Mendime
Idriz Zeqiraj: Doktrina "Rebus Sic Stantibus", mundëson anullimin e marrëveshjes të Asociacionit
E hene, 30.12.2024, 07:54 PM
DOKTRINA "REBUS SIC STANTIBUS", MUNDËSON ANULIMIN E MARRËVESHJES TË ASOCIACIONIT
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Nisur nga praktika e doktrinat
shtetërore, janë krijuar parimet fundamentale si "Pacta Sunt
Servanda" që nënkupton se marrëveshjet duhet të respektohen si ligj për
palët, dhe "Rebus Sic Stantibus" që nënkupton se marrëveshjet mund të
pezullohen, anulohen, përfundohen apo tërhiqen prej saj. Këtë parim, si valvulë
sigurie, e njeh edhe Konventa e Vjenës mbi Marrëveshjet-Traktatet, e 1969-tës.
Opozita destruktive e ndjellakeqe, e
prirë nga PAN-i mafioz, i cili ia bëri gjëmën Kosovës, me vrasjet serike
politike dhe hajninë zyrtare, është bërë palë me Serbinë, për ta bërë
Asociacionin, madje pavarësisht llojit të tij! Shqiptarët e Kosovës, në
veçanti, dhe ata të përbotshëm, në përgjithësi, kanë shqetësimin e madh, sepse
çfarëdo lloji i Asociacionit, me apo pa kompetenca ekzekutive, për komunat me
shumicë serbe, është parathënie e ndarjes të Kosovës. Dhe, këtë e dëshmon
Asociacioni i 14 komunave në Bosnje-Hercegovinë, i cili prodhoi "Republika
Srpska" të modelit Dodik.
Deri tani Lëvizja Vetëvendosje ishte e
vetme në rezistencë e kundërshti të bazuar, se Asociacioni që kërkon Serbia dhe
aprovojnë ndërkombëtarët dhe opozita aleate e Serbisë, është nënshkruar në
mënyrë paushalle dhe moskokëçarëse, nën presion dhe shantazh, me dosje faktike
të krimeve serike, të Hashimit me shokë. Së fundi, edhe LDK-ja ka një mendim
ndryshe nga opozita e kriminalizuar e Kosovës. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku,
deklaroi se "ajo që është nënshkruar në Bruksel, ka mundësi të
ndryshohet". Pra, krijimi i Asociacionit mund të përjashtohet, duke u
dhënë siguri për të drejtat bazike minoritetit serb dhe pakicave tjera në
Kosovë. Dhe, shteti i Kosovës e ka dëshmuar këtë përgjatë këtij çerek shekulli.
Monitorimet e specializuara të institucioneve ndërkombëtare, për liritë dhe të
drejtat e njeriut, e pranojnë se Kosova shquhet për demokraci prijetare, jo
vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë dhe botë. Në veçanti, trajtimi i
minoriteteve gëzon liri dhe të drejta shtesë, në raport me shtetet tjera.
Zhurmimi i çakorduar serbo-sllav, me
aleatët e tij, dashakëqinj ndaj Kosovës, trumbeton, mashtrueshëm dhe rrejshëm,
se, gjoja, serbët në Kosovë trajtohen keq. Edhe vetë shqiptarët habitën me
-shpirtin kristian-, në kuptimin klasik të kësaj shprehje. Dhe, për asnjë çast
nuk i janë referuar hakmarrjes, "qerim hesapësh", ndaj popullatës
serbe, bijtë bastardë të së cilës përgjakën Kosovën. Populli i Kosovës vazhdon
të jetojë nën ankthin e madh, për të sotmen dhe të ardhmen e tij. Jemi në prag
të zgjedhjeve qendrore dhe opozita e shantazhuar nga Beogradi zyrtar, me
aleatë, me dosjet kriminale të luftës dhe pas saj, zotohet se do ta krijojë
Asociacionin. Ndërkohë, shpresë ka zgjuar deklarata e tanishme e kryetarit të
LDK-së, Lumir Abdixhikut, se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel mund të
ndryshohet. Rrjedhimisht, gjithçka varet nga të menduarit dhe të kuptuarit
drejtë nga elektorati shqiptar, se të shantazhuarëve PAN-istë, nuk duhet t`u
jipet mundësia për kthimin në pushtet, në këtë kohë zezonë për Kosovën. Andaj,
aleanca, koalicioni LDK-LVV mbetet i paalternativë, për ta përballuar
presionin, sa të padrejtë, aq edhe kriminal, të Serbisë, me aleatët e saj,
armiq të Kosovës, për krijimin e Asociacionit njëetnik serb.
Doktrina "Rebus Sic
Stantibus", normë juridike,
e cila anulon kontrata e marrëveshje
ndërkombëtare
Para disa viteve hasa në
Doktrinën juridike ndërkombëtare: Klauzula "REBUS SIC STANTIBUS" dhe
më pëlqeu që shtetarët dhe pushtetarët tanë t`i referohen asaj, për ta
zhvlërsuar, deri në zhbërje, Marrëveshjen për themelimin e Acociacionit
të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, nuk shoh ndonjë lëvizje, interesim në
këtë drejtim! Madje e kam përsëritur disa herë në shkrimet e mia. Dhe, e kam
arsyetuar me dy të dhëna faktike:
Asociacioni është nënshkruar në kushte
e rrethana super specifike, nga njerëz të shantazhuar dhe të kërcënuar nga
Serbia, me dosjet e krimeve faktike - maltretimin dhe vrasjet seriale e
numerike të kundërshtarëve politikë shqiptarë, me qëllim të marrjes të
pushtetit me dhunë, për karrierë dhe pasurim të disa biçim
"komandantësh" pa ushtarë!
Ish-drejtori gjeneral i Shërbimit
Sekret Francez, DGSE, Pierre Siramy, në një dokumentar special, CANAL +, thotë
se "Hashim Thaçi është agjent i ynë, agjent i Francës. Në historinë e
rekrutimit të Thaçit, është përfshirë Arnaud Danjean, dhendërr i Serbisë, i
cili flet gjuhën serbe në familje, në atë kohë, oficer hulumtues për çështje të
Ballkanit. Thaçi ishte dhe vazhdon të jetë agjent i këtij Shërbimi".
"Gjithçka çfarë duhet të dijë
agjenti, është se ekziston një dosje për të, me kaq mjafton",- thotë
ish-shefi i Shërbimit Sekret francez Siramy.
Kur ndërkombëtarët, -en blok-,
aprovuan kërkesën e Serbisë, për themelimin e Asociacionit në fjalë, festuan-
njëheresh: serbët e Kosovës dhe të Serbisë; Beogradi zyrtar; serbët në Bosnje
Hercegovinë dhe Mal të Zi; si dhe Moska zyrtare, se u krijua "Republika
Srpska" e dytë në Ballkan.
Festa gjithë-serbe, mjaftueshëm,
dëshmoi qëllimin e kërkesës ngulmuese, për krijimin e Asociacionit. Nisur nga
praktika intitucionale, e ndjekur nga serbët e Bosnjes, ndarja e Kosovës do të
ishte e pashmangshme. Bota akademike botërore, në veçanti, ajo amerikane,
angleze, gjermane ..., apelojnë, përsëritshëm, që Kosova me asnjë çmim të mos e
bëjë Asociacionin, sepse ai, fillimisht, do të ishte kanceri i Kosovës, deri në
realizimin e shkëputjes.
Pikërisht, Doktrina "REBUS SIC
STANTIBUS", e parasheh prishjen e Kontratave dhe të Marrëveshjeve
Ndërkombëtare, kur njëra palë nënshkruese dëmtohet dhe e vënë në rrezik
shtetin. Për mrekullitë e kësaj Doktrine, në korrigjimet, ndër shekuj e dekada,
të Marrëveshjeve të dëmshme ndërkombëtare, janë bindëse dhe guidë për veprim.
Profilaksia, si në shëndetësi, ashtu
edhe në politikë, është e shëndetshme, parandaluese e të këqijave.
"Gabova që e binda Ukrainën të heq
dorë, nga programi bërthamor", - rrëfehet Presidenti Bill Cllinton!
"Gabova që lejova dhe aprovova
krijimin e Asociacionit të 14 komunave serbe në Bosnje", - thotë
Christopher Hill!
Dhe, çfarë vlere kanë sot pendesat e
këtyre burrështetasve, për krimet, tashmë, të bëra, kur Ukraina po përgjakët,
në mungesë të armës atomike dhe Bosnja e Hercegovina është asfiksuar si shtet,
pikërisht, nga krijimi i Asociacionit për 14 komunave me shumësi serbe,
Asociacion që prodhoi "Republika Srpska", pothuajse, një shtet brenda
shtetit.
Mendoj se autoritetet e Kosovës, duhet
t`i drejtohen presidentit Macron, të sqarojë pse qytetari francez, zyrtar i
lartë, përdori autoritetin e shtetit të tij, për ta bërë shtetasin e Kosovës
agjent të dyfishtë, të Francës dhe të Serrbisë - njëherësh. Agjenti i DGSE,
Arnaud Danjean, me agjenturën e tij, nga një hiç, zero, e bëri agjentin e tij,
Hashim Thaçin: themelues të UÇK-së; drejtor politik të UÇK-së; kryesues të
delegacionit në Rambuje; shpallës të dhunshëm të pavarësisë, edhe pse nuk po
shpallej e pavarur qeveria, por shteti i Kosovës. Dhe, atij nuk i takonte
leximi i Deklaratës të Pavarësisë të Republikës të Kosovës. Ndërkohë që,
kuadrot e LPK-së e thonë hapur se asnjë strukturë partiake apo ushtarake, nuk e
ka zgjedhur Hashim Thaçin në asnjërën nga këto pozita!
Është kriminale të abuzosh me emrin e
Demaçit, se, kinse, ai po pengonte nënshkrimin e Marrëveshjes në Rambuje.
Analizoni veprimet dhe vendimet banditeske, të ndërmarra nga Hashim Thaçi, si
kryeministër dhe president, për të cilat nuk ka pyetur dhe as përfillur askënd.
Që nga abuzimi i buxhetit shtetëror, për të paguar dhjetra avoketër, për
mbrojtjen e të akuzuarëve nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë;
pagesën e 42 mijë "veteranëve" të rrejshëm; e deri ke emërtesat e
institucioneve, objekteve, auto-rrugëve dhe të tjera. Realisht, Hashimi ishte
nën vartësinë e plotë të shefit të tij freng, Arnaud Danjean, i cili
kishte për mision ta dështonte Konferencën e Rambujesë, duke përmbushur
porosinë e Serbisë.
Është koha për vigjilencë të shtuar.
Kujdes shtetarë dhe pushtetarë të Kosovës tonë halle-madhe! Pika duhet të
vihet mbi "i". Shantazhimi i Hashim Thaçit ka qenë i drejtëpërdrejtë,
"merre ose lëre", dosja voluminoze, me krime numerike, është e
gatshme. Klienti i tmerruar nuk konsultoi as strukturat partiake dhe as ato
shtetërore. Dertoi me vartësin e tij, Isa Mustafa dhe bëri nënshkrimin fatal,
kapitullues. Për pasojë, një marrëveshje e bërë në rrethana enorme të
presionit, nuk është valide dhe duhet zhbërë, referuar doktrinës juridike
ndërkombëtare "Rebus Sic Stantibus".
Të shantazhuarit nuk duhet lejuar të
ngritën në pozita pushtetare dhe shtetërore, sepse, për t`i shpetuar ndeshkimit
ligjor, për fajet personale të bëra, dëmtojnë seriozisht shtetin. Në rastin e
Kosovës, kjo është vërtetuar katërcipërisht. Për çerek shekulli përballën me
drejtësinë dhe burgjet, megjithatë, duan pushtet! O tempora! O mores! (Oh kohë,
oh zakone!)
------------------------------------------------------------------------------
https://www.koha.net/veshtrime/419027/valvul-sigurie-per-kosoven