Kulturë
Jusuf Buxhovi: Kosova nga faktori gjeopolitik rajonal tek ai periferik!
E diele, 16.02.2025, 07:55 PM
KOSOVA NGA FAKTORI GJEOPOLITIK RAJONAL TEK AI PERIFERIK!
-Theksime
nga fjala në bibliotekën e Gjilanit “Fan S.Noli” me lexuesit e dalluar
Nga
Jusuf BUXHOVI
Nëse
mund të thuhet se shteti i Kosovës është e arritura më e madhe e këtij
shekulli, e mundësuar pas çlirimit nga
pushtimi serb me ndërhyrjen e armatosur të NATO-s dhe nën drejtimin e SHBA-ve
gjatë fushatës ajrore nga 24-10 qershor 1999, në vigjilje të përvjetorit të
shtatëmbëdhjetë të pavarësisë, po ashtu mund të thuhet se shteti i Kosovës,
gjatë këtyre viteve nuk ia doli të rrumbullakojë procesin e konsolidimit as nga
brenda e as nga jashtë. Përkundrazi
ndodhi që nga faktori gjeopolitik rajonal të degradohet në periferi të saj!
Ky
zhvillim nuk është as i rastit e as i
paparashikueshëm, por në rrethanat e tanishme të tronditjeve të mëdha në skenën
politike botërore të shkaktuara nga fitorja e Trumfit në SHBA që për pasojë
kanë përmbysjen e deritanishme të multipolaritetit përmes vendosjes se një
polariteti të ri gjeostrategjik, ku SHBA-të në raport me Rusinë skicojnë
kornizat e reja gjeopolitike në përputhje me interesat e tyre ekonomike,
anashkalohet Europa dhe mekanizmat e saj. Ky tektonizëm, për shtetin e Kosovës
paraqet një sfidë thuajse ekzistenciale dhe kthehet në një shqetësimi të thellë
ngaqë Kosova gjatë viteve të fundit, në
saje të politikave që kanë qenë në shpërputhje me qëndrimet e aleatëve për konsolidim të
brendshëm, në radhë të parë për t’i zgjidhur problemet me minoritetet (atë
serb) në përputhje me normën kushtetuese ku
parashihet edhe krijimi i asociacionit pa kompetenca ekzekutuese, në
mënyrë që ata të integrohen, me zvarritje dhe veprime të tjera të pamatura, një
problem teknik e ktheu në problem politik. Dhe, ç’është me keq, me krijimin e
“Listës serbe” e drejtuar nga Beogradi,
Serbisë iu hapën mundësitë për implikim të drejtpërdrejtë në jetën politike të
Kosovës, që për pasojë patën krijimin e shtetit paralel në veri të drejtuar nga
strukturat kriminale, përmes të cilave shteti i Kosovës jo vetëm që humbi
mbikëqyrjen në veri, por njëherësh krijoi rrethana, për humbjen e
kredibilitetit ndërkombëtar. Por, edhe kur qeveria aktuale, gjatë dy viteve të
fundit mori masa për t’i eleminuar straktuart paralele në Veri, ato u konsideruan “veprime të njëanshme”, pra
pa marrëveshje me aleatët, gjë që u përcollën edhe me sankcione ndërkombëtare
nga ana e Bashkimit Europian! Kur kësaj i shtohen edhe veprimet e
pakoordinuara të qeverisë së Kosovës në raport me SHBA-të, sponsorisuesin dhe
aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, nuk është e habitshme kur shteti i
Kosovës, në aspektin e gjeopolitikës rajonale, nga faktori i rëndësishëm, sot
ndodhet në periferi të saj!
Ky
realitet, që për shkak ka politikat e papërgjegjshme të udhëhequra për shumë
vite nga akteret politikë që qeverisën vendin, që pushtetin politik, për
interesa meskine personale dhe të klaneve politike, e kanë shfrytëzuar në dëm të konsolidimit të
shtetit, mund të ketë pasoja tepër të rënda, pikërisht në rrethanat e tanishme
kur politika amerikane, në përputhje me interesat e saj që u cekën më lartë, në
marrëveshje me Rusinë dhe duke
anashkaluar Bashkimin Europian, me arsyetimin që siç e tha dje nënpresidenti
amerikan Vance në konferencën e sigurisë në Mynhen se “kërcënimi më i madh ndaj
sigurisë së Europës vjen nga brenda dhe jo nga Rusia”, krahas raporteve të reja
në sferat globale (veçmas me Kinën, Indinë dhe vendet arabe dhe islame), në
pakon e fundit, të ridizajnojë edhe hapësirën e vendeve të Europës
jugperëndimore, ku bie edhe Kosova, si shtet i pakonsoliduar.
Ky
ridizajnim që është i pashmangshëm pasi që t’i jepet fund luftës së Ukrainës,
natyrisht në marrëveshje me Rusinë, që sipas fjalëve të Vances, ajo nuk do t’i
ketë më kufinjtë e dikurshëm e as nuk do të jetë anëtare NATO-s, që për
politologun francez Gluksman, konsiderohet kapitullim para Rusisë i njëjtë me
marrëveshjen e Çemblerenit në Mynhen në vitin 1938 kur për hire të paqes u
sakrifikua Çekia, gjë që është afër mendsh që skenarët e tilla mund të përdoren
edhe në Ballkan!
Meqë
skenarët e tillë nuk mund të përjashtohen, është më se e domosdoshme që spektri
i gjithanshëm politik i Kosovës, pozitë opozitë, pa përjashtim, duke lënë
manash gabimet, hasmëritë dhe animozitet e tyre të deritanishme, të bashkohet për t’i dhënë përgjigje kësaj sfide
ekzistenciale.
Opcioni
i gjuhës së përbashkët të faktorit politik shqiptar në këto rrethana pas
zgjedhjeve që sapo i lamë, me krijimin e një qeverie të kaolicionit të gjërë,
është edhe më domethënës, kur kihen
parasysh raportet që nxorën këto zgjedhje (pat pozicioni midis pozitës dhe
opozitës), që hap mundësi për zvarritje deri te një krizë e re politike, që do
të ishte fatale. Ngaqë, çfarëdo krize politike do të shfrytëzohej që Serbisë
t’i bëhen favore në reaport me kërkesat e saj për krijimin e një autonomie
secesioniste në Veri.