Kulturë
Ndue Dedaj: Shkrimtarët i duam pas vdekjes
E shtune, 15.02.2025, 07:58 PM
SHKRIMTARËT I DUAM PAS VDEKJES
-
Kadare dhe “apologjia” e të mëdhenjëve -
NGA
NDUE DEDAJ
“Unë
dua poetët e vdekur”, thotë Lida Snjegina, vajza ruse e novelës “Muzgu i
perëndive të stepës”, që nënkupton se ajo nuk i donte shkrimtarët e gjallë.
“Ajo don kryesisht shkrimtarët e vdekur”, përforcon Kadare. (I. Kadare,
“Onufri”, Vepra, v. VIII, f. 66.) E sollëm këtë detaj për të thënë se tash që
nuk e kemi Kadarenë, do ta duan dhe ata që nuk e deshën në të gjallë. Ky është
zakoni ynë, nuk mund t’i duam sa janë mes nesh shkrimtarët, për njëqind mos -
arsye. E megjithatë ata janë që në gjallje ata të pasvdekjes. Në një intervistë
dhënë Alketa Spahiut, Kadare do të thoshte: “Do apo nuk do shkrimtari, vdekja
bën pjesë në dosjen e tij. Nuk ka në këtë shprehje asgjë patetike… Përparësia e
letërsisë, e artit dhe e çdo krijimi vlerash shpirtërore, qëndron pikërisht te
lidhjet e tij me të ardhmen”. (“ExLibris”, 25 janar 2025.)
Kadare
nuk ishte natyrë e afrueshme, këtë ia vinin re të gjithë atij, por jo një
njeriu tjetër të zakonshëm. Te ky i fundit do të na dukej normale, pasi kështu
i kemi tipat në jetë, kurse Kadarenë e donim me doemos që të na begeniste, bile
dhe të na “donte”. Kadare ishte vlerësues për secilin shkrimtar, edhe për një
letrar të ri, kur ai ishte i talentuar, por mbase pa shumë fjalë. Ai, si gjithë
të mëdhenjtë, nuk e njihte gjuhën e lajkave. Ai të pranonte dhe çfarë duhej më
tepër. Ishte kënaqësi e veçantë kur ai të thoshte “Të kam lexuar”...
1
Bash
për keqkuptimin që kanë të gjallët me të mëdhenjtë, gjithmonë ka qenë nevoja e
një apologjie ndaj tyre. Gjergj Kastrioti ishte ai që ishte, ama Frang Bardhi u
dëtyrua të shkruante një apologji të gjatë dhe të argumentuar rreth origjinës
së tij shqiptare. Edhe poemat e Rilindjes kushtuar figurës së tij kanë qëllimin
e ringjalljes së epokës lavdimadhe. “Pështjelloheshim” disi në rini kur lexonim
në librat e letërsisë se Noli ishte nga Qyteza e Kolonjës, dhe pse kishte
lindur në Ibrik-Tepe, diku mes Greqisë e Turqisë. Ka pasur zhurmë për origjinën
e Nënë Terezës, derisa u zbuluan dëshmitë e pagëzimit të saj në kishën katolike
të Shkupit etj. Por nuk është vetëm origjina që ka nevojë për apologji, e nuk
janë vetëm të huajtë që ngrenë hipoteza, alibi, qenka edhe biografia, si ajo e
Kadaresë. Ata që nuk kanë mundësi të flasin për personazhet e Kadaresë, e
kthejnë atë vetë në “personazh” të tyre, duke i numëruar kinse cenet. Si është
e mundur që të hidhet baltë sy në sy. Shkrimtarit të madh i shpifën se kishte
thënë një fjalë të rëndë për ikësit e ambasadave të korrikut 1990, ndokush duke
bërë be e rrufe se kjo gjë ishte botuar në gazetën “Drita” në maj të atij viti,
kur ikja do të ndodhte dy muaj më vonë në korrik (!?). Kadare e përgënjështron
disa herë me gojë dhe me shkrim, por askush nuk ia vë veshin, pasi për ata qe
nuk janë seriozë dhe nuk lexojnë veprën e autorit, legjendat urbane janë një
argëtim delirant. Ata që e mbajnë mend atë verë të nxehtë e të thatë, duhet të
arsyetojnë, si ka mundësi që në mitingun e madh të gjëmës komuniste në sheshin
“Skënderbej”, i vetmi që mungoi ishte Ismail Kadare! Ky është lajmi dhe jo
thashethemnaja rreth tij. Sepse Kadare nuk mund të ndodhej në vendin e gabuar, në
kohën e gabuar.
Ndërkohë
ka marrë më shumë vëmendje sa duhej dhe qendrimi i Kadaresë ndaj Fishtës deri
në krijimin e një “dueli” të pakuptimtë se cili nga ata të dy ishte më i madh.
Ka ndodhur vetëm njëherë dhe ndoshta nuk do të kishte ndodhur, nëse Kadaresë
nuk do t’i kërkohej të fliste në nëntorin e vitit 1973, në Konferencën
Kombëtare të Talenteve të Reja, në Korçë, që ishte një kongres i mirëfilltë
shkrimtarësh, me praninë e sekretarit të KQ për ideologjinë dhe shefes së
Institutit të Studimeve ML, ku ai do të thoshte se Fishta kishte qenë
konservatori më i madh i letërsisë shqipe dhe po ashtu liberali më i madh i
saj, fjalim që pas disa muajsh u botua si artikull në “Zëri i Popullit”. Autori
i këtyre radhëve, asokohe gjimnazist në Mirditë, ka qenë në sallë. Duhet ditur
se Konferenca, ku Kadare nuk shpëtoi dot pa u “lagur” me diskutimin e tij
retorik, u mbajt në frymën e Plenumit IV të KQ të Partisë të atij viti, që
ishte armiku më i madh i letërsisë dhe arteve në gjithë historinë e tyre.
Komentuesit e sotëm populistë duhet të dinë se vetëm një vit më pas Partia do
ta kurorëzonte aksionin e saj ideologjik varrmihës të letërsisë dhe arteve me
fjalimin e 20 dhjetorit 1974, ku Enver Hoxha do t’i emërtonte shkrimtarët dhe
artistët “ndihmës besnikë të Partisë në edukimin komunist të masave”. O
tempora, o mores. Kësisoj, ç’kuptim ka që ky sakrilegj i një shkrimtari të madh
ndaj një tjetër shkrimtari të madh, të rimerret dhe të bëhet çështje dite pas
një gjysmë shekulli? Le të trajtohet nga biografët letrarë në kontekstin e
dhënë dhe kaq është e mjaftushme.
Me
sa duket gjenitë nuk mund ta kalojnë “Rubikonin” pa i paguar një çmim të lartë
bashkëkohësisë së tyre mospranuese. Kadaresë i është bërë objekt sulmi
ideologjik gjer romani kryevepër i tij “Pallati i Ëndrrave” në vitet ’80 të
shekullit të kaluar. Po sa e sa shkrimtarë të shquar janë bërë “problem” për
shkak të keqkuptimit të (krye)veprave të tyre në kohën kur ato u botuan, duke u
(para)gjykuar për thyerje të tabuve morale, fetare, ideologjike, biografisë së
papërshtatshme për regjimet etj., si Sharl Bodler me “Lulet e së keqes”, Xhejms
Xhojs me “Uliksin”, Scott Fitzgeraldi me “Getsbi i madh” etj. Shkurt, të
mëdhenjtë, si në mesjetë, si në kohë moderne, këtë fat paskan, të mbrohen për
atë çka ata janë. Apologjia e të mëdhenjëve është mjerimi i të vegjëlve.
2
Një
nga “arsyet” e mosdashjes së shkrimtarëve sa janë gjallë është mallkimi i
biografisë, sidomos i atyre që kanë jetuar në regjimin komunist. E kemi
shtjelluar këtë argument në një artikull të gjatë në gazetën “Shqip” më 2006,
pikërisht me objekt Kadarenë dhe i rikthehemi pasi dhe sot shkrimtarët gjykohen
jo për veprën, por si i kanë pasur raportet me regjimin e kaluar, jo vetëm të
anatemuarit e vdekur e të gjallë si Fishta, Konica, Koliqi, Kokalari e Haxhiademi,
por dhe Malëshova, Marko, Trebeshina etj.
Nga
ana tjetër, kur sheh sot bërllokun e fjalëve me të cilin sulmohen shkrimtarët,
thua kanë qenë me fat ata autorë që kanë vdekur jo në kohën e internetit, pasi
kanë shpëtuar nga jargët e sharjeve dhe “biografizimi” i tipit bolshevik, si
dhe nga “klasifikimi” popullor kush është i pari, kush i dyti, kush i treti, a
thua se bëhet fjalë për krushq të një dasme që shkojnë të marrin nusen. Është
po ajo mendësi që për gjysmë shekulli Fishtën e denigronte për vargjet “Le ta
marrë vesh gjithë bota mbarë...”, pa ua ditur kuptimin. Puna është se mosleximi
i veprës këtë “çmim” ka, atë të përçmimit të autorit me anë të biografisë. Po e
gjitha kjo është një kotësi, ata tashmë rrojnë përtej vetes dhe kohës. Sa i përket
Kadaresë, janë vetëm gjashtë shkronja, për të thënë të gjithin atë, qoftë dhe
pa emrin Ismail përpara, si në rastin e De Radës, Fishtës, Migjenit, apo
Kafkës, Kunderës, Borgesit etj. I takoi gjeneratës sonë, apo më saktë dy-tri
gjeneratave të fundit, për ta përcjellë në amëshim, por shkrimtari i përket
lexuesit shqiptar prej shtatëdhjetë vjetësh, që nga viti 1954, kur solli
“Frymëzimet djaloshare” gjirokastrite, që parathoshin një talent të madh të
letërsisë shqipe. I llogarisni vetë lexuesit e tij, prej atëherë, këtu dhe në
Kosovë, ku ato gjeneratat e para që e njohën atë si krijues, janë shuar. Por
llogarisni dhe lexuesin e tij shqiptar të nesërm, që nuk do të jetë i dyzuar si
një pjesë e lexuesit të sotëm, që e sheh shkrimtarin mes letërsisë dhe biografisë,
duke i mëshuar kësaj të fundit, a thua se Kadare duhej të ishte një
gjysmëperëndi në tokë! E ky është vetëm njëri, lexuesi i gjuhës dhe i gjakut të
tij, por është dhe ai lexuesi i huaj i dyzet e pesë gjuhëve të botës, që vetëm
sa shtohen. Pra, mjaftojnë vetëm ato gjashtë shkronja, me theks në të fundit,
dhe s’ka nevojë për tjetër, si “gjeniu i letërsisë shqipe”, “shkrimtari
shqiptar me përmasa botërore” etj. Ai do të jetë dhe letërnjoftimi ynë jashtë
vendit. Ju jeni të... Kadaresë? Dmth vini nga vendi i tij? Nga gjuha shqipe?
Kaloni!...
Ndokush
nesh, që është duke kaluar nëpër atë “aeroportin” pa ulje dhe ngritje avionësh,
mund të ngurrojë për një çast. Si? Ju po thoni Kadareja është një mit i gjallë?
Po ai... nuk foli për shembjen e Teatrit, nuk e kritikoi qeverinë për
pazotësinë në luftën kundër e kanabisit, as atë tjetrën dje për lejimin e
“piramidave”! Nuk mori kazmën të shembte me rropamë kampin socialist! Ka aq
shumë mëkate. Nuk i shkruam më kot ne të tijtë Stokholmit që të mos i jepej
“Nobeli”.
Ai,
i huaji, atje përtej shtetit tënd, që është duke të dëgjuar ty e ka gati
përgjigjen, por nuk ngutet. Në fund të le pa fjalë: “A ishte ai një shkrimtar?”
Ti sigurisht që nuk mund të thuash se nuk ishte... A, po, vijon ai “apologjinë”
për Kadarenë, kam dëgjuar se ju shqiptarët bëni një dallim të çuditshëm, mes
shkrimtarit dhe njeriut, thoni se si shkrimtar është i madh, kurse si njeri
jo!? Po ku tjetër ndodh kjo ndarje mes krijuesit dhe njeriut? Ju dini se
Shekspiri është i madh si shkrimtar, por nuk dini asgjë se si ishte ai si
njeri! Apo Balzaku, Dostojevski, Zvajgu. Mos duhej ta modelonit ju shkrimtarin
tuaj si karakter, sa i censhëm të ishte? Atëherë ai nuk do të ishte ai që ishte
dhe për rrjedhojë do të mungonte vepra e tij!... O Zot kanë guxuar gjer hierarkë
të lartë tuajt në demokraci ta cilësojnë “shkrimtar oborri”, për të qitur vetën
më lart se shkrimtari. Por, më thoni, ku janë ata tani? E ku do të jetë nesër,
kur nuk do të jenë më presidentë, ministra? Nuk është kjo ajo çfarë dua të të
nënvizoj unë i huaji, si një qytetar i botës, për shkrimtarin tuaj të madh dhe
njëherësh tonin, Kadarenë. Ka një kontradiktë që ju bën qesharakë. Nuk mund të
rrijë një shkrimtar i madh në lëkurën e një njeriu të vogël!? Një shkrimtar i
madh është njëherësh një njeri po aq i madh. Nguliteni këtë njëherë e
përgjithmonë në vetëdijën tuaj të lodhur. Mirëpo ka gjasë që ju të mos
çliroheni lehtë prej sindromit të biografisë, vijon ai “zëri” nga jashtë. Për
një gjysmë shekulli keni bërë biografinë e njëri-tjetrit me një zell të madh,
atë bëni dhe sot dhe ku ta gjenit një “peshk të madh” si Kadarenë që t’ia
numëronit një më një të gjithë mëkatet e detit. Por jeni ju të gabuar, ngaqë
jeni të ideologjizuar deri në palcë. Ju duhej të dinit se ndërsa Kadare
shkruante “Dosjen H”, duke shtegtuar nëpër gjurmët e dy studiuesve
amerikano-irlandezë, që në vitet ’30 të shekullit të kaluar endeshin në Alpet
shqiptare, në kërkim të bardëve të fundit të eposit të kreshnikëve, në
labirintet e errëta të sherbimit sekret shqiptar gatuhej dita-ditës “Dosja K”,
që nuk kishte asgjë homerike. E nuk do të ishte rasti i parë në historinë
totalitare të Europës kur një shkrimtar do ta shpëtonte “llogaria” e famës,
pushteti më shumë fitonte apo humbte me martirizimin e tij?...
Kadare
është cilësuar nga të huajtë si “rapsod i Europës” dhe kjo ka logjikën e saj,
edhe pse dihet se ai ishte një shkrimtar modern dhe jo një rapsod. Por në
fillim ishin rapsodët ata që e qitën katundin e tyre përtej malit tjetër, me
fjalët dhe zërin e tyre mbi lahutë. Pastaj përtej nëntë maleve, në popuj të
tjerë ballkanas e europianë. Ideali i tyre ishin kreshnikët, që përballeshin në
një mënyrë apo në një tjetër me krajlitë. Kjo ishte dhe saga moderne kadareane,
me romanet: “Kështjella”, “Dimri i Madh”, “Koncert në fund të dimrit”,
"Ura me tri harqe" etj. Ky “rapsod” i madh bashkëkohor i përcolli
Europës baladat shqiptare të besës dhe ringjalljes së njeriut për shkak të saj
- romani “Kush e solli Doruntinën”, siç pëmes “Prillit të thyer” evokoi kanunin
e shqiptarëve, as pa e glorifikuar si në të kaluarën e as pa e denigruar siç
ishte vija politike e kohës. Ndërkohë që “Pallati i Ëndrrave” ishte mënyra se
si shkrimtari e pau botën, pa ëndrravrasës të asnjë stine. Përmbledhur në një
fjali të vetme, merita e shkrimtarit është se shkroi letërsi të lirë të nivelit
europian në diktaturë. Gjuha e magjishme e shkrimtarisë, stili i tij
thellësisht origjinal dhe kreativ, optika dhe opusi krijues i pazakontë,
përqeshja e marrëzisë së botës etj. e bëjnë Kadarenë të parë mes të parëve të
letërsisë botërore. Ai iu qas me germa të mëdha dhe me një metaforë sipërore të
vetmit fenomen letrar shqiptar të shekullit XX, që ishte Migjeni, duke e
quajtur “uragani i ndërprerë”, çka e lartëson personalitetin e tij, ashtu si
esetë (sprovat) kushtuar Dantes, Shekspirit etj.
Lexuesi
shqiptar, jo ai i ri, ka një marrëdhënie të veten me këtë shkrimtar qysh nga
fëmijëria, si me asnjë tjetër, ia ka lexuar poezitë e romanet, ka folur për to
në shkollë, ka shkruar në shtypin letrar etj. Një bashkërrugëtim i gjatë me
shkrimtarin, që kur në duart e mësuesve të tu shihje romanet e tij të
sapobotuar në mijëra kopje, si “Kështjella”, “Kronikë në gur” etj. Më vonë jemi
përpjekur dhe ne ta themi ndonjë fjalë për veprën e tij., romanin “Prilli i
thyer”, librin me novela “Tri këngë zije për Kosovën” etj.
Qysh
herët, në poezinë “S’lindëm ne princa”, Kadare do të shkruante: “Dhe ne të
gjithë jemi / Drurë të mbjellë në udhëkryqet e historisë”. Dy vargje që të
bëjnë të mendohesh thellë, drurë të drejtë dhe drurë të shtrëmbër në një barrë,
drurë që kalbën dhe drurë që bëhen eshkë për të ndriçuar netët, drurë - rrape
shekullorë dhe drurë - shkurre përtokëse. Të gjithë në udhëkryqet e historisë,
ndërsa kujtesa e saj ka punë vetëm me “drurët” përrallorë të pavdekësisë.