Mendime
Idriz Zeqiraj: Rithemelimi i Nëndegës së LDK-së në Nürnberg të Bavarisë gjermane
E premte, 27.12.2024, 07:53 PM
Kryesia
e punës të Kuvendit, kryetari Faruk Tafa falenderohet për besimin e dhënë
RITHEMELIMI
I NËNDEGËS TË LDK-Së NË NÜRNBERG TË BAVARISË GJERMANE
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Në
kuadrin e riorganizimit partiak, në Nürnberg të Bavarisë, u rihap Nëndega e
LDK-së. Ky subjekt politik, ka lozur një rol të madh, sidomos në 10-vjeçarin e
viteve `90-a, duke ndihmuar Kosovën për mbijetesën financiare, e deri tek
kontributet për luftën e saj për çlirim. Nuk qëndron vlerësimi paushall, se,
kinse, organizimi partiak ka dëmtuar Mërgatën. Përkundrazi, mungesa e një Lobi,
me mbikqyrjen, monitorimin e shtetit, subjektet politike, kanë kontribuar që
mërgimtarët tanë të jenë të organizuar dhe t`i përgjigjen thirrjes të Atdheut
financiarisht, si dhe me pjesëmarrjen
fizike në luftën për çlirim. Disa syresh ranë dëshmorë në fushën e
nderit, duke bërë detyrën për Atdheun-Kosovë.
LDK-ja,
si lëvizje masive kombëtare, ishte prijetare në fillim-vitet `90-a. Shtriu
aktivitetin partiak edhe në Mërgatë, duke themeluar Aktivat e saj në çdo
mjedis, qytet e qyteza, ku mërgimtarët ishin me shumësi. Çuditërisht, një
urdhër nga Qendra, Prishtina, u dha, pa pyetur dhe pa konsultuar anëtarësinë
numerike të LDK-së: "Të shuhen Aktivat dhe të krijohen Nëndegët, vetëm në
Bashkësitë lokale!" Këtu filloi devijimi, më saktë, rrënimi i LDK-së, i
kësaj krijese zëmadhe të kryetarit Ibrahim Rugova. Zërat mospajtues dhe
kundërshtues, në Kosovë dhe Mërgatë, u mbytën, madje lehtësisht, nga kryetari i
katapultuar Isa Mustafa, me rrethin e tij vicioz, i cili do të konsolidohej si
klan, për t`ia bërë gjëmën LDK-së, duke e zbritur në kuotën fatale 10.5 %! Që
nga anëtarësia e deri ke ish-kryetari Fatmir Sejdiu, i cili në Kuvendin
zgjedhor të LDK-së, i tërhoqi vërejtjen Lidershipit të atëhershëm, se shuarja e
Aktivave është parathënie e zvetnimit, deri në shuarje të partisë të
Presidentit Rugova, duke kërkuar të reflektohet, për ta shpëtuar LDK-në.
Megjithatë, kryetari Mustafa dhe turma kuvendore, e seleksionuar dhe e
përzgjedhur, për t`i shërbyer klanit, cinikisht e përbuzshëm, për të mos thënë
rrugaçërisht, shpërfillën thirrjen, sa të arsyeshme, aq edhe fisnike, të ish
titullarit të partisë dhe të anëtarësisë dhe të elektoratit - njëherësh!
Koha
dëshmoi se "peshku ishte qëlbur në kokë". Hashim Thaçi, me SHIK-un e
tij kriminal, kishin punuar bollshëm, për ta katapultuar njeriun e tyre në krye
të LDK-së. Tandemi Hashimi-Isa, duke mbajtur të shantazhuarit në pushtet, e
kontaminuan, deri në kriminalizim, jetën politike në Kosovë. Ndryshimi i
shumëpritur u imponua pas humbjes së turpshme, që pësuan PAN-istat, me aleatët
e tyre, paterica të krimit dhe të kriminelëve. Braktisja që elektorati, populli
u bëri shkaktarëve të përgjakjes dhe kryehajnave të Kosovës, ishte gjyqi unik
për falsifikatorët e historisë, për ta përvetësuar luftën faktike të FARK-ut të
Ibrahim Rugovës dhe të popullit të Kosovës.
Lidërshipi
i ri i LDK-së, i kryesuar nga kryetari i vyeshëm, Lumir Abdixhiku, me ekipin e
tij, nismoi reformat, duke ngjallë shpresë e besim, se LDK-ja do të vazhdojë të
frymojë sërishmi me idealet dhe parimet e shenjta rugoviane. Për ta ripërtrirë
organizimin dhe veprimtarinë e tyre të suksesshme, ndër vite dhe dekada, një
masë mërgimtarësh vendosen për rithemelimin e Nëndegës të LDK-së në Nürnberg,
të Bavarisë gjermane. Nismëtarë u bënë Vëllezërit Tafa, nga Tërstena e Vitisë,
me një grup aktivistësh, të prirë nga vëllai i madh, baca Emrush , siç e
thërrasim ne. Baca Emrush, me gjithë barrën e viteve, nuk dorëzohet. Ai me
vëllezër dhe mërgimtarët tjerë, janë shquar në organizimin e shkollës shqipe;
në begatimi e Fondit Shtetëror, të shprehur në 3 %-shin; në të gjitha aksionet
e para luftës; si dhe me kontributet financiare për luftën.
Femrat
mërgimtare pjesë e Kuvendit zgjedhor në Nürnberg
Kuvendin
themelues e hapi kryetari i Këshillit zgjedhor të Nëndegës, Xhymshit Tafa, i
cili në fjalën hapëse përshëndeti ish-kryeministrin Avdullah Hoti, njëherësh
anëtar i Kryesisë të LDK-së dhe deputet; kryetaren e Degës të LDK-së të
Bajernit. Sarandë Musliun; ish-kryetarin e Degës për Gjermani, Osman Ferizin;
nënkryetarin federal të të Rinisë
Paneuropiane, në Gjermani, Christian Hoferer; kryetarët e Nëndegëve të LDK-së,
në Bavari; kryetarin e Komisionit të Fondit Shtertëror të 3 %.shit, Pjetër
Colin; si dhe të gjithë të pranishmit. Interesimi për themelimin e kësaj
Nëndege ishte i një mase të mërgimtarëve, të cilët jetojnë e punojnë në
Nürnberg me rrethinë.
Zotëri
Xhymshit Tafa ftoi zonjen Sarandë Musliu, për fjalën e rastit, e cila edhe e
udhëhoqi Kuvendin zgjedhor. Në mes tjerash, ajo bëri një ekspoze të
veprimtarisë të Degës për Bajern. "Kemi punuar shumë, por jo edhe aq sa
duhet. LDK-ja mbanë vulën e paqes dhe të luftës. Shqiptarët e Kosovës shquhen
për mënyrën se si kemi arritur ta realizojmë lirinë, në rrethanat e një
pushtimi shekullor. Dhe, kjo falë mençurisë të liderit unik Dr. Ibrahim Rugova.
Në saje të kësaj trashëgimie, LDK-ja sot vazhdon traditën e organizimit
politik, me parësi interesin e shtetit, mbi atë partiak. Para 4 (katër) viteve
kemi përjetuar një katars, goditje meritore, përshkak të interesave personale e
grupore, para atyre partiake e shtetërore. E pësuam, por, edhe pse me vonesë, u
këndellëm dhe nuk u dorëzuam. Dallimet fundamentale me subjektet tjera politike
janë se ato e duan, thjeshtë, pushtetin, më parë se sa shtetin. Ndërsa LDK-ja
synon pushtetin, për çuarjen përpara të proceseve, për konsolidimin dhe
prosperimin e shtetit, si amanet, porosi e themeltarit të shtetit të Kosovës,
Presidentit vizionar Ibrahim Rugova".
Nënkryetari
i LDK-së, Avdullah Hoti, fillimisht, falenderoi organizatorët e këtij Kuvendi
zgjedhor, për ftesën e bërë. Ai i përshëndeti me përzemësi të gjithë të
pranishmit, duke uruar për mbarësi dhe punë të suksesshme Kuvendit Zgjedhor të
Nëndegës të LDK-së, në Nürnberg. Unë ndjehem sa i privilegjuar, aq edhe i
gëzuar që sonte jam në mesin tuaj dhe Lidhjes Demokratike i shtohet edhe një
Nëndegë, duke e begatuar dhe forcuar atë në procesin e riorganizimit, për t`u
përgaditur, për ta marrë përgjegjësinë e qeverisjes, në zgjedhjet e pritshme të
shkurtit të afërt. Mërgata është pjesë integrale e Atdheut dhe forcë shtytëse,
morale dhe materiale, për zhvillimin e tij. Unë uroj gjithë të mirat për ju
mërgimtare dhe mërgimtarë të dashur, me thirrjen që të vazhdoni të jeni pjesëmarrës
aktiv, në proceset e konsolidimit dhe të zhvillimit të Kosovës tonë", -
tha, veç tjerash, Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti.
Folës
i radhës ishte Osman Ferizi, luftëtar dhe veprimtar aktiv, i cili pos tjerash,
tha se "LDK-ja, me organizimin e ri, duhet t`i kthehet rugovizmit të
mirëfilltë, me debatet racionale dhe angazhimet serioze, e hapur ndaj
anëtarësisë, simpatizantëve, elektoratit dhe popullit të Kosovës. Distancimi
nga e kaluara devijuese e rugovizmit, e cila dëmtoi, madje skajshëm, partinë, dikur
krenare, të Ibrahim Rugovës, është i domosdoshëm. Jemi në prag të zgjedhjeve,
të mobilizohemi për një fitore të dinjitetshme".
Pamje
kolektive nga Kuvendi zgjedhor i Nëndegës së LDK-së, në Nürnberg
Procesi
zgjedhor u përshkua në frymë përbashkuese dhe entuziaste. Kuvendi zgjodhi
kryetarin dhe Kryesinë e Nëndegës: Faruk Tafa - kryetar, Hamëz Morina -
nënkryetar, Shpresa Sahiti, Armend Lulaj, Naim Imeraj, Tafë Povataj, Avdullah
Maloku, Qamil Avdijaj, Xhymshit Tafa, Naser Haskaj - anëtarë. Për arsye të
pritshmërisë për anëtarësim, plotësimi i Kryesisë do të bëhet në mbledhjen e
radhës.
Kryetari
Faruk Tafa, në mes tjerash, tha: "Ju faleminderit për pjesëmarrje të
numerike. Ju përshëndes me përzemërsi të gjithëve, në veçanti, mysafirët e
nderuar, duke veçuar nënkryetarin e LDK-së, Avdullah Hoti, i ardhur, enkas, nga
Kosova dhe të gjithë ju, të tjerëve, të pranishëm në këtë sallë festive.
Zotohem para jush, anëtarë dhe simpatizantë, se do të punojmë së bashku, për të
mirën e LDK.së dhe të Kosovës. Në emër të Kryesisë të zgjedhur, ju faleminderit
të gjithëve, që na besuat dhe votuat, për ta drejtuar Nëndegën e LDK-së, në
Nürnberg, me premtimin se besimin tuaj do ta vlerësojmë dhe nuk do t`ju
zhgënjejmë. Kryesia e zgjedhur do të punojë si një ansambël unik, kolegjiale,
për t`u bërë shembull për të mirë, në të gjitha veprimtaritë, për ta justifikuar
besimin tuaj".
Baca
Emrush, siç e thërrasim ne, është i pari i Vëllezërve Tafa. Familje e madhe
edhe në Mërgatë, e shtuar me djemë e nuse, vajza e dhendurë, e cila gërsheton
traditën e mirë shqiptare, me
bashkëkohoren emancipuese vendore, ku aktualisht, jetojnë e punojnë, është si
një Kosovë në miniaturë. Shtëpia e madhe, e ndarë në kate-banesa, është e
bollshme për të gjithë Vëllezërit Tafa. Bizneset i kanë të suksesshme dhe
punësojnë me dhjetra mërgimtarë bashkëkombas. Dhe, krahas kontributeve tjera
për Atdheun, punësimet e bëra, janë një ndihmë shtesë. Thënë troç, janë familje
fisnike, për lakmi.
Zgjodha
për bisedë veteranin veprimtar të hershëm, pjesë e shumë organizimeve në
Mërgatë, gjithherë për të mirë të Atdheut, bacën Emrush. - A mos jeni vonuar në
riorganizimin partiak, respektivisht, në hapjen e kësaj Nëndege të LDK-së, pas
shuarjes të Aktivit, në mjedisin ku jetoni?
"Realisht,
edhe pas zvetnimit organizativ të Aktivave, për të mos thënë shuarje e
qëllimshme, për çka ka edhe dyshime, ne nuk kemi pauzuar dhe kemi bërë qindra
kilometra, në aktivitete të ndyshme të LDK-së, për t`u dëshmuar se nuk
dorëzohemi. Më lehtë është ta bëjsh një organizim fillestar, se sa ta
riorganizosh atë pas prishjes, sepse humbet besimi, serioziteti i asaj pune.
Pas asaj hallakame brenda LDK-së, me rrjedhje të madhe të elektoratit të saj,
rimëkëmbja, riorganizimi ishte i vështirë, sidomos, në kushte dhe rrethanat e
Mërgatës. Mendoj se jemi në kohën e duhur dhe kemi punuar shumë, për
mbushamendjen e komunitetit të këtueshëm, se duhet të riorganizohemi, tashmë,
si Nëndegë. Dhe, masoviteti, shumësia e pjesëmarrësve, është dëshmi e suksesit
të pritshëm", na tha veprimtari i vyshëm, me një sinqeritet proverbial,
bacë Emrush Tafa.
Prania
e botës femërore, gra dhe vajza, në Kuvendin zgjedhor të Nëndegës, dëshmon për
pjesëmarrje politike, emancipuese, përkrah meshkujve. Darka tradiconale e
përgaditur nga gratë duar-arta të Nëndegës, për mysafirët numerikë, është
dëshmi e respektimit dhe të mirëpritjes tipike shqiptare, edhe në Mërgatën
tonë, pothuaj se, milionshe.
U
ndamë nga bashkëpunëtorët dhe miqtë tanë të dashur, me urimin e çiltër: - Paçi
mbarësi në punën Tuaj fisnike dhe qofshi gjithherë faqebardhë!