E merkure, 30.04.2025, 09:48 AM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: ''Orgazma e zezë'' ose emri i ''gjësë'' që shkon përtej naivitetit

E marte, 14.01.2025, 07:55 PM


“ORGAZMA E ZEZË” OSE EMRI I “GJËSË” QË SHKON PËRTEJ NAIVITETIT

- replikë e përgjithshme sqaruese -

Nga Agron Tufa

Në statusin tim të djeshëm iu drejtova me një letër të ngutshme Kryetarit të Partisë Demokratike, doktor Sali Berishës, për një shqetësim të vjetër, që ka të bëjë me ndërhyrjen e burokratëve të partisë në zgjedhjet e brendshme të degëve të kësaj partie, duke marrë si shembull degën nr 2 të Tiranës. I sillja në vëmendje që kjo kulturë e neveritshme e shoqëron këtë parti që në gjenezë, dhe se kjo zhduk padrejtësisht çdo të drejtë demokratike, fyen, hidhëron dhe largon të brengosur jo vetëm veprimtarin e strukturave, por një masë të votuesve që besojnë në vullnetin e lirë të zgjedhësit dhe sjell degradimin e këtyre degëve, rrjedhimisht, humbjen e vazhdueshme. Për këtë i sillja dhe shembuj konkretë.

Pjesa dërrmuese e ndjekësve të mi, kryesisht për hir të linjës kulturore e letrare që mbaj në faqe, e kuptuan dhe e lexuan shumë drejt synimin e shqetësimit tim. Por një pjesë e vogël, megjithatë, dështuan që në paragrafin e parë të leximit, duke shpaluar një “naivitet” të qëllimshëm. Në këtë numër të vogël, ndonjë mik i afërt që e çmoj, paradoksalisht e kuptoi thelbin e kësaj letre si “naivitet” nga ana ime, madje një naivitet të tillë, që e krahasonin me metaforën e “ujit që turbullohet rrugës”, duke bërë përqasje me hamendësimin e dikurshëm derdimen të popullit të leshtë, që mendonte se Enveri dhe Mehmeti janë të pastër, pak a shumë në këtë frymë. Hm...

Ky lloj leximi paketohet thjeshtë dhe përcillet e përtypet lehtë për ata që kanë përtesë të bluajnë kuptimet “ndërmjet rreshtash” në letrën time. Dhe nxituan “të më hapin sytë”, me idenë, se asgjë nuk bëhet pa bekimin dhe urdhërat e Berishës. Madje një mik thotë se “nuk e ka fajin Berisha”, por “inxhinieria e një sistemi fallco të votimit që ka ndërtuar Sali Berisha qysh në zanafillë më 1991”. Çudi, në letrën time unë pikërisht këtë theksoja, madje me spikamë therëse, sidomos pa amnistuar fare as Berishën, as Bashën. Ku është e reja këtu? Sigurisht miku oponent ka përvojë të gjatë në strukturat lokale dhe pushtetin lokal të PD, i di  mirë gjërat, ndërsa unë as anëtar i PD nuk jam e nuk kam qenë. E shumta, në respekt të botëkuptimit tim të djathtë e antikomunist, kam qenë një mbështetës i saj, votues, i angazhuar fare përkohësisht, njëherë e një kohë, për të ofruar ekspertizën time në çështje të kulturës, pa qenë kurrë pjesë e asnjë qeverie. Troç: e kam votuar për mungesë alternative poltike më të mirë në spektrin e djathtë.

Por, përtej “naivitetit” tim, përtej rrëmimeve të oponentëve për të gjetur kinse në “naivitetin tim” njëfare sindrome, përtej vuajtjes për ta emërtuar saktë atë, qëndron njëmend një goxha sindromë dhe çfarë sindrome! Më poshtë do ta them me emër këtë sindromë të ngujimit dhe izolimit në përvojën personale. Ata përvojën e tyre personale në të cilën janë ngujuar, mëtojnë t’ia mveshin, disi dhunshëm e trashë, gjithkujt tjetër që nuk e ka këtë përvojë. Sidomos ndaj atyre që PD-në, ashtu siç është, e shohin si të vetmen alternativë të madhe për rrëzimin qeverisë së sotme kriminale, që po e zhbën dhe shpopullon pa mëshirë atdheun prej 15 vitesh. Pra, për çdokënd që ngre zërin publikisht si unë (se letra ime nuk ishte intimitet konfidencial me Berishën), këta rendin ta quajnë “naiv”, se në fund të logjikës, atje është Berisha, djalli i zi e i larmë, satanai vetë, mundësisht me bisht dhe me sfurk. Jo, miq, Berisha nuk është një engjëll, këtë e dimë, andaj qetësohuni. Aq më pak Rama dhe çdo politikan tjetër. Po për ndryshimin që shqiptarët shpresojmë kaq gjatë, ka ca etapa, që nuk mund t’i shkapërcesh dot, dhe pikësëpari - rrëzimi i kësaj qeverie rrënuese çerekshekullore. Edhe ju, besoj se e doni rrëzimin e saj, por keni në kokë një turbullirë që ju bën të mendoni, se qeveria kriminale e narkoshtetit do të rrëzohet pa votë, pa vullnet votuesi e pa opozitë, sidomos kur në krye të saj është Sali Berisha, të cilin, si politikanë për 35 vjet nuk e konkurruat dot, nuk e zhdukët nga peizazhi politik, ndonse ishit për këto 35 vjet në të njëjtin ring rivaliteti. Nuk e pranoj përligjjen, se “ku të linte ai?” Sigurisht që nuk të lë, jo ai, por askush në atë lloj ringu! Politika është xhungël mbijetese, sepse atë xhungël zgjodhët ju. Si në çdo fushë tjetër. Nuk besoj se do t’ju duhej të bënit Mbinjeriun niçean, por duhet të kishit bërë shoqërinë për vete, mbështetjen e saj. Suksesin në xhungël nuk ta fal kush!  Berisha është aty se e mbështet votuesi i djathtë, duam apo s’duam. Hidhuni përpjetë po deshët, ndonëse e dini më mirë se unë këtë të vërtetë. Por i kthehemi thelbit të argumentit: mbase ju mendoni se as që është e nevojshme të rrëzohet kjo qeveri, nga që shpresoni, kushedi pse, se një ditë të bukur vetë qeveria Rama do të velet, do të veleritet nga pushteti dhe do ta lërë vetë atë (sindroma e gomarit që e hante ujku dhe uronte të ishte në ëndërr). Atëherë ç’të bëjmë?

I urrej pozicionet abstenuese. Për mua një abstenues është një sehirtar cinik. Jam një shkrimtar i angazhuar, madje thellë-thellë, kundër dëshirës sime. Po ç’të bëj? Nuk kam jetuar në Francë, SHBA apo gjetkë, por në një vend të traumatizuar e me njëmijë probleme ku, në një mënyrë a një tjetër, nuk mund të qëndrosh shpërfillës. Si t’ia bëjmë pra, si t’i ndryshojmë gjërat, si të dalim nga qorrsokaku? Më falni që nuk mendoj si ju, që Rilindja do të velet dhe veleritet nga pushteti, që ta shtyjë tutje një ditë pushtetin mu si një ëmbëlsirë të mbytur në sherbet.

Si shumëkush, dhe unë mendoj se me një mandat tjetër regjimi do ta zgjerojë hartën e shkretimit, shpopullimit dhe padrejtësisë në atdheun tonë; do të blejë e privojë përfundimisht liritë themelore, do të thyejë mendjet e fundit të pavarura; do ta poshtërojë, shëmtojë, varfërojë dhe skllavërojë deri në zombifikim të plotë shoqërinë tonë. Ja pse duhet një front i bashkuar opozitar për largimin e qeverisë çerekshekullore, që i ka bërë shoqërisë shqiptare atë, që zor se mund t’ia bënte një pushtues. Si bëhet kjo? Për mendimit tim, hakçe, edhe pse nuk jam ithar i revolucioneve, kjo duhet bërë me rebelim, kryengritje dhe përmbysje, si në Srilanka, Siri, Kolumbi apo gjetkë, në kushtet kur vota blihet, manipulohet, sikundërse e dimë mirë. Por meqenëse kjo mënyrë çon pashmangshëm në gjakderdhje civile, qëndrojmë tek mjetet politike të zgjidhjes, nëse garantohet pak a shumë procesi dhe përfshihet, pa u manipuluar, vota e diasporës.

Pra, objekti numër një, është rrëzimi i qeverisë me zgjedhje normale, në një front të bashkuar opozitar me koalicione para apo paszgjedhore.

Por të izoluarit në përvojën e tyre të hidhur personale na thonë: “Jo, me Berishën nuk bëhen dot zgjedhje, as që ia vlen! Madje më mirë humbje, se sa fitore me Berishën!” Po mbi gjysëm milionë votat e popullit të djathtë demokrat, që janë tash 15 vjet të diskriminuar, të përndjekur, të papunë? A e kanë ata të drejtën të besojnë tek PD dhe opozita, ta ushtrojnë vullnetin e votës e të përpiqen për ta rrëzuar narkoshetitin? Pse paskeni të drejtë ju dhe nuk paskan ata? Pse jeni ngujuar e fiksuar aq keq në përvojën tuaj negative dhe kërkoni ta universalizoni, t’ia mveshni dhe impononi atë gjithkujt? Ne e kemi parë se fitorja arrihet, edhe kur kjo duket mison i pamundur, për shembull, ajo e pas vitit 1997. Por ju, në thelb, gëzoheni duke profetizuar, se me 11 maj PD e Berisha do të humbin. Dhe këtë parashikim tuajin e theksoni me një gëzim i lig, siç di t’ua lexoj unë, ku drejtpërdrejt, ku midis reshtash. Po ç’është, në fund të fundit, kjo “orgazmë e zezë” (ky është emërtimi i sindromës suaj), kjo dashkeqësi e ulët? Vetëm pse Berisha është në krye? Pa përimëtime neurozash psikanalitike shizoidale mbi këtë problem: e thjeshtojmë fare hasetin tuaj në nivelin e shprehjes idiomatike popullore: “Për inat të sime re, futsha gjallë tim bir ndën dhe!”. Për ju “reja” është Sali Berisha, ndërsa “biri ndën dhe” – i takon të jetë gjithë populli i djathtë demokrat.

Jam kundër kësaj filozofie anatemuese e gjëmëzezë! Dhe nuk jam aspak “naiv” në lidhje Berishën apo kushdoqoftë në krye të opozitës. Kurrë nuk kam pritur ta gjej shenjtërinë apo romantikën në strofulla partish apo nën hije liderësh, përkundrazi, e kundra më ka shtyrë drejt një lufte të vetmuar e vetmitare, por të ndërgjgjeshme. Një lideri i duhet folur hapur, pa servilizma, sikundëse pa urrejtje e besim të verbër: çdo lideri i duhet treguar qartë e konkretisht cilat janë e ku të çojnë metastazat e kancerit në demokracinë e brendshme brenda çdo organizmi partiak. E kam bërë më parë, e bëj dhe tani, sepse e ndjej veten të lirë të them atë që mendoj. Dëgjon apo nuk dëgjon Berisha, kjo është kret tjetër, por është ndryshe kur nuk e thua dhe mjaftohesh me ligjërimin belbacuk. Duke mos qenë i lidhur me përditshmërinë e jetës në Shqipëri, shqetësimi im i vetëm është fati i të djathtës shqiptare. Pra, pse qenkam “naiv”? Për faktin se më dhimbset  të shoh “birin” ndën dhé dhe nuk më interesoka aspak inati me “renë”?

E zëmë se plotësohet dhe “orgazma e zezë” e parashikimit tuaj dhe (për ju Berisha, e për mua - populli im i djathtë), humbin në zgjedhjet e 11 majit 2025. Berisha nuk është i përjetshëm, maksimumi, si me fitore, si me humbje ai nuk është më në krye të PD më shumë se 4 vjet. Por edhe në rast humbje, përpjekja dhe maksimalizimi i votës së demokratëve (përfshij tashmë diasporën) është prapë një rezultat, që do të thotë: kufizimi i mandateve të PS, rrjedhimisht, shpresë për nesër me liderin e munguar, që “nuk po e lë Berisha të qesë krye”. Edhe në rast humbje pra, duke e reduktuar humbjen, votuesit e kësaj partie historike, në të cilën, piksëpari, shumëkush prej jush ka kaluar rininë më të mirë, e gjen veten më të bashkuar. Mund të jeta pra, i humbur, por jo i shpartalluar! Dhe i pa shpartalluar ky front është në gjendje ta masë fuqinë e tij nesër, në betejën e radhës, përkundër kujës që lëshoni ju për ta braktisur, për ta shkrehur gjithkund, për t’u kthyer në rrënojë ku të këndojnë qyqet, vetëm e vetëm pse është Berisha në krye. Të parrënuar në themel, është e mundshme të ngrihesh prapë në këmbë. Por mua, e përsëris, më dhimbset “biri” që kurrësesi nuk dua ta shoh “ndën dhe”, sikurse jua ka qejfi e i gëzoheni fshehtasi apo haptazi ju, për inatin e "resë".

Po, keni një problem, keni njëmend një problem të madh me veten, një problem që e keni shkapërcyer, pa e vënë re, me sy të terratisur siç jeni. Është pikërisht ideja e njëfarë shpage të hidhur që keni në mendje, shoshë me çfarëdo çmimi... përndryshe mbetet i pamotivuar fakti që i vërsuleni kujtdo që shpreson, duke dalë gjithë idhnim nga qela e përvojës suaj të hidhur dhe duke iu drejtuar gjithkujt ex-cathedra, vetëm e vetëm pse prisni të përmbushet profecia juaj.

E ndërsa asgjë ende nuk është vendosur, ndërsa ende ka kohë e shpresë përpara, lërini përpjekjet e gjithkujt që shpreson, qoftë dhe naivisht, ta përligjin vetveten. Nga kjo, frontit të djathtë demokrat nuk i vjen asnjë e keqe, përpos se dobi. Ata do të hahen e grihen me problemet e tyre të brendshme, do të kalojnë përmes provës së zjarrit purifikues, por një ditë, do ta tejkalojnë krizën. Ju mendoni se do të bëhen shkrumb? Mbetet për t’u parë dilema “to bee or not to bee”.  Veçse nuk është as logjike, as etike e për më tepër, aspak e shëndetshme ta këqyrësh me sy të picërruar e me cinizëm shkurajues këtë përpjekje e këtë shpresë. Sepse ka një të vërtetë universale: liderët shkojnë e vijnë, janë të përkohshëm, por populli votues (i djathtë apo i majtë), është aty, i përjetshëm. Përpjekja e çdokujt në këtë front, sado e vogël qoftë, për të shpresuar e për t’u ngritur në këmbë, ka një rëndësi absolute e nganjëherë vendimtare për klimën e përgjithshme të mendimit dhe besimit. Nga një klimë e tillë mendimi e besimi fillon dhe ndryshimi i madh. Do ta ilustroj këtë ide me një paravoli të klerikut atdhetar Hafiz Ali Korça:

“E pyetën një milingonë në udhë e sipër:

- Ku je nisur e ku po shkon moj milingonë e vogël?

- Jam nisur për haxh, në Qabe, zotni.

- Po rruga është e largët moj e shkretë dhe këmbët e tua tepër të holla... Do të vdesësh udhës!

- E di, zotni, e di... Po edhe nëse vdes, rëndësi ka që vdes me nijetin tim për në Qabe”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx