjetër, por për faktin se një ushtar i
ngarkuem me plaçkë nuk mund të luftojë trimnisht. E në qoftë se mes jush ka
asish që mendojnë ndryshe, ban ma mirë të qëndrojë në shtëpi, se sa të vijë në
luftë për qëllim përfitimi të plaçkës dhe jo për nder, ku, veçse se do të
damtonte e do të pengonte luftëtarët e tjerë. Ju premtoj, për besën e një
kalorësi e si ushtar i nderuem, që në çdo rast beteje e fitoreje (Zoti e
dhashtë), e gjithë plaçka do të jetë e jueja”.
Dhimitër
Frangu jep një varg të dhënash të sakta për mënyrën e përgatitjeve e të sulmeve
të Skënderbeut e të udhëheqësve të tjerë arbërorë, si ndaheshin qartazi
detyrat, ku dëshmohet një strategji ushtarake e lartësuar, pastaj për sjelljet
e Skënderbeut para, gjatë dhe pas luftës me komandantë dhe me luftëtarë, me
banorë të zakonshëm, qoftë kur korrte fitore, qofte kur pësonte humbje, po edhe
sjelljet e tij me robërit e luftës, sidomos me disa prijës otomanë, të cilët i
binin te këmbët dhe i kërkonin mëshirë.
Të
bëjnë përshtypje të dhënat e shumta dhe
konkrete të ushtrive, përkatësisht numrit të luftëtarëve, qoftë arbërorë, qoftë
otomanë, të numrit të vrarëve e të plagosurve etj. Me një fjalë, janë fakte që
nuk i ka dhënë asnjë autor që ka shkruar për jetën dhe luftërat mbrojtëse të
Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për rreth 25 vjet.
Çka
dëshmojnë letrat e Skënderbeut dërguar sulltanëve
Atdhedashurinë,
mençurinë, shkathtësinë, guximin e pashembullt të një prijësi të madh ushtarak
dhe gatishmërinë e flijimit për të mbrojtur lirinë dhe trojet arbërore,
Skënderbeu e përligj edhe me letrat që ua dërgoi sulltanëve të Perandorisë
Otomane, edhe pse ata ishin udhëheqës të shquar që drejtonin një shtet aq të
fuqishëm që ishte në gjendje t’i nënshtronte edhe shtetet më të mëdha të kohës.
Po
sjell një pjesë të letrës së Skënderbeut, përgjigje sulltanit, Mehmet Amiri,
Sulltan dhe Perandor i gjithë pjesë së botës, i cili njihej “sulltani gjakatar,
me rastin e prishjes së marrëveshjes për paqe, që kishte bërë me sulltanin: “Gjergj
Kastrioti, ndryshe Skënderbeg, Princ i Epirotëve e i Shqiptarëve, Mehmet begut
Princit të Turqve, i uron shumë shëndet. Kur mora vesht prej Ambasadorit tand,
Mustafa begut, e prej letrës sate, se sa ti ankohesh dhe proteston, pothuejse
tue më qortue, të jap këtë përgjigje: Kryesisht nuk pendohem as nuk kam pse
pendohem për prishjen e paqes, sepse e kam ba për shumë arsye, i detyruem nga
një shkak legjitim, e prandaj jo vetëm që nuk duhet të pendohem (siç thashë)
por duhet të jem anmiku ma i madh i yti, sepse duke qenë ti, Princ i një shteti
të madh, nuk të takon që të vendosësh e të thyejsh ligjet sipas qejfit, dhe as
që të nënvleftësosh Princin e një shteti të vogël, siç ke vepruar ndaj meje.
Ndërsa
u vendos paqa mes nesh nëpërmjet Ambasadorit tand, nuk duhej që bashkë me fenë
tande ta thyeshe, e për këtë me janë dëshmitarë Zoti dhe bota. Kur unë isha i
sigurt për besën që më kishe dhanë, vasalët e tu më shkaktuen damtime të mëdha,
aq sa qeshë i detyruem me të dërgue një Ambasador timin, me lutje që të merrje
masat e duhuna, e m’u përgjigje se do t’i kishe dënue ata keqbamës, e se ato
veprime ishin ba pa dijeninë tande. Gatishmënia dhe rreptësia që t’i dojshe me
tregue ndaj tyne, shpejt doli që ishte fare hiçe, sepse ti më dhe me kuptue se
gjithë damet ato i kishin krye me dijeninë dhe pëlqimin tand, dhe kështu unë
dola i tallun ndërsa keqbasit mbetën të padenuem, prej ku del fakti i qartë dhe
dëshmia që ti ke qenë (siç thashë) dakord, prandaj ti duhet e mund të bindesh
që unë kam pasë të drejtë të rifitoj damet që kisha pësue.
Due
që ti ta marrësh vesh se një si unë nuk duhet të kujdeset fare për ata që nuk e
çmojnë paqen, por duen që nën ngjyrën e paqes, të ngrehin kurtha dhe të
mashtrojnë të tjerët. Po qe se kjo sjellje i takon një Princi, gjykoje vetë.
Për sa thue se Venedikasit më paskan mashtrue, të them, se tue qenë ata njerëz
shumë të ndershëm dhe të besës, nuk mund të besohet se tek ata të ketë vend
mashtrimi ose ndonjë hile tjetër, prandaj lirisht kam vendosë që nuk due me
pasë paqë me ty, edhe pse unë qenkam aq Princ i ulët, e ti një Perandor aq i
fuqishëm nga Lindja në Perëndim, që vetëm prej teje thuhet, tue përvetesue
ndoshta shumë ma tepër nga ato që të takojnë […] prandaj unë nuk tundem nga
kërcënimet as nga lajkat e tua […] Nga kampi ynë, më 25 qershor 1463”.
Dhimitër
Frangu jep edhe një varg të dhënash për gatishmërinë e përhershme të
luftëtarëve arbërorë për ta mbrojtur atdheun, të cilët ishin vijimisht
vigjilentë dhe nuk befasoheshin nga sulmet e papritura dhe të fshehta të
otomanëve ose të mashtroheshin e të bëheshin vegël e otomanëve që në çdo mënyrë
donin t’i pushtonin trojet e Arbërisë dhe të vazhdonin më tej në pushtimin e
shteteve të tjera të Evropës, siç ndodhi pas vdekjes së Skënderbeut.
Edhe
rreth sëmundjes dhe keqësimit të gjendjes shëndetësore të Skënderbeut dhe
vetëdijes se po i mbaronin fuqitë dhe po i afrohej vdekja, Dhimitër Frangu jep
të dhëna të sakta kur Kryetrimi arbëror i dorëzohet vdekjes dhe hirit të Hyjit;
ai e fton djalin e vetëm të tij, Gjonin, dhe e porosit që t’u nënshtrohet
(meqenëse ishte i ri) urdhrave të nënës, Donikës, dhe ipeshkvit të Durrësit,
Pal Engjëllit.
Vdekja
e Skënderbeut shkaktoi një dhimbje e pikëllim ta pazakonshëm të
bashkëluftëtarët, të i gjithë populli, po edhe të të tjerët, që e njohën dhe ia
pranuan aftësinë dhe vlerën që pati në mbrojtjen 25 vjeçare të ndërmarrjeve
otomane. Këtë e shprehen edhe princat e shteteve fqinje bashkë me banorët e
tyre, si e thotë edhe Dhimitër Frangu në veprën e tij: “[…] ai kishte qenë
kalaja e shpëtimi edhe për vendet e tjera fqinje.
Vdekja
e tij përfshiu jo vetëm të gjithë Princat e Krishtenë, Papën dhe Kolezhin e
Kardinalëve, të gjithë Oborrin dhe popullin e Romës, dhe jo më pak Republikën e
Venedikut, e krejt Krishtërimin, por u përhap edhe në vende e shtete të tjera
të largëta, sepse fama e mirësisë dhe e trimnisë së madhe të tij, ishte përhapë
në gjithë botën, sa që u vinte keq edhe anmiqve të tij. Kur mori vesh për atë
vdekje, Mbreti Ferdinand i Napolit dhe i Sicilisë, me gjithë mbretninë e tij,
treguen një qëndrim të tillë sa e gjithë bota e kuptoi se sa e madhe ishte
dhimbja e keqardhja e tij, mbasi i bani nderime të mëdha e vajtime në gjithë
shtetin”.
Në
mbyllje të këtij punimi më duhet të them se libri i Dhimitër Frangut “Veprat e
lavdishme të Skënderbeut” hyn në rrethin e atyre veprave që mbijetojnë nëpër
kohë nga se janë të ngritura e të hartuara nga të dhëna të pandërmjetme që
autori, bashkëpunëtor dhe këshilltar i rëndësishëm i Skënderbeut, i përjetoi
vetë ose i mori (të dhëna) nga Prijësi i tij, Skënderbeu, nga princat e tjerë
arbërorë ose edhe nga arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, udhëheqësi
shpirtëror i Skënderbeut, i cili ishte dhe kushëriri i Frangut. Së këndejmi,
them se secili që e lexon me vëmendje këtë vepër të Dhimitër Frangut, jo vetëm
do të mësojë më thellësisht për Skënderbeut, për jetën dhe ndërmarrjet
luftarake mbrojtëse kundër otomanëve, po edhe për një varg rrjedhash e pasojash
të botës arbërore – shqiptare që ndodhen më vonë.
Prishtinë, mes i shkurtit 2025