Kulturë
Albert Zholi: Skënder Jaçe - Kinemaja në Qytetin e Kuçovës u ndërtua nga Shoqëria Italiane AIPA në vitin 1934
E shtune, 15.02.2025, 07:49 PM
Flet kineasti Skënder Jaçe: Kinemaja në Qytetin e Kuçovës u ndërtua nga Shoqëria Italiane AIPA në vitin 1934 dhe u inaugurua në vitin 1936
-
Kapaciteti i saj në atë kohë ishte 350 vende dhe ajo u shërbente kryesisht
familjeve italiane të vendosura në atë qytezë
-Në
skenën e Kuçovës kanë luajtur Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi,
Margarita Xhepa, Timo Flloko, Tinka Kurti, Rajmonda Bulku
-
Projeksioni i parë i saj ka qenë Premiera e filmit italian "Këpucë në
diell" (Le scarpe al sole) një produksion i vitit 1935.
Nga
kjo skenë shpërthyen talentet si, Gaqo Çako, Buran Spaihu, Agim Shuke, Xhuljeta
Kulla, Vangjo Kosta...
Nga
Albert Z. ZHOLI
Me Skënderin na lidh arti, skena, teatri, kinematografia. Ai ka
46 vjet që mirret me profesionin e kinemasë dhe është një njohës i shkëlqyer i
historisë së kinematografisë në botë. Për rreth 3 dekada ai ka shërbyer në
kinemanë e qytetit të Kuçovës. Kuçova ka qenë vendbanimi i hershëm Ilir i
fisit Desaret. Nga gërmimet e bëra në periferi të qytetit të Kuçovës (në
komunën Perondi ku ndodhet sot Kisha e vjetër e Shën Nikollës) del se kjo trevë
ka qenë një vendbanim i lashtë me një kulturë të zhvilluar, gjë që vërtetohet
nga mënyra e ndërtimit të shtëpive dhe e shëtitores për banorët e saj. Kjo
shëtitore ka përmasat e një bulevardi të vërtetë (10 m gjerësi dhe 50 m
gjatësi) të shtruar me kalldrëm e me gurë të gdhendur bukur. Po kështu në
kodrën e Omurit në verilindje të qytetit, janë gjetur punime mbrojtëse ilire e
mbi të gjitha një pishtar (i ekspozuar në muzeun e Beratit), i cili shërbente
për të sinjalizuar rrezikun armik nga njëra kala në tjetrën si dhe në të gjithë
zonën. Nga gërmimet e bëra në vitet '40 – '50 të shekullit të kaluar u nxorën
në sipërfaqe amfora, shpata e mburoja të kohës ilire. Në vitet e Luftës së Parë
Botërore, në periferi të Kuçovës (aty ku sot janë varrezat e qytetit) u vendos
një repart ushtarak austriak. Në vitin 1916, një inxhinier gjeolog, pjesëtar i
këtij efektivi vuri re se uji i përroit që rridhte nga kodra e Omurit vinte me
naftë. Pasi e shëtiti më këmbë vendin ai arriti në përfundimin se Kuçova ishte
një vend me pasuri të mëdha nafte. Këtë fakt ai e bëri publik në vitin 1918. Që
nga viti 1918 e deri në vitin 1924, në Kuçovë erdhën shumë shoqëri kërkuese
nafte si AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), një shoqëri Anglo-Persiane,
Shoqëria Amerikane e Naftës si dhe shoqëri franceze etj. Që nga viti 1928
e deri në vitin 1943, vendburimi i Kuçovës u shfrytëzua nga shoqëria italiane
AIPA. Kjo shoqëri bëri marrëveshje me qeverinë e Mbretit Zog I, që nëse
prodhimi i naftës në vit do t'i kalonte 50 000 tonët, kjo shoqëri do të ngrinte
në Kuçovë një rafineri. Por ndonëse prodhimi i kaloi 170 000 tonët, rafineria
nuk u ngrit, përkundrazi nafta e nxjerrë nisej për t'u përpunuar në Itali. Në
historinë e Shqipërisë, Kuçova përmendet edhe si qyteti ku është organizuar
greva e parë e punëtorëve në vitin 1936. Por në këtë bisedë do të flasim për
veçantinë e Kuçovës, që qysh në vitin 1934 u ndërtua kinemaja e qytetit, një
ndër të parat në Shqipëri dhe shumë moderne për kohën. Një nga drejtuesit e
kësaj kinemaje ishte dhe Skënder Jaçe. Rrëfimi i tij për këtë kinema është
befasues dhe shumë interesant.
-Flitet
shumë për kinematë në Shqipëri. Një ndër qytetet e para që ka pasur kinema ka
qenë Kuçova. Kur është hapur kinemaja e parë në Kuçovë dhe sa ishte kapaciteti?
Pa hyrë në përgjigje së
pari ju falënderoj në radhë të parë për këtë intervistë që doni të trajtoni
tema si kinemaja, ku unë dhe shumë kolegë të tjerë, i kushtuam jetën tonë me
dashuri ndaj këtij arti të fuqishëm. Vijmë tek pyetja juaj e parë. Kinemaja në
Qytetin e Kuçovës u ndërtua nga Shoqëria Italiane AIPA në vitin 1934 dhe u
inaugurua në vitin 1936. Kapaciteti i saj në atë kohë ishte 350 vende. Kuçova
në ato vite si zonë naftëmbajtëse shfrytëzohej nga shoqëritë italiane, dhe ajo
u shërbente kryesisht familjeve italiane të vendosura në atë qytezë, që më vonë
do të merrte formën e një qyteti me potencial të madh Industrial.
- Nqs ke dëgjuar cili ka qenë filmi i parë që është shfaqur aty
dhe si ishin aaratet e parë filmike, të kujt prodhimi ishin dhe a ishin
cilësorë? -
Sigurisht që e di.
Projeksioni i parë i saj ka qenë Premiera e filmit italian "Këpucë në
diell" (Le scarpe al sole) një produksion i vitit 1935, si dhe një kronikë
e kohës për koncesionet e naftës në Shqipëri. Aparatura e projeksionit ishte "Cinemeçanica"
Italiane, për kohën ishte markë e njohur dhe cilësore në Europë dhe më gjerë.
- Një jetë pranë
kinemasë dhe për kinemanë. Kur keni filluar vetë si kineast në Kuçovë?
Ishte një magji në atë kohë
të ishe pjesëtar i kësaj strukture të bukur siç është Arti i -7, fillimet e mia
i kam si Ai djali i vogël në personazhin e filmit të Giuseppe Tornatore
"Cinema Paradiso", rreth viteve 1967 ndaj ju lutem më lejoni të
përmend disa emra te nderuar që i dhanë shpirt, orë të tëra nga jeta e tyre në
atë kabinë projeksioni mes tymit të karbonit dhe filmit të rrezikshëm djegës, i
cili për shkak të teknologjisë të asaj kohe, të rrezikonte dhe jetën. Ndaj,
respekt pa fund për atë brez ustallarësh si Gllason Kruja, Vangjel Droboniku,
Taqo Vasili, Shefqet Jashari, Ylmi Hoxha e Demir Metushi. Unë pata fatin të
punoja dhe në kinemanë e fëmijëve, e cila u ngrit pas disa viteve të çlirimit,
dhe më pas edhe në kinemanë Verore të qytetit, e cila tani nuk ekziston
më...Nostalgji.
-Por sërishmi ta lidhim pyetjen me punën tuaj...Cili është filmi
i parë që ke shfaqur?
Ah, më ktheve pas në kohë.
Nostalgji! Filmi i parë që kam shfaqur ka qenë filmi gjigant Rus
"Aleksandër Nevski" i regjisorit të njohur, Sergei M. Eisenstein
imazhet e të cilit i kam akoma të ruajtura në memorien time, me ato skena
gjigante dhe lojën e bukur të aktorëve Rus të asaj kohe.
-Kinema e vjetër, por si projekt Kinemaja e Kuçovës a
ishte e nivelit bashkëkohor?
Ju them një gjë me
siguri...Ndoshta ishte nga më të rrallat në Shqipëri, dihet që italianët njihen
në ndërtime. Ajo mund të quhej pa bërë ndonjë superlativë, moderne për kohën.
Ishte me sistem ngrohje, që falë gazit natyral që zotëronte Kuçova, kaldaja e
instaluar ngrohte në mënyrë maksimale sallën dhe ambientet e saj ndihmëse.
Ishte unike në llojin e saj në Shqipëri pasi tarraca e saj ishte e lëvizshme
duke u hapur në ditët e verës.
- Të vijmë tek filmat...Cilat kanë qenë filmat më
të ndjekur të kohës së diktaturës?
Duhet thënë që brenda
kampit komunist ku bënte pjesë dhe Shqipëria, kryevepra të kinemasë botërore
kanë parë dritën e projeksionit edhe në vendin tonë. Filmi historian dhe me
temë familjare pëlqehej shumë, por ndiqej dhe shumë filmi Mjuzikal. Ju përmend
disa tituj të ndjekur shumë në ato vite si: "Burri me pantallona të shkurtra",
"Më fal", "Dëgjo këngën time" ,"Zonja e
panjohur", "Takim në Iska", "Tamango", "Helena e
Trojës", "Salambo" "Toka e Faraonëve", "Kapiteni
Orac" ,"Xhuzepe Verdi", "Kastadiva", "Tango ime e
fundit", etj.
- Kjo kinema a
përdorej për teatër dhe drama?
Po, natyrisht duke qenë një
qytet me shumë klasë punëtore aty zhvilloheshin dhe aktivitete të ndryshme nga
lëvizjet amatore, të cilët përgatiteshin në pallatin e kulturës së qytetit.
Janë të panumërta festivalet e këngës naftëtare ku kanë shkëlqyer këngëtar si
Efrosina Vasili, Natasha Memeti, Astrit Abazi, Andrea Noti, Nexhmie Noti, Anila
Qafoku, Edmond Naqellari, e shumë të tjerë. Nga kjo skenë e kinemasë në Kuçovë
shpërthyen talentet si: Gaqo Çako, Buran Spaihu, Agim Shuke, Xhuljeta Kulla, Vangjo
Kosta etj. Muzikantë të talentuar do të deputonin për vite me radhë si: Tonin
Rota, Koço Korçari, Zef Leka, Nito Lala, Luto Hasani, Fatmir Shehu, Gaqo
Tërpini, Isuf Jaçe etj, etj. Regjisorë të njohur kanë kontribuar fuqimisht në
skenën e kinemasë si Sulejman Pitarka, Thoma Rapi, Genc Hasani, Kiu Çobanaqi,
Sadik Ibrahimi, Fatmir Veleshja etj.
-Kush
nga aktorët e mëdhenj të asaj kohe kanë ardhur në Kuçovë?
Kuçova ka pas shumë forca
intelektuale, pasi aty u instaluan inxhinierët e naftës që kishin mbaruar në
Bashkimin Sovjetik në atë kohë, gjithashtu u kthyen nga Moska aviatorët e parë
për shkak të aeroportit ushtarak që ka Kuçova dhe secili prej tyre solli me
vete dhe kulturën që mori me vete në vendin ku studioi dhe jetoi. Duke qenë se
për një kohë të gjatë aty jetuan shumë familje italiane, Ruse, Çeke, u
kryqëzuan kulturat duke krijuar një traditë mjaft të bukur. Kur doli filmi
"Skënderbeu" familjet Ruse që jetonin në Kuçovë, dhe që nuk ishin
pak, sollën në kinemanë e Kuçovës, nëpërmjet Ambasadës dhe Qeverisë së tyre,
Aktorin e madh Rus, Akaki Khorava, i cili luan rolin e Skënderbeut, si dhe
aktoren e njohur Zinaida Krienko, e cila luan në filmin Rus "Fati i
njeriut" të Shollohovit. Gjithashtu aktorë dhe regjisorë të shquar
shqiptar kanë qenë prezent në premiera të ndryshme të filmit shqiptar si dhe në
evente të ndryshme kulturore, si Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Violeta
Manushi, Margarita Xhepa,Timo Flloko, Tinka Kurti, Rajmonda Bulku, Ndriçim
Xhepa, Agim Qirjaqi, Albert Vëria, Arben Shaka, Skënder Sollaku, Bujar Lako,
Bujar Kapexhiu, Mevlan Shanaj, Birçe Hasko, Kadri Roshi, Gujlem Radoja, Ilia
Shyti, Lazer Filipi, Luftar Pajo, Luiza Lasko, Pandi Raidhi, Roza Anagnosti,
Sheri Mita etj, etj.
- Mund të
na thoni disa nga kujtimet me ta?
Heh kujtimet...janë të
panumërta, por do të shkëpus një moment nga ceremonia madhështore kur vendosa
t'i vija kinemasë, emrin e Aktorit të madh të skenës dhe kinemasë Shqiptare
Kadri Roshi. Ishte një ceremoni që u përcoll me shumë dashuri dhe emocion nga
publiku i qytetit. Së bashku me mikun tim regjisorin Petrit Ruka, i cili në atë
kohë ishte dhe drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë organizuam gjithë
sipërmarrjen e këtij aktiviteti. Ishte dalja e fundit e Kadri Roshit në skenë.
I pafuqishëm, por me shumë kurajë, me një nur fisnik e me mjekrën e bardhë
krijonte një portret interesant, që dukej sikur vinte nga thellësitë e
shekujve. E ulëm në një kolltuk në mes të skenës. Ai që vite më parë, i ri në
këtë skenë të kinemasë tronditi sallën në shfaqjen teatrale "Dhelpra dhe
Rrushi" qëndronte sot para publikut i ulur i mbuluar nga duartrokitjet pa
fund të spektatorit. Pas përshëndetjes nga organizatorët, ju afrua mikrofoni
për të thënë dy fjalë dhe i madhi Kadri Roshi.....heshtje...salla ishte kaptuar
nga një heshtje totale dhe pas pak u dëgjua zëri i tij i lodhur, por një zë që
në sekondë të sillte në memorie galerinë e personazheve të luajtura me aq
mjeshtëri prej tij." Publiku im i dashur që keni mbushur këtë sallë plot e
përplotë, për të më nderuar mua në këtë ceremoni," vazhdoi ligjëratën
Kadriu i mirë. Do të desha të isha në këmbë para jush t'ju respektoja, por nuk
kam gjunjë. duke prekur me dorë gjunjët e tij të lodhur, salla shpërtheu në
duartrokitje. Përsëri një heshtje a thua se ishte shkruar në një skenar....u
afrua përsëri te mikrofoni dhe me ata sytë që i shkëlqenin nën dritën e
prozhektorit citoi: "Nga të parët vjen gojëdhëna, qengji i butë pi dy
nëna, por ju s'dini më të renë, gjithë rufjanët u pinë kopenë...! Kaq foli
Kadri Roshi, por kishte thënë shumë. Jam krenar për vendosjen e emrit
"Kinema Kadri Roshi" duke i dhënë sadisfaksionin për së gjalli këtij
aktori të Kombit tonë. –
Cilët nga
aktorët e filmit dhe dramës kanë qenë miqtë tuaj?
Në përgjithësi unë kam pas
marrëdhënie të mira me krijuesit dhe aktorët, investohesha për punën me
dashuri, duke krijuar herë pas here oaze çlodhëse, për rininë dhe spektatorin e
asaj kohe. Por mik kam pasur Pandi Raidhin, të cilin e desha si njeri babaxhan,
Birçe Haskon, Bujar Asqeriun, të cilin e kam një shok të mirë, regjisorin e
shquar Ibrahim Muçaj e Kujtim Gjonaj, etj, që s'dua t'i veçoj.
-Çfarë
aktivitetesh keni zhvilluat në këtë kinema dhe kush mbetet më mbresëlënësja?
Janë të panumërta ,
premierat e filmave të huaj dhe ato shqiptare, festivale dhe java filmi,
koncerte të ndryshme dhe spektakle artistike, formate të ndryshme për artistët
tanë dhe të huaj. Nuk di kë të veçoj pasi secila ka specifikën e vet. E kush
nuk ka ardhur deri në vitet e fundit nga artistët më thuaj kush? Por do të
kujtoj një aktivitet Kombëtar me rastin e 100-vjetorit të kinematografisë me
titull: "100 vjet kinema botërore" Ishte fundi i viti 1995, kur
kinemaja shqiptare pothuajse ishte në krizë totale, rrjeti i kinemave në
Shqipëri nuk ekzistonte më, çdo gjë ishte e shkatërruar dhe dorëzuar për ballë
ekonomisë së re të tregut. Ndërtova një projekt edhe si një shpresë për
kinemanë, e cila me thënë të drejtën ishte në ngërhinat e saj të fundit. Më përkrahën
në atë kohë Artistja e njohur Marjeta Ljarja dhe Ministri i asaj kohe, i ndjeri
Teodor Laço me një fond për zhvillimin e këtij aktiviteti Kombëtar . Edhe sot
kur e shoh në video në arkivin tim personal, nostalgoj. Ishte një aktivitet i
përmasave të mëdha kur akoma gjërat s'kishin marrë formë për aktivitete të
tilla. Mbi 150 artistë nga Tirana dhe rrethet erdhën në qytetin e Kuçovës dhe 5
ditë rresht sollën kujtimet më të bukura nga jeta dhe puna e tyre krijuese të
pasqyruara dhe me retrospektiv në ekranin e madh. Sinqerisht sot kur e kujtoj
më duket një lloj "çmendurie" në një kohë të vështirë. Sidoqoftë ky
aktivitet u fiksua në arkiva dhe është një dëshmi dhe një homazh për shumë
artistë qe sot nuk jetojnë.
-Kush nga
udhëheqësit e asaj kohe e ka vizituar këtë kinema dhe a mund të përcillni
fjalët e tyre? Pyetje
e vështirë... Duke qënë qytet indusrial i naftës aty kanë ardhur shumë
udhëheqës të kohës që nga E. Hoxha, por zakonisht udhëheqja kur futet nëpër
salla, i shikon ato thjesht për qëllimin që ajo ka hyrë aty brenda dhe ky
ritual vazhdon edhe sot. Kur vinë vetëm për mbledhje, se për film as që bëhet
fjalë, pa le të flasin për kinemanë. Njëherë më ka bërë përshtypje z. Nano në
një takim që pati në sallën e kinemasë, i bëri përshtypje një arredim modern në
një kinema të një qyteti të vogël relativisht dhe kërkoi të më takojë duke më
falënderuar për këtë investim privat në fushën e Kulturës.
- Po sot
çfarë po bëhet me këtë kinema legjendë?
Ah sot, një pyetje e
trishtueshme. Janë shumë faktorë objektiv dhe subjektiv që spektatori i
dikurshëm i mungon kinemasë luksoze me një investim serioz dhe të denjë për
kohën. Shpesh herë si në të gjithë Shqipërinë punojmë me projekte, duke i
krijuar spektatorit hyrjen falas, por edhe sa? Shtrohet pyetja do punohet
kështu në një ekonomi të tregut të lirë? Dhe përsëri më vjen ndërmend filmi i
Tornatores në fundin e tij, në shembjen e kinemasë. Interneti, konkurrenca e
pandershme e TV, DVD politikat e dobëta në ndihmesën e saj, indiferenca e
bashkive dhe shtetit bëri që ajo të mos mbijetojë dot. Me këtë ligjëratë
mbyllet filmi i njohur italian "Cinema Paradiso". Megjithatë unë
shpresoj se një ditë njerëzit do t'i kthehen kohës së lirë, argëtimit të bukur
të këtij arti magjik larg kafeneve dhe thashethemnajave anakronike për kohën në
të cilën jetojmë. Ndoshta brezi ynë nuk do të jetë më, por do të ndodhë!