Mendime
Llesh Ndoj: Zhagj…!
E diele, 19.01.2025, 07:53 PM
ZHAGJ…!
-
Kërkohen ritme për të kompensuar kohën e humbur dhe jo turravrape drejt
greminës së radhës -
NGA LLESH NDOJ
Më
bie ndërmend shpesh një plak i urtë dhe i mirë i zonës sime, të cilit sa herë i thoje: - A mujte or
lalë…? (për etikë nuk po ia përmend emrin), ai do të përgjigjej standart: -
Zhagj, or lalë! Për ata që s’e njohin dialektin e Mirditës e për më tepër të
zonës sime të mrekullueshme, me shumë veçanti të të foluri edhe brenda trevës
saj, jam i detyruar t’u shpjegoj shkurtimisht zhargonin kuptimorë të fjalës së
mësipërme. - A mujte?, nënkupton fjalën “mirëmëngjesi”, me anë të së cilës
përshendeteshin malësorët e asaj zone,
shkurtim i shprehjes: - A mund u zgjove?, ekuivalente me fjalën: - Si ke njeh?,
që e përdor Shkodra jonë e veçantë, apo: - Si u gdhine?, që përdoret gjerësisht
në Shqipërinë e Mesme. Duke shkruar këto radhë nuk mund të mos bëj një
ndërprerje të shkurtër të rrjedhës logjike të arësyetimit tim, për të shprehur
dashurinë e pafundme ndaj gjuhës së bukur shqipe, e cila edhe në një teritor
kaq të vogël e të detyruar të “hyje në ujë” nga historia e vet e trishtë, ka
kaq variante gjuhësore, kaq shumë fjalë, e me kaq shumë kuptime e fuqi
shprehëse aqsa, sa herë të “gërmosh”, do të bindesh se ajo që njeh është krejt
pak me atë që ekziston si pasuri, ndonëse moderniteti e qytetërimi, hapja me
botën, po bën që shumë prej xhevahireve të saj të mbeten thellë në “nëntokë”,
si një pasuri “jo minerare”, që iu shtohet shumësisë së pasurive minerare, e që
kanë nevojë të njihen, të dokumentohen në vijimësi, të shfrytëzohen si të tilla
në dobi të dokumentimit të autencitetit të tyre e të origjinës së këtij
populli, ndoshta më i lashti në rajon, e të gjuhës së tij, besoj fort, një
gjuhë “rrënjë” e shumë gjuhëve të prejardhura në evoluimin e jetës. Natyrisht
që unë s’jam ai që mund të jap ndonjë kontribut qënësor në këtë drejtim,
thjesht shpreh impresionet që më japin fjalët e shprehjet tradicionale,
kryesisht të zonës sime, dhe shpreh adhurimin ndaj tyre.
Për
të vijuar më tej me shprehjen e cituar në fillim të këtij shkrimi, me
përgjigjen e “lalë …”, që thuajse gjithnjë ishte standarte: - …Zhagj, or lalë!,
lexuesi duhet të dije se fjala “zhagj” është shqiptim zonal i fjalës “zhag”, që
nënkupton “…me zvarritje”, apo siç thuhet “rrëshqanas”. Plaku i urtë ishte
atëherë në këmbë, shëndosh e mirë, lëshonte bagëtitë apo bënte punët e tjera të
nevojshme për jetesën e familjes, por shprehja e tij vinte më së shumti si një
pakënaqësi nga vetja, apo nga vështirësitë që takonte me ritmin e jetës,
krahasuar me nevojat që paraqiteshin shumë më të larta se arritjet e realizuara
apo ato të pritshme, i pakënaqur me ritmin e përditshmërisë së tij e jo vetëm.
Ky është kontesti i asaj që më ngacmoi të shkruaj këto radhë!
Shqipëria,
vendi ku na ka falë Zoti, e që na ka dhuruar gjënë më të shtrenjtë që kemi,
identitetin shqiptar, natyrisht që “zgjohet” çdo mëngjes, sepse drita e diellit
rrezaton edhe këtu çdo ditë, bile edhe më bujarisht se në disa vende të tjera
të afërta e të largëta, por ecuria e saj ngjason më së shumti me një zvarritje,
me atë “zhagj - in” e atij lalës tim, e ritmi i saj i çdo dite nuk “të zgjon”
me entuziazmin e një hopi cilësorë e të madh drejt objektivave të arësyeshme,
për t’u barazuar me shtete e kombe të tjerë, me të cilat duhej të kishim të
njëjtin start e kemi kushte e mundësi të përafërta, në mos më favorizuese.
Komuniteti evropian, të cilit natyralisht e kulturalisht i përkasim e ku duam
të integrohemi edhe në aspektin politiko - ekonomik, është shumë hapa përpara
nesh e, për të mbërritur aty ku ata janë sot si një organizëm në lëvizje e
evoluim të shpejtë, ritmet tona duhet të jenë shumë herë më të larta se kaq, dhe
më të larta edhe se ritmet e tyre aktuale të zhvillimit. Ne mund t’a rritim
ekonominë e mirëqënien tonë me 3 ose 4 përqind në vit, por pika ku ndodhemi
është shumë larg pikës ku ndodhet Evropa politiko - ekonomike, për më tepër se
edhe ajo lëviz në të njejtin kah me ne (në rritje) dhe se kështu, me ecjen
“zhagj” apo me zvarritje, zor se mund t’i mbërrinë ndonjëherë, veç në se ndodh
me ta si me lepurin, që u vu në garën me breshkën…
Sëmundja
jonë e matjes me hijen e perëndimit, tashmë nuk është e re, por një sëmundje e
gjatë, që po na bën të vuajmë mungesat tona evidente në të gjitha fushat,
mjafton të kënaqim ndjesitë, apo iluzionet tona se “jemi endë gjallë”, e se “po
lëvizim”, ndonëse… zhagj. Kjo mendësi, thuajse popullore, i shkon për shtat
sidomos klasës tonë politike, e cila tamam “si gjeli n’majë t’plehut” krenohet
me të qënit e parë, duke na thënë ne: - Rrini rehat, se ne jemi shpëtimtarët
tuaj!, e botës i demostrojnë, jo rrallë, edhe “leksione” mbi mënyrat e duhura
të ecjes përpara. Të ngjan kjo njëlloj me atë që kishte hipur mbi një gomar
(ndjesë kësaj qënie të përulur e të nënvleftësuar kaq shumë!) dhe i thoshte
pilotit në avion: - Mos të qofsha falë, ec ti, ec dhe unë. Të dy njëlloj
kalorës jemi! Prapë një shprehje popullore mjaft e bukur më vjen në kujtesë për
t’a tipizuar situatën si më sipër: “Kaluer n’ukut, tu u vikat qenve!”, thuhej
në anët tona për ata që ishin euforikë, ose fluturonin me presh…, e nuk e
shihnin me sy realitetin ku ndodheshin dhe që ua “gërryente” dheun nën këmbë
çdo ditë.
Shifrat
janë shpesh gënjeshtare, ndonëse në pamje të parë ato duken si shprehja e vetme
e besueshme e matjes së rezultatit. Mund të rritesh me 3 - 4 përqind, por kush
është baza ku nisesh, apo etaloni me të cilin krahasohesh? Gjatë viteve të të
ashtuquajturit pushtet popullor, apo diktaturës pesëdhjetëvjeçare në Shqipëri,
të gjitha krahasimet bëheshin me vitin 1938 (mirë që s’na krahasonin me kohën e
shtetit shqiptar të kohës së Gjergj Kastriotit!), ku evidentoheshin rritje në
të gjitha fushat e me disa herë, por populli jetonte i varfër në lumturiné e
shifrave e bollëkun e propagandës helmuese. Natyrisht që shifrat e rritjes në
vetvete, në shumicën e tyre, ishin reale, por arritja e realizuar prej tyre, e
pasqyruar në nivelin e jetesës së masave, më shumë se e tillë rezultoi një
iluzion kolektiv, një kalâ prej kashte që u shkërmoq e tëra sapo u gërvish nga
një heqje e perdes së izolimit gjysëmshekullor dhe mbërritëm në ballafaqimin e
shumëpritur me realitetin. Rritja nuk ishte edhe arritje! Njejtë vazhdojmë edhe
në demokracinë tonë pa demokraci, tash tri dekada e gjysëm: shifra rritjeje,
kreni tipike ballkanase, më shumé fodullëk e shitje mend të gjithëve, krahasime
me nëntëdhjetën apo pak më vonë, por gjendja e niveli i jetesës së shumicës së
njerëzve mbeten larg nevojave normale të tyre, pa le po ta krahasojmë veten me
objektivin ku duam të shkojmë, me evropën si demokraci funksionale qeverisëse e
prosperuese ekonomike.
Jemi
në stinën e vjeshtës së premtimeve elektorale dhe të gjithë do të nxitojnë të
shpallin në programet e tyre rritje të mëdha, shumica pa asnjë bazë reale,
krahasime me të kaluarën e hershme e të vonë, ndonjë subjekt politik mund të
premtojë edhe “qilima fluturues” drejt së ardhmes kozmike, por pak prej tyre
objektiva reale, të arritshme, që rritin nivelin e jetesës për masat e gjera e
që ngushtojnë realisht distancën me objektivin strategjik,Bashkimin Evropian,
ku duam të integrohemi. Partitë tona politike, jo vetëm duhet të shpallin
rritje, por do të duhet që çdo shpallje e tyre të shoqërohet me programim të
udhës e të hapave konkrete drejt bërjes realitet, drejt arritjeve thelbësore,
të kapshme e të ndjeshme për të gjithë, duke mos rrezikuar që “turravrap - i”
ynë, në vend të Evropës si nocion politiko - ekonomiko - qeverisës, të
përfundojë në humnerën e radhës, siç na ka ndodhur jo pak herë në historinë
tonë të vjetër e të re. Rritje pa arritje, nuk i vlejnë askujt! Duartrokitjet
pa mend kanë destinacion diktaturat e neodiktaturat, apo demokraturat.
Pesëdhjetë vite duartrokitëm sistemin e kaluar dhe jetuam “të lumtur”, por kur
na doli jermi, u gjendem në pikën ku rrezikonim ekzistencën; përkrahëm
zhvillimet demokratizuese (që s’rezultuan aspak të tilla në substancë, përveçse
formalisht!), nën premtimet e “Çekut të Bardhë” e “Lugës së forinjtë” dhe
përfunduam në dyert e ’97 - ’98 - s ku besoj, për herë të parë realisht e
masivisht, gropa ekonomike jo vetëm u shemb e gati na zuri brenda të gjithëve,
por prodhoi rrezikun e një lufte civile brenda nesh, e para në histori në
përmasa të tilla të mëdha e reale, që kishte si protogonist shtetin (elemente
të saj ka patur edhe lufta nacionalçlirimtare 1939 - 1944!), pasojat e së cilës
duan kohë të hidhen pas krahëve.
I
solla këta dy shembuj relativisht të vonë kur me “hap revolucionar” e krenar në
grumbullin e plehut tonë marshuam kolektivisht drejt humnerës, për t’u rikthyer
përsëri aty ku ishim: tek fushata zgjedhore e gjendja aktuale. Ekonomia është
“thembra e Akilit”, por edhe “Kali i Trojes” i kësaj fushate për të gjithë.
“Thembra e Akikit”, sepse më në fund partitë politike, së paku formalisht, kanë
kuptuar se në Evropë nuk shkohet me “trokun e gomarit” edhe pse ai është
përsëri në “lëvizje”, por edhe për arsye se shqiptarët, tashmë evropian
syzgjuar, nuk mund të kënaqen më me thërrime, as të ngopen me lugën bosh të
propogandës; “Kali i Trojës”, sepse të gjithë kanë marr përsipër të na e
“injektojnë” fabulën e tij brenda nesh, si një hirushe mashtruese, që me siguri
do të rezultojë si një “minë me sahat” të kurdisur për të shpërthyer në të
ardhmen postzgjedhore, minë nga e cila ai që dëmtohet pakthyeshmërisht është
zgjedhësi, ndërsa “elitat” (e përdor me dhimbtë këtë fjalë!), maksimumi shtojnë
shpresat të hipin në fron… Më afër realitetit duket qeveria aktuale, ndoshta
për shkak të njohjes reale të gjendjes më mirë se partitë e opozitës, ndoshta
për shkak të përvojës së gjatë qeverisëse, mbase për shkak të resurseve
intelektuale që zotërojnë apo të këshillimit e rezistencës së çertifikimit nga
organizmat ekonomiko - financiare evropiane, por edhe ata, të yshtur nga
nevojat reale, apo nga presioni i premtimeve elektorale të opozitës, dyshoj se
nuk po i matin sa e si duhet hapat e tyre. Në shtet janë rritur dukshëm pagat
këto vitet e fundit. Ato gjithsesi janë poshtë përballimit të nevojave reale të
të punësuarëve dhe hapjes së perspektivave të së ardhmes, por shoqëruar me
hapje apo shqyerje të dyerve të administratës, duke e rritur atë në numër e në
emërtesa në kahjen e kundërt me trendin e popullsisë e zhvillimit teknologjik
nga njëra anë, mospërputhja e kësaj rritje me cilësinë e produktit që merret
prej tyre, nga ana tjetër, shkapërderdhja e saj vend e pa vend e eksperimentimi
i vazhdueshëm me të, krijojnë shijen e hidhur të përgatitjes së gropës së
ardhshme buxhetore dhe ekonomike. Besoj të gjithëve u ka bërë përshtypje hapja
e “konkursit” për qindra vende të lira puna në administratë këto ditë. Mua më
la shije të hidhur si një “deja vu” e situatave të tranzicionit shqiptar në të
gjitha periudhat parazgjedhore. Përtej administratës, sektorët e tjerë buxhetorë
po angazhojnë shumë resurse njerëzore, materiale e financiare, por s’po i
justifikojnë ato me produktin e tyre. Arsimi nuk po ecën cilësisht, ndërkohë që
ruan trendin e të qenit masiv edhe jashtë arsimit nëntvjeçar, pra në arsimin e
mesëm e të lartë, duke prodhuar edhe të diplomuar analfabetë funksionalë, jo
pak shkolla kanë më shumë rrogëtarë se nxënës e jo pak katedra universitetesh
kanë pedagogë me nota 6 - 7, në mos me diploma të blera, ndërkohë perspektiva e
kontigjenteve të arsimtarëve të mirëfilltë, sidomos të lëndëve bazë, është e
zymtë. E njejta gjë shihet edhe në shëndetësi, ku perspektiva nuk është
orientuar drejt, ndonëse janë bërë investime “tulla e llaç” në të dy sektorët,
ku gjasat janë që ndërtesat të mbeten bosh, sidomos në zonat rurale. Bujqësia e
veterinaria “marshojnë suksesshëm” drejt 1938 - s, krahasuar me perspektivën e
zhvillimit evropian.
Le
të vijmë tek një çeshtje tjetër fort e ndjeshme sociale dhe ekonomike,
pensionet e pensionistët. Është e ditur tashmë se kjo shtresë është shtresa
dominante në shoqërinë rezidente shqiptare dhe pesha relative e saj në raport
me popullsinë banuese ka gjasa të rritet ndjeshëm edhe në të ardhmen e afërt,
për shkak të largimit të rinisë e uljes së lindshmërisë në nivele kritike,
qoftë edhe për shkakun fatlum të rritjes së jetëgjatësisë, por ky raport i
deformuar sjell (në mos i ka sjell që tani), deformime të dukshme e reale në
gjendjen e tyre e në mundësitë e përballimit të jetesës. Thënë shkurt,
pensionet janë akoma në nivele qesharake, gjë që kërkon ndërhyrje emergjente,
por dhe skema që duhet t’i mbajë në këmbë ato, është në pikë kritike dhe aspak
efektive. E kam fjalën për raportin e të punësuarve që kontribojnë në skemën e
sigurimeve shoqërore, me atë të pensionistëve që përfitojnë prej saj. Shteti
duhet të rregullojë këtë raport sasiorë e cilësorë dhe jo të përdorë paratë e
taksave të biznesit për të mbajtur gjallë frymën e skemës së sigurimeve
shoqërore. Fjalë ka shumë, por veprime konkrete pak e aspak. Perspektiva…?
Ruajna Zot! Rrofshin bijtë tanë emigrantë që akoma e ruajnë solidearitetin,
respektin e detyrimin ndaj prindërve. Shteti ndanë “bonuse” si të ishte
babagjyshi i Vitit të Ri apo lajmëtari i Pashkëve, para që shërbejnë si
aspirina për të sëmurët (pensionistët), por akoma nuk po e qartëson as
diagnozën as skemën e ilaçin e mjekimit të sëmundjes, sa kohë që nuk ka marrë
masa për t’a ndalur përhapjen e rrezikun e një pandemie që dëmton jo vetëm
ekonominë e gjithë vendit, por prish edhe ekulibrat e brishta shoqërore,
ndërkohë që opozita, “me frymën e shenjtë” përsëri na premton “lugën e
floririt”. Siç dëgjojmë nga ekranet televizive, kush përmes buxhetit, e kush
përmes marrjes së pasurisë “oligarkëve” e shpërndarjes së saj masave popullore,
opozita e vjetër dhe e re ka mbetur gjithsesi në nivelin e neomarksistëve,
fuqia e të cilëve buron nga të konsideruarit e vetes si pronarë të gjithshkaje
e jo si administrator që duhet të injektojnë e përkrahin pilitika ekonomike të
zhvillimit të qëndrueshëm.
Ne
duam dhe meritojmë të jemi pjesë integrale e Europës në të gjithë kuptimin e
pasojat e kësaj fjale, por realisht të tillë, e jo të marshojmë si
revolucionarë drejt saj. Ajo e ka tejkaluar prej kohësh konceptin tonë të
revolucioneve shoqërore, duke e injektuar atë si nocion në konceptet e zgjidhjeve
ekonomike e teknologjike për të përballuar sfidat e kohës. Shqiptarët kanë
lindur fizikisht në europë, shumica e tyre qoftë edhe me këmbë, me gomone, me
anije e me avionë, edhe e kanë “kapur” tashmë Europën, por problemi qëndron që
Shqipëria si realitet politiko - ekonomiko - shoqërorë të mos eksperimentojë të
ecurit zhagj (me zvarritje) drejt saj si kërmilli, as të mos vrapoje me
iluzione, por të hedhë hapa të sigurtë e të qëndrueshëm. Ne si zgjedhës, jemi
në momentin e duhur për t’i gjykuar ofertat politiko - elektorale të partive
politike, jo nga oratoria e pompoziteti i liderëve të tyre, nga nxirja e
realitetit, as nga “hirushja” që na tregohet në letra, por nga serioziteti i
tyre, nga bazueshmëria e premtimeve në punë e masa konkrete të besueshme, nga
përvoja e resurset njerëzore që ato aktivizojnë.
Në
përmbyllje, një rikthim virtual tek skemat piramidale. Më thotë një ish -
mësues i vjetër e njeri shumë i mirë, në vitin tashmë të largët 1997:
-
Si më thua Llesh, i kam pak lek e po mendoj t’i investoj tek një nga këto
fondacionet? U zura ngushtë, jo se nuk isha i bindur e se nuk e kisha
përgjigjen, por druaja se si do t’ma merrte shoku mendimin tim. U përtypa një
copë herë dhe i them:
-
Është e thjeshtë përgjigja! A di ndonjë bujk këndej nga anët tona që e ka korr
arën tri herë, apo ndonjërin që i ka pjellë lopa tri herë, brenda një viti? Nuk
mora përgjigje… U mirëkuptuam me dashamirësin tim në heshtje, sepse të dy
njëlloj me gjithë bujqërit e blegtorët e zonës, e jo vetëm ata, luteshim të
merrnim një korë nga toka e pakët e një viç nga lopa brenda vitit, se të tjerat
ishin ëndërra në kohë vjeshte…!
Lezhë, më 12 janar 2025