Kulturë
Timo Mërkuri: Profecia poetike e Ibrahim Kadriut
E enjte, 13.02.2025, 07:55 PM
PROFECIA POETIKE E IBRAHIM KADRIUT
Nga
Timo Mërkuri
Ibrahim
Kadriu nuk e ka pasur detin pjesë të përditshmërisë së tij, siç e kanë poetët
bregdetar. Ai u rrit në një mjedis larg detit, në Zhegër të Gjilanit, në Kosovën kontine-ntale, ku peizazhi i zakonshëm
përbëhej nga malet, fushat dhe lumenjtë. Mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë bëri
që ai ta perceptonte detin jo përmes përvojës së drejtpërdrejtë, por përmes
imazheve të krijuara nga arti dhe përfytyrimi, si psh njohja e tij e parë me
detin erdhi nga një ekran kinemaje në Gjilan më 1959, në një film me piratë,(i
cili e paraqiti detin të egërsuar, të trazuar dhe të fuqishëm, një hapësirë
plot mistere dhe rreziqe) dhe është e natyrëshme që në subkoshiencën e tij deti
të formësohej si diçka e frikëshme, si një vend prej nga vinin balozët e zinj të
legjendave. Ky perceptim u zbut pak gjatë vizitës së tij në Ulqin në vitet e
shkollës së mesme, por vetëm në vitin 1979, në Durrës, ai e pa dhe e përjetoi
drejtpërdrejt përballjen me madhështinë, forcën dhe trazimin e tij. Kjo përvojë e vonshme
percipiton mbi poezinë "Përballë
detit të trazuar" një reflektim jo mbi detin si realitet fizik, por si një
simbol të fuqishëm të forcave të brendshme dhe shoqërore.
I-Mosnjohja
e detit në përvojën e përditëshme, kryesisht të fëminisë, e bën poetin që të mos ta
përshkruajë atë në mënyrë realiste apo romantike, ndaj në poezi nuk flet për
bukurinë, butësinë, magjinë apo misterin e tij të brendhsëm, por e sheh detin
përmes një prizmi metaforik, duke e bërë atë simbol të një force të madhe, të
fuqisë së popullit, të protestave dhe lëvizjeve masive. Poezia u shkrua në
vitin 1979 në qytetin e Durrësit kur autori ishte i ftuar nga Lidhja e
Shkrimtarëve të Shqipërisë bashkë me një grup krijuesisht nga Kosova dhe
sigurisht që në krijim zurri vend dhe
pamja reale e një deti të trazuar të cilin Kadriu e shndroi në një simbol poetik.
1.Realisht
në vargjet e poezisë Kadriu, ndonëse e
nis me një peizazh idilik të tipit:
“Deti shtrëngon misteret
në valët e tij
Me rërë të artë, që
bregut andej haset-
Me gjuhën e dallgëve
krijohet melodi”
ai
fokusohet te një gjendje dinamike dhe
sfiduese, pse pas vargut: “Deti merr të artën, me atë forcë magjie”vjen vargu tronditës:”Mynxyrat e jetës, gjithandej fluturojnë”.
Këtu ndjejmë se ndërsa poeti ishte përballë detit në Durrës, shkruante për
“detin” shpirtërorë në Kosovë dhe kupton se valët e trazimit shprehin një
lëvizje të pandalshme.
2.
Në këtë poezi, deti nuk është hapësirë natyrore, por simbol i një force
kolektive që nuk ndalet. E parë në këtë aspektai mund të lexohet si metaforë e
popullit të Kosovës, i cili gjatë historisë së tij ka qenë në lëvizje të
vazhdueshme për liri dhe drejtësi.Vetëm e parë më këtë sy mund të ndjejmë se:
Rrymat e lehta të brendshme simbolizojnë pakënaqësitë e fshehta dhe përgatitjet
e heshtura të njerëzve, valët dhe dallgët përfaqësojnë protestat masive dhe
lëvizjet popullore, të cilat nisin si paqësore, por me kohën bëhen më të
fuqishme dhe dallgët goditëse janë simbole të revoltave të hapura të armatosura
dhe përplasjes së drejtpërdrejtë me pushtetin.
Është
pikërisht kjo strukturë ajo që i jep poezisë një dimension ekspresionist, pasi
Kadriu nuk përshkruan thjesht realitetin, por e zgjeron atë në një tablo
dramatike, ku deti shfaqet si një forcë me vullnet, ndwrgjegje dhe veprim.
3.
Ibrahim Kadriu e ka parë detin artistikisht ndaj përdor shumë figura stilistike
për të shprehur fuqinë simbolike të tij: a.Ai
e personifikon detit, nuk e shfaq atë si një element natyror, por e shfaq si
një qenie të gjallë që "shtrëngon
misteret", "përplas valët"
dhe "ulërin si një bishë e
çmendur." Ky përshkrim shfaq atë si forcë aktive, që reagon, sulmon
dhe flet. b. Poeti nuk mjaftohet vetëm
me simbolin e detit, ai përdor metafora për të ndërtuar një imazh të trazuar të
tij, duke e bërë atë një pasqyrë të revoltave dhe trazirave shoqërore.
"Era ulërin, si
ndonjë bishë e çmendur,
Dhe re të zeza qiellit
shkojnë vërdallë."
Lëhtësisht
ndjejmë se këto vargje shfaqin jo thjeshtë një stuhi detare, por një klimë të
tensionuar shpirtërore dhe politike, ku erërat dhe retë e zeza përfaqësojnë
forcat që trazojnë shoqërinë. Duke rikujtuar se poezia është shkruar në vitin
1979 në Durrës, ndërsa në Prishtinë në më 11 mars dhe 1 e 2 Prill 1981 u zhvilluan demostratat e
studentëve që tronditën themelet e pushtetit politik në Jugosllavi. Është
pikërisht ky kontekst historik i poezisë
që na përforcon simbolikën poetike të saj, popullin e Kosovës në lëvizje,
forcën e tij të brendëshme të pandalshme, që nga rrymat, valët e gjer te dallgët e fuqishme të revoltës. Ka
dhe diçka tjetër që vlen të shikohet në këtë rast, Ibrahim Kadriu qysh në vitin
1968 filloi punë te gazeta Rilindja, rolin e të cilës si farkë në kalitjen e
ndjenjës kombëtare dhe shpirtin e revoltës së popullit të Kosovës në tërësi dhe
të rinisë në veçanti e njohim të gjithë. Ibrahim Kadriu nuk e botoi këtë poezi,
por e lexoi me grupe shokësh e individë të ndryshëm, madje me vetë kritikun dhe
liderin Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën e diskutoi veçanërisht. Këto, si
dhe përmbajtja e saj na bindin se kjo poezi është një hymn madhështor i
revoltës dhe qëndresës popullore, një thirrje shpirtërore ku deti bëhet zëri i
popullit në lëvizje.
4.
Kadriu nuk e ka botuar gjer kohët e fundit këtë poezi, por ndërkohë ai e ka
rishikuar gjatë viteve, duke ndërhyrë në vargje dhe në mbështetjen metaforike,
kryesisht sipas sugjerimeve të Ibrahim Rugovës. Kjo tregon një proces krijues
të hapur, ku poeti nuk e sheh poezinë si vepër të përfunduar, por si një
reflektim që evoluon bashkë me kohën. Është dhe ky një aspekt që e lidh poezinë
me modernizmin, pasi ajo nuk ka një formë të mbyllur dhe të fiksuar, por
përshtatet me rrjedhën e historisë dhe përjetimeve të autorit. Gjithashtu fakti
që Rugova e lexoi dhe miratoi, tregon jo vetëm vlerën letrare të poezisë, por
edhe faktin se ajo kishte një rezonancë të thellë me ndjeshmërinë dhe shpirtin
e kohës. Koha tregoi se Ibrahim Rugova kishte një shikim tejë kohës kur jetoi,
ai shihte të ardhmen.
II-Në
analizën e kësaj poezie duhet të shohim
dhe ndjejmë së pari:
1.
Detin si simbol dhe shprehje metaforike, pse për Kadriun ai (deti) nuk është
thjesht një hapësirë gjeografike, por një simbol që ai e shfaq metaforikisht.
Në poezinë e tij ", Kadriu nuk e përshkruan atë me detaje realiste, por e
shfaq si një forcë të mistershme dhe të pakontrollueshme, e cila përfaqëson
diçka më të madhe se vvetja. Në vargjet e tij, deti bëhet një element që
pasqyron trazimin e brendshëm, ankthin dhe sfidën:
"Në horizontin blu,
ku qielli përplaset,
Deti shtrëngon misteret
në valët e tij."
Këtu,
përplasja e qiellit dhe detit nuk është vetëm një përshkrim vizual, por një
metaforë e përplasjes së forcave të mëdha, ndoshta e përplasjes së fateve
historike, të kohës dhe të njeriut me fatin e tij.
2.Poezia
nuk është një reflektim mbi madhështinë e detit, por përsiatje mbi përkohshmë -rinë
e njeriut në raport me të, duke shfaqur
marrëdhëniet mes njeriut dhe forcave të natyrës. Shih se si Kadriu
krijon kontrastin mes përjetësisë së detit dhe përkohshmërisë së qenies
njerëzore:
"Ti je shpirt i
botës së gjallë, siç thonë,
Me çdo valë që thyen,
sjell një tregim."
ku vargjet sugjerojnë se deti nuk është vetëm
peizazh, por edhe rrëfimtar i historisë, një arkiv i fateve njerëzore që
përsëritet në çdo valë, duke e vendosur veten dhe njeriun në një pozitë të
vogël përballë një force të përhershme, të pashtershme.
3.
Siç thamë më sipër poezia është shkruar në vitin 1979, një periudhë që parapriu
ngjarjet e mëdha historike në Kosovë, pse vetëm dy vjet më vonë, në 1981,
shpërthyen demonstratat studentore dhe protestat e popullit shqiptar për barazi
dhe të drejta kombëtare. Kadriu, si pjesë aktive e kësaj shoqërie dhe si një
vëzhgues i ndjeshëm, ka përjetuar tensionin që po rritej çdo ditë që nga
krijimi i poezisë gjer në shpërthimin e demostratave, e më pas në rezistencën e
armatosur. Në këtë kontekst, "Përballë detit të trazuar" nuk mund të
lexohet si një poezi mbi natyrën, por si një parashenjë e trazirave të mëdha që
do të vinin. Shikoni vargjet e fundit të poezisë, përshkrimi i stuhisë mbi det
merr një ton të fuqishëm dhe dramatik, të ngjashëm me Zgalemin gorkian:
"Era ulërin, si
ndonjë bishë e çmendur,
Dhe re të zeza qiellit
shkojnë vërdallë."
Dua
të them se ky imazh nuk tingwllon si një përshkrim natyror, ai është një metaforë për erërat e ndryshimit që po
frynin mbi Kosovën. Furtuna që Kadriu shfaq në vargje lehtas mund të shihet si një
ndjesi e brendshme e poetit, një parandjenjë e tensioneve që do të shpërthenin
së shpejti në realitetin politik. Kjo qasje e bën poezinë një reflektim jo
vetëm mbi natyrën, por edhe mbi historinë dhe psikologjinë kolektive të një
kombi.
III-
Poezinë “Përballë detit të trazuar” të Ibrahim Kadriut duhet ta shohim si
ndërthurje e ekspresionizmit me
simbolizmin modernist, që e shndrrom peizazhin natyror në një pasqyrë të
tensioneve të brendshme dhe historike. Përmes imazheve të fuqishme dhe një
gjuhe dramatike, ekspresionizmi shpërfaq gjendjen e trazuar shpirtërore, ndërsa
simbolizmi modernist e ngre këtë përjetim individual në një dimension më të
gjerë, ku deti bëhet metaforë e fateve historike dhe ekzistenciale. Kjo qasje e
bën poezinë jo vetëm një shpërthim emocional, por edhe një reflektim të thellë
mbi realitetin e kohës..
1.Në
këtë poezi ekspresionizmi shfaqet si një shpërthim i gjendjes shpirtërore të
poetit, pse poezia e thamë që nuk është përshkrim objektiv i detit. Këtu
Ibrahim Kadriu e shfaq detin si një forcë të zemëruar, pasqyrim ky i një
realiteti të tensionuar dhe emocional. Përmes ekspresionizmit, ai e shtyn
përjetimin deri në një intensitet të skajshëm:
"Era ulërin, si
ndonjë bishë e çmendur,
Dhe re të zeza qiellit
shkojnë vërdallë."
ku,
era nuk është një dukuri natyrore, por një “bishë
e tërbuar”, një forcë agresive dhe kërcënuese. Pikërisht ky personifikim e
mbush peizazhin me tension, duke shtrembëru-ar realitetin përmes një ndjenje
ankthi e shqetësimi të thellë.
Ekspresionizmi
shfaqet dhe në vargje të tjera, ku deti nuk është hapësirë qetësie, por një
fuqi e rënduar nga mistere të errëta:"Deti
shtrëngon misteret në valët e tij."ku ky varg krijon një ndjesi
fshehtësie dhe trysnie. Nuk kemi më një det të hapur dhe të lirë, por një forcë
të pashpjegueshme, të rënduar nga peshat e historisë dhe të fatit njerëzor.
2.Simbolizmi
modernist dhe deti si metaforë e historisë shfaqet dukshëm në këtë poezi. Duke
përfaqësuar trazirat e popullit, valët e dallgët e tij bëhen metafora të revoltes
dhe përplasjes me fatin.
"Në horizontin blu,
ku qielli përplaset,
Deti shtrëngon misteret
në valët e tij."
Sigurisht
qielli dhe deti bëhen forca kundërshtuese, një simbol i përplasjes së fateve
historike. Nëse qielli mund të përfaqësojë një hapësirë të lirë dhe shpresën,
përplasja e tij me detin e trazuar krijon ndjenjën e një beteje të vazhdueshme.
Është ky aspekti ku Kadriu ndjek parimet e simbolizmit modernist: ai nuk shfaq detin
për bukurinë e tij, por e përdor si hapësirë ku përthyhen tensionet
ekzistenciale dhe historike.
IV-
Në poezinë "Përballë detit të trazuar", Kadriu flet nëpërmjet
figurave artistike. Këtu deti është një
metaforë e fuqishme e popullit të Kosovës në lëvizje i cili shpreh tensionin e
akumuluar në vetëdijen kolektive të një kombi që kërkon ndryshim. Nga rrymat e
brendshme të padukshme, tek valët e forta dhe në fund tek dallgët goditëse,
Kadriu e ndërton imazhin e një force popullore në rritje, një revoltë, e cila
nis e qetë, por përshkallëzohet në një shpërthim të fuqishëm. E parë në këtë
aspekt mund të zbërthejme elementet e këtij shkallëzimi.
1.Fiillimisht,
deti paraqitet me një lëvizje të brendshme të heshtur, që nuk shihet, por
ndjehet. Kjo mund të lexohet si një simbol i pakënaqësisë popullore, e cila
ende nuk ka marrë formën e një proteste të hapur, gjë qëë shfaqet te vargjet.
"Ti je shpirt i
botës së gjallë, siç thonë,
Me çdo valë që thyen,
sjell një tregim."
Ajo
qw ka rwndwsi wshtw fakti se këtu, deti shfaqet si entitet i gjallë, një forcë
që ka brenda vetes histori dhe mesazhe . Rrymat e tij të brendshme janë zëri i
pashprehur i popullit, një ndjenjë kolektive që po përgatitet të shpërthejë në
sipërfaqe. Ne mund ta lexojmë këtë edhe si periudha e vitit 1979, kur ende nuk
kemi një lëvizje masive të dukëshme, por nisje të ndërgjegjësimit të popullit,
dhe kryesisht të rinisë, veçse duhet të pranojmë se në atë periudhë shtypjeje
serbe ishte trimëri edhe të mendoje për lirinë nëpërmjet kundërvënies dhunës
serbe e jo më të shkruaje si Kadriu një poezi të tillë.
2.Ndërsa
poezia ecën nëpër vargje, deti nuk qëndron i heshtur; ai fillon të lëvizë më
fuqishëm. Kjo mund të lexohet si nisja e organizimit për demonstratat që priten
të fillojnë kundër pushtetit dhe me lëvizjet masive të popullit që dalin në
rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre ekonomike, fillimisht. Ibrahim Kadriu e
dinte që kishte nisur organizimi i
protestave sepse si gazetar i Rilindjes ai ishte në dijeni, të mos themi se
ishte në qendër të tyre
"Era ulërin, si
ndonjë bishë e çmendur,
Dhe re të zeza qiellit
shkojnë vërdallë."
Era,
që përfaqëso presionin politik dhe represionin shtetëror, nis të trazojë detin:
përgjimet, arestimet, por ai nuk e humb identitetin e tij, mbetet i bashkuar.
Ndërkohë, valët fillojnë të forcohen, duke shfaqur rezistencën në rritje të
popullit.
3. Te vargjet "Gjiri i hapur i valëve përplas/ Rërën
e moçme mbi shkëmbin e vjetër."
qartësohet
leximi, pse interpretohet si momenti kritik ku lëvizja popullore përplaset me
sistemin e shtypës, simbolizuar nga "shkëmbi
i vjetër". Fakti që përplasja nuk shfaqet më si ndjenjë e brendshme, por si veprim
i drejtpërdrejtë, sfidë ndaj rendit ekzistues, na dëshmon imazhin shpirtëror të
ndjenjave të trazuara (edhe) të poetit.
4.Poezia
arrin kulmin e saj në momentin kur deti nuk është më thjesht në lëvizje, por ai
bëhet një forcë goditëse. Këto janë protestat e fuqishme, dalja masive e
njerëzve në rrugë, përplasjet e hapura me pushtetin.
"Deti shtrëngon
misteret në valët e tij,
Tani s’ka më kthim
prapa."
Është
momenti kur dallgët e zemërimit popullor nuk janë të kontrollueshme, protesta
ka arritur një pikë ku nuk mund të ndalet më. Fjalët "tani s’ka më kthim prapa" tregojnë se populli ka marrë një
rrugë pa kthim, se revolta ka arritur në një pikë ku tërheqja nuk është më një
opsion.
Pra,
në këtë poezi, Ibrahim Kadriu e përdor detin si një metaforë të popullit të
Kosovës, duke ndërtuar poetikisht evolucionin e protestës nga një ndjenjë e
heshtur tek një lëvizje e fuqishme dhe më pas në një shpërthim të pakthyeshëm. Përmes
kombinimit të ekspresionizmit (që sjell fuqinë emocionale të revoltës) dhe
simbolizmit modernist (që i jep poezisë një dimension të thellë shoqëror dhe
historik), Kadriu e kthen detin në një imazh të fuqishëm të rezistencës
popullore. Po ashtu, nëse lexojmë poezinë në kontekstin historik, e shkruar
vetëm dy vite para protestave të vitit 1981, atëherë ajo shihet si një
parandjenjë e fuqishme e një vale që po vinte. E rëndësishme është se Kadriu nuk e sheh popullin si një turmë pasive,
por si një forcë e madhe, si detin që lëviz, valët që shtohen dhe dallgët që
godasin me forcën e historisë.
6.
Në qoftë se do kërkojmë figurat artistike që shoqërojnë këtë rritje tensioni
poetik do nënvizonim së pari :
a.Simbolet:
Deti
: simbolizon historinë e trazuar të Kosovës, betejat dhe përplasjet për liri.
Dallgët:
përfaqësojnë lëvizjet dhe përpjekjet për ndryshim, si protestat dhe rezistenca
popullore.
Era
ulëritëse: shpreh kaosin dhe tensionet politike të kohës.
Re
të zeza:paralajmërojnë rrezikun dhe trazirat shoqërore.
b.Metafora
te vargu:"Deti shtrëngon misteret në
valët e tij." deti nuk është një hapësirë ujore, por një forcë e
fuqishme që fsheh të vërteta dhe histori të pashqiptuara.
Te vargu:"Historia
e detit, përfundim nuk gjënë." Deti është
një metaforë për historinë e
Kosovës, e cila duket se nuk gjen qetësi apo përfundim.
c.Imazhi
ekspresionist te vargu "Era ulërin,
si ndonjë bishë e çmendur." Është një imazh i fuqishëm që që e
shndërron erën në një krijesë të frikshme, duke i dhënë një ndjenjë ankthi dhe
tensioni të mad, ndërsa te vargu "Dhe
re të zeza qiellit shkojnë vërdallë." përshfaq një tablo dramatike që thekson atmosferën
kërcënuese dhe të pasigurt në prag shpërthimi proteste.
ç.Personifikimet
që shfaqen psh te vargjet:
"Ti je shpirt i
botës së gjallë, siç thonë,
Me çdo valë që thyen,
sjell një tregim."
Është
“deti” i cili nuk është një element i
natyrës, por trasformohet në një qenie të gjallë që "tregon" histori
dhe përjeton ndjenja. Ndërkohë te vargu:"Nga
bregu n’thellësi shtyhesh gjithmonë."deti duket sikur ka vullnet të
vetin, dhe futet vazhdimisht në thellësi,
ashtu si historia që përsëritet dhe vazhdon të lëvizë përpara. Sigurisht që
poezia ka dhe figura të tjera por ne analizuam
një tërësi figurash që janë ndërtuar kryesisht me elementin e detit, ose
në ndërveprim me atë. E lexuar në këtë m,ënyrë shohim se poezia ndërton një
botë ku natyra reflekton shpirtin e një kombi të trazuar, duke e bërë detin një
metaforë të fuqishme të përpjekjeve historike të Kosovës.
Të
kemi parasysh se poezia"Përballë detit të trazuar" përveç dimensionit artistik, mund të lexohet
si poezi që flet për tensionin historik
të Kosovës në periudhën para lëvizjeve të mëdha të viteve ‘80. Në këtë kuptim, poezia nuk është vetëm
pasqyrim emocional i individit, por edhe një dokument artistik i një kohe të
mbushur me tension, parashkruar përmes fuqisë së gjuhës poetike tw Kadriut.
Stili ekspresionist i Kadriut e bën këtë poezi një manifest të shpirtit të
trazuar të një kombi që ndien afërsinë e një stuhie historike. Përmes
personifikimeve, metaforave dhe ndërtimit të një atmosfere të errët, Kadriu
arrin të sjellë jo vetëm përshfaqjen e një skene natyrore, por një metaforë të
fuqishme të përplasjes historike të një populli. Në këtë mënyrë, Kadriu na lë
një poezi që jeton përtej vargjeve të saj, duke mbetur një kod simbolik i
ekzistencës kolektive të një kombi.
V-
Sigurisht që lexuesi do të dijë veçantitë e kësaj poezie në raport me poezinë
shqipe të Kosovës në fundin e viteve ’70. Theksojmë qysh në krye se kjo poezi shfaq
disa veçanti të rëndësishme në krahasim me poezinë shqipe të Kosovës të asaj
periudhe. Në fund të viteve ’70, letërsia shqipe në Kosovë ishte në një moment zhvillimi,
ku poetët modernistë përpiqeshin të çanin kufijtë e letërsisë së realizmit
socialist, ndërsa censura dhe represioni politik ushtronin ndikim dhe presion të
madh mbi krijimtarinë letrare. Megjithëatë kjo poezi ja doli të kapërcente
kornizat kufizuese edhe në saj të disa veçantive që ajo mbartëte në vetvete.
1.
Një veçanti thelbësore e kësaj poezie është se ajo ndjeu dhe
parashikoi shpërthimin e protestave të vitit 1981, madje i shfaqi në
vargjet imazhet e këtyre protestave. Kjo e dallon nga shumë poezi të kohës, të
cilat ose ishin të detyruara të shmangnin temat politike, ose i trajtonin ato
në mënyrë të kamufluar.
Në
letërsinë shqipe të Kosovës të asaj kohe, temat patriotike dhe atdhetare
trajtoheshin shpesh me gjuhë të koduar, për të shmangur represionin e pushtetit
jugosllav. Kadriu, në këtë poezi, përmes simbolikës së detit të trazuar, arrin
të shprehë ndjenjat e një populli që është në prag të përplasjes së madhe me
shtypjen dhe padrejtësinë historike. Vargu
"Rrymat e thella e mbajnë të fshehur fuqinë," mund të shihet si
një referencë ndaj organizimit të heshtur të rezistencës dhe përgatitjes së
popullit për lëvizjet e ardhshme.
2.
Në fund të viteve ’70, poezia shqipe në Kosovë ishte në eksperimentimin e
rrymave moderniste. Kadriu, me këtë poezi, realizon guximshëm jo një qasjeje, por ndërthurrje ekspresioniste dhe simboliste, ku e pasqyron
realitetin (e pritshëm) përmes gjendjeve të brendshme dhe imazheve të fuqishme
si: "Valët rriten, përplasen me
brigjet e gurta," Kjo krijon një efekt emocional dhe metaforik, dhe e
bën poezinë e tij të ndryshme nga format më të zakonshme të asaj periudhe.
3.
Personifikimi i natyrës dhe fuqizimi i elementeve natyrore si simbole të
popullit është një tjetër veçanti e kësaj poezie, madje e shndron atë në
zëdhëndës të popullit. Në poezinë shqipe në Kosovë të atyre viteve, natyra shpesh
shfaqej si element dekorativ ose si metaforë e bukurisë së atdheut. Krejt
ndryshe tek Kadriu, ajo është një qenie e gjallë, një forcë që reagon dhe merr
pjesë në betejën historike si te vargjet: "Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur," që shfaq një imazh ekspresionist, që e kthen
natyrën në një forcë aktive, sikur vetë ajo të ishte një pjesë e popullit në
revoltë.
4.
Poezia tingëllon si thirrje e heshtur për rezistencë. Kadriu nuk e thotë
drejtpërdrejt mesazhin e tij, por përmes simbolikës dhe figurave artistike, ai krijon
një poezi që flet për lëvizjen popullore dhe forcën e saj pa qenë e nevojshme
të përmendë emra apo data. Psh.vargu:"Dhe
re të zeza qiellit shkojnë vërdallë." mund të interpretohet si një
paralajmërim për errësirën e shtypjes, por edhe si sinjal për një stuhi që do
të vijë, në këtë rast, për revoltat që do të shpërthenin dy vjet më vonë.
VI-Është
interesantë fakti se poezia "Përballë detit të trazuar" e Ibrahim
Kadriut mund të lexohet si një himn për
shpirtin e popullit shqiptar në Kosovë, duke mishëruar qëndresën, dhimbjen dhe
fuqinë shpirtërore të tij. Përtej përshfaqjes së natyrës, ajo reflekton një
histori të mbushur me sakrifica e përballje me padrejtësinë, duke e shndërruar
detin në metaforë të identitetit kombëtar dhe të forcës shpirtërore.
1.
Poezia mund të lexohet me të drejtë si një himn i shpirtit të popullit shqiptar
në Kosovë, pse ajo nuk është thjesht përshkrim i natyrës, por është së pari një
pasqyrim i shpirtit të popullit. Elementet e saj krijojnë ndjenjë përkatësie e
krenarie, të ndërthurur me dhimbjen dhe qëndresën historike. Në këtë aspekt
edhe figurat artistike mund ti lexojmë si simbole të përjetësisë dhe qëndresës
psh:
a.Deti
mund të shihetsi një simbol i madhështisë dhe përjetësisë së popullit shqiptar
shfaqur te vargjet:
"Ti je shpirt i
botës së gjallë, siç thonë,
Me çdo valë që thyen,
sjell një tregim."
ku,
deti përfaqëson kujtesën historike dhe shpirtin e popullit, duke qenë një
dëshmitar i vuajtjeve dhe i qëndresës së tij. Valët që thyhen në brigje janë
histori që përsëriten, një metaforë për luftërat dhe sakrificat e shumta.
b.E
parë më thellë, poezia e lidh valën e detit me zërin e popullit që nuk heshtt:
"Ndodh n’ horizont
valët duke u endur,
Si thirrje e trishtë, më
rrinë përballë."
Këtu
valët shndrrohen në një thirrje që nuk shuhet, një zë që vazhdon të dëshmojë
për padrejtësitë e përjetuara. E parë në këtë aspekt, kjo figurë mund të
kuptohet si një thirrje për liri, për drejtësi, për një histori që duhet të
dëgjohet. Në këtë kuptim, poezia funksionon si një himn për shpirtin shqiptar
që nuk është nënshtruar asnjëherë.
c.Furitë
e detit mund dhe duhet të shihen si kryengritje, revoltë shpirtërore pse
pikërisht në momentin kur deti shfaqet si forcë e pashmangshme, ai bëhet një
metaforë për kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës kundër shtypjes dhe
padrejtësisë:
"Furishëm valët
rrahën në vazhdim,
Një betejë e madhe, një
furi në trishtim."
Kjo
strofë ka realisht një ngarkesë emocionale dhe historike. "Beteja e madhe" mund të lexohet si
aludim për një formë veprimi tejë formës paqësore të protestës të shqiptarëve
në Kosovë, ndërsa "furi në
trishtim" është dhimbja e sakrificave të shumta.
VII.
Poezia e Kadriut e parë si një hymn na sjell ndërmend të eksplorojmë në atë për
muzikalitetin e poezisë. Duhet të kemi
parasysh se elementët tradicionalë si forma strofore, rima, ritmi krijojnë një
melodicitet që i përshtatet poezisë si
një hymn shpirtëror dhe ofron një muzikalitet si reflektim i shpirtit kolektiv.
Ky muzikalitet vjen si rezultat i disa elementeve kryesore:
1.
Përsëritja e tingujve dhe aliteracioni krijojnë një ritëm të brendshëm që e bëjnë
poezinë të tingëllojë si një këngë. Kështu në vargjet:
"Bregu dritëson,
natyra zgjuar, nuk flenë,
Historia e detit,
përfundim nuk gjënë."
kombinimi
i tingujve "r", "n", dhe "t" krijon ritmin e brendshëm dhe e bën poezinë të
tingëllojë si këngë. Aliteracioni (përsëritja e tingujve) ndihmon në krijimin e
një ndjesie valëzuese, e cila e afron poezinë me një formë këndimi epik.
2.
Po të shohim me vemëndje do ndjejmë se rima e brendshme dhe ritmi i balancuar e
bëjnë poezinë të tingëllojë si një këngë që mund të recitohet (këndohet) me një
melodi epike. Për shembull, në vargun: "Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,"kombinimi i tingujve të
theksuar dhe ndërtimi i frazës krijojnë një efekt zanor të fortë, duke i dhënë
poezisë një cilësi pothuajse muzikore.
3.
Struktura poetike e ndërtuar në mënyrë graduale
duket si një kreshendo muzikore.
Poezia nis me ton të qetë dhe të ngarkuar me mister te vargjet:
"Në horizontin blu,
ku qielli përplaset,
Deti shtrëngon misteret
në valët e tij."
Më
pas, ajo krijon një tension të brendshëm dhe shton elementet dinamike, derisa
arrin kulmin e saj me fuqinë e valëve dhe furinë e detit. Ky llopj ndërtim strukturor favorizon dhe ngjan me një kreshendo muzikore, ku
tingujt dhe ritmi vijnë në rritje për të arritur në një shpërthim emocional.
4.
Simbolika e detit, si një forcë e madhe kolektive
shfaq popullin në lëvizje, tipar ky i këngëve masive dhe hymneve. Në poezi,
deti përfaqëson shpirtin e trazuar të
Kosovës, me rryma të lehta, valë dhe dallgët e mëdha.Te vargjet: "Deti vlon, fryma e tij s’ndalet, / në
heshtje mbledh forcën e valëve." po të kemi parasysh këngët patriotike
qasja ëshstë tepër e dukëshme.
5.
Një veçori e këngëve të rezistencës dhe
hymneve është aftësia për të krijuar ndjenjën e përkatësisë dhe mbledhur
njerëzit rreth një ideali të përbashkët. Sigurisht që në këtë poezi, deti nuk është një individ, por
një masë e madhe në lëvizje, që përfaqëson të gjithë popullin. Ky është element
i rëndësishëm në krijimin e një himni, pasi ato synojnë të bashkojnë njerëzit
në një zë të vetëm. Kadriu e shfaq hapur këtë synim te vargjet:
"Dallgët bashkohen
në një forcë të vetme, / tërbohen, ngriten, përplasen së bashku." I cili përçon mesazhin e unitetit dhe fuqisë
kolektive, një tipar thelbësor i një kënge rezistence dhe i një himni të një
populli në lëvizje.
Kështu
pra, poezia e Kadriut mund të shihet jo vetëm si një pasqyrim artistik i një
kohe të trazuar, por edhe si një këngë (e pashfaqur) e një populli në betejë
për lirinë e tij. Në qoftë se do kërkojmë llojin e muzikalitetit që i
përshtatet më shumë këtij teksti themi se ai duhet të ketë një ton solemn, të
fuqishëm dhe dramatik, duke pasqyruar lëvizjen e pandalshme të dallgëve dhe
shpirtin e rezistencës popullore.
Sarandë, shkurt 2025
Ibrahim Kadriu
Përballë
detit të trazuar
Në
horizontin blu, ku qielli përplaset,
Deti
shtrëngon misteret në valët e tij
Me
rërë të artë, që bregut andej haset-
Me
gjuhën e dallgëve krijohet melodi.
Kur
dielli perëndon, ngjyrat ndryshojnë,
Deti
merr të artën, me atë forcë magjie,
Mynxyrat
e jetës, gjithandej fluturojnë,
Nën
yjet që shkëlqejnë, për ilaç vetmie.
Ti
je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,
Me
çdo valë që thyen, sjell një tregim,
Nga
bregu n’thellësi shtyhesh gjithmonë,
Dhe
i bëhesh ëndërr këtij përjetimit tim.
Ndodh
n’ horizont valët duke u endur,
Si
thirrje e trishtë, më rrinë përballë,
Era
ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,
Dhe
re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.
Furishëm
valët rrahën në vazhdim,
Bregu
dritëson, natyra zgjuar, nuk flenë,
Një
betejë e madhe, një furi n ‘trishtim,
Historia
e detit, përfundim nuk gjënë..
1979.