Mendime
Florim Zeqa: Fushatë e shfrenuar dhe e zhurmshme!
E shtune, 18.01.2025, 07:52 PM
Fushatë e shfrenuar dhe e zhurmshme!
Java e parë e fushatës zgjedhore e nxori në
shesh hipokrizinë e partive politike dhe urrejtjen e skajshme të liderëve
partiakë ndaj njëri-tjetrit! Premtimet megalomane të liderëve partiak u ngjajnë
përrallave të gjyshërve para se t'i vënë në gjumë nipat dhe mbesat e tyre!
Shkruan:
Florim Zeqa
Vazhdon avazi i
premtimeve boshe të politikanëve
Premtimet
e liderëve partiak ndaj qytetarëve, përveqse të parealizueshme jan? qesharake dhe të pavërteta, të mbështjellura me propagandë
dhe hipokrizi, të cilat janë aq të parealizueshme dhe të pabesueshme saqë
paraqesin mjerimin e kohës në të cilën po jetojmë si komb dhe shoqëri njerëzore
në përgjithësi.
Janë
të njëjtat parti dhe pothuajse të njëjtët liderë partiakë, ish ministra dhe
deputet, janë të njëjët politikan, ish drejtor të bordeve dhe agjensioneve, ish
drejtues dhe sekretar permanent të institucioneve publike që po e mashtrojnë
popullin e (vet)mashtruar për dekada rresht.
I
quajta të vetmashtruar për faktin, se një herë të mashtron çdo kush, por,
herave tjera fajet i ka i mashtruari e jo mashtruesi!
Po
vazhdon avazi i vjetër i premtimeve të qytetarëve me kinse ndërtimin e një
infrastrukture të re, ndërtimin e çerdheve e shkollave, ndërtimin e rrugëve
nëpër lagje, rrugë magjistrale e autostrada me standarde të larta
ndërkombëtare!
Po
ashtu po vazhdon avazi i premtimit të rritjes së pagave në sektorin publik, të
rritjes së pensioneve kontributdhënëse dhe atyre invalidore, përshirë rritjen e
pensioneve të veteranëve të luftës çlirimtare!
Por,
për habi, deri më tani asnjëri liderë partiakë nuk foli për nivelin e pagave në
sektorin privat, si shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit tonë!
Zanati i politikës
menjëherë pas "zanatit" më të vjetër...
Pasurimi
i shpejtë i politikanëve është kthyer në lakmi qytetare për t'u inkuadruar në
politikë! Hyrja në politikë tani është bërë më joshëse se asnjëherë për të
gjitha shtresat e shoqërisë pa dallim profesioni, pasi motivi kryesor është
fitimi i madh dhe i shpejtë pa djersën e ballit!
Dëshira
për ta rritur standardin jetësorë dhe shtuar kapitalin ekonomik familjarë dhe
biznesorë, i ka shtyer shumë profesionist të shkëlqyer që ta braktisin
profesionin e tyre fisnik dhe t'i mvishen poli(e)tikës.
Kjo
po dëshmohet edhe në këto zgjedhje, ku figura të artit dhe kulturës, yje të
artit dhe të estradës muzikore, figura të shoqërisë civile dhe mjek të
profesioneve të ndryshme, gazetarë dhe analist, e madje edhe bizesmen të
suksesshëm kanë hyrë nepër listat e partive politike si kandidat për deputet të
Parlamentit të Kosovës.
Kanë
hyrë pasi zanati i politikes ua ka vëbuar sytë, sepse është bërë më tërheqës
dhe më fitimprurës sesa profesionet misionare në shërbim të popullit dhe
qytetarëve!
Deri
në këtë situatë e kanë sjellur popullin kjo klasë politike e papërgjegjshme, të
cilët e kanë thyer çdo përspektivë për të gjithë profesionistët e fushave të
ndryshme të shoqërisë sonë, të cilët kanë hyrë nëpër listat e partive politike
për të përfituar materialisht me ëndrrën për të ndërtuar karrierë të suksesshme
politike dhe famë karshi opinionit publik.
Java
e parë e fushatës zgjedhore karakterizohet me shfrenim total të liderëve
partiakë dhe me tubime të zhurmshme, që më së paku u ngjanë tubimeve
elektorale. Liderët partiakë janë mes frikës së humbjes së pushtetit dhe
dëshirës për t'a rimarrë atë!
Florim Zeqa, 16 Janar 2025