Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Idriz Zeqiri
E shtune, 01.03.2025, 06:58 PM
Idriz
Zeqiri
Nga
Kastriot Dervishi
Lindur
më 10.1.1947 në Studenicë të Pejës erdhi në Shqipëri si i arratisur në vitin
1968 për të ndjekur shkollën e lartë e donte të rikthehej më pas. Fillimisht u
vendos në Lezhë, iu dha e drejta e shkollës së lartë në vitin 1969, por shpejt
iu ndërpre dhe u internua në Bilçë të Beratit. U arrestua më 28.12.1974. U
akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal dhe nenit 7 të dekretit nr.1906,
datë 2.8.1954 “Mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative”. Së bashku me
shokun e tij Bajram Sadiku (me të cilin ishte ndaluar më parë), kërkonin të
ndihmonin zgjidhjen e çështjen e Kosovës, por këtu e kuptuan se do ishin preja
e një regjimi internacionalist antikombëtar. Ata kishin arritur në përfundimin
se problemi i Kosovës nuk trajtohet seriozisht nga shteti shqiptar dhe se
emigracioni kosovar trajtohej keq dhe mbahej në kampe përqendrimi. Regjimi
komunist i cilësonte “njerëz të paformuar, me fantazi e prirje për aventura”.
Gjykata e Rrethit Berat, me vendimin nr.51, datë 15.5.1975, e deklaroi fajtor
dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe pagimin e 57 lekëve shpenzime gjyqësore.
U lirua më 29.10.1983 nga Reparti nr.302 Zejmen. Në vitin 1985 vetë regjimi
komunist doli në përfundimin se dënimi i tij ishte bërë pa prova dhe se duhej
bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë socialiste.
Pas
daljes nga burgu Idrizi jetonte në Tiranë, pa punë, vetëm me të ardhura që i
vinin nga jashtë. Për këtë kërkonte të riatdhesohej në Jugosllavi, por e kishin
refuzuar ambasadat jugosllave, greke e turke.
Më
18.11.1988 njoftohej ministri, se ish i dënuari kërkonte të kalonte nëpërmjet
ambasadës së RFGJ-së në Tiranë, sepse dilte garant vëllai i tij që banonte në
këtë shtet. Por ministri i Punëve të Brendshme lë shënimin tjetër sipas së
cilit në rast se bënte letra armiqësore të burgosej. Më 20.12.1988 u mor
vendimi i dëbimit të emigrantit politik Idriz Zeqiri. Rezultonte se gjatë kësaj
kohe ai ishte në përpunim si “agjent i mundshëm jugosllav”, duke u raportuar
nga 17 bashkëpunëtorë. Të gjitha raportimet ishin për agjitacion e propagandë
(si edhe në rastet e tjera) dhe asgjë UDB-je nuk dilte kurrkund. Por
jugosllavët nuk pranuan ta riatdhesojnë. Kësisoj, më 6.12.1989 ai u pajis me
vizë kalimi për në RFGJ.