Mendime
Fadil Sahiti: Politika dhe humbja e sensit me realitetin
E diele, 19.01.2025, 07:54 PM
POLITIKA DHE HUMBJA E SENSIT ME REALITETIN
Nga
Fadil Sahiti
Nuk
mund të them se kam ndjekur në hollësi fushatën për zgjedhjet e përgjithshme
parlamentare që do të mbahen në Kosovë. Mirëpo, me sa kam kuptuar, edhe kjo
fushatë, sikurse edhe fushatat e mëparshme, dominohet nga dy elemente që në një
mënyrë e definon karakterin e politikës dhe politikanëve kosovarë.
Së
pari, politika kosovare po vazhdon të riciklojë një numër të madh politikash
dhe politikanësh tashmë të testuar. Kjo jetë e mjerë që po bëjmë në Kosovë ka
shkak, ka burim, nuk ka ardhur ex nihilo. Gati 90% e politikanëve që
konkurrojnë për këto zgjedhje tashmë janë testuar. Të gjithë e dimë se politika
është një hipotezë që testohet kundrejtë realitetit. Është shumë e çuditshme,
politikanët kosovarë, veçanërisht këta që na kanë qeverisur gjatë katër viteve
të fundit, e harrojnë këtë fakt, ose të paktën pretendojnë kështu.
Së
dyti, edhe kjo fushatë karakterizohet nga një gjuhë ekstreme populiste dhe
mjaft primitive. Autostradat dhe projektet infrastrukturore si Prizren -
Tetovë, Binullë - Lipjan - Shtimje, ndërtimi i super spitaleve, përfshirja e
Kosovës në NATO vazhdojnë të dominojnë diskursin e kësaj fushate, ndonëse
rrugët tona janë bërë kantiere të papërfunduara. Ky diskurs dëshmon se këta
njerëz e kanë humbur sensin me realitetin, këtij realiteti që po e jetojmë edhe
ne edhe ata!
Platoni
thoshte se një politikan i mirë është si një mjek i mirë. Një mjek i mirë nuk
mund ta shërojë kurrë pacientin e tij nëse nuk arrin të identifikojë me saktësi
burimin dhe shkakun e sëmundjes. Diagnoza e sëmundjes është një parakusht për
përcaktimin e një terapie shëruese.
Politikanët
tanë kanë mungesë elementare në diagnostifikimin e problemeve (sëmundjes).
Mungesa e moszhvillimit tonë nuk është infrastrkutura e dobët. Jo sepse cilësia
e infrastrukturës sonë është më e larta në rajon, por sepse gjendja në sektorët
e tjerë është e mjerueshme. Është budallallëk të vazhdojmë të shpenzojmë paratë
tona publike për beton dhe asfalt, kur kemi shkollat më të dobëta në rajon, kur
të sëmurët tanë kërkojnë mjekim jashtë Kosovës, kur kultura jonë është e
dominuar nga "tallavaja", kur sipërmarrësi ynë ka nevojë për punëtorë
të aftë, etj. Është një mungesë totale e edukimit politik të mendosh se
ndërtimi i infrastrukturës domosdoshmërisht sjell zhvillim dhe progres. Infrastruktura
rrugore, apo infrastruktura e fortë në përgjithësi, nuk është shtytësi kryesor
i zhvillimit ekonomik të një shoqërie. Marrëdhënia shkakësore është e kundërta,
zhvillimi i infrastrukturës së butë, e cila lidhet me zhvillimin e kapaciteteve
njerëzore, sjell zhvillimin ekonomik të një shoqërie, e më pas infrastrukturë
më të mirë.
Pyetja
që duhet të ngrejë sot çdo votues kosovar është se a duhet të vazhdojmë të
shpenzojmë paranë publike për beton dhe asfalt kur kemi shkollat më të dobëta
në rajon dhe më gjerë? A duhet të shpenzojmë para publike për asfalt dhe beton
kur të sëmurët e Kosovës kërkojnë mjekim diku tjetër, jashtë Kosovës? A duhet
të ndërtojmë shkolla kur këto që i kemi prodhojnë fuqi punëtore të paaftë?
https://www.facebook.com/profile.php?id=828092747