Kulturë
Tahir Bezhani: Neki Lulaj - Gjurmë në jetë
E merkure, 12.02.2025, 07:51 PM
MORFOLOGJIA SHPIRTËRORE NË LIBRIN “GJURMË NË JETË” TE SHKRIMTARIT AFIRMATIV NEKI LULAJ
Neki
Lulaj: “Gjurmë në jetë....” botoi Lena Grafik Prishtine, 2024
Nga Tahir Bezhani
Thënie e autorit për
nxënësit:” Nxënësit janë si anijet që ankorohen
buzë limanit në oborrin e shkollës. Mua sot më rrinë në kornizën e shpirtit
plot djersë. Pas vrapit dhe lojërave era ua thante djersën fytyrëndriturve të
kombit”.
Neki Lulaj është emër
i përveçëm, në gjithë hapësirën
shqiptare, i cili me krijimtarinë e vet të begatshme letrare, ka zënë vend në mesin e krijuesve më
afirmativ në poezinë, por edhe në prozën tonë.
Një numër solid i
veprave të botuara me poezi, ku temat e
trajtuar në aspektin universal, me stilin, formën dhe forcën e fjalës, bëjnë që
poeti nga diaspora, Neki Lulaj, të jetë i kërkuar e i dashur për lexuesit e artit letrar në përgjithësi.
Krijimtarinë letrare z. Lulaj e kishte filluar që herët, nga
bankat e shkollës fillore të vendlindjes së tij ,në Prapaqan të Deçanit, për ta
vazhduar gjithë jetën me një pasion të zjarrtë deri më sot, kur frymëzimet e
tij gjithnjë rrinë të ndezura, si një
grykë krateri i hapur e që gjithnjë
vjell zjarr...
Vjeshtën e viti të kaluar u takuam së bashku në Mitingun
jubilar të poezisë në Gjakovë, i 60- ti me radhë, me ç ‘rast me dhuroi dy libra
me autograf dedikues, duke e bërë më të pasur bibliotekën time, por, edhe duke
e njohur më shumë në thellësi mikun tim, Neki Lulaj.
Njëri, libër me poezi, ”Sofra e fjalës” dhe tjetri në prozë,
”Gjurmë jete”,që të dy ishin një dhuratë që më bën të ndihem i gëzuar. Me të
vazhduar me leximin e këtyre dy librave,
u gjenda në horizonte jete të papritura, të cilat më bënë kureshtar deri në maksimum, për t’u zhytur në
kalavaret e një jete të përvuajtshme, me sakrifica, por me plot krenari jete.
Nga këto libra mora përvojën se sa e rëndësishme është jeta
kur luftohet gjithmonë për të mirën deri në fitore. Vetëm sakrificat njeriut ia
shtojnë bukurinë, vlerën ditëve të jetuara me përkushtim.
Pas luftës së fundit në Kosovë, krijimtaria letrare, sikurse ka marrë atë kahen e
“ndarjes”, si letërsi e diasporës, një letërsi e shkruar më veçantë nga
krijuesit tanë atje. Duke qenë të ndjekur në mënyre barbare nga politika
shoviniste serbe, me të madhe u shtua ikja e kosovarëve nga vendet e tyre, që
nga vitet 90’ e më herët, e në mesin e tyre edhe shume krijues të zotë, të
cilët mbi vete e brenda në zemrat e tyre, morën gjithë mallin, lotët, vuajtjen
dhe zjarrin e vendlindjes, atdheut të tyre të dashur.
I tillë është edhe krijuesi, poeti Neki Lulaj, edukatori i brezave të ardhshëm, i cili me
përkushtim e devotshmëri punoi si profesor në disa shkolla shqipe të Kosovës. Duke qenë i shtrënguar të iki nga
vendlindja, si shumë të tjerë, mori rrugën e gyrbetit, u vendos në Speyer të
Gjermanisë, ku gjendet edhe sot.Pikërisht,
në këtë qytet të Gjermanisë vazhdoi aktivitetin e tij letrare, duke u bërë
personalitet kyç në jetën kulturore e letrare të diasporës sonë, jo vetëm si
krijues veprash, por edhe si aktivist i denjë në shumë shtett të Evropës ,me
një prestigj të lakmueshëm.
Ndalem në veprën prozaike,” Gjurmë në jetë”, e cila nuk është e definuar në kuptimin e zhanreve, por mbetët vepër prozaike moderne e kohës.Kjo vepër, për kuptimin tim, është një manual enciklopedie përmes të cilës, lexuesi në vazhdimësi ndeshet me ato gjëra të paditura deri me tani e posaçërisht një ndihmesë e mirë për brezat e rinj.Shëtitjet e panumërta të autorit në gjitha trojet shqiptare, kanë rezultuar të jenë një pasqyrë e gjithë historisë, duke përfshi zona të ndryshme vendesh shqiptare ,emrat e personaliteteve historike, vendet historike të kulturës sonë me shekuj deri në ditët e sotme, si kisha e vende tjera të kultit e kulturës sonë në përgjithësi.
Shëtitjet e këtij krijuesi të mirënjohur dhe dokumentacioni që ka vjelur
nga vendet e vizituara prezantojnë një punë mjaft kolosale e cila ka zgjatur,
ndoshta me vite deri te të dhënat e tilla, të cilat sot na shërbejnë, jo vetëm
për kënaqësinë tonë, por edhe pasurojnë
dijen dhe ndërdijen kombëtare e njerëzore.
Për këto fakte, bazuar në librin “Gjurmë në jetë”, Neki Lulaj, krijues nga
diaspora i ngjan një Evlija Çelebiu të
kohës sonë, i cili padyshim, me punën e tij të palodhur, lexuesit tonë po ia lë
një pasuri krijuese të pakontestueshme, një aset kulturor.
Neki Lulaj, duke qenë i një niveli me kulturë e arsim të lartë, nuk hezitoi kurrë që me punën e tij të skalitë në
vepër edhe përvojën së bashku me dijen për të lënë gjurmë në jetë.Pas thithjes
së nektarit historik në gjitha trojet shqiptare, duke bashkëdyzuar dhimbjen me
krenarinë historike, z. Lulaj i drejtohet kontinentit të largët, Tokës së
Premtuar, Amerikës, me qëllim që të zgjerojë
horizontin e dijes dhe ato t’i
reflektojë në artin e tij krijues.
Ne SHBA, viziton shumë vende ku kanë
vepruar dhe kontribuar shumë koka të mençura të kombit tonë, si Noli, Konica e
shumë e shumë të tjerë. Ai nxjerr shënime e fakte historike, ndoshta te
paditura për një pjesë të lexuesve tanë. Me fakte sqaron për mërgatën tonë si
burim patriotizmi, veprime të gjendura arkivave të ruajtura mirë, si psh.
Vatra, Dielli ,ku veprimtarët e çështjes kombëtare, Noli, Konica etj. mbesin të
pavdekshëm me kontributet e tyre për çështjen kombëtare.
Autori i librit “Gjurmë në jetë.” gjen e shënon të parin emigrant shqiptar,
i quajtur Kolë Kristofori nga Korça në vitin 1884. Pasojnë emra e kohë të tjera
në librin në fjalë që pasurojnë kontinuitetin histok të mërgatës sonë atje.Pas
Amerikës, Neki Lulaj i qaset Evropës,
atyre vendeve ku kanë lenë gjurmë kokat gjeniale të kombit tonë, rilindasit e
paharruar.
Ndalesa më e zgjatur ishte në Bukuresht të Rumanisë, aty ku rilindasit bënë
historinë. Gjurmon e shënon të gjithë emrat e tyre, punën dhe veprimtaritë e
tyre, me konsideratë të lartë.
Libri “Gjurmë në jetë” me 240 faqe, padyshim se përmban një volum të madh
ngjarjesh, veprash dhe gjetje të tjera interesante, por kam bindjen e thelle se
lexuesi i mirëfilltë do interesohet për të lexuar (pasur) këtë libër me shumë
interes për kulturën dhe historiografinë tonë.
Në kuptimin përmbajtësor të librit në fjalë, theksoj se autori e ka ndarë
në katër shtylla: “Rrëfimi për rrëfimin”,
“Në rrugën e miqve të mi artistë dhe heronj”,” Miqtë për Neki Lulaj” dhe “Tryeza
poetike,” dhe aktivitete e tij në shoqatat letrare në diasporë. Si kompliment
mirënjohje, padyshim me ëndje lexohet, reçenca e Sejdi Berishës për mikun e
tij, z. Neki Lulaj.
Neki Lulaj, moment nga puna
krijuese.
Ndërsa, për librin voluminoz poetik, “ Sofra e fjalës”, shkarazi mund te
them se është libër lirikash në të cilat rrëshqasin fjalët e zemrës së Neki
Lulaj në teren imagjinate, të mbushur mall e dhimbje për vendlindjen, për
popullin e tij, rrëfim për gjakderdhjen
në luftën e fundit dhe heronjtë e skalitur në historinë më të re, të
cilët, disa prej tyre, ishin miq e bashkëvendës të autori, si Sali Çeku etj.
Pastaj lexojmë poezi përkushtuese
për familjarët, ku vend madhorë zënë prindërit, vendlindja dhe kullat si
sinonim i qëndresës ,fjalës së urtë e të pathyeshme në kuptimin e qëndresës.
Ky libër, pra “Gjurmë në jetë” dhe ai me poezi “Sofra e fjalës”, do mbetën
gjatë në kujtesën time, të cilët ua sugjeroj lexuesve të nderuar. Bilës këtë
libër, (prozën), do e quaj si një atllas
i gjeografisë shpirtërore.
Gjakovë, 09 shkurt,2025