Mendime
Agron Tufa: Letër e ngutshme Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë
E hene, 13.01.2025, 06:57 PM
Letër e ngutshme Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë
Nga
Agron Tufa
I
nderuar doktor Berisha,
Nisur
nga një shqetësim i hershëm dhe i ri, që s’ka e s’mund të ketë kurrfarë
interesi personal, përpos botëkuptimit tim të djathtë, ju sjell edhe njëherë në
vëmendje, ashtu si gjatë viteve 2006-2013 fillimisht, çështjen e ndërhyrjeve në
rregullat demokratike nëpër degët e PD.
Ajo
që ka ngjarë dje me zgjedhjet në degën nr. 2 të PD-së në Tiranë me
megamanipulimin e vullnetit të lirë të anëtarëve të kësaj dege, me truket,
falsifikimet, për të nxjerrë me doemos një fitues sipas shijeve të diktuara nga
Grupi i Punës, është një ogur kobzi për perspektivën e ardhshme të zgjedhjeve
nëpër degët e tjera dhe minim i rrugës së popullit demokrat drejt 11 majit
2025.
Për
hir të zemrës së bardhë e të përkushtuar të demokratëve të thjeshtë anembanë
Shqipërisë, këtij populli të mrekullueshëm, besnik e të shumëvuajtur, ju,
doktor, duhet të informoheni mirë mbi këtë çështje. Për më tepër, të
ripërsëriten zgjedhjet në këtë degë, gjithë në pajtim me statutin dhe
rregulloren. Përndryshe kjo teknologji e stërholluar ndër vite të gjata, e
ndërhyrjes nga lart të adeptëve të Kryesisë Qëndrore nëpër degët e PD (kushdo
qofshin ata), jo që e deformon, por e shpartallon vullnetin e votuesit
demokrat. Si ka mundësi që ende vazhdojnë këto sëmundje të hershme, pa gjetur
dot shërim?
E
kam parë këtë film të neveritshëm që nga viti 2006 e në vijim në shumë degë të
PD-së, po marr të Dibrës, p.sh., dhe, për këto dallavere me kumbari të të
deleguarve nga Kryesia e PD, që vinin dhe trazonin kazanin, ju kam informuar i
shqetësuar personalisht në bazë të fakteve, asnjëherë për as edhe një grimë
interes! Nuk mund të mbyllja sytë para padrejtësisë së dhunshme e të trashë...
Më vonë, për të njëjtat probleme kam vënë në dijeni dhe z. Basha (gjatë
periudhës 2013-1019), gjithmonë me fakte, që gjithmonë vërtetoheshin. Dhe
çfarë? Kronikë e një shpartallimi të paralajmëruar... Asgjë nuk u bë! U larguan
njerëzit më të sinqertë, madje u goditën, u shpallën armiq, ikën jashtë vendit
me gjithë familje dhe fëmijët e tyre të pafajshëm, që prindërit i kishin rritur
me frymën e lirisë së PD-së! Ata nuk dinin si t’ua shpjegonin fëmijëve, se
përse po goditeshin, përse hiqeshin nga puna, nga po ajo parti e djathtë, me
frymën e të cilës i kishin rritur fëmijët e tyre. Unë e kam prekur këtë dramë,
e kam parë. Ata, doktor, u përndoqën
egërsisht dhe ishin intelektualë krejt të sinqertë e të vendosur, të drejtë e
të pakorruptueshëm, por u larguan duke marrë me vete brengë e hidhërim. U
shpallën armiq! Dhe Dega, siç dihet, degradoi - nga një fortesë e PD, erdh e u
shpërfytyrua nga humbja në humbje. Monstruoze!
A
duhen dëgjuar zërat kontestues? Sidomos të atyre që nuk kanë interes, përveç
botëkuptimit të tyre të djathtë? Kam përshtypjen se kësaj sëmundjeje të
Ndërhyrësve nga Lart, i duhet dhënë fund, tani, duke ripërsëritur rrënjësisht
zgjedhjet në degën nr.2 të PD-së, Tiranë.
Adeptët
e mësuar me këto lojëra të pashëndetshme, duhet të marrin një mësim të qartë.
Një tarafi të hershëm e më përvojë të gjatë burokratike në kësi dallaveresh
zgjedhore i intereson më shumë konformizmi i postit humbës se sa bashkimi
problematik, hapja dhe rregullat demokratike!
Lëndues
e fyes konspiracioni kundër znj. Irma Marku, që ka hyrë me grupin e saj shtëpi
më shtëpi nëpër gjithë lagjen, që ka kaluar me grupin e saj netë të tëra poshtë
ballkonit të liderit të burgosur të Partisë Demokratike. Ajo, doktor, ajo me
grupin e saj, jo fituesja, jo hunda e saj sqimatare... Dhe, siç e pohojnë, një
ndër akuzat e grupit të punës ndaj znj. Marku, ka qenë se ajo “e ka mbushur
degën e PD nr. 2 plot me ish-të përndjekur politikë(!!)”. Nuk do ta
dekonstruktojmë këtë fjali: ajo e plotëson mjaftueshëm autoportretin e
akuzuesit.
Me
ndjesën që ju shkruajta gjatë, sugjerimi im i vetëm mbetet ky: zgjedhjet në
degën nr. 2 të PD, Tiranë, duhet të ribëhen rrënjësisht! Lakrori do ta tregojë
pastaj se çfarë ka brenda petëve...
Me respekt,
Agron Tufa
Shkrimtar, azilant politik
12.01.2025