Mendime
Eshref Ymeri: Derusifikimi i Ukrainës
E hene, 13.01.2025, 06:53 PM
Derusifikimi
i Ukrainës
Nga
Eshref Ymeri
Rusia cariste, kështjella e errësirës shumëshekullore, si edhe sundimi i egër komunist mbi shtatëdhjetëvjeçar, patën ushtruar një diktaturë të egër mbi popujt e kombeve dhe të kombësive të shumta brenda asaj ngrehine euroaziatke, e cila, në ditët tona, është kthyer në një gërmadhinë në kalbëzim e sipër. Ajo diktaturë, e mishëruar në shumë aspekte të jetës së tyre, qe shfaqur me më shumë barbari në zbatimin e një politike të egër shoviniste për rusifikimin e tyre. Por egërsia më e madhe e asaj politike qe vënë re në Ukrainë, ndaj së cilës diktatura rusosovjetike ushqente një smirë dhe xhelozi të papërmbajtur. Kjo për arsye se Ukraina ka pasë qenë dhe mbetet kryevatra e kulturës sllavianolindore, me kryeqytet Kievin, të themeluar në vitin 482, ndërkohë që Moska është themeluar 665 vjetë më vonë, më 1147. Madje edhe Moskën e pati themeluar princi ukrainas Juri Dollgoruki (1090-1157).
Njëra nga mënyrat djallëzore të politikës shoviniste ruse për rusifikimin e kombeve dhe kombësive joruse, ka qenë vendosja në territoret e tyre e shtatoreve të politikanëve, të poetëve, të shkrimtarëve rusë. Rusifikimin e përhershëm politika ruse e pati intensifikuar sidomos në fushën e toponimisë, duke flakur toponimet vendase nga ato territore dhe duke i zëvendësuar me toponime ruse.
Me kalimin e viteve, shovinizmi rusomadh, përmes shërbimeve sekrete, ka bërë
ç’është e mundur për instalimin e agjenturës së vet në Ukrainë. Njëri nga kryeagjentët e Rusisë ishte Presidenti Viktor Janukoviç (1950), i cili, më 21 nëntor të vitit 2013 nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, çka solli si pasojë shpërthimin e protestave masive në sheshin kryesor, Maidan, të Kievit. Si rezultat i atyre protestave të fuqishme, më 22 shkurt 2014, Janukoviçi qe rrëzuar ng pushteti dhe, për t’i shpëtuar ndëshkimit mbarëpopullor, u arratis në Moskë.
Me kalimin e viteve, kryediktatori rus Vladimir Putin ishte duke përjetuar një gjendje ankthi, i frikësuar nga ndikimi në Rusi i ideve të Maidanit, me pasojë rrëzimin nga pushteti. Kot shqetësohej Putini, sepse, siç thotë shkrimtari i shquar rus Ivan Shmelov (1873-1950), “Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë” (Faqja e
internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015). Apo gazetari ukrainas
Juri Butusov (1976): “Në Rusi gjithmonë kemi të bëjmë me shërbëtorë të egër të
pushtetit” (po aty).
Sulmi i 24 shkurtit 2022 kundër Ukrainës së pavarur dhe
sovrane, i përkrahur nga shumica dërrmuese e popullit rus, i çori maskën përfundimisht
Rusisë, si një vend skllevërisht, kriminelësh, gënjeshtarësh dhe grabitësish
nga më të neveritshmit në historinë e njerëzimit.
Pas atij sulmi, të cilin popullit heroik ukrainas dhe
forcat e tij të armatosura e përballuan dhe vazhdojnë ta përballojnë me një
heroizëm të jashtëzakonshëm, ushtria fashiste ruse, deri ditën e sotme, 12
janar, numëron 808 250 ushtarakë të vrarë (Tv “FreeDom”), kurse shumica
dërrmuese e popullit rus vazhdon përkrahjen për kryekriminelin Putin. Kësisoj,
Ukraina heroike e shkeli me këmbë mitin e “madhështisë” së Rusisë, bashkë me
mitin e “pathyeshmërisë” së forcave të
saj të armatosura. Përveç kësaj, organet ligjvënëse të Ukrainës, që në
pranverën e vitit 2013, patën marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, vendime
këto, të cilat kanë pasur si qëllim kryesor derusifikimin e vendit. Kjo për
arsye se personalitetet e njohura të artit dhe të kulturës ruse, me
krijimtarinë e tyre, nuk e patën fisnikëruar shpirtin e popullit rus, nuk patën
ndikuar absolutisht në edukimin e popullit rus me ndjenjat e dashurisë, të
fisnikërisë dhe të respektit për popujt e tjerë, sidomos për popujt fqinj, nuk
e patën edukuar absolutisht popullin rus për çrrënjosjen e psikologjisë prej
skllavi, të ngulitur në shekuj me zvarritjen para sundimtarëve gjakatarë.
Gazetari rus Gleb Pjanëjh (1968), drejtues emisionesh televizive, në
YouTube-kanalin e vet “Mëngjesi i shkurtit”, i pati marrë një intervistë
gazetarit të njohur ukrainas Dhimitër Gordon (1967), i cili e pati botuar në
faqen e internetit “Gordon”. Në atë intervistë ai thekson:
“Kultura ruse nuk qe në gjendje të përballonte problemet
morale në shoqëri. Mendoj se kultura e madhe ruse, në personin e etiopiasit
[Aleksandër] Pushkin, të skocezit [Mihail] Lermontov, të polakut [Fjodor]
Dostojevski, të ukrainasit [Nikollaj] Gogol dhe të rusit [Mihail]
Saltikov-Shçedrin, nuk pati funksionuar. Po them se kjo kulturë nuk pati
funksionuar në shoqërinë ruse. Në shoqërinë ruse ka funksionuar propaganda e
hebreut [Vladimir] Sollovjov, e armenases [Margarita] Simonian, e ruses [Olga]
Skabejeva (servilë-tellallë të Putinit në televizionin shtetëror rus “Rusia
1” - E.Y.). Ja, kjo treshe ndikoi më mirë sesa Pushkini, Lermontovi
dhe Dostojevski, të marrë së bashku. Rezultoi se shoqëria ruse është bërë
çnjerëzore. Rezultoi se rusët janë të aftë të duartrokasin për vrasjet, për
bombardimet, për përdhunimet, për krimet” (Citohet sipas: “Gordon: Unë e urrej Rusinë dhe shumicën dërrmuese të
rusëve. Dhe kam të drejtë për një gjë të tillë. Asnjëherë s’kam për ta harruar
se çfarë kanë bërë”. Faqja e internetit “gordon.ua”. 03 qershor
2023).
Pas fillimit të operacionit special, autoritetet e
Ukrainës patën aktivizuar përsëri luftën kundër trashëgimisë ruse dhe
sovjetike. Faktikisht, procesi nuk qe ndërprerë që prej fundit të vitit 2013,
kur në qendër të Kievit protestuesit çmontuan skulpturën e udhëheqësit të
proletariatit botëror, Vladimir Leninit (në Ukrainë, sipas faqes së
internetit “inshe.tv” të datës 24 qershor 2022, qenë çmontuar 1300
shtatore të Leninit - E.Y.). Kjo pati nxitur jo vetëm
një valë çmontimesh të shtatoreve dhe të përmendoreve në pjesë të tjera të
vendit, por edhe aprovimin e ligjeve për
dekomunistizimin. Që asokohe, në Ukrainë qenë çmontuar më shumë se 2500 shtatore
dhe përmendore sovjetike, qenë riemërtuar 987 qendra banimi dhe 52 mijë rrugë.
Por nëse atëherë në Ukrainë luftonin për
të hequr qafe trashëgiminë sovjetike, tani procesi ka filluar të quhet haptazi
derusifikim. Gjatë muajve të fundit u flakën emërtimet historike nga qindra
rrugë dhe bulevarde, nga dhjetra qytete dhe fshatra, kurse disa objekte
kulturore, që lidheshin me Rusinë, qenë zhdukur plotësisht. Vala e re e
derusifikimit pati prekur jo vetëm monumentet politike, por edhe shtatoret dhe
përmendoret, kushtuar poetëve, shkrimtarëve, shkencëtarëve dhe personaliteteve
politike.
Kur njihesh me këto vendime që qenë marrë dhe qenë
zbatuar në Ukrainë dhjetë vjetët e fundit për flakjen e shtatoreve dhe
toponimeve ruse, habitesh se si është e mundur që toponimi i neveritshëm serbosllav
“Kosovo” nuk qe zëvendësuar me toponimin iliropellazg “Dardani” menjëherë pas
shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Edhe sa kohë populli dardan do të
vazhdojë të mbajë “mbi shpatulla” një toponim nga gjuha e një vendi armik
shumëshekullor?!
Kaliforni, 12 janar 2025