Mendime
Florim Zeqa: Zgjedhjet, mundësi e artë e ndëshkimit të politikanëve të korruptuar!
E diele, 05.01.2025, 06:51 PM
Zgjedhjet, mundësi e artë e ndëshkimit të politikanëve të korruptuar!
Shkruan: Florim Zeqa
Do
të ishte me interes për qytetarin dhe fat i mirë për vendin sikur vitin 2025 ta
fillonim me tema të reja, me inovacione e suksese në fushën e ekonomisë,
arsimit, shëndetësisë, e pse jo me suksese e të arritura në fushën e
drejtësisë, përkatësisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të
organizuar, por këto do jenë tema edhe të këtij viti që posa shkelëm.
Viti
i ri me probleme të vjetra
Fatkeqësisht
Kosova hyri në vitin e ri me problemet e vjetra, të bartura nga viti i kaluar,
me sfidat më të mëdha që ka para vetes pas shpalljes së pavarësisë, për shkak
të procesit të bisedimeve të pabarabarta me Serbinë dhe rrezikut që i kanoset
shtetit nga konçesionet e rrezikshme në këto bisedime!
Ky është produkt i politikanëve të
papërgjegjshëm e karrierist, që e kanë penguar ecjen dhe zhvillimin e Kosovës,
me tendencë për ta kthyer në pikën zero, në atë të vitit 1999.
Këta politikan në tavolinën e bisedimeve
nën skenarin serb me vetiniciativën dhe kryeneqësinë e tyre, janë të gatshëm të
shkelin mbi çdo të arritur dhe mbi çdo vlerë për të ruajtur apo rimarrë
pushtetin, për të ruajtur pasuritë milionshe të fituara në mënyrë të paligjshme
korruptive dhe kriminale.
Edhe pse nuk janë zgjidhja e duhur për
vendin në rrethanat aktuale, zgjedhjet e rregullta parlamentare janë një
mundësi e mirë e qytetarëve për filtrimin dhe ndëshkimin e figurave politike që
ua nxinë jetën dhe thyen shpresat për jetë në shtetin e ëndërrimeve të gjata!
Pavarësisht kush vjen në pushtet, me këtë
klasë politike në pozitë dhe në opozitë deri në fund të vitit 2025, do të kemi
më pak shtet e më shumë kriminalitet, do të kemi tkurrje territoriale dhe
zvogëlim të popullatës shqiptare në Kosovë.
"Cosa
Nostra"-at kosovare
Nuk
është fjala për organizatën mafioze siçiliane të shekullit 19-të, por për
mafian kosovare të këtij çerekshekulli.
Zhvillimi i krimit të organizuar në
Kosovë, fillet e veta i ka me fillimin e luftës çlirimtare,
ku individ të papërgjegjshëm në emër të luftës 'çlirimtare' kanë zhvilluar
aktivitete të ndryshme komerciale për përfitime personale, të cilat më vonë
kanë marrë formën e organizimit duke u zgjeruar paslufte në të gjitha partitë
politike dhe qeverisjen e vendit në përgjithësi.
Përfundimi
i luftës çlirimtarei qiti në shesh të gjitha; kush ishin luftëtar të vërtetë të
lirisë sonë dhe kush ishin përfituesit e saj.
Luftëtarët e vërtetë të lirisë sonë, edhe
26 vite nga çlirimi përballën me kafshatën e gojës, ndërsa drejtuesit e
fondeve, komandantët dhe qeveritarët e atëhershëm u shndërruan në milionerë,
uzurpator të pushtetit dhe të çdo gjëjë në këtë vend.
Për habi, me përjashtim të disa zërave
nga Diaspora, të gjithë heshtin, askush nuk e ngrit zërin për zbardhjen e
fondeve të luftës, askush nuk e ngrit zërin për zbardhjen e vrasjeve politike,
askush nuk e ngritë zërin kundër uzurpatorëve të lirisë sonë!
Më falni, për vrasjet e pasluftës do të
flitet shumë dhe çdo ditë gjatë fushatës zgjedhore, anipse kur ishin në pushtet
nuk e bën asnjë hap për zbardhjen e asnjë rasti të vetëm!
Të gjitha partitë politike do të flasin
për korrupsion dhe krim të organizuar, por askush nuk del me fakte të flas me
emër dhe mbiemër për askë, ngase të gjitha janë në bashkrendim me njëra-tjetrën.
Rrjeta e krimit të organizuar në Kosovë është bërë e rrezikshme për jetën e
qytetarëve, është bërë sikur rrjeta e "Spidermanit".
Grupet mafioze nuk do të
mbetën të pamposhtura përgjithmonë
Grupet mafioze të grumbulluar brenda
partive politike, janë shndërruar në sundues dhe përbindësha të mëdhenj, të
paprekshme nga ligjet dhe drejtësia e shtetit të Kosovës.
Mirëpo, kjo nuk do të thotë se do të
mbetën të pamposhtura përgjithmonë. Një ditë do t'u vije fundi edhe këtyre
krijesave njerëzore që po vashdojnë të ushqehen me paratë e qytetarëve të
varfër të Kosovës, me djersën dhe mundin e mërgimtarëve (me plaçkitjen në pikat
kufitare, nxjerrjen e dokumenteve, gjobave në komunikacon, etj).
Grupet mafioze janë sikurse çdo histori
që ka fillimin dhe fundin e saj. Fitorja ndaj këtyre grupeve mafioze nuk mund
të vie si rezultat i heroizmit individual, por si rezultat i angazhimit në këtë
betejë të të gjithë qytetarëve të vendit, përshirë forcat përparimtare nga të
gjitha partitë politike dhe shoqëria civile.
Përvoja e deritanishme e ka treguar se
agjensionet "anti korrupsion", "Task Forca" dhe
"OJQ"-të, nuk janë gjë tjetër vetëm se një 'dekor' i skenës politike
për mashtrimin e qytetarëve.
Të
gjitha agjensionet antikorrupsion janë të kontrolluara nga grupet e interesit
dhe të fortët e politikës, ku bashkë me sistemin e drejtësisë janë bërë
sundimtarët e vërtetë të këtij vendi dhe popullatës së mbetur në Kosovë.
"Kozanostra" (Cosanostra) të vendit tonë, të paprekshëm nga ligjet
dhe drejtësia shtetërore deri më tani kanë mbetur të pandëshkuar edhe nga
ligjet kanunore!
Florim Zeqa, 5 Janar 2025