Mendime
Vlash Prendi: Festat tona të shumëpritura
E hene, 06.01.2025, 07:57 PM
...FESTAT TONA TË SHUMËPRITURA
NGA
VLASH PRENDI
...Jam
strukur afër stufës dhe rri e mendoj për ditët që kaluan, për festat tona
tradicionale që i festuam me aq gëzim dhe entuziazëm edhe pa i patur njerzit
tanë më të dashur rreth tryezës të shtruar për Krishtlindje, apo për Vitin e
Ri. Gjallëria dukej kudo e vakët, sidomos në fshat. Në pragfesta gëlonte
qyteti, pasi kishte familje që shpresonin, se do të kujtoheshin emigrantët të
ktheheshin për festa pranë prindërve të tyre. Tregu plot me produktet e
nevojshme, ku asgjë nuk mungonte, por me çmime tepër të kripura. Reklama
gjithandej për oferta dhe ulje çmimesh, por në realitet xhepi i konsumatorit
nuk e ndjente këtë ulje. Madje, si për ironi të fatit, as organet kompetente
dhe dikasteret përgjegjëse nuk ndërhynë askund, për të neutralizuar sadopak
abuzimet e kompanive prodhuese me çmimet e produkteve, kur dihet se në çdo vend
të botës, në raste festash praktikohen oferta të panumërta. Kjo bëhet për t’u
ardhur në ndihmë edhe qytetarëve më të varfër, që t’i festojnë festat e
fundvitit si të barabartë me të tjerët.
Festat
kaluan...! Ç’festa them unë? Bilanci mund të bëhet tani, pasi e dime sa para na
kanë mbetur në xhep. Sa ushqime kemi mundur të rezervojme për të kaluar muajin?
Sa të plagosur nga fishekzjarret apo me armë piroteknike kërkuan ndihmë në
spital? Sa aksidente dhe viktima pati në periudhen mes dy festave? Këto ishin
trofetë e kësaj lufte të pashpallur... Besoj se përgjigjet janë të gatshme dhe
situata nuk është aspak normale. Kudo shiten lendë plasësë dhe fishekzjarre të
fuqive shterthyese të ndryshme dhe jashtë çdo kontrollit dhe masave të
sigurisë. Ato shpërthehen në vende të ndryshme, në sheshe, në rrugë, në oborr,
madje edhe brenda banesave duke përbërë rrezik për banorët dhe asnjë masë nuk
merret nga organet kompetente. Si gjithkund, edhe festat duhet të festohen nën
masa sigurie, sepse në emër të gëzimit dhe entuziazmit të tepruar mund të
shkaktohen edhe viktima, ashtu siç ka ndodhur shpesh herë.
Në
të kaluarën festat kishin rendësi të vaçantë, sepse priteshin me gëzim dhe
hare, por krijonin edhe mundësinë që njerzit të takoheshin me njëri - tjetrin,
të festonin, të bisedonin, të diskutonin, të krijonin miqësi të reja etj. Në
bazë të Kanunit kishtarë, kishte festa fisi, festa fshati dhe festa krahine të
cilat nuk binin kurrë në një date. Kjo bëhej për arësye që t’u krijohej
mundësia pjestarëve të një fisi, fshati apo krahine të festonin tek fiset e
tjera. Kështu, veç punëve të shumta në bujqësi, njerëzit komunikonin,
takoheshin, kalonin disa çaste me njëri - tjetrin. Ndërsa sot, thuajse nuk
ndjehet një nevojë e tillë, sepse mjetet e komunikimit masiv janë të shumta,
edhe menuja e festave është e larmishme dhe më e pasur se më pare, për çdo
familje. Për hir të së vërtetës duhet thenë se menyra e jetesës është
vështirësuar ndjeshëm, çmimet janë rritur baras me vendet e BE - së, në mos më
shumë, të ardhurat për frymë janë të ulta, minimum jetik është tëpër i ulët,
pensionet janë nën minimumin jetik, rrogat e punëtorëve, sidomos të atyre të
fasonerive janë tepër të vogla, ndërsa ndihma ekonomike qesharake. Për të
kompensuar këtë gjendje, Qeveria shpërndau shpërblime për disa kategori
shtresash të popullsisë, që ishin të pamjaftueshme për të përballuar festat.
Flasim për rritje ekonomike, flasim për të ardhme të ndritur dhe nuk jemi në
gjendje të japim një rrogë apo pension të 13 - të, flasim për mirëqenie dhe nuk
jemi në gjendje të vemë nën kontroll rritjen e çmimeve, sidomos të artikujve
ushqimorë në prag festash! Kjo nuk duhet të ndodhe pasi, nëse çmimet rriten në
proporcion me rritjen e pagave dhe shpërblimeve, asgjë nuk ndryshon, sepse
mirëqenia e punonjësve rritet, nëse rriten rrogat dhe pensionet dhe çmimet nuk
lëvizin.
Festat
erdhën dhe ikën thuajse pa u ndjerë fare, sidomos në zonat rurale. Në këto zona
nuk pati atë gjallërinë, gëzimin dhe entuziazmin e dikurshëm, pasi nga njëra
anë pak banorë kanë mbetur në këto zona dhe nga ana tjetër, mundësitë ekonomike
për t’i përballuar të dyja festat ishin të kufizuara. Në fshatin tim, që për
ironi të fatit futet edhe ne projektin e 100 fshatrave me përparësi në
investime, nuk pati thuajse aspak atmosfere festive. Aty - këtu takoje ndonjë
fshatar me ndonjë qese me ushqime në dorë, po jo të bënte ndonjë diferencim nga
përditshmëria. Në shtëpitë e fshatarëve mungonin zbukurimet tradicionale, madje
në shumë familje edhe pema - simbol e Vitit të Ri. Kur bisedon me disa prej
tyre, të listojnë justifikime nga më të ndryshmet, për mungesën e atmosferës së
këtyre festave. Disa justifikohen me mungesën e të afërmve, që janë larguar në
kurbet, disa me mungesën e të ardhurave, pensionistët ankohen se kanë pensione
minimale, ka nga ata që i kosiderojnë festat njëlloj si ditët tjera, pasi nuk
ndjejnë gëzim, as entuziazëm për ardhjen e tyre. Përgjithësisht në këto festa
munguan urimet. Nisur nga fakti se urimet në ditët tona bëhen kryesisht
nëpërmjet rrjetëve sociale, shumë prej tyre bëhen në menyre kolektive, gjë që
nuk e ngroh as nuk e respekton individin. Madje shumë miq e shokë përtojnë të
shkruajn dhe të urojnë duke ja lënë këtë dukuri të domosdoshme rastësisë.
Gjithmonë urimet bëheshin individuale dhe të adresuara. Më të zakonshmet
bëheshin nëpërmjet letrave dhe sidomos kartolinave, të cilat mezi i prisnim.
Ato mbeteshin në arkivën personale edhe si kujtim i përhershëm. Sot mungojnë
elementë të tillë mjaft të domosdoshëm për një shoqëri të shendoshë dhe të
sinqertë.
Duke
biseduar me një nenë të moshuar në këto ditë të ftohta dhjetori, pikërisht në
pragfesta, ra fjala e menyrës së festimit të tyre. - Dikur festat i prisnim me
gëzim, - më thotë e moshuara, - sepse megjithëse ishim të varfër, përgatiteshim
se do na vinin miq nga shumë fshatra të tjera, do të takoheshim me njerëz të
gjakut tonë, me të afërm me të cilët kishim kohë pa u takuar. Ndërsa sot, more
bir, nuk të merr malli të takosh njeri, sepse flet përditë në telefon me të,
vjen më shpesh sepse kanë makinat e tyre personale dhe na kushtëzon edhe
gjendja e vështirë ekonomike. - Ja! - më thotë nena, unë nuk pres njeri për
festa, sepse nuk i kam mundësitë, sepse gjysma e pensionit më shkon për ilaçe,
ashtu si gjithë pensionistëve të tjerë, që shkrinë jetën duke ndërtuar për të
tjerët dhe vetë mbetën të varfër. I jap të drejtë kësaj nene, sepse jo rrallë i
shoh vetë pensionistët, që marrin ato dy pare pension dhe venë e i lënë në
farmaci. Si mund të festojë një pensionist në këto kushte? - Festat janë për të
pasurit, - më thotë një bashkëfshatari im. Ata kanë të drejtë të festojnë,
mgjithse ata kanë festë përditë. E pe ti djalë, - më drejtohet mua, - dy herë i
kanë bashkuar votat deputetët tanë në Kuvend, një here kur u votua për Kodin
Zgjedhorë, pikërisht për listat e hapura dhe herën tjetër për rritjen galopante
të rrogave të tyre. Ky është parlamenti ynë, ku tërë ditën deputetët tanë zihen
dhe shahen me libër shtëpie dhe kur vjen puna për të mbrojtur interest e tyre,
përqafohen. Kush duhet të mendojë për këtë popull, për këtë masë të madhe
punëtorësh dhe pensionistësh, që vuajtën shumë në të kaluarën dhe po vuajn edhe
sot.
Para
pak vitesh, një miku im intelektual i njohur, shkoi për t’i kaluar festat e
fundvitit tek vëllai i tij emigrant në Greqi. Veç atmosferes, ofertave për
festa dhe përgatitjes serioze nga ana e autoriteteve shtetërore, ai më tregoi
edhe këtë episod: - Sapo kisha mbërritur në shtëpinë e vllait në Selanik dhe po
prisja me padurim që ai të vinte, pasi kisha një kohë të gjatë pa u parë. Befas
u hap dera dhe ai gjithë gëzim m’u hodh në qafë. Mbi tavolinë hodhi një zarf të
mbushur me euro. Pasi u pyetëm dhe u shmallëm, nuk m’u durua dhe e pyeta: - Po
ky zarf me para, nga të erdhi? - ?shtë shpërblimi që na
jep çdo vit padroni ynë me rastin e festave të fundvitit, - m’u përgjigj
vëllai. Dhe nuk ishin pak, plot 3 mijë euro shpërblim për festa! Thuaj pastaj,
pse emigrojnë shqiptarët? Kjo ndodh në çdo vend të Europës ku punëtori
respektohet, ka vende që japin shpërblime, po ka edhe nga ata, që aplikojnë
rrogën e trembëdhjetë me qëllimin e mire që edhe punonjësit të gëzojnë në rastë
festash, po kjo nuk ndodh në vendin tonë. Ndoqa me kujdes festimet e Nentorit
dhe vura re se megjithse Dita e Çlirimit përkonte me vitin jubilarë të 80 –
vjetorit të saj, festimet për këtë ditë ishin tepër të vakta. Festuan forcat
politike, ndërsa populli ndiqte aktivitetet pa festë, pa entuzizëm, pa mundur
të bëjë asnjë urim.
Ja,
erdhi dhe nata e Vitit të Ri, pa asnjë ndryshim me netët tjera të zakonshme.
Kam zënë një qoshe të divanit dhe po pres ndonjë urim nga shokët dhe miqtë, po
pres që televizioni ynë të jape së paku filmin e përvitshëm “I vetëm në
shtëpi”, pasi mjerisht koncertet në këto festa mungojnë, sepse këngëtarët dhe
artistët shumica janë shpërndarë nëpër botë, ndërsa ata që mbetën, janë të
ftuar në vende të ndryshme të Europës. Po pres që të shtrohet tavolina e varfër
e kësaj feste, e cila është festuar nga të parët tanë edhe në periudhën të
ndryshme të historisë duke e quajtur” Kershëndellat plaka”, e më vonë u quajt
Viti i Ri. Nuk kam me kë të bisedoj, veçse me bashkëshorten, dy pensionistë që
për 45 vjet me radhë në fushën e arsimit, dhamë gjithçka dhe nuk fituam asgjë,
madje as familjen... Me dhimbje shoh herë pashere telefonin, se mos më vjen të
paktën ndonjë urim. Nuk mungojnë urimet, sepse në zemrat e miqëve dhe shokëve
ka mbetur pak dhembshuri, prandaj edhe të urojnë. Më uron poeti Llesh Ndoj nga
Lezha, studiuesi i njohur Anton Nik Berisha nga Prishtina, poeti Ndue Deda nga
Mirdita, shkrimtari Mikel Gojani nga Vjena, piktori Gjergj Kola nga Italia,
poeti Imer Hysa nga Kurbini, Gjergj Shyti nga Tirana etj. Më urojnë edhe
Gëzimi, Ela, Eva dhe Meri i vogël, që megjithse ka vite në Itali, më uron
shqip, kjo më gëzon pa masë. Urimet janë të shumta, por gjendja shpirtërore le
për të dëshiruar, kur nuk mund të festosh me fëmijët tuaj, me nipër dhe mbesa,
me miq e shokë... me tavolinën plot. Duke u kthyer urimet miqëve dhe shokëve,
marr pultin e TV dhe kërkoj të shoh lajmet. Mbetem i shtangur kur dëgjoj se
është shtuar numri i të plagosurve nga festimet me fishekzjarre, madje ka edhe
viktima. Nëse vijnë kështu festat tona..., më mire mos ardhshin kurrë!