E marte, 25.03.2025, 04:54 AM (GMT)

Kulturë

Albert Habazaj: 12 poezi për Kosovën

E hene, 17.02.2025, 06:48 PM



MIRËMËNGJESI, KOSOVË, E BUKURA IME!

CIKËL POETIK PËR KOSOVËN ME 12 VJERSHA

Nderim 17 Shkurtit, Ditës të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Nga Albert HABAZAJ, Vlorë


1. K?NG? P?R FLAMUR

Përshëndetje Pavarësisë së Kosovës

Oj, Kosovë, o krah’Shqiponje

Krah’ rrebeshesh i plagosur,

Siç kam ty ti në tonat troje

Kam Çamërinë sakatosur.

Vjen me frymë Perëndie

Përreth Sheshit të Flamurit

Yjësia e Lavdive,

Ku zihet Besa e Burrit!

Tok me Ismail Qemalin

Qëndron baca Boletin -

Emblema jonë krenare

Dhe kur ndrin a bubullin.

Prishtina ime është Vlorë

Edhe Vlora ësht’ Prishtinë.

Për FLAMUR po thur kurorë,

Këngë yjesh për SHQIPTARINË.

Sheshi i Flamurit, Vlorë, 17 Shkurt 2008

2. MIRËMËNGJESI, KOSOVË!

Mirëmëngjesi, Kosovë, moj e bukura ime,

Si dritë e bukurive më je veshur fisnikërisht,

Si shqiponjë dardane merr fluturime,

Me dritë të do Labëria, me spektër, sinqerisht!

Me dritë të do Vlora e Shqipëria,

Me dritë dhe Çamëria, krahu i plagosur.

Feniksi Dardan merr frymë nga Iliria,

Me klithmat e diellit ende brengosur.

O dhembje krenare, E Bukura e Dheut,

17 Shkurti yt është edhe imi,

Herë si zanë mitologjike, herë si Prometeu,

Ma shkëlqen emrin me rreze besimi.

Dhe kur vdekja këndon shqip në këto vise,

Dhe kur, vetvetiu, dasma qan shqip me lot lavdie,

Kur globi, me njerëz  i populluar,  merr ndonjë krisje

Çuditërisht, Kosova i fal mimoza mirësie…

3. GËZUAR, KOSOVË E PAVARUR!

Kosovë e dashur mijëravjeçare

Datëshpalljen e Pavarësisë tënde

Ta gëzojmë, moj shqiponjë krenare!

Kuçedra serbe në tërbim të çmendet.

Moj fisnikja ime e bukur dardane,

Mallëngjimi i festës me lot diellor

Plot ma mbush zemrën, moj kapedane.

Sot unë kam zënë qiellin me dorë!

Motër martire e lirisë, e nderit,

Jam kryelartë me ty e këndoj me gaz.

Shpirti im me shtatë ngjyrat e ylberit

Zbukururohet sa lugati serb të pëlcasë!

Plastë nga ligësia, derri i derrit,

O moj luanesha ime e fortë!

Shkjau - në fund të rrathëve të ferrit,

Ne - Flamurin Kombëtar kemi kryezot.

Ty, Kosovë e pavarur në ballë

Të vargut, të këngës, të lavdisë të kam.

Is’ Boletinët, Adem Jasharët gjallë

I mbaj në gjakun tim, se gjak i tyre jam!

4. BALADË E RE PËR NJË LEGJENDË TË RE

nderim heroit kosovar Adem Jashari

Kjo tokë filloi të mësohet me dhembjen,

Me ëndrrat mbështetur në murin e pushkatimit:

Hiena zgërdhihet kur shuan një familje,

Zogjtë e bjeshkëve e ndalën fluturimin.


Ende plagët e lirisë kullojnë gjak,

Dhembjen nuk e nxen dot pentagrami epik,

Një det me lot rreh të thinjurat dallgë

Për Adem Jasharin si Muji kreshnik.


Për Adem Jasharin, që si Mic Sokoli

U ngrit për Drenicën sipër, mbi legjendë,

Për atë që fjalën dardane e foli

Si bajraktar mbi hark dielli të prerë.



5. RRËNJËN E KËRKON DHEU

- Yllit të madh dardan të kinematografisë botërore, Bekim Ibrahim Fehmiu -

(1. 06. 1936 - 15. 06. 2010)

Pa e takuar as dhe një herë titanin,

Pa hapur as dhe të filmave manuale,

I kam pirë dollinë me adhurim pagani,

As ngaqë u shfaq me Claudia Cardinale.

As yjet botërorë, me të cilët lozi

S’patën autoritet tek unë, sinqerisht jo.

Arti i Tij drithërues keq më marrosi,

Ai detin e Kulturës e çau si Hero!

As dhe seriali “Përgjithmonë Xhulia”,

As “Odiseja”, ku Ai qe vetë Ulisi,

Nuk më tunduan dot për të më prishur mendjen

Sa dinjiteti i pashkulur i Atij lisi.

Dhe kur e ngjeshi nën këmbë sojin sharlatan

U bë rrënjë e zgjimit në zemër të dheut.

Dhe nga Lumbardha Prizreni hirin i shpërndan

Të sjellë bekim për ujërat e Mesdheut.

Fregata kosovare në dallg’, tym e stuhi,

Bëhet shqiponjë  mali e shqiponjë deti

Dhe fluturon qiejve të botës si verì

T’i përmbushet Bekim Fehmiut amaneti.

Iku një njeri i bukur e burrë i bukur,

Iku një artist i bukur globit fluturim,

Eshtrën e Kombit me palcë për të mbushur

E vetë për t’u mbushur me shkëlqim e trishtim...

Vlorë, e hënë, 23. 08. 2010 - e enjte, 02. 06. 2016

6. RAPSODI TRIMËRORE PËR HERONJTË E KAÇANIKUT

Dëshmorëve të Lirisë së Kosovës: Agim Bajrami, Besnik Begunca, Xheladin Kurtaj me trima

Çdo ditë jave, muaj’, viti,

Çdo dit’ të jetës që kemi,

Me dhembje e plagë shpirti

Tek dëshmorët tanë vemi.

Dhe jo vetëm çdo dhjetë gusht,

Jo vetëm për t’i kujtuar,

Shkojmë e mblidhemi një grusht,

Na vjen turp për t’i takuar…

Kemi gabuar me ta,

Me ata që u bënë fli,

Ëndrrabukurit sa s’ka,

Sakrificat për liri.

Apo jo, komandant Zefi,

Agim Bajrami i qeshur,

Ti s’e dhe jetën nga qejfi,

Re dëshmor për të mos vdekur.

Se të deshi Nënë Kosova

Ty, Besnikun, Xheladinin,

Po kaq shpejt nuk e mendova

Gjethet e lavdisë të binin…

S’ bien gjethet e lavdisë,

Le të zvarriten zuzarët,

Si bishtok’ të neverisë,

Ju për ne jeni krenarët.

O Agim Bajram me trimat

E Ushtrisë Çlirimtare,

Me kërrab’ zut’ vetëtimat

Për Kosovën legjendare.

Rroba ngrin e shkrin në trup,

Ju - përleshje me rrufetë,

Një cifël u zë në sup,

Klithma qielli derdhën retë.

Dimër të mos kish’ Kosova

U bëtë legjendë lirie,

Fluturim për shqipet tona

Përmbi kreshta shqiptarie.

Ngrohtësi qe ideali

Historia përsëritet,

Kur lindin shqiponja mali

Perandoria tronditet:

Legjenda Idriz Seferi

Mbi osmanë bëri kërdi,

Ti, Agim Bajram si dreri -

Mbi barbarin serb të zi.

Fryma jote në tri jetë,

O yll i bukur i botës!

Njërën e gëzove vetë

Dhe dy ja fale Kosovës!...

Vetëm 36 vite

Bëre komandant Agimi,

Sot ndriçon me rreze drite

Në monument përjetësimi.

Komandant Zefi, lavdia

Të ka marr’ në krah’ të saj,

Përcjell trimin pavdekësia

Stafetë nderi skaj më skaj.

Eshtër e Adem Jasharit,

Ti i mposhte mbret e krajle,

Dhe për fisin e shqiptarit

Mbete spaletë morale.

Nga Kosova, Çamëria,

Shfaqesh ëndërr e lirisë,

Nga Dibra, Plava, Gucia -

Majave të historisë,

Nga Kaçaniku në Vlorë

Nderi yt i larë me diell,

O trim i zgjedhur me dorë,

Emri yt flamur në qiell.

Kujtesa historike më zgjoi ndjenjëzën poetike për të thurur dy vargje shpirti Dëshmorëve të Kombit, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës më 10 gusht 1998.

Nderim për Ju, Heronj të Shqiptarisë, me përulje të thellë dhe vëllazëri kombëtare!

7. TUNGJATJETA, ILIR SHQIPTARI!

(Kur isha mërgimtar në Itali, duke dëgjuar kasetën “Shkëlqimi i plisit”)

Në malësitë xheloze akuilane,

Mes një gjelbërimi të ftohtë e të errët,

Dëgjoj këngën shqipe të Ilir Shaqirit;

Kraharori më hapet si qiell i çelur.

Dhe mendoj, në vend të huaj, se Shqipëria

Lindi pishtarët që u tretën si qiriri,

Sot, kur në hall ësht’ e ka nevojë NËNA,

Një rilindas i ri bëhet Ilir Shaqiri.

Kosovë e Çamëri, Ulqin e Dibër ngrysur,

Jemi tanët që këndojmë e qajmë shqip;

Gjurma e pëllumbit në paqe të hidhur,

Këngën dhe ëndrrës në grykë ia lidh…

Të faleminderit, Ilir Shaqiri!

Tungjatjeta, o i miri Ilir Shqiptari,

Plis i vure si kup’ shpirtit të qiellit,

Të bardhë si bora, të shtrenjtë si ari.

Të faleminderit, që më mbushe me besim,

Ma freskove krenarinë, s’ma le të thahej.

Shtatë kontinente larg mendimin loti ma lag:

Shqipëria të bëhet, në këmbë të mbahet!

L’Aquila, 08. 10. 1998; Copitto, 16. 12. 1998; Vlorë, 08. 06. 2016

8. PËR JU, YJE TË GJAKOVËS

Yjet që ran' për Gjakovën,

Dritë bëjnë për Kosovën,

Bekim nga Liria paçin,

Thonë Shqiponjat e Tërbaçit.

Ata ranë po janë gjallë,

I ka Gjakova në ballë.

Nuk harrohet historia,

Pa gjak, jo, nuk vjen liria.

Po ju, o trima të bukur,

Nuk luftuat për t'u dukur.

Dhe pse dhemb ajo masakër

Zjarri s'u shua në vatër.

Ratë për më fisniken ëndërr,

Ju vijmë me dorë në zemër.

Kur ju na erdhët si lule,

Kombi në gjunjë ju ulet.

Jeni lavdi me kurorë

Sot në këtë përvjetor.

Jubileu i Çlirimit,

Ju-në krahë të paharrimit.

O ju, yjet e Gjakovës,

Përjet'-në krahë të Shqiponjës.

9. HIMNI LIRIE

Për dëshmorët e Kosovës

Këngën me ligje fillova:

Sot si diva ju po flini,

Sa u desh Nënë Kosova,

Sa e do nëna të birin.

Çdo ditë jave, muaj’, viti,

Çdo dit’ të jetës që kemi,

Me dhembje e plagë shpirti

Tek dëshmorët tanë vemi.

Ne me ju jemi krenarë,

Ju si spaleta lavdie,

Për të gjithë shqipëtarët,

Ju jeni yje mbi yje.

Këndojmë me lot për trimat

E Ushtrisë Çlirimtare,

Me kërrab’ zut’ vetëtimat

Për Kosovën legjendare.

Ndriçoni me rreze drite

Në monument përjetësimi.

Shkojnë vjet e vijnë vite

Për ju më  lart’ nderimi.

Yjet e bukur të botës,

O ballëlarët me diell,

Jetën ja falët Kosovës!…

Dhe emrin flamur në qiell.

10. BEKUAR NGA MAL’ I ÇIKËS!

-valle e kënduar grash-

Valle si nga anët tona,

Do hedhim bashk’ me shqiponja.

Ju, shqiponja fluturoni,

anemban’ shqipet uroni.

Flamur i trojeve tona

Nuk njeh kufij për shqiponja.

Ismail Qemal Flamuri

Gurin në themele vuri.

Urimet nga Këndrevica

Çoini tutje nga Drenica,

Që nga Tuzi në Tetovë,

nga Preveza në Gjakovë.

Ju shqipe që fluturoni,

anemban’ Shqipen uroni.

Kush bie rrezet e dritës

U bekoft’ nga Mal’ i Çikës!

11. FLUTURIM LIRIE

Këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969-Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009

Teksti: Albert Habazaj, këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969 - Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009; kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”,

marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj dhe Evgjeni Habili Seferaj,

kthyese: Shpresa Kapo Çelaj,

hedhëse: Hava Çelaj Muçaj,

në iso: Liri Gaçe Shkurtaj, Liljana Rrapi Kapaj, Meme Ribaj Habazaj, Fatmira Hodo Skendaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhaka, drejtues artistik Albert Habazaj;

Vanë njëzet vite

Skerdilajd i motrës,

Të kërkoj si qyqe

Qiejve të botës.

O Shpirt, elegjinë

Ta këndoj me vaje,

Mbulojë ke lavdinë

O vëlla me halle!

Lirinë zbukuruar

Me gjak tënd e kemi.

Ku ke fluturuar

O Komandant Shpendi?!

Dhe mali nga vendi

Luajti nga dhëmbja,

O Komandant Shpendi,

Shpendi yn’ me ëndrra!..

Si zog të pranverës

Tirana të nisi,

Lugin’ e Preshevës

Një yll ta qëndisi.

Prizreni, Tetova,

Sipër, mal i Sharrit,

Me shpresa të njoma,

Trim i Idealit.

Dhe në Bogovinë

Një dre po derdh lot,

Kurorë me dafinë

Të thur motra sot.

Luan guri vendit

Gur shkëmbi Babai,

Amanet i Shpendit

Jehon skaj më skaj...

12. SHQIPËRIA E PARË

Çfarë bëri me trimat Ismail Qemali

e di dhe gjyshi, dhe babai, dhe djali:

që ndezi zjarrin e shtëpisë shqiptare,

kur dinakët donin ta shuanin fare.

Por Shkodra, dhe Lezha, dhe Kruja, Kanina,

Prizreni, dhe Shkupi, dhe Ohri, Janina,

Plaku i Bardhë dhe Luigji Mendjeqiell,

Baca Is’ e Rasih Dino na mbushën me diell.

Marigo Posio stafetën e Elena Gjikës,

e ngriti si kurorë të bukur të Dritës.

Dhe Qirinjve të Atdheut u falem unë,

larë me diell, qëlluar me furtunë.

Dhe Dibra, dhe Delvina, dhe Hasi, dhe Hoti,

Dhe labi, dhe malësori kanë frymë Kastrioti,

Dhe çami, dhe myzeqari, dhe ulqinaku qëkur

Janë firmë lirie e këngë për Flamur!

Se me centaurët Europa rrufjane,

Kasandra me Pandorën europiane,

e plakur, e egër, marrëzisht e bukur

na ka dashur, na ka flakur e na ka ndukur.

U tkurr, u mpak, u mplak e nuk u gremis Nëna,

u trondit në flakë e nuk iu thye zemra.

Dhe deti, dhe fusha dhe maja e malit

si balli i bardhë i Ismail Qemalit.

Se s’është Vlora si Meka e Muhametit,

është anije e bardhë në mes të rrebeshit;

s’është Vlora as Bethlehem i Krishtit,

është vatër e mendimit dhe rrufe e gishtit.

Vlora është Vlorë, me dritë mes ciklonit,

është djepi ku u përkund palca e kombit;

është bërthama diellore e Flamurit,

me shqiponjën që fluturon mbi gjakun e burrit.

Vlora është magje e bukës kombëtare,

Është tharmi i mbrujtur në zemrat shqiptare.

Është rrënjë e besim dhe vizion në shikim,

është eshtër e dinjitetit të kombit tim.

Urata e Plakut, si mirësi e ullirit,

u mbjelltë e shpërtheftë si lulet e prillit!

O ju zogj të Shqiponjës, po ju flas sinqerisht:

sot Pavarësia Flamurëron Vlorërisht!

Sheshi i Flamurit, Vlorë; 28,

Vjeshtë e tretë, 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx