E merkure, 30.04.2025, 10:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Lekë Mrijaj: Presidentja e Kosovës dekoron Don Fran Sopin dhe Mulla Xhevat Kryeziun

E merkure, 19.02.2025, 07:52 PM


PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS DEKORON DON FRAN SOPIN DHE MULLA XHEVAT KRYEZIUN ME MEDALJEN "PROF. ANTON ÇETTA"

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në një ceremoni solemne të mbajtur më 18 shkurt në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, ndau disa dekorata për personalitete dhe institucione vëndore e ndërkombëtare të shquara, të cilat kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, kulturore, arsimore, fetare dhe humanitare.

Në këtë ngjarje të rëndësishme, e mbajtur në Sallën e Filharmonisë së Kosovës, ishin të pranishëm personalitete të njohura nga politika, akademia, kultura, shoqëria civile dhe kleri fetar nga të dy komunitetet shqiptare: ai katolik, i përfaqësuar nga Msgr. Dr. Lush Gjergji, dhe ai islam, i përfaqësuar nga Naim Tërnava, si dhe të ftuar të tjerë të shquar.

Po ashtu, të ftuar specialë ishin Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe përfaqësuesit e Forumit të Intelektualëve "Luigj Gurakuqi" nga Klina, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në propozimin dhe vlerësimin e dy figurave të dekoruara.

Gjatë kësaj ceremonie, Presidentja Osmani vlerësoi rolin historik dhe shoqëror të disa figurave kyçe që kanë ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe në pajtimin e gjaqeve, si dhe në ndërtimin e paqes në shoqërinë kosovare.

Ndër të dekoruarit ishin dy personalitete të shquara të jetës fetare dhe shoqërore: don Fran Sopi, ish-themelues dhe famullitar i Kishës Katolike në Klinë, dhe mulla Xhevat Kryeziu, imam i Bashkësisë Islame në Bubavec të Malishevës, të cilët u nderuan me Mirënjohjen Presidenciale "Prof. Anton Çetta", një nga dekoratat më të rëndësishme shtetërore të Republikës së Kosovës.

Me propozimin e Forumit të Intelektualëve "Luigj Gurakuqi" – Klinë, Presidentja Osmani dekoroi don Fran Sopin, një figurë e ndritur e Kishës Katolike në Kosovë, me Mirënjohjen Presidenciale "Prof. Anton Çetta", në shenjë respekti për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e pajtimit të gjaqeve dhe harmonisë ndërmjet shqiptarëve. Ky vlerësim i lartë shtetëror apo Presidencial iu dha don Fran Sopit për përkushtimin e tij të palodhur në shërbim të komunitetit shqiptar, veçanërisht gjatë viteve të vështira para luftës, gjatë luftës dhe pas saj.

Si një klerik i përkushtuar i Kishës Katolike Shqiptare dhe udhërrëfyes shpirtëror, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në pajtimin e familjeve shqiptare të përfshira në gjakmarrje, duke ndërmjetësuar falje dhe pajtime. Në frymën e traditës shqiptare të pajtimit, e cila kulmoi me veprën historike të Anton Çettës dhe Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, don Fran Sopi u bë një nga figurat kyçe në përhapjen e mesazhit të faljes dhe mirëkuptimit mes shqiptarëve.

Me përkushtimin dhe fjalën e tij të urtë, ai arriti të shuante konflikte të thella, duke ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie më të bashkuar dhe më tolerante. Përveç misionit të tij fetar, don Fran Sopi ishte një njeri i aksionit dhe veprimit. Ai nuk kufizohej vetëm në predikimin e vlerave shpirtërore, por edhe angazhohej drejtpërdrejt në zgjidhjen e konflikteve, duke ndërmjetësuar pajtime të rëndësishme ndërmjet familjeve shqiptare, të cilat shpesh ndodheshin në armiqësi të trashëguar prej brezash.

Në të njëjtën ceremoni, po sot, Presidentja Osmani dekoroi edhe klerikun e Bashkësisë Islame të Bubavecit të Malishevës, mulla Xhevat Kryeziun, me Mirënjohjen Presidenciale "Prof. Anton Çetta", një dekoratë që i jepet personaliteteve dhe institucioneve që kanë dhënë kontribut të shquar në pajtimin e gjaqeve dhe forcimin e unitetit kombëtar.

Mulla Xhevat Kryeziu është një emër i njohur për përkushtimin e tij të palëkundur në shërbimin ndaj besimtarëve dhe shoqërisë shqiptare. Ai ka qenë një ndërmjetës i mençur dhe një zë i fuqishëm për paqen dhe harmoninë ndërmjet shqiptarëve, duke kontribuar në zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve dhe konflikteve familjare.

Si një udhëheqës fetar me vizion të gjerë dhe shpirt të hapur, ai gjithmonë ka predikuar vlerat e faljes, mëshirës dhe dashurisë ndaj njeriut. Me përvojën dhe urtësinë e tij, ai ka ndihmuar në pajtimin e shumë familjeve të ndara nga gjakmarrja dhe konfliktet e tjera tradicionale, duke ndërtuar ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet njerëzve.

Mulla Xhevat Kryeziu është frymëzuar nga modeli i prof. Anton Çettës, i cili në vitin 1990 e përgjatë saj veproi në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, duke arritur të ndërmjetës qindra hasmëri dhe të vendosë themelet e një fryme të re të unitetit kombëtar. Përmes veprimtarisë së tij fetare dhe shoqërore, ai ka vazhduar këtë mision të shenjtë, duke treguar se feja dhe pajtimi janë dy shtylla të forta të një shoqërie të shëndoshë.

Dekorimi i don Fran Sopit dhe mulla Xhevat Kryeziut me Mirënjohjen Presidenciale "Prof. Anton Çetta" është një dëshmi e respektit dhe mirënjohjes shtetërore për ata që kanë ndikuar thellësisht në pajtimin e gjaqeve dhe forcimin e harmonisë ndërmjet shqiptarëve.

Duke nderuar këto dy personalitete të shquara, Presidentja Osmani ka vlerësuar jo vetëm veprat e tyre të jashtëzakonshme, por edhe mesazhin e madh të pajtimit dhe dashurisë për njeriun, si vlera të përhershme të identitetit dhe kulturës shqiptare.

Ky akt simbolik, i dhënë në një moment kaq domethënës për historinë e Kosovës, shërben si një kujtesë se uniteti, paqja dhe falja janë themelet mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja e kombit tonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx